ATV

Author: ATVLive

  • Kurti: Prizreni frymon me Lëvizjen, për këtë jemi garantues

    Kurti: Prizreni frymon me Lëvizjen, për këtë jemi garantues

    300 anëtarë të rijnë i janë bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje dje në Prizren.

    Kështu ka bërë të ditur faqja zyrtare e këtij subjekti politik, teksa kryetari i LVV-s njëherësh kryeministri i vendit, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me anëtarët e rinj.

    “Prizreni po e forcon lidhjen me VETËVENDOSJE!-n, dhe kryeqyteti i kulturës e i historisë shumë shpejt do i kthehet punës së mbarë progresiste dhe lidhjes me mirëqeverisjen demokratike”, tha Kurti.

    “Rruga Prizren-Tetovë, hekurudha që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën janë dy prej projekteve në infrastrukturë që kemi filluar e që do të kontribuojnë si në lidhjen e shqiptarëve ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të Prizrenit”, tha kryeministri, i cili kujtoi spitalin e këtij qyteti dhe Universitetin “Ukshin Hoti” që në këto tre vite janë transformuar.

    “Në Prizren kishim një shkëputje të shkurtër por po kthehemi dhe këtë e dëshmon anëtarësimi i lartë dhe i vazhdueshëm i qytetarëve në subjektin tonë. Prizreni frymon me Lëvizjen për këtë jemi garantues secili prej nesh dhe të gjithë ne së bashku’, tha kryeministri Kurti.

  • Komuna mbyll stacionet e autobusëve, qytetarët dhe ekspertët janë kundër

    Komuna mbyll stacionet e autobusëve, qytetarët dhe ekspertët janë kundër

    Mbyllja e xhepave rrugorë në stacionet e autobusëve në Prishtinë, funksioni kryesor i të cilëve është siguria e udhëtarëve, nga qytetarët dhe ekspertët e komunikacionit po konsiderohet si vendim jo i duhur i komunës.

    Përpara këtij vendimi, autobusët dhe automjetet tjera ndaleshin tek xhepi rrugor, ku udhëtarët hipnin apo zbrisnin, ndërsa pas mbylljes së tyre me kocka, autobusëve e automjeteve iu duhet të ndalen në mes të rrugës. KosovaPress ka qëndruar në rrugën “Agim Ramadani”,në kryeqytet, ku në të dy anët e rrugës janë mbyllur xhepat rrugor dhe automjetet shihen duke u ndalur në rrugë. Kurse, edhe në rrugën “UCK”, po punohet që këta vendstacione të autobusve të mbyllen me kocka.
    Derisa qytetarët ankohen për këtë vendim të komunës, thonë se duhet të tërhiqet mbrapsht.

    Isak Gërguri për KosovaPress thotë se me mbylljen e kësaj hapësire, udhëtarët rrezikohen dhe se po krijohet tollovi në komunikacion. Mbylljen e hapësirës së stacioneve, qytetari Shemsedin Thaqi e quan si vendim jo të qëlluar nga kryetari i Prishtinës. Sipas tij, xhepat rrugor duhet të kthehen ashtu siç kanë qenë më herët.
    Njejtë mendon edhe Osman Krasniqi, derisa thotë se kjo gjë i pengon udhëtarët dhe krijon kolonë.

    Po ashtu, edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti është kundër vendimit të komunës për heqjen e xhepave rrugor. Sipas tij, funksioni i tyre kryesor është siguria e qytetarëve që përdorin autobusin si mjet transporti.

    Përveç që rrezikon sigurinë e qytetarëve, mbyllja e këtyre hapësirave, sipas Ahmetit mund të krijojë edhe dendësi në komunikacion. Ndërkaq, lidhur me këtë, drejtori i Kadastrës në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku në një prononcim për KosovaPress, thotë se ideja për t’i mbyllur xhepat rrugor ka ardhur pasi është vlerësuar se ata po përdoren nga veturat e qytetarëve apo taksitë ilegale, duke mos u dhënë hapësirë autobusëve për ndalje.

    Pavarësisht pohimit të tij se kjo mund të shkaktojë kolona në trafik, Lushaku thotë se pas analizës së bërë nga Komuna e Prishtinës, bashkë me taskforcën për komunikacion, është vendosur që pothuajse të gjithë xhepat rrugor të mbyllen.

  • Rama: Shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur në Greqi, por qytetarë të barasvlershëm

    Rama: Shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur në Greqi, por qytetarë të barasvlershëm

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në stadiumin Galatsi në Athinë, foli për kohën kur shqiptarët ishin emigrantët në Athinë dhe vuajtjet me të cilat janë përballur.

    Kreu i qeverisë tha se ata luftuan dhe ia dolën. Sipas tij, tani shqiptarët nuk janë më shërbëtorë, por të zotë të barabartë në Greqi.

    “Ndonjë tha se unë nuk duhej të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm. Kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlershëm në europën demokratike. Ju shqiptaret e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi të bekuar ku qëndron prej 25 shekujsh djepi i filozofisë dhe demokracisë me të cilin na lidh jo vetëm fqinjësia. Fatet tona, zakonet, shtigjet e jetës dhe rrugët e vështira tona”, u shpreh Rama.

    “Shqiptarët nuk janë të ardhurit e leckosur, por janë përfaqësuesit e një vendi krenar që është Shqipëria jonë. Shqipëria e ka ngritur përfundimisht kokën e ulur në shekuj nga dhuna në historinë e saj tragjike dhe i sheh të gjithë në sy me te njëjtin respekt që kërkon dhe meriton nga të gjithë”.

    “Rrugët, përrallat, marrëdhëniet kanë qenë shumë më të lidhura sesa janë dukur apo sesa janë lënë të duken nga retë dhe pluhurat nga politikat e dy vendeve tona. Sot që flasim dy dekada e kusur, dukja e marrëdhënieve tona thotë shumë me pak se realiteti, ndërthurja në jetëve dhe ndërlidhja e rrugëve të së ardhmes të përbashkët te shqiptarëve dhe grekeve. Duket sikur mes Shqipërisë edhe Greqisë ka pasur probleme te përjetshme, por jeta e përditshme mes shqiptarëve e grekëve, përtej pasqyrave verbuese mediatike, vazhdon normale, aktive dhe produktive”, tha Rama.

  • Qytetarët reagojnë për shtrenjtimin e bukës deri në 60 centë, ja sa u rrit në dekadën e fundit

    Qytetarët reagojnë për shtrenjtimin e bukës deri në 60 centë, ja sa u rrit në dekadën e fundit

    Çmimi i bukës ka shkuar deri në 60 centë në disa furra në Prishtinë dhe në disa komuna të tjera në vend. Për këtë shtrenjtim, ankohen qytetarët, derisa furrtarët arsyetojnë rritjen e çmimeve për produktet e bukës. Por nga Shoqata e Mullisëve vlerësojnë se ky çmim nuk ka pasur nevojë të rritet.

    KosovaPress ka siguruar çmimet për gjysmë kilogrami bukë në disa furra në kryeqytet ku shihet se çmimet janë ngritur për 100 për qind në vit, krahasuar vitin 2024 me atë të vitit 2010. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për dhjetë vitet fundit, nga 31 centë sa ishte një bukë gjysmë kilogramësh në vitin 2010, në vitin 2022 ky çmim mesatar ka arrit në 49 centë. ASK nuk ka publikuar çmimet mestarë të bukës për vitin 2023 dhe 2024.

    Derisa qytetarët kërkojnë nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë të shtojnë numrin e inspektorateve në mënyrë që të monitorojnë çmimet në terren, thonë se vështirë po arrin të ja dalin me këto çmime. Qytetarja, Zarife Sopjani, derisa vlerëson se duhet të lirohet buka, thotë se çdo ditë e më tepër po u rendohet jeta me çmime të larta.

    Se çmimi i bukës është shtrenjtë dhe duhet të lirohet e po ashtu të shtohen kontrollet e inspektoratit në furra, e thotë edhe qytetari, Hasan Abazi.

    Ai për KosovaPress thekson se duhet të ketë ulje të çmimit të bukës, jo të ketë rritje pa arsye.

    Edhe një qytetar tjetër, i cili ka dashur të mbes anonim është ankuar për çmimin e bukës.

    Se ka rritje të çmimit të bukës në disa furra në vend, e ka pohuar edhe menaxheri i një furre në kryeqytet, Safet Zeneli, i cili ka theksuar se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e rritjes së pagave të punëtorëve. Po ashtu sipas tij, liberalizimi i vizave ka ndikuar që të kenë probleme me mungesë të punëtorëve.

    Në anën tjetër, Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullisëve ka deklaruar për KosovaPress se çmimi i grurit nuk ka ndonjë lëvizje të madhe, për çfarë thotë se furrtarët nuk kanë pasur arsye të rrisin çmimin e bukës.

    Kryetari i organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku derisa thotë se nuk ka arsyeje të rritet çmimi i bukës, shton se me këtë ngritje është duke u varfëruar gjepi i qytetarëve. Ai ka kërkuar nga qeveria që të marrë masa të menjëhershme në këtë drejtim.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës një bukë 500 gramësh nga 31 centë sa ka kushtuar në vitin 2010, në vitin 2011 është rritur në 0.40 centë, në vitin 2012 ka shënuar rënie dhe çmimi ishte 0.39 centë, në vitin 2013 çmimi i bukës ishte 0.37 centë, në vitin 2014 çmimi i bukës ishte 0.36 centë, në vitin 2015 ishte 0.33 centë, rënie të çmimit të bukës pati edhe në vitin 2016, ku një bukë kishte çmimin 0.29 centë. Po ashtu sipas ASK-së në vitin 2017 çmimi i bukës ishte 0.28 centë, në vitin 2018 çmimi i bukës ishte 0.29 centë, në 2019 ishte 0.35 centë, në 2020 po ashtu 0.35 centë, në 2021 çmimi i bukës u rrit në 0.37 centë, ndërsa rritje e çmimit të bukës është shënuar edhe në vitin 2022, ku çmimi i bukës ka shkuar në 0.49 centë. Derisa për vitin 2023 dhe 2024 nuk ka të dhëna për çmimin mesatar të bukës, ndërkaq KosovaPress ka hasur në disa furra me çmimin e bukës deri në 60 centë për këtë vit, për një bukë 500 gramë.

  • Arrestohet një person në Rahovec, ushtroi dhunë në familje nën ndikimin e alkoolit

    Arrestohet një person në Rahovec, ushtroi dhunë në familje nën ndikimin e alkoolit

    Një person në Rahovec është arrestuar, pasi i njëjti nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë në familje.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, viktima mashkull kosovar, ka raportuar se babai i tij i dyshuari mashkull kosovar–nën ndikim të alkoolit, ka ushtruar dhunë në familje si dhe e ka sulmuar fizikisht viktimën.

    “Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se babai i tij i dyshuari mashkull kosovar–nën ndikim të alkoolit, ka ushtruar dhunë në familje si dhe e ka sulmuar fizikisht viktimën. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

  • Sot zhvillohet xhiroja e 34-të në Superligë, këto janë përballjet

    Sot zhvillohet xhiroja e 34-të në Superligë, këto janë përballjet

    Të dielën do të luhet xhiroja e 34-të në Superligën e Kosovës në futboll.

    Të gjitha ndeshjet luhen atë ditë dhe me orar të njëjtë, nga ora 15:00.

    Ndeshja më interesante pa dyshim do të jetë ajo mes Llapit dhe Malishevës.

    Pas barazimit me Gjilanin në mesjavë, Llapi tani është në pozitën e tretë me katër pikë më pak se lideri, Ballkani.

    Në anën tjetër, Malisheva është në vendin e katërt.

    Duel interesant pritet të jetë edhe ai mes Dritës dhe Feronikelit 74, dy ekipeve që po luftojnë për objektiva të kundërta.

