ATV

Author: E.R.

  • WhatsApp sjell ndryshimin që keni pritur të gjithë

    WhatsApp sjell ndryshimin që keni pritur të gjithë

    Rastet kur mund t’u duhet të dërgoni foto përmes WhatsApp mund të jenë të shumta, por ajo që ndodh është se cilësia e imazheve bie sapo ato të jenë ngarkuar në chat.

    Por mesa duket kjo mund t’i përkasë të shkuarës, pasi WhatsApp po teston mundësinë që përdoruesit të dërgojnë foto me cilësi të lartë përmes kësaj platforme, sipas WABetaInfo.

    “Kjo risi padyshim që përmirëson eksperiencën e përdoruesve dhe po testohet aktualisht në beta”, shpjegoi WABetaInfo.

    WABetaInfo ka pikasur këtë veçori të re në versionet e fundit beta të WhatsApp për iOS dhe Android – iOS 23.11.0.76 dhe Android 2.23.12.13.

    Deri më tani, cilësia e fotove që dërgohen përmes WhatsApp reduktohet me 70%. Edhe pse kjo bën që të dhënat të ndahen më shpejt, për përdoruesit rezulton kryesisht shqetësuese, pasi fotot nuk mund të shpërndahen në platforma të tjera për shkak të cilësisë së ulët.

    Megjithatë, versionet beta të WhatsApp kanë një opsion të ri tashmë që u lejon që të zgjedhin cilësinë e fotos përpara se ta ndajnë me miqtë./A2CNN

  • Begaj nga Prizreni: Historia e kombit është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari

    Begaj nga Prizreni: Historia e kombit është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga Prizreni në shënimin e 145 vjetorit të Themelimit të Lidhjes së Prizrenit ka thënë se historia e kombit të lashtë është e pasur me momente të cilat mbushin me krenari, për atë çka shqiptarët janë dhe vlerat që përfaqësojnë.

    Begaj gjatë fjalës së tij tha po ashtu se Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit.

    “Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme ku patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarë shqiptare kundër shtypjes dhe sundimit. Sot nga themelimit i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që punuar për kombin tonë shqiptarë, por ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë. Kemi përgjegjësi për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë trashëgimi”, tha ai.

    Tutje Begaj u shpreh se: “ishte kjo Lidhje që punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur”.

  • Peci: 18 milionë litra qumësht falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023

    Peci: 18 milionë litra qumësht falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar sot blegtorin Luan Markajn nga fshati Korenicë, i cili falë mbështetjes konkrete institucionale, ka rritur numrin e lopëve qumështore nga 15 në 31 krerë e numrin e viçave për majmëri nga 5 deri në 25 krerë.

    Peci ka paralajmëruar se duke filluar nga viti 2024 do të subvencionohen 18 milionë litra qumësht, falë përkrahjes nga Programi për Zhvillim Rural 2023 e që do të hapet së shpejti.

    “Krahas fermës, Luani punon zellshëm tokën. Ai ka trefishuar sipërfaqet e mbjella me misër nga 8 hektar në 21ha, ndërsa ka dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me grurë nga 5ha në 11 hektar. Gjithsej me tokë të punueshme e kullosa, Luani posedon 120ha”, ka shkruar kreu i MBPZHR-së në faqen e tij në Facebook.

    “Kudo, shoh e takoj bujq të zellshëm e mbi të gjitha të kënaqur me punën tonë e kjo më inspiron akoma më shumë që t’i kontribuoj me të gjithë arsenalin si Ministër, drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së sektorit të bujqësisë dhe bujve meritorë”.

    “Gjatë qeverisjes sonë, Ministria është në shërbim të fermerëve! Kemi instaluar meritokraci dhe kemi ri-vendosur besimin e fermerëve në institucione duke larë borxhet e të tjerëve që përmes premtimeve boshe kanë mashtruar me vite”.

    “Kemi rritur konkretisht përkrahjen financiare e për këtë kemi dëshmitarë bujqit në çdo cep të Kosovës si dhe kemi eleminuar burokracitë e panevojshme duke rritur kontrollin në terren”.

