ATV

Author: E.R.

  • Drejtori i Policisë: Armatimi i kapur në Veri planifikohej për sulme terroriste edhe ndaj trupave të KFOR-it në Veri

    Drejtori i Policisë: Armatimi i kapur në Veri planifikohej për sulme terroriste edhe ndaj trupave të KFOR-it në Veri

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë për media ka dhënë detaje për aksionin e djeshëm në veri të vendit ku kanë kapur një sasi të konsiderueshme të armatimit.

    Hoxha thotë se ky armatim kishte për qëllim që të përdorej për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kundër forcave të sigurisë që janë në veri, përfshirë edhe KFOR-in,

    “Pas një pune intensive në bashkëpunim me shërbimin e inteligjencës, kanë siguruara informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë grumbulluar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, me qëllim që të përdorin për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve dhe kundër forcave të sigurisë që veprojnë në veri të vendit, përfshirë edhe KFOR-in”, ka treguar Hoxha.

    Ai gjithashtu ka treguar në detaje për të gjithë armatimin që është kapur në veturën Audi që kishte qenë e parkuar në Zveçan.

  • Armë, mjete eksplozive, radio lidhje dhe simbole të njësive ruse – Sveçla jep detaje nga konfiskimi i armatimit në veri

    Armë, mjete eksplozive, radio lidhje dhe simbole të njësive ruse – Sveçla jep detaje nga konfiskimi i armatimit në veri

    Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka treguar për gjithë armatimin që kanë konfiskuar ditën e premte në komunën e Zveçanit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka thënë se të premten është shmangur një sulm terrorist.

    “Shmangëm një sulm terrorist, u identifiku një makinë më targa të Serbisë, u zbulua sasi e madhe e armatimit, mjete eksplozive, armë automatike, shok-bomba, uniforma. Ka shenjë dalluese të njësive ruse, radio lidhje, të cilat më herët janë gjetur në zyrën e tij Aleksandër Filipovic”, tha ai.

    Tutje ai shtoi se këto pajisje janë të  formacionit kriminal “Mbrojtja civile”, që shërbejnë për shkaktimin e sulmeve terroriste.

    “Këto mjete kishin për qëllim shkaktimin e sulmeve në Kosovë”, tha ai.

    Ministri shtoi tutje se “ky rast konfirmon se nga territori i Serbisë janë futur edhe vetura tjera me armatim.

    “Vetura e konfiskuar është me targa të Beogradit, është pronë e një ndërmarrje shtetërore të Serbisë. Kjo është e qartë se kush qëndron prapa sulmeve”.

    Ministri ka thënë se nuk bandat kriminale janë në rritje, ndërsa ka ftuar Serbinë të ndalë këto sulme ndaj Kosovës si dhe ka ftuar ndërkombëtarët pas këtij rasti.

  • Vela: 10 ditë nga rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga Serbia, Vuçiq duhet t’i lirojë urgjentisht dhe pa kushte

    Vela: 10 ditë nga rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga Serbia, Vuçiq duhet t’i lirojë urgjentisht dhe pa kushte

    Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës rikujtoi se kanë kaluar 10 ditë që kur tre policët e Kosovës janë rrëmbyer brenda territorit nga regjimi i Serbisë, gjersa kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

    Vela në një postim në Twitter tha se rrëmbimi i tyre është dëshmi e politikës agresive të Vuçiqit ndaj fqinjëve.

    “Kanë kaluar 10 ditë që kur 3 policë të Kosovës janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, nga regjimi i Serbisë. Vuçiq duhet t’i lirojë urgjentisht dhe pa kushte”, ka thënë Vela.

    Po ashtu, Vela u shpreh se rrëmbimi i tyre është dëshmi e politikës agresive të Vuçiqit ndaj fqinjëve.

    “Megjithatë, ai nuk do ta arrijë këtë”, potencoi shef i stafit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

    10 days have passed since 3 Kosovo Police officers were abducted inside 🇽🇰 by Serbia’s pariah regime.

    Vučić needs to urgently and unconditionally release them.

    Their abduction is an evidence of Vučić’s aggressive policy towards neighbors. However, he’ll fail to achieve this! pic.twitter.com/TdCV5cpgT0

    — Blerim Vela (@Blerim_Vela) June 24, 2023

  • Pas 9 ditësh largohet zyrtari i lartë i Qeverisë Kurti që po qëndronte brenda me Lulzim Hetemin

    Pas 9 ditësh largohet zyrtari i lartë i Qeverisë Kurti që po qëndronte brenda me Lulzim Hetemin

    Arbër Vokrri, zëvendësministër në MAPL, sot është larguar nga Leposaviqi. Ai ka qëndruar për nëntë ditë brenda në komunë së bashku me kryetarin e kësaj komunë, Lulëzim Hetemi.

    Vokrri ka publikuar një video në profilin e tij në “Facebook” duke treguar se tashmë është përshendetur me kryeartin.

    Ai tha se po ndjen emocione të përziera, teksa lavdëroi Hetemin për punën e tij.

    VIDEO

  • Konjufca për rrëmbimin e policëve: S’ka pazare në këtë temë, të kryhet siç tha ShBA’ja, Gjermania dhe Britania e Madhe

    Konjufca për rrëmbimin e policëve: S’ka pazare në këtë temë, të kryhet siç tha ShBA’ja, Gjermania dhe Britania e Madhe

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca thotë se ende s’ka pajtim për zgjidhjen e situatës në veri, përkundër takimit të së enjtes në Bruksel. Ai shton se dakordimi për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore është vetëm në nivelin politik, por jo për mënyrën sesi të ecet përpara për deeskalimin e situatës. Sipas tij, zgjedhjet e reja në veri duhet të organizohen vetëm në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtetues të Kosovës.

    Konjufca akuzon Serbinë se po kërkon autonomi territoriale në veri, derisa thekson se do t’i bindin ndërkombëtarët se Kosova është në të drejtën e saj për situatën në katër komunat veriore. Kryeparlamentari Konjufca flet edhe për rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe, iniciativën e presidentes Osmani për unifikimin e spektrit politik dhe gatishmërinë e opozitës për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

    “E vetmja pajtueshmëri e qartë ishte ajo e nivelit politik, jo konkret dhe praktik sesi të ecet përpara. Por e nivelit politik që të gjithë pajtohen se ka nevojë për zgjedhje të reja në veri. Ky është i vetmi emërues i përbashkët që e ka karakterizuar takimin (e Brukselit). Të tjerat, sa i përket kërkesave të zotëri Vuçiq, ato janë të papranueshme për Kosovën natyrisht… Edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, duhet të shkohet me procedura kushtetuese, jo me procedura antidemokratike. Pasi, edhe qysh shkohet në zgjedhje të reja, Kosova e ka opsionin e vet ligjor dhe demokratik civil. Kurse, Serbia e ka opsionin e ushtrimit të dhunës përmes grupeve që janë të orkestruara”, thotë Konjufca.

    Konjufca deklaron se qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes krijimit të një vakumi institucional në veri dhe pastaj trazirave të vendose Kosovën para një fakti të kryer, që pastaj të kërkojë një zgjidhje politike për një formë autonomie territoriale.

    Mirëpo, ai thotë se kjo është e papranueshme për Kosovën.

    “Kjo ka qenë një përpjekje e qartë që përmes krijimit të një vakumi institucional në pjesën e veriut të Kosovës prej nëntorit të vitit të kaluar dhe pastaj me ushtrimin e dhunës së grupeve të armatosura, duke sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e NATO-s, me qitë Kosovën para një fakti të kryer. Kjo është një zgjidhje politike në formë të një autonomie territoriale për atë pjesë të Kosovës. Ky ka qenë qëllimi konkret dhe kryesor i Vuçiqit dhe Serbisë. Kjo është edhe arsyeja pse ka ndërhyrë Policia e Kosovës dhe pse ne e kemi zgjedhur rrugën e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë sa i përket zgjedhjes së kryetarëve që gjithçka të shkojë sipas ligjit dhe Kushtetutës. Kjo është rruga jonë e vetme dhe e drejtë që e kundërshton rrugën e bandave dhe krimit”, thekson ai.

    Konjufca shprehet i vendosur se do t’i bindin ndërkombëtarët që Kosova është në të drejtën e vet për vendosjen e ligjshmërisë në veri.

    Ai përmend edhe arrestimin e të dyshuarve për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

    “Ka dallim ndërmjet bandave dhe njerëzve që marrin urdhra dhe popullit, i cili përgjithësisht nuk është i përfshirë atje dhe i shikojnë punët e veta. Por sa i përket këtyre që marrin urdhra dhe ushtrojnë drejtpërdrejtë dhunën, ky është një dallim shumë i qartë. Qeveria është duke e bërë këtë dallim, arrestimi i (Milun) Milenkoviq, ai ka një dosje kriminale me dhjetëra vepra, i dyshuar edhe për dy vrasje. Si mund të thuhet ai është provokim, çfarë provokimi është ajo. I njëjti njeri nëse është në Prishtinë dhe është me nacionalitet shqiptar, ai arrestohet në mes të Prishtinës. Pse të jetë ndryshe për një rajon tjetër, pasi krijojmë standarde të dyfishta… Ne duhet t’i bindim ndërkombëtarët që kjo është një e drejtë e Kosovës, s’ka të bëjë me civilët dhe është vetëm përpjekje (e Serbisë), pasi janë quajtur zgjedhjet legjitime, kryetarët e kanë përgjegjësinë që të ushtrojnë detyrën nga vendi i tyre i punës”, shton kryeparlamentari Konjufca për kp.

    Në anën tjetër, Konjufca kërkon lirimin pakushte të policëve të rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

    Madje, ai shton se në kthimin e tyre në shtëpi nuk duhet të ketë asnjë kushtëzim nga ana e Serbisë.

    “Së paku tri shtete kanë qenë të qarta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Departamentit të Shtetit, Gjermania, Berlini zyrtar dhe Londra zyrtare, kanë qenë të qarta se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, që ata duhet të kthehen pakushte në Kosovë. Tash kjo mbetet prej anës së Serbisë të zbatohet, por Serbia siç po shihet nuk i respekton këto thirrje ndërkombëtare. Përmes kësaj, ajo dëshirojë të krijojë një levë më të madhe të kushtëzimit ndaj Kosovës, ndoshta të kërkojë shkëmbime sa i përket këtyre tre policëve. Mirëpo, kjo nuk është një temë për të cilën ka pazare. Kjo është një temë që duhet të kryhet siç tha ShBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe. Ata duhet të kthehen pa kurrfarë kushtëzimi. Në kthimin e tyre nuk ka një fjalë “por duhet të bëhet kjo”. Ata duhet të kthehen të pakushtëzuar”, deklaron ai.

    Krahas këtyre, Konjufca, kritikon kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku që nuk shkuan në takim të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.

    “Nuk mendoj se kanë bërë mirë që nuk kanë shkuar në takimin e presidentes, pasi është qasje e gabuar. Mendoj se zotëri Haradinaj bëri mirë që shkoi në takimin e thirrur nga presidentja. Nuk mundesh edhe të ankohesh në presidenten, e cila nuk po luan rolin e saj sipas tyre dhe të njëjtën kohë të minosh këtë përpjekje të saj të mirë dhe fisnike për t’i ndihmuar vendin, që të grumbullojë forcat politike dhe të marrë mendimet e tyre sesi të ecet përpara. Pra nuk mundesh të ankohesh se presidentja nuk po na thërret kurrë dhe në mundësinë e parë që ajo të thërret të refuzohet ftesa. Mendoj se është kontradiktore dhe nuk është qasje që i ndihmon qytetarëve të Kosovës”, thekson Konjufca.

    Sa i përket mocionit të mosbesimit të përmendur nga AAK-ja, por edhe kërkesave së fundmi të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi për shpërndarje të Kuvendit, Konjfuca, thotë se i vetmi siklet i opozitës është se për të rrëzuar Qeverinë Kurti, iu duhen edhe votat e Listës Serbe, ndaj ky opsion është pa perspektivë.

    “Nuk shkon shpërbërja (e Kuvendit) ashtu. Kosova i ka procedurat e veta demokratike dhe shtetërore. Mendoj se të vetmin siklet që po krijohet në këtë aspekt është se për të rrëzuar Qeverinë Kurti është e domosdoshme ardhja e Listës Serbe, kjo është ajo që iu pengon faktorëve vendorë dhe kjo është arsyeja pse nuk shohin ndonjë perspektivë të këtij opsioni”, përfundon Konjufca.

    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të enjten në Bruksel ka pritur në takime ndara, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithëse, Borrell ka theksuar nevojën për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, palët ende nuk janë marrë vesh për formën si të ndodhë kjo.

    Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, por ka thënë se kjo duhet të ndodhë vetëm me zgjidhje ligjore dhe kushtetuese. Ai ka theksuar se deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri.

  • Armatimi që u kap në veri, Sveçla e Hoxha dalin sot në konferencë për media

    Armatimi që u kap në veri, Sveçla e Hoxha dalin sot në konferencë për media

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha do të mbajnë konferencë të jashtëzakonshme për media, shkruan Gazeta Express.

    Konferenca sipas njoftimit ka të bëjë me rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku policia ka identifikuar dhe njëherit konfiskuar një veturë me targa serbe, në të cilën kishte pasur një sasi armatimi e mjete të ndryshme ushtarake.

    “Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme lidhur me rastin e mbrëmshëm në Zveçan, ku policia ka identifikuar dhe njëherit konfiskuar një veturë me targa serbe, në të cilën kishte pasur një sasi armatimi e mjete të ndryshme ushtarake. Në konferencë pritet të marrë pjesë ministri i MPB-së z. Xhelal Sveçla dhe drejtori i PK-së z. Gazmend Hoxha”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Dosja e Prokurorisë për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si u betua familja Mehmetaj për hakmarrje gjatë varrimit të vajzës së tyre

    Dosja e Prokurorisë për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si u betua familja Mehmetaj për hakmarrje gjatë varrimit të vajzës së tyre

    Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi.

    Tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe Armëmbajtje pa leje.

    Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, përshkruhet në detaje se si ishte planifikuar vrasja nga të akuzuarit si dhe motivet që i shtynë ata për kryerjen e këtij akti.

    Sipas aktakuzës, cak i vrasjes kishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri G.Gj. dhe se vrasje kishte ndodhur si hakmarrje, pasi familja Mhmetaj e kishin ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre H.M.

    Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Halil, ishte betuar në hakmarrja ndaj tani të ndjerit G.Gj., si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës vajzës së tij në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.

    Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit e lartcekur në  marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.

    Aktakuza e plotë e përpiluar nga Prokuroria Themelore e Pejës:

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me datë 5 maj 2023,  ngarkon të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, se me datën 26 nëntor 2021, rreth orës 18:58 minuta në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.

    Në aktakuzë thuhet se, pasi që paraprakisht ata kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi dhe duke e ditur kohën e saktë të arritjes së autobusit “Erblini”, nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit në turnin e fundit, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G., me nxënës dhe pasagjerë në të.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot merr pushkën automatike AK-47, prodhim shqiptar të kalibrit 7.62x39mm dhe niset në këmbë deri tek vendi i ngjarjes, në krahun e djathtë të rrugës dhe me të vërejtur dritat e autobusit në fjalë, del në mes të rrugës i kthyer më shpinë kah autobusi që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndaloj, bënë sikur është i dehur dhe kur shoferi fillimisht e sinjalizon me drita të gjata e pastaj edhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kastriot në distancë prej rreth 6 metrash kthehet në drejtimin e autobusit dhe merr shënjestër shoferin e autobusit tani të ndjerin G.Gj. dhe e godet për vdekje, po ashtu godet për vdekje dhe L.H 17 vjeçar, dhe G.M 17 vjeçare, si dhe i shkakton lëndime të rënda trupore F.T.

    Tutje thuhet se i pandehuri Kastriot ka rrezikuar jetën e pasagjerëve tjerë: B.H., A.B., A.Z., B.M., dhe E.O, të cilët ishin në ato momente prezentë në autobus, dhe më pas i njëjti kalon nga krahu i majtë i autobusit, i cili kishte dalë jashtë rrugës, dhe vazhdon në fshatin Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik dhe merr rrugën e kthimit pa u hetuar për në shtëpi dhe pastaj shkatërrojnë armën.

    Me tej në aktakuzë thuhet se, kjo vrasje kishte ardhur si hakmarrje për shkak të vetëvrasjes së H.M. e cila kishte ndodhur me datën 14 qershor 2020, për të cilin akt familja Mehmetaj e kanë fajësuar tani të ndjerin G.Gj.

    Për këto veprime prokuroria ata i ngarkon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Tutje në aktakuzës, thuhet se i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data 14 qershor 2020, gjerë me datën 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit G.Gj., të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij H.M, ku për më tepër thuhet se ishte betuar në hakmarrja, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.

    Ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, nga neni 32, lidhur me nenin 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, të KPRK-së.

    Gjithashtu aktakuza i ngarkon të pandehurit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, që në kohë të pacaktuar e gjerë me datën 11 dhjetor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në shtëpinë e tyre në kundërshtim me nenin 5 par.1, të Ligjit për Armë, mbajnë në pronësi, posedim e kontroll municion, armë e municion, ku në rastin e kontrollit nga ana e policisë, këta të fundit gjejnë dhe sekuestrojnë, 156 fishek të armës “AK-47” të tipit “Kallashnikovë”, një karikator i shkurtë i armës “AK-47”, “Kallashnikovë”, 6 fishek të armës së gjuetisë 12mm, për të cilat është konstatuar se nuk kanë leje nga organet kompetente, si dhe 6 pajisje ushtarake.

    Me këtë thuhet se kanë kryer vepër penale “Mbajta në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

  • Rafuna: Ikja e të rinjve vështirë të ndalet, të subvencionohen bizneset individuale e ato familjare

    Rafuna: Ikja e të rinjve vështirë të ndalet, të subvencionohen bizneset individuale e ato familjare

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shqetësuese për bizneset kosovare e sheh ikjen e fuqisë punëtore, teksa shprehet skeptik se ky trend mund të ndalet.

    Ai ka kërkuar që shteti të marrë masa në këtë drejtim, me ç’rast kërkon të subvencionohen bizneset individuale e ato familjare.

    Disa prej bizneseve sipas Rafunës kanë filluar të marrin punëtorë nga shtetet afrikane por që nuk ofrojnë siguri, për shkak se Kosovën e konsiderojnë si vend transit për shtetet perëndimore.

    “Ka shumë ankesa nga bizneset, kjo është një sfidë në vete që jemi duke e trajtuar me shumë kujdes për arsye se nuk kemi ikje të fuqisë punëtore vetëm të kualifikuar por po kemi ikje të fuqisë punëtore të pakualifikuar. Kjo gjendje i ka shtyrë pak me u riorganizuar. Në kuptimin e riorganizimit të brendshëm ose me ble pajisje të reja por edhe me marrjen e punëtorëve nga jashtë por edhe me organizimin e logjistikës në mënyrë të ndryshëm, pasi jo vetëm Kosova po përballet me këtë por krejt vendet e rajonit”, thotë Rafuna, teksa ka përmendur disa mundësi që institucionet mund ta parandalojnë këtë dukuri.

    “Mirëpo ne duhet me u koncentru këtu brenda te problemi jonë që e kemi, kështu që edhe këtu kërkohet ndihmë prej Qeverisë së Kosovës që t’i ndihmojë të rinjtë që mos ta lëshojnë vendin dhe t’u ofrohet një mundësi për hapjen e një biznesi në Kosovë, të subvencionohen për fillimin e një biznesi qoftë i vetëpunësuar por edhe familjarë e start-up”, thotë tutje Rafuna.

    Kreu i OEK-ut, ka pranuar se bizneset kosovare kanë filluar të marrin punëtorë nga jashtë por që të njëjtit nuk ofrojnë siguri për të qëndruar gjatë në Kosovë.

     “Ka, padyshim që ka biznese që kanë marrë punëtorë nga jashtë, mirëpo edhe te ata nuk mund të mbështetësh, për dy arsye; e para nëse e merr nga jashtë kërkohet një kohë trajnimi, mirëpo edhe ai që vjen dhe përkundër që ti e trajnon, ai nuk e ka tendencën që të qëndrojë gjatë në Kosovë, ai vjen në Kosovë me tendencën që ta shfrytëzojë si vend transiti deri sa e gjen një kanal daljes jashtë dhe zhvendoset prej Kosovës. Kështu që bizneset prapë e ka atë pasigurinë, nuk është që po vjen i huaji dhe po punon në Kosovë dhe është ajo siguria që do të punojë një vit”, u shpreh Rafuna.

