ATV

Author: ATVLive

  • 253 fletëvotime nga 40 mijë të shtypura u përdorën në procesin e votimit në veri

    253 fletëvotime nga 40 mijë të shtypura u përdorën në procesin e votimit në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    40 mijë fletëvotime ishin shtypur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për procesin e votimit për shkarkimin apo jo të kryetarëve në komunat veriore. Por vetëm 253 prej tyre u përdorën.

    Të tjerat, plot 39.747 do të shkatërrohen pa u përdorur fare.

    “Në këtë material zgjedhor që do të shkatërrohet nga ana e KQZ-së bëjnë pjesë fletëvotimet pastaj edhe formularët e materialit zgjedhor, listat e votuesve etj. Afati ligjor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta shkatërruar materiali zgjedhor është më së largu 60 ditë pas certifikimit të rezultatit të atij procesi”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Përtej kësaj, KQZ-ja shpenzoi edhe para shtesë në këtë proces, për blerjen e kamerave të sigurisë, nëpër çdo vendvotim. E bashkë me fletëvotimet, do të asgjësohen edhe pamjet filmike të regjistruara. Krejt kjo KZQ-së i kushtoi goxha shtrenjtë.

    “KQZ-ja kishte në planifikim buxhetor shumën prej 252 mijë eurove. Aktualisht jemi në fazën kur KQZ-ja përmbyll obligimet të cilat dalin në këtë drejtim siç janë pagesat e anëtarëve të këshillave të vendvotimit apo edhe çështje të tjera”, tha Elezi.

    Por këto para do të mund të kurseheshin fare lehtë sipas njohësve të politikes, nëse do të dëgjoheshin ndërkombëtarët, teksa thonë se Kosova humbi dy herë në këtë proces.

    “Dështimi i atij procesi zgjedhor ka prodhuar dështimin e deeskalimit të situatës, rrjedhimisht heqjen e sanksioneve që është dëmi edhe më i madh sepse dihet që sanksionet e bashkimit evropian kushtojnë me miliona euro. Kalkulimi ka sjellë tek ky rezultat dhe sigurisht dëmet do të vazhdojnë përveç këtij financiar dëmet do të jenë edhe politike”, tha analisti politik, Bekim Kabashi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kohë deri në javën e fundit të qershorit për ta barë shkatërrimin e këtij materiali, derisa aktualisht është në përgatitje të vendimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Ftesa e pasinqertë dhe e vonuar” e kryeministrit për liderët opozitarë

    “Ftesa e pasinqertë dhe e vonuar” e kryeministrit për liderët opozitarë

    Raporti: Fatlum Jashari

    Në darkën e ftuar për të hënën, kryeministri Albin Kurti do të ketë mundësi të diskutojë direkt vetëm me kryetarin e Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

    Duke deleguar përfaqësues, krerët e LDK-së dhe AAK-së, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj, refuzuan takimin, në të cilin zyrtarisht, temë do të jetë përmbushja e agjendës legjislative.

    Pasi përmendi kushtëzimin e përgjigjeve në pyetjet parlamentare me votimin marrëveshjeve ndërkombëtare, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, kritikoi qasjen e shefit të ekzekutivit.

    “Kjo ftesë konsideroj se është e pasinqertë, sepse për më shumë se tre vjet kryeministri ka pasur qasje përjashtuese e shpeshherë edhe ofenduese ndaj opozitës parlamentare. kryeministri do të duhej të përgjigjej pse në vitin e fundit, për herë të parë e ka ndërtuar praktikën e përjashtimit të kontrollit parlamentar, duke mos u përgjigjur në pyetjet parlamentare”, tha Jakaj.

    Teksa përmbushjen e kushteve për anëtarësim në Këshillin e Evropës e cilësoi angazhim ekskluziv të Qeverisë, Jakaj vuri theksin te koha kur u bë ftesa.

    “Po, takimi është i rëndësishëm, por është veçanërisht i vonë kur janë grumbulluar më shumë se 13-14 marrëveshje ndërkombëtare, të cilat kërkojnë gjithsesi edhe votën e opozitës. në anën tjetër nëse ky takim do të jetë për çështje që lidhen me Këshillin e Evropës, kjo nuk i përket opozitës parlamentare”, tha Jakaj.

