Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se protesta javore në Beograd, ka regjistruar një numër të madh pjesëmarrësish, pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Serbisë, Alekasnadar Vuçiq për t’i etiketuar ata si bashkëpunëtorë të Kosovës dhe Kroacisë.
Vela në një postim në Twitter, ka thënë se rrëmbimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia ka qenë një përpjekje e Vuçiqit për ta larguar vëmendjen nga protestat.
“Pavarësisht përpjekjes së kotë të Vuçiqit për t’i etiketuar ato si marrëveshje të fshehtë me Kosovën dhe Kroacinë, protestat javore në Beograd patën pjesëmarrje të madhe. Këtë javë, ai iu drejtua nxitjes së retorikës nacionaliste pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës, duke u përpjekur të largonte vëmendjen”, ka shkruar Vela.
Despite Vučić’s futile attempt to label them as collusion with Kosovo and Croatia, the weekly protests in Belgrade saw huge turnout. This week, he resorted to fueling nationalistic rhetoric after the abduction of 3 Kosovo Policeman, trying to divert attention. #Majdan#Prolećehttps://t.co/2FTyWXdOFX
Për nder të 80 vjetorit të lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti janë bërë homazhe tek pllaka e të Pagjeturve në Prishtinë nga drejtues të shtetit. Jeta dhe vepra e ukshin Hotit u çmua lart derisa u kërkua drejtësi për të gjithë të pagjeturit.
Është i vetmi person i pagjetur i Masakrës së Dubravës. Se çfarë ka ndodhur me fatin e veprimtarit, Ukshin Hoti besohet se fshihet në arkivat e shtetit të Serbisë.
Në 80 vjetorin e lindjes së Hotit, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i ka shkruar Serbisë me kërkesë për hapjen e arkivave të dokumentacionit të klasifikuar të brigadës të motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash.
Hapja e arkivave ishte pjesë e deklaratës për të zhdukurit e cila u nënshkrua nga Kosova e Prishtina më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut.
Përpos nderimit që bëri në Parkun e të Pagjeturve për ditëlindjen e Ukshin Hotit, u shënua edhe ceremoni të organizuar nga Zyra e kryeministrit.
Ukshin Hoti u lind më 17 qershor 1943 derisa u zhduk nga 16 maji i vitit 99.
Duke qenë filozof dhe aktivist, profesor së drejtës ndërkombëtare dhe filozofisë Hoti mbetet njëri prej figurave më të shquara të shoqërisë kosovare.
Për nder të ditëlindjes së tij edhe komuna e Rahovecit ka organizuar manifestim kulturor e artistik derisa u bë përurimi i kompleksit kulturor-historik “Ukshin Hoti”, në Krushë të Madhe.
Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt. Banorët e këtij fshati thonë se u detyruan të hapin rrugë alternative për qarkullim ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës thanë se vlerësimi i dëmeve fillon nga java e ardhshme.
Rrugën e zakonshme nuk mund ta shfrytëzojnë tash për tash. Andaj banorët e fshatit Vranidoll krijuan rrugë alternative. Në këtë fshat ka pasur përmbytje për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut këto ditë.
“Te unë ka shkaktuar dëme në 1 hektar, te djali vëllait 1 hektar e 30 ari, kemi pasë të mbjellura perime, por ato i ka dëmtuar të gjitha. Nuk është hera e parë, nga nëntori është e pesta herë që është në këtë gjendje. Kemi bërë ankesa, e ato asgjë nuk kanë vlerë”.
Për t’i parë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet doli edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Komuna e Prishtinës ka buxhet, tash sa duhet ndoshta nuk kemi sa duhet por normal që do të kemi bashkëpunim me siguri të mirëfilltë edhe me nivelin qendror që tu ndihmojmë banorëve”.
Ndërkaq, Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave tha se nga java e ardhshme do të bëhet vlerësimi i dëmeve.
“Sa i përket aspekteve të tjera ne u kemi treguar edhe qytetarëve dje që munden prej të hënës të vijnë dhe të paraqesin kërkesë. Ekipet tona do të dalin dhe do të bëjnë vlerësimin e dëmeve, ekziston komisioni që është aktiv që bën vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, ne jemi në koordinim me kryetarin ku do të bëjmë vlerësimin e dëmeve, normal duke u varur edhe nga mundësitë buxhetore që i ka kryeqyteti”.
Përveç kryeqytetit, si pasojë e reshjeve të shiut vërshime pati edhe në Podujevë Mitrovicë e Vushtrri derisa moti pritet të përmirësohet ditët në vazhdim.
Ura që lidh fshatin Plemetin dhe qytetin e Obiliqit, tash e disa muaj është dëmtuar. Derisa qytetarët përdorin rrugë alternative për qarkullim, sipas tyre, qarkullimi është i vështirë. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës nuk tregoi se kur pritet të rregullohet ky problem.
“Kjo është rruga alternative e cila po shfrytëzohet nga banorët e fshatit Plemetin, për t’u lidhur me qytetin e Obiliqit, kjo pasi që ura që gjendet në këtë fshat është dëmtuar tash e disa muaj”.
Përdorimi i rrugës alternative qytetarëve u shkakton telashe, meqë i dëmton veturat.
“Është shumë problem sepse përmes urës nuk mundemi me kalu dhe shumë gropa dhe veturat po prishen, po bëhen aksidente”.
