ATV

Author: E.R.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Prizren

    Gjendet pa shenja jete një person në Prizren

    Një person pa shenja jete është gjetur ditën e premte në Prizren.

    Në raportin e Policisë thuhet se viktima mashkull është gjetur pa shenja jete, dhe rasti ka ndodhur rreth orës 18:00, transmeton Telegrafi.

    “Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ndihma e shpejtë të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, njofton Policia.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion.

  • Ka ndërruar jetë lehona që u hodh nga kati i parë i Gjinekologjisë në Shkup

    Ka ndërruar jetë lehona që u hodh nga kati i parë i Gjinekologjisë në Shkup

    Lehona 39 vjeçare që para dy javësh u hodh nga kati i parë i Klinikës për Gjinekologji në Shkup, mbrëmë ka ndërruar jetë.

    Ngjarja fatkeqe ndodhi më 2 korrik, ndërsa pacientja për 12 ditë ishte në gjendje kritike për jetën. Mjekët nuk arritën ta mbajnë në jetë edhe përkundër përpjekjeve të shumta.

    Lehona tashmë e ndjerë ishte sjellë në klinikë në javën e 36 të shtatzanisë dhe kishte lindur fëmijë të shëndoshë, por në rrethana të pasqaruara ende dhe në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, ajo ishte hedhur nga dritarja e katit të parë të klinikës.

    Për tragjedinë u iniciua edhe një inspektimm, ndërsa ende nuk ka një raport përfundimtar edhe nga komisioni i ekspertëve në lidhje me këtë rast.

  • Përleshje fizike mes dhjetë personave në Malishevë

    Përleshje fizike mes dhjetë personave në Malishevë

    Dhjetë persona janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete ditën e premte në Malishevë.

    Policia njofton se si pasojë e përleshjes, disa prej personave kanë pësuar lëndime trupore.

    “Janë arrestuar 10 të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Si pasojë disa prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, njofton Policia.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Përveç 60 mijë eurove, policia tregon se çfarë u gjet tjetër në shtëpitë dhe banesat e Mujkës dhe Muzliukajt

    Përveç 60 mijë eurove, policia tregon se çfarë u gjet tjetër në shtëpitë dhe banesat e Mujkës dhe Muzliukajt

    Faruk Mujka, Kryeshef i Ndërmarrjes Ibër-Lepenci dhe Hysen Muzliukaj, këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, janë arrestuar dje nën dyshimet për korrupsion sa kanë qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të Komunës së Mitrovicës. Gjatë bastisjeve të Policisë, në pronën e njërit janë gjetur 60 mijë euro.

    Përveç këtyre 60 mijë eurove, policia ka njoftuar se gjate bastisjeve kanë gjetur edhe dy telefona, USB, tre laptopë, dhe dokumente lidhur me rastin.

    “Mitrovicë Jug (NN) 25.04.2023-08:00-16:00. Më 14.07.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin  se  të njëjtit kanë kryer veprën penale të lart-cekur. Gjatë kontrollit  në  shtëpitë dhe banesat  e të dyshuarve si prova materiale janë konfiskuar: 60.000 euro, 2 telefona, tre llap-topa , një USB dhe dokumente tjera të ndryshme lidhur me rastin. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në rapottin e policisë.

    Ndryshe, Policia e Kosovës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale e urdhëresë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka kryer bastisjt në dy lokacione, pronë e Mujkës dhe Muzliukajt.

    Në njërin prej lokacione, janë gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se Mujka dhe Muzliukaj, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

    Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Arrestohen dy vëllezër për lëndim trupor dhe armëmbajtje pa leje në Ferizaj

    Arrestohen dy vëllezër për lëndim trupor dhe armëmbajtje pa leje në Ferizaj

    Dje rreth orës 16:00, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në  në rrugën “Liman Reka” në Ferizaj ishte një përleshje në mes dy personave.

    Patrullat e policisë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arrestuar dy persona (vëllezër) H.S (M/K) i moshës 50 vjeçar dhe V.S (M/K) i moshës 47 vjeçar, tek ky i fundit është gjetur, e më pas është konfiskuar një armë zjarri (pistoletë).

    Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues , me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, dy të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Lëndim trupor dhe armëmbajtje pa leje”

  • Vitia siguron furnizim me insulina: Nga tetori s’do të ekzistojë termi mungesë e barnave esenciale

    Vitia siguron furnizim me insulina: Nga tetori s’do të ekzistojë termi mungesë e barnave esenciale

    Të gjithë pacientët të cilët janë insulinë vartës nuk duhet që të shqetësohen  pasi në stoqe ka mjaftueshme medikamente, kështu ka thënë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

    Ministri Vitia ka sqaruar se i kanë marrë të gjitha masat që qytetarët të mos mbesin pa insulina, pasi Zyra e Prokurimit në MSh javë më parë kishte marr vendimin për anulim të tenderit për furnizim me insulina, shkaku i shkeljes së një dispozite të Ligjit për Prokurimin Publik.

    “Përkundër problemeve të cilat kanë qenë me kontratën të cilët i’u referoheni ne si Ministri e Shëndetësisë kemi marr të gjitha masat dhe deri tani nuk ka ndodhur as edhe një herë që qytetarët e Republikës të mbesin pa insulina, një produkt jetësor për pacientët insulinë varës në Kosovë. Kështu që pacientët nuk do të mbesin pa insulina natyrisht dhe ne i kemi marr të gjitha masat që kjo mos të ndodhë në as një moment”, tha ai.

    Ministri deklaroi se me lëndën për insulina janë duke u marr organet e tjera ku shumë shpejt pritet që të vijnë në përfundime, ku më pastaj sipas tij, do të hapet rrugë për të vazhduar me procedurat për furnizim të rregullt.

    “Kurse në anën tjetër për lëndën të cilët ju i referoheni tani janë duke u marr organet e tjera dhe shpresoj që shumë shpejt do të vijën në një përfundim meritor në raport me këtë lëndë dhe për të hapur rrugë pastaj për të vazhduar me procedurat për furnizim të rregullt jo vetëm emergjent siç ka qenë për insulina në këto vite. Absolutisht jo, i pari shqetësim që do të vinte nga unë edhe ato muaj përpara. Në momentin kur ne nuk jemi të shqetësuar dhe ka mjaftueshëm akoma në stok insulina për pacientët kjo nuk do të ndodh si e potencova qysh nuk ka ndodhur as në vitet e kaluar përkundër këtij problemi”, tha ai per EO.

    Ministri i Shëndetësisë sqaroi se furnizimi me barna esenciale dhe materiale shpenzuese nuk është në nivelin e duhur.

    Sipas tij, listat e barnave esenciale është nënshkruar dhe janë hapur proceduar për qindra produktet, ku sipas Vitisë deri në muajin tetor të këtij viti nuk do të ketë më probleme me barna esenciale nëpër spitale.

    Ai theksoi se fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime nuk do të jetë me në fjalorin e në terminologji.

    “Furnizimi nuk është në nivelin e dëshiruar ashtu siç kam thënë edhe në fillim të këtij viti, listat e barnave esenciale është nënshkruar dhe ka kaluar. Janë hapur proceduar për qindra produkte të cilat janë në listën e barnave esenciale, ashtu siç i kam thënë edhe drejtorit edhe drejtorëve të tjerë deri në muajin shtator-tetor nuk do të ketë dhe do të punojmë që të mos ketë më fjalë për mungesë për brana nga lista e barnave esenciale dhe për materiale shpenzuese”, tha ai.

    “Kjo është duke shkuar sipas planit dhe natyrisht me rritjen e buxhetit kjo do të jetë një standard i vendosur i cili nuk ka qenë kurrë më herët i cili do të jetë një standardë i vendosur jo vetëm në shtator, tetor të këtij viti por do të vazhdoj edhe në vitet e tjera ku furnizimet do të jenë ashtu siç duhet me komplet listën e barnave esenciale e materialeve shpenzuese. Ashtu siç thash deri në shtator, tetor kur të mbarojnë të gjitha këto proceduar do të vendoset një standard i ri ku fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime e kam fjalën, sepse në shëndetësi ka edhe urgjenca dhe emergjenca, por sa i përket furnizimeve do të punojmë që nuk do të jete me në fjalorin e në terminologjinë tonë”, tha ai.

    “Siç kemi thënë shumë herë, sigurimet shëndetësore dëshirojnë disa parakushte, parakushti kryesorë i sigurimeve shëndetësore është sistemi informativ shëndetësor. Sistemi informativ shëndetësorë tani më është paraqitur drafti final i studimit të fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësorë, është pranuar një nga tri propozimet nga ky studim i fizibilitetit dhe është duke u punuar me ritëm të shpejt dhe sistemi informativë shëndetësorë pritet që brenda një viti, ose një vit e gjysmë do të jetë funksional i cili do të jetë pastaj një parakusht esencial për fondin e sigurimeve shëndetësore të cilat me funksionalizimi e sistemit informativë shëndetësor do të jetë shumë lehët dhe shumë shpejt që do të mund të bëhen”, tha ai.

  • OKB: Afër 300 fëmijë vdiqën gjatë kalimit të Mesdheut këtë vit

    OKB: Afër 300 fëmijë vdiqën gjatë kalimit të Mesdheut këtë vit

    Kombet e Bashkuara thanë se 289 fëmijë kanë vdekur gjatë pjesës së parë të vitit 2023 gjatë tentimit për të kaluar Detin Mesdhe për në Evropë.

    Kjo shifër është dyfish me vdekjet e regjistruara në periudhën e njëjtë të vitit 2022, tha agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF. Kjo agjenci kërkoi që fëmijëve që kërkojnë mbrojtje në Evripë t’iu ofrohet në rrugë e sigurt.

    Venera Knaus, udhëheqëse në UNICEF për migrim dhe zhvendosje, tha se shifrat reale ka shumë të ngjarë që të jenë më të larta për shkak se gjatë fundosjeve të anijeve në Mesdheun qendror shpesh nuk ka të mbijetuar ose viktimat nuk regjistrohen.

    “Numri i fëmijëve që kanë humbur jetën e tyre në tentim për të kaluar Detin Mesdhe për të arritur në Evropë është dyfishuar në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me peridhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha ajo.

    “Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ne vlerësojmë se 11.600 fëmijë kanë kaluar detin – sërish, pothuajse dyfish më shumë sesa në periudhën e njëjtë më 2022”.

    UNICEF tha se në tre muajt e parë të vitit 2023, afër 3.300 fëmijë – 71 për qind e të gjithë fëmijëve që kanë arritur në Evropë përmes rrugës mesdhetare – kanë qenë të pashoqëruar apo të ndarë nga familjarët e tyre.

    Kjo shifër po ashtu është tri herë më lartë sesa në vitin paraprak.

    “Këta fëmijë duhet ta dinë se nuk janë vetëm. Liderët botërorë duhet që menjëherë të veprojnë për të treguar se jeta e fëmijëve është e vlefshme, të veprojnë drejt një zgjidhjeje efektive për këtë situatë”, tha Knaus./REL

  • Mospërfshirja e veteranëve në Ligjin për pagën minimale, sot mbahet protestë

    Mospërfshirja e veteranëve në Ligjin për pagën minimale, sot mbahet protestë

    Shoqëria civile ka thirrur protestë kundër Qeverisë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e cila do mbahet me fillim nga ora 18:00. Në njoftimin e publikuar, thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiç-in” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”.

    “Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojiçiç-in kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”.

    Sipas organizatorëve të protestës në fjalë, Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare.

    “Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, thuhet mes tjerash në thirrjen për protestë.

    Ndërsa, edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë të ditur se do të mbështesë protestën e ditës së shtunë të organizuar nga shoqëria civile kundër Qeverisë së Kosovës.

    Pas mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se përveç vendimit të mbështetjes së protestës në fjalë, kjo organizatë është dakorduar që të pengojë seancat e Kuvendit të Kosovës, duke penguar që deputetët të futen në Kuvendin e Kosovës kur ka seanca Parlamenti.

    “Kryesia morri vendim që të pengojmë seancat e Kuvendit të Kosovës, kur ata i kanë seancat ne do të dalim aty që t’i mos i lejojmë që t’i mbajnë sepse qëndrimet tona qysh nga viti i kaluar kanë qenë që nëse ata mendojnë që të na shkelin kështu, natyrisht që edhe ne do të organizohemi që t’i pengojmë që të mos funksionojnë”, ka theksuar Klinaku në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së.

    “Është marrë vendim që të mundohemi t’i pengojmë çdo seancë të Kuvendit dhe me këtë rast iu bëjë thirrje gjithë veteranëve të luftës që në momentin që kur marrim vesh që këta i kanë seancat ne dalim aty dhe nuk i lejojmë të futen brenda”.

    Ai ka paralajmëruar se OVL-UÇK po përgatit edhe protesta, të organizuara nga kjo organizatë për të kundërshtuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës përmes së cilës veteranët e UÇK-së mbeten jashtë pagës minimale që u votua në lexim të dytë, të enjten në Kuvendin e Kosovës.

  • Fundjava nxehtë, java e ardhshme me temperatura përvëluese deri në 40 gradë

    Fundjava nxehtë, java e ardhshme me temperatura përvëluese deri në 40 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se në fundjavë do të mbajë mot i nxehtë, me temperatura deri në 36 gradë Celsius.

    IHK njofton se të shtunën do të jetë mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht rreth relievit malor.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-34 gradë Celsius.

    Ndërkaq, të dielën do të jetë mot kryesisht me diell dhe me vapë. Në fushat termike parashihen rritje kryesisht në vlerat  e temperaturave maksimale. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-36 gradë Celsius.

    Gjatë këtyre dy ditëve të vikendit do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

    IHK u bën thirrje qytetarëve për kujdes në këto ditë të nxehta dhe me vapë.

    Ndërkaq, edhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror njofton se vala e të nxehtit që ka përfshirë rajonin tonë, e ndikuar nga masat ajrore afrikane do të mbretërojë edhe javën e ardhshme.

    Në njoftim thuhet se moti do të përshkohet me vranësira të pakta, erëra kryesisht të lehta herë pas here të rrëmbyeshme nga drejtime të ndryshme, ndërsa temperaturat minimale për herë të parë deri më tani këtë vit do të ulen deri mbi 20°C, kur edhe do të regjistrojmë netët e para tropikale.

    Temperaturat maksimale do të sillen nga 33°C – 38°C, madje ekstremet maksimale lokalisht mund të shënojnë edhe 40°C.

  • Mos ua mësyni këtyre rrugëve sot dhe nesër, do të jenë të bllokuara përkohësisht për qarkullim

    Mos ua mësyni këtyre rrugëve sot dhe nesër, do të jenë të bllokuara përkohësisht për qarkullim

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën dhe të dielën do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në autostradën “Arben Xhaferi”

    Kjo pasi siç është bërë e ditur në njoftim, gjatë këtyre dy ditëve do të mbahet gara çikliste Kampionati i Kosovës për vitin 2023, të organizuar nga Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK).

    Kjo garë do të zhvillohet në autostradë dhe për këtë federata ka kërkuar leje nga ministria përkatëse të cilën e ka siguruar.

    ʺFÇK-ja për mbarëvajtje të kësaj gare ka kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës. Policia, bazuar në planin rreth zhvillimit të garës, datës dhe kohën e mbajtjes së saj, ka hartuar dhe do ta zbatojë një plan operativʺ, thuhet në komunikatën për media.

    Më datë 15.07.2023, duke filluar nga ora 13:30, në segmentin Lipian-Bibaj (autostrada ‘Arbër Xhaferi’) do të fillojë pjesa e parë e kësaj gare.

    Më datë 16.07.2023, itinerari i garës është më i gjatë (160 km), gara fillon në ora 10:30 me këtë itinerar të lëvizjes: Bibaj-Lipjan-Prishtinë, F.Kosovë (Bresje), pastaj rruga nacionale F.Kosovë-Aeroport-Komoran-Malishevë dhe anasjelltas.

    Gjatë kësaj kohe, më datën 15 dhe 16 korrik 2023, parashihet që të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në autostradë (segmentet e lart-cekura) dhe riorientim në rrugë tjera alternative.

    ʺPolicia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohen sa do të jetë duke u zhvilluar gara e organizuar nga FÇK-ja. Andaj, qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshmeʺ, thuhet tutje në njoftim.