ATV

Author: E.R.

  • Mungesë e shtretërve në spitalin “Sheik Zayed” në Vushtrri

    Mungesë e shtretërve në spitalin “Sheik Zayed” në Vushtrri

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Spitali “Sheik Zayed” në Vushtrri po përballet me mungesë të shtretërve në repartin e Emergjencës, i cili është i stërmbushur me raste urgjente. Derisa pacientët kërkojnë që t’ju bëhet një zgjidhje, menaxhmenti i spitalit thotë se është duke punuar për ta zgjidhur këtë problematikë.

    Spitali “Sheik Zayed” në Vushtrri, i cili u përurua vetëm para 6 vjetëve, po ballafaqohet me mungesë të shtretërve në Emergjencë.

    E pikërisht fluksi i rasteve urgjente në këtë repart është i lartë, pasi që vetëm brenda një dite në të trajnohen rreth 60 raste.

    Për pacientët dhe familjarët e tyre, kjo situatë është tejet shqetësuese.

    “Ka nevojë për shtretër, por mundësia tjetër e realiteti krejt tjetër”.

    “Është shumë shqetësuese, është mirë me u realizu këto kërkesa. I vogël është numri i shtretërve. Sipas numrit të banorëve duhet ma shumë shtretër”.

    E një tjetër familjar, mendon se problemin mund ta zgjidhë vetëm niveli qendror.

    “Këtë situatë duhet me ditë drejtoria e spitalit dhe Ministria e Shëndetësisë. Ata duhet me vepru me bo diçka më shumë. Se qysh po shihet kushtet nuk janë të mira”.

    Se po përballen me mungesë të shtretërve e pranoi edhe drejtoresha e spitalit, Shefkije Shatri.

    “Emergjenca ka katër shtretër për pacientë. Një kënd është kirurgjikal dhe një kënd i reanimimit, pra në total gjashtë shtretër. Por mundësia për me pasë më shumë shtretër është e pamundur, për shkak të hapësirës së vogël”.

    Megjithatë, ajo premtoi se së shpejti do t’i vijë fundi këtij problemi.

    “Gjatë mandatit tim, spitalit do t’i rritet një aneks e me këtë parashihet edhe zgjerimi i repartit të Emergjencës.”

    Në emergjencën e këtij spitali punojnë 3 doktorë emergjentë me 2 mbështetës dhe 12 teknikë.

    Ndryshe, gjatë muajit maj, në këtë repart janë trajtuar rreth 2000 raste urgjente.

     

     

     

  • Vazhdon dëmtimi i lumenjve në Kosovë

    Vazhdon dëmtimi i lumenjve në Kosovë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Nxjerrja e rërës dhe zhavorrit rreth lumenjve nga kompanitë private ka bërë që shumë herë lumenjtë të dalin nga shtretërit. Më i dëmtuari është lumi Drini i Bardhë. Ministria e Mjedisit bën të ditur se nuk mund të fillojë me implementimin e planit adekuat, pa i pasur statistikat ujore në Kosovë, të cilat nuk janë rifreskuar nga vitet e ‘80-ta.

    Ndonëse, Kosova është njëri nga vendet e Ballkanit me më së paku burime me ujë të pijshëm, edhe ato që janë po keqshfrytëzohen.

    “Qindra hektarë të lumenjve vazhdojnë të mbeten të degraduar nga gurëthyesit, ku si pasojë e rërës dhe zhavorrit dukuria e daljes së lumenjve nga shtrati është bërë e shpeshtë”.

    Ndër lumenjtë më të shkatërruar nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë Drini i Bardhë, i cili është lumi më i gjatë në Kosovë, që përfshin 112 kilometra.

    “Prej të gjithë lumenjve më i dëmtuari nga zhavorri është Drini i Bardhë…..”

    Ministria e Mjedisit thotë se projekti për sanimin e shtretërve të lumenjve ishte gati prej kohësh.

    Por problematikë mbeten edhe statistikat e vjetruara për sipërfaqet ujore, të cilat nuk janë rifreskuar që nga vitet e ‘80-ta.

    “Ka qenë në plan realizimi i digave për parandalimin e rasteve të tilla, por statistikat e vjetruara të cilat është dashur të bëhen qysh prej kohësh….”

