ATV

Author: ATVLive

  • Ministrja Hajdari ‘nuk bëhet rehat’ me Sekretar të Përgjithshëm, shkarkon Latifajn dhe ja kë e emëron në vend të tij

    Ministrja Hajdari ‘nuk bëhet rehat’ me Sekretar të Përgjithshëm, shkarkon Latifajn dhe ja kë e emëron në vend të tij

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ‘nuk po bëhet rehat’ me Ushtrues Detyre të Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë. Ministrja e MINT, Hajdari ka shkarkuar nga pozita zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, Daut Latifaj. Sipas burimeve të KosovaPress, janë dy çështje për të cilat pretendohet se është marr ky vendim nga ministrja e MINT, Rozeta Hajdari ndaj bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, Daut Latifaj. Mësohet se njëri ka të bëjë me shkelje flagrante, ndërsa tjetri për çështje te komisioneve për grante dhe subvencione. Pra ministrja Rozeta Hajdari me këtë veprim ka arritur të bëjë shkarkimin e Sekretarit të tetë brenda 3 viteve. Për këtë vendim, KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje nga ministrja Hajdari dhe Zyra për Komunikim Publik në MINT, por nuk janë përgjigjur.

    Mësohet se më 3 maj, Sebahate Bushrani është emëruar UD. Sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Po ashtu sipas njoftimit të siguruar nga KosovaPress, Avdullah Jasiqi është emëruar UD. i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovë.

    “Bazuar në vendimin e Kabinetit të Ministres NR. 01/27 më datë 3 maj 2024, znj. Sebahate Bushrani emërohet Ud. Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Po ashtu Avdullah Jasiqi, bazuar në Vendimin e Kabinetit të Ministres Nr. 01/30 me datë 8 maj 2024, emërohet UD. i drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në një njoftim të Njësisë së Burimeve Njerëzore, të siguruar nga KosovaPress.

    Lidhur me këtë, kryetari i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala thekson për KosovaPress se ministrja e MINT, Rozeta Hajdari ka shkelur procedurat ligjore me veprimet e fundit për emërimin e sekretares së re të Përgjithshme në këtë dikaster.

    Ai thotë se kjo tregon për pasigurinë e përgjithshme të institucioneve shtetërore, pasi që sipas tij, nuk ka ndodhur në histori që brenda tri vjetëve, të ndërrohen tetë Sekretar të Përgjithshëm në MINT.

    “Që nënkupton që brenda një mandati trevjeçar është sekretari i tetë praktikisht që lëviz në pozicion në këtë ministri. Kjo tregon për pasigurinë e përgjithshme të institucioneve shtetërore duke luajtur me kuadro dhe nivele jashtëzakonisht të rëndësishme të pozicioneve qeveritare, sepse nuk kanë ndodhur në historinë tonë që brenda tri vjetëve tetë sekretarë të ndryshojnë”, thekson Shala.

    Ai ka shuar se në përzgjedhjen e sekretares së re në MINT, janë bërë një varg shkeljesh të procedurave ligjore.

  • VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

    VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

    Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e VMRO DPMNE-së, që fituan zgjedhjet e dyfishta, parlamentare dhe ato presidenciale, me një diferencë të madhe kundrejt Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

    Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se pret që deri më 28 maj të bëhet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe më pas ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, por ai thotë se bisedimet do t’i nisë edhe para këtyre afateve, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Shumë shpejt do t’i fillojmë negociatat me partitë opozitare për të formuar koalicionin dhe Qeverinë më të mirë për Maqedoninë tonë. Procesi do të jetë transparent. Kam biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN – Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës, dhe Arben Taravarin e Gostivarit. Presim që sa më parë t’i nisim bisedimet për programin e Qeverisë së re. Do të bisedojmë edhe me partitë tjera opozitare… Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe e shpëtoi vendin e tij”, ka deklaruar Mickoski.

    Drejtuesit e koalicionit VLEN që mbrëmjen e 8 majit, kur dolën rezultatet e para jozyrtare, thanë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re, së bashku me VMRO DPMNE-në.

    Një prej drejtuesve të tyre, Bilall Kasami që drejton lëvizja BESA, paralajmëron formimin e grupeve të punës për hartimin e programit të ri qeveritar.

    “Ky koalicion do të jetë garantues i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe garantues i të drejtave të shqiptarëve, sepse zgjedhjet treguan se ne kemi marrë mandatin e shqiptarëve që të jemi përfaqësues të tyre dhe të sjellim vendime që janë në të mirë të tyre dhe të të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe integrimit në BE. Bazuar në rrethanat dhe rezultatin zgjedhor, ne besojmë se shumë shpejt mund të marrim mandatin dhe të formojmë qeverinë e re”, ka deklaruar Kasami.

    VMRO DPMNE-ja, sipas të dhënave preliminare të KSHZ-së, në zgjedhjet e 8 majit ka fituar 58 mandate – dy më pak se gjysma e përbërjes së Parlamentit prej 120 ulëseve.

    Koalicioni opozitar shqiptar, VLEN, ka fituar 13 mandate, partia E Majta- 6, aq sa edhe lëvizja ZNAM.

    Këto parti, nëse arrijnë të merren vesh për të formuar qeverinë e re, atëherë do të kenë 83 deputetë apo mbi dy të tretat e deputetëve në Kuvend.

    Lidhja Social-Demokrate që udhëhoqi vendin në shtatë vjetët e fundit së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) ka pranuar disfatën pasi në zgjedhje arriti të merrte 18 mandate, por BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti me 19 mandatet e fituara pretendon se është përfaqësuese legjitime e shqiptareve.

    Kryeministri teknik në largim, Talat Xhaferi, që është nga BDI-ja nuk i ka komentuar qëndrimet e VMRO DPMNE-së dhe të koalicionit VLEN.

    “Çështja e mandatit të ardhshëm të qeverisë së ardhshme i takon procedurave, kalkulimit dhe bisedimeve ndërpartiake apo subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend”, ka thënë Xhaferi duke mos iu shmangur pyetjes lidhur me qëndrimin e VMRO DPMNE-së se “BDI-ja do të kalon në opozitë”.

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmjen e 8 majit i pyetur se çfarë do të ndërmarrë partia e tij nëse mbetet në opozitë, tha se “ shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe…”, që në opinion u interpretua si kërcënim nga ana e tij, nëse VMRO-ja vendos që të mos e ftojë në bisedime për qeverinë e re, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët.

    Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe përpjekje për destabilizim.

    “Presim gjithçka. Kemi informacione për gjithçka që flitet dhe planifikohet atje. Neve nuk na mbetet asgjë tjetër, por si qeveri e ardhshme në rast se ka protesta të dhunshme të sigurojmë institucionet dhe sistemi të funksionojë”, ka thënë Mickoski për televizionin maqedonas Kanal 5.

    Drejtuesit e VMRO-së në vazhdimësi kanë përsëritur se nga viti 2017 më nuk ekziston parimi “fituesi me fituesin”, një rregull e pashkruar, që kishte të bënte me formimin e qeverive nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të programeve të tyre.

    Në zgjedhjet e vitit 2016, VMRO DPMNE-ja kishte fituar zgjedhjet, por pas përplasjeve të shumta, me disa muaj vonesë, në vitin 2017 Qeveria u formua nga LSDM-ja si humbëse e zgjedhjeve te maqedonasit, falë mbështetjes që mori nga partitë shqiptare.

  • Rasti i “Alb Kings” po hetohet nga policia, informohet edhe gazetarja Thaçi

    Rasti i “Alb Kings” po hetohet nga policia, informohet edhe gazetarja Thaçi

    Deputeti Mefail Bajqinovci, në pyetjet e adresuara drejtorit të policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesve tjerë policor në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka kërkuar të dijë më shumë rreth rastit të grupit “Alb Kings”, të cilët kanë shpërndarë numrin personal të gazetares, Ardiana Thaçi Mehmeti.

