ATV

Author: E.R.

  • Pesë të vdekur nga një shpërthim në një fabrikë municionesh në Turqi

    Pesë të vdekur nga një shpërthim në një fabrikë municionesh në Turqi

    Një shpërthim në një fabrikë municionesh në Ankara të Turqisë, ka lënë të vdekur pesë persona njofton Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

    Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 08:45 në kompleksin e Korporatës shtetërore të Industrisë Mekanike dhe Kimike, në periferi të kryeqytetit, Ankara.

    Autoritetet thanë se kanë nisur një hetim për shkakun e shpërthimit.

    Raportohet se në zonën e shpërthimit janë dërguar disa autoambulanca dhe zjarrfikësit.

    Xhamat e disa dyqaneve dhe shtëpive në zonat përreth u thyen nga forca e shpërthimit, njoftoi televizioni NTV./REL

  • Protesta masive në Beograd, Vela: Fjalët e Vuçiqit dhe makineria e tij nuk kanë më peshë

    Protesta masive në Beograd, Vela: Fjalët e Vuçiqit dhe makineria e tij nuk kanë më peshë

    Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas protestës masive e cila u mbajt një ditë më parë në Beograd, të Serbisë.  

    Vela përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka shkruar se pavarësisht pretendimeve paranojake të regjimit të Vuçiqit se Kosova po nxit protesta, populli i Serbisë e ka parë këtë propagandë dhe ka dalë në një numër të madh.

    Ai tha se kjo tregon qartë se fjalët e Vuçiqit dhe makineria e tij propagandistike nuk kanë më peshë.

    Tutje Vela tha se: “Sido që të quhet Maidan apo Pranvera Serbe, protestat vazhdojnë derisa Vuçiq t’i adresojë kërkesat e protestuesve. Sa më shpejt që vlerat evropiane të demokracisë të zbatohen vërtetë, aq më i lehtë është kalimi nga qeverisja e drejtuar nga dhuna në një bazë mbi dialogun dhe përfshirjen”.

    Ndryshe, të premten në protestën e gjashtë “Serbia kundër dhunës”, të premten, dhjetëra mijëra qytetarë në Beograd nisën një marsh drejt Qeverisë së Serbisë.

    Protestat u zhvilluan me ftesë të një pjese të opozitës, për shkak të pakënaqësisë ndaj reagimit të Qeverisë së Serbisë ndaj krimeve nga të shtënat masive, në fillim të majit, ku humbën jetën 18 persona.

  • Propozimi i Ramës për Asociacionin, analistët e shohin si tentim për protagonizëm

    Propozimi i Ramës për Asociacionin, analistët e shohin si tentim për protagonizëm

    Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga ekzekutivi thonë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

    Në ekzekutivin kosovar thonë se Asociacioni është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe se ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë do të kuptojnë qëllimin e Serbisë për krijimin e një “Republika serbe” në Kosovë.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress thotë se qëllimi serb për Asociacionin shihet edhe së fundmi me nonpaper-in e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë ku flet për “Botën serbe”.

    “Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republika Srpska në Kosovë dhe së fundmi me nonpaperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën serbe’.

    Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thuhet në përgjigjen Kryeziut për KosovaPress.

    Në anën tjetër, propozimi i draft-statutit të Asociacionit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pa konsultim me institucionet kosovare po shihet më shumë si tentim për protagonizëm të tij, nga analistët politikë në Kosovë dhe Shqipëri.

    Analisti politik, Albinot Maloku thotë për KosovaPress se këtë iniciativë të kryeministrit Rama do të konsideronte asistim për Qeverinë e Kosovës, sikur situata të ishte më ndryshe e jo në vlugun e tensioneve Kosovë-Serbi.

    Ai kërkon nga Shqipëria që të ketë rol më të madh në mbështetje të Kosovës në dialogun me Serbinë.