    Drita për titull kampioni, ku gjendet katër pikë prapa Ballkanit, ndërsa Feronikeli 74 për t’i ikur pozitës që dërgon në barazh.

    Ballkani do ta presë në shtëpi ekipin e parafundit që është përshëndetur nga Superliga, Fushë Kosovën.

    Dukagjini e pret në Klinë finalisten e Kupës së Kosovës, Prishtinën, ndërsa Gjilani i shkon Lirisë.

  • Vdes ish luftëtari i UÇK-së, Esat Tahiri

    Vdes ish luftëtari i UÇK-së, Esat Tahiri

    Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se ka vdekur ish luftëtari i UÇK’së, Esat Tahiri.

    Lushtaku tha se Tahiri ka qenë sypatrembur, luftëtar i zoti, burrë i fjalës dhe punëtor i palodhur.

    “Me zemër të thyer e dhembje të thellë mora lajmin për vdekjen e bashkëluftëtarit sypatrembur, mikut të veçantë, bashkëpunëtorit të ngushtë e bashkëqytetarit të respektuar, Esat Tahiri.

    Esati ishte luftëtar i zoti në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bashkëpunëtor i imi i ngushtë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, burrë i fjalës e punëtor i palodhur. Kontributi i tij për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës do të mbetet i paharruar.”

  • Vdes zëvendëskancelari zviceran, Andre Simonazzi

    Vdes zëvendëskancelari zviceran, Andre Simonazzi

    Zëvendëskancelari i Zvicrës, Andre Simonazzi vdiq të premten në moshën 55-vjeçare, tha qeveria zvicerane në një deklaratë.

    Simonazzi u rrëzua në një “hiking” në mal me familjen e tij, tha qeveria, duke e falënderuar për shërbimin e tij që nga viti 2009.

  • Dje përfundoi periudha transitore e BQK’së për dinarin, nga sot euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë

    Dje përfundoi periudha transitore e BQK’së për dinarin, nga sot euro valuta e vetme për transaksione në Kosovë

    Dje ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes së dinarit, ndërsa që nga sot ndaj gjithë atyre që përdorin valuta të tjera përpos euros për transaksione me para të gatshme në Kosovë, do të ndërmerren masa.

    Dje ka qenë ditae fundit e periudhës transitore të Bankës Qendrore për çështjen e dinarit.

    Në kuadër të kësaj periudhe, nuk janë shqiptuar masa ndëshkuese, por janë ofruar informacione për qytetarët rreth zbatimit të rregullores për pagesa me para të gatshme.

    Ndërsa, bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

    Pas 12 majit të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë duhet të bëhen me euro.

    “Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, citohet në rregulloren e BQK-së

    Zbatimi i rregullores sidomos në veri të vendit vlerësohet se mund të jetë sfidues.

    Kryeministri Albin Kurti, i pyetur ditë me parë për përfundimin e fazës transitore ka ritheksuar se Banka Qendrore është ajo që vendos për çështje të tilla, e jo ekzekutivi.

  • Scholz kundër ofensivës ushtarake të Izraelit në Rafah: Do të sillte humbje të pabesueshme të jetëve njerëzore

    Scholz kundër ofensivës ushtarake të Izraelit në Rafah: Do të sillte humbje të pabesueshme të jetëve njerëzore

    Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar qeverinë izraelite kundër një ofensive ushtarake në Rafah.

    Në një deklaratë për mediat, Scholz tha se një gjë e tillë do të ishte “e papërgjegjshme” dhe do të sillte humbje të mëdha të jetëve të njerëzve të pafajshëm.

    “Nuk besoj se një ofensivë e tillë është mundur pa humbje të pabesueshme njerëzore”– u shpreh Shcolz.

    Duke iu përgjigjur pyetjes për furnizimin me armë të Izraelit, kancelari tha se qeveria gjermane furnizon armë vetëm në raste individuale dhe ku është e qartë se ato nuk mund të përdoren në situata që mund të bien ndesh me ligjin ndërkombëtar.

    Në çdo rast, Gjermania nuk i furnizon Izraelit armë siç bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Top Channel