ATV

Author: E.R.

  • Rama përkrah kërkesat e BE-së për depërshkallëzim në veri, Kosovën e quan vëllazërore – Serbinë mike

    Rama përkrah kërkesat e BE-së për depërshkallëzim në veri, Kosovën e quan vëllazërore – Serbinë mike

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ka kërkuar që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.

    “Shpresoj shuumë  që Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë t’i kthehen arsyes si shtete evropiane përgjegjëse”, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.

     

    Ndërsa, duke reaguar ndaj deklaratës së Borrellit, Rama ka thënë se “Bashkimi Evropian nuk mund të jetë më i qartë!”.

    “Vazhdimi me këtë plan absurd, duke dërguar policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, duke dërguar trupa ushtarake për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër, nuk mund të ishte më vetëshkatërruese dhe më pak evropiane”, ka shkruar kryeministri Rama.

    Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.

    “Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në deklaratën e Borrellit.

    “Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna ka mundur të evitohet, dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, është thënë në deklaratë.

    Sa i përket Serbisë, BE-ja, “shpreh shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.

    “Bashkimi Evropian, pret nga Kosova dhe Serbisa të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët. Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është thënë mes tjerash në thirrjen e bllokut evropian.

  • ‘Tigri’, tregon kujt i ‘frikësohet’ diaspora

    ‘Tigri’, tregon kujt i ‘frikësohet’ diaspora

    Aktori i njohur i cili jeton dhe vepron në Gjermani, Kreshnik Ibrahimi ka postuar një fotografi para një zyre doganore.

    Ai ka ironizuar se diaspora i frikësohet grave dhe doganës.
    “Qetyne edhe Grave ju tutem na Diaspora”, ka shkruar Tigri.

    Autori i emisionit “Ich bin Albaner”, është mjaft aktiv në rrjetet sociale.

  • Erdogan betohet si president i Turqisë: Do t’i përmbahem parimeve të Ataturkut dhe republikës laike

    Erdogan betohet si president i Turqisë: Do t’i përmbahem parimeve të Ataturkut dhe republikës laike

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u betua sot për një mandat të ri presidencial pesë-vjeçar.

    Kryetari i partisë AKP-së ka marr mandatin e tretë në rolin e presidentit të shtetit të Turqisë.

    “Betohem për nderin dhe integritetin tim para kombit dhe historisë së madhe turke se do të ruaj ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit, se do t’i përmbahem kushtetutës, shtetit ligjor, demokracisë, parimeve dhe reformave të Ataturkut, dhe parimet e republikës laike”, tha 69-vjeçari në ceremoninë e inaugurimit në parlament në Ankara.

     

    Ai, i cili është udhëheqësi më jetëgjatë i Turqisë, fitoi zgjedhjet e fundit presidenciale.

    Në raundin e dytë, ai fitoi 52.2 për qind të votave dhe kështu mundi kundërshtarin, Kemal Kilicdaroglu.

    Ndryshe, Kosovën në këtë ngjarje të shënuar e ka prezantuar presidentja, Vjosa Osmani.

  • Ambasadori francez: Macron, Scholz e Borrell përcaktuan qartë kushtet për dalje nga kriza në veri

    Ambasadori francez: Macron, Scholz e Borrell përcaktuan qartë kushtet për dalje nga kriza në veri

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, e ka cilësuar si shumë të qartë deklaratën e përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, lidhur me situatën në veri të vendit.

    Guerot ka thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josepp Borrell kanë përcaktuar qartë “kushtet e një rrugëdaljeje nga kriza në veri të Kosovës”.
    Ai tutje është shprehur se kjo e ka mbështetjen nga e gjithë BE-ja.

    “Deklaratë shumë e qartë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në emër të 27 shteteve anëtare. Presidenti Macron, kancelari Scholz dhe përfaqësuesi i BE-së Borrell përcaktuan qartë kushtet e një rrugëdaljeje nga kriza. Mbështetje nga e gjithë BE-ja”, ka shkruar ambasadori francez në Twitter.

     

    Borrell ka deklaruar të shtunën se dhuna në veri mund të ishte shmangur, gjersa i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për de-përshkallëzimin e situatës.

    Ai në një deklaratë për media ka kërkuar që Kosova sa më parë të jetë e mundur të mbajë zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit, duke thënë se presin që edhe serbët të marrin pjesë, gjersa për Serbinë ka shprehur vetëm shqetësimin për ngritjen e nivelit të gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe.

  • Loriana Kuka, e bronztë në Grand Prix Taxhikistan

    Loriana Kuka, e bronztë në Grand Prix Taxhikistan

    Xhudistja jonë, Loriana Kuka ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix Dushanbe që po mbahet në Taxhikistan.

    Në kuadër të kategorisë deri në 70 kilogramë, Kuka e mposhti në raundin final të repesazhit britaniken Katie-Jemima Yeats-Brown.

    Ndërkaq, në rrugëtimin e saj deri te medalja e bronztë, Kuka raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin e mposhti irlandezen Rachael Hawkes.