    Përveç diskutimit për zhbllokimin të agjendës legjislative, politologu Visar Xani nuk përjashtoi mundësinë që në darkë, kryeministri të paraqesë një ofertë politike për opozitën.

    “Të bëjë njëfarë koordinimi politik dhe t’i takojë liderët me qëllim që të shtyhen agjendat legjislative tutje, sidomos për ato që duhen 2/3 e votave. Mbase kryeministri ka menduar edhe një ofertë për partitë opozitare dhe mbetet të shihet. Pra, përmbyllja e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe madje e Kodit Civil, dhe, të shkohet në zgjedhje, pastaj varet sa është opozita e gatshme”, tha Xani.

    Aktivizimi i presidentes për caktim të kohës së zgjedhjeve parlamentare, sipas tij, mund të bëhet vetëm nëse ka dakordim politik mes partive.

    Gjatë mandatit, kryeministri Kurti ka ftuar krerët e opozitës në disa takimi, kryesisht për çështje të dialogut me Serbinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përfundoi plani kalimtar “për zbatim të lehtësuar të rregullores së BQK-së”

    Përfundoi plani kalimtar “për zbatim të lehtësuar të rregullores së BQK-së”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    E diela shënoi fundin e planit kalimtar të Bankës Qendrore për, siç u tha, “zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme”.

    Më 12 Shkurt, BQK-ja pati listuar dhjetë masa e veprime, duke pezulluar disa nga tarifat dhe ndëshkimet, me qëllim që të thjeshtëzojë tranzicionin nga Dinari në Euro, për komunitetin serb.

    Pavarësisht se, në Bruksel, Kosovën fillimisht e përfaqësoi guvernatori i BQK-së e më pas zëvendëskryeministri për dialog, ditë më parë kryeministri nuk foli për periudhën pasuese duke këmbëngulur se Qeveria nuk është adresë për përgjigje.

    Pa marrë parasysh se si ekzekutivi përpiqet ta paraqesë, sipas politologut Fidan Ukaj, negocimi për zgjidhje nuk është më teknik.

    “Manovrimet e opinionit publik me deklarata taktizuese nga ana e Qeverisë së Kosovës, mendoj se janë më shumë për konsum të brendshëm elektoral sesa një realitet në terren. Për shkak se ishte një çështje teknike, ashtu siç tha Qeveria e Kosovës, dhe tanimë kjo është shndërruar në nivel politik. Përfaqësimi nga z. Bislimi pashmangshëm se është nivel politik, deri tani nuk kemi pasur zgjidhje, kemi pasur një zgjidhje të kësaj problematike, kemi pasur dështim të takimeve”, tha Ukaj.

    Megjithëkëtë, ai vlerësoi se për komunitetin serb, i cili jeton në një ambient ku Euro është prezente për më shumë se dy dekada, procesi në terren është teknik.

    Referuar kësaj, përkundër politizimit të çështjesh nga Serbia, Ukaj pret zbatim të plotë të rregullores së BQK-së.

    “Zaten edhe e arriti qëllimin e saj ta zhvendosë deri në Këshillin e OKB-së. Megjithatë, nuk kishte sukses kjo zhvendosje ose dramatizim i kësaj çështje. Dhe, mendoj se nuk do të ketë një eskalim të situatës, por se do të ketë një kalim në heshtje, nëse mund ta quaj kështu, nga Dinari në Euro, dhe respektim të rregullores së Bankës Qendrore edhe në terren”, tha Ukaj.

    Banka Qendrore ende nuk ka treguar shifra dhe rezultate për nivelin përgjigjes nga komuniteti serb ndaj masave të saj lehtësuese.

    Gjatë javës, do të ketë një rund të ri bisedimesh në nivel krye-negociatorësh, në përpjekje për gjetjen e një marrëveshjeje për mënyrën e realizimit të pagesës së ndihmave sociale dhe pensioneve nga Serbia, për shtetasit e saj në Kosovë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionit Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Britania refuzon thirrjet për të ndaluar shitjet e armëve për Izraelin

    Britania refuzon thirrjet për të ndaluar shitjet e armëve për Izraelin

    Qeveria e Britanisë së Madhe hodhi poshtë të dielën thirrjet për të ndjekur shembullin e SHBA-së në ndalimin e disa shitjeve të armëve ndaj Izraelit nëse ai vazhdon me një operacion të madh tokësor në Rafah, qyteti jugor i Gazës, shtëpia e 1.4 milionë refugjatëve.

    Sekretari i Jashtëm David Cameron, në një intervistë për BBC, shprehu kundërshtimin e tij ndaj planeve të Izraelit për një pushtim në Rafah, por theksoi se ndërprerja e shitjeve të armëve do ta “bënte Hamasin më të fortë”.

    Ai tha se Britania e Madhe furnizon vetëm një për qind të armatimit të Izraelit, duke treguar një levë të kufizuar në ndikimin e veprimeve izraelite.

    Cameron theksoi nevojën për një plan gjithëpërfshirës për të mbrojtur jetën e civilëve në rast të ndonjë veprimi ushtarak.

    Ai nënvizoi pozicionin e veçantë të Britanisë së Madhe nga SHBA, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së presionit diplomatik duke i dhënë përparësi ndihmës humanitare për Gazën.

    Deri më tani, Izraeli thuhet se ka kryer një operacion të kufizuar rreth Rafahut, duke marrë nën kontroll anën palestineze të kalimit kufitar, një pikë kyçe hyrëse për ndihmat në Gaza. /AA

  • Real Madrid së bashku me mijëra tifozë po feston titullin e 36-të të La Ligës

    Real Madrid së bashku me mijëra tifozë po feston titullin e 36-të të La Ligës

    Real Madridi po feston titullin e La Liga-s duke kaluar me një autobus të hapur nëpër rrugët e Madridit, më saktësisht në në sheshin Cibeles.

    Trofeu iu dorëzua lojtarëve, trajnerit Carlo Ancelotti dhe presidentit Florentino Perez nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Pedro Rocha në një ceremoni me dyer të mbyllura të dielën në mëngjes.

    Këtë të diel, Real Madridi po feston titullin e 36-të në histori të klubit.

    Kujtojmë se, Los Blancos kanë fituar La Ligan, derisa janë në finale të Ligës së Kampionëve ku do të përballen me Borussia Dortmundin.

  • Davkova betohet si presidente e Maqedonisë së Veriut

    Davkova betohet si presidente e Maqedonisë së Veriut

    Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj.

    Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.

    Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.

    Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

    “Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, ka thënë Davkova.

    Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.

    Davkova nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

    Ndërkohë, Davkova tha se tani “është koha për bashkim” dhe për këtë ajo do t’u drejtohej grave, “sepse duam të tregojmë se nuk kujdesemi vetëm për veten, por edhe për të gjithë rreth nesh. Besimi është shumë i rëndësishëm, dhe unë do ta arsyetoj atë.”

    Ajo u zotua se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, “ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake”.

    Në sallën e Kuvendit ishin përfaqësuesit e të gjitha partive të përbërjes parlamentare para zgjedhjeve të 8 majit.

    Cilat janë kompetencat e presidentit të Maqedonisë së Veriut?

    Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara.

    Presidenti është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të vendit. Ai dekreton mandatarin për formimin e Qeverisë së re, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët, pranon letra kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë.

    Roli i presidentit është edhe të propozojë dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të propozojë guvernatorin e Bankës Popullore, të caktojë disa drejtues në postet e sigurisë.

    Presidenti, gjithashtu, ka të drejtën e faljes në përputhje me dispozitat ligjor si dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutën maqedonase. /REL

  • Një muaj paraburgim të dyshuarin për trazirat në Zveçan

    Një muaj paraburgim të dyshuarin për trazirat në Zveçan

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit S.M, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”, lidhur me trazirat e majit në Zveçan.

    Gjykata përmes një komunikate për media ka bërë të ditur “se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik, tregon mjaftueshëm se i pandehuri nëse lihet që të mbrohet në liri do të tentojë që të ndryshojë provat e veprës penale, duke ndikuar në të dyshuarit e tjerë të cilët gjenden të lirë si dhe dëshmitarët tjerë eventualë, po ashtu në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, i njëjti lehtë mund të arratiset duke marrë në konsideratë faktin se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët, andaj në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm”.

    Gjykata ka vlerësuar se pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët.

    “I pandehuri S.M dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara me datë 29.05.2023 para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës si dhe duke përdorur shkumë ka tentuar të bëjë bllokimin e ventilimit të veturës së Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin të ngujuar brenda në veturë zyrtarë policorë, e qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet”, thuhet në njoftim.

  • Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

    Parashikimi i motit për pesë ditët në vazhdim

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se si do të jetë moti për pesë ditët e ardhshme.

    Në njoftimin e këtij instituti bëhet e ditur se gjatë javës pritet të jetë mot me diell dhe me reshje shiu

    Ndërkaq, gjatë vikendit parashihet të ketë rritje të temperaturave.

    Njoftimi i plotë:

    E hënë-Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.

    E martë –Moti vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen të sjellin reshje me shkarkime rrufesh.Në disa zona të izoluara për shkak të zhvillimeve të mëdha të vranësirave konvektive, ekziston rrezik për reshje të breshërit.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-7m/s.

    E mërkurë-Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës vende -vende parashihen të sjellin reshje shiu .Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga jugperendimi.

    E enjte-Mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-21 gradë, Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtime i juglindjes.

    E premte-Mot i vranët dhe me intervale me diell.Temperauturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare.

  • Rama mesazh Mitsotakis me vargjet e Naim Frashërit: Dua t’i lë një pusullë meqë nuk e takova, të mos bëhemi armiq

    Rama mesazh Mitsotakis me vargjet e Naim Frashërit: Dua t’i lë një pusullë meqë nuk e takova, të mos bëhemi armiq

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk nguroi t’i përcillte një mesazh homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis, në mbyllje të fjalimit të tij gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Greqi.

    Teksa përmendi një nga poezitë e Naim Frashërit ‘Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve’, Rama tha se është koha e miqësisë.
    “Ju kërkoj ndjesë për çdo gabim që ju mendoni se kam bërë por kurrë në asnjë rast nuk i kam tradhëuar ata që ma kanë besuar qoftë një herë me votën e tyre këtë nder të jashtëzakonshëm, nuk ka nder më të madh që mund t’i bëhet një njeriu në jetë së sa të udhëheqë vendin e tij, nuk ka forcë materiale, ekonomike financiare, inidividi apo shtet që më thotë më josh apo më detyron dot mua të përkulem mbi veten pas shpinës suaj, për të cenuar interesat, kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do të kem një më të bukur se kjo”, tha Rama.

    “Dëshiroj që edhe në emrin tuaj t’i lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë kryeministrit Mitsotakis, në vitin 1886 poeti ynë Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij ‘Dëshira e vërtetë e shqiptarëve’, dua me të gjithë fqinjët me rend e paqe të jetojmë, le të mos bëhemi armiq e të zihemi, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”, shtoi ai.

  • Edhe familja Jashari përfundon procesin e regjistrimit, stafi i ASK-së mirëpritet nga kryefamiljari Rifat Jashari

    Edhe familja Jashari përfundon procesin e regjistrimit, stafi i ASK-së mirëpritet nga kryefamiljari Rifat Jashari

    Kryefamiljari i familjes Jashari, .Rifat Jashari ka pritur stafin e ASK-së për ta kryer Regjistrimin e Popullsisë (ReKos2024).

    “Familja legjendare, Jashari ,përfunduan me sukses obligimin e tyre qytetar, e gjatë procesit nuk mungoi mirëpritja nga ana e tyre me ç’rast u falenderuan nga stafi i ASK-së për të cilët ka mbetur edhe shumë pak kohë deri në përmbylljen e këtij projekti”, shkruan në njoftimin zyrtar të ASK-së.