“Mu m’u ka prish këtu një herë vetura, gomat e veturës janë dëmtuar, është më mirë me rregullu urën se në këtë pjesë po prishen veturat”.
Kjo rrugë alternative, po ashtu, po shkakton tollovi në komunikacion.
“Problem po sjell kjo, sytë janë për me pa. Po e zgjatë kohën për me kalu në këtë rrugë alternative, për shkak se po kemi problem m’u kthy këtu.”
Kjo urë e cila është dëmtuar tash e disa muaj, është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, por ky institucion nuk është përgjigjur se kur pritet të rregullohet ura.
Ndërkaq, Komuna e Obiliqit i tha televizionit se do të fillojë vetë të bëjë intervenime në rregullimin e saj.
Situata e krijuar javët e fundit në veri të Kosovës mund të ketë efekt të rëndë edhe në fushën ekonomike. Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se ndikimi do të jetë i madh meqë Kosova nuk shihet si shtet për investime.
Për shkak të situatës së tensionuar politike e të sigurisë, hiç më mirë nuk pritet t’i ketë punët as ekonomia në vend. Sipas anëtarëve të opozitës në komisionet për buxhet dhe ekonomi situata aktuale politike bënë që vendi të mos shihet si opsion për investime.
“Investitorët serioz, investitorët strategjikë, investitorët e mirëfillte nuk kërkojnë situata të tilla, kërkojnë stabilitet dhe vend normal ku funksionon rendi dhe ligji. Veçanërisht kësaj përkeqësimin e situatës edhe me partnerët tjerë përveç me Serbinë, po ashtu investitorët e jashtëm do ti qetë në dilema të mëdha”
“Kjo Qeveri e ka pruar situatën në këtë gjendje që nuk dihet si do të dalim nga ko krizë e thellë ekonomike por edhe pasigurisë”
Por sipas njohësve të ekonomisë jo vetëm për shkak të veriut, ekzekutivi përgjithësisht ka dështuar në aspektin ekonomik.
“Me veprimet patriotike që është duke I zhvillu po mundohet ta zbeh dështimin që e ka pasur në ekonomi këto 2 vite e gjysmë. Këto po janë më shumë politika popullore që ndikojnë nëpërmjet veprimeve në pjesën e veriut…”
Qeveria në mes tjerash më 15 qershor mori vendim për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend. Kjo ngjalli shqetësim se çmimet sërish mund të rriten.
Por, autoritetet përgjegjëse njoftuan se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut.
Gjatë qëndrimit në Berlin, në një takim me gazetarë, presidentja Vjosa Osmani u tregua optimiste se mosmarrëveshjet që ka Kosova me partnerët perëndimorë do të tejkalohen. Sipas saj, kanë mbetur vetëm edhe disa detaje lidhur me mbajtën e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e policisë nga objektet komunale.
Mosmarrëveshjet e tanishme të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas presidentes Vjosa Osmani do të tejkalohen se shpejti.
Gjatë qëndrimit në Berlin me ftesë të presidentit gjerman, Vjosa Osmani theksoi se është koha për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”
Dy nga kërkesat aktuale të faktorit ndërkombëtar për institucionet kosovare janë mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe tërheqja e forcave policore nga objektet komunale në veri. Sipas presidentes Osmani, për përmbushjen e tyre kanë mbetur të sqarohen vetëm disa detaje.
“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje. Sa i përket tërheqjes së forcave policore, Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja.”
Presidentja e Kosovës siguroi qytetarët se kriza aktuale në veri nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave.
“Na janë dhënë garancitë nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani. Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët.”
E para e shtetit udhëtoi në Berlin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale, për personat me aftësi të veçanta.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se lagjet e familjeve Verbovci dhe Leci në Barilevë janë zonat më të prekura nga vërshimet.
Ai sot ka vizituar këto lagje për t’i parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, duke iu premtuar kompensim.
“Lagjet e familjeve Verbovci dhe Leci në Barilevë të Prishtinës janë ndër zonat që janë prekur nga vërshimet. Sot me drejtorët, Lulzim Fushtica, Plator Gerdovci, dhe komandantin e Brigadës së Zjarrfikësve, Mal Gashi, vizituam këta bujq për të parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, të cilat janë të konsiderueshme. Gjithashtu, ne shkuam edhe në Prugoc, Drenoc dhe Bërnica e Poshtme.
Do të zhvillojmë një plan të përgjithshëm për rregullimin e këtyre zonave, në mënyrë që banorët dhe bujqit të mos përballen më me probleme të tilla në të ardhmen. Ne do të merremi gjithashtu me kompensimin e dëmeve, disa prej të cilave do t’u jepen direkt banorëve nga institucionet e Kryeqytetit, ndërsa disa të tjera do të përfshihen edhe institucionet e tjera”, ka shkruar Rama.
Ai tha se në asnjë rast nuk do t’i lënë këta banorë vetëm me problemet e tyre, dhe gjithmonë do të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë për ta.
Së fundmi në veri të Kosovës janë sulmuar disa gazetarë të mediumeve të ndryshme kosovare andaj Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 euro për gazetarët e lënduar.
“Nuk ka asnjë çmim që mund të paguaj punën e tyre dhe vlerën e raportimit objektiv rreth ngjarjeve në veri, por kjo më shumë është solidarizim dhe mbështetje për ta. Faleminderit për përkushtimin dhe punën e palodhshme”, thuhet në njoftimin e Fondacionit.