ATV

Author: ATVLive

  • ​26 vjet nga rënia e Bahri Fazliut

    ​26 vjet nga rënia e Bahri Fazliut

    Më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi bie heroikisht Bahri Fazliu.

    Bahri Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Për disa vjet jetoi në ilegalitet dhe ishte kryeredaktor i revistës “Çlirimi”, e cila botohej nga LKÇK-ja.

    Bahri Fazliu ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor të vitit 1989 bashkë me Afrim Zhitinë bien heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

    Për nder të 20 vjetorit të rënies sot tek lapidari i vëllezërve Fazliu do të bëhen homazhe dhe nderime për veprën e tyre.

  • ​91 vjet nga lindja e Bilbilit të Kosovës

    ​91 vjet nga lindja e Bilbilit të Kosovës

    Nexhmije Pagarusha ka lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2022.

    Mbretëresha e Këngës Shqipe, Nexhmije Pagarusha e cila njihej si ikona e muzikës shqiptare, sot do të festonte ditëlindjen e 91-të, me një karrierë të bujshme për tërë këto vite.

    Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera. Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera. ”Baresha”, është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.

  • Ekskluzive: Drejtori i FC Suhareka tregon shifrën e ‘çmendur’ që klubi ka shpenzuar për hyrjen në Superligë

    Ekskluzive: Drejtori i FC Suhareka tregon shifrën e ‘çmendur’ që klubi ka shpenzuar për hyrjen në Superligë

    Lulzim Kolgeci, drejtori i klubit Suhareka është i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    Kolgeci në ATV, ka treguar se FC Suhareka ka shpenzuar jashtëzakonisht shumë për të arritur qëllimin inkuadrimin në ‘Albi Mall Superligë’,

    ‘Nëse FC Ferizaj ka shpenzuar 300-350 mijë euro për këtë edicion, ne kemi shpenzuar dyfshin e kësaj shume’ tha Kolgeci.

    Kujtojmë që përveç FC Suharekës edhe FC Ferizaj nga edicioni i ardhshëm do të jetë pjesë e ‘Albi Mall Superligës’.

    Për më shumë detaje ndiqeni emisionin më poshtë.

  • Rusia do të kryejë stërvitje me armë taktike bërthamore

    Rusia do të kryejë stërvitje me armë taktike bërthamore

    Rusia – e zemëruar nga ato që i cilëson si “deklarata provokuese” nga Perëndimi – tha se planifikon të kryejë stërvitje ushtarake, për të vlerësuar gatishmërinë e saj për të përdorur armë taktike bërthamore.

    Që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin ranë në nivelin më të ulët të mundshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

    Kjo, pasi aleatët perëndimorë të Ukrainës mbështetën luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse, duke e ndihmuar me armatim dhe logjistikë.

    Kjo është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shpall publikisht stërvitje, të cilat përfshijnë armë bërthamore taktike.

    Njoftimi erdhi pasi Britania dhe Franca bënë disa deklarata që dukej se tregonin përfshirjen më të madhe të tyre në konfliktin më shumë se 2-vjeçar.

    “Për të rritur gatishmërinë e forcave bërthamore jostrategjike, me qëllim kryerjen e misioneve luftarake, Shtabi i Përgjithshëm ka filluar përgatitjet për mbajtjen e stërvitjeve në një të ardhme të afërt”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë përmes një deklarate të shpërndarë në aplikacionin Telegram.

    “Gjatë stërvitjes do të kryhen një sërë aktivitetesh për të praktikuar përgatitjen dhe përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike”, thuhet në deklaratë.

    Aty theksohet, po ashtu, se stërvitja është urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin.

    Roli i armëve bërthamore strategjike është t’i godasin objektivat e armikut larg vijës së frontit, ndërsa armët bërthamore taktike janë krijuar për t’u përdorur në fushat e betejës.

    Rusia ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.

    Stërvitja ka për qëllim t’i rrisë aftësitë e ushtrisë ruse “për të siguruar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit rus”, në përgjigje të “deklaratave provokuese dhe të kërcënimeve të zyrtarëve perëndimorë ndaj Federatës Ruse”, thuhet në deklaratë, pa u dhënë detaje të tjera.

    Javën e kaluar, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përsëriti deklaratën se vendi i tij nuk mund ta përjashtojë dërgimin e trupave në Ukrainë, për ta ndihmuar atë në luftë.

    Zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, u duk se i dhanë Kievit dritën jeshile për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi – të dërguara në Ukrainë – për të goditur objektiva brenda Rusisë.

    Deri më tani në konflikt, Britania e Madhe i ka dhënë udhëzime Ukrainës, duke i sugjeruar që armët me rreze të gjatë të përdoren vetëm brenda territorit sovran të Ukrainës.

    Në fundjavë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se “NATO-ja po përgatitet për një konflikt të mundshëm” me Rusinë dhe përmendi stërvitjet e aleancës ushtarake Steadfast Defender si “dëshmi” për këtë.

    Këto stërvitje që do të vazhdojnë edhe këtë muaj, përfshijnë mbi 90.000 trupa të NATO-s.

    NATO-ja ka thënë se, gjatë tyre, do të praktikohet se si trupat amerikane mund t’i përforcojnë aleatët evropianë në shtetet që janë në kufi me Rusinë dhe në krahun lindor të aleancës, në rast të ndonjë konflikti. /REL

  • Policia e Gjakovës konfiskon 70 motoçikleta për tre ditë, shkak kundërvajtjet në trafik

    Policia e Gjakovës konfiskon 70 motoçikleta për tre ditë, shkak kundërvajtjet në trafik

    Për tri ditë Policia e Gjakovës ka konfiskuar 70 motoçikleta për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe kundërvajtjeve tjera.

    “Nga data 03.05.2024 deri me datën 05.05.2024, duke marr parasysh numrin e madh të kundërvajtjeve që shkaktojnë drejtuesit e motoçikletave, janë ndërmarr masa preventive dhe ndëshkuese ndaj tyre me ç’rast janë konfiskuar shtatëdhjetë (70) motoçikleta për kundërvajtje të ndryshme si: tejkalim i shpejtësisë, mos vendosja e helmetës mbrojtëse, pa regjistrim dhe pa doganim etj”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke vazhduar me aktivitete policore me qëllim zvogëlimin e aksidenteve në përgjithësi si dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor.

    Si rrjedhojë e këtij angazhimi, nga data 03.05.2024 deri me datën 05.05.2024, duke marr parasysh numrin e madh të kundërvajtjeve që shkaktojnë drejtuesit e motoçikletave, janë ndërmarr masa preventive dhe ndëshkuese ndaj tyre me ç’rast janë konfiskuar shtatëdhjetë (70) motoçikleta për kundërvajtje të ndryshme si: tejkalim i shpejtësisë, mos vendosja e helmetës mbrojtëse, pa regjistrim dhe pa doganim etj.

    Përveç masave ndëshkuese ndaj motoçiklistëve, gjatë këtyre tri (3) ditëve janë shqiptuar edhe katërqind e dy (402) gjoba të tjera për kundërvajtës të tjerë për: tejkalim të shpejtësisë, tejkalime në vendet e ndaluara, përdorim të telefonit gjatë ngasjes, mos vendosje të rripit të sigurisë dhe kundërvajtje tjera, si dhe janë konfiskuar 11 patentë shoferi.

    Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë do të vazhdon me marrjen e masave të ndryshme preventive dhe ndëshkuese, gjithmonë me qëllim të ngritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve, sidomos ato me pasoja të rënda.

  • Të burgosurit e kërkojnë Ligjin për amnistinë

    Të burgosurit e kërkojnë Ligjin për amnistinë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Të burgosurit në Kosovë duan që një kërkesë e tyre t’i kalojë grilat, e të mbërrijë tek institucionet shtetërore.

    Ata po kërkojnë miratimin e Ligjit për Amnistinë, falë të cilit do ta fitonte lirinë një pjesë e të burgosurve.

    Kërkesën e tyre po e përkrah Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Behxhet Shala thotë se rreth 30 për qind e të burgosurve mund të lirohen, meqë nuk përbëjnë ndonjë rrezik për shoqërinë.

    “Kosova e meriton ta ketë një ligj për amnisti, i cili do të zbatohej në raste të veçanta p.sh. në ndonjë përvjetor, ose shpallje të pavarësisë, dhe mendoj se po të bëhej një ligj për amnisti në bazë të të dhënave që i kemi, 30 për qind e të dënuarve do të mund të liroheshin pa asnjë rrezik”, tha Shala.

    Presidentja Vjosa Osmani nuk e ka falur me dekret asnjë të burgosur gjatë mandatit të saj, deri tash, ndonëse kishte mbi 500 kërkesa.

    Avokati Arbër Jashari thotë se presidentja duhet ta ushtrojë këtë të drejtë, sikur paraardhësit e saj.

    Në kohën e presidentit Sejdiu është shfrytëzuar më së shumti e drejta e faljes dhe ai e ka shfrytëzuar dhe ka falur. Edhe presidenti Thaçi ka falur, ndonëse disa falje të tij janë përcjellë me polemika. Presidentja nuk duhet të frikësohet nga paragjykimet se nëse e fal një të burgosur, mund të thotë diçka”, tha Jashari.

    Jashari konsideron se shumë të burgosur tashmë janë risocializuar dhe vetëm sa e dëmton buxhetin e shtetit qëndrimi i tyre në qendrat korrektuese.

    Mbi 1600 persona i vuajnë dënimet nëpër burgjet e Kosovës.

    Aktualisht një i burgosur shtetit i kushton rreth 800 euro në muaj, ndërkaq për të gjithë, shteti paguan afro 1.4 milion çdo muaj.

  • Rritet numri i femrave dhe fëmijëve 10-11 vjeç që abuzojnë me drogë

    Rritet numri i femrave dhe fëmijëve 10-11 vjeç që abuzojnë me drogë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Kurioziteti, kushtet e dobëta ekonomike e familjare po vlerësohen faktorët kryesorë në rritjen e numrit të përdoruesve të drogës në Kosovë.

    Në këtë listë, sipas drejtorit të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, kanë hyrë edhe femra e fëmijë të moshave 10 e 11 vjeç.

    “Mund të konstatoj se nga informatat që ne i kemi se shënon rritje numri i femrave që abuzojnë me substanca psikopative e posaçërisht me kokainë dhe është një dukuri që duhet hulumtua”, tha Kutllovci.

    Krahas numrit të madh të përdoruesve të drogës, edhe hapësirat e qendrave rehabilituese nuk po mjaftojnë.

    Në klinikën e psikiatrisë në QKUK, kanë kërkuar trajtime 35 persona, ndërkohë që klinika posedon vetëm nëntë shtretër.

    “Në repart kemi nëntë shtretër, të cilët janë në shërbim të personave që kërkojnë këto shërbime në klinikën tonë dhe në tremujorin e parë diku rreth 35 persona kanë kërkuar ndihmë… Në qoftë se përpara kemi konstatuar që diku mosha kur fillohet me abuzimin me këto substanca ka qenë 14-15 vjeçare, tani është edhe shumë e ulët, kemi pasur raste 10-11 vjeçar”, tha Kutllovci.

    Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë se përdorimi i drogave, sidomos marijuanës, ka efekte të shumta negative.

    “Marihuana po e zgjon edhe një kod gjenetik që ndoshta është i fjetur dhe po manifestohet edhe çrregullimi psikotik, dhe kur të vjen deri te çrregullimi psikotik, atëherë nuk ka më kthim mbrapa, aty vetëm çka mundet pak me u funksionalizua, por kurrë nuk mundet me u shërua plotësisht… Përdorimi i drogave apo hyrja në varshmëri prej tyre nuk është një portë të cilën e hap dhe hyn, por thjesht rrëshqet aty dhe e kupton shumë më vonë se ke krijuar një varshmëri prej drogave”, tha Rexhepi.

    Ndërsa, 2840 persona kanë kërkuar trajtim të thellë në Qendrën “Labirint” e shumë të tjerë nuk janë paraqitur asnjëherë në databazë.

    Sipas Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë arrestuar për substanca narkotike 159 persona, prej tyre 10 të mitur nga mosha 14-18 vjeç.

    Ndërsa, gjatë vitit 2023 janë arrestuar 859 persona, prej të cilëve 74 kanë qenë të mitur.

  • Rinovimi i Teatrit Kombëtar, projekti ende në fazat e hershme

    Rinovimi i Teatrit Kombëtar, projekti ende në fazat e hershme

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ushtrimet e shfaqjet, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, tash e dy vjet, po i realizojnë në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë.

    Për shfrytëzimin e kësaj hapësire, Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit, paguan rreth 180 mijë euro në vit.

    “Në hapësirat e Pallatit të rinisë kemi edhe Teatrin e Kosovës, shuma është diku rreth 14 – 15 mijë euro, me të gjitha shërbimet që ofrohen”, tha Mrikë Gashi, kryeshefe ekzekutive e Pallatit të Rinisë.

    Kalimi në Sallën e njohur si salla e kuqe, nuk i ka pëlqyer qysh nga fillimi drejtorit të Teatrit, Kushtrim Sheremeti. Ky thotë se është dashur të intervenohet disa herë në të, për shkak të kushteve të vështira.

    “E kemi nisë këtë punë që mos me ndal teatrin, aq më shumë që ka qenë veç mos të ndalet kushto. Ka qenë shumë sfiduese, por ja kemi dal që nga marsi e kemi pas edhe një renovim, dhe tash e kemi një rinovim e kemi çu tavanin ma lartë e kemi ndërruar ulëset. Kemi kriju kushte por nuk është optimalja por minimalja”, tha drejtori i Teatrit Kombëtar.

    Aktorët do të vazhdojnë t’i mbajnë këtu aktivitetet edhe për një kohë, meqë ende nuk kanë nisur punimet për restaurimin e Teatrit.

    Madje nuk dihet as kur do të fillojnë, meqë Ministria e Kulturës është në faza të hershme të projektit.

    “Në lidhje me projektin e restaurimit dhe konservimin të Teatrit Kombëtar të Kosovës ju informojmë se tashmë është hartuar projekti zbatues për restaurim dhe konservim dhe Ministria këtë javë planifikon të hap procedurë e prokurimit për zbatimin e projektit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

    Vendimin për kalimin e përkohshëm në hapësirat e pallatit të rinisë, MKRS-ja, e kishte marrë në korrik të 2022-ës. Këto hapësira shfrytëzohen për ushtrime edhe nga Trupa e Baletit dhe Operës.

  • Me masa mbrojtëse e në seancë private përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të

    Me masa mbrojtëse e në seancë private përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të

    Përgatiti: Nora Luta

    Më pak se ishte planifikuar ka zgjatur dëshmia e dëshmitarit të 61-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Por, edhe seanca që është zhvilluar në Hagë, të hënën paradite ka qenë kryesisht e mbyllur për publikun, pasi dëshmitari dëshmoi me masa mbrojtëse.

    Sipas përshkrimit të ZPS-së, dëshmitari pretendon se ishte ndalur gjatë periudhës së luftës nga ushtarë të UÇK-së.

    “Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe është ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente ndalimi të UÇK-së, disa javë. Dëshmitari 01978 do të japë dëshmi rreth kushteve ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit, si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë, të mbajtur bashkë me atë”, tha Vega Lodice, prokurore e ZPS-së.

    Ndërkohë, qysh në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, teksa tregoi për vendimet rreth disa materialeve të dëshmitarëve që tashmë kanë dëshmuar, numëroi deri tash 105 dëshmitarë të ZPS-së.

    Smith u ka bërë thirrje palëve për përpjekje të vazhdueshme për punë të mirë, në mënyrë që, sipas tij, procesi të jetë i drejtë dhe efikas.

    “Ka ende shumë punë për të bërë. Le të vazhdojmë të përpiqemi që ky gjykim të vazhdojë të jetë sa më i drejtë, sa më i shpejtë, sa më efikas. Deri tani janë dëgjuar 60 dëshmitarë, duke përfshirë edhe ata sipas rregullës 154, 13 dëshmitarë sipas rregullës 153 dhe janë pranuar deklaratat e 33 dëshmitarëve, që ose kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për të dhënë dëshmi, gjë që parashihet me rregullën 155”, tha Smith.

    Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve nga 320 dhe brenda këtij muaji, sipas gjykatës, pritet të japin një parashtrim për numrin e dëshmitarëve që planifikojnë t’i thërrasin.

    Gjykimi për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të martën.

  • Djegia e kontejnerëve, kërkohet me urgjencë vendosja e kamerave të sigurisë

    Djegia e kontejnerëve, kërkohet me urgjencë vendosja e kamerave të sigurisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Komuna e Prishtinës u desh të sjellë kontejnerë të rinj në lagjen Pejton, pasi dikush ua vuri flakën të vjetërve. Por shenjat e zjarrit kanë mbetur ende këtu.

    Ngjashëm kishte ndodhur në lagjen Dardania. Personat, ende të paidentifikuar, veprën e kishin kryer në mes të ditës.

    “Shumë jonë tu i djegë, nëse nuk merret diçka na e vuajmë, krejt na bjen fryma erën e tyre…”, tha Shefqet Zogiani, qytetar.

    Për sigurinë e banorëve, por edhe që të identifikohen kryerësit, kërkohet vendosja e kamerave të sigurisë.

    “Një cigare me gjuajtë duhet të dënohet, mbesin për gjithë, kamera është një lloj sigurimi ku çdo gjë parashihet ndërmerret dhe identifikohet me kohë çfarë kanë bërë…”, tha Gani Sefedini, qytetar.

    Aktivistët alarmojnë se këto vepra janë të rrezikshme.

    “Kishte mundur me pasë edhe dëme në njerëz, me u kallë banesat përreth…”, tha Luan Hasanaj nga organizata “Let’s do it Kosova”.

    Pamjet e tilla nuk po u pëlqejnë as vizitorëve në kryeqytet.

    “Ky ka qenë një fenomen që ka ndodhur edhe në Tiranë, pra procesi i qytetërimit nuk është me komanda, mendoj që dalë ngadalë do të hyjmë në fazën e qytetërimit… nëse personat përgjegjës do ishin vendosë para përgjegjësisë publike normal që do të ishte më mirë se sot”, tha Alfred Duka, vizitor.

    Lidhur me zjarrvënien në kontejnerë, televizioni ka provuar ta kontaktojë ndonjërin nga zyrtarët komunalë të Prishtinës, por të hënën ishin të paqasshëm.

    Në fund të muajit mars, komuna kishte sjellë 366 kontejnerë të rinj dhe i shpërndan në lagjet që ka nevojë.