ATV

Author: ATVLive

  • Ademi në 8 vjetorin e anëtarësimit në FIFA: Kosova është histori suksesi

    Ademi në 8 vjetorin e anëtarësimit në FIFA: Kosova është histori suksesi

    Kosova para tetë vjetësh aderoi si anëtarja e 210-të e shtëpisë së madhe të futbollit FIFA në Kongresin e 66-të të kësaj organizate sportive në Meksiko.

    Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar më 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës.

    Me këtë rast, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se deri tek kjo arritje e madhe, Kosova erdhi me kontributin e figurave të mëdha sportive si Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahutm Sabri Hashanit, Fadil Vokrri e të tjerë.

    “13 maj 2016 është një datë tjetër e rëndësishme, e paharrueshme dhe historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por edhe për shtetin e Kosovës.Nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e kësaj ngjarjeje pa përshëndetur punën dhe sakrificën e të gjithë atyre që kontribuan në këtë rrugëtim. Duke filluar epoka e guximshme e mëvetësimit nën udhëheqjen e Agim Bytyqit, vazhduar me epokën e rezistencës dhe ekzistencës nën drejtimin e Rexhep Abdullahut e Sabri Hashanit, dhe me epokën e ndërkombëtarizimit nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri, çdo pjesëmarrës ka lënë gjurmët e tij dhe gëzon respekt”, ka shkruar Ademi në Facebook, përcjellë KosovaPress.

    Ai ka shtuar se në këtë rrugëtim tetë vjeçar, Kosova tashmë është bërë një histori suksesi.

    “Tani, tetë vjet pas anëtarësimit, Kosova, falë mbështetjes së UEFA-s e FIFA-s, është transformuar në një histori suksesi. Bashkërisht, kemi bërë përparime të mëdha në masovizimin dhe zhvillimin e futbollit si dhe kemi ndihmuar të rinjtë tanë të përfshihen në këtë sport”, ka theksuar Ademi.

  • ​43 vjet nga rënia e dëshmorëve Nebih e Tahir Meha

    ​43 vjet nga rënia e dëshmorëve Nebih e Tahir Meha

    Sot mbushen 43 vjet nga rënia e Nebih dhe Tahir Mehës, të cilët nga kulla e tyre në Prekaz iu kundërpërgjigjen me armë policisë dhe ushtrisë jugosllave, që kishin shkuar t’i arrestonin.

    Në mëngjesin e 13 majit 1981, forca të mëdha policore dhe ushtarake kishin rrethuar kullën e Nebih e Tahir Mehës, të cilëve u kërkuan që të dorëzoheshin, por në vend të dorëzimit, ata iu përgjigjen me pushkë, ku luftimet zgjatën deri në orët e mbrëmjes.

    Në luftime heroikisht kanë rënë Nebihu dhe Tahiri, ndërsa të vdekur kanë mbetur edhe disa policë serbë, numri i saktë i të cilëve nuk është bërë i ditur asnjëherë.

  • ​25 vjet nga barbaria serbe ndaj shqiptarëve në Korishë

    ​25 vjet nga barbaria serbe ndaj shqiptarëve në Korishë

    Sot mbushen 25 vjet nga “Dita e Martirëve” në Korishë të Prizrenit, e njohur si masakra e tmerrshme nga ushtria e policia serbe ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të kësaj ane.

    Më 13 maj 1999, forcat serbe ndaluan civilët e fshatrave Korishë, Budakovë, Bllacë, Reshtan, Mushtisht dhe Grejkoc, duke vrarë 77 prej tyre.

    Në nderim të të rënëve në Korishë pas luftës është ngritur Memoriali i Martirëve.

  • 8 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    8 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në FIFA

    Kosova para tetë vjetësh aderoi si anëtarja e 210-të e shtëpisë së madhe të futbollit FIFA në Kongresin e 66-të të kësaj organizate sportive në Meksiko.

    Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar më 3 maj 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s. Një rrugëtim plotë mund e sakrifica që gjithsesi hapi një faqe të re të historisë së futbollit të Kosovës. Në Kongresin e FIFA-s, para votimit për anëtarësimin e FFK-së, të pranishmëve iu pati drejtuar anëtari i Këshillit të FIFA-s Senesh Erzik, i cili theksoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kriteret për të qenë pjesë e FIFA-s.
    Më pas një fjalim e mbajti kryetari i atëhershëm i FFK-së, tashmë i ndjeri Fadil Vokrri, i cili u sqaroi delegatëve se futbolli në Kosovë ka një historik të madh dhe iu kujtoi se tashmë Kosova ishte pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe nga shumë federata tjera sportive ndërkombëtare.

