ATV

Author: ATVLive

  • Reuten: Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Reuten: Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe e quan të padrejtë kushtëzimin me Asociacionin.

    Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ishte i pari që paralajmëroi se Kosova duhet të bëjë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit para se ta mendojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

    Këto deklarata diplomati amerikan i bëri gjatë muajit mars, derisa ishte për vizitë në Prishtinë.

    Tani kur kanë mbetur një javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, Kosovës po i kërkohet nga shtetet kryesore evropiane që ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

    E me këtë qasje të shteteve mike nuk po pajtohet kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili dje gjatë një konference për medie tha se kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd.

    Me vëmendje këto zhvillime i ka përcjellur edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.

    Ai thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

    “Shpresoj që Kosova do të rikthehet në agjendë për javën e ardhshme kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës, sepse Kosova me të vërtetë i ka plotësuar kriteret për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Raportin e Dora Bakoyannis e kanë mbështetur shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, prandaj Kosova duhet të rikthehet në agjendë”, thotë ai për Tëvë

    Deputeti holandez e sheh të padrejtë kushtëzimin e Kosovës me Asocacionin e komunave me shumicë serbe.

    Ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të ndryshojnë qëndrim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet javën e ardhshme.

    “Më zhgënjim po e shoh se disa shtete të rëndësishme tani po kërkojnë diçka nga Kosova që nuk ka qenë e paraparë më herët për tu bërë anëtare në Këshillin e Evropës. Me të vërtetë mendoj se është një qasje e padrejtë. Prandaj po i bëj thirrje këtyre shteteve që të ndryshojnë qëndrim. Kosova e ka pranuar se do të punojë për themelimin e Asociacionit, por kjo çështje nuk duhet të përfshihet në Këshillin e Evropës” , shprehet eurodeputeti holandez.

    Dy shtetet kryesore të Evropës, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

  • Osmani bëhet pilote, e mëson amerikani që shërbeu në Kosovë

    Osmani bëhet pilote, e mëson amerikani që shërbeu në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Osmani, me këtë rast ka vizituar kompaninë e helikopterëve Bell në Teksas, ku mori mësimin e parë në pilotim të helikopterit.

    “Në Fort Worth të Teksas, vizita në kompaninë e helikopterëve Bell dhe mësimi i parë në pilotim të helikopterit me pilotin më me përvojë të kompanisë, Joseph Decapite, i cili kishte shërbyer në Kosovë para 15 vitesh si pjesë e ushtrisë amerikane”, shkroi Osmani në rrjetin e saj social në Facebook.

  • Sulmohet fizikisht personi zyrtar nga dy të pa njohur

    Sulmohet fizikisht personi zyrtar nga dy të pa njohur

    Një person zyrtar ka raportuar se është sulmuar nga dy persona të pa njohur, ku fillimisht e kanë goditur me veturë, e më pas e kanë sulmuar fizikisht.

    Sipas raportit policor të dyshuarit gjenden në kërkim policor, kurse rasti në procedurë hetimor.

    “Viktima mashkull kosovar person zyrtar, ka raportuar se një veturë fillimisht e kishte goditur nga prapa e më pas dy persona të pa njohur kanë dalur nga vetura dhe e kanë sulmuar fizikisht. Të dyshuarit gjenden ne kerkim policor, kurse rasti ne procedure hetimore”.

  • Ekzekutohet në makinë 32-vjeçari shqiptar në Greqi

    Ekzekutohet në makinë 32-vjeçari shqiptar në Greqi

    Një 32-vjeçar shqiptar është ekzekutuar në Bajron për larje hesapesh mes bandash.

    Mediat greke bëjnë me dije se viktima, është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme (9 maj) teksa ndodhej në makinë me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka mbetur e plagosur, ndërsa djali i cili sapo kishte zbritur nga makina, ka parë gjithë skenën.

    Mediat greke raportojnë gjithashtu, se autorë ishin dy persona me motoçikletë të cilët janë afruar pranë automjetit të parkuar të 32-vjeçarit dhe kanë qëlluar me armë, duke e lënë të vdekur.

    Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Messolonghiou dhe Tsaldari në lagjen Vyronas (Byron) në afërsi të Athinës në Greqi.

    32-vjeçari dyshohet se ka pasur “llogari të hapura” me një bandë shqiptare, ndërsa raportohet gjithashtu se ka qenë i përfshirë më herët në një tentativë vrasje.

  • Kurti bën homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës

    Kurti bën homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot bën homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës.

    Siç njofton Zyra e Kryeministrit, homazhet do të mbahen nga ora 10:00.

  • ​Dita Botërore e Lupus

    ​Dita Botërore e Lupus

    10 Maji në gjithë botën është Dita Botërore e sensibilizimit për sëmundjen e lëkurës Lupus.

    Lupus është një sëmundje kronike inflamatore, në të cilën sistemi imunitar i trupit sulmon organet dhe indet. Inflamacioni i shkaktuar nga lupusi mund të ndikojë në sisteme të ndryshme të trupit duke përfshirë lëkurën, veshkat, qelizat e gjakut, trurin, zemrën dhe mushkëritë.

    Lupusi prek veshkat dhe është një çrregullim serioz, pasi mund të ketë një ndikim të thellë në jetën e njerëzve, transmeton KP.

    Ai mund të jetë e vështirë për t’u diagnostikuar, pasi shenjat dhe simptomat e tij shpesh janë të ngjashme me ato të sëmundjeve të tjera. Shenja më e dallueshme e lupusit është skuqja e lëkurës, që ngjan me krahët e një fluture.

    Një në pesë femra rezultojnë pozitive për antitrupat e lidhura me lupusin, por vetëm 10 për qind e tyre diagnostikohen me këtë sëmundje. Duke zbuluar më tepër gjëra për veshkat, mund të kuptohet edhe zanafilla dhe mënyra sesi zhvillohet sëmundja.

    Edhe pse janë shumë të pakët ata që kanë dëgjuar për këtë sëmundje, në plan botëror Lupusi, është më i shpeshtë se sa skleroza ose leukemia. Lupusi nuk është ngjitës, është një çrregullim i sistemit imunitar të organizmit. Edhe pse 90 për qind e atyre që vuajnë nga kjo sëmundje janë femra midis moshës 15-45 vjeçare, kjo sëmundje përfshin edhe meshkujt dhe fëmijët.

  • ​Shtatë vjet nga rënia e qeverisë LDK-PDK

    ​Shtatë vjet nga rënia e qeverisë LDK-PDK

    Sot janë bërë shtatë vjet nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga opozita dhe mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ishte vendimtar në rastin e mocionit të opozitës. PDK i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër ishin 34 dhe 3 deputetë abstenuan.

    Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa.

    Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.

    Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimit të procedimit për ratifikim në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

    Përcaktimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën.

    Seanca është përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri tani, parti partnere në koalicionin qeverisës.

    Partitë opozitare e kanë ‘shënuar’ këtë ditë si një fitore ndaj pushtetit.

    Pas votimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

    “Pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë”, thuhej në njoftim.

    Mbi bazën e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e Kosovës, ishte themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014, me 73 vota të deputetëve. Marrëveshja e koalicionit përfshinte edhe Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe.

    Ky koalicion ishte ndërtuar mbi parimet e ndarjes së posteve dhe pushtetit, që nënkuptonte që PDK të merrte nën udhëheqje postin e presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, ndërsa LDK postin e kryeministrit.

    Përveç pikave programore për zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare siç ishin: themelimi dhe nisja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, me theks në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe ndërkohë, mori edhe zotimin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushte për liberalizimin e vizave.

  • ​Patentë shoferët jo legale serbe nga sot mund të konvertohen në atë të Kosovës

    ​Patentë shoferët jo legale serbe nga sot mund të konvertohen në atë të Kosovës

    Patentë shoferët e strukturave jo legale serbe nga sot mund të konvertohen në patentë shoferi të Republikës së Kosovës dhe do të zgjasë deri më 9 gusht të këtij viti.

    Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Brendshme, të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës.

    “Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente: 1. Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës, 2. Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, 3. Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, 3.1 Certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës; 3.2 Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€); Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€). Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjatë pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • ​ASK: Edhe 7 ditë përfundon regjistrimi i popullsisë

    ​ASK: Edhe 7 ditë përfundon regjistrimi i popullsisë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se kanë mbetur vetëm edhe 7 ditë deri më 17 maj 2024, kur përfundon Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

    Sipas një njoftimi të lëshuar nga ASK thuhet se regjistrimi përveç se është obligim qytetar është edhe obligim ligjor andaj ka ftuar që të shfrytëzohet kjo periudhë për t’u regjistruar.

    “Gjatë ditëve në vazhdim, Regjistruesi duhet t’ju kontaktojë për ta zhvilluar intervistën me Ju. Nëse nuk jeni kontaktuar deri më tani (nuk keni informatë se kush është regjistruesi/ja në zonën tuaj) luteni të kontaktoni komunën tuaj ose ASK-në”, thuhet në njoftim.

    Në secilën komunë është ndarë një numër telefoni për kontakt tek: Regjistrimi i Popullsisë 2024 – Komunikimi me qytetarë, në linkun https://ask.rks-gov.net/ReKos/Announcements.

    ASK-ja u ka sugjeruar komunave që numrin kontaktues ta bëjnë publik për qytetarë.

    Në rast se nuk merr ndonjë përgjigje nga komuna pas disa tentimeve sipas ASK-së qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

  • Shqipëria nuk kalon në finale të Eurosong 2024

    Shqipëria nuk kalon në finale të Eurosong 2024

    Këngëtarja Besa Kokëdhima është eliminuar në gjysmëfinale të Eurosong 2024 dhe nuk do të këndojë në finale që do të mbahet të shtunën.

    Besa u paraqit sonte e dyta me këngën “Titan” por kjo këngë nuk arriti që ta kalojë gjysmëfinalen.

    Në finale u kualifikuan 10 shtete për t’ju bashkuar 16 shteteve tjera.

    Në gjysmëfinalen e parë u kualifikuan: Serbia, Portugalia, Sllovenia, Ukraina, Lituania, Finlanda, Qipro, Kroacia, Irlanda dhe Luksemburgu.

    Ndërkaq në gjysmëfinalen e dytë kaluan: Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia dhe Armenia.