ATV

Author: ATVLive

  • Avokati i popullit, kritik ndaj gjuhës së përdorur për kodin civil

    Avokati i popullit, kritik ndaj gjuhës së përdorur për kodin civil

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kodi civil përveç që nuk po arrin t’i bëjë në një mendje deputetët e kësaj legjislature, po përcillet edhe me polemika të shumta.

    Andaj diskursi dhe gjuha e përdorur për këtë kod, po kritikohet ashpër nga avokati i popullit.

    “E para, diskursi i komunikimit dhe i deklaratave publike që shpeshherë përmban gjuhë të urrejtjes, të papranueshme dhe gjuhë që krijon polarizim të skajshëm deri te situata që mund të eskalojë edhe në situata të tilla, që të pësojnë qytetarët që vijnë ose i përkasin LGBTI”, tha avokat i Popullit, Naim Qelaj.

    Qelaj ka kritika edhe rreth formulimit aktual në Kodin Civil, për martesat e personave të gjinisë së njëjtë.

    “Kodi Civil dhe formulimi aktual i zgjidhjes së problemit të martesave ose zgjidhjes juridike të procedurave të martesave të personave me seks dhe gjini të njëjtë, nuk është i formuluar në përputhje me Kushtetutën. Për arsye se ky ligj, ky Kod Civil e rregullon njësoj si Kushtetuta. Kushtetuta thotë duhet të rregullohet me ligj. Kodi Civil thotë duhet të rregullohet me ligj. Pra, e len të pazgjidhur dhe jo në përputhje me qëndrimet dhe kërkesat që i ka Kushtetuta”, tha ai.

    Projekt-kodi civil ka dështuar të miratohet në Kuvend më 2022 dhe që atëherë, nuk ka pajtueshmëri mes deputetëve për rikthimin e tij për votim.

    Një pjesë e deputetëve, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, janë kundër këtij projektligji, specifikisht nenit 1138, i cili lejon regjistrimin e bashkësive të personave të gjinisë së njëjtë.

  • Aktivitete të shumta në ditëlindjen e 619 të të Skënderbeut

    Aktivitete të shumta në ditëlindjen e 619 të të Skënderbeut

    Përgatiti: Sara Shehu

    6 Maji njihet edhe si Dita e Skënderbeut.

    Data e cila përkon me lindjen e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi në Prishtinë artistë të shumtë, të cilët secili në mënyrën e vet portretizuan heroin.

    Këtij eventi nuk i munguan as publicistët e njohur, të cilët nëpërmes fjalëve çmuan lart figurën e Skënderbeut.

    Ndërsa, interesimi i qytetarëve për të parë nga afër punimet ishte i kënaqshëm.

    Larg nga rrugët e sheshet, në Institutin Albanologjik u mbajt edhe një simpozium shkencor, në të cilin u prezantuan gjetjet e fundit rreth Skënderbeut.
    Akademikët, madje, kërkuan nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës ta hartojnë një ligj të veçantë për heroin kombëtar e 28 tetori të shpallet festë kombëtare.

    Në kuadër të agjendës janë organizuar edhe performanca të ndryshme nga ansamble tradicionale, të shoqëruara me aktivitete të tjera.

  • 27 vjet pa “Luanin” e Kosovës

    27 vjet pa “Luanin” e Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Si i ri, Luan Haradinaj dëshironte të bëhej boksier.

    “Ideja e tij ka qenë që në një të ardhme, në rast se Kosova potencialisht çlirohet pa luftë, me qenë një sportist, një bokser në Kosovë”, tha Daut Haradinaj.
    Por, atdheu e donte si luftëtar.

    “Dihet fare mirë që pushka e tij është ndier në Serbi”, tha Daut Haradinaj.

    Vetëm 20 vjeç, Luan Haradinajt iu besuan detyra të mëdha në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë moshë, ai u emërua komandant i logjistikës së UÇK-së.

    “Angazhimi i Luanit ka qenë komplet për çlirimin e vendit dhe fitoren e lirisë, çlirimin nga pushtuesi serb”, tha Selim Krasniqi, bashkëluftëtar.

    Por, më gjashtë maj të vitit 1997, Kosova humbi luanin e saj.

    Atë të martë pranvere, ai priu çlirimtarët që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit.

    “Kemi rënë në pritë, ka qenë një betejë shumë e pabarabartë dhe kemi rënë befasisht siç janë pritat dhe ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm, ka qenë një dhimbje e jashtëzakonshme për neve rënia e Luanit”, tha Krasniqi.

    Në 27-vjetorin e rënies së Luanit, kulla e Haradinajve në Gllogjan hapi dyert për homazhe në kompleksin memorial.

    Në mesin e mysafirëve ushtarakë e politikanë, qe edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ishte pjesë e grupit të ushtarëve në ditën kur Luani u vra.

    Në nderim të rënies heroike të tij, akademi përkujtimore u organizua edhe në Pejë.

    Ndërkaq, vepra e Luan Haradinajt u kujtua edhe nga udhëheqësit e shtetit.

  • 25 vjet nga rënia e dëshmorit Njazi Rexhepi

    25 vjet nga rënia e dëshmorit Njazi Rexhepi

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Liria që e gëzojnë sot, thonë se është meritë e dëshmorëve.

    Gjithë këta njerëz u mblodhën të hënën në Shtëpinë e Kulturës në Viti, për ta përkujtuar Njazi Rexhepin, që ra dëshmor në betejën e Koshares, më 6 maj 1999.
    Kontributi i tij në Brigadën 138, u vlerësua i pashoq.

    “Para dëshmorëve të gjithë jemi të vegjël, vetëm liria është e madhe. Themelet e lirisë janë të forta e ato i bën të forta gjaku i dëshmorëve. Njazi Rexhepi vjen nga një familje atdhetare që janë shquar për mikpritje, në anën e Ana Moravës. Qysh si nxënës ai kishte mësuar për vuajtjet e shqiptarëve i kishte ndje ato nën lëkurë. I edukuar në frymën ai mori pjesë në demonstrata që organizoheshin në Ferizaj, Prishtinë e mbarë Kosovën. Dëshmori e kishte kuptuar herët se liria nuk jepet vullnetarisht por duhet kërkuar nga pushtuesi”, tha Lulzim Tafa, poet.

    Një ish-epror i Rexhepit e kujton atë si ushtar të dalluar.

    “Për neve që ishim pjesë, emocionet dallojnë sepse i kemi kujtimet e freskëta, operacioni në Koshare është shumë kompleks edhe në planifikimin ekzekutimin e formacionit, drejtuesit e të cilit ishin ushtarak me përvojë”, tha Fadil Hadergjonaj, komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

    Vëllai i dëshmorit thotë se e humbi një familjar në luftë, por Nijaziu u bë i gjithë Kosovës, me rënien e tij.

    “Dëshmorët vdesin vetëm një herë e për së dyti mund të vdesin nëse i harrojmë e nuk i përkujtojmë”, tha Fahrush Rexhepi, vëllai i dëshmorit Njazi Rexhepi.
    Luftëtar e trim, Njaziu u përshkrua edhe nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

    “Shqiptarët kanë qëndruar falë nënave që kanë kënduar për trimat për djemtë e rinj e vajzat, që në momente të historisë kanë mbetur shembuj e fanarë orientimi. E kjo e sotmja është një kallëzim për një hero që ka qenë në mes heronjve, një njëri që nuk ka ndalë aspak nga djersa e gjaku i tij për ditën e sotme, bëhuni të fortë e krenarë për ju që e keni pasë një njeri të përkushtuar kaq shumë”, tha Sejdiu.

    Luftimet në Betejën e Koshares u zhvilluan për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.
    Gjatë luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Beteja e Koshares, nisi në kuadër të operacionit “Shigjeta”, duke i hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

  • “Kur e pashë Afronën me lot në sy, me doli loti, edhe burrat qajnë”, Blero flet për herë të parë për takimin pas dy vitesh me ish-gruan

    “Kur e pashë Afronën me lot në sy, me doli loti, edhe burrat qajnë”, Blero flet për herë të parë për takimin pas dy vitesh me ish-gruan

    Mori vëmendje të madhe një promo e podcast-it të Blero Muharremit me Afrona Dikën. Një takim mes ish çiftit pas dy vitesh.

    Lidhur me këtë takim me Afronën, Blero ka folur për herë të parë.

    I ftuar në emisionin STUDIO A në ATV, ai dha detaje të shumta duke treguar se kanë folur për shumë gjëra të ndryshme, madje edhe se si erdhi deri te takimi mes dyshes.

    “E kam pa të arsyshme me shku edhe me taku Afronën edhe me folë disa gjana qe s’janë fol, na s’kena pasë kontakte dy vjet. Edhe Afrona ke dakord për atë takim, kemi fol me orë të tana për shumë sende, në ndërkohë thash qysh po të ec emisioni, tha shumë mirë, i thash a po don me ta dhezë emisionin , tha pse a ishe ardhë a, i thash gjithë, edhe vendosëm që me shku në emision. Ne i kemi borxh publikut se është folë shumë për ndarjen tonë. Afrona është e ndjeshme, edhe kemi kalu shumë sfida me Afronën, edhe burrat qajnë, edhe kur e pash atë me lot në sy, më shkoj edhe mu një lot”, tha Blero.

    Rrëfimin e tij të plotë e gjeni ën videon më poshtë:

  • Presidentja Vjosa Osmani uron Ditën e Goranëve

    Presidentja Vjosa Osmani uron Ditën e Goranëve

    Komuniteti goran është pjesë e çmueshme e diversitetit kulturor të Kosovës.

    Traditat dhe trashëgimia kulturore e komunitetit goran janë pasuri e Kosovës.

    Shumëetniciteti është gjithashtu vlerë e shoqërisë kosovare, ndaj do ta ruajmë këtë vlerë të çmueshme, sikurse do ta vazhdojmë mbështetjen institucionale për komunitetin goran.

    Urime Dita e Goranëve!

  • Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

    Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

    Me lot në sy, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dhënë lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të fëmijës së dytë të Alma Arrazit, nëna që i dha fund jetës duhe u hedhur në lumin Buna me tre fëmijët e saj.

    “Është gjetur trupi i fëmijës së dytë/ Dyshohet që edhe trupi i nënës dhe i fëmijs tjerë të jenë në këtë zonë. Kërkimet nga RENEA dhe peshkatarët e zonës do vijojnë edhe sot. Është një moment i rëndë, nuk gjej dot fjalët. I bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave në vend, të denoncojnë dhunën. Dhuna në familje, dhuna që çdo vajzë e grua përballet kur shkon në punë, në rrugë. E kam thënë shpesh, por erdhi dita ta them edhe me lot në sy, na duhet të shkëputemi nga kjo situatë. Të reagojmë të gjithë si shoqëri. Edhe kur vajzat nuk reagojnë dot, duhet të reagojnë të gjithë të tjerët. Na duhet të rrisim fuqinë tonë të marrjes së informacionit dhe të ndërhyrjes në kohë”, tha Balla.

  • Borrell: Izraeli të heqë dorë nga një ofensivë tokësore në Rafah

    Borrell: Izraeli të heqë dorë nga një ofensivë tokësore në Rafah

    Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është e papranueshme thirrja e Izraelit për evakuim të civilëve në Rafah.

    Me anë të një shkrimi në platformën X, ai ka theksuar se Tel Avivi zyrtar duhet të heqë dorë nga ofensivat tokësore në Rafah.

    “Urdhrat e evakuimit të Izraelit për civilët në Rafah parashikojnë më të keqen: më shumë luftë dhe krizë ushqimore. Është e papranueshme”.

    “Izraeli duhet të heqë dorë nga një ofensivë tokësore dhe të zbatojë Rezolutën 2728. BE-ja, me Komunitetin Ndërkombëtar, mund dhe duhet të veprojë për të parandaluar një skenar të tillë”, ka thënë Borrell.

  • Krasniqi: 27-vjet më parë ra heroikisht në altarin e lirisë, Luan Haradinaj

    Krasniqi: 27-vjet më parë ra heroikisht në altarin e lirisë, Luan Haradinaj

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar në përvjetorin e 27-të rënies heroin Luan Haradinaj.

    Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Haradinaj kishte rënë heroikisht në altarin e lirisë.

    “Ndonëse rrugëtimi i tij i fundit drejt Kosovës mbeti në gjysmë, ideali për Kosovën e lirë, për të cilin Luani u flijua, shërbeu si burim frymëzimi për brezat pasues të luftëtarëve dhe u finalizua me çlirimin e vendit”.

    “Sypatrembur e zemërluan, guximtar dhe atdhetar. Kështu do të kujtohet përherë heroi Luan Haradinaj. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka thënë Krasniqi në Facebook.

  • Jashari: Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush

    Jashari: Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush

    Në 27-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Luan Haradinaj, në Pejë është mbajtur Akademi Përkujtimore, raporton EO.

    Kryetari i Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush.

    “Luani dhe familja Haradinaj e kishin kuptuar me kohë se lirinë nuk ta dhuron askush. Se liria nuk falet por ajo fitohet me sakrficë e mbi të gjitha fitohet me luftë. E këtë luftë e bëri Luani, familja Haradinaj, e bërë të lavdishme UÇK-në. Çdo ditë duhet të kemi njerëz që janë të vendosur në diplomaci që për çdo ditë për çdo çast ta keni në mendje dhe shpirt luftën e lavdishme të UÇK-së dhe përpjekjet e pa rreshtuara të popullit për liri. Sot po vazhdon kjo padrejtësi, kur kihet parasysh që sot bashkëluftëtarët e lënë padrejtësisht mbahen në Hage”, ka thënë ai.

    Në emër të presidentes Vjosa Osmani, të pranishmëve me një fjalë rasti nga Zyra e Presidentes iu drejtua këshilltari ushtarak, Sefer Isufi i cili tha se flijimi i Luanit, sakrifica e pa shembullt e familjes Haradinaj, Gllogjanit, Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës janë shkëmb i fortë në kalanë e quajtur Republika e Kosovës.

    “Flijimi i Luanit, sakrifica e pa shembullt e familjes Haradinaj, Gllogjanit, Dukagjinit dhe të gjithë Kosovës janë shkëmb i fortë në kalanë e quajtur Republika e Kosovës e cila çdo ditë po zhvillohet dhe forcohet si një shtet dinjitoz me identitetin dhe historinë e dritshme që bëri gjeneral Luan Haradinaj dhe mijëra heronjë, dëshmorë e martirë të rënë”, ka thënë Isufi.

    Në emër të familjes Haradinaj fjalën e mori Luani i ri i cili mes tjerash tha se Luani dhe të gjithë luanët tjerë që i dolën zot atdheut u kujtofshin brez pas brezi.

    “Luani dhe të gjithë luanët tjerë që i dolën zot atdheut u kujtofshin brez pas brezi. Sakrifica e tyre është motiv jetësor për ne dhe brezat e rinjë dhe me besnikëri do ta ndjekim rrugën e tyre”, tha Luan Haradinaj.