Ekspert i çështjeve të Sigurisë, Bedri Elezi ka thënë se tre policët u kidnapuan pasi që ata kishin shumë informacione për grupet kriminale në veri të vendit.
Në një intervistë në Direkt, Elezi ka shtuar se Serbia e ka përdorur rastin për të marrë favore nga SHBA-të.
“Ka pasur deklarime zyrtare nga ana e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës se tre policët janë kidnapuar për shkak të informacioneve që ata kishin”, ka thënë Elezi në Direkt.
Ai ka shtuar gjithashtu se Serbia e ka përdorur këtë rast për të negociuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Serbia i rrëmbeu tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që ishin pjesë edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që më pas t’i lironte pas kërkesë së SHBA-së, në mënyrë që më pas të kërkoj favore”, ka thënë Bedri Elezi. /ATV LIVE/
Rruga Prishtinë – Mitrovicë vazhdon të jetë problem për qytetarët që e frekuentojnë, për shkak të kolonave të gjata automjeteve. Madje, tash me ardhjen e mërgimtarëve ato janë shtuar. Ministria e Infrastrukturës, e cila muaj më parë ia ndërpreu kontratën operatorit për rregullimin e rrugës, thotë se punimet pritet të rifillojnë në shtator.
Sezoni i bashkatdhetarëve erdhi.
Por bashkë me të, edhe kolonat e gjata të automjeteve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë.
Në këtë rrugë, që nisi të ndërtohet mbi një dekadë më parë, punimet për të disatën herë u ndalën para disa muajve.
“Që nga shkurti kur Ministria e Infrastrukturës ndërpreu kontratën me operatorin, në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë nuk është punuar më asgjë”.
Andaj një situatë e tillë, më së shumti po u kushton atyre që e frekuentojnë atë.
Megjithatë, e sigurt është se me këto kolona, qytetarët do të përballen së paku edhe kësaj vere, pasi siç thonë në Ministrinë e Infrastrukturës, vazhdimi i punimeve pritet të nisë tek në shtator.
“Momentalisht jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kompanisë mbikëqyrëse, dhe gjithashtu jemi duke azhurnuar dosjen e tenderit për përzgjedhjen e kontraktorit për ekzekutimin e punimeve. Nëse çdo gjë shkon sipas procedurave të prokurimit, të parapara nga financuesit, Bankat Ndërkombëtare (SFD dhe OFID), punimet priten të fillojnë nga mesi i pjesës së dytë të vitit 2023”.
Ndërkaq, kontrata e vjetër, sipas Ministrisë, ishte ndërprerë pasi kontraktori nuk i kishte përmbushur obligimet dhe angazhimet e tij të përcaktuara.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është aksidentuar sot derisa ishte në terren me veturë zyrtare.
Ai tha se nga ky aksident mori lëndime të lehta bashkë me një shoqërues të tij.
“Gjatë vizitave në terren sot vetura në të cilën ishim, u godit nga një veturë tjetër ku për shkak të kësaj, pësuam lëndime të lehta por pa pasoja serioze. Ju falënderoj të gjithëve që keni shprehur shqetësim e kujdes ndaj meje dhe shoqëruesit tim”, ka shkruar ai.
Megjithatë, nuk dihet nëse personat që ishin në veturën tjetër kanë pësduar lëndime nga ky aksident.
Manastiri i Deçanit ka njoftuar se për shkak të sigurisë në veri të Kosovës, ka vendosur që ceremonia e Vidovdanit, që është më 28 qershor, nuk do ta mbajnë në vendin e zakonshëm, por në manastirin e Graçanicës.
Në lidhje me këtë është lëshuar edhe një njoftim nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ku mes tjerash thuhet se këtë e vendim e kanë marr për arsye se sipas tyre, Policia e Kosovës nuk mund të sigurojë kushte për siguri.
“Peshkopi Teodosije sot ka marrë vendim që për shkak të shqetësimeve mbizotëruese të sigurisë, ceremonia përkujtimore tradicionale e Vidovdanit e planifikuar për 28 qershor nuk do të mbahet në vendin e saj të zakonshëm. Në vend të kësaj, do të zhvillohet në Manastirin e Graçanicës”, shkroi Manastiri i Deçanit në Twitter.