    Ai ka kërkuar që sistemi arsimor të lidhet me tregun e punës. Krahas kësaj, Rafuna ka kërkuar edhe reformim të sistemit shëndetësor e të sundimit të ligjit.

    “Po mënyra më e mirë për ta joshur qytetarin me u punësuar në Kosovë është krijimi i kushteve, duhet urgjent reformimi i sistemit arsimor që me u lidh me kërkesat e tregut të punës. Ne duhet me prodhu kuadro të cilat i kërkon tregu i punës, duhet urgjent sistemi shëndetësor, duhet urgjent sundimi i ligjit e kështu më radhë”, thotë tutje Rafuna.

  • Messi për largimin e tij nga PSG: Njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe

    Messi për largimin e tij nga PSG: Njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe

    Lionel Messi ka dhënë një intervistë për beIN Sports në të cilën flet për largimin e tij nga Paris Saint-Germain.

    “Erdha në Paris sepse më pëlqeu klubi, sepse kisha miq dhe shumë njerëz që i njihja në dhomën e zhveshjes, bashkëlojtarë nga kombëtarja ose disa me të cilët kisha qenë më parë”, deklaroi ai.

    “Më dukej se, përtej asaj që ishte klubi, do të kisha një përshtatje shumë më të lehtë sesa në skuadrat e tjera ku mund të kisha shkuar, kështu që kjo është pak arsyeja pse vendosa të shkoj në Paris”.

    Koha e tij në Francë ishte e vështirë ndonjëherë: “E vërteta është se ishte një përshtatje shumë e vështirë, shumë më tepër nga sa prisja. Përveç faktit që kisha njerëz që njihja në dhomën e zhveshjes dhe kisha marrëdhënie me ta, ishte e komplikuar për t’u përshtatur me një ndryshim të ri. Arrita vonë, nuk kisha një parasezon. Më duhej të përshtatesha me një qytet të ri, i cili ishte i vështirë për familjen time dhe për mua. Ishte e ndërlikuar”.

    Dhe nuk përfundoi ashtu siç do të kishte dashur: “Më pas, njerëzit filluan të më trajtonin ndryshe. Një pjesë e turmës së PSG-së, pjesa tjetër dhe shumica më trajtuan akoma si në fillim, por pati një ndërprerje marrëdhëniesh me tifozët e PSG-së”.

    “Nuk ishte qëllimi im, larg tij, të gjeneroja atë pushim. Kjo ka ndodhur edhe me Neymar ose Mbappe më parë”.

    “Unë do të ruaj (kujtimet) e të gjithë njerëzve që më respektuan, siç i kam respektuar gjithmonë të gjithë që kur kam ardhur”, ka vazhduar më tej Messi.

    Shtatë herë fituesi i Topit të Artë tashmë ka kaluar te Inter Miami, aty ku synon të mbyll karrierën e tij të ndritur si futbollit, ndonëse e kërkoi me ngulm rikthimin te Barcelona, por këta të fundit nuk ia arritën ta realizonin atë për shkak të Fair Play-it Finaciar.

  • Sot Provimi i Maturës, Nagavci: Respektimi i rregullave është i domosdoshëm

    Sot Provimi i Maturës, Nagavci: Respektimi i rregullave është i domosdoshëm

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u ka uruar sot nxënësve sukses në Provimin e Maturës gjersa ka theksuar se respektimi i rregullave është i domosdoshëm.

    Ajo ka thënë se pret përgjegjësi të plotë nga të gjithë.

    “Ju uroj shumë suksese sot, në provimin e maturës shtetërore në të cilin do tregoni aftësitë dhe shkathtësitë tuaja, të cilat i keni përvetësuar gjatë dymbëdhjetë viteve të shkollimit.

    Që të kemi rezultate reale, respektimi i rregullave është i domosdoshëm andaj pres përgjegjësi të plotë nga të gjithë.

    Ne qetësi e besim, ju inkurajoj që të jepni më të mirën nga vetja. Nga ana jonë do të keni gjithmonë mbështetje të pakursyer.

    Suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!”, shkruan Nagavci.