ATV

Author: ATVLive

  • Klubi i madh italian interesohet për Zhegrovën

    Klubi i madh italian interesohet për Zhegrovën

    E ardhmja e Edon Zhegrovës mund të jetë e lidhur me futbollin italian.

    Kohëve të fundit, mediat italiane raportuan se interesim për yllin kosovar kanë shprehur dy gjigantët e Serie A, Juventus dhe Napoli.

    Por, mediumi i atjeshëm “Il Tempo” sot raporton për klubin e tretë italian që ka hyrë në garë për 25 vjeçarin.

    Bëhet fjalë për Romën, e cila e sheh përfaqësuesin kosovar si përforcim ideal për fazën ofanzive.

    Zhegrova i ka realizuar 6 gola deri tash në 31 paraqitje me ekipin e Paulo Fonsecas.

    “Giallorossi” e pëlqejnë edhe Federico Chiesan e Juventusit, por nëse nuk arrijnë ta transferojnë përfaqësuesin italian, atëherë do t’i vihen pas Zhegrovës, për t’ia vënë në dispozicion trajnerit Daniele De Rossi, i cili thuhet se e pëlqen ish-futbollistin e Baselit.

    Zhegrova është sot njëri prej futbollistëve më të mirë në Ligue 1 dhe interesimi i klubeve të njohura për kartonin e tij nuk po mungon.

  • Haxhiu: 55 për qind të aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Sundimin e Ligjit janë zbatuar

    Haxhiu: 55 për qind të aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Sundimin e Ligjit janë zbatuar

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot ka mbajtur takim me Komitetin Drejtues për Strategjinë për Sundimin e Ligjit, ku me sukses kanë votuar Raportin e zbatimit për vitin 2023.

    Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se 55 për qind, të aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Sundimin e Ligjit janë zbatuar plotësisht ndërsa 26 për qind janë në proces të zbatimit, raporton Ekonomia Online.

    “Sot në takimin e Komitetit Drejtues për Strategjinë për Sundimin e Ligjit, me sukses votuam Raportin e zbatimit për vitin 2023. Pavarësisht kompleksitetit të aktiviteteve të parapara me Strategji, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet tjera, kanë shprehur dedikim në zbatimin e rekomandimeve që parashihen me Strategji”, ka thënë Haxhiu.

    Postimi i plotë:

    55% të aktiviteteve të parapara në Strategjinë për Sundimin e Ligjit janë zbatuar plotësisht ndërsa 26% janë në proces të zbatimit.

    Sot në takimin e Komitetit Drejtues për Strategjinë për Sundimin e Ligjit, me sukses votuam Raportin e zbatimit për vitin 2023. Pavarësisht kompleksitetit të aktiviteteve të parapara me Strategji, Ministria e Drejtësisë dhe institucionet tjera, kanë shprehur dedikim në zbatimin e rekomandimeve që parashihen me Strategji.

    Përkushtimi ynë do të vazhdojë tutje në adresimin e ngecjeve eventuale dhe në zbatimin e plotë të Strategjisë.

  • BE: Kryenegociatorët takohen të mërkurën në Bruksel për çështjen e dinarit

    BE: Kryenegociatorët takohen të mërkurën në Bruksel për çështjen e dinarit

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i ka ftuar kryenegociatorët e dy palëve që të vazhdojnë takimet për çështjen e dinarit, në Bruksel.

    Kështu bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media.

    “Ata do të takohen këtë të mërkurë këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme të përkohshme për njerëzit e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore”, tha ai.

    Sipas Stanos, kjo temë po e largon vëmendjen nga progresi i implementimit të aneksit të Ohrit.

    “Në secilin takim që ishte për këtë çështje, shpresonim që të ishte i fundit. Pasi këto tema po e largojnë vëmendjen nga ajo që duhet, dhe ajo që duhet është progresi në implementimin e Aneksit të Ohrit”, shtoi Stano.

    Ai shpreson në arritjen e një kompromisi të nevojshëm kësaj radhe.

    Zëdhënësi i BE-së shton se kjo varet nga gatishmëria e palëve.

    “Shpresojmë që palët do të jenë të gatshme të sillen në mënyrë evropiane, dhe të arrijnë kompromisin e nevojshëm. Por sërish, sikur me gjithçka tjetër në dialog, nuk varet shumë nga ajo që ne dëshirojmë, por nga gatishmëria dhe aftësia e dy palëve të arrijnë një kompromis të pranueshëm”, tha Stano.

  • Scholz i kërkon Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

    Scholz i kërkon Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka kërkuar Serbisë që ta zbatojë Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit.

    Gjatë një telefonate të zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas njoftimit të Berlinit, Scholz ka theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Gjermania ka riafirmuar mbështetjen e tij për këtë proces. Ai [Scholz] ka qartësuar obligimet e Serbisë për zbatimin Marrëveshjes së Ohrit”, u tha në njoftim.

    Këtë marrëveshje, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia e kanë arritur vitin e kaluar. Marrëveshja nuk është nënshkruar, por ndërmjetësi ka thënë se ajo është ligjërisht e obligueshme për palët.

    Blloku evropian ka thënë se palët nuk kanë nisur zbatimin e saj.

    Marrëveshja prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Ndërkaq, Vuçiq përmes një postimi në Instagram, tha se me Scholz ka biseduar për situatën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Udhëheqësi serb tha se ka informuar kancelarin gjerman “në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë”, por edhe për “shmangien e vazhdueshme të Prishtinës nga përmbushja e detyrimeve të saj të pranuara dhe nënshkruara, veçmas në lidhje me formimin e Asociacionit”.

    Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, më 2013 dhe 2015.

    Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke thënë se duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

    Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.

    Gjermania, së bashku me shtetet e tjera në BE, por edhe Shtetet e Bashkuara, vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu ka thënë se ekzekutivi që ai udhëheqë refuzon që të pranojë që Asociacioni të jetë kusht për pranimin e vendit në organizatën e Këshillit të Evropës.

    “Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti më 8 maj.

    Vuçiq, gjatë bisedës me Scholz po ashtu i ka kërkuar Gjermanisë mbështetje në rrugën e integrimit evropian.

    “E ritheksova se Serbia vazhdimisht avokon për intensifikimin e aktiviteteve diplomatike në kontekstin e të gjitha konflikteve aktuale dhe çështjeve të hapura që rëndojnë Evropën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që e ka demonstruar gjithmonë në të gjitha forumet dhe iniciativat”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

    Në procesin e zgjerimit të BE-së aktualisht ndodhen dhjetë shtete, përfshirë gjashtë shtete nga Ballkani Perëndimor. Prej shteteve që janë në këtë proces, nëntë kanë statusin e vendit kandidat, ndërsa vetëm Kosova nuk e ka atë status. Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar nga Bashkimi Evropian./REL

  • Kurti: Rregullorja e BQK-së ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin e dënimin

    Kurti: Rregullorja e BQK-së ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin e dënimin

    Nga dje euroja është valuta e vetme për transaksione në Kosovë. Periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës ka përfunduar. Nga sot sipas Rregullores, do të ketë masa ndëshkuese për ata që përdorin dinarin. Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ndërkaq janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth rregullores së BQK-së për përdorim të parasë së gatshme.

    “Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”, tha Kurti një deklaratë për RTK, nga Kamenica ku po viziton këtë komunë.

    Kurti përsëriti se rregullorja e BQK-së nuk është kundër dinarit, por është për euron si i vetmi mjet pagese në Kosovë.

  • Bislimi udhëton drejt Hungarisë, priten takime të rëndësishme

    Bislimi udhëton drejt Hungarisë, priten takime të rëndësishme

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Hungarisë.

    Gjatë qëndrimit dy ditor në Budapest, ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Kosovës për Administratë Publike dhe Universitetit të Shërbimeve Publike të Hungarisë, Ludovika.

    Në këtë vizitë, ndër të tjera, zëvendëskryeministri Bislimi pritet të takohet edhe me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë, Peter Szijjarto si dhe me ministrin për Çështje të BE-së, Janos Boka.

  • Hodaj në Komisionin për Siguri: Gjatë viti 2023 kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor

    Hodaj në Komisionin për Siguri: Gjatë viti 2023 kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor

    Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se gjatë viti 2023 kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale, raporton EO.

    Hodaj këto të dhëna i dha gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2023, ku tha se gjatë viti të kaluar kanë hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policor dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkët me zyrtarët policor.

    Ai ka thënë se kanë arrestuar edhe 35 punonjës të PK dhe qytetarë.

    “Viti 2023 ka qenë një vit i suskesshëm në përmbushjen e mandateve tona. Lufta kundër korrupsion vazhdon që të jetë një ndër prioritete tona. Kemi arritur ta rrisim besueshmërinë tek qytetarët. Jemi angazhuar që të rrisim besimin qytetar në sistemin e trajtimit të ankesave. Kemi pranuar 1697 ankesa gjatë vitit 2023, të pranuar nga qytetarët. 32 për qind të këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal. Jemi angazhuar Në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keqmenagjimit. Kemi hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policor dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policor. Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve, kemi arrestuar 35 punonjës dhe qytetarë. Kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme”, ka thënë ai.

  • Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë 1999-s në Izbicë

    Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë 1999-s në Izbicë

    Me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për krime lufte, Muhamet Alidemaj, avokatit Milosh Deleviq është mbyllur seanca për publikun.

    Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, mbrojtësi i të të akuzuarit, avokati Deleviq kërkoi nga trupi gjykues që seanca në të cilën është paraparë të dëgjohen dy dëshmitarë Sh.A dhe R.D, të jetë e mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

    Këtë propozim të avokatit Deleviq, prokurori special Ilir Morina e konsideroi të vonuar dhe se sipas tij e njëjta kërkesë është dashur të bëhej kur është propozuar dëgjimi i dëshmitarëve.

    Ai tha se këtë nuk e kundërshton edhe pse nuk ka arsye ligjore pasi që nuk rrezikohet jeta e tyre.

    “Nëse gjykata vlerëson unë jam për, por arsye ligