ATV

Author: ATVLive

  • Putini betohet për herë të pestë si president i Rusisë

    Putini betohet për herë të pestë si president i Rusisë

    Vladimir Putin është betuar sot si president i Rusisë në një ceremoni luksoze në Kremlin, duke nisur një mandat të pestë rekord me më shumë pushtet se kurrë më parë.

    Shefi 71-vjeçar i Kremlinit ka udhëhequr Rusinë që nga fillimi i shekullit, duke siguruar një mandat të ri gjashtë-vjeçar në mars, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale pa çdo kundërshtim, përcjell klankosova.tv.

    Zyrtarë qeveritarë dhe diplomatë të huaj në Moskë janë ftuar në ceremoni, përfshirë ambasadorin francez Pierre Levy, i cili pritet të marrë pjesë.

    Vende të tjera evropiane, përfshirë Poloninë, Gjermaninë dhe Republikën Çeke, kanë sinjalizuar se nuk do të dërgojnë përfaqësues në mes të tensioneve të acaruara për konfliktin në Ukrainë.

    Fitorja dërrmuese prej 87 për qind e Putinit në zgjedhjet presidenciale u provua nga shumica e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe u hodh poshtë si e manipuluar nga opozita dhe grupet e të drejtave.

  • Pas fëmijëve, gjendet edhe trupi i Alma Arrazit në lumin Buna

    Pas fëmijëve, gjendet edhe trupi i Alma Arrazit në lumin Buna

    Është gjetur edhe trupi i 39-vjeçares Alma Arrazi, e cila u vetëhodh në lumin Bunë të Shkodrës bashkë me 3 fëmijët.

    Trupi i djalit të vogël u gjet paraditen e sotme, ndërsa po ashtu është gjetur edhe trupi i dy vajzave, 9 dhe 8 vjeçe.

    Tragjedia ndodhi më 2 maj, kur dyshohet se Alma Arrazi në kushte të rënduara psikologjike, u hodh bashkë me tre fëmijët e saj në lumin Buna.

    Trupi i vajzës së madhe, E.Arrazi, 9 vjeç u gjet mbrëmjen e 4 majit nga një peshkatar në lumin Buna. Pasditen e së hënës, polumbarët gjetën trupin e dytë të vajzës së vogël 8 vjeçe jo shumë larg urës së Bunës.

    Ndërsa ditën e sotme, 7 maj, u gjet trupi i Almës dhe djalit 3 vjeçar.

    Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Almës, është vënë në pranga dhe akuzohet se ka shtyrë gruan drejt vetëvrasjes.

    Nga familja e Almës, motra e saj, u ka thënë hetuesve se Erdgys Arrazi ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj 39-vjeçares e fëmijëve dhe vetëflijimi dyshohet se është pasojë e dhunës në familje.

    Sipas dëshmive të tjera, shkaku shihet edhe tek tradhtia me një 18 vjeçare, për të cilën Alma kishte marrë dijeni. Madje pretendohet se Erdgysi e nxirrte live të dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës 9-vjeçe.

    Në një njoftim, prokuroria e Shkodrës ka treguar itinerarin e gruas dhe thotë se nga hetimet e deritanishme janë krijuar ‘dyshime të arsyeshme bazuar në prova se Erdgys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur.

    Gjykata e Shkodrës, vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Erdgys Arrazit.

  • ​Takimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi, ekzekutivi fton bizneset për bashkëpunim

    ​Takimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi, ekzekutivi fton bizneset për bashkëpunim

    Në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime kreu i ekzekutivit kosovar Albin Kurti u ka bërë thirrje bizneseve që ta vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë për të zhvilluar së bashku plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportin dhe nxisim zhvillimin efektiv të biznesit.

    Kurti poashtu ka thënë se duan që qytetarët të jenë të përgatitur mirë dhe konkurrues në Kosovë.

    “Nëpërmjet formimit dhe edukimit profesional që e synon plotësimin e nevojave të sektorit privat ne po krijojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë. Ne duam që qytetarët tanë të jenë të përgatitur mirë dhe konkurrues pikërisht këtu në Kosovë. Duke krijuar mundësi të vlefshme punësimi ne përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve tanë kjo nuk ka të bëjë vetëm me fitimet ka të bëjë me njerëzit. U bëjë thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Së bashku ne mund të zhvillojmë plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportin dhe nxisim zhvillimin efektiv të biznesit”, tha Kurti.

    Kurti ka përmendur edhe ddisa rezultate nga bashkërendimi institucional dhe komunikimi i qartë me bizneset.

    “Ne kemi parë tashmë rezultatet fillestare nga ky dialog. Ne po lëvizim për të hequr licencën e eksportit për produktet farmaceutike një pengesë kjo jo tarifore që vështirësoi biznesin për shumë vite me radhë. Kjo është një dëshmi e asaj që mund të arrijmë përmes bashkërendimit ndërinstitucional dhe komunikimit të qartë me bizneset”, shtoi Kurti.

    Ndërkaq bëri me dije se edhe pse sektori publik dhe ai privat janë të ndara, shtëpia sipas tij është një.

    “E dimë se sektori publik dhe privat janë sektore të ndara, mirëpo shtëpia është një. Konkurrueshmëria jonë ekonomike do të sjell prosperitet dhe mirëqenie për qytetarët tanë duke përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe duke ndërtuar të ardhme më të ndritshme për të gjithë. Kur themi të gjithë mendojmë brezin tonë dhe ata që vine pas nesh.

    Derisa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka përmendur edhe fondin e Bashkimit Evropian për implementimin e projektit për ballkanin Perendimor.

    Sipas tij Kosova mund të përfitoj rreth 945 milion euro.

    “Për implementimin e projektit për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian ka ndarë gjithsej 6 miliard euro për periudhën e ardhshme 4 vjeçare dhe formula për alokimin e këtyre mjeteve është i tillë që synon rritjen më të shpejtë të vendeve të cilat janë më pak të avancuara në rrugëtimin e tyre drejt BE. Dhe nuk është e çuditshme pse Kosova përfiton mbi proporcionalisht në raport me fuqinë ekonomike dhe popullsinë që ka. Do me thënë Kosova merr ose ka mundësi të përfitoj 1/6 e këtyre fondeve ose 945 milion euro”, ka theksuar Bislimi.

    Edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka bërë me dije skemat dhe subvencionimet e shtetit në sektorin e energjisë.

    “Së pari dua të filloj të flas për skemat që i kemi pasur gjatë muajt të fundit për efiçiente të energjisë. Në fund të viti të kaluar kemi hapur skemën për subvencionim të pajisjeve efiçinete për ngrohje për biznese, kemi pasur diku mbi 100 aplikime dhe diku rreth 30 për qind të përfituesve kanë qenë pronare biznese të grave dhe kjo megjithëse është numër më i vogël i aplikimeve se që kemi pritur pjesëmarrja e lartë e bizneseve të grave tek përfituesit është një gjë për t’iu gëzuar. Me 6 shkurt kemi shpallur thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë por edhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për investime në sisteme të energjisë së ripërtitshme….. Skema të financuar këto nga BE. Këto janë thirrjet të cilat tanimë kemi dhjetëra aplikme për të cilat thirrjet janë të hapura ende granti mund të arrij deri 6 mijë euro varësisht nga madhësia e sistemit dhe ju inkurajoj që ta përcjellni informatën tek anëtarët tuaj dhe t’i inkurajoni bizneset që të aplikojnë”, u shpreh Rizvanolli.

    Sipas Rizvanollit, më 18 mars ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka përfunduar marrëveshjen e financimit për parkun solar prej 100 mgw në pronësi të KEK-ut.

    Gjatë viteve në vijim sipas saj do të ndërtohen së paku 200 mgw të parqeve solare derisa sipas saj detyrimisht do të krijohen vende të reja të punës në këtë fushë./kp

  • Osmani flet në ngjarjen e MCC në prani të George W Bush: SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të Kosovës

    Osmani flet në ngjarjen e MCC në prani të George W Bush: SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Osmani ka thënë se roli i SHBA-së ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës prandaj SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të Kosovës.

    Këtë Osmani e ka thënë në ngjarjen kryesore me rastin e 20 vjetorit të MCC_së në prag të Samitit SHBA-Afrikë, ku edhe po merr pjesë presidenti George W Bush si themelues i MCC-së.

    “Roli i SHBA-ve ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, ndaj SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë.

    Në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në prag të Samitit SHBA-Afrikë, me pjesëmarrjen e Presidentit George W. Bush, njëherit themelues i MCC-së, fola për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, me ç’rast rikonfirmova rolin e pakontestueshëm të SHBA-ve për lirinë dhe shtetndërtimin.

    Në të njëjtën frymë sot, MCC-ja po e vazhdon këtë trashëgimi duke ofruar mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të Kosovës duke e bërë vendin tonë pjesë të pandashme të sukseseve, të cilat i përfaqëson SHBA-ja kudo në botë”, ka shkruar Osmani.