    Në raundin e tretë, Kuka u mposht nga britanikja Kelly Petersen Pollard, dhe u kualifikua për të luajtur në repesazh.

    Në raundin e parë të repesazhit, Kuka e mposhti xhudisten nga Uzbekistani, Shokhista Nazarova, kurse në garën për të bronztën, Loriana e mposhti britaniken tjetër, Katie-Jemima Yeats-Brown.

  • Kurti: Veriu i Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira, por paraprakisht nevojitet sundim i ligjit dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë

    Kurti: Veriu i Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira, por paraprakisht nevojitet sundim i ligjit dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, edhe sot ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

    Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit, e bëri sot në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

    “Situata në veri të Kosovës duhet të de-eskalohet, për këtë është e nevojshme që të mos ketë më protesta të dhunshme. Ata të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët duhet të përballën me drejtësinë, e që në të ardhmen të kemi zgjedhje të lira, ku qytetarët e shprehin lirshëm vullnetin e tyre”, tha ai.

    Sipas tij, veriu i Kosovës, ka nevojë për zgjedhje të lira, por nevojitet paraprakisht sundim i ligjit, si dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë.

  • Osmani merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Turqisë

    Osmani merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të Turqisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për në Turqi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

    Sipas një njoftimi për media, bëhet e ditur se në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Erdogan, Osmani, e shoqëruar nga zotëria i parë, Prindon Sadriu, do të jetë përkrah krerëve të tjerë të shteteve nga mbarë bota.

    Ndryshe, Osmani ditë më parë, ka uruar presidentin Erdogan në emër të popullit të Republikës së Kosovës për fitoren dhe ka shfaqur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve.

  • Akil Gjakova renditet i shtati, Loriana Kuka një fitore larg medaljes së bronztë

    Akil Gjakova renditet i shtati, Loriana Kuka një fitore larg medaljes së bronztë

    Akil Gjakova i ka dhënë fund garës në Grand PRixin e xhudos që po mbahet në Dushanbe të Taxhikistanit.

    Xhudisti kosovar ishte në garë të represazhit, por ai pësoi humbje nga francezi Benjamin Axus.

    Kësisoj Gjakova e mbyll garën në pozitën e shtatë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

    Ndërkohë Kosova mund ta fitoj një medalje nga ky Grand Prix, pasi Loriana Kuka ndodhet vetëm një fitore larg të bronztës.

    Xhudistja kosovare ka fituar ndeshjen e parë të repesazhit ndaj uzbekistanezes Shokhista Nazarova.

    E për medaljen e bronztë në kategorinë deri në 70 kilogramë, Loriana do të luftoj ndaj britanikes Katie-Jemima Yeats-Brown.

  • Fushatë e organizuar me thirrje për vrasjen e ushtarit amerikan në veri

    Fushatë e organizuar me thirrje për vrasjen e ushtarit amerikan në veri

    Në veri të Republikës së Kosovës ka disa ditë që janë vendosur trupat e KFOR-it, përfshirë edhe ato amerikane, që të kujdesën për sigurinë në atë pjesë, pas protestave të dhunshme të organizuara nga serbët lokalë.

    Nga aktet e dhunës të serbëve lokalë disa ushtarë të KFOR-it, italianë e hungarez, kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur me fraktura e djegie nga mjetet e përdorura. Por duket se serbët nuk po mjaftohen me kaq.

    Në rrjetin social “twitter” disa llogari me emra të ndryshëm, kanë nisur një fushatë linçuese kundër një ushtari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilin kanë arritur që të identifikojnë nga një fotografi që i është shkrepur atij në veri të vendit, raporton Express.

    “Amerikan, Kosova është Serbi, kthehu në shtëpi”, ka shkruar një prej llogarive që ka shpërndarë fotografinë e ushtarit amerikan.

    Një tjetër llogari, ka komentuar tek postimi i njejtë duke bërë thirrje për vrasjen e ushtarit.

    “Kthehu në shtëpi, ose do të vritesh”, shkruan një komentues tjetër.

    “Stanley solli një armë automatike në tokën e shenjt serbe, ai kurrë s’duhet të kthehet më në shtëpi”, është komenti tjetër.

    Një tjetër llogari ka shkruar se “Stanley është një ushtar fashist” dhe se “NATO është organizatë Naziste që synon shkatërrimin e Rusisë”.

    Përveç këtyre komenteve e thirrjeve për vrasje ka edhe dhjetëra komente tjera që linçojnë e shajnë në drejtim të ushtarit amerikan.

    Pas krimeve monstruoze të forcave serbe ndaj shqiptarëve të paarmatosur, dëbimeve masive dhe masakrave të shumta të forcave paramilitare serbe ndaj civilëve shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999 më 24 mars kishin marrë vendimin për bombardimin e Jugosllavisë. Pas 78 ditë bombardimesh nga Alenaca Veri-Atlantike, Sllobodan Millosheviq kishte nënshkruar kapitullimin e Serbisë dhe forcat serbe ishin larguar nga territori i Kosovës.

