ATV

Author: ATVLive

  • Ambasada e Francës: E respektojmë pavarësinë e BQK-së, por zbatimi i pakoordinuar i rregullores paraqet vështirësi

    Ambasada e Francës: E respektojmë pavarësinë e BQK-së, por zbatimi i pakoordinuar i rregullores paraqet vështirësi

    Më 11 maj, ka përfunduar periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

    Nga e diela e 12 majit, valuta e vetme e cila mund të përdoret për pagesa në Kosovë është euroja.

    Lidhur me këtë çështja është deklaruar Ambasada e Francës.

    Në një përgjigje për Klankosova.tv thuhet se e respektojnë pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës, por se zbatimi i rregullores i cili nuk është koordinuar paraqet vështirësi.

    ” Zbatimi i rregulloreve të Bankës Qendrore, i cili nuk është i kordinuar, megjithatë paraqet vështirësi që lidhen me qëndrueshmërinë e transfertave të ligjshme financiare nga Serbia, për shembull në favor të pensionistëve serbë ose të institucioneve shëndetësore ose arsimore”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

    Ambasada e Francës thotë se i mbështet propozimet e emisarit special të BE-së në dialogun Kosovës – Serbi, Miroslav Lajçak, rreth kësaj teme.

    Tutje, Franca pret një përfundim të shpejtë dhe pozitiv të këtyre negociatave.

    “Ndërmjetësuesi evropian Lajçak organizoi disa takime për këtë temë. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e tij dhe propozimet konkrete që ai ka paraqitur. Ne bëjmë thirrje për një përfundim të shpejtë dhe pozitiv të këtyre negociatave. Përfundimisht, një zgjidhje e qëndrueshme do të gjendet përmes krijimit të asociaciont të komunave me shumicë serbe”, thuhet në përgjigje.

  • Sindikata e Trepçës kërkon që të ekzekutohen pagat për minatorët

    Sindikata e Trepçës kërkon që të ekzekutohen pagat për minatorët

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë thirrje që të ekzekutohen pagat për minatorët.

    SPMT thotë se situata e krijuar me vonesat në paga është bërë zakon që cenon vetë ekzistencën e minatorëve.

    “Sot kur ne të gjithë me padurim presim ekzekutimin e pagave, me gjasë e njejta përseri nuk do të realizohet, duke vazhduar kështu pafund injorimi, fyerja dhe degradimi total i minatorëve. Një situatë e tillë e krijuar tashmë e sa kohë është bërë zakon që cenon vetë ekzistencën tonë. Mungesa e mjeteve ekzistenciale për jetës (pagesa e pagës) dhe injorimi i menxhmentit për të bërë punën e tyre tashmë nuk don koment”, thuhet në reagim.

    Tutje, në reagim është thënë se minatorët nuk kanë mundësinë që ta vazhdojnë punën, pasi që të njëjtit nuk kanë financa të mjaftueshme as për shujtën ditore.

    “Ne ju flasim në gjuhë të butë dhe gjuhë shqipe, ekzekutoni pagat sot. Një gjë e tillë është edhe pjesë e marrëveshjes së arritur me Bordin Mbikëqyrës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Grupin e deputetëve. Këtij shqetësimi për ekzistencën tonë duhet ti vije fundi njëherë e përgjithmonë. Kërkojmë të ekzekutohen pagat”.

  • Haradinaj-Stublla: Refuzimi i takimit me Kurtin nga LDK-ja e AAK-ja, mungesë gatishmërie për qeverisje

    Haradinaj-Stublla: Refuzimi i takimit me Kurtin nga LDK-ja e AAK-ja, mungesë gatishmërie për qeverisje

    Partitë opozitare, LDK dhe AAK, refuzuan ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar sot dhe për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sesionin pranveror.

    Krerët e të dyja partive, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, e panë si të vonuar këtë ftesë nga ana e kryeministrit Kurti.

    I vetmi që iu përgjigj pozitiv kësaj ftese ishte kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se partitë që kanë refuzuar këtë takim nuk janë të gatshme të qeverisin me vendin.

    Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se sa do që të jetë e vonshme kjo ftesë, refuzimi i saj tregon gjithashtu se liderët nuk janë të sinqertë për interesin shtetëror të vendit.