    Drejtori i përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha tha se janë duke i zhvilluar hetimet, ndërkaq tha se kanë biseduar po ashtu me gazetaren Thaçi, duke ia bërë të ditur se rasti është në vazhdim të procesit.

    Agron Nezaj, drejtor i Departamentit të Hetimeve në policinë e Kosovës ka deklaruar se ky grup poston fotografi me përmbajtje pornografike dhe se i kanë arrestuar katër persona e faqet janë të hapura me vendndodhje në Arabi.

    “Hetimet e para kanë qenë në vitin 2023 në kuadër të këtyre hetimeve ky grup poston fotografi me përmbajtje pornografike. I kemi arrestuar katër persona, faqet janë të hapura me vendndodhje në Arabi. Jemi në drejtim të duhur, është mjaft sfiduese dhe jemi duke e bërë të pamundurën”, ka thënë Nezaj.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka shprehur shqetësimin e tij rreth këtij rasti.

    “Mendoj që është i rëndësishëm roli ynë si deputet. Edhe për mua është jashtëzakonisht shqetësues “Alb Kings”, po ashtu edhe mashtrimet me kriptovaluta, ku po mashtrohen qytetarët”, ka thënë Basha.

  • Arrestohen 2 serbë në Jarinjë, po intervistohen nga krimet e rënda

    Arrestohen 2 serbë në Jarinjë, po intervistohen nga krimet e rënda

    Aktualisht të dytë po intervistohen nga krimet e rënda të Policisë së Kosovës.

    Njëri nga të dyshuari pritet të dërgohet në mbajtje, pasi ishte i dënuar, ndërsa tjetri është duke u marrë në pyetje.

    Këtë e ka berë të ditur, zëvendësdrejtor rajonal i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

  • ​Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për ngacmim të vazhdueshëm seksual

    ​Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për ngacmim të vazhdueshëm seksual

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet A.D.

    Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji dhjetor i vitit 2023 e deri me datën 08 maj 2024, në Gjakovë, e ka ngacmuar seksualisht në vazhdimësi një të mitur.

    “Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.D., nga muaji Dhjetor i vitit 2023 e deri me dt.08.05.2024, në Gjakovë, e ngacmon seksualisht në vazhdimësi personin e dobët të dëmtuarën/e mitur, në formë të sjelljes së padëshiruar verbale dhe jo verbale të natyrës seksuale me qellim të cenimit të dinjitetit, në atë mënyre që pasi që i pandehuri dhe e dëmtuara/e mitur ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale, i dërgon mesazhe të natyrës seksuale, me të cilat veprime të dëmtuarës ia cenon dinjitetin dhe tek e njëjta krijon një mjedis i cili objektivisht është frikësues, degradues dhe poshtërues, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Tutje sipas njoftimit me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, ngacmim seksual në vazhdimësi.

  • Rohde: Agjenda mund të ndryshohet në minutën e fundit, sa më shpjet që Kosova merr vendim aq më realist anëtarësimi

    Rohde: Agjenda mund të ndryshohet në minutën e fundit, sa më shpjet që Kosova merr vendim aq më realist anëtarësimi

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se agjenda e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit.

    Kosova deri më tani nuk është futur në agjendën e mbledhjes së 17 majit ku kishte pritje se mund të hidhej në votim kërkesa për anëtarësim.

    Rohde tha se sa më shpejt që Kosova ndërmerr një vendim “të guximshëm” aq më realiste bëhet arritja e mbështetjes.

    “Agjenda për mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por sa më shpejt që Kosova të marrë një vendim të guximshëm, aq më realiste është arritja e 2/3 së shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Europës!”, ka shkruar Rohde në X, duke ndarë një pjesë të një interviste për A2 CNN.

    Ndryshe, po raportohet se tash për tash, Kosova nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 dhe 17 maj në Strasburg.

  • Mësohet data dhe ora e saktë e finales së Kupës së Kosovës

    Mësohet data dhe ora e saktë e finales së Kupës së Kosovës

    Federata e Futbollit të Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale ka zbuluar datën dhe orën e saktë të ndeshjes finale të Kupës së Kosovës.

    Më 22 maj, zhvillohet ndeshja mes Prishtinës dhe Ballkanit – dy finalistëve.

    Kjo ndeshje pritet të filloj nga ora 15:00.

    Kurse ajo që bie në sytë e çdo tifozi është mos vendosja e lokacionit për këtë finale.

    Megjithatë FFK-ja ka tri opsione se ku do ta zhvillojë këtë finale. Stadiumi i Hajvalisë, Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe “Rexhep Rexhepi” i Niklit.

  • ​Xhaka me super statistikë, askush nuk e ka bërë në Ligën e Kampionëve dhe të Evropës që nga 2016/17

    ​Xhaka me super statistikë, askush nuk e ka bërë në Ligën e Kampionëve dhe të Evropës që nga 2016/17

    Bayer Leverkuseni dhe Granit Xhaka siguruan mbrëmë finalen e Ligës së Evropës, dhe e çuar në 49 ndeshje ecurinë pa humbje këtë sezon.

    Bayer Leverkuseni dukej se ishte pranë humbjes së parë të sezonit kundër Romës, por një gol në minutën e 90+7’ nga Stanisic i siguroi skuadrës së Xabi Alonsos barazimin dhe kalimin në finale, raporton KP.

    Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka ishte i shkëlqyer mbrëmë ku edhe regjistroi statistikë që asnjë lojtarë nuk e kishte bërë që nga sezoni 2016/17.

    Sipas “Squawka Football”, Granit Xhaka krijoi 10 shanse nga loja e hapur në ndeshjen e mbrëmshme kundër Romës, më së shumti nga një lojtar në një ndeshje të Ligës së Kampionëve ose të Ligës së Evropës që nga fillimi i sezonit 2016/17. Këtu përfshihet edhe asistimi i mbrëmshëm në minutën e 90+7’.

  • ​Konvertimi i patentë shoferëve, Italia përgëzon Qeverinë e Kosovës

    ​Konvertimi i patentë shoferëve, Italia përgëzon Qeverinë e Kosovës

    Patentë shoferët e strukturave jo legale serbe nga sot mund të konvertohen në patentë shoferë të Republikës së Kosovës dhe kjo procedurë do të zgjasë deri më 9 gusht të këtij viti.

    Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Brendshme, të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit në formular elektronik.

    Për këtë, ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Prishtinë, duke përgëzuar Qeverinë e Kosovës.

    “Ambasada e Italisë në Prishtinë përgëzon Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e saj në lehtësimin e procedurave për të gjithë qytetarët për marrjen e patentë shoferëve. Ne mbështesim iniciativat që nxisin integrim më të madh dhe nxisin vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane në platformën X.

    Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjatë pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.

  • Një grua në Gjilan sulmohet nga dy familjarë, Policia jep detaje

    Një grua në Gjilan sulmohet nga dy familjarë, Policia jep detaje

    Një rast i dhunës në familje ka ndodhur në Gjilan, ku një grua është sulmuar nga dy familjarë, një grua dhe një burrrë.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshje, derisa thuhet se lëndime ka pësuar edhe një person që ka tentuar t’i ndajë.

    Dy të dyshuarit janë arrestuar.

    “DHUNË NË FAMILJE – Gjilan 09.05.2024-16:30. Raportohet se pas një mosmarrëveshje, dy të dyshuarit një femër dhe një mashkull kosovarë, kanë sulmuar fizikisht viktimen femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore, e me pas gjatë përleshjes lëndime trupore pëson edhe viktima tjetër mashkull kosovar, i cili kishte tentuar per ti ndare. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari mashkull dërgohet në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.