    Në fund të fjalimit të tij, Fadil Vokrri tha se futbolli është për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë për futbollin, duke kërkuar që Kosova të merr votat e të pranishmëve për anëtarësim në FIFA. Serbia kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës, por presidenti i FIFA-s, Gianni Ifantino ia bëri me dije delegacionit serb se është Kongresi ai që vendos dhe kërkoi të kalohet në votim elektronik, ku Kosova mori 141 nga 164 votat valide.
    Pas pranimit zyrtar të Kosovës në FIFA, kreu i FFK-së Fadil Vokrri falënderoi presidentin, zëvendëpresidentët dhe anëtarët e Këshillit të FIFA-s.

    “Kjo është një datë shumë e rëndësishme për ne, pasi sot jemi pjesë e FIFA-s. Të gjithë në Kosovë i gëzohen këtij vendimi të Kongresit të FIFA-s. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”, pati deklaruar Vokrri, i cili në mënyrë simbolike mori emblemën e FIFA-s si dhuratë nga presidenti Infantino.

  • Betohet presidentja e Maqedonisë së Veriut

    Betohet presidentja e Maqedonisë së Veriut

    Përgatiti: Armand Hoti

    Gordana Silanovska-Davkova, e dha betimin të dielën, si presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut.

    “Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, tha Silanovska-Davkova.

    Por, gjatë fjalimit, ajo asnjëherë nuk e përmendi emrin kushtetues të shtetit, Maqedonia e Veriut, duke iu referuar vetëm si Maqedoni.

    Kjo e nervozoi ambasadoren e Greqisë në Shkup, Sofija Filipidu, e cila në shenjë proteste doli nga salla ku Davkova po mbante fjalimin.

    Presidentja e re, kishte paralajmëruar edhe në fushatë, se refuzon ta shqiptojë emrin që iu dha shtetit, pas një marrëveshjeje me Greqinë të arritur në Prespë më 2018.

    Megjithatë, Davkova tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.

    Mirëpo, nuk foli rreth ndryshimeve kushtetuese që i kërkohen shtetit të saj, bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë.

    Fokus të veçantë, ajo ia kushtoi angazhimit në fuqizimin e rolit të gruas në Maqedoninë e Veriut.

    “Ne nuk duhet vetëm ta feminizojmë politikën, por t`u ndihmojmë burrave të kuptojnë se nuk duhet të heqim dorë. Jo rastësisht, politika, demokracia dhe Maqedonia janë në gjininë femërore. Deputetë ndihmoni gratë ta shprehin atë që kanë, kurse nuk kanë mundur deri tani. Të gjithë ju do të jeni krenarë për Maqedoninë, sikurse që jam unë me popullin tim”, tha Silanovska-Davkova.

    Gordana Silanovska-Davkova fitoi bindshëm kundër ish-presidentit, Stevo Pendarovci, në zgjedhjet presidenciale të 8 majit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zyrat për Komunitet dhe Kthim duan kolegjiumin në AKK

    Zyrat për Komunitet dhe Kthim duan kolegjiumin në AKK

    Kërkesat që i kanë komunitetet jo shumicë, i adresojnë së pari në Zyrat për Komunitete dhe Kthim në komunat e tyre përkatëse.

    Një e tillë funksionin edhe ne komunën e Rahovecit, që sipas shefit të saj Lendrit Qela, po përballet me mungesë të komunikimit me nivelin qendror, e po ashtu edhe me mungesë të stafit dhe të buxhetit.

    Që kjo të zgjidhet, që të krijohet kolegjiumi në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Ky mekanizëm, sipas tij, do të jetë urë lidhëse mes nivelit lokal dhe atij qendror.

    “Duke ditur se ne brendësi të asociacionit, eksitojnë edhe kolegjiume te tjera kemi kërkuar mundësinë e krijimit të kolegjiumit me qëllim që të kemi një konstruktivitet të bashkëpunimit me nivelin qendrorë me nivelin më të duhur. Ministria nuk e ka një qasje konstruktive ndaj këtyre zyreve duke e ditur se Roli ynë në nivel lokal është fronti I parë I ballafaqimit me pjesëtarët e këtë ë ka dëshmuar përpos disa zyra punojnë me buxhet minimal e disa pa buxhet, përmes kësaj të luftojmë për interesat dhe status të rregulluar për zyrat tona”, tha Qela.

    Me rëndësi po kaq të madhe themelimin e një kolegjiumi për këto zyre po e sheh edhe Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

    “Kolegjiumet janë mekanizmat kryesor në fushën e lobimit. Identifikimi I nevojave të nivelit lokal behet nga kolegjiumit. Shefat e kanë kërkuar nga akk-ja, që të mundësoj krijimin e një mekanizimi ombrellë në mënyrë që të ballafaqohen në mënyrë të drejtpërdrejt me sfidat e komunave në raport me mbrojtjen e interesave të komuniteteve. Një bashkëbisedim me disa prej shefat e zyrave për komunitete e kthim, është vërejtur se ata ballafaqohen me probleme, ata po mendojnë se përmes AKK-së, në mënyrën më të lehtë ti zgjedhin problemet me nivelin qendror”, tha Ibrahimi.

    Ky kolegjium do të jetë i 23-ti që do të funksionoj si një mekanizëm në AKK. Secili merret me një fushë të veçantë. Si ndër më kryesorët konsiderohen kolegjiumi i arsimit, buxhetit e shëndetësisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Memorandumet Qeveri – Komuna në fund të mandatit, parapërgatitje për zgjedhje”

    “Memorandumet Qeveri – Komuna në fund të mandatit, parapërgatitje për zgjedhje”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me tetëmbëdhjetë komuna, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi në 20 ditët e fundit.

    Veprime të tilla nga ana e ekzekutivit në vitin e fundit të mandatit qeverisës, po kritikohen nga shoqëria civile.

    “Memorandumet të cilat nënshkruhet në fund të mandatit, përveç se është një fushatë politike pra një parapërgatitje për zgjedhje, normalisht se këto punë nuk mund të realizohen brenda këtij mandati sepse është e vështirë që planifikimi të behet siç duhet”, tha Viona Bunjaku nga “Lëvizja Fol”.

    Madje, memorandumet e kësaj natyre sipas “Lëvizjes Fol” janë të panevojshme meqë niveli qendror e ka obligim ta ndihmojë atë lokal.

    “Normalisht memorandume të tilla janë të panevojshme pasi që bashkëpunimi i tyre duhet të jetë i ndërsjellë. Kemi raste të tilla siç është Komuna e Prishtinës ka akuzuar se Ministria nuk po lëshon mjete financiare dhe tani kemi një memorandum që vjen pikërisht në klimën e zgjedhjeve”, tha Bunjaku.

    Përzgjedhja e projekteve që synohen të financohen përmes këtyre memorandumeve sipas Kenan Gashit nga “AVONET”, e ka një prapavijë politike.

    “Këto projekte vijnë si burim nga interesi i caktuar por jo nga interesi publik ose nga ajo se çka duhet të jetë prioritet por nga linja ose interesa politik”, tha Gashi.

    Memorandumet që kanë për qellim bashkëfinancimin e projekteve infrastrukturore kapin vlerën e mbi 8 milionë eurove.

    Teksa, komuna e Prishtinës do të ndihmohet me 1,500,000, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përmes memorandumeve me nga 1 milion euro ta ndihmojë Podujevën dhe Kamenicën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Komorani bëhet me nënstacion policor, një të tillë e kishte para lufte

    Komorani bëhet me nënstacion policor, një të tillë e kishte para lufte

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Aktualisht është i boshatisur, por i tillë nuk do të jetë edhe gjatë. Ky objekt shpejt do ta ketë një rol fort të rëndësishëm për banorët e Komoranit.

    Kur do të hapet ende nuk dihet por këtë objekt Policia do ta ketë në shfrytëzim plot 25 vjet.

    “Ne e kemi respektua kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të bëhet një nënstacion sepse ka qenë kërkesë e kamotshme, për shkak të sigurisë publike të këtij rajoni. Për 25 vite fillimisht që është mëndu me i dhanë pronësia që do të jetë njësi e stacionit policor të Drenasit”, tha Bekim dobra, zëdhënës në Komunën e Drenasit.

    Komorani, me një nënstacion të tillë po bëhet për herë të parë pas lufte.

    “Shumë mirë na veç para lufte e këna pas një, për çdo ndihmë për çdo mbrojtje është ma mirë i mirë se ardhur është”, tha Bahtjar Nishori, banor i Komoranit.

    Me vendimin po por, me lokacionin e nënstacionit nuk po pajtohen disa të tjerë.

    “Qetu u dashtë me ndërtua ku u kanë, atje çka kanë bë se di për çka, po mirë bahet se ka nevojë”, tha Ibrahim Ibiriqi, banor i Komoranit.

    Nënstacioni policor në Komoran, do t’i mbulojë edhe fshatrat e tjerë si, Arllat, Fushticë, Gjurgjic, Nekoc, Negroc, Sankoc, Korroticë, Kizhnarek e Zabel.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dyfishohet qmimi i bukës brenda 14 vjetëve

    Dyfishohet qmimi i bukës brenda 14 vjetëve

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për 14 vjet, çmimi i bukës u dyfishua në Kosovë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 2010, një bukë 500 gramëshe kushtonte 31 centë. Ndërsa tash, në disa furra kushton 60 centë.

