ATV

Author: E.R.

  • Novak Djokovici në prapavijë, Rita Ora e anashkalon dhe reagon sikur po i shfaqet diçka e pavlerë

    Novak Djokovici në prapavijë, Rita Ora e anashkalon dhe reagon sikur po i shfaqet diçka e pavlerë

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar të premten albumin e saj më të ri, “You & I”.

    Albumi në fjalë, i cili njëherësh është i treti në karrierën e yllit të lindur në Prishtinë, ka dalë tashmë në shitje dhe është i disponueshëm në të gjitha platformat muzikore.

    Rita ndërkohë gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë e zënë duke promovuar prurjen e saj të re muzikore në paraqitje të ndryshme në media vizuele dhe ato të shkruara.

    Koopertina e albumit më të ri nga Rita Ora, “You & I” (Foto: Rita Ora/Instagram)

    Në vazhdën e promovimit, 32-vjeçarja ka pozuar edhe pranë ‘billboard’-eve ku është shfaqur koopertina e albumit “You & I”.

    Në njërin prej tyre në Leicester të Mbretërisë së Bashkuar, interpretuesja e hitit “I Will Never Let You Down” ka bërë një reagim sa qesharak, aq edhe interesant.

    Bëhet fjalë për momentin kur ajo po priste që në një “billboard” të shfaqej reklama e albumit të saj, e teksa priste që kjo të ndodhte, u shfaqën dy reklama të tjera, njëra e “Polestar 3” dhe tjetra e markës “Lacoste” me fytyrë promovuese Novak Djokovicin.

    Por në momentin që del kjo e fundit, Rita bën një gjest nënçmimi ndaj tenistit serb me origjinë nga Kosova, duke lënë të kuptohet se ajo është një reklamë koti dhe e pavlerë.

    Dhe ndërkohë, asaj i ndryshon fytyra dhe ngazëllehet kur sheh reklamën e albumit të saj të shumëpritur, “You & I”.

    “Duke parë të gjitha ‘billboard’-et e mia gjithandej botës sot do të thotë gjithçka. Ju djema jeni fantastikë, vazhdoni të më bëni ‘tag’ (etiketoni) në ‘billboard’-et që ju shihni. Dita e parë e ‘You & I’, isha e çmendur, po ndjehem e dashuruar”, ka shkruar Rita në postimin e saj në Instagram.

    Kjo reklamë e Ritës në ‘billboard’-in në fjalë ishte mundësuar nga platforma gjigante e trnamsetimit të muzikës, Spotify.

  • Kur do të hyjë në fuqi Ligji për pagën minimale?

    Kur do të hyjë në fuqi Ligji për pagën minimale?

    Projektligji për pagën minimale ka kaluar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, mbrëmjen e së enjtes.

    Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

    Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

    Janë edhe disa shkallë deri sa ky projektligj të hyjë në fuqi dhe të shndërrohet në ligj.

    Deri më tani, projektligji ka kaluar disa faza të rëndësishme. Ai është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më14 qershor 2022.

    Ndërsa, më 13 korrik 2023, ai është miratuar edhe në lexim të dytë në Kuvend.

    Me këtë, ky ligj konsiderohet i miratuar nga Kuvendi dhe pasi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit, ai duhet t’i dërgohet Presidentes së vendit për nënshkrim.

    Kushtetuta e Kosovës i jep të drejtë Presidentes që me arsyetim ta kundërshtojë dhe kthejë ligjin në Kuvend.

    Megjithatë, për ta përmbysur veton e Presidentes nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer në Kuvend dhe ligji konsiderohet i shpallur.

    Ligji hyn në fuqi përfundimisht 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës.

    Edhe pas hyrjes në fuqi, secili ligj i publikuar mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë parasheh se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, mund ta shpallë atë të pavlefshëm.

    Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

    Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

    Ky ligj përcakton se vlera e pagës minimale do të ketë tatim zero.

    Sipas ligjit, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.

    Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat./REL

  • Statovci: Nuk e humbim fokusin

    Statovci: Nuk e humbim fokusin

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, ka reaguar pas kalimit të ligjeve në seancën e sotme.

    Ajo përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë që përkundër ngjarjeve ‘nuk e humbim fokusin dhe shohin andej nga i kanë drejtuar qytetarët.

    Ky është reagimi i Statovcit:

    Nuk e humbim fokusin. Shohim andej nga na kanë drejtuar 440,000 votat e qytetarëve dhe përtej.

