ATV

Author: E.R.

  • Ia ktheu borxhin Shqipërisë, Kosova me më pak rezerva të energjisë për dimër

    Ia ktheu borxhin Shqipërisë, Kosova me më pak rezerva të energjisë për dimër

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Për shkak të sasisë së energjisë në formë obligimi për kthim, që e kishte marrë gjatë dimrit nga Shqipëria, Kosova këtë vit ka nisur me vonesë depozitat për dimër. Edhe pse është ende fillimi i sezonit kur Shqipëria ka nevojë për më shumë energji, sasia e depozitave nuk ka arritur as 10% të sasisë së përgjithshme, krahasuar me vitin e kaluar.

    Kthimi i energjisë që Kosova e kishte marrë gjatë dimrit nga Shqipëria, nëpërmjet marrëveshjes për shkëmbime, pritet të ndikojë që sasia e depozitave këtë vit të jetë dukshëm me e ulët – sesa vitin e kaluar.

    Si shkak i nevojës për import, dimrin që shkoi, Kosova harxhoi depozitat dhe u fut në obligime për kthim të energjisë ndaj Shqipërisë.

    “Gjatë vitit 2022, KEK-u ka depozituar në KESH 226,330 MW. Ndërsa, ka pranuar nga KESH-i sasinë prej 135,965 MW. Gjatë muajve të dimrit kur në Kosovë konsumi ka shënuar ngritje, diferenca nga viti 2022 i është kthyer KEK-ut, si dhe KESH-i ka depozituar sasinë prej 91.094 MW”.

    Pas kthimit të obligimeve, tashmë ka nisur depozitimi i energjisë në Shqipëri, që deri tani nuk arrin as 10% të vlerës së përgjithshme, krahasuar me vitin e kaluar.

    “Tani kur Shqipëria ka nevojë, KEK-u ka filluar të depozitojë energji elektrike drejt KESH-it dhe deri më tani ka depozituar sasinë prej 21,714 MW dhe do të vazhdojë të depozitojë sa herë që ka teprica dhe KESH-i ka nevojë. Keni parasysh se shifrat e paraqitura janë dinamike dhe mund të ndryshojnë nga dita në ditë, posaçërisht tani në muajt e verës kur në Shqipëri konsumi shënon ngritje”.

    Me sasinë aktuale të depozitave dhe me trendin aktual, pritet që Kosova të hyjë në dimër me ndjeshëm, më pak rezerva të energjisë dhe pa kapacitete të reja prodhuese të energjisë.

    Me sasinë e depozituar në Shqipëri vitin e kaluar, të shfrytëzuar gjatë muajve të dimrit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në raportimin e saj në Kuvend kishte thënë se janë kursyer rreth 50 milionë euro import.

    Sipas marrëveshjes për shkëmbime energjetike, KEK-u dhe KESH-i ofrojnë ose pranojnë energji, vetëm kur njëra ka teprica dhe tjetra nevojë – dhe anasjelltas.

  • Hapet konkurs për 25 inspektorë shëndetësorë

    Hapet konkurs për 25 inspektorë shëndetësorë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurs për 25 inspektorë shëndetësorë. Por, sipas njohësve të kësaj fushe, ky konkurs do të hapej kohë më parë, pasi edhe numri i ankesave të pacientëve është i lartë.

    Pas rikthimit për të tretën herë si ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë takimit të parë, të mbajtur në fillim të këtij viti, me anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi, ka dhënë premtime, të cilat u zotua se do t’i realizojë brenda këtij viti.

    Vitia kishte thënë se brenda gjashtë muajve do të ketë rritje të numrit të inspektorëve shëndetësorë.

    “Ministria e Financave ka ndarë buxhetin edhe për 42 inspektorë të rinj. Shumë shpejt do të shpallet konkursi për rekrutimin e tyre, rritja e numrit nënkupton edhe rritjen e shërbimeve cilësore për qytetarët e vendit.“

    Ndonëse jo me shifrat e parapara si në premtime, disa ditë më parë u hap konkursi për 25 inspektorë të rinj.

    Për njohësit e këtij lëmi, kjo shifër është shumë e ulët duke marrë parasysh numrin aktual të inspektorëve dhe ankesat e mëdha të pacientëve.

    Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve, thotë se për shkak të mungesës së inspektorëve, shpeshherë ka pasur shkelje të të drejtave të pacientëve.

    “Ankesat e vazhdueshme që vijnë në shoqatë tregojnë për shkelje të të drejtave të pacientëve, si nga institucionet shëndetësore, por edhe nivel të ulët të vetëdijes rreth të drejtave dhe përgjegjësive që kanë kujdesi shëndetësor ministria të ketë më shumë fushata dhe t’i perceptojë më mirë”.

    Që të parandaloheshin shkeljet e tilla, gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitia, thotë se numri i inspektorëve është dashur të rritej kohë më parë.

    “Ministria e Shëndetësisë të ketë më shumë prioritet inspektimin, të kërkojë llogaridhënie, sepse kohëve të fundit është në gjumë, të ketë më shumë vëmendje për shërbimet që kryhen dhe të inspektimeve që neglizhohen nga inspektorati shëndetësor”.

    Aktualisht në sistemin shëndetësor të vendit janë vetëm 12 inspektorë.

  • Gjendja me rriqra në Kosovë mbetet stabile, mbi 200 të prekur në Prishtinë

    Gjendja me rriqra në Kosovë mbetet stabile, mbi 200 të prekur në Prishtinë

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Vetëm për 6 muaj në rajonin e Prishtinës janë regjistruar më shumë se 200 raste të pickimit nga rriqrat. Por, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare thotë se nuk ka rritje të numrit të rasteve, krahasuar me vitin e kaluar.

    Ndonëse gjatë verës, rastet nga thumbimi i rriqrave janë më të përhapura, këtë vit numri i tyre nuk ka shënuar rritje të lartë.

    Në regjionin e Prishtinës në 6 muajt e parë të këtij viti, janë regjistruar 7 raste më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    “Në të gjitha QMF-të e Prishtinës trajtohen këto raste për rajonin e Prishtinës përfshirë zonat rurale të Prishtinës. Këtë 6 mujor i kemi 7 raste më tepër se vitin paraprak. Domethënë në 2022 kemi paurs 200 raste për 6 muaj. Kurse në këto 6 muaj 2023, kemi 207 një rritje e lehtë. Gjendja me rriqra është e menaxhueshme, nuk është shqetësuese”.

    Qytetarët thonë se largimin e rriqrave e bëjnë në kushte shtëpiake.

    “I hekmi gjithmonë me dorë në shtëpi se nuk ka paraqitë naj problem asnjëherë”.

    “Paj vallai gjithë me dorë i kom hek e i heki nuk është bo kurrgjo”.

    Por për infektologun Hasan Gashi është shqetësues fakti që qytetarët e neglizhojnë shërimin në mënyrë profesionale.

    “Edhe pse numri i të prekurve nga rriqrat është ulur, qytetarët nuk duhet me tentu me i hekë vetë rriqrat. Për shkak se largimi i rriqrës nuk bëhet si duhet. Sepse nëse mbetet rriqra në trup, do të sillte një infeksion të rëndë. Duhet të shkohet tek mjeku për me u shëru”.

    Ndërsa, nga menaxhmenti drejtues i klinikës së Infektivit në QKUK, kanë bërë të ditur se prej muajit prill deri në fund të muajit qershor, 250 qytetarë nga komuna të ndryshme të vendit janë shëruar nga pickimi i rriqrave.

    Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nuk kanë treguar për ATV-në se cila komunë vazhdon të jetë më e rrezikuar nga rriqrat.

  • Gjakova, qyteti ku po “lulëzon” turizmi

    Gjakova, qyteti ku po “lulëzon” turizmi

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Numri i turistëve të huaj që po e vizitojnë qytetin e Gjakovës ka shënuar ngritje. Përveç atyre që vijnë për ta parë trashëgimisë kulturore ka edhe të tjerë që gjatë sezonit të verës zhvillojnë biznes në këtë qytet.

