ATV

Author: E.R.

  • Manchester City fiton për herë të parë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve

    Manchester City fiton për herë të parë në histori trofeun e Ligës së Kampionëve

    Manchester City ka fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori.

    Skuadra e Pep Guardiolës mposhti Interin me rezultat 1-0 në një ndeshje të fortë, me pak raste por shumë e luftuar.

    Golin e vetëm Manchester City e shënoi në minutën e 68-të me anë të Rodrid, i cili shfrytëzoi një asistim të Silvas.

    Pas golit, Interi kishte një mundësi të artë ta barazonte rezultatin, por fillimisht shtylla e më pas Lukaku ndali golin e sigurt.

    Edhe Foden kishte një rast të mirë por që u ndal nga portieri Onana.

    Ederson ishte me fat në minutën e 89-të por që gjuajtja me kokë e Lukakut përfundoi në këmbën e tij.

    Manchester City fiton trofeun e parë në finalen e tyre të dytë, derisa Interi mbetet me tre tituj nga gjashtë finale të luajtura.

  • Kundërshtohen disa ndryshime në ligjin e ri për zgjedhje

    Kundërshtohen disa ndryshime në ligjin e ri për zgjedhje

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Ende po komentohen ndryshimet që janë bërë me Ligjin e Ri për zgjedhjet e përgjithshme. Mundësia që qytetarët tani të votojnë për 10 kandidatë në vend se 5 sa ishte deri më tani, sipas njohësve vlerësohet si cenim i integritetit të zgjedhjeve dhe mundësi më e madhe për keqpërdorime.

    Kurdo që në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, asnjë person që synon ulësen e deputetit nuk do të mund të garojë nëse është i dënuar në tre vjetët e fundit për vepër penale, me një apo më shumë vjet burgim efektiv.

    Ky është njëri prej ndryshimeve në Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar tashmë në Kuvend.

    Megjithatë ky nen po konsiderohet se është bërë për shkak të interesave të partisë në pushtet.

    “E ka kufizu me 1 vit burgim efektiv duk ia përshtat deputetëve të vet që përgjithësisht nuk po dënohen ma shumë e 1 vjet burgim me kusht për rastin e gazit lotësjellës. pra është përshtatje e interesave individuale të një partie.”

    Një tjetër ndryshim që po kundërshtohet është mundësia e votimit të 10 kandidatëve në listat zgjedhore nga 5 sa ishin deri tash.

    “Ndryshimet që janë bërë nga ana e deputetëve cenojnë integritetin zgjedhor. Për shkak se do të lejohen kandidatët të dënuar do të kemi më shumë potencial për keqpërdorim për votat e kandidatëve sepse është rrit për 10 kandidatë e këto vota nuk do të numërohen në vendvotime por në qendra komunale.”

    Mundësia e votimit të 10 kandidatëve edhe nga organizata Demokraci Plus mundëson keqpërdorime.

     “Që me përzgjedhjen  10 kandidatëve vota tjetërsohet shumë dhe rritet manipulimi i votës brenda partive politike. Nr i madh i votuesve nuk e bëjmë përzgjedhjen e 5 kandidatëve e lëre më të 10 kandidatëve dhe lejnë hapësirë që të ketë keqpërdorim nga komisionarët.”

    Ligji për Zgjedhjet e përgjithshme u miratua në Kuvend të enjten, derisa pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

  • Brenda 5 muajsh u asgjësuan 170 mijë kilogramë mish nga AVUK

    Brenda 5 muajsh u asgjësuan 170 mijë kilogramë mish nga AVUK

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Për shkak të mospërmbushjes së kushteve për konsum, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar mbi 170 mijë kilogramë mish, brenda 5 muajve. Për cilësinë e mishit ankohen edhe qytetarët të cilët thonë se të shpeshta janë rastet kur hasin në mish të prishur.

    Mbi 170 mijë kilogramë mish dhe nënprodukte të tij janë asgjësuar që nga janari e deri në maj të këtij viti.

    Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë produktet u larguan nga tregu për shkak të mospërmbushjes së kushteve për konsum.   E veç produkteve të mishit AUV asgjësoi edhe produkte të tjera siç janë ato të qumështit.

     Përveç lajmërimit nga vet operatorët e biznesit, Thaçi thotë se është një numër i lart i ankesave që vijnë nga qytetarët për cilësi të mishit.

    Një pjesë lajmërohet nga vet operator të biznesit, një pjesë buron nga kontrollet tona dhe një pjesë edhe nga ankesa të qytetarëve…

    Ndërkaq vet qytetarët janë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për mish.