“Duke marrë parasysh situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë dhe Metohi, ku populli ynë aktualisht po jeton në një gjendje të pasigurisë së sigurisë dhe ndjen mungesë të të drejtave dhe lirive elementare, veçanërisht pas serisë së fundit të arrestimeve dhe keqpërdorimeve të serbëve të paraburgosur, si peshkop dioqezan, me përgjegjësi të plotë baritore, kam marrë vendimin e mëposhtëm:”.
“Ceremonia e Vidovdanit, e cila tradicionalisht prej vitesh mbahet para monumentit të heronjve të Kosovës në Gazimestan, këtë vit do të mbahet në manastirin e Graçanicës, pas Liturgjisë Hyjnore më 28 qershor. Besojmë se ky vendim është e vetmja zgjidhje e përgjegjshme në një situatë ku ne dhe populli serb në tërësi nuk kemi besim se sigurinë dhe kushtet normale për mbajtjen e përkujtimit në Gazimestan mund t’i sigurojë policia e Kosovës”.
Ata thonë se do të kërkojnë mbrojtje shtesë edhe nga KFOR-i.
“Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë mbrojtje shtesë nga KFOR-i gjatë festimeve të këtij viti. Theksojmë se kjo është hera e parë, që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë në vitin 1999, që merret një vendim i tillë, i cili vetëm tregon peshën e situatës së sigurisë, por edhe mosbesimin tonë të plotë në institucionet aktuale në Prishtinë, të cilat, për fat të keq, i kanë sjellë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë në nivelin më të ulët në 24 vitet e fundit”.
Familjarët e dëshmorëve të Istogut në shenjë revolte kanë larguar emrat e familjarëve të tyre nga lapidari që u vendos ditë më parë në këtë qytet. Sipas tyre, në këtë lapidar janë vendosur emra që nuk ishin pjesë e brigadës 133 të Istogut.
Në shenjë revolte, familjarë të dëshmorëve të komunës së Istogut, larguan emrat e familjarëve të tyre, në lapidarin e dëshmorëve që u përurua ditë më parë.
E për të ndaluar aksionin, dolën pjesëtarë të Policisë. (pamje policia)
Familjarët janë të zemëruar që në lapidar janë vendosur edhe emra të civilëve të vrarë të cilët nuk ishin luftëtarë.
“Ne sot si shenjë revolte, si shenjë pezmi, për tendencën me pirateru historinë e lavdishme, ne kemi dalë mi largu emrat e familjarëve tonë nga pllaka e cila është vendosur me 20 qershor të këtij viti.
“Numri i saktë i dëshmorëve se brigada jonë e përfshin edhe Pejën, një pjesë të Klinës dhe gjithashtu Istogun. Numri i saktë i dëshmorëve është 51, edhe nuk janë dëshmorë vetëm të brigadës 133 të zonës tonë, por që gjysma e dëshmorëve në këtë pllakë janë nga zonat e tjera. Këta emra i kanë shkruar disa komandantë vërceniar, ata janë vërceniar për mu”.
Para se vet t’i largonin emrat e familjarëve, protestuesit thanë se këtë ia kërkuan paraprakisht kryetarit të komunës.
“Në vitin 2008 na kanë ardhë edhe 13 emra janë shtuar dëshmorë, në atë kohë nuk i kemi pranuar ata emra, kemi provuar në mënyra të ndryshme që t’i kundërshtojmë këta 13 emra sepse ata nuk kanë qenë dëshmorë. Kemi kërkuar nga kryetari i komunës që të vendosen vetëm emrat që kanë qenë dhe të mos shtohen emrat tjerë. Kemi marrë premtim nga kryetari, por më vonë e kemi vrejtë që janë shtuar emrat. Kemi kërkuar që mu largu emrat e familjarëve tonë, por që nuk i kanë larguar dhe jemi detyruar që sot t’i largojmë personalisht”.
Por, sipas zyrtarëve komunalë, listën me emrat e dëshmorëve e morën nga shoqatat e dala nga lufta.
“Listën me emrat e dëshmorëve e kanë sjellë Shoqata e dala nga lufta. Ne përpos që i kemi vendosur emrat e tyre në lapidar, nuk kemi përgjegjësi të për listat e dëshmorëve. Kemi mbajtur rreth 7 ose 8 takime me disa nga familjarët e dëshmorëve dhe se u kemi dhënë të njëjtën përgjigje”.
Lapidari i Ri i Dëshmorëve në Istog, në të cilin janë të 63 emra të dëshmorëve është inauguruar në 24 vjetorin e Ditës së Çlirimit të qytetit.
Komuna ka nisur renovimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, në fshatin Hajvali të Prishtinës. Banorët thonë se për shërbime nga mjekët po udhëzohen të shkojnë në qendrën e re që është rreth 5 kilometra larg fshatit.
Në letrën e vendosur në derën e Qendrës së mjekësisë familjare në fshatin Hajvali, data e nisjes së rinovimeve shënon, që nga 20 qershori, por sipas banorëve këtu, ata nuk po marrin shërbime këtu tash e 10 ditë.
Për shërbime mjekësore thonë se janë të detyruar të shkojnë në qendrën kryesore të mjekësisë familjare, por shkuarja deri atje po del të jetë e mundimshme.
Në Prishtinë që dy ditë jam tu shkua te spitali, nuk është e përshtatshme hiç, se ja kallaballëk, ja qashtu, se punët që duhet me u krye ma herët nuk po kryhen, se po arsyetohen ja projekti, ja sene.
Ndonëse po udhëzohen, që për shërbime të shkojnë në qendrën e re e cila u përuruar të mërkurën në Veternik, banorët thonë se po kanë vështirësi për ta gjetur vendin.
Shumë nxehtë tash me shkua deri në qytet me marrë shërbime, këta po thonë diku te gjykata me shkua, po nuk po e di ku është.
Komuna tha se punimet për rinovimin e qendrës së mjekësisë familjare në këtë fshat, pritet të përfundojnë më së largu deri më 26 qershor.
Mungesa e muzeve në Kosovë e bën të pamundur dokumentimin e historisë dhe ruajtjen e artefakteve nga periudhat e ndryshme historike. Disa nga komunat ku nuk ka muze, për mosndërtimin e tyre thonë se shkaktar është mungesa e buxhetit e disa të tjera thonë se nuk kanw hapwsirw.
Të gjitha këto veshje të rajonit të Drenicës, artefakte të ndryshme, armë të përdorura gjatë luftës, rrezikojnë që të dëmtohen për shkak të vendit ku tashmë janë vendosur qe një kohë të gjatë.
Mosajrosja dhe ndriçimi jo i duhur, e pamundësojnë ruajtjen e gjithë këtij arkivi që ekziston nga viti 1988 në komunën e Skenderajt.
Për qytetarët, mosndërtimi i një muzeu, që pasqyron traditën, kulturën e të kaluarën e drenicasve, është e pafalshme për drejtuesit e komunës.
Por edhe pse nuk ishte pjesë e premtimeve elektorale, komuna e Skenderajt, specifikisht Drejtoria për kulturë, mendon që të nisë një muze të veçantë, pasi pranon se vendi ku tashmë është duke qëndruar një pjesë e arkivit, është i papërshtatshëm.
Pa dhënë shumë detaje rreth ndërtimit të Muzeut të qytetit të Skenderajt, Alban Berisha, Drejtor i Kulturës, thotë se komuna e Skenderajt operon me buxhet të ulët, andaj u duhet ndihmë nga Ministria e Kulturës për këtë projekt.
Në gjendje aspak më të mirë janë edhe gjësende që i kanë mbijetuar kohës në Komunën e Drenasit.
Por, kjo komunë nuk ka telashe me financat, por me gjetjen e hapësirës për ndërtimin e muzeut.
Mungesë të muzeve ka edhe në shumë qytete të tjera, madje, nuk ka qenë as premtim elektoral nga tashmë udhëheqës të shumë komunave.
Ministra e Kulturës ka parashikuar mbi 600 mijë euro për projekte të muzeve nëpër Kosovë, por deri tani ende nuk është ndarë ndonjë shumë nga buxheti i kësaj ministrie.