    “Liderët dhe partitë politike që refuzojnë ndërtimin (edhe pse të vonshëm) të unitetit nuk janë gati të qeverisin me vendin dhe nuk janë të sinqertë për interesin shtetëror të Kosovës”, shkroi Haradinaj-Stublla.

    Pas refuzimit që mori nga dy partitë opozitare, kryeministri Albin Kurti u shpreh se është i interesuar të takohet me të gjithë.

    Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

  • Pasuria e Dua Lipës në vlerë miliona dollarë

    Pasuria e Dua Lipës në vlerë miliona dollarë

    Dua Lipa është këngëtare dhe kompozitore me origjinë shqiptare, e cila ka pushtuar botën me muzikën e saj. Ajo u bë e njohur në vitin 2017 me albumin e saj dhe me hitet si “New Rules” dhe “IDGAF”. Që atëherë, ajo ka fituar çmime si “Grammy” dhe “Brits” dhe madje ka zënë një vend në listën e 100 njerëzve më me ndikim të revistës Time.

    Lipa filloi të postonte këngë në YouTube si adoleshente. Ajo nënshkroi me Warner Music Group në 2015 dhe publikoi këngën e saj debutuese “New Love”. Më pas publikoi albumin e saj debutues me titull “Dua Lipa” në vitin 2017. Albumi krijoi këngë hit si “Be the One”, “IDGAF” dhe “New Rules”.

    “New Rules” u bë një nga këngët më të transmetuara nga një artiste femër në Spotify. Ajo fitoi dy çmime “Brit” për Artiste Solo Britanike dhe British Breakthrough Act.

    Sipas “networth”-it, pasuria e Duas vlerësohet me rreth 35 milionë dollarë!

  • Ministria e Financave publikon grafikën e borxhit shtetëror, shkruan se Qeveria ka arritur të zvogëlojë nivelin e tij krahasuar me periudhën pandemike

    Ministria e Financave publikon grafikën e borxhit shtetëror, shkruan se Qeveria ka arritur të zvogëlojë nivelin e tij krahasuar me periudhën pandemike

    Ministria e Financave ka publikuar grafikën e borxhit shtetëror, në të cilin thuhet se Qeveria ka arritur të zvogëloj nivelin e tij krahasuar me gjendjen gjatë viteve të kaluara.

    “Pas miratimit ✅të Programit të Borxhit Shtetëror për periudhën 2025-2027, kujtojmë lëvizjen e borxhit shtetëror si përqindje e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) në 5️⃣vitet e fundit.
    🔸2019: 17.63%
    🔸2020: 22.4%
    🔸2021: 21.53%
    🔸2022: 20.04%
    🔸2023: 17.52%
    Vlen të theksohet se mes sfidave të shkaktuara nga pandemia COVID-19 ku masat për luftimin e saj 💉rezultuan me një rritje në borxhin shtetëror, Qeveria e Kosovës me sukses ka kthyer nivelin e borxhit shtetëror në nivelin para pandemisë duke arritur që madje ta zvogëlojë nivelin e borxhit shtetëror si përqindje të BPV-së edhe në raport me periudhën para pandemisë, siç mund të shihet në grafikun 📉në vijim.”, shkruan në njoftimin zyrtar.

  • Plani “semafori”: Policia e Prishtinës i konfiskon 34 patentë-shoferë

    Plani “semafori”: Policia e Prishtinës i konfiskon 34 patentë-shoferë

    Njësiti Rajonal i Trafikut rrugor i policisë në Prishtinë, po vazhdon me implementimin e planeve operative për kontrollin e shtuar në trafik.

    Në kuadër të këtyre angazhimeve, ka nisur implementimi i planit “Semafori”.

    “Deri tani u janë konfiskuar 34 patentë shoferë, ngasësve që nuk kanë respektuar sinjalizimin e semaforëve. Angazhimet për sigurinë në trafik do të kenë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojnë deri sa të vlerësohet që është arritur efekti i dëshiruar”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Policia e Shqipërisë ofron 30 mijë euro shpërblim për vendndodhjen e këtij personi

    Policia e Shqipërisë ofron 30 mijë euro shpërblim për vendndodhjen e këtij personi

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë ndarë një shumë prej 30 mijë eurove shpërblim për vendnodhjen e autorit që vrau policin në Fier.