    “Ka pas rast kur jam shkuar në shpi mishi u kanë i prishtë edhe e kena gju…

    Gjatë vitit të shkuar Kosova ka importuar mbi 52 milionë e 700 mijë kilogramë mish.

     

  • Qytetarët, në pritje për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi

    Qytetarët, në pritje për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Plani i Qeverisë së Kosovës për heqjen e qeseve të plastikës nga përdorimi, nuk pritet të realizohet edhe për një kohë. Qytetarët dhe organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit, kërkojnë që këto qese të largohen nga përdorimi sa më parë.

    “Prej janarit 2023 qeset do të bëhen me pagesë…”

    Edhe pse ka kaluar gati një vit nga kjo deklaratë qeset e plastikës vazhdojnë të jepen falas në çdo dyqan.

    Megjithatë, qytetarët janë të gatshëm të heqin dorë nga plastika, si në të gjitha shtetet e tjera evropiane.

    “Mirë kishte qenë me i largu këto qese se këto veç e ndotin ambientin. Ma mirë me marrë torba prej shtëpisë, qysh i kemi pasë në të kaluarën”.

    “Si krejt Evropa ose me pagu pak diçka, naj çmim të volitshëm, ose me marrë prej shtëpisë”.

    Edhe përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit, thonë se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se kostoja e qeseve.

    “Kështu mund të vetëdijesohen njerëzit për mbrojtjen e mjedisit…”

    Ndërkaq, sipas kryetares së Komisionit për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Pacolli, ky projekt ka ngecur në Qeveri.

    “Tani për tani kemi bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për mbeturina, ku është i inkorporuar sistemi për menaxhimin e qeseve të plastikës, i cili është i adresuar në Kuvend dhe posa ta kemi gati draftin, menjëherë do të merren vendime nga Ministria e Mjedisit”.

    Ndryshe, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon, në të cilin qeset e plastikës për një përdorim ofrohen falas për konsumatorët.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

  • Lidhja e Prizrenit i ‘ribashkon’ prijësit e vendeve shqiptare

    Lidhja e Prizrenit i ‘ribashkon’ prijësit e vendeve shqiptare

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Në Prizren është shënuar 145 vjetori i Lidhjes së Prizrenit. Në mesin e mysafirëve të shumtë ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Derisa bënë homazhe në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, vlerësuan përpjekjet për krijimin e një shteti të lirë e të pavarur shqiptar.

    Në Prizren pati kremtë. Në mesin e mysafirëve të ftuar ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.  E gjithë kjo për nder të tubimit më i rëndësishëm kombëtar shqiptar Lidhjes së Prizrenit që shënoi 145 vjetorin e themelimit.

    Sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kjo lidhje ishte thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e kombit.

    “Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëndimore”

    E për homologun e saj nga Shqipëria, Lidhja e Prizrenit projektoi krijimin e një shteti shqiptar.

     “Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar, të lirë dhe të pavarur.”

     Në mesin e mysafirëve ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    10 qershorin e vitit 1878, ai e krahasoi me 28 nëntorin dhe 17 shkurtin.

    “Prandaj 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik shqiptarëve e i cili vazhdon edhe sot. Me rëndësinë e saj historike dhe politike, Lidhja e Prizrenit na ka bashkuar këtu ne edhe ne si krerë institucionesh sot, siç i kishte bashkuar Lidhja e Prizrenit shqiptarët dhe parinë e tyre atëherë po këtu”  

    Lidhja e Prizrenit vlerësohet ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Skënderbeut.

     

     

  • Begaj: Të bëhemi bashkë për të mirën dhe zhvillimin e kombit shqiptar

    Begaj: Të bëhemi bashkë për të mirën dhe zhvillimin e kombit shqiptar

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se ende ka punë për të bërë për kombin shqiptar, por është shprehur i sigurt që do të arrihen me sukses për sa kohë të lihen pas përçarjet dhe bashkohemi për të mirën dhe zhvillimin e kombit tonë.

    Begaj në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Prizrenit për nder të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tha se ndihet krenar me të arriturat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë dhe të gjitha të arriturat e kombit tonë i kanë rrënjët edhe te veprimtaria e lavdishme e patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    “Të gjitha arritjet e deritanishme të kombit tonë shqiptar, kanë rrënjët edhe te veprimtaria e lavdishme e patriotëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, te vizioni që ata na lanë pas dhe që ne duhet t’i trashëgojmë me po kaq dinjitet në të tashmen dhe në të ardhmen. Kemi ende shumëçka për të bërë për atdheun tonë por jam i sigurt që do t’ia arrijmë me sukses për sa kohë të lëmë pas përçarjet dhe të bëhemi të gjithë bashkë, kështu siç jemi sot për të mirën dhe zhvillimin e kombit tonë, kombit shqiptar“, tha ai.