    “Qeveritë qyqare të së kaluarës, kanë abuzuar me fermerët duke ua vendosur lakun në fyt e duke ofruar lëmoshë e jo atë se çka kanë merituar. Por kjo i përket së kaluarës ashtu si edhe ata që mundohen të sillen si dikush që nuk janë por i tradhton memoria kolektive”, ka shkruar Peci.

  • Kurti: Besnikërisht rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancojmë në rrugën tonë për forcimin politik Kosovë-Shqipëri

    Kurti: Besnikërisht rreth Lidhjes së Prizrenit mund të avancojmë në rrugën tonë për forcimin politik Kosovë-Shqipëri

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se shqiptarët janë kthyer e rikthyer me trup e mendje nga Prizreni, për t’i ripërtërirë lidhjet e tyre politike në mes vete dhe me të tjerët.

    Kurti gjatë fjalës së tij në shënimin e 145 vjetorit të Themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit theksoi se me praninë e dy shteteve Kosovë-Shqipëri në këtë përvjetor mirëmbahet linja drejtuese institucionale e kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptarë.

    “Nga kjo ditë e deri më sot duke ecur nëpër etapa të ndryshme historike të tyre, në vazhdimësi shqiptarët janë kthyer e rikthyer me trup e mendje nga Prizreni, kah Lidhja për t’i ripërtërirë lidhjet e tyre politike në mes vete dhe me të tjerët”, u shpreh ai.

    Kurti gjithashtu u shpreh se: “10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politikë shqiptarë e i cili vazhdon dhe sot. Prandaj sot i kemi këtu presidentët dy shteteve tona Republikane të Shqipërisë dhe Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptarë”.

    Kurti po ashtu theksoi se besnikërisht rreth Lidhjes, mund të avancojnë në rrugën për forcimin politik të shteteve, bashkë me aleatët amerikanë dhe evropianë.

    “Vetëm të lidhur bashk dhe besnikërisht rreth Lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojnë në rrugën tonë për forcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët tanë strategjikë evropian e amerikanë”, tha ndër të tjera kryeministri i vendit, Kurti.

  • Kryeministri kanadez viziton Kievin në shenjë mbështetjeje

    Kryeministri kanadez viziton Kievin në shenjë mbështetjeje

    Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, vizitoi Kievin të shtunën në një akt mbështetjeje teksa Ukraina po përgatitet për një kundërsulm të madh kundër forcave ruse dhe derisa po përballet me sulme të rregullta ajrore.

    Trudeau bëri nderime në një vend përkujtimor në qendër të Kievit për ushtarët ukrainas që u vranë duke luftuar forcat proruse që nga viti 2014.

    Kanadaja, anëtare e NATO-s, e cila ka një nga diasporat më të mëdha ukrainase në botë, ka ofruar ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën gjatë pushtimit në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

    Udhëtimi i Trudeau në Kiev pasoi një natë sulmesh me raketa dhe dronë rusë në objektiva jashtë kryeqytetit, duke përfshirë Odesën, rajonin e Poltava dhe Harkiv.

    Në një sulm në Odesa u vranë tre civilë dhe u plagon dhjetëra të tjerë./REL

  • Haradinaj: Lidhja e Prizrenit themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi

    Haradinaj: Lidhja e Prizrenit themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duke thënë se kjo ngjarje pas Lidhjes së Lezhës, kjo ngjarje mbetet lidhja më e madhe e shqiptarëve, e cila është njëkohësisht themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi.

    “Sot, kujtojmë njërën ndër ngjarjet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar, Lidhjen e Prizrenit. Shumë shqiptarë të zotë të asaj kohe, duke e ndjerë rrezikun që popujt fqinj do të lakmojnë në tokat e atdheun e tyre, më 10 qershor 1878, krijuan organizimin e parë politik të vilajeteve shqiptare, me të vetmin qëllim, ruajtjen e integritetit territorial të tokave shqiptare!  Pas Lidhjes së Lezhës, kjo ngjarje mbetet lidhja më e madhe e shqiptarëve, e cila është njëkohësisht themel i të drejtave të shqiptarëve në vazhdimësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Haradinaj tha se është përjetësisht mirënjohës gjithë atyre atdhetarëve që i prinë popullit shqiptar në ato rrethana aspak të lehta.

    “Njëkohësisht, shprehim respekt për gjithë ata që ruajtën vazhdimësinë e paraardhësve tonë që në qershorin e 1999 Kosova ta fitojë lirinë e saj”, ka shtuar ai.

     

  • Abdixhiku viziton një familje fermerësh në Suharekë, tregon si do t’i mbështes bujqit

    Abdixhiku viziton një familje fermerësh në Suharekë, tregon si do t’i mbështes bujqit

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka ka vizituar sot fermerët në Suharekë, me të cilët ka biseduar për nevojat që kanë.

    Ai është ndalur te familja Shala, ku nëntë anëtarët e familjes punojnë tokën në përditshmërinë e tyre.

    Abdixhiku ka thënë se në planin e tyre kanë paraparë eliminim të burokracisë për grante, sigurime bujqësore për fermerë dhe dyfishim të mbëshetjes financiare, raporton Express.

    “Për bujqit e palodhshëm që formojnë rrënjët dhe vet identitetin e shoqërisë sonë: ne ju shohim, ju falënderojmë dhe jemi me ju. Do të bëjmë rrugën përpara së bashku me ju, në mënyrë që çdo farë e mbjellë të sjellë shpresë e zhvillim për ju e gjithë vendin”, ka shkruar Abdixhiku.

     

  • ​Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundshëm rrëzimi i Kurtit

    ​Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundshëm rrëzimi i Kurtit

    Iniciativa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës ka mundësi të mbetet vetëm si ide. Në partinë e Ramush Haradinajt janë të vetëdijshëm për numrin e votave në Kuvend, por theksojnë se nëse kryeministri Kurti vazhdon me këtë qasje ndaj aleatëve ndërkombëtarë do t’i gjejnë të gjitha mekanizmat që ai të shkojë në shtëpi.

    Skeptik për rrëzimin e kryeministrit Kurti në rrethanat aktuale janë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërkaq në partinë në pushtet konsiderojnë se qeveria është duke bërë punë të mirë dhe është e palëkundshme edhe në Kuvend.

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se Kurti ka eskaluar në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Shtetet e Bashkuara, mirëpo ende nuk i kanë numrat në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

    “Për çështje të tilla ne kemi pasur një dakordancë dhe një koordinim, por ne duhet t’i kemi 61 vota. Nëse çështjet do të kishin eskaluar, pasi është hera e parë e historisë së Kosovës që aleatët i kemi kundër. Kosova për herë të parë është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për neve kjo është e frikshme, tmerrshme dhe papranueshme. Andaj, nëse vazhdon këtë qasje zotëri Kurti, ne duhet t’i gjejmë të gjitha mekanizmat që kjo qeveri të shkojë në shtëpi”, thekson Kadrijaj për kp.

    Përkundër që adreson një mori kritikash ndaj kryeministrit Kurti, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu thotë se në rrethanat aktuale është vështirë që ekzekutivi të rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit.

    “Do të ishte imagjinuese të mendojmë që ne mund të rrëzojmë kryeministrin edhe pse ai nuk po e kryen funksionin e tij si i pari i vendit në asnjë segment të funksionimit të tij. Por, a i kemi ne mundësitë që aktualisht të rrëzojmë kryeministrin? Ai ka marrë të gjithë fuqinë politike, ka fituar mbi 50 për qind të votave të qytetarëve që të bëjë ndryshimin. Në kohën kur ne i kemi mundësitë të shkarkojmë natyrisht. Kërkesa jonë është që ai t’i kryejë obligimet, të cilat i ka marrë nga qytetarët e Kosovës dhe kurdo që krijohen mundësitë dhe kushtet që ne të shkarkojmë kjo as nuk do të diskutohej. Por, në rrethanat në të cilat ne jemi aktualisht mund të duket vështirë e realizueshme që ne t’i kemi numrat që kryeministri të rrëzohet edhe pse ai është i paaftë, i papërgatitur dhe jokompetent në ushtrimin e funksionimit të tij si kryeministër”, shprehet Deliu.

    Kritik ndaj këtyre ideve të opozitës në situatën aktuale është deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli.

    Ai ngre pyetje ndaj opozitës nëse mocioni do të bëhet në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Neve na intereson ky mocion a do të bëhet në bashkëpunim me Vuçiqin, Radojçiqin apo me kënd. Dihet se 10 deputetët e Listës Serbe janë deputetë që dirigjohen nga Vuçiqi dhe Radojçiqi, na intereson se a do të jenë pjesë edhe ato e mocionit. Kjo është një kundër pyetje se a janë në bashkëpunim me ta. Në këtë drejtim, unë mendoj se qeveria është duke kryer punën e vet. Ne do të jemi në përkrahje të kësaj qeverie, në punën e saj të mirë, gjithmonë duke respektuar edhe miqtë tanë si garantues të pavarësisë, por edhe shikuar edhe interesin tonë si vend dhe qytetarë”, thekson ai.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar të nevojshme iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas zhvillimeve në veri dhe kundërshtimit të aleatëve ndërkombëtarë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në objektet komunale. Gjithashtu, edhe për vendosjen e disa masave të SHBA-së ndaj Kosovës, ku njëra prej tyre ishte edhe përjashtimi nga “Defender 2023”.
  • Mrekullia në Kolumbi: Pas një javë kërkimi, gjenden fëmijët në xhungël

    Mrekullia në Kolumbi: Pas një javë kërkimi, gjenden fëmijët në xhungël

    Kërkimi javor në xhunglën kolumbiane për katër fëmijët e humbur pas rrëzimit të avionit mori fund me sukses. Fëmijët mbijetuan falë forcës e aftësisë së tyre.

    Fund i lumtur i një kërkimi disa javor në xhunglën kolumbiane: Katër javë pas rrëzimit të një avioni në xhungël fëmijët e humbur janë gjetur gjallë. “Një gëzim për të gjithë vendin”, shkroi presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro në shërbimin twitter. “Katër fëmijët që humbën para 40 ditësh në xhunglën kolumbiane u gjetën gjallë.” Ai publikoi një foto me ushtarët dhe indigjenët, që ndihmuan në kërkimin e fëmijëve indigjenë në moshën 11 muajshe, katër, nëntë dhe 13 vjeç. “Ata janë në gjendje të dobët, por le t’i lemë mjekët të bëjnë ekzaminimet”, tha Petro para gazetarëve. Sipas të dhënave të ushtrisë fëmijët u gjetën rreth 5 kilometra në perëndim të vendit ku u rrëzua avioni.

    “Po fëmijët u gjetën”, konfirmoi gjyshi i tyre, Fidencio Valencia për agjencinë AFP. “Dua thjesht t’i shoh dhe t’i prek”, tha ai i prekur. Gjyshja Fatima Valencia e lidhi mbijetesën e fëmijëve me “natyrën luftarake” të 13 vjeçares Lesley.

    Më 1 maj një avion i vogël i tipit Cessna 206 u rrëzua në pyllin e Amazonës në jug të Kolumbisë. Më 15 dhe 16 maj në avionin e rrëzuar u gjendën kufomat e tre të rriturve. Bëhej fjalë për pilotin, një drejtues indigjen dhe nënën e fëmijëve të humbur, Magdalena Mucutui Valencia. Me shpresën e gjetjes së fëmijëve në Kolumbi filloi një aksion i gjerë kërkimi i ushtrisë me 160 ushtarë dhe 70 indigjenë. Fëmijët i përkisnin fisit Huitoto ose Vitoto, që janë të familjarizuar me xhunglën. Ata mësojnë herët të notojnë, të kapin peshq dhe të mbledhin bimë të ngrënshme. “Ata ia kanë dalë më forcën e vet”, tha presidenti Petro. Ky është shembull për mbiejetesën që do të hyjë në histori./DW/

  • Lutfiu: Në Serbi thirrje që shqiptarët të largohen nga komunat në Luginë

    Lutfiu: Në Serbi thirrje që shqiptarët të largohen nga komunat në Luginë

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu deklaron se kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, janë të hiperbolizuara. Sipas tij, kjo nuk është forma më e mirë për të gjetur zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

    Situata e tensionuar në veri, siç thotë ai, ka ndikuar në Luginë të Preshevës, ku bëhet thirrje që të largohen shqiptarët nga komunat në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

    Lutfiu, një intervistë për KosovaPress shpreson që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e bisedimeve dhe marrëveshjes finale mes dy vendeve.

    “Dua të kujtoj që ka pasur edhe thirrje prej aktivistëve, prej politikanëve që ngjarjet që po ndodhin në veri, Serbia t’i manifestojë, t’i ushtrojë edhe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Bile ka qenë edhe një deklaratë e një aktivisti atje në Serbi, që t’i nxjerrin shqiptarët nga Komuna e Bujanocit dhe Preshevës, si lloj reciprociteti ndaj asaj që po ndodhë.

    Ndonëse, qytetarët e Luginës së Preshevës kanë qenë, ju kanë nënshtruar proceseve zgjedhore në bazë të ligjeve të Serbisë, krejt në mënyrë demokratike. Por, kjo është ajo forma që Serbia, ndonëse jetojmë në vitin 2023, ende jeton dhe ushtron funksionet e viteve të kaluara”, deklaron ai.

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thekson se shqiptarët në këto tri komuna janë të shqetësuar.

    “Ka qytetarë që janë të shqetësuar edhe për shkak të këtyre thirrjeve që vijnë nga qarqet të ndryshme, nga individë të Serbisë, në mënyrë që të prodhojnë një destabilizim edhe në Luginë të Preshevës. Kjo sigurisht është shqetësuese dhe ne vazhdimisht bëjmë thirrje për prezencë të ndërkombëtarëve në Luginë të Preshevës”, shton Lutfiu për KosovaPress.

    Sipas tij, në tri komunat në Kosovën Lindore ka mungesë të perspektivës, fluks të madh të emigrimit, pasivizim të adresave dhe mosnjohje të diplomave.

    “Thirrja jonë e vazhdueshme është që në marrëveshjen finale, në bisedimet finale mes Kosovës dhe Serbisë patjetër të jetë e përfshirë edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kosova është shembulli më i mirë se si respektohen pakicat në një shtet.

    Në ndërkohë që, shqiptarët e Luginës së Preshevës diskriminohen vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Është rasti i vetëm në Evropë dhe shumë i rrallë në botë, ku shteti diskriminon një pakicë vetëm për shkak të përkatësisë etnike”, thekson kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

    Kërkesat e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lutfiu i konsideron të hiperbolizuara. Ai kërkon reciprocitet për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, njëjtë si serbët në Kosovë.

    “Një iniciativë të tillë e kanë pasur edhe liderët e Luginës së Preshevës, por që kurrë nuk është pranuar nga lidershipi i Serbisë. Ajo që ne kërkojmë është që gjithmonë që të ketë një reciprocitet të të drejtave, sikur ato të drejta që i kanë serbët në Kosovë, t’i kemi edhe ato drejta ne shqiptarët e Luginës së Preshevës… Si një qytetar i thjesht i Luginës së Preshevës, i cili diskriminohet vazhdimisht, unë them se serbët në Kosovë i gëzojnë të drejtat ndoshta që nuk i ka asnjë pakicë tjetër, kudo në Evropë. Kërkesa të tilla janë të hiperbolizuara dhe unë besoj që kjo nuk është forma më e mirë për të gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaron ai për KosovaPress.

    Javë më parë, për herë të parë është përmendur çështja e Luginës së Preshevës në Senatin amerikan. Kryetari i Këshillit Kombëtar shton se në kuadër të fushatës lobuese me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës do të diskutohet edhe në Strasburg.

    “Së fundmi, janë dakorduar edhe takimet, të cilat do të mbahen në Strasburg. Edhe atje do të takojmë eurodeputetë, në mënyrë që do të diskutojmë për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës… Do të flasim për gjuhën e urrejtjes që përdoret vazhdimisht në Luginë ndaj qytetarëve të Luginës së Preshevës, ndaj atij racizmi që shfaqet çdo ditë në Serbi, pastaj do të flasim patjetër edhe për mungesën e perspektives.

    Serbia e ka nënshkruar një plan, i ashtuquajturi shtatë pikësh, i cili ka për qëllim integrimin e shqiptarëve në institucione shtetërore, atë plan asnjëherë nuk e ka zbatuar. Pastaj, pas shtatë viteve e kemi filluar një ridialogim për atë plan, por prapë nuk i ka zbatuar dhe do të flasim me shifra se si shqiptarët diskriminohen dhe nuk pranohen në institucione shtetërore”, përfundon ai.

    Kujtojmë që në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.