    Forcat amerikane që nga ajo kohë vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë dhe janë të vendosura në një prej bazave më të mëdha në rajon e vendosur në qytetin e Ferizajt e që quhet “Bondsteel”. Bazuar në Rezolutën 1244 forcat amerikane bashkë me forcat e tjera të KFOR-it kujdesen për mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

    Disa prej “screen shot” të marrura në postimin e llogarisë së Darko Bubonja një person nga Serbia. Ky postim i Darko Bubonja ka marrë mbi 600 shpërndarje, mbi 2 mijë pëlqime dhe e kanë parë afro 62 mijë njerëz në “twitter”.

  • Qytetarët: Shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika

    Qytetarët: Shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika

    Qytetarët në Prishtinë thonë se institucionet e Kosovës po respektojnë ligjet dhe Kushtetutën në veri të vendit, por që duhet të kenë kujdes për raportet me Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi janë mbështetësit më të mëdhenj të lirisë dhe shtetëndërtimit tonë.

    Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

    “Jemi duke mendu se cilat do të jenë veprimet tona të mëtejshme. Mirëpo në këtë moment nuk do të gjeni shumë entuziazëm prej anës së SHBA-së të reagojë ndaj interesave tjera të Kosovës, si për shembull të angazhohemi me shtetet që s’e kanë njohur Kosovën ose që të punojmë aktivisht në trajektoren e integrimit evropian e ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë ai.

    Ndërkohë, qytetarët thonë se jemi populli më pro-amerikan dhe se theksojnë se raportet me ShBA nuk janë prishur, por vetëm luhatur.

    Qytetari nga Rahoveci, Hamdi Ajdini u shpreh se Qeveria duhet të mirëkuptohet, pasi po respekton ligjet.

    “Qeveria jonë e Kosovës është duke shkuar në bazë të Kushtetutës si rregull ata po mbrohen ashtu. Kjo ndodh me fajin tonë shumë udhëheqësit tanë na kanë mashtruar nga fillimi. Amerika si lider që ndihmon shtetet e vogla nuk duhet me i prish raportet me neve, por për Amerikën jemi fisnik dhe i adhurojmë ashtu siç duhet”, thotë ai.

    Qytetari tjetër, Izet Zhuja shprehet për KosovaPress se shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika.

    “Amerika e dinë se si shkojnë këto punë, ata shkojnë ngadalë, por me heq dorë jo Amerika nga Kosova, po as shqiptarët nuk heqin dorë nga Amerika. Strategjia afatgjate është që Kosova ta ketë vendin e merituar në Evrope dhe do ta ketë”, thotë ai.

    Edhe Ali Izetlatifi, zanatli i vjetër në Prishtinë, ka të njëjtin mendim në lidhje me raportin e Amerikës me Kosovën. Ai thotë se Kosova asesi nuk mundet pa Amerikën.

    “Çka të thotë Amerika amin, ku mundet Kosova pa Amerikën, duhet me punu se nuk ka pa punu, ditë e natë me punu këtu kanë vjedh”, potencon ai.

    Verzan Murgaj thotë se i gjithë populli duhet ta mbështesë vendimin e Qeverisë së Kosovës.

    “Qeveria bën punën e vet, mbron vendin e vet. Politika gjithmonë ngatërrohet, shohin politiken si të privatizuar por nuk është ashtu. Shqiptarët kanë pa gjithmonë interesat e veta për atë arsye, Shqipëria është ndarë sot në dy pjesë. Serbët nuk duan qetësi, sepse paguhen nga Serbia, ata duan rrëmoj, kanë zgjedhur me i mbajt dy krahë. Amerika nuk prishet me Kosovën dhe Shqipërinë, sepse populli e don”, shpehet ai.

    Xheva Kabashi thotë se Amerika ka bërë shumë për Kosovën dhe se raportet e vendit tonë me këtë shtet nuk duhet prishur asnjëherë.

    “Raportet me Amerikën nuk duhet me u prish se menjëherë duhet me u largu nga këtu. Shumë po e kundërshtojnë Albin Kurtin, duhet me e përkrah, i gjithë populli shqiptarë me vazhdu se çka të thotë Amerika i zoti i shtëpisë. Amerika ka dhanë shumë për Kosovën, na duhet me u bo bashkë gjithmonë”, thotë ai.

    Hasan Ramadani thekson se institucionet e Kosovës po nguten, por raportet e dy vendeve tona nuk do të prishen.

    “Populli duhet me u çu në këmbë se politika e Serbisë e mban populli, qysh unë e kuptoj çështja është e mirë, na si popull nuk prishemi me Amerikën, ka vetëm luhatje. Serbia nuk ka aprovuar asnjë detyrë, por kësaj radhe mendoj se është në rregull. Amerika ka thënë që shtet mbi shtet nuk ka, na pak po ngutemi por gjendja është prapë e mirë”, thotë Ramadani.