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është organizimi më i suksesshëm politiko ushtarake pas kohës së Skënderbeut dhe ka qenë e mbetet frymëzim për atdhetarët, historianët e politikanët anekënd botës.

    “Lidhja ishte pikënisja kryesore e ngritjes së nivelit të vetëdijes kombëtare dhe si e tillë akoma frymëzon brezat e reja. Sot po festojmë përvjetori e 145 të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bashkë këtu në Prizrenin nga ku duhet të vazhdojmë historinë e lavdishme të bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes nesh por edhe në tërë rajonin….tani më shumë se kurrë duhet të punojmë bashkë drejt zhvillimeve tona dhe kështu si vlerë universale të legjitimojmë rolin tonë si faktor stabiliteti në ballkan”, tha ai.

    Kurse, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se pas Besëlidhjes së Lezhës së Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit përfaqëson ngjarjen e dytë më të rëndësishme shqiptare, rizgjimin politik kombëtar në kuadër të perandorisë osmane në një kohë kur tokat shqiptare rrezikoheshin nga të katër anët.

    “Pikërisht këto ngjarje histerike mbeten referencë morale e kombëtare edhe për kohën tonë, aktualitetin ku jetojmë kur po shfaqen rreziqe ndaj gjeografisë së atdheut. Kjo ngjarje na frymëzon të gjithëve që të jemi gjithnjë në lartësinë e aspiratave historike, të idesë së lirisë dhe pacenueshmërisë së atdheut. Kjo ngjarje na vendos para përgjegjësive politike për të quar përpara misionin e përbashkët të afirmimit të qenies sonë në suaza të hapësirës evropiane“, tha ai.

    Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini tha se beson që nuk ka vend në Kosovë, Shqipëri, Luginë kudo që nuk ndihet mirë kur e shohin Prizrenin mirë.

    “Në vitin 1999, për 121 vjet çka kemi arrit në fund është arrit falë një rruge tepër të saktë që e ka zgjedhur Kosova, ajo rrugë është me qenë pjesë e komunitetit euroatlantik, me i bindë ata miq që dikur kanë raportu, që jonë bërë gabime, me qenë në anën tonë. Kurrfarë rruge tjetër nuk i kish sjell shqiptarët si popullin më të vjetër në Ballkan, por ndër popujt e vegjël të Evropës, nuk i kish sjell në ditën që jemi sot…Kemi me festuar edhe shumë vite që vijnë, por kemi me kanë gjithmonë më të mirë kur kemi me mbrri me i bind të gjithë miqtë tonë se nuk ka rrugë tjetër për ne.”, tha ai, me ç’rast uroi edhe 145-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha ai.

    Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Pandi Seferi tha se sot misioni i përbashkët i të gjithë kryetarëve të komunave është pikërisht ndërtimi i urave midis nesh.

  • Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Grubi: E kam lexuar draftin e Ramës për Asociacionin, e përkrah plotësisht

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Grubi: E kam lexuar draftin e Ramës për Asociacionin, e përkrah plotësisht

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka deklaruar këtë të shtunë se e ka parë draft-statutin e hartuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Grubi ka zgjedhur të mos flasë për pika specifike, megjithatë ka shprehur mbështetje të plotë për draftin.

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thënë se iniciativa e kryeministrit Rama i hap rrugë shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

    “E lexova draftin, kisha komunikime dhe me autoritetet në Shqipëri dhe jap përkrahje të plotë për çdo përpjekje për të tejkaluar këtë situatë të krijuar në veri të Kosovës, por edhe midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe midis Kosovës dhe bashkisë ndërkombëtare dhe veçanërisht SHBA-ve në rrethanat e reja të krijuara.

    Çdo iniciativë dhe nismë mbi të cilën mund të ndërtohen marrëveshje të mëtejshme është e mirëpritur. Përgëzoj kryeministrin Rama për gatishmërinë që t’i prijë këtij procesi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme. Për ne zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes dy shteteve dhe këtë e përkrahim dhe ky është qëndrimi ynë shtetëror”, ka deklaruar Grubi në Euroneës Albania.

    Gjithashtu ai ka shtuar: “E kam lexuar dhe kam komunikuar me autoritetet shqiptare dhe kam përkrahje të plotë për iniciativën e kryeministrit Rama, si një nismë e mirë për të vijuar drejt zgjidhjes së problemit në Veri, por edhe përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke”.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë kësaj jave ka bërë të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian.

    E Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit Rama, duke thënë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

  • Faqja serbe shpërndanë shtëpinë e familjes Jashari

    Faqja serbe shpërndanë shtëpinë e familjes Jashari

    Faqja “Explore Kosova” ka postuar fotografinë e shkrepur nga fotografi Bujar Gashi të shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz.

    “Duhet vizituar! Shtëpia e familjes Jashari, shtëpia e legjendarit Adem Jashari. Vendi më i vizituar në Kosovë, vendi që mirëpret miliona vizitorë çdo vit, “Meka” e Kosovës. Kosova vendi i bukurisë dhe kulturës”, ka shkruar “Explore Kosova”.

    Këtë postim e ka shpërndarë faqja e opozitës në Serbi, “Pobunite se”.

    “Një milion vizitorë në Kosovë”, ka shkruar duke ja bashkëngjitur edhe fotografinë e shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz. /ATV LIVE/

  • Konjufca: Rama gaboi me draftin, s’u ul të fliste me Kurtin

    Konjufca: Rama gaboi me draftin, s’u ul të fliste me Kurtin

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka cilësuar të gabuar veprimin e kryeministri Edi Rama, i cili i ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

    Siç u shpreh ai, pas manifestimit të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Rama nuk do të duhej që të bënte veprime të tilla pa u ulur dhe sqaruar me kryeministrin Albin Kurti.

    I pyetur nëse kanë kërkuar nga Rama që ta kenë draftin e Asociacionit, Konjufca tha jo, pasi që nuk kanë interes.

    “Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasë efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm”, tha ai, raporton EO.

    Sa i përket paralajmërimeve të ShBA-së dhe BE-së për paralajmërim të sanksioneve nëse Kosova nuk i plotëson kërkesat për tejkalim të situatës në veri të vendit, ai tha se institucionet e vendit janë duke punuar ngushtë me aleatët që kjo situatë të tejkalohet.

    “Mendoj që institucionet tona dhe ministritë tona janë duke punuar ngushtë me aleatët edhe partnerët që kjo situatë të tejkalohet”, tha ai.

  • Shënohet 145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Osmani: Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve

    Shënohet 145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – Osmani: Lidhja simbolizon bashkimin e shqiptarëve

    Në oborrin e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është mbajtur manifestimi qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

    Në praninë e shumë mysafirëve, përfshirë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, krerët institucionalë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti theksuan se shqiptarët duke ruajtur lidhjet, ruajnë idealet dhe traditën e angazhimit të interesave të përbashkëta.

    Presidentja Osmani foli për rëndësinë e kësaj lidhjeje në historinë e popullit shqiptar për liri, duke thënë se vendi simbolizon vendin e përafrimit të bashkimit të shqiptarëve drejt një qëllimi madhor, atë të lirisë kombëtare “ku i bashkoi e artikuloi kërkesat shqiptare, nga rrezikimi i copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët”.

    “Pikërisht në këtë datë, më 10 qershor të vitit 1878, patriotët shqiptarë  u tubuan nga të katër anët e dëshmuan vetëdije të lartë kombëtar, duke mos pranuar që të mbeteshin nën okupim por as të mbeteshin pre e shteteve fqinje gllabërues”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se ata kërkuan jetësimin e shtetit të shqiptarëve si instrument themelor të jetesës kombëtare.

    “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte thirrje për bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë. Ajo shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtetin e pavarur si instrument I rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt vlerave të larta qytetëruese perëndimore”, theksoi Osmani, e cila shtoi se kjo lidhje tregoi vetëdije të lartë shtetërore duke u shndërruar në platformë të fuqishme nacionale.

    “Kësisoj ajo shtroi platformën politike për një shtet të shqiptarëve bën kryengritje të përgjithshme dhe motivuan për lidhje dhe lëvizjen e cila do ta përmbyllte procesin e shpalljes së pavarësisë se Shqipërisë”, theksoi presidentja osmani.

    Ajo më tej shtoi se Lidhja ka shërbyer si model i përhershëm nga i cili janë frymëzuar breza të tërë intelektualësh dijetarësh, shkrimtarësh e politikanësh e nga I cili kanë buruar projekte të tjera përbashkuese të tipit nacional kulturor, sikurse ai i vitit të ’90-ta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.