ATV

Author: E.R.

  • ​Autobusi me ngjyrën rozë nga sot ofron shërbim të mamografisë falas

    ​Autobusi me ngjyrën rozë nga sot ofron shërbim të mamografisë falas

    Autobusi i ngjyrosur rozë sot fillon qarkullimin nga ora 11:00, e në të cilin do të ofrohet shërbim i mamografisë falas.

    Nisja bëhet nga pritorja në rrugën “Luan Haradinaj”, konkretisht te New Born dhe e gjithë kjo në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.

    Shërbimi i mamografisë do të ofrohet falas edhe në tri Qendrat e Mjekësisë Familjare: në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”.

    Ndërkohë, komuna ka falënderuar ekipet e basketbollit të Trepçës e Pejës, lojtarët e së cilave do të veshin bluzat “Race for the Cure Prishtina 2023” në shenjë mbështetje për fushatën e vetëdijësimit kundër kancerit të gjirit.

    “Ju lutemi nëna, motra, gra, sidomos nëse jeni mbi 40 vjeç bëjeni mamografinë, është falas dhe mund ta bëni në Qendrat e mjekësisë familjare në lagjet “Qafa”, “Dardania” dhe “Veternik”. Kontrolli mund të shpëtojë jetë”, thuhet në reagimin e komunës

  • ​Dy serbë hyn ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohen nga policia

    ​Dy serbë hyn ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohen nga policia

    Njësitë policore kanë ndaluar një veturë me targa të Serbisë me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, veturë në të cilën ka qenë edhe një pasagjer i dyshuar mashkull shtetas i Serbisë.

    Vetura është ndaluar në fshatin Uglar dhe dyshohet se është futur në territorin e Republikës së Kosovës duke iu shmangur pikë kalimeve të rregullta kufitare.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, i cili ka rekomanduar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti i lartcekur dhe të procedohet në procedurë të rregullt.

  • Tragjike, humbin jetën tre persona në dy aksidente trafiku në rajonin e Prishtinës

    Tragjike, humbin jetën tre persona në dy aksidente trafiku në rajonin e Prishtinës

    Në dy aksidente trafiku që kanë ndodhur të shtunën në mbrëmje në rajonin e Prishtinës, kanë humbur jetën tre persona.

    Dy persona kanë vdekur në një aksident trafiku në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ku është përfshirë një veturë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për KosovaPress, e cila tha se dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur.

    Ajo tha po ashtu se me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut.

    “Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, theksoi Ahmeti.

    Po ashtu ajo ka bërë të ditur se sot rreth orës 16:30 në rrugën Llapnasellë -Graqanicë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.

    “Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, tha ajo.

    Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

  • Arrestohet i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kaçanik, ekstradohet nga Gjermania

    Arrestohet i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kaçanik, ekstradohet nga Gjermania

    Policia e Kosovës njofton se me kërkesë të autoriteteve vendore, sot autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T i moshës 38 vjeçar, i dyshuar për vrasjen e rëndë në Kaçanik gjatë vitit 2022.

    Policia Rajonale e Ferizajt më 10 maj 2022, në ora 14:00 kishte pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, përball Varrezave të Dëshmorëve në Kaçanik, tek vendi i quajtur ‘’Fusha Pajtimit’’ ishte një rast i vrasjes së rëndë.

    Sipas policisë Sektori Rajonal i Hetimeve nën autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i kishte nisur hetimet për rastin e vrasjes së rëndë, ku nga të shtënat me armë zjarri në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë personi H.B ( M/K) i moshës 31 vjeçar, ndërsa plagë të rënda trupore kishte pësuar personi tjetër K.B (M/K) i moshës 34 vjeçar, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

    Sektori Rajonal i Hetimeve pas punëve intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kishte identifikuar dhe ishte vënë në ndjekje të personave të dyshuar: H. Q ( M/K) i moshës 38 vjeçar dhe L. T ( M/K) i moshës 22 vjeçar .

    Në lidhje me këtë policia rajonale e Ferizajt në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për publikimin e fotografive të personave në kërkim, kishte kërkuar bashkëpunim me qytetarë rreth informacioneve për vendodhjen e dy të dyshuarëve, e në anën tjetër Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar.

    “Me kërkesë të autoriteteve vendore, sot, datë 16.09.2023, autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T ( M/K ) i moshës 38 vjeçar, i cili ditë më parë është arrestuar në Gjermani”, thuhet në njoftim.

    Policia Ferizajt të dyshuarin e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe ndaj tij nga gjykata është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, ndërsa në kërkim policor mbetet i dyshuari tjetër H.Q.

  • Kurti takon Ashtonin: Përballemi me çështje të njëjta si para 10 vjetësh

    Kurti takon Ashtonin: Përballemi me çështje të njëjta si para 10 vjetësh

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton se të premten në mbrëmje ka darkuar me ish- Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton, ku kanë diskutuar për politikën dhe çështjet evropiane, përfshirë edhe ato rajonale.

    “Kryeministri nënvizoi se edhe sot, ndonëse rolet e tyre janë të ndryshëm në krahasim me dhjetë vjet më parë, shumë çështje me të cilat përballemi janë të njëjta”, citohet Kurti në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

    Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, gjatë qëndrimit në Kosovë ka kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi të ecë përpara dhe të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

  • ​Kurti përgëzon Kamberin për afirmimin e shqiptarëve në Luginë

    ​Kurti përgëzon Kamberin për afirmimin e shqiptarëve në Luginë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në takimin që pati me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi bisedoi lidhur me rrjedhat aktuale politike.

    Kryeministri foli për takimin e kësaj jave të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel dhe qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.

    Kurti po ashtu përgëzoi deputetin Kamberi për angazhimin dhe vendosmërinë dhe i ofroi mbështetjen e plotë për afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se deputeti Kamberi e njoftoi kryeministrin me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevë. Ai theksoi se bashkë me deputetët boshnjak të SDA ka inicuar pesë projektligjeve ndër të cilat ai për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave; për selitë dhe territorin e gjykatave; për ndryshimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare; për ndryshimin e Rregullores së parlamentit ashtu që listat e pakicave të kenë mundësinë e krijimit të grupit parlamentar me tre deputet e jo me pesë siç kërkohet për partitë qendrore, si dhe projektrezolutën për Srebrenicën.

    “Kamberi theksoi se fatkeqësisht këto iniciativa po pengohen nga kreu i parlamentit të Serbisë duke mos u futur në rend të ditës as edhe për t’u diskutuar”, citohet Kamberi në komunikatë.

  • ​Ndahet nga jeta gazetarja e Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi

    ​Ndahet nga jeta gazetarja e Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi

    Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv “Ditari” të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit.

    Në njoftimin e Zërit të Amerikës thuhet se ikja e saj e parakohshme, është një humbje e madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.

    Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti.

    “Ne, kolegët e saj të Zërit të Amerikës, do ta mbajmë mend Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj”, njofton VOA.

    Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën.

  • ​Mori para për t’i kryer punë në Komunë e Prishtinës, arrestohet

    ​Mori para për t’i kryer punë në Komunë e Prishtinës, arrestohet

    Një person është arrestuar dje në rrugën “Agron Rrahmani”, në Prishtinë, pasi që para dy viteve e kishte mashtruar viktimën mashkull kosovar, ku i kishte marrë një shumë parash për t’ia kryer disa shërbime në Komunën e Prishtinës.

    Sipas Policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Serbia refuzon t’i kthej artefaktet e Kosovës

    ​Serbia refuzon t’i kthej artefaktet e Kosovës

    Kosova posedon dosjen dhe dokumente tjera, megjithatë Serbia vazhdon t’i mbaj mbi një mijë artefakte arkeologjike. Ato janë marrë vetëm për një ekspozitë në Beograd, por nuk janë kthyer për më shumë se dy dekada.

    Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha për KosovaPress, tha se ngecja në procesin e kthimit të artefakteve është çështje politike.

    “Ato artefakte 1274, janë diçka më shumë arkeologjike 676, ndërsa afërsisht 570 janë etnologjike, janë pronë e institucioneve tona, më konkretisht në atë kohë kanë qenë pronë e Muzeut të Kosovës, tash e kemi Muzeun Kombëtar të Kosovës, janë marrë me libra, me revers për ekspozitë dhe janë të shënuara. Fatmirësisht që ka mbetur dosja dhe kanë mbetet aktet normative që janë marrë dhe për secilin numër të artefaktit e kemi dosjen, është fatmirësi juridike që e kemi, sepse pa atë nuk kishim pasur të drejtë as t’i kërkojnë. .. Ne kemi pasur biseda, kemi pasur takime përmes edhe këto tri katër vite përpara, jo në fund edhe me përfaqësues ndërkombëtarë apo ambasada, që e kemi diskutuar këtë çështje, dhe e fundit ka qenë edhe në Shqipëri një takim që është bërë prej delegacionit kosovar-shqiptar dhe ndërmjetësuesve të tjerë dhe ka mbetur si çështje më shumë politike”, tha ai.

    Rexha kërkoi nga qeveria që në bisedimet e radhës të vendoset si pikë diskutimi, kthimi i këtyre eksponateve arkeologjikë në Kosovë.

    “Unë mendoj se çështja e artefakteve, e vlerësoj duke parasysh raportet Kosovë-Serbi, politike që duhet edhe të jetë njëra prej bisedimeve tani që po zhvillohen, të hyn edhe kthimi i artefakteve arkeologjike, pasurisë arkeologjike të Kosovës nga institucionet e Serbisë, që janë marrë padrejtësisht. Dhe vlerësoj që pa një ndikim politikë dhe pa ndihmën e ndërkombëtarëve, ne do të kemi problem për t’i marrë, pavarësisht a është bërë kërkesa apo nuk është bërë. … Unë kërkoj dhe jap mendim që Ministria e Kulturës që është pjesë e qeverisë dhe qeveria të merret në bisedimet e ardhshme me faktorin ndërkombëtarë apo të qitet njëra prej pikave që artefaktet arkeologjike të Republikës së Kosovës, që është pasuri ekskluzive e jona e mbahet padrejtë atje, të kthehen”, tha Rexha.