  • Tragjedia në Shkodër, gjendet edhe trupi i djalit 3 vjeç në lumin Buna

    Tragjedia në Shkodër, gjendet edhe trupi i djalit 3 vjeç në lumin Buna

    Pas shumë kërkimesh është gjetur edhe trupi i djalit 3-vjeçar i familjes Arrazi, Arditi, ndërsa kërkimet po vazhdojnë për trupin e nënës.

    Lajmi u konfirmua nga drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Trupi është gjetur në anën e malit, në afërsi të fshatit Zues. Disa kilomentra larg trupit të vajzës që u gjet dje në Dajlan.

    Dy ditë më parë është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, Erigea, ndërsa dje u gjet trupi i vajzës tjetër, Gresi. Së bashku me nënën, Alma Arrazi, ata dyshohet se janë vetëmbytur pas dhunës nga bashkëshorti i Almës dhe babai i tyre, Ergys Arrazi.

    Ky i fundit është vënë në pranga, i akuzuar si shkaktar për vetëvrasjen e tyre. Po ashtu forca të shumta polumbarësh, RENEA, FNSH, por edhe ushtria, po vijojnë kërkimet në ujërat e Bunës dhe Drinit për gjetjen e trupit të nënës.

    Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, konfirmoi gjithashtu lajmin, ndërsa falënderoi të gjithë strukturat që po marrin pjesë në këtë operacion dhe banorët e fshatrave, që ndihmuan vullnetarisht.

    “Gjej rastin të ngushëlloj familjarët për këtë tragjedi. Dua të falënderoj të gjitha strukturat pjesëmarrëse në këtë aksion, që 24/7 po bëjnë të mundur gjetjen sa më shpejt të viktimave. Dua të falënderoj edhe banorët e fshatrave, të cilët janë ofruar vullnetarisht për të bërë të mundur që ky aksion të përfundoj. Sapo morëm lajmin që u gjet edhe fëmija i vogël dhe shpresojmë që së shpejti të gjejmë edhe viktimën e fundit të kësaj tragjedie dhe operacioni do të mbyllet. Do të jemi këtu deri në gjetjen e turpit të nënës së fëmijëve”, tha prefektja.

    Angoni bëri gjithashtu thirrje grave që të denoncojnë dhunën dhe të mos heshtin. “Të gjithë vajzat dhe gratë duhet të denoncojnë dhunën në rastin më të parë, në të gjitha strukturat që ofrojnë ndihmë ndaj tyre.” /tch

  • Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

    Nga mesnata filloi heshtja në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare që përfundon me mbylljen e vendvotimeve më 8 maj në orën 19 në Maqedoninë e Veriut.

    Më 8 maj, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kanë të drejtë të votojnë 1.814.317 zgjedhës, ndërsa në zgjedhjet parlamentare kanë të drejtë vote 1.815.350 zgjedhës. Diferenca në vota është 1033, përgjithësisht për shkak të moshës madhore të qytetarëve.

    Votimi zhvillohet në 3480 qendra votimi dhe votuesit do të mund të vizitojnë qendrën e votimit dhe të votojnë vetëm një herë gjatë ditës.

    Sot, një ditë para zgjedhjeve, të parët votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit, të moshuarit dhe të regjistruarit nga diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale. Edhe pse fushata dhe përgatitjet për zgjedhjet përkoi me festat e Pashkëve, KSHZ-ja ua dorëzoi me kohë komisioneve komunale zgjedhore materialet zgjedhore.

  • Mitrovicë: Një grua me fëmijë dërgohet në strehimore pasi burri ushtroi dhunë ndaj saj

    Mitrovicë: Një grua me fëmijë dërgohet në strehimore pasi burri ushtroi dhunë ndaj saj

    Një grua nga Mitrovica është dërguar në strehimore bashkë me fëmijët e saj, pasi burri ka ushtruar dhunë në vazhdimësi.

    Kështu ka bërë të ditur policia përmes raportit.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj, në vazhdimësi ushtron dhunë ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore”, thuhet në raport.

  • Miratohet plani miliardësh i BE-së për Ballkanin Perëndimor, kushte për Kosovën dhe Serbinë nëse duan të përfitojnë

    Miratohet plani miliardësh i BE-së për Ballkanin Perëndimor, kushte për Kosovën dhe Serbinë nëse duan të përfitojnë

    Këshilli Evropian ka njoftuar se sot i ka dhënë dritën e gjelbërt finale projektit miliardësh për Lehtësi të Reformave për Rritje për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me Bashkimin Evropian dhe rritjen ekonomike në rajon.

    Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grandet dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.

    Këshilli ka bërë të ditur se parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së në kuadër të instrumentit përfshijnë që partnerët të vazhdojnë të mbështesin dhe respektojnë mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, dhe të garantojnë respektimin e të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave.

    Ndërkohë për Kosovën dhe Serbinë ka edhe parakushte të tjera, ku përfshihet progresi në Dialog dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në procesin e negociatave, përfshirë edhe marrëveshjet e kaluara.

    Këshilli Evropian ka bërë të ditur se parakusht për këto dy shtete është që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si si dhe të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, dhe se ata angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

  • ZPS për dëshmitarin e 62-të: Është arrestuar e rrahur nga ushtarët e UÇK-së në fillim të 1999-ës

    ZPS për dëshmitarin e 62-të: Është arrestuar e rrahur nga ushtarët e UÇK-së në fillim të 1999-ës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 62-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mban kodin 03878 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Pyetjet për dëshmitarin ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling i cili fillimisht lexoi një përmbledhje ku tha se dëshmitari ishte arrestuar dhe rrahur nga ushtarët e UÇK-së në fillim të 1999-ës.

    “Dëshmitari i ZPS-së është arrestuar nga ushtarët e UÇK-së në fillim të viti 1999. Dëshmitari është rrahur keqazi brenda një periudhë tri javore mbi të cilën ai u transferua dhe u lirua. Dëshmitari 03878 ka vuajtur lëndime dhe plagë të rënda dhe që kanë zgjatur në kohë si rezultat të ndalimit dhe keqtrajtimit të tij”, tha prokurori.

    Ky dëshmitar është duke dhënë dëshmi me video-lidhje si dhe është me masa mbrojtëse. Vlen të theksohet se kryetari i trupit gjykues, e pyeti dëshmitarin nëse dëshiron t’i heq këto masa por ai refuzoi kështu që identiteti i tij është i mbrojtur.

    Disa pyetje prokurori i bëri në seancë publike ku dëshmitari pohoi se në vendin ku ishte mbajtur i ndaluar kishte roje me armë e po ashtu rrahjet u kryenin me dritë ndezë.

    Gjatë kohës sa kanë qenë të ndaluar dëshmitari mohoi se ka qenë para ndonjë gjykatësi e po ashtu tha se nuk kanë pasur akuza zyrtare. Më pas, për mbrojtjen e dëshmitarit, pyetjet e tjera prokurori kërkoi që t’i shtrojë ne seancë private dhe kjo u aprovua nga trupi gjykues.

    Sipas gjyqtarit Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e gjysme. Ai tha se për pyetje prokuroria i ka paraparë rreth një orë, ndërsa kundërpyetjet e mbrojtjes pritet që të marrin kohë rreth gjashtë orë e gjysmë.

    Pos kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se Selimi e Veseli janë të pranishëm fizikisht në seancën e gjyqit ndërsa, Thaçi dhe Krasniqi janë përmes video-lidhjes

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Betimi për drejtësi

  • Protestohet para ASK-së – Organizata “Fourth Wave” thonë se regjistrueset e popullsisë janë përballur me ngacmim

    Protestohet para ASK-së – Organizata “Fourth Wave” thonë se regjistrueset e popullsisë janë përballur me ngacmim

    Para objektit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është protestuar në shenjë pakënaqësie ndaj ngacmimeve ndaj punëtorëve të ASK-së gjatë regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, raporton EO.

    Para objektit të kësaj agjencie, përfaqësues të organizatës “Fourth Wave”, kanë mbajtur në dorë një mbishkrim “Kam shkuar për regjistrim, jam përballur me intimidim. Siguria është detyrë e shtetit”.

    Ata kanë thënë se gratë regjistruese janë lajmëruar te ta dhe kanë thënë se gjatë regjistrimit janë përballuar me intimidim dhe ngacmim.

    Nerimane Ferizi nga kjo tha se gjatë këtij procesi kanë pranuar tri raste të ngacmimit në terren gjatë regjistrimit te popullsisë, teksa tha se ato nuk i kanë raportuar rastet në polici.

    Ferizi tha se e shohin shqetësuese përgjigjen e u.d drejtorit për këto raste ku në rast ngacmimi ato mund te marrin me vete vëllain, ose dikë tjetër me vete.