    Qytetarët po ankohen për shtrenjtimin gati 100% të këtij produkti bazik.

    “Shtrenjtë është boll, por çfarë të bëjmë, por duhet të ja dalim diqysh…ish dashtë të lirohet, se me një rrogë çfarë të bëjmë, jo veç buka por duhet gjitha nga pak të lirohen që edhe ne të mund të ja dalim…01:07 Çdo ditë blej bukë, jemi shtatë anëtar dhe çdo ditë rreth gjashtë bukë i blej”, thotë Zarife Sopjani, qytetare.

    Ngritjen e çmimit po e arsyetojnë furrtarët.

    “Jemi të obliguar për shkak problemeve me punëtorë t’i rrisim edhe çmimet me një përqindje të vogël, mirëpo nuk kemi rrugëdalje… Kemi nevojë për punëtorë, për momentin i kemi pesë pozita të hapura tash”, thotë Safet Zeneli, furrtar.

    Por, sipas Shoqatës së Mullisëve, shtrenjtimi i bukës nuk ka qenë i nevojshëm, meqë produkti bazë për përgatitje, gruri, nuk është shtrenjtuar.

    “Kështu, çmimi i grurit në nivel të vendit tonë, por edhe në evropian dhe botërore nuk ka ndonjë lëvizje të madhe, lëvizjet tejet të vogla, ose duke u shtrenjtuar ose liruar kanë qenë, dhe arsyeje nuk ka pas dhe nevojë sa i përket çmimit të miellit që të shtrenjtohet…buka”, tha Muhamet Farizi nga Shoqata e Mullisëve.

    Mirëpo, për këtë, një qytetar ka shpresë se inspektorati do të merr masa.

    “Duhet të shkohet në mes miellit dhe bukës, mirëpo është edhe rryma elektrike tash me e shtrenjte, dhe sigurisht prodhuesit e kanë gjetur aty shkakun…por duhet të ulen çmimet, mirëpo sigurisht se inspektorati duhet t’i ketë këto për baza”, tha Hasan Abazi, qytetar.

    Në disa furra në vend, buka kushton 50 centë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ndryshimet klimatike i vonuan mbjelljet

    Ndryshimet klimatike i vonuan mbjelljet

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Është kohë e mbjelljeve, prandaj çdo ditë e kësaj periudhe, Met Krasniqin e gjen në arën e tij, në Koliq të Prishtinës. Ky thotë se në ndihmë i del edhe bashkëshortja, pasi vëllimi i punës është i madh në pranverë.

    Këtë të diel qe radha e specave dhe lakrave, krahas kulturave tjera bujqëosre që i mbollën ditë më parë.

    “Kemi mbjell disa kultura kapak se s’kemi shume tok gjysme hektari, qetu kemi mbjell kompira, gjysma e arës është pasul, kemi mbjell karrota, spinaq, qepë hudhra, tash po i mbjellim edhe specat”, tha Krasniqi.

    Por sipas Krasniqit, mbjelljet në fshatrat e Gollakut u vonuan pak.

    “Misrin e kemi mbjell qet arën poshtë e kemi. Këtu pak me vonë se është naltësia mbidetare, e deri vonë ka pas borë. E neve këtu gjithë na shkon pak ma vonë por duhet me ju përshtat kohës për me mbjell”, tha Krasniqi.

    Që ndryshimet klimatike ndikuan në disa zona, e thotë edhe Profesori I bujqësisë, Imer Rusinovci. Sipas tij, edhe këtë vit do të kemi një shkallë të lartë të importit të produkteve bujqësore.

    “Për pasojë e ndryshimeve klimatike kur u fillua me mbjelljen e misrit, patëm të bëjmë me rënie të temperaturave por këto nuk e kanë pamundësua mbjelljen por do ta stagnojnë vegjetacioni nuk do të përkojë me etapat organogjeneze, që i ka misri në faza të hershme, fermerët po sfidohen por sidoqoftë nuk guxojmë të dorëzohemi”, tha Rusinovci.

    Në Raportin e Gjelbër të Ministrisë së Bujqësisë, thuhet se në vitin 2022 sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte mbi 400 mijë hektarë që paraqet 23 ari tokë bujqësore për kokë banori.

    Prej kësaj, 44.8% ose 188,405 ha janë tokë e punueshme dhe pjesa tjetër prej 3.6% apo 15,079 ha janë: kopshtet, plantacionet e pemëve, vreshtave dhe fidanishtet.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë: