ATV

Author: E.R.

  • Pamje nga plagosja me armë zjarri në Pejë

    Pamje nga plagosja me armë zjarri në Pejë

    Një përleshje fizike ka ndodhur këtë të mërkurë në rrugën “Bekim Berisha-Abeja” në Pejë, e cila më pas ka eskaluar duke u përdorur edhe arma e zjarrit.

    Në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale shihen teksa rrihen mes vete, ndërsa më pas dëgjohen të shtëna armësh.

    Siç shihet në video, dy persona mbesin në mes të rrugës të plagosur, ndërsa i treti ikën nga vendi i ngjarjes.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Rreth orës 21:25, në rrugën Bekim Berisha në Pejë, të furra Ahmeti ka pasur të shtëna me që rast tre persona janë lënduar nga arma e zjarrit dhe janë dërguar në spitalin e përgjithshëm në Pejë. Ende nuk ka informacione më të detajuara”, ka deklaruar Gashi.

    Ndërsa Njësitet e Policisë dhe Prokurori i Shtetit ndodhen në vendin e ngjarjes, dhe po bëhen të gjitha hetimet e nevojshme të rastit.

  • Tre të plagosur nga gjuajtja me armë zjarri në Pejë

    Tre të plagosur nga gjuajtja me armë zjarri në Pejë

    Tre persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Pejë.

    Zëdhënësi i Policisë Fadil Gashi ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 21:15 minuta, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë mbetur të plagosur tre persona.

    “Ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 21: 25 minuta në rrugën “Bekim Berisha” afer furrës Ahmeti, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Tre persona janë plagosur me armë zjarri. Të plagosurit  janë dërguar në emergjencë të spitalit të Pejës për trajtim”, ka thënë ai.

  • Gratë Police të Kosovës marrin pjesë në Konferencën Globale për Barazinë Gjinore në Polici

    Gratë Police të Kosovës marrin pjesë në Konferencën Globale për Barazinë Gjinore në Polici

    Nga 25 deri me 28 mars 2024, anëtaret e Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, të udhëhequra nga Kryetarja e Shoqatës, Major Teuta Nimani, morën pjesë në Konferencën Globale për Barazinë Gjinore në Polici, e cila u mbajt në Budvë, Mal të Zi.

    Në konferencë u fol për rëndësinë e pjesëmarrjes më të madhe të grave në sektorin e sigurisë, me qëllim të forcimit të integritetit, me ç’rast kryetarja e Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, ndau me të pranishmit rrugëtimin dhe të arriturat  e shoqatës për avancimin e mëtejmë të pozitës së gruas në Policinë e Kosovës duke mos e anashkaluar edhe punën e madhe të menaxhmentit të Policisë për rritjen e numrit të grave në forcën policore, ku, në disa raste, gjatë procesit të rekrutimit, ka ndërmarrë masa afirmative të cilat ishin komfor Ligjit për Barazi gjinore dhe akteve tjera ligjore.

    Në këtë kontest, përfaqësueset e policive nga 23 shtete, në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare prezantuan masat që po ndërmerren për përmirësimin e situatës në fushën e barazisë gjinore.

    Në hapje të konferencës, të pranishmëve iu drejtuan zyrtarë të lartë shtetëror, drejtori i Akademisë së Policisë në Danilovgrad, përfaqësuesja e OSBE-së, përfaqësuesja e Iniciativës Globale, e shumë personalitete vendore dhe ndërkombëtare.

    Konferenca, ku morën pjesë rreth 70 pjesëmarrës nga 23 vende, u organizua nga Seksioni i Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë në Mal të Zi dhe Shoqata e Grave në Policinë e Malit të Zi, në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Grave në Polici.

  • Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

    Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

    Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin (draft-opnionin) e Dora Bakoyannis.

    Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

    Raporti i ish ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, aktualisht raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë që Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në një postim në Facebook ka bërë të ditur se Kosova e ka kaluar suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE.

    “Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës. Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka shkruar Ahmeti.

    Ai shtoi se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.

    “Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shkruar Ahmeti.

    Ahmeti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

    Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet të mbahet në prill.

  • Nënë e bir ikin nga shtëpia në Pejë, shkak dhuna nga kryefamiljari

    Nënë e bir ikin nga shtëpia në Pejë, shkak dhuna nga kryefamiljari

    Zënkat mes anëtarëve të familjes janë të shpeshta, por ka raste kur ato eskalojnë në dhunë psikike e fizike ndaj njëri-tjetri.

    Por nuk janë të rralla as rastet kur i dyshuar kryesor për dhunë në familje, është kryefamiljari.

    E në shumë raste, konfliktet tejkalojnë muret e shtëpisë, duke u dashur me patjetër ndërhyrja e Policisë për t’i zgjidhur problemet.

    Ndihmën e Policisë e kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme një grua bashkë me djalin e saj në Pejë, të cilët kanë denoncuar bashkëshortin, respektivisht babanë, për dhunë në familje.

    Viktimat kanë deklaruar se 41-vjeçari ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj tyre dhe si rrjedhojë janë larguar nga shtëpia.

    Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

    Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

  • Prishtinë, 35-vjeçari e bën për spital babanë e moshuar

    Prishtinë, 35-vjeçari e bën për spital babanë e moshuar

    Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

    Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

    Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje edhe një person në Prishtinë, i cili ka denoncuar djalin e tij për dhunë.

    I moshuari dyshohet se ka pësuar lëndime trupore dhe për këtë ka marrë tretman mjekësor.

    Bazuar në dëshminë e 81-vjeçarit, pas një konflikti verbal me të birin, i cili i kishte kërkuar para, i njëjti ka eskaluar në dhunë fizike ndaj tij.

    Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

    Me urdhër të prokurorit, 35-vjeçari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

  • BEDRI HALIMI – VEPRIMTAR E INTELEKTUAL SHUMËDIMENSIONAL

    BEDRI HALIMI – VEPRIMTAR E INTELEKTUAL SHUMËDIMENSIONAL

    Shkruan: Demir Reshiti

    Në kuadër të ciklit të shkrimeve Portrete opojanësh që na bëjnë krenar, sot do ta bëj prezantimin e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit shumëdimensional Bedri Halimi nga fshati Kuk i komunës së Sharrit i cili jeton e punon në Prishtinë. Shkas për ta bërë këtë shkrim është ditëlindja e tij e 61-të të cilën Bedriu do ta kremtojë në kulmin e veprimtarisë së tij publicistike por edhe në një periudhë përballjeje me probleme shëndetsore të cilat shpresojmë do t’i tejkalojë me sukses.

    Bedri Halimi është i lindur në 05. 03. 1963 në fshatin Kuk të trevës së Opojës (komuna e Sharrit). Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje (4 klasë) dhe katër klasë të tjera në Shkollën “28 nëntori” në Bresanë. Si nxënës i shkollës së mesme është arrestuar për shkak të qëndrimeve të tij atdhetare dhe  është dënuar me disa vite burg, të cilat i mbajti në burgjet e Pejës, Prizrenit, Zagrebit, Gospiqit, Pulës, Rijekës dhe Goli Otokut. Pas burgut për një kohë ju mohua e drejta e shkollimit në formë të heshtur. U detyrua ta kryej shërbimin ushtarak që të mos humbte më shumë kohë. Pastaj ka vazhduar dhe kryer studimet në fakultetin e Bujqësisë.

    Ndonëse i ri në moshë, përballja me një sistem që i shtypte pa mëshirë shqiptarët e veçmas ata me vetëdije të lartë kombëtare dhe qëndrimi për disa vite nëpër kazamatët serbosllave, jo vetëm që nuk e thyen por e bënë edhe më të përkushtuar në rrugën e atdhetarizmës.
    Pas daljes nga burgu, Bedriu vazhdoi të mbetej halë në sy të shërbyesve dhe puthadorëve të ish-sistemit okupator. Megjithatë, ai kurrë nuk pushoi së vepruari në kauzën kombëtare. Krahas aktivitetit ilegal, Bedriu me një grup veprimtarësh tjerë nga Opoja ishte aktiv dhe prijatar në pothuajse të gjitha nismat atdhetare e kulturore të kohës, falë të cilave Opoja nga një zonë e izoluar u shndërrua në njërën nga trevat më aktive që kontribuuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Vlen të përmenden këtu Aksioni për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, formimi i Këshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut (KMLDNj), organizimi i aktiviteteve të shumta kulturore, mbajta e tribunave të ndryshme shkencore, historike e përkujtimore, etj.

    Bedriu është ndër të parët veprimtarë nga treva e Opojës që u angazhua në formimin dhe organizimin e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, ushtri në të cilën e ka dhënë kontributin e tij deri në çlirimin e vendit.
    Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, Bedriu në vitin 1997 serish arrestohet apo më mirë të thuhet kidnapohet nga policia serbe të cilët e torturojnë në përmasa cnjerëzore. Si pasojë e torturave mizore, përfundon në spitalin e Prishtinës pothuajse pa shenja jete por Zoti deshi që të shpëtojë. Pasojat e këtyre torturave Bedriu po i vuan edhe sot!

    Çmimi i lirisë…

    Bedriu është i njohur edhe për parimet e tij. Në periudhën e pasçlirimit, ai u angazhua në themelimin e institucioneve komunale dhe organizimin e jetës në komunën e Sharrit duke e dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në pothuajse të gjitha sferat. Ka qenë pjesë e Këshillit Nismëtar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, bashkë me figurat kryesore të kësaj partie.

    Më pas punën dhe aktivitetet i vazhdon në Prishtinë ku për disa vite ishte kryeredaktor e redaktor në disa gazeta e revista ndërsa nga viti 2008 ai punon si kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Duke pasur parasysh krajatat nëpër të cilat ka kaluar, Bedriu ka pasur e ka nevojë për qetësi. Në vend të qetësisë, në Kosovën e pasluftës, pati edhe njerëz të tillë, që ia montuan akuzën për Prevallë e Brezovicë, e çuditërisht madje edhe ta arrestonin. Nga Gjykata Themelore – Departamenti Special, si dhe nga Gjykata e Apelit – Departamenti Special, u shpall i pafajshëm. Në Kosovën tonë, fatkeqësisht ka njerëz që sakrificën për liri, që i kushtoi tërë jetën, të vlerësohet e shpërblehet edhe në këtë mënyrë.

    Si pasojë e të gjitha këtyre, dhe pasojë e torturave në burgjet e kaluara, e sidomos më 1997, shëndetin e ka të dëmtuar. Falë forcës së madhe shpirtërore deri tani ja ka arritur me sukses të mbijetojë.

    Së voni ju nënshtrua edhe një operacioni të cilin arriti ta përballoj.

    Bedriu, këtë muaj, kur edhe e ka ditëlindjen, pret edhe një sfidë tjetër: do të operohet edhe njëherë.

    Shpresojmë se edhe këtë sfidë Bedriu do ta përballojë, për t’ju përkushtuar sërish punës në Institucionin ku punon, si dhe punës krijuese e shkencore, nga të cilat pritet të botoj edhe shumë libra të tjerë.

    Bedriu aktualisht jeton në Prishtinë me bashkëshorten e tij. Ka dy djem dhe një vajzë dhe është gjysh i lumtur!

    Veprimtaria letrare, publicistike e shkencore

    Që nga viti 1991 drejton dhe boton revistën për kulturë, art e shkencë “Sharri”, revistë e cila ka bërë jehonë në qarqet kulturore e shkencore në hapësirat shqiptare. Gjithashtu ka shkruar shkrime të shumta në të gjitha gazetat e revistat e ndryshme në hapësirën shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi.

    Ka shkruar punime të shumta kulturore, letrare e shkencore, të botuara në revista të ndryshme të hapësirave shqiptare.

    Deri tash ka botuar disa libra letrar, publicistikë e shkencorë, si:

    Ditar Dardanie (1992) – poezi për të rritur, botim i klubit letrar “Luigj Gurakuqi”;

    Plagë shpirti (1995) – poezi për të rritur, nga klubi letrar “Luigj Gurakuqi”;

    Cubat fshehin Hënën (1999) – poezi për të rritur, nga gazeta “Rilindja”;

    Kafshët e botës sime (2001) – poezi për fëmijë, nga “Rilindja” – Prishtinë;

    Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj (2002) – libër historik, klubi letrar “Luigj Gurakuqi”;

    Përgatiti për botim librin “Haxhi Ymer Prizreni” (2006), revista “Sharri”;

    Pemët, perimet dhe drithërat në mjekësinë popullore (2009) – libër shkencor, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor – Prishtinë;

    Kënga e lumit, (2009) – poezi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Lule në Zinovë, poezi të zgjedhura nga autorë opojanë, 2011, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Karnavalet e djajve, 2013 – poezi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Goranët, monografi, 2012, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Dëshmorët e Opojës, 2014, monografi, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Përgatiti për botim librin monogrfik: OPOJA – Aspekti historik, 2016, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Haxhi Ymer Prizreni – figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Panoramë Opojane, poezi për fëmijë, SHB “Fidani”, 2017, Prizren;

    Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti folklorik, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Ecje nëpër furtunë, roman, 2017, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Ura e Diellit, poezi, 2018, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Përgatiti për botim libri monografik: OPOJA – Aspekti gjuhësor, 2018, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti etnologjik, 2019, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Sytë e mallit, poezi, 2019, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Dhuna serbe në Opojë 1912-1999, studim historik, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, 2020;

    Ora e lirisë përballë krimeve të Serbisë, publicistikë, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Vlerësime e interpretime historike e letrare, 2021, recensione, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Ëndërr vrastare, tregime, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Zjarr yjesh, poezi, 2021, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Interpretimet antishkencore të historiografisë serbe rreth çështjes shqiptare, studim historik, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Rrëfime tmerri, drama, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni;

    Cunga pylli, poezi, 2022, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Syzjarre, poezi, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Qepallat e përflakura, poezi, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Njerëz e fate, tregime, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Qasje antishkencore e ASHAS, për Gorën, Opojën dhe Sredskën, studim historik, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, 2023.

    Përgatiti për botim librin monografik: OPOJA – Aspekti kulturor, 2023, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni.

    Ka shkruar një varg skenarësh disa nga të cilët janë bërë filma dokumentar si: Dëshmorët e Opojës; Ymer Prizreni, Këngët opojane, etj., të realizuara nga Shoqata Kulturore Ymer Prizreni, dhe të transmetuara edhe në televizione të ndryshme si  në RTK etj.

     

     

     

     

  • Këta janë fituesit e turnirit të madh në Slloveni

    Këta janë fituesit e turnirit të madh në Slloveni

    Ka përfunduar me sukses turniri dy ditor i organizuar në Slloveni për nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

    Për dy ditë radhazi qyteti Celje i Sllovenisë ka frymuar shqip.

     

    Përveç duleve të forta në fuboll, në tribuna kanë qenë një numër i madh i bashkëatdhetarve tanë në Slloveni dhe vende tjera të Evropës.

    Ndarjen e çmimeve e ka bërë, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, dhe aktori i njohur, Kreshnik Ibrahimi.

    Organizatori i këtij turniri, Armend Berisha ka thënë se ky turnir do të jetë tradicional dhe se vitin e ardhshëm do të ketë më shumë ekipe pjesmarrëse.

    Fitues i këtij turniri ku morën pjesë 32 ekipe ishte “Gazi AV”, ku në finale mposhten ekipin e “Gradnje Geni D.O.O”, ndërsa vendi i tretë i takoi “Gradnje Ademi D.O.O”.

    Çmimi për lojtarin më të mirë të turneut e ka fituar, Ramadan Alaj, ndërsa portieri më i mirë, Bajram Ramadani.

     

     

     

     

    Mos i humb
  • Dizajnerja nga Peja, pjesëmarrëse në “Paris Fashion Week” me brendin “UNIKKO”, mahnitëse në çdo detaj

    Dizajnerja nga Peja, pjesëmarrëse në “Paris Fashion Week” me brendin “UNIKKO”, mahnitëse në çdo detaj

    Se vajzat e Pejës ja kanë anën dhe shkëlqejnë kudo, këtë e dëshmon edhe Greta Dreshaj. Dizajnerja pejane ka arritur një sukses të radhës në botën e modës.

    Ajo ka qenë pjesëmarrëse në “Paris Fashion Week”, krah emrave më të shquar të kësaj industrie. E shkolluar në Milano të Italisë, Greta është një gërshëtim mes të bukurës dhe të diturës.

    Java e Modës në Paris ka përfshirë mbi 100 shfaqje ku janë përzgjedhur shtëpitë më të mira të modës si Channel, Christian Dior dhe Yves Saint Laurent, si dhe stilist më pak të njohur.

    Ndërsa, për të qenë pjesë e kësaj natë spektakolare, ftesa Gretës i ka shkuar prej agjensionit të cilët janë çdo herë në kërkim të brendeve të reja.

    Theksojmë se prej Kosovës ka marrë pjesë vetëm dizajnerja pejane me brendin e saj UNIKKO.

    Kjo sfilatë është mbajtur në Westin Paris në Place Vendome që është shesh ikonë i cili është i ndërtuar në mënyrë elegante dhe është njëra nga shtëpitë më të shtrenjta në Paris.

     

     

  • Përsëri në Kukës

    Përsëri në Kukës

    Shkruan: Demir Reshiti

    E kam bërë tashmë traditë shkuarjen në Kukës më 17 shkurt, në këtë qytet që aq shumë ka bërë për Kosovën dhe pavarësinë e saj sa kurrë nuk mund t’i dalim hakut! Këtë herë, në këtë udhëtim tradicional më shoqëroi nipi Fidan Zejnullahu. Polici në pikën kufitare nuk na i kërkoi dokumentet fare, vetëm na pyeti sa veta jemi në makinë dhe se ku do të shkojmë!

    Ndaljen e parë e bëmë afër urës që lidh dy brigjet në vendin ku bashkohen dy Drinat. Fidani kishte informacion se ka filluar zhvendosja e konstruksionit gjigant metalik të Urë së re të Rrugës së Kombit, urë që ka nisur së ndërtuari në pranverën vitit 2020 dhe pritet të përfundojë në këtë. Ajo do të zëvendësojë urën ekzistuese mbi lumin Drin i Zi e zhvendosur rreth 100 metra në anën lindore të saj.
    Ura e re është vepër arti arkitekturore, me dy bazamentet prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj është konstruksion metalik me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme, 310 metra e gjatë dhe 80 metra e lartë dhe do të jetë me katër korsi.
    Zhvendosja e konstruksionit kishte filluar dy ditë më parë dhe bëhej përmes litarëve të çeliktë të vendosur në tri anë ndërkohë që në sipërfaqen e lumit ishte vendosur një bazament i madh lundrues që do ta lehtësojë vendosjen e konstruksionit në dy bazamentet prej betoni në brigjet e liqenit. Bazuar në lëvizjen tepër të ngadaltë të konstruksionit, do të nevojiten disa ditë kjo vepër arkitekturore të vendoset në vendin e paraparë…

    Pjesë e agjendës si gjithnjë ishte vizita në varrezat e dëshmorëve dhe vendosja e luleve në varrin e Hasan Prishtinës, njërit nga ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve…

    Makinën si gjithnjë e parkova në oborrin e Radio Kukësit aty ku e kam vendin e “rezervuar” nga se vazhdoj ta ndiej vetën si në shtëpinë time e të shtëpisë më konsiderojnë edhe kolegët që punojnë në radio disa nga të cilët i takova në hyrje. Ata sapo ishin kthyer nga Prizreni ku kishin përcjellë atmosferën e kremtimit të 17 shkurtit dhe po bëheshin gati ta montojnë materialin e xhiruar…

    Në afërsi të radio Kukësit te objekti i ish-kinemasë është lokali i Ylli Cengut në të cilin kthehem për të pirë kafe sa herë që shkoj në Kukës. Nuk gjen askund tjetër në Kukës kafe më të mirë se sa te Ylli. Aty të shijon jo vetëm kafeja por edhe mikpritja që i ofron Ylli secilit mysafir. Një mikpritje të veçantë ai u bën miqve nga Kosova të cilët i ka me bollëk.
    Meqë moti ishte i mirë, u ulem në tarracë. Ylli ndonëse ishte i ulur me disa mysafirë tjerë, kur na pa u zgjua dhe si gjithmonë erdhi na dëshiroi mirëseardhje.
    Kohen e kafepirjes e shfrytëzova për t’i telefonuar disa nga miqtë që pa u takuar me ta nuk më bëjnë këmbët të kthehem nga Kukësi! Disa nga ta që i telefonova për fat të keq nuk kishin qenë në Kukës, ndërsa miqtë Petrit Palushi e Abdulla Domi më thanë të mos iki nga Kukësi pa i takuar!

    Derisa të vinin ata dy, me Fidanin bëmë një xhiro nëpër sheshin kryesor të Kukësit, për t’u ndalur në Kullën e mikpritjes, një kullë muze për Kosovën, në brendësi të së cilës janë ekspozuar fotografi nga eksodi i përmasave biblike kur Kukësi priti rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës që u strehuan gjatë periudhës 27 mars – 13 qershor 1999. Ndonëse për fundjavë dera e kësaj Kulle është e mbyllur, këtë radhë ciceroni i Kullës e kishte hapur për t’ju dhënë mundësi që ta vizitojnë anëtarëve të Ansamblit “Drenica” nga Skenderaj të cilët kishin ardhur në Kukës për ta shfaqur një program artistik… Ndonëse ciceroni po bëhej gati ta mbyllte portën, kur i treguam kush jemi na lejoi që të hynim duke na u lutur që të mos vonohemi shumë. U ngjitëm deri në krye të shkallëve të Kullës, bëmë disa fotografi dhe dolëm duke e falënderuar për ‘tolerancën’ e treguar!

    U kthyem te Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina” ku pjesëtarët e Ansamblit “Drenica” po përgatiteshin për shfaqje. Aty takova njërin nga anëtarët veteran të këtij Ansambli, këngëtarin Isa Veliu të cilin e kisha shok klase në gjimnazin e Skenderajt dhe me të cilin kam ruajtur shoqëri konstante që nga viti i largët 1980. Isa më tha si me shaka ja ku u takuam në qytetin tënd (ai i dinte lidhjet e mia shpirtërore me Kukësin) dhe ia shpjegoi drejtorit të Ansamblit kush isha dhe prej kur njihemi. E lamë të takohemi në sallën e koncerteve ndërkohë vazhdova rrugën për te lokali i Yll Cengut ku e kishim lënë të takohemi me Petritin dhe Abdullahun.

    Petriti i shoqëruar nga dy djemtë e tij, tashmë kishte zënë vend në njërën nga stolat e vendosur në kopshtin e klubit të Yllit. Bashkë me ta ishte edhe Fatri Bajraktari nga Bicaj i cili më mbante mend që nga koha e angazhimit tim në radio Kukës. Ai atëbotë punonte si përkthyes për gazetarë të huaj që kishin ardhur me mision për t’i përcjellë ngjarjet që në vitin 1999 e bënë Kukësin kryeqytet të botës!
    Ndonëse ka kaluar një periudhë me probleme shëndetësore, Petriti gradualisht po e merr veten dhe u gëzova që ftesës sime për tu takuar iu përgjigj me shumë dashamirësi.
    Takimet me Petritin janë gjithmonë emocionuse ku kryefjala e bisedës është letërsia… Me Petritin jam njohur në vitin 1996 dhe që nga ajo kohë kemi ruajtur miqësi konstante. Petriti është krijues krejt i veçantë i cili pos si romansier, ka bërë emër edhe si studiues i letërsisë shqipe e herë pas here merret me publicistikë dhe eseistikë. Ka botuar 15 vepra letrare e studimore, disa nga të cilat janë ribotuar. Derisa shumë intelektualë e krijues kuksianë janë larguar për në Tiranë e shtete të huaja, Petriti i ka ngelë besnik Kukësit dhe pothuajse të gjitha veprimtaritë kulturore që janë organizuar në Kukës mbajnë vulën e tij. Duke qenë i vendosur në mes të Prishtinës e Tiranës, ka shërbyer si urë lidhëse mes krijuesve të dy kryeqyteteve shqiptare, i respektuar nga njerëzit e penës në mbarë gjeografinë letrare shqiptare.

    Pas pak, na u bashkua edhe mikun im i fortçmuar Abdulla Domi, ish-kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës, personalitet me taban kombëtar që e do Kosovën poaq sa e dua unë Shqipërinë! Abdullahu tha se nuk do të qëndronte gjatë sepse ishte nisur për në Pallatin e kulturës për ta ndjekur programin kulturor-artistik që do të shfaqej nga Ansambli “Drenica” dhe nxënësit e shkollave “Lidhja e Prizrenit” dhe “Havzi Nela” nga Kukësi.
    Pjesëmarrja në shfaqje ishte edhe pjesë e agjendës sime ndërsa Abdullahu kishte arsye shtesë për ta ndjekur programin sepse në mesin e artistëve të vegjël ishte edhe nipi i tij (djali i vëllait) Elviu i cili kishte njërin nga rolet kryesore në shfaqjen e titulluar “Familja Jashari, legjenda e kohës moderne” interpretuar në mënyrë të mrekullueshme nga nxënësit e dy shkollave të sipërpërmendura. Artistët e vegjël në sallën e mbushur plot, sollën në kujtesë ngjarjet e ditëve kur u sakrifikua familja Jashari falë së cilës Kosova u çlirua dhe u pavarësua.


    Shfaqja kushtuar familjes emblematike Jashari zgjati rreth një orë dhe u përcoll me shumë emocione, lot e duartrokitje nga publiku, ndërsa më pas u paraqiten në skenë artistët e Ansamblit “Drenica” fillimisht me një Valle festive nga valltaret fëmijë, e më pas me këngë të interpretuara nga këngëtarët e mirënjohur Leona, Diona, Rinesa, Naimi, Hakia, Bajrami dhe Isa. Programi u përmbyll me vallen e  “Hamez Jasharit” të interpretuar nga valltaret e rritur të Ansamblit…

    Në sallë e takova edhe një mik timin te penës, poetin veteran Hakik Visha të cilin e ftova të ulej afër meje.  Hakiki ndonëse i ka mbushur 88 vjet, gëzon shëndet të mirë dhe merr pjesë në secilin aktivitet kulturor që organizohet në Kukës. Edhe Hakiki si shumë miq të mi kuksianë, është i lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe shfaqjen kushtuar familjes Jashari e përcolli me shumë emocione e duartrokitje.

    Kur dolëm nga Pallati i kulturës kishte filluar të bie muzgu, që ishte një sinjal se duhet të ktheheshim ngadalë për në Opojë. Sigurisht më ngeli merak të takoja edhe shumë miq e kolegë tjerë që kam në Kukës por këtë radhë nuk më premtoi koha!