    Para dy viteve ish-drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci kishte dërguar kërkesën zyrtare në adresat e Muzeut Kombëtar dhe atij Etnologjik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, që t’i kthejnë 1.247 artefakte që janë marrë nga lufta e fundit, në fund të viteve të 90-ta.

    Ndaj kësaj kërkese ishte përgjigjur Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, duke thënë se të gjitha artefaktet që burojnë nga Kosova, janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Serbisë.

    Këtë gjë e pohon edhe drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, derisa thotë për KosovaPress, se pavarësisht kërkesave të deritanishme, nuk do të ndalen së kërkuari kthimin e eksponateve arkeologjik në vendin e tyre.

    “Dua të rikujtoj dy kërkesa që kanë qenë të vitit të kaluar, nga ish drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, përmes dy shkresave zyrtare, po ato vazhdojnë të mbahen atje. Në numër janë 676 artefakte arkeologjike, dhe 571 etnologjike, të cilat një ditë duhet të kthehen në Kosovë sepse janë të Kosovës, janë të muzeut…. Unë personalisht si drejtuese e institucionit, nuk mund të them se mund të ndikohet ose mund të përshpejtohet, sepse nëse flasim kështu, atëherë, në bazë të afateve që kanë qenë më herët të përcaktuara, ato nuk janë respektuar. 13:35 Nuk e di nëse duhet të jetë, në vitin 2011-2012, kjo ka qenë pjesë e bisedimeve teknike, ka qenë e njohur si korniza për bisedime teknike, e them Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk duhet të ndalet t’i kërkojë ato, sepse i takojnë këtij institucioni”, tha Aliu.

    Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes emailit theksojnë se po punohet vazhdimisht në këtë drejtim, ndërsa potencojnë se në llogarinë zyrtare të tyre në rrjetin social Twitter, kanë nisur një fushatë informimi, publikojnë artefaktet dhe përshkrimin e tyre, të shoqëruara edhe me fotografi.

    “Ministri Çeku në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës ka themeluar komisionin shtetërorë për vlerësimin e dëmeve në trashëgiminë kulturore të Kosovës, që ka shkaktuar shteti i Serbisë gjatë luftës 1998-1999 dhe ky komision është duke përgatitur raportin e vlerësimit të këtij dëmi që Serbia ia ka borxh Kosovës. Po ashtu, në takimet e ministrit Çeku me aktorët relevantë të trashëgimisë e ngreh si çështje diskutimi këtë padrejtësi dhe veprim të paligjshëm që Serbia po e vazhdon ndaj Republikës së Kosovës dhe pasurive të saj të trashëgimisë kulturore. Serbia padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme po i mban këto thesare të trashëgimisë kulturore të Kosovës, dhe MKRS po punon me një qasje profesionale dhe përmes rrugëve politike, në bashkëpunim me partnerë dhe organizata të ndryshme, që të mundësoj kthimin sa më të shpejtë të këtyre artefakteve në vendin e tyre, saktësisht në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjet e MKRS-së.

    Pavarësisht këtyre kërkesave, deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja”, të Prishtinës.

  • Rusët nxjerrin në shitje banesën e Zelenskyt në Krime

    Rusët nxjerrin në shitje banesën e Zelenskyt në Krime

    Autoriteti ruse në Krime kanë nxjerrë në shtije rreth 100 prona ukrainase, duke përfshirë një që i përket presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Vladimir Konstantinov, kryetari i parlamentit të Krimesë, tha se asetet e shtetëzuara do të shiten së shpejti ndërsa autoritetet tashmë kanë organizuar tetë ankandet e para për pasuritë e biznesmenëve ukrainas.

    Kontratat e shitjes arritën në më shumë se 815 milionë rubla (rreth 8 milionë euro), tha Konstantinov në aplikacionin e mesazheve Telegram, raporton skynews.

    Ndërtesa në Livadia, Krime ku ndodhet apartamenti i Volodymyr Zelensky

    Kjo listë përfshin një apartament në Jaltë të blerë nga gruaja e Zelenskyt, Olena Zelenska në vitin 2013, tha ai.

    Autoritetet ruse në Krime thanë në muajin shkurt se kishin shtetëzuar rreth 500 prona në Krime, duke përfshirë disa që u përkisnin politikanëve dhe biznesmenëve të lartë ukrainas.

    Krimea, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, kontrollohet nga Moska që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Detit të Zi, tetë vjet para pushtimit të saj në pjesën tjetër të Ukrainës.

    Ndryshe, Vladimir Putin për ta financuar pushtimin e Ukrainës ka nxjerrë në shitje edhe vilat e ish-presidentit të Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin. Çmimi fillestar i vilës që gjendet në Moskë është 400 milionë euro.