    Martine De Bias ka ardhur nga Italia për ta vizituar qytetin e Gjakovës.

    Sipas saj, gjithë çfarë e bën Gjakovën të jetë vend atraktiv, janë trashëgimia kulturore e pozita e përshtatshme gjeografike.

    “Kemi zgjedhur pikërisht Gjakovën sepse ndihemi shumë të sigurt, është e pasur me shumë bukuri natyrore, monumente historike dhe kjo është shumë e mirë për Kosovën, me një fjalë qytet i vogël por me plot begati”.

    Numri i turistëve në këtë qytet, sipas statistikave zyrtare, ka shënuar rritje.

    “Në fillim të sezonit veror, qyteti i Gjakovës po shihet të jetë epiqendër për turistët nga e mbarë bota, e gjitha kjo për shkak të potencialit të mirë në fushën e turizmit”.

    Përveç vizitave turistike, begatitë që ofron ky qytet po i shtyn disa turistë të bëjnë plane më afatgjate.

    “Gjakovën nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër, si rrjedhojë kemi kafenenë këtu me disa shokë që punojmë mundohemi të jemi sa më shpesh këtu”.

    “Përveç kafenesë e cila na obligon të vijmë më shpesh këtu, edhe festivalet e ndryshme e bëjnë më të veçantë këtë qytet”.

    Numrit të lartë të turistëve i gëzohen edhe qytetarët e Gjakovës.

    “Janë të mirëseardhur dhe ne iu ndihmojmë me shumë kënaqësi në prezantimin e vendeve”.

    Dalon Kulludra nga Zyra e Informimit në Gjakovë, përmend disa nga monumentet që turistët po i vizitojnë më së shumti.

    “Kulla e Abdullah Pashë Drenit, hani i Haraçisë, Muzeu Etnografik, Çarshia e Madhe janë vetëm disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës”.

    Brenda një viti, mesatarisht Gjakova vizitohet nga 10 mijë turistë.

     

  • 17 komuna pa noterë, Ministria e Drejtësisë ende pa konkurs

    17 komuna pa noterë, Ministria e Drejtësisë ende pa konkurs

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    2 vjet e 4 muaj në pushtet, Qeveria e kryeministrit Kurti nuk ka hapur asnjë konkurs për noter të rinj. Në mandatin e parë, Ministria e Drejtësisë kishte anuluar një konkurs nën dyshime për parregullsi. Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar se çfarëdo të bëhet me konkursin e fundit që ishte anuluar, vendim të cilin e kishte rrëzuar pastaj edhe Gjykata Kushtetuese. Juristët thotë se Ministria duhet t’i përfillë vendimet e gjykatës.

    Që nga ardhja në pushtet, Ministria e Drejtësisë nuk ka hapur konkurse për noter të rinj, ndonëse janë plot 17 komuna që nuk e kanë asnjë noter.

    Madje, janë bërë rreth 3 vjet e gjysmë nga kur ministrja Albulena Haxhiu, gjatë mandatit të parë në Qeverinë Kurti 1, kishte anuluar konkursin për noter nën dyshimet për parregullsi, nuk ka pasur lëvizje në shtimin e numrit të noterëve.

    Megjithatë, Ministria e Drejtësisë tha për ATV-në se në vjeshtën e këtij viti do të mbahet provimi i noterisë që do t’i hapë rrugë konkursit për noter të rinj.

    “Ministrja e Drejtësisë ka emëruar Komisionin për Dhënien e Provimit të Noterisë. Ky Komision është duke punuar në krijimin e parakushteve të nevojshme për mbarëvajtjen e Provimit të Noterisë dhe, së shpejti, do të organizojë provimin që ka për qëllim rritjen e konkurrencës dhe cilësisë. Pas Provimit të Noterisë, Ministria e Drejtësisë do të shpallë konkurs për emërimin e noterëve, me të cilin do t’u jepet mundësia kandidatëve që kanë dhënë Provimin e Noterisë të kandidojnë për t’u emëruar noterë. Përmes këtij procesi, Ministria e Drejtësisë do të zgjidhë problemin e mungesës së numrit të nevojshëm të noterëve dhe, sidomos, komunave pa noterë.”

    Mirëpo, nuk treguan se çfarë do të bëhet me konkursin që e kishin anuluar në shkurt të 2020-tës, vendim ky i cili ishte anuluar më pas nga gjykata, me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

    Kësisoj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se Ministria nuk mund të mos i përfillë vendimet e Kushtetueses.

    “Gjykata në rastin konkret e ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për anulimin e konkursit në fjalë dhe në këtë drejtim ajo çfarë mund të themi është se është obligative për Ministrinë e Drejtësisë, që të zbatohet vendimi i gjykatës pa marrë parasysh se cilat janë veprimet e tjera në drejtim të zgjedhjes së noterëve të rinj, asnjë proces i ri, qoftë proces brenda ministrisë së drejtësisë, qoftë ndonjë proces plotësues apo diçka tjetër, nuk mund të shkojë në dëm dhe ta amnistojë Ministrinë e Drejtësisë nga obligimi për ta zbatuar vendimin e gjykatës”.  

    Në fakt, në tërë vendin aktualisht aktiv janë vetëm 50 noterë. Përveç 17 komunave që s’e kanë asnjë, 10 të tjera operojnë me vetëm nga një noter.

    Përveç kryeqytetit që numëron 13 dhe Prizreni e Gjilani nga 4, komunat e tjera operojnë me më pak se 3 noterë.

     

  • Ka shpërputhje në mes të Ligjit për Pagë Minimale dhe atij për Paga në sektorin Publik

    Ka shpërputhje në mes të Ligjit për Pagë Minimale dhe atij për Paga në sektorin Publik

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Njohës të ekonomisë konsiderojnë se ka shpërputhje në mes të Ligjit për pagë minimale dhe atij të Pagës në Sektorin Publik. Kjo sipas tyre konstatohet tek pozicionet që ka koeficienti 2, apo përkthyer në të holla, ata që kanë pagë 210 euro. Megjithatë, vlerësojnë se kjo duhet dhe mund të përmirësohet.

    Deputetët të enjten vendosën që më të mos ketë pagë nën 264 euro. Por, në Ligjin për Pagat në sektorin Publik, të cilat janë të caktuara me koeficiente, ekzistojnë paga me koeficient 2: siç janë ato të kadetëve të FKS-së, Policisë e Doganës.

    Meqenëse koeficienti ka vlerën 105 euro, kur përkthehet në shumë monetare, pagat e lartëpërmendura nuk i kalojnë 210 eurot, apo për 54 euro nuk e arrijnë pagën minimale.

    Këtë, njohës të ekonomisë e konsiderojnë si mospërputhje mes ligjit të pagës minimale dhe atij të pagës në sektorin publik.

    “Kur flasim për pagat e rektutëve konsideroj se iu ka ikur si rezultat I inercionit dhe I ngutjes. Ose duhet të specifikohet si kategori në formë të bursës. Por nëse flasim për pagë minimale, dhe e kanë vendos vet, kjo bie ndesh me atë që e kanë votu vet.

    “Koeficientin e kemi 105 euro, derisa kemi pozicione me koeficient 2. Kjo nënkupton që ky ligj bie ndesh me ligjin e pagën minimale.

    Sipas Safet Gërxhaliut mospërputhja duhet të rishikohet edhe njëherë me qëllim të përmirësimit.

    “Besoj që me kalimin e kohës duhet të ketë rishikim. A duhet të ndryshohet dicka në Ligjin e Pagave të Sektorit public, apo ligji I pagës minimale do jetë sërish viktimë…”

    Ndërhyrjen në ndonjërin prej ligjeve e konsideron të nevojshme edhe ekonomisti, Mustafë Kadriaj.

    “Dallimin që e kanë bë te kjo kategori e vlerësoj të pakuptimtë. Andaj, pres reflektim te shumica parlamentare, të cilët neës e shohin si gabim, të reflektojnë, dhe ta specifikojnë përmes një akenksi.

    Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, Presidentja ka koeficientin 18 që është më I larti, përkthyer në të holla, Vjosa Osmani do marrë pagë hiç më pak se 1890 euro.

  • Komuna e Prishtinës ende nuk ka e bërë kompensimin e dëmeve për tregtarët, të cilët u dëmtuan nga zjarri

    Komuna e Prishtinës ende nuk ka e bërë kompensimin e dëmeve për tregtarët, të cilët u dëmtuan nga zjarri

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Komuna e Prishtinës ende nuk ka e bërë kompensimin e dëmeve për tregtarët, të cilët u dëmtuan nga zjarri i një muaji më parë në Tregun e Gjelbër në Prishtinë. Derisa pronarët ankohen se me këtë veprimtari mbanin familjen, Komuna nuk dha asnjë detaj se deri ku ka shkuar procesi i vlerësimit të dëmeve.

    Ejup Dushullovci është njëri prej dymbëdhjetë tregtarëve që nga zjarri i një muaji më parë, humbi një pjesë të konsiderueshme të mallit që shiste në Tregun e Gjelbër në kryeqytet.

    Dushullovci, i cili me shitjen e tekstilit, ka mbajtur familjen e tij, ende po pret kompensim për dëmet e shkaktuara.

    Pavarësisht që të gjitha dokumentacionet e nevojshme i kishte bërë gati, sipas tij, kërkesa për kompensim nuk u mor parasysh nga komuna.

    Në mungesë të kompensimeve, tregtarë të tjerë u detyruan të bëjnë zgjidhje alternative për tejkalim të situatës.

    Sipas tregtarëve, askush nuk u interesua për gjendjen e tregut edhe pas zjarrit.

    “Ndonëse ka kaluar një muaj prej kur zjarri kishte shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të tregut të gjelbër në kryeqytet, dëmet e shkaktuara dhe llumi i tyre janë ende prezentë”.

    Për rregullimin e tregut dhe për procesin e vlerësimit të dëmeve që do t’i hapte rrugë kompensimit të të dëmtuarve, askush nga zyrtarë komunalë nuk pranuan të japin detaje. Ndërkaq, hetimet për shkaqet e zjarrit ende po vazhdojnë.

  • Kryeministri , Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, hapen fushatën e korrje

    Kryeministri , Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, hapen fushatën e korrje

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Bujqësisë Faton Peci, hapen fushatën e korrje-shirjeve në Lipjan. Nga aty, përgëzuan fermerët për punën e bërë teksa premtuan përkrahje te vazhdueshme.

    Për disa minuta, eskortën e zëvendësoi me kombajnë. Madje e drejtoi vet.

    Kështu, kryeministri Albin Kurti se bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci hapen fushatën e korrje-shirjeve në Komunën e Lipjanit.

    Nga fshati Suhodoll, Kurti përgëzoi fermerët, teksa tha se fal tyre “kemi bukën tonë në sofrën tonë nga toka jonë”.

    “Kishim kënaqësinë që bashkë me ministrin të jemi në këto kombajnat për korrjen e grurit, me ç’rast jemi shumë të lumtur që kemi një verë të jashtëzakonshme sa i përket edhe punës edhe produktit.”

    Ndërkaq, ministri i Bujqësisë siguroi se me përkrahjen e Qeverisë, Kosova do të arrijë të mbulojë nevojat bazike me grurë.

    “Vetëm për të mbjellat me grurë janë 66 mijë hektarë në gjithë Republikën. Fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon, gjitha reformat që i kemi marrë për procedurat, legjislacionin, menaxhimin e financave nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen e Qeverisë dhe kryeministrit të vendit”

    Fermeri Valbon Vehapi pret rendiment te kënaqshëm nga korrja e grurit.

    “Ne sot kemi filluar me korrje, fillimi është i mirë, rendimenti do të jetë i kënaqshëm. Kemi sasi të madhe të autokombajave. Besojmë që rrafshi i Kosovës brenda 3-4 ditëve do ta përfundojë korrjen, pastaj do të nisim me Gollakun”

    Gruri është lëndë e parë për prodhimin e miellit dhe si i tillë konsiderohet produkt strategjik për sigurinë kombëtare.

    Megjithatë për sigurimin e tij, Kosova varet shumë nga importi. Kryesisht, gruri importohet nga Serbia Kroacia, Austria dhe Maqedonia e Veriut.

  • Mosha mesatare e zyrtarëve policorë ka arritur në 48 vjet

    Mosha mesatare e zyrtarëve policorë ka arritur në 48 vjet

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Para më shumë se një muaji, projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend. Ndaj, derisa mosha mesatare e policisë ka arritur në 48 vjet, po kërkohet që ky projektligj të jetë sa më parë në agjendë.

    Mosha mesatare e zyrtarëve policorë ka arritur në 48 vjet. Përveç kësaj, afër 600 pjesëtarë të policisë kanë sëmundje kronike.

    Kështu, Ligji për Pensionim, i cili do të mund ta rregullonte mundësinë që zyrtarët policorë të pensionohen në moshën 55-vjeçare, po vazhdon të konsiderohet më se i nevojshëm.

    “Kjo është kërkuar gati qe 8 vjet. Është shumë i nevojshëm. Detyrat e policisë së Kosovës janë të komplikuara, në vazhdimësi kemi bërë këtë kërkesë. Jemi policia më e vjetër.”

    Ndërkohë, projektligji për pension të parakohshëm, para më shumë se një muaji, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në Kuvend.

    Partia Demokratike e Kosovës, që është iniciuese e këtij projektligji, thotë se do të insistojë që ai të jetë sërish në agjendë.

    “Ju e dini që ka qenë në programin legjislativ 2021, por është tërhequr, në vitin 2022 e tash në 2023 nuk është, nuk besoj që do të jetë as në vitin 2024, por ne do të insistojmë me patjetër që të jetë në agjendën e Qeverisë. Ne jemi edhe në konsultime me partinë dhe do të bëjmë përpjekje që ta sjellim sërish në Kuvend dhe ta kalojmë.”

    Ndërkohë, në rast të miratimit, përmes këtij ligji do të rregulloheshin dhe do të përcaktoheshin kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet dhe kategorizimin e pensioneve për zyrtarët policorë.

  • Shportat e “metropoleve botërore”, joadekuate për kryeqytet

    Shportat e “metropoleve botërore”, joadekuate për kryeqytet

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Komuna e Prishtinës, në fund të muajit maj, ka bërë vendosjen e 29 shportave të mbeturinave në sheshet e kryeqytetit. Sipas qytetarëve, këto shporta dalin të jenë të papërshtatshme për shkak të formës për hedhjen e mbeturinave.

    U vendosën në fund të muajit maj, duke u zëvendësuar me shportat e vjetra.

    Por, shportat e “metropoleve botërore”, në kryeqytet, rezulton të jenë jo adekuate, për shkak të formës së papërshtatshme, për hedhjen e mbeturinave.

    Mirëpo në kohën e vendosjes së tyre, drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, ka thënë se qëllimi i tyre po ashtu është mbrojtja e ambientit. (posti i Ilirikut)

    Sipas qytetarëve, këto shporta do të duhej të kishin një projektim tjetër.

    Por ka edhe prej tyre, që thonë se vendosja e këtyre shportave ka ndikuar në të mirën e ambientit.

    Në fund të muajit maj, Komuna e Prishtinës ka bërë vendosjen e 29 shportave të mbeturinave në kryeqytet.

    Përveç në sheshet kryesore, shporta të tilla pritet të vendosen në të gjitha sheshet dhe parqet e kryeqytetit.