ATV

Author: ATVLive

  • Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, u kërkon mbështetjen në KiE

    Kurti takon ambasadorët e QUINT-it, u kërkon mbështetjen në KiE

    Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, ka njoftuar për atë se çfarë është biseduar në takimin e kryeministrit Kurtit me ambasadorët e QUINT, raporton Periksopi.

    Aty thuhet se në takim është folur për hapat e tjerë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Por këtu Kurti, në takim ka thënë se Kosova ka plotësuar çdo kerkesë për t`u pranuar në këtë organizëm ndërkombëtarë, duke thënë se çdo kerkesë apo kusht tjetër, është e panevojshme, duke aluduar në kërkesën e Francës dhe Gjermanisë, që draft statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese para 17 majit.

    “Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës. Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qeverisë.

    Njoftimi i plotë:

    Kryeministri Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

    Kryeministri theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate. Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit. Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës.

    Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29).

    Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

    Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10.

    Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel.

    Ai i bëri thirrje shteteve aleate të Kosovës, shteteve të QUINT-it që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës me 17 maj në përputhje me vlerësimet nga vetë institucionet e Këshillit të Evropës, dhe mbi bazën e arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore. Në kohën kur autokracitë në Evropë janë në rritje dhe po cenojnë çdo herë e më shumë demokracinë, sigurinë dhe paqen, arritjet demokratike të Kosovës duhet të festohen nga demokracitë perëndimore.

  • ​Gjergj Kastrioti quhet profet i shqiptarëve

    ​Gjergj Kastrioti quhet profet i shqiptarëve

    Një numër i madh i qytetarëve e personalitete nga fusha të ndryshme janë mbledhur në Prishtinë për të festuar ditëlindjen e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

    Ata kanë ecur nga sheshi “Xhorxh Bush” nëpër Sheshin “Nënë Tereza” deri në Sheshin “Skënderbe”, e ku e gjithë ecja është përcjellë me performancën e Xhevat Limanit si Skënderbeu.

    Limani gjatë këtij marshimi tha se sot është një ditë shumë e veçantë për çdo shqiptar.

    “Kjo është ditë e madhe e popullit shqiptar është një ditë shumë e veçantë për shqiptaret e Kosovës që kremtojnë me dinjitet dhe devotshmëri ditëlindjen e krehurit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Do të marshojmë me dinjitet për ta nderuar profetin e shqiptareve Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha ai.

    Manifestimi është organizuar nga Organizata Shqiptaria, Korporata Kryeziu, shoqatat simotra: Kufijtë e Arbrit, Lëvizja e Deçanit, mbështetur nga organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe Shoqata Artistët për Artistë.

  • ​Sulmohen me shishe xhami automjetet e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Leposaviq

    ​Sulmohen me shishe xhami automjetet e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në Leposaviq

    Një veturë pa targa ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it amerikan në fshatin Miokovicë të Leposaviqit.

    Sipas policisë, sulmi ka ndodhur sot rreth orës 04:00, derisa policia dhe KFOR ishin në patrullim të përbashkët.

    “I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshatë. Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuare shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen. Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim.

  • ​Enrique: Ndaj Dortmundit luajmë vetëm për fitore

    ​Enrique: Ndaj Dortmundit luajmë vetëm për fitore

    PSG dëshiron të arrijë në finalen e Ligës së Kampionëve. Skuadra e Luis Enrique -s, e freskët nga fitorja e Ligue 1, është gjithashtu në kërkim të suksesit në Evropë. Nesër Borussia Dortmund do të mbërrijë në “Parc des Princes” për ndeshjen e dytë gjysmëfinale. 1 majin e kaluar, në ndeshjen e parë, gjermanët fituan 1-0 falë golit të Füllkrug. Prandaj, gjithçka është ende e hapur.

    “Nëse gjërat shkojnë keq, ne do të duhet të jemi gati. Kemi kaluar të gjithë sezonin duke folur për ndeshjet me lojtarët. Unë iu thashë të mos ankohen nëse bëjnë gabime në fushë. Por përkundrazi, të vazhdojë të qëndrojë në lojë. Si sportist do të duartrokisnim kundërshtarin edhe nëse nuk e meritonte. Do ta urojmë dhe të nesërmen do të jemi absolutisht të neveritur nëse gjërat shkojnë keq”, tha Luis Enrique, përcjellë KosovaPress.

    “Objektivi nuk është të fitojmë me dy gola, por të fitojmë ndeshjen. Nëse do të shënonim dy gola shumë shpejt, e dimë që kundërshtari do të duhet të reagojë. Gonçalo Ramos si titullar? Unë kam besim të plotë te të gjithë lojtarët e mi Çdokush mund ta fillojë ndeshjen nga minuta e parë”, shtoi ai.

    Në fund, Enrique foli edhe për rolin e Mbappes në këto ndeshje.

    “Ne kemi një qëllim të përbashkët, prandaj ne gjithmonë përpiqemi të marrim topin nga prapa dhe t’u shërbejmë sulmuesve në mënyrën më të mirë. Lojtarët mund të jenë të shkëlqyer, por ata duhet të ndihmojnë në mbrojtje dhe mbrojtësit tanë duhet të na ndihmojnë të çojmë topin përpara”, theksoi ai.

  • Përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të, pezullohet pjesa tjetër e seancës në rastin e Thaçit e të tjerëve

    Përfundon dëshminë dëshmitari i 61-të, pezullohet pjesa tjetër e seancës në rastin e Thaçit e të tjerëve

    Dëshmia e dëshmitarit të 61-të përfundoi më herët se që ishte planifikuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi se dëshmitari i radhës është me videolidhje dhe është e pamundur që ai të dëshmojë sot, kështu duke u pezulluar pjesa e mbetur e seancës.

    “Me sa dukët për sot mbaruam. Dëshmitarin e radhës nuk e ofrojmë dot që të fillonim tani sepse është me videolidhje. Seanca ndërpritet këtu dhe fillojmë nesër në orën 09:00”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.ZPS për dëshmitarin e 61-të: Ka qenë i arrestuar, do të identifikojë ushtarë të UÇK-së dhe persona me të cilët ka qenë i ndaluarNë Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 61-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mban kodin 01978 në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e ZPS-së, ai është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarët e UÇK-së dhe gjatë dëshmisë së tij do të flas për këtë çështje e po ashtu do të bëjë identifikimin e disa ushtarëve dhe të bashkëndaluarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente ndalimi të UÇK gjatë disa javën. Dëshmitari 01978 do të jep dëshmi rreth kushteve ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë të mbajtur bashkë me atë”, tha përfaqësuesja e ZPS-së.

    Pas leximit të përmbledhjes dhe pranimit të disa provave duke përfshirë dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët, prokurorja tha se nuk ka pyetje për dëshmitarin. Me pyetje vazhdoi mbrojtja e viktimave, Maria Radziejowska e cila kërkoi që të kalohet në seancë private e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.

    Sipas trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari është planifikuar që të zgjasë rreth tri orë. Ai tha se 45 minuta janë paraparë për pyetjet e ZPS-së, 15 për mbrojtësin e viktimave dhe rreth dy orë për të gjithë avokatët mbrojtës.

    Përpara kësaj, trupi gjykues mori disa urdhra me gojë që kishin të bënin me prova materiale konkrete të dëshmitarëve që tashmë kanë dhënë dëshmi.

    Charles Smith III, po ashtu shprehu mirënjohje për palët në procedurë dhe punën që kanë bërë gjatë këtij procesi gjyqësor duke shtuar se mund të bëjnë punën e tyre edhe më mirë për një gjykim më të drejtë, efikas dhe më të shpejtë.

    Ai tha se Prokuroria e ka reduktuar numrin e dëshmitarëve nga 320 dhe brenda këtij muaji pritet që të japin një parashtrim për numrin e dëshmitarëve që planifikojnë të thërrasin.

    Po ashtu, ai tha se deri tani janë dëgjuar 60 dëshmitarë duke përfshirë edhe ata sipas rregullës 154, 13 dëshmitar sipas rregullës 153 dhe janë pranuar deklaratat e 32 dëshmitarëve që ose kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për të dhënë dëshmi e që kjo parashihet me rregullën 155. Pra, kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitarë të prokurorisë deri më tani kanë qenë 105 duke përfshirë të lartacituarit.

    Gjatë kësaj kohe, Smith III tha se janë marrë mbi 300 vendime nga trupi gjykues.

  • Hendboll/ Kosova mposht Malin e Zi

    Hendboll/ Kosova mposht Malin e Zi

    Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll e ka nisur në mënyrën më të mirë paraqitjen në Kampionatin Mesdhetar. Të hënën në Ankara të Turqisë, djemtë e kombëtares fituan ndaj Malit të Zi me rezultat 23:20.

    Është kjo njëra prej fitoreve më të mëdha të grupmoshave të reja të Kosovës deri më tani. Kombëtarja kosovare ka dominuar nga fillimi. Kishte lojë efikase në sulm, ndërsa edhe mbrojtja ishte në nivel.

    Shpejtë Kosova U18 krijoi epërsi prej 6:2. Periudha e parë prej 15 minutash përfundoi 7:4 për Kosovën, transmeton KP.

    Me lojë të mirë të rinjtë vazhduan edhe në periudhën e dytë, të cilën e fituan 12:9. Pra vazhdimisht mbajtën epërsi të lartë.

    Lojtarët e Mali të Zi kërkuan rikthimin e madh në periudhën e tretë. U afruan në tri gola, por pa bërë përmbysje të rezultati. Kosova ruajti qetësinë në fund për fitoren e vlefshme.

    Sot Kosova luan edhe ndaj Irakut.

  • ​Onana: Kush mund t’i thotë jo Manchester Unitedit

    ​Onana: Kush mund t’i thotë jo Manchester Unitedit

    Ish- portieri i Interit, aktualisht në mbrojtje të portës së Manchester United , André Onana, ka dhënë një intervistë përmes kanaleve sociale të klubit anglez, në të cilën ka folur për sezonin e skuadrës së Erik Ten Hag. “Djajtë e Kuq” janë aktualisht në vendin e tetë në Premier Ligë. Prandaj Evropa është ende një objektiv konkret për United, të cilin ata mund ta arrijnë nga tani deri në fund të sezonit.

    Portieri kamerunas theksoi se ky sezon ishte shumë i vështirë për Manchester United, duke thënë se përgjegjësia është e secilit lojtar, përcjellë KosovaPress.

    “I gjithë sezoni ka qenë i vështirë për të gjithë ne, si individë dhe si grup. Por ne duhet të jemi gjithmonë pozitivë sepse nuk mendoj se e humbëm vendin tonë në Evropë kundër Burnley-t dhe të gjithë duhet të marrim përgjegjësi. Unë e nis nga vetja, gjithmonë. Ishte një sezon i vështirë. Nëse vendosni gjithçka në tavolinë, mund të flisni për shumë gjëra, si lëndime, lojtarë, fat të keq. Por ne jemi Manchester United, jemi një klub kaq i madh, kështu që nuk mund të flasim për këtë. Duhet të qëndrojmë pozitivë. Ndeshja e javës së kaluar ka përfunduar dhe nëse sezoni nuk është më i miri, jam i sigurt se tjetri do të jetë më i mirë”, tha Onana.

    Ai më pastaj foli edhe për vendimin e tij për të kaluar nga Interi tek Manchester United.

    “Kur kthej kokën pas, buzëqesh sepse ishte një mësim i madh për mua. Por në fillim mendova: ‘Uau, a bëra zgjedhjen e duhur?’ Por jam 100% i sigurt se kam bërë zgjedhjen e duhur sepse Manchester United është klubi më i madh në këtë vend, është një nga klubet më të mëdha në botë. Kush do të thoshte jo për të ardhur dhe për të luajtur për këtë klub të bukur? “.

  • ​Pogba i futet industrisë së filmit

    ​Pogba i futet industrisë së filmit

    Fituesi i Kupës së Botës, Paul Pogba, do të luajë në një film francez që do të shfaqet në prill të vitit 2025 pas xhirimit të skenave në Paris këtë javë, kanë konfirmuan burimet për “ESPN” të hënën.

    Pogba po vuan një pezullim katër-vjeçar për shkeljes së rregulla kundër dopingut që u dha në shkurt. Ish-futbollisti francez tha në atë kohë se ai kurrë nuk ka marrë qëllimisht substanca të ndaluara dhe ka planifikuar të apelojë vendimin.

    Filmi quhet “4 Zéros”, dhe është një vazhdim i një “3 Zéros” të suksesshëm, të lëshuar në vitin 2002, përcjellë KosovaPress.

    Sipas gazetës franceze “Le Parisien”, e cila raportoi për herë të parë për rolin e Pogbas në film, 31-vjeçari do të luajë një trajner futbolli të ekipit të të rinjve.

    Apelimi i Pogbas për akuzën për doping do të shqyrtohet nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), dhe nëse apelimi i tij do të jetë i suksesshëm, dënimi i tij mund të reduktohet.

  • ​Grafitet që provokojnë qytetarët shqiptarë

    ​Grafitet që provokojnë qytetarët shqiptarë

    Grafite të shumta me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, të shkruara tek cepi verior i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, provokojnë tejmase qytetarët shqiptarë, sidomos ata të cilët frekuentojnë për çdo ditë këtë urë.

    ‘Ratko Mlladiq hero i popullit’, ‘Do ta shpërthejmë murin’, ‘Kosova është zemra e Serbisë’, të shkruara në alfabetin cirilik të serbishtes, janë vetëm disa nga mbishkrimet, për të cilat qytetarët shqiptarë thonë se duhet të shlyhen sa më parë nga institucionet, sepse janë provokuese për ata, shqetësuese dhe nxisin urrejtje.

    Asllan Zogu, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se institucionet komunale, në të cilat tashmë janë shqiptarët në atë pjesë, por edhe ato qendrore, duhet t’i shlyejnë sa më parë këto grafite, sepse janë provokuese.

    ‘Mu në atë vend ku janë ato grafite anti shqiptare, aty ka qenë xhamia të cilën e kanë rrënuar. Qeveria jonë duhet me ndërmarrë diçka tash, pasi po funksionon pjesa veriore me shqiptarë. Merreni me mend, Ratko Mlladiqin e quajnë hero të popullit… Ato grafite janë provokative dhe institucionet tona kishte qenë mirë me i fshi’, ka thënë Zogu.

    Edhe Burhan Nuhi, një mitrovicas tjetër nga veriu i këtij qyteti, grafitet e tilla i ka quajtur anti shqiptare, shqetësuese dhe provokim të hapur.

    ‘Grafitet janë anti shqiptare dhe shqetësuese… I bëj thirrje institucioneve që këto grafite me i eliminu dhe me i fshi. Me marrë masa sa më shpejtë, ky është provokim’, theksoi Nuhi.

    Ndërkaq, Bardhyl Dobroshi, drejtor i organizatës joqeveritare ‘Futja ngjyrë’, në Mitrovicë, organizatë kjo e cila shquhet për murale të bukura me mesazhe për paqen, bëri të ditur se ato grafite meqë janë të shkruara në mermer, është më mirë të pastrohen dhe shlyhen me ujë.

    Sipas tij, nganjëherë me ngjyrë vetëm sa prishen gjërat.

    ‘Ajo pjesa në fjalë ku ka më shumë shkrime anti shqiptare thjeshtë të cilat nuk ishte dashur të jenë aty, janë të shkruara në mermer… Mermeri është më i shtrenjtë sesa spreji dhe ngjyrat me të cilat e kishim bërë. Tani nuk na duket e arsyeshme me ia futë ngjyrë në një vend ku thjeshtë më shumë kishim bërë dëm sesa që kishim bërë mirë… Aty mundet me ujë me presion me u largu ato mbishkrime dhe ajo pjesë me u kthy qysh ka qenë. Problemin e njëjtë ne e kemi pasur në jug të Mitrovicës, te objekti i ATK-së. Në këtë objekt ka pasur shumë shkrime dhe parulla dhe në vend se t’i fshijnë ato parulla, e kanë ngjyrosur me polikollor. Dhe në fund u fshi mermeri, një objekt që ka qenë shumë i bukur, tani duket një objekt bazik me tulla dhe vetëm sa e ka prishur ngjyra. Nganjëherë me ngjyrë veç i prishim gjërat’, u shpreh për KosovaPress Dobroshi.

    Në anën tjetër, Veton Elshani, ushtrues i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, tha se policia ka hapur shumë raste për mbishkrime të tilla në mbarë veriun e vendit.

    Ai shtoi se deri tani nuk është arrestuar askush për këto grafite tek ura e Ibrit.

    ‘Kemi mbishkrime me përmbajtje të cilat nxisin urrejtje ose që ne kemi hapur raste për to për përçarje, nxitje të urrejtjes, nëpër tërë veriun e vendit. Po, ka grafite aty, me siguri kemi hapur raste për to, sepse kemi shumë raste të hapura për raste dhe ngjarje të tilla, dhe nuk kemi persona të arrestuar, përveç sa di unë një rasti tash para dy ditësh që kemi arrestuar një person për shkruarje të këtyre grafiteve me nxitje të urrejtjes. Mirëpo, çështja jonë nuk është me u marrë me shlyerje ose largimin e tyre prej vendit ku janë shkruar’, sqaroi Elshani.

    KosovaPress-i ka provuar për dy ditë me radhë të kontaktojë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq rreth kësaj problematike, mirëpo ai nuk ka qenë në Komunë.

    Ndryshe, këto grafite në këtë vend janë shfaqur para më shumë se një viti, ndërsa mbishkrime të ngjashme vërehen edhe nëpër lokacione të ndryshme në mbarë veriun, të cilat supozohet se janë shkruar pas tensioneve të shtuara mes Kosovës dhe Serbisë. /KP/

  • Messi kërkon ta thyej një tjetër rekord botëror

    Messi kërkon ta thyej një tjetër rekord botëror

    Lionel Messi mahniti sërish botën e futbollit me paraqitjen e tij në fitoren 6-2 të Inter Miamit ndaj Red Bull New York-ut, ku argjentinasi shënoi një gol dhe dha pesë asistime.

    Ai është i vetmi futbollist në historinë e Kampionatit të Futbollit të Amerikës së Veriut që mund të mburret me këtë dhe kryeson me dhjetë gola (njëlloj si Luis Suarez) dhe me nëntë asistime.

    Hapi i radhës për Messin do të ishte të kalonte rekordin e një tjetër futbollisti legjendar. Kolumbiani Carlos Valderamma pati 26 asistime në MLS 24 vjet më parë për Tampa Bay, përcjellë KosovaPress.

    Messi nuk është larg rekordit të të gjitha kohërave për asistime, i mbajtur nga hungarezi Ferenc Puskás, i cili luajti në vitet 1940-1960 për Honved Budapest, Real Madrid, Hungari dhe Spanjë.

    Në këtë renditje ku përfshihen emra të mëdhenj të futbollit ka hyrë edhe braziliani Alex de Souza, i cili luajti tetë vite në Turqi, te Fenerbahçe, ku bëri karrierën e tij. Edhe pse ai ka mbi 50 paraqitje edhe për Brazilin, ai nuk ka qenë një nga lojtarët kryesorë për Selecao.

    Kjo është lista me top-10 asistuesit në historinë e futbollit:

    1. Ferenc Puskás (Hungari) 404 asistime

    2. LIONEL MESSI (Argjentinë) 372

    3. Pele (Brazil) 369

    4. Alex de Souza (Brazil) 363

    5. Johann Cruyff (Holandë) 358

    6. Luis Figo (Portugali) 283

    7. Ryan Giggs (Uells) 277

    8. Angel Di Maria (Argjentinë) 263

    9. David Beckham (Angli) 259

    10. Neymar (Brazil) 253

    Megjithatë, deri atëherë, me 833 gola dhe 372 asistime në karrierën e tij, Lionel Messi u bë lojtari i parë në histori që ka kaluar kufirin prej 1200 gola kontributesh, pra gola dhe asistime.