    “Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro”, thuhet në njoftim.

    Dorasi sipas policisë është Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Shtetit

    Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.

    Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.

    Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.

    Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.

    Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit.

  • ​Përcaktohen çiftet e “Final 4” të kampionatit shqiptar

    ​Përcaktohen çiftet e “Final 4” të kampionatit shqiptar

    Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u hodh shorti i “Final Four” i organizuar nga FSHF, ku morën pjesë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidentë e përfaqësues të klubeve të kualifikuar në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.

    Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në sallë, duke falënderuar të gjjtha klubet pjesëmarrëse në kampionatin “Abissnet Superiore” për garën dhe emocionet e dhuruara përgjatë këtij sezoni. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u uroi shumë fat Egnatias, Partizanit, Skënderbeut dhe Vllaznisë, katër ekipet finaliste në “Final 4”, ndërsa ftoi edhe tifozët të mbështesin skuadrat e tyre të zemrës në stadiumin “Air Albania”.

    “Zakonisht muaji maj në traditën e futbollit shqiptar është muaji i verdikteve të të gjitha garave, por ajo që është gara më e rëndësishme e kampionateve në Shqipëri është kampionati ‘Abissnet Superiore’. Tani që jemi në fundin e pjesës së parë të kampionatit, dua të falënderoj 10 klubet pjesëmarrëse, futbollistët, trajnerët, të gjithë ata që e kanë mbështetur kampionatin gjatë këtij edicioni. Për mua vërtetë i bukur, plot garë deri në ditët e fundit, ku ishte e papërcaktuar renditja e skuadrave. Katër ekipet që janë pjesëmarrëse në këtë fazë finale kanë pasur një rrugëtim me ‘grafikë’ të ndryshëm gjatë rrugës, por tashmë janë pjesë e turneut final dhe ne urojmë që tani të kënaqin të gjithë spektatorét dhe të fitojë më i miri. Ky është një format i ri i kampionatit, i cili ka pasur diskutimet e veta, por unë uroj që performanca e skuadrave në këtë fazë finale të japë përgjigje pozitive, të ketë sa më shumë spektatorë dhe pse jo, të na dhurojë sa më shumë emocione. Kjo lojë është për të kënaqur publikun dhe për të dhuruar emocione, teksa është edhe shumë e rëndësishme se kush del kampion, por më e rëndësishëm është zhvillimi i lojës. Jam i sigurt që ky format do t’i shërbejë zhvillimit të lojës në Shqipëri dhe përgatitjes së skuadrave tona për garat europiane. Ju falënderoj dhe i uroj shumë suksese katër skuadrave në këtë turne final. Uroj që të kënaqen sa më shumë tifozët në stadiume, të cilët i ftoj ta mbështesin dhe ta ndjekin nga afër me emocion këtë garë dhe ata të cilët do ta ndjekin përmes ekranit”- tha Presidenti Duka në fjalën e tij përshëndetëse.

    Për shkak se Egnatia është finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe ndeshja finale ndaj Kukësit do të luhet nesër në 19:00 është vendosur që ndeshja Partizani –Skënderbeu të zhvillohet të premten më datë 17 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

    Ndërsa gjysmëfinalja e dytë Egnatia – Vllaznia, do të luhet më datë 19 maj në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00.

    Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Partizani.

  • ​AAK tregon arsyet e refuzimit të takimit me Kurtin

    ​AAK tregon arsyet e refuzimit të takimit me Kurtin

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka refuzuar ftesën për takim me kryeministrin Albin Kurti. Si arsye për këtë ata thanë se tema e takimit ka qenë agjenda legjislative dhe se sipas tyre kjo i takon shefit të Grupit Parlamentar.

    Në një përgjigje për KosovaPress, kjo parti opozitare thotë se janë të gatshëm për takime që lidhen me interesin nacional.

    “Ashtu siç jemi deklaruar në përgjigjen drejtuar z. Kurti, konsiderojmë që i takon shefave te grupeve parlamentare në Kuvend të dakordohen sa i përket agjendës legjislative, siç përcaktohet në bazë të rregullores së Kuvendit. Në qoftë se ka ndonjë temë tjetër lidhet me interesin nacional, mund të diskutohet në një moment tjetër”, thuhet në përgjigjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë pranuar të përgjigjen sa i përket qëndrimit të kësaj partie.