    Të gëzuar tejmase që

    👉Ligji që rregullon çmimet e barnave dhe që i mbronë qytetarët nga abuzimet: kaloi;
    👉Ligji që i mbronë qytetarët në nevojë nga përmbaruesit, përtej minimumit jetik për jetesë: kaloi;
    👉Ligji që i mbronë të punësuarit, më së shumti gratë, nga pragu i pagës minimale, që rritet për herë të parë pas 11 vite, nga 130 dhe 170 euro në 264 euro: kaloi;
    👉Ligji që themelon Insitutin për krimet e luftës që do të dokumentojë krimin shtetëror të Serbisë mbi jetën, shëndetin, pronën e qindra mijërave shqiptarëve të Kosovës: kaloi;
    👉Ligji që themelon Fondin Sovran dhe që i mundëson shtetit përfitimet nga asetet e të mirat publike dhe mundësi investime në kompani prodhuese dhe eksportuese: kaloi;

    E gjithë kjo sepse vota e 14 shkurtit shumëçka nga e mbara ktheu në binarë e pothuajse gjithëçka nga e mrapshta i nxorri nga binarët. Përfitues nuk jemi ne. Janë qytetarët që e shkaktuan 14 shkurtin 2021, e me gjasë do të vazhdojnë ta thellojnë këtë realitet endë më shumë.

     

  • Përkundër përjashtimit nga “Defender Europe 23”, FSK ja aktive jashtë vendit

    Përkundër përjashtimit nga “Defender Europe 23”, FSK ja aktive jashtë vendit

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Ndonëse u përjashtuan nga “Defender Europe 23”, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës vazhdojnë angazhimet e tyre krah trupave të NATO-s jashtë vendit. Sipas ish-gjeneralit të FSK-së, këto marrëveshje janë të domosdoshme për vendin.

    Nuk ishin në krah të mijëra trupave të vendeve aleate të NATO-s, pjesëmarrëse në trajnimin “Defender Europe 23”. Mirëpo, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë avancimin e tyre profesional me shtetet anëtare të NATO-s.

    Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje për ATV-në, tha se ushtarët kosovarë po ndjekin trajnime në vende të ndryshme të botës.

    Forca e Sigurisë së Kosovës është duke i vazhduar të gjitha aktivitetet, trajnimet dhe operacionet, sipas planit dhe planifikimeve për vitin 2024. Pjesëtarët e FSK-së, momentalisht duke ndjekur trajnimet në vende të ndryshme, si: SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Turqi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Çeki, Austri dhe Itali.

    Madje, angazhimet e pjesëtarëve Forcës të Sigurisë nuk mbarojnë me kaq.

    Pjesëtarët e FSK-së janë duke ndjekur trajnime në fusha të ndryshme ushtarake, në bazë të misionit për oficer e nënoficer dhe janë duke vazhduar shkollimet në akademitë ushtarake të vendeve partnere si: ShBA, Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Momentalisht një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të FSK-së janë duke i ndjekur trajnimet jashtë vendit.

    Kadri Kastrati, që udhëhoqi FSK-në nga viti 2011 deri në vitin 2015, vlerëson se marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, mes Kosovës dhe shteteve përkatëse janë të domosdoshme për vendin.

    Këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi qëllimi është që Kosova të anëtarësohet në NATO. Andaj për ta arritur këtë, ne duhet t’i kemi edhe standardet e arritshmërisë, përgatitjeve, pajisjeve në nivel me ato të NATO-s, ose të përafërta me ato të NATO-s.

    Ish-gjenerali thekson se është krenar me performancën që pjesëtarët e ushtrisë së Kosovës kanë treguar në angazhimet e tyre në shtetet partnere.

    Ushtarët tanë gjithmonë janë kthyer me suksese dinjitoze nga atje, gjithmonë duke synuar vendin e parë, të dytë, të tretë.

    Kurse, Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se pavarësisht kapaciteteve që shtetet mund të kenë, arritja e marrëveshjeve në sferën e mbrojtjes është në interes të shtetit.

    Ndërkohë, marrëveshje të tilla mund të jenë më pak produktive për shkak të kapaciteteve të shteteve, por Kosovës i intereson të ketë marrëveshje me të gjitha shtetet.

    Kosova në muajin maj u përjashtua nga trajnimi “Defender Europe 23” si rezultat i mospërfilljes së kërkesave të ShBA-së për veriun.

  • ZKA në Ferizaj e Drenas, kompanitë u paguan por punët s’u përfunduan

    ZKA në Ferizaj e Drenas, kompanitë u paguan por punët s’u përfunduan

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, komuna e Ferizaj dhe Drenasit, evidentohen si dy komuna që në projekte të caktuara kanë kryer obligimet financiare ndaj kompanive, të cilat nuk kanë përfunduar punët. Në Ferizaj e pranojnë këtë lëshim, derisa në Drenas jo. Zyrtarë nga Komuna e Drenasit thonë se ZKA-ja mund të ketë bërë gabime ndaj përpilimit të raportit për ta.

    Qarkullimi i mjeteve motorike në rrugën “Hajredin Azizi”, në Fshatin Rakaj të Ferizajt, vështirë bëhet.

    Kjo si pasojë e mospërfundimit të asfaltimit të rrugës, ashtu siç e parasheh kontrata.

    “Asfaltimi dhe zgjerimi i rrugëve këtu në fshatin Rakaj të Komunës së Ferizajt, është vetëm një nga projektet e vitit 2022 që nuk ka përfunduar ende, e për këtë situatë Zyra Kombëtare e Auditimit fajëson Komunën për parregullsitë në pranimin e punëve”.

    Për mospërfundimin e punëve sipas afatit të përcaktuar, Komuna e Ferizajt fajëson kompanitë kontraktuese.

    “Ky projekt ka qenë i kontraktuar, mirëpo për shkak të ndalimit të punimeve nga problemet financiare që ka pasur kjo kompani më parë si rrjedhojë janë ndalë edhe punimet”.

    Sipas raportit të ZKA-së, edhe në Komunën e Drenasit, disa projekte nuk kanë përfunduar pavarësisht qe obligimet financiare i ka kryer ajo. Mirëpo, përfaqësuesi i kësaj komune, thotë se në Zyrën Kombëtare të Aditimit, mund të ketë ndodhur ndonjë gabim, pasi, sipas tij, nuk është paguar asnjë kompani pa u përfunduar punët.

    “Ka ndodhur ndoshta gabim teknik pasi që në ZKA figurojnë disa pagesa për punë që nuk i kemi kryer dhe nuk figurojnë pagesa për punët që kemi kryer”.

    Mbi 90 mijë euro, sipas ZKA-së, janë paguar për ndërtimin e objekteve sportive në Drenas, mirëpo, sipas saj, këto projekte nuk janë përfunduar.

  • Viktimat e dhunës po hasin në vështirësi në raportimin e rasteve

    Viktimat e dhunës po hasin në vështirësi në raportimin e rasteve

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Viktimat e dhunës në familje po përballen me vështirësi në raportimin e dhunës dhe abuzim psikologjik. Kështu u tha këtë të hënë, në konferencën e mbajtur, “Të kuptuarit e peizazhit institucional”, që kishte për qëllim prezantimin e një peizazhi të qëndrimeve institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje.

    Në Kosovë ka shënuar ngritje raportimi i rasteve të dhunës në familje, por bashkë më këtë edhe vetë dhuna.
    Me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, këtë të hënë është mbajtur konferenca “Të kuptuarit e peizazhit institucional”, që ka për qëllim prezantimin e një peizazhi të qëndrimeve institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje.

    “Janë dy objektiva të parapara, objektiva e parë synon që të ndërgjegjësojë publikun e gjerë dhe komunitetin se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe se çdo individ inkurajohet ta sfidojë atë. Ndërsa, objektivi i dytë i këtij projekti është promovimi i zbatimit të masave efektive për parandalimin dhe luftimin e dhunës së bazuar në gjini, si në nivel lokal, po ashtu edhe në nivel nacional”.
    Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, thotë dhuna ndaj grave ka shënuar rritje.

    “Shqetësimi kryesor i yni është numri i raportuar, sepse përpos që raportohen në polici, mendojmë që nuk është rritur vetëm raportimi, por është rritur edhe dhuna. Edhe ky projekt, edhe hulumtimi na bën me dije që duhet ende punë në praktikë dhe një bashkëpunim më i madh mes komunave. Shpeshherë humbim edhe jetë të grave për shkak që përveç që dhuna është prezentë, janë edhe pabarazitë e tjera dhe diskriminimi tjetër që gratë përjetojnë dhe është shumë vështirë”.
    Ndërkaq, ekspertja Nora Jusufi, rendit shkaktarët e tjerë që ndikojnë në shtimin e dhunës në familje.

    “Mungesa e edukimit të qytetarëve për të drejtat e grave si dhe cenueshmëria ekonomike apo vulnerabiliteti ekonomik dhe varësia prej bashkëshortëve që ato e kanë në aspektin financiar apo ekonomik”.

    Ky projekt, cili ka për qëllim parandalimin e dhunës, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, si dhe është implementuar në Prishtinë, Prizren, Kamenicë, Mitrovicës, Gjakovë dhe Gjilan.