    “Do të konsideroja asistim për qeverinë e vendit këtë propozim të kryeministrit Rama sikur situata të ishte më ndryshe. Kjo nënkupton se para së gjithash kryeministri Rama të kishte një trajektore politike ndryshe në raport me Kosovën. E dyta që i njëjti të propozonte që me ekspertizën e tij brenda këtyre organeve që kanë kompetencë për çështjen e Asociacionit, siç është Qeveria e Kosovës. Këtë veprim të kryeministrit Rama më shumë e kam pa si vazhdimësi e vullnetit të tij për protagonizëm dhe tentim të interferimit aty ku më së paku do të duhej…

    Unë nuk dua me pa çdo hap të Republikës së Shqipërisë në raport me Kosovën si ndërhyrje në punët e brendshme, mirëpo konsideroj se raporti do të duhej të ishte në atë mënyrë që mos të pengosh njerëzit kompetentë në Kosovë. Këtë e kam pa si vullnet të tij për të luajtur rolin e neutralit, i cili nuk është neutral, pasi qasja e tij ishte më tepër sesa një neutralit në raportin Kosovë-Serbi”, thotë Maloku.

    Edhe analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni thotë për KosovaPress se mënyra si është sjellë në publik ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë tregon për një protagonizëm të Ramës në këtë proces, sesa një kontribut të madh për Kosovën.

    Megjithatë, ai shton se drafti mund të ketë ardhur nga vetë bashkësia ndërkombëtare, por i prezantuar nga kryeministri Rama.

    “Mund të them se është një draft që duket se më shumë është i ardhur nga kancelaritë e huaja dhe i prezantuar përmes zotëri Rama. Dokumentet e tilla kërkojnë kohë dhe asistencë dhe mbi të gjitha një lloj përgatitje dhe paralajmërim se po punohet për një draft të tillë.

    Në momentin kur autoritetet e Kosovës thonë se nuk dinin asgjë për këtë, një farë mënyre lë për të dëshiruar. Kurse sa i përket procesit dhe kontributit të Shqipërisë mendoj se duhet të vlerësohet, pasi Shqipëria nuk mund të rri larg aktorëve të tjerë… Problemi i vetëm i Tiranës është se nuk ka qenë transparente dhe mënyra siç është sjell në publik duket më shumë si një dokument i cili do të bëjë Tiranën protagoniste se sa realisht që është një kontribut që vlen në vazhdën e këtyre”, deklaron Andoni.

    Andoni shton se përfshirja e Ramës në çështjen e Asociacionit mund të prodhojë tensione mes tij edhe kryeministrit Kurti, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 14 qershor në Gjakovë.

    “Zotëri Rama dhe zotëri Kurti të dy mundohen të jetë protagonist jo vetëm në vendet e tyre, por kudo që ju jepet mundësia në mjediset ndërkombëtare. Rama e ka treguar hapur këtë lloj protagonizmi që disa herë është i tepruar, ashtu siç zotëri Kurti po e tregon se protagonizmi i tij po i kushton Kosovës. Besoj se do të ketë një lloj tensioni në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet në Gjakovë”, thekson Andoni.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë kësaj jave bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian.

    Kosova dhe Serbia janë pajtuar për themelimin e Asociacionin edhe në kuadër të marrëveshjes të Brukselit dhe të Ohrit.

  • Gjenerali amerikan për situatën në veri: Jemi shumë të shqetësuar

    Gjenerali amerikan për situatën në veri: Jemi shumë të shqetësuar

    Gjenerali amerikan Daniel Hokanson, Shef i Byrosë së Gardës kombëtare dhe anëtar i Shefave të Shtabit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara ka thënë se janë shumë të shqetësuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hokanson ka thënë se është shumë e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit të jenë transparentë në bisedat e tyre.

    “Në çdo kohë, ka një shqetësim për dhunën, ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Natyrisht, përparësia jonë është paqja dhe stabiliteti në rajon, dhe nga të gjitha të dhënat duket se gjithçka është duke u normalizuar. Di që ka dialog të vazhdueshëm. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit të jenë transparentë në bisedat e tyre. Në fakt, ne duam të fokusohemi në paqe dhe stabilitet në rajon në mënyrë që qytetarët tanë të mund të bëjnë përpara dhe vendet tona të mund të përparojnë. Dhe çdo gjë që shmanget nga kjo, është diçka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohemi.

    Por mua më duket se udhëheqësit po bisedojnë dhe ne kemi parë pakësim të dhunës dhe shpresojmë se mund ta vazhdojmë këtë. Padyshim, rëndësia e KFOR-it, jo vetëm i Shteteve të Bashkuara, por e forcave të kombeve të tjera, është atje për të ndihmuar në ruajtjen e paqes”, ka thënë Hokanson.

  • Rita Ora shoqërohet nga bashkëshorti Taika Waititi edhe gjatë stërvitjeve, çifti shfaqen në formë të mirë përkrah njëri-tjetrit

    Rita Ora shoqërohet nga bashkëshorti Taika Waititi edhe gjatë stërvitjeve, çifti shfaqen në formë të mirë përkrah njëri-tjetrit

    Rita Ora dhe bashkëshorti i saj Taika Waititi dukeshin në formë të mirë gjatë një seance në palestër çiftesh në Sydney të enjte

    Ylli i popit, 32 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj regjisor, 47 vjeç, qeshnin ndërsa shkonin dorë për dore drejt stërvitjes.

    Rita dukej pa mundim me stil në një set stërvitjeje tërësisht të zezë.

    Ajo tregoi fizikun e tonifikuar me një palë dollakë të zeza dhe një bluzë sportive të zezë me figura.

    Gjyqtarja e “Voice Australia” e kombinoi atë me çorape të bardha dhe një palë atlete me shumë ngjyra.

    Për të zbukuruar pamjen e saj sportive, këngëtarja e përshtati atë me një çantë të zezë me detaje ari dhe një palë syze dielli “Chanel”.

    Ylli i popit zgjodhi një grim natyral për sesionin e saj kardio ndërsa flokët i la të shthurura.

    Taika gjithashtu dukej spotiv me një bluzë të bardhë dhe rozë me një kapele shumëngjyrëshe të përshtatshme.

    Ai e kombinoi këtë me pantallona të shkurtra të thjeshta të zeza dhe atlete gjithashtu të zeza.

    Rita është fotografuar disa herë duke dalë nga palestra të ndryshme në Sidney teksa punon shumë për të mbajtur fizikun e saj në formë.

    Ajo aktualisht është në qytet për xhirimet e “The Voice Australia”, së bashku me kolegët e saj gjyqtarë Jason Derulo, Guy Sebastian dhe Jessica Mauboy.

    Këngëtarja e “Hot Right Now” mbërriti në Australi në fillim të këtij muaji me bashkëshortin e saj Taika.

    Çifti ngriti temperaturat teksa pozuan për një fotosesion të nxehtë për “Vogue Australia” të këtij muaji.

    Ata zbuluan në intervistë se sekreti i martesës së tyre të suksesshme është të lënë kohë për njëri-tjetrin.

    “Kjo është çështja e martesës, e marrëdhënieve, ka të bëjë me gjetjen e atij personi me të cilin dëshiron të shoqërohesh dhe të sigurohesh që ta bësh këtë”, tha Taika.

    “Ka të bëjë me sakrifikimin e gjërave të caktuara dhe për të gjetur kohë për njëri-tjetrin, veçanërisht kur ka dy njerëz të zënë në marrëdhënie… Nëse vërtet kujdeseni për dikë, do ta kuptoni”, shtoi Rita.

  • Agjenda e Kurtit për sot, merr pjesë në tri ngjarje për shënimin e 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

    Agjenda e Kurtit për sot, merr pjesë në tri ngjarje për shënimin e 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

    Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për agjendën e kryeministrit Albin Kurti për ditën e sotme.

    Nga ora 11:00, ai merr pjesë në tribunën në shënim të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Një orë më vonë, Kurti do të marrë pjesë në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

    Nga ora 14:00, Kurti, në përmbyllje të shënimit të 145- vjetorit të Lidhjes, bën homazhe në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

    Njoftimi i plotë:

    1. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në tribunën në shënim të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    VENDI: DokuKino, Prizren

    KOHA: 11:00

    2. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

    VENDI: Oborri i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

    KOHA: 12:00

    3. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përmbyllje të shënimit të 145- vjetorit të Lidhjes, bën homazhe në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

    VENDI: Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit

    KOHA: 13:00

  • Sot mbahet Parada e Krenarisë

    Sot mbahet Parada e Krenarisë

    Java e Krenarisë çdo vit shënohet edhe përmes aksioneve rrugore, ndërkaq, këtë vit aksioni rrugor u fokusua në rëndësinë dhe luftimin e stigmatizimit të shëndetit mendor, si dhe pranimit shoqëror të personave LGBTIQ+.

    Në njoftim thuhet se aksioni rrugor ka targetuar në mënyrë të veçantë dhe institucionet publike, të cilat kanë përgjegjësi për të krijuar mekanizma që ua lehtëson çasje personave LGBTIQ+ në shërbime të shëndetit mendor.

    Në kuadër të Javës së Krenarisë sot mbahet parada në ora 17:00, ndërkaq në ora 19:00 mbahet koncerti.

  • Man City – Inter, dita e finales së madhe të Ligës së Kampionëve

    Man City – Inter, dita e finales së madhe të Ligës së Kampionëve

    Manchester City dhe Interi do të luajnë sot (e shtunë) mes vete në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve për sezonin 2022/23.

    Edicioni 2022/23 i Ligës së Kampionëve do ta mbyll perden këtë mbrëmje me ndeshjen e fundit, atë finale.

    Qytetarët dhe Nerazzurrët do të ndeshen mes vete në stadiumin “Ataturk Olympic” të Stambollit, me fillim nga ora 21:00.

    Ekipi i Pep Guardiolës vjen në këtë ndeshje si favorit, pasi ka eliminuar klube si Bayern Munich në çerekfinale dhe Real Madrid në gjysmëfinale.

    Në anën tjetër, ekipi i Simone Inzaghit ka eliminuar Benficën në çerekfinale, para së ta eliminonte në gjysmëfinale, rivalin e madh lokal, Milanin.

    Të dy ekipet janë të kompletuara për këtë finale të madhe.

  • Ish-kryetari i OEK-ut e quan normale rritjen e kamatave të kredive: Mund të shkojnë deri në 8%

    Ish-kryetari i OEK-ut e quan normale rritjen e kamatave të kredive: Mund të shkojnë deri në 8%

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, e konsideron si normale rritjen e kamatave bankare, pasi sipas tij, është mënyra më e mirë në luftën kundër inflacionit.

    Ai thotë se ngritja e kamatave është një ndër mekanizmat kyç dhe se kjo është bërë edhe me kërkesë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë.

    Gërxhaliu, thotë se rritja e kamatave është proklamuar shumë më herët.

    “Duhet të kuptohet një ngritje të kamatave bankare kemi pas qysh më herët këtë e ka proklamuar Banka Qendrore Evropiane, që është kërkuar që të rritet për 2 për qind kamata. Këtë e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore për të shpallur luftë kundër inflacionit që e ka kapluar Bashkimin Evropian edhe shumë vende të tjera në këtë drejtim edhe Kosovën. Në anën tjetër përdoret kjo ngritje e kamatave në Bankën Qendrore Evropiane, për faktin që është një mekanizëm kyç për t’i luftuar efektin e inflacionit që e ka goditur Evropën. Në këtë drejtim shumë shtete sot e kemi recesion ekonomik dhe devinitivisht një situatë e tillë nuk mund të i ik edhe Kosova. Ajo çka e karakterizon Kosovën me tepër është që niveli i zhvillimit ekonomik nuk mund të krahasohet me vendet Evropiane”, thotë Gërxhaliu.

    Sipas tij, nëse vazhdohet me trendin aktual të inflacionit, rritja e kamatave mund të shkojë deri në 8 për qind. Goditje, thotë Gërxhaliu do të kenë bizneset e vogla dhe qendra e reja inovative.

    “Në anën tjetër e kemi Bankën Qendrore e cila kohëve të fundit është para sfidave të shumta në mungesë të një Guvernatori të mirëfillte dhe në mungesë të procedurave komfort ligjeve dhe transparencës së nevojshme e tëra kjo do të ndikoj që edhe në Kosovë qytetarët dhe bizneset të jenë të goditura. Është paralajmëruar që deri në qershor të këtij viti kamata do të jetë afër 6 për qind. Në qoftë se do të vazhdohet në këtë trend  me siguri do të ketë edhe rritje që mund të shkoj deri 7.5 apo deri 8 për qind. Është mjaftë shqetësues fakti që do të jetë një goditje për bizneset e vogla, do të jetë një goditje për bizneset ekzistuese dhe do të jetë shumë e vështire që të kemi kreditim për qendrat e reja inovative të cilat kishin me qenë në funksion të zhvillimit”, u shpreh Gërxhaliu, teksa ka folur edhe për mungesën e guvernatorit në Bankën Qendrore të Kosovës.

    Ai kërkon që prioritet i Guvernatorit të ardhshëm të jetë liberalizimi i tregut të Bankave.

    “Besoj që një ndër prioritet e Guvernatorit të ardhshëm në Kosovë është që të jetë që të liberalizohet tregu i Bankave sepse Kosova ka nevojë për banka të reja të fuqishme. Ne kemi në Kosovë disa banka të cilat në vend nga ku vinë janë shumë të fuqishme shumë aktive, mirëpo në Kosovë janë vetëm një dekadë dhe nuk janë në funksion të zhvillimit. Duhet të avancohet një dialog i mirëfilli publiko-privat, duhet të kemi një fond të garantonit të kredive që do të jetë me aktiv dhe tekë atëherë mund të flitet për rënien e kamatave”, thotë Gërxhaliu.

    Gërxhaliu e sheh si të pamundur ndaljen e rritjes së kamatave, pasi sipas tij kjo çështje nuk e ka goditur vetëm Kosovën. Ai thotë se Kosova është dashur të jetë e përgatitur.

    “Është e pa mundur të mendohet se ka qenë e mundur të parandalohet sepse kjo nuk është dukuri që e ka goditur vetëm Kosovën, vjen nga raporte, çdo lëvizje, çdo rekomandim nga bankat evropiane në veçanti nga Banka Qendrore Evropiane transferohet në mënyrë zingjiror. Është dashur me kohë që të jemi të përgatitur që t’i bëjmë disa kalkulime që efektet të jenë më të ulëta se sa do të jenë tani e tutje. Është e vërtet që kohët e fundit flitet shumë për profitin bankar, mirëpo mos të harrojmë të njëjtën kohë edhe bankat e paguajnë riskun e vetë. Garancia kryesore e kreditimeve e funksionimit normal të bankave është stabiliteti politik, këtë Kosova nuk e ka. Faktori i dytë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe e treta është pluralizmi i tregut”, u shpreh Gërxhaliu.

  • Inteligjenca britanike: Ukraina thyen linjën e parë të mbrojtjes ruse

    Inteligjenca britanike: Ukraina thyen linjën e parë të mbrojtjes ruse

    Ukraina ka kaluar me sukses linjën e parë të mbrojtjes ruse në disa pjesë të vendit gjatë 48 orëve të fundit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

    Në përditësimin e fundit të inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes tha se ka pasur operacione “të rëndësishme” në “disa sektorë” në lindje dhe në jug të Ukrainës.

    Ai tha se “progres i mirë” është bërë nga trupat në disa zona, ku ata “kanë depërtuar në vijën e parë të mbrojtjes ruse”.

     

    “Në të tjerat, përparimi ukrainas ka qenë më i ngadalshëm”, shkruan në njoftim.

    Mbrojtja e Rusisë ka qenë e “përzier”, thotë Ministria e Mbrojtjes, me disa njësi “duke kryer operacione të besueshme të mbrojtjes manovruese” dhe të tjera që tërhiqen “në një farë çrregullimi”.

    Raportet për viktima ruse po rriten pasi ushtria e saj është e detyruar të tërhiqet “nëpër fushat e tyre të minuara”, tha ministria.

    Ndryshe, preisdenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se ka nisur kundërsulmi i Ukrainës.