    Megjithatë, në letrën e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku bëhet e ditur se ata e konsiderojnë si tentim të vonuar mundësinë për bashkëpunim me partitë opozitare.

    “Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre. LDK vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

    Kryeministri Albin Kurti pritet të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i vetmi nga tre liderët opozitarë ka pranuar të marrë pjesë në takimin e ftuar nga shefi i ekzekutivit.

  • Dënohen me 6 vite e 10 muaj burgim dhe mbi 30 mijë euro gjobë 10 të akuzuarit në rastin “Subvencionet V”

    Dënohen me 6 vite e 10 muaj burgim dhe mbi 30 mijë euro gjobë 10 të akuzuarit në rastin “Subvencionet V”

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Burim Selmani, Kastriote Bajrami-Sejdiu, Adushe Ukshini, Valon Hoti, Granit Abdyli , Faruk Ymeri, Abdullah Tërstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu dhe Muzafer Maliqi, në rastin e njohur si “Subvencionet V”.

    Në total, dhjetë të akuzuarit e lartcekur janë dënuar me 6 vite e 10 muaj burgim dhe 30 mijë e 100 euro gjobë.

    Shpallja e këtij aktgjykimit për këtë rast u bë të hënën, nga gjykatësja, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Selmani, u dënua me 3 muaj burg dhe me 5 mijë euro gjobë

    për veprën penale “Ushtrim ndikimi”. I njëjti për veprën penale “Mashtrim me subvencione” u dënua edhe me 3 muaj burg dhe 15 mijë euro gjobë. Ndaj tij gjykata shqiptoi dënim unik me 5 muaj burg dhe 20 mijë euro gjobë.

    Ndërsa, e akuzuara Bajram-Sejdiu, u dënua me 5 muaj burg dhe 500 euro gjobë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

    Ndërkaq, sipas aktgjykimit i akuzuari Ukshini, u dënua me 2 vite burg dhe 5 mijë euro gjobë, për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Ndaj tij gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues, dy vite ndalim i ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike.

    Kurse, i akuzuari Hoti, u dënua me 9 muaj burg dhe 500 euro gjobë për veprën penale “Marrje ryshfeti”. Të njëjtit gjithashtu iu shqiptua dënim plotësues, dy vite ndalim i ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike.

    Tutje, sipas aktgjykimit, i akuzuari Abdyli, u dënua me 9 muaj burg dhe 100 euro gjobë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit”.

    Me 6 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, u dënua i akuzuari Ymeri.

    Për veprën penale “Dhënie ryshfeti” u dënua me 6 muaj burg dhe 1 mijë euro edhe i akuzuari Ostërgllava.

    Gjithashtu, edhe i akuzuari Sejdiu, u dënua me 6 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

    Ndërsa, i akuzuari Tërstena u dënua me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.

    Edhe i akuzuari Maliqi u dënua me 6 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Dhënie Ryshfeti”.

    Sipas aktgjykimit, të akuzuarit e lartcekur janë të obliguar që secili veç e veç t’i paguajnë shpenzimet e procedurës në emër të paushallit gjyqësorë shumën prej 100 euro, si dhe për Fondin për Kompensimin të Viktimave të Krimit shumën prej 100.

    Ndryshe, në seancën fillestare të akuzuarit Selmani, Bajrami-Sejdiu, Ukshini, Hoti, Abdyli , Ymeri, Tërstena, Ostergllava, Sejdiu dhe Maliqi kishin pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 21 mars 2024 ka ngritur aktakuzë në rastin “Subvencionet V” ndaj 18 të akuzuarve lidhur me keqpërdorimet me subvencione, duke i ngarkuar me veprat penale “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim me subvencione”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës të akuzuar në këtë rast janë tetë zyrtarët: Kujtim Zariqi, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Kastriote Bajrami-Sejdiu, Aferdita Gjokaj, Adushe Ukshini, Valon Hoti dhe Bejtullah Pira. Si dhe 10 qytetarët: Burim Selmani, Granit Avdyli, Valdete Ismaili, Feriz Jonuzi, Faruk Ymeri, Avdullah Terstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu, Muzafer Maliqi dhe Alban Novosella.