     

  • Qeveria nuk ua paguan mërgimtarëve policat e sigurimit

    Qeveria nuk ua paguan mërgimtarëve policat e sigurimit

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Mërgimtarët që vijnë në Kosovë, në pikat kufitare duhet ta paguajnë policën e sigurimit, për të cilën ende nuk është vendosur nëse do t’ua rimbursojë këtë vit Qeveria e Kosovës. Mërgimtarët thonë se pavarësisht vendimit të Qeverisë, vitin e kaluar nuk u janë rimbursuar të hollat. Derisa nga Byroja Kosovare e Sigurimeve janë në pritje për një marrëveshje të tillë.

    Pikën kufitare në Merdar, e përdori edhe këtë verë për të ardhur në Kosovë.

    Por edhe këtë herë, mërgimtari nga Gjermania Hashim Ejupi, pagoi 20 euro policën e sigurimit, pa e ditur nëse Qeveria e Kosovës do t’ia rimbursojë mjetet.

    “Edhe vitin e kaluar e kemi paguar sigurimin njësoj si këtë vit, edhe dëshminë po ua tregoj, vetëm para dy viteve nuk kemi paguar. Vitin e kaluar edhe këtë vit, kemi paguar njësoj si viteve të tjera. Vitin e kaluar e kemi bërë pagesën për shkak që nuk na ka informuar askush, kemi qëndruar 4 javë, por që nuk na kanë informuar”.

    Madje, as ata që aplikuan për kompensim qysh vitin e kaluar, ende nuk i kanë marrë të hollat.

    “Vitin e kaluar, sigurimin e kemi paguar vetë, na kanë thënë ejani merrni paret në Prishtinë, por paret nuk na janë rimbursuar, e që e mirëpresim këtë vendim të Qeverisë për rimbursimin e parave të sigurimit”.

    Ndërkaq, Byroja Kosovare e Sigurimeve pohon se edhe këtë vit është në diskutime me Qeverinë për një marrëveshje të tillë.

    “Jemi në diskutime të draftit të marrëveshjes që i bie që Qeveria ka interesim edhe këtë vit që t’i subvencionojë policat e bashkatdhetarëve, mirëpo si çdo vit edhe këtë vit përcillet një draft, diskutohet, aprovohet dhe pastaj shkohet në rishikim, nuk e dimë se kur do të jetë final, as kur do të kthejë përgjigje finale Ministria që pajtohen me draftin e Marrëveshjes dhe nuk e dimë kur do të jetë data e fillimit të implementimit”.

    Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 5 milionë euro për rimbursim, ndërsa në vitin 2022 ndau 3 milionë euro. Këtë vit Qeveria ende nuk ka ndarë fond për këto shpenzime që i kryejnë bashkatdhetarët.

  • Kalon në lexim të parë Projektiligji për Tatimin në Pronë, Bajrami e Murati debatojnë ashpër

    Kalon në lexim të parë Projektiligji për Tatimin në Pronë, Bajrami e Murati debatojnë ashpër

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Pavarësisht kritikave e vërejtjeve të opozitës, përfshirë edhe të një deputeti të mazhorancës, ka kaluar në lexim të parë projektligji për tatimin në pronë. Debati i ashpër u zhvillua midis ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami. Ndërsa, PDK-ja e AAK-ja teksa kërkuan zgjedhje të parakohshme, thanë se nuk do të votojnë asnjë projektligj, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Politikat e reja të tatimit në pronën e paluajtshme kanë përplasur ashpër pozitën e opozitën.

    Në seancën e Kuvendit, të hënën, ndonëse projektligji i cili ndër të tjera mundëson faljen e 100 eurove të tatimit për këtë vit kaloi në lexim të parë, nga opozita u quajt sulm ndaj komunave.

    Debat më i ashpër u zhvillua mes ministrit të Financave dhe deputetes së LDK-së që dikur e udhëhiqte këtë dikaster.

    Bajrami teksa e quajti Muratin të paaftë, e akuzoi se po përdor gjuhë tjetër para mikrofonit. 

    Përveç nga deputetët e opozitës, projektligji u kritikua edhe nga deputeti i partisë në pushtet, Eman Rrahmani, i cili tha se nuk do ta votojë atë në lexim të dytë.

    Vërejtjeve iu kundërpërgjigj ministri Murati.

    Gjatë kësaj seance plenare nuk kaluan dy marrëveshje ndërkombëtare, pasi PDK-ja e AAK-ja thanë se nuk do t’i votojnë ato, dhe asnjë projektligj tjetër.

    Derisa nga partia më e madhe opozitare u kërkua që vendi të shkojë në zgjedhje, për çka kryeparlamentari pati një reagim.

    Ndërkohë, Kuvendi gjatë kësaj seance ka miratuar në lexim të parë projektligjin për njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe invalidëve e veteranëve.

  • Kalon në komision Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale

    Kalon në komision Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Deputetët nuk arritën sot të diskutojnë për Projektligjin për çmimin e produkteve medicinave, për shkak të mungesë së kryesueses së komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe të anëtarëve nga pozita. Por pozita  arriti ta kaloj këtë projektligj pa ndryshimet që i kërkoi opozita.

    Në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka kaluar Projektligji për çmimin e produkteve medicinale, pa rekomandimet e opozitës. Këtë e bënë deputetët e pozitës pa praninë e deputetëve të opizitës dhe të mediave.

    Diskutimi për këtë projektligj ishte paraparë të fillojë në ora 10 por kjo gjë nuk ndodhi për shkak se nuk pati kuorum.  Anëtarët nga opozita pritën deri në 20 minuta për paraqitjen e anëtarëve nga pozita.

    Në mungesë të deputetëve nga partia në pushtet, edhe opozita hoqi dorë nga ky takim.

    Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, drejtoi kritika për neglizhencë, derisa paralajmëroi mosvotimin e projektligjit.

    “Qeveria aktuale s’ka interes për implementimit e këtij ligji të cilin e ka sponsorizu. Ky ligj është duke u zvarrit. E kanë hartu këtë ligj të ri po s’e kanë përfshi asnjë vërejtje tonën. Opozita nuk do të jemi pjesë e votimit të këtij ligji pa u futur propozimet tona. Por ligji nuk bie për shkak të mosvotimit tonë, po bie për shkak se pozita s’po ka interes me shty përpara atë.”

    Se Ministria e Shëndetësisë nuk po e sheh si prioritet këtë projektligj, e tha deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

    “Jemi ftu sot për amendamentimin si PDK. Ne kemi dorëzu 15 amendamente në këtë projektligj. Kemi provuar të rregullojmë rimbursimin me barna, i cili do duhej të ishte prioritet i kësaj ministrie. Nëse MSH-ja deklarohet se ka buxhet për barna, atëherë duhet të reflektojë te qytetarët e te pacientët, që të mos i paguajnë nga xhepi i tyre”.

    ATV-ja ka provuar të kontaktojë me kryesuesen e Komisionit, Fatmire Kollçaku lidhur me arsyen e mungesës së saj në këtë takim, mirëpo ajo nuk është përgjigjur.

     

     

     

     

  • 430 raste aktive me Hepatit H në Kosovë

    430 raste aktive me Hepatit H në Kosovë

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Në klinikën e Infektivit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, këtë vit, janë regjistruar mbi 400 raste me Hepatit B. Teksa familjarët e pacientëve që marrin shërbime mjekësore në këtë klinikë, ankohen për kushtet të këqija, drejtori Arben Vishaj thotë se sfidë për klinikën është furnizimi i rregullt me barna.

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, këtë vit, janë regjistruar 430 të infektuar me Hepatit B, të cilët aktualisht po marrin shërbime mjekësore ditore në klinikën e Infektivit.

    Kjo sëmundje infektive inflamatore e mëlçisë transmetohet gjatë kontaktit me gjakun e infektuar dhe lëngjet e tjera trupore.

    “Kemi 430 raste në nivel vendi me hepatit B. Trajtimi mjekësor për këto raste kërkon infrastrukturë laboratorike e imazherike, dhe për këto ne i plotësojmë të gjitha kushtet”.

    Por, ndryshe mendon Mursel Hoti, i cili e ka të hospitalizuar nënën e tij në këtë klinikë.

    “Aktualisht jemi duke trajtuar 430 raste me hepatit B. Qysh pe shihni edhe ju vetë, muret janë në gjendje të keqe, ndërkohë që këtu është Infektiv. Muret dhe tavani kanë nevojë për renovim. Megjithatë, kujdesi nga ana e stafit mjekësor është i mirë”.

    Por, sipas drejtorit Arben Vishaj, për Klinikën e Infektivit sfidë mbetet furnizimi i rregullt me barna.

    “Sfidat që na shoqërojnë janë mungesa e furnizimit me kohë e barnave, gjë e cila ka qenë problematikë edhe viteve të kaluara për t’i ofruar shërbimet mjekësore për pacientët”.

    Menaxhmenti drejtues i klinikës ka bërë të ditur se në repartin e veçantë për trajtimin e rasteve me hepatit B, punojnë 3 mjekë specialistë dhe 2 specializantë.

    Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe mjekët vendorë kërkohet që qytetarët të paraqiten me kohë te mjeku, në mënyrë që edhe ecuria e trajtimit të shkojë më mirë.