    Përveç Drinit të Bardhë, degradim nga aktivitetet e nxjerrjes së zhavorrit dhe nga ndotja e pakontrolluar kanë pësuar edhe Lumbardhi i Pejës dhe Lumëbardhi i Deçanit.

     

     

  • 25 vjet burg për Izet Godenin që vrau gruan me sëpatë

    25 vjet burg për Izet Godenin që vrau gruan me sëpatë

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI 

    Është dënuar me 25 vjet burgim Izet Godeni, i cili në nëntor të vitit të kaluar, vrau me sëpatë gruan e tij Sadije Godeni, në shtëpinë e tij në lagjen “Tophane” në kryeqytet. Gjykata Themelore në Prishtinë e mori këtë vendim pasi ai e kishte pranuar fajësinë për veprën “vrasje e rëndë”.

    Me 25 vjet burgim është dënuar Izet Godeni, i cili gjashtë muaj më parë kishte vrarë në mënyrë çnjerëzore gruan e tij Sadije Godenin.

    Gjykata në Prishtinë vendimin e mori pasi që Izet Godeni, kishte pranuar fajësinë për krimin.

    Me datë 30.05.2023, Gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G. ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G., i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjetësh.

    Derisa arsyet që e çuan 71-vjeçarin ta kryejë këtë akt nuk janë bërë të ditura, Gjykata ka dhënë detaje se si ai e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

    I akuzuari I.G., me datë 25.11.2022, rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. Derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G. kishte ndërruar jetë.

    Pas kësaj 70-vjeçari ishte dorëzuar në Polici rreth orës 5 të mëngjesit dhe menjëherë ekipet policore, bashkë me Prokurorin e shtetit, kishin arritur në vendin e ngjarjes, ku kishin sekuestruar edhe sëpatën, të cilën dyshohet që ai e përdori për ta vrarë Sadije Godenin.

  • Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

    Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mjedisit

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU  

    Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me INDEP-in, kanë mbajtur aktivitete me fëmijë. Sipas tyre, qëllimi i aktiviteteve ishte vetëdijesimi i fëmijëve për një mjedis më të mirë.

    Dëshirat e tyre për një mjedis më të mirë, fëmijët në kryeqytet po i shprehin duke pikturuar në letër.

    Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përmes këtij aktiviteti po synon vetëdijesimin e fëmijëve për një mjedis sa më të mirë.

    “Kemi marrë një seri aktivitetesh për shënimin e 5 qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit. Njëri ndër aktivitetet është me fëmijët nga një kopsht në Prishtinë dhe aktivitetet e tjera që jemi duke i zhvilluar, është edhe në Rahovec, pastrimi i lumit të Rahovecit, në Lipjan aktivitete të ndryshme, vizatime më fëmijë dhe mbjellje të fidanëve të ndryshme në tërë Kosovën… 3:19 Ky aktivitet është i rëndësishëm duke pasur parasysh që ndikon drejtpërdrejt në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe brezave të tjerë për çështje të mjedisit”.

    Ndërkaq, Dorentina Beka-Latifi, hulumtuese në INDEP, thotë se ky aktivitet zhvillohet tash e disa vjet me radhë.

    “Nuk është hera e parë që INDEP-i organizon aktivitete të tilla për Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit. Por, këtë vit së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe me Komunën e Prishtinës e kemi organizuar aktivitetin “Piktorët e Planetit”, me fëmijët e një kopshti, për të shprehur dëshirat e tyre se si e ata e shohin mjedisin dhe ta shprehin atë përmes vizatimeve”.

    Përveç kryeqytetit, aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, u mbajtën edhe në qytete të tjera.

  • Hapet zyrtarisht “Java e Krenarisë”, marrin pjesë Kurti e Osmani

    Hapet zyrtarisht “Java e Krenarisë”, marrin pjesë Kurti e Osmani

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes zyrtare të Javës së Krenarisë. Por nga Kurti, i cili po merr pjesë për herë të parë prej se e udhëheq Qeverinë e Kosovës, pjesëtarët e komunitetit LGBTI presin më shumë përkushtim e miratimin sa më të shpejtë të Kodit Civil. Ata duan, gjithashtu, që Kurti, sikurse edhe presidentja Vjosa Osmani të jenë prezent në Paradën e Krenarisë që do të mbahet më 10 qershor në Prishtinë. Të dy liderët nuk ishin të pranishëm vitin e kaluar.

    Për herë të parë prej që është në krye të Qeverisë, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë.

    Por vetëm pjesëmarrja në aktivitetin që organizohet nga Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, për pjesëtarët e komunitetit LGBTI nuk mjafton.

    Kryeministri Kurti nuk ishte prezent vitin e kaluar në Paradën e Krenarisë, që për Arbër Nuhiun tregon një mospërkushtim që të respektohen të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

    Nuhiu sheh një hezitim të Qeverisë për ta miratuar Kodin Civil, i cili nuk i mori votat e mjaftueshme, përfshirë disa deputetëve të partisë që është në pushtet.

    Organizatat e shoqërisë civile nuk duan përkrahje nga institucionet vetëm gjatë Javës së Krenarisë.

    Kryeministri Kurti e presidentja Vjosa Osmani kanë marrë ftesë, gjithashtu, që të jenë pjesë e Paradës së Krenarisë me sloganin “T’du qashtu qysh je”, që do të mbahet të shtunën e 10 qershorit.

    Por, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu nuk ka qenë në gjendje ta konfirmojë pjesëmarrjen e kryeministrit të shtunën.

    Ata ftesë morën edhe vitin e kaluar, por nuk iu bashkuan marshit në qendër të kryeqytetit.

    Është viti i shtatë me radhë që parada e cila ka për qëllim sensibilizimin për të drejtat e komunitetit LGBTI, do të mbahet në Prishtinë.

     

  • Gazeta gjermane: Politikat e Kurtit, në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit!

    Gazeta gjermane: Politikat e Kurtit, në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit!

    Një prej gazetave më të njohura gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung hedh hije të forta dyshimi në një artikull të saj lidhur me lëvizjet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u fajësua nga perëndimi se i hodhi benzinë zjarrit në veri të vendit me përpjekjen për të kontrolluar përmes policisë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat komunale atje.

    Shkrimi i përgatitur nga Michael Martens, i cili e pati intervistuar Kurtin para disa muajsh, konsiderohet mjaft i rëndë, e kjo shihet që tek titulli: “Kush po bën lojë të gabuar në Kosovë?”

    “Politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit”, ka shkruar mes të tjerash Martens, në një pohim mjaft të ashpër, të cilin tenton ta argumentojë duke treguar sesi një konflikt i ri në ‘oborrin ’ e Europës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit aktualisht.

    “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të përdor gjithë pushtetin e tij për të siguruar monopolin e shtetit në përdorim të dhunës në veri. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë një gjë të tillë, dhe ka qenë goxha e suksesshme deri tani. Megjithatë, Kurti, në mënyrë të panevojshme, po ia bën të gjithë këtë mjaft të lehtë”, theksohet në shkrim.

    Autori përmend marrëveshjen e vitit 2013, që parashikon edhe krijimin e Asociacionit përveç integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës. Ai mendon se Kurti po e pengon krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë me “arsyetime pjesërisht të dobëta”.

    “Përveç faktit që enklavat serbe në jug, të rrethuara nga vendbanime shqiptare, nuk mund të shkëputeshin lehtë nga pjesa tjetër e Kosovës, vetë qeveria kosovare ka fuqinë t’ia heqë lehtësisht këtë instrument Vuçiçit. Modelet e një Asociacioni sigurisht që janë të imagjinueshme e ato do t’i mundësonin pakicës serbe të vetëqeverisej në masë të madhe pa rrezikuar shtetin Kosovar”, argumenton Martens.

    Sipas tij, duke e refuzuar edhe vetë idenë e një Asociacioni serb të komunave, Kurti po ia bën më të lehtë planin Vuçiçit për destabilizimin e Kosovës dhe për t`ia hedhur fajin Prishtinës për një gjë të tillë. “Kjo nuk është në interes të Kosovës, dhe as të Perëndimit”, shkruan ai.

  • Protestuesit në Zveçan sulmojnë Policinë e Kosovës

    Protestuesit në Zveçan sulmojnë Policinë e Kosovës

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    Një veturë e Policisë së Kosovës u sulmua sot teksa po lëvizte në Zveçan. Rastin e ka konfirmuar edhe policia, teksa kanë thënë se përveç dëmit në veturë nuk ka pasur të lënduar. Pjesa tjetër e ditës, në Zveçan e Leposaviq ishte e qetë. Protestuesit serbë po vazhdojnë protestën e tyre ku po kërkojnë largimin e kryetarëve të komunave dhe largimin e policisë nga objektet.

    Protestuesit serbë vazhdojnë ta kenë halë në sy Policinë e Kosovës.

    Ata u sulmuan edhe sot pasi hynë brenda perimetrit ku qëndrojnë protestuesit në Zveçan.

    Për ta larguar automjetin nga aty është dashur të hapet kordoni i KFOR-it.

    Përveç dëmeve në veturë nga sulmi me gur, policia tha se nuk pati lëndime te pjesëtarët e saj.

    Ndonëse jemi në javën e dytë prej kur serbët filluan protestën në veri, shumë protestues u panë edhe sot në Zveçan.

    Nga dita e parë, këtu nuk munguan as drejtuesit e Listës Serbe që njëkohësisht po e drejtojnë edhe protestën.

    Turmës sot iu bashkuan edhe disa maturantë, që me këngë e me valle po festonin përfundimin e procesit mësimor dhe po jepnin përkrahjen e tyre për protestuesit.

    Përball tyre, vazhdojnë ende të jenë njësitë e KFOR-it që po sigurohen për qetësi në atë vend.

    Pothuajse ditë e njëjtë ishte edhe në Leposaviq.

    “Për të tetën ditë rresht, qytetarët nga komuniteti serb këtu në komunën e Leposaviqit po vazhdojnë protestën e tyre, derisa po gjejnë edhe mënyra se si ta kalojnë kohën”.

    Rruga që tashmë është bllokuar për qarkullim të veturave, të hënën u shndërrua në fushë futbolli për qytetarët serbë.

    Dikush tjetër luante shah e shumë të tjerë, të ulur nën tenda me kafe e muhabet, po kalonin ditën.

    Të vendosur përballë objektit të komunës në të cilin qëndrojnë njësitë speciale të policisë së Kosovës, protestuesit thonë se nuk do të largohen derisa të ketë policë aty.

     

  • Kryetari, “qëndrestari” i vetëm në komunën e Leposaviqit tash e një javë

    Kryetari, “qëndrestari” i vetëm në komunën e Leposaviqit tash e një javë

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk ka dalë nga ndërtesa komunale për më shumë se një javë. Për qëndrimin e tij brenda objektit që po ruhet nga KFOR-i dhe njësitë speciale të Policisë, kryeministri Albin Kurti e lavdëroi Hetemin. Por, juristë dhe njohës së qeverisjes lokale thanë se i vetëm në komunë, kryetari përballet me sfidën e funksionimit praktik.

    Një ditë pas ceremonisë së betimit në shkollën e fshatit të tij – Bistricë, të premten e 26 Majit, në masa të shtuara sigurie, Lulzim Hetemi hyri në ndërtesën komunale në Leposaviq – për herë të parë si kryetar.

    Pak minuta pas, aty e vendosi flamurin shtetëror.

    Në raste të ndryshme, ai priti në takim ministrat Elbert Krasniqi dhe Xhelal Sveçla, si dhe disa përfaqësues të Policisë.

    Nga e hëna e kaluar Hetemi nuk ka dalë nga ndërtesa komunale, të cilën po e ruajnë KFOR-i dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

    Nuk dihet nëse në komunë ka tjetër punëtor, pos kryetarit.

    Ai nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit nëse ka marrë ndonjë vendim e as për atë se si po funksionon.

    Juristi dhe njohësi i qeverisjes lokale, Qëndrim Arifi, shpjegon se në rrethanat aktuale, pa administratë dhe drejtorë të sektorëve, kryetari i ligjshëm ka fuqi vendimmarrëse, por i mungon mekanizmi zbatues.

    “Jemi në rrethanë të jashtëzakonshme dhe problemi është politik, nuk është praktik. Mirëpo, ky problem politik sjell të gjitha këto pasoja praktike, që e vë në mëdyshje misionin se pse je brenda asaj komune ose pse je kryetar i asaj komune. Pra, kryetari i komunës praktikisht je kur mund t’i realizosh detyrat dhe përgjegjësitë që të janë dhënë me ligj”.

    Arifi thekson se mandati që fitojnë nuk i kufizon kryetarët e komunave në orar punë prej tetë orësh në ditë.

    “Qëndrimi në komunë është zgjedhje e vetë kryetarit dhe nuk ka ndonjë karakter në aspekt të mbulimit të normës së orëve të punës, dihet rrethana se pse ai po qëndron aty. Sidoqoftë, kryetarët e komunave sot janë shërbim të qytetarëve 24 orë”.

    Duke lavdëruar Hetemin, i cili nuk ka dalë nga ndërtesa e komunës për më shumë se një javë, kryeministri Albin Kurti tha se ai po bën “qëndresë shembullore për Republikën e Kosovës”.

    Në protestat që nisën me dhunë ndaj Policisë dhe gazetarëve, ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todic, përmes KFOR-it, thuajse çdo ditë i ka kërkuar kryetarit Lulzim Hetemi të lirojë zyrën.

    Edhe pse deri tani nuk ka një konfirmim për autenticitetin, një koment në Facebook nga një profil me emrin Lulzim Hetemi, u bë viral dhe më pas u fshi.

  • OSBE me plan për veriun: Specialët tërhiqen, kryetarët dorëhiqen në verë

    OSBE me plan për veriun: Specialët tërhiqen, kryetarët dorëhiqen në verë

    Kryesuesi i OSBE-së, njëherësh ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujari Osmani, ka publikuar nëntë hapat drejt qetësimit dhe normalizimit të situatës në Kosovë.

    Në Twitter, ai ka thënë se këta janë hapat që i ka hartuar OSBE-ja për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit në Kosovë si dhe rrugët përpara për kthimin dhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në proceset demokratike.

     

    Këto janë 9 pikat:

    1. Kosova dhe Serbia ri afirmojnë përkushtimin e tyre ndaj marrëveshje bazë dhe Protokollit të Ohrit.
    2. Kosova i tërheqë forcat e Policisë Speciale, ndërsa Serbia ul gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura.
    3. Policia e rregullt, me asistencën dhe KFOR-in e EULEX-in, marrin përsipër sigurinë në terren.
    4. Protestat anulohen, rikthehen funksionet dhe shërbimet komunale. Vazhdon jeta normale. U jepet aksesi punonjësve komunalë.
    5. Kryetarët e komunave dorëhiqen në verën e vitit 2023, duke shtruar rrugën për zgjedhje të hershme komunale.
    6. Zgjedhjet e parakohshme komunale mbahen këtë vit.
    7. OSBE-ja mbështet procesin zgjedhor, duke rritur besimin në mesin e komuniteteve
    8. OSBE-ja angazhon rininë në programet dhe proceset e pajtimit
    9. OSBE-ja mbështet zbatimin me mirëbesim të dispozitave të dakorduara dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.

     

     

  • Asnjë i mbijetuar i dhunës seksuale s’deponoi kërkesë për njohjen e statusit nga shkurti

    Asnjë i mbijetuar i dhunës seksuale s’deponoi kërkesë për njohjen e statusit nga shkurti

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI 

    Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale nuk do të pranojë aplikacione të reja. Aktualisht, është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit për aplikim vetëm edhe dy vjet. Vendimi është kritikuar nga organizatat por edhe komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut.

    Të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, nga shkurti u është pamundësuar aplikimi për njohjen e statutit të kësaj kategorie. Komisioni qeveritar është duke i tyrajtuar lëndët e vjetra derisa është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit për aplikim vetëm edhe dy vjet

    Por, e gjithë procedura është duke krijuar vakum ligjor vlerësojnë organizatat.

    Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione këtë vendim e konsideron presion ndaj viktimave.

    Sipas Ministres së Drejtësisë ka mundësi që mandati i komisionit qeveritar të zgjatet.

    Ndryshe, aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj.

    Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën në shkurt të vitit 2018 dhe e përmbylli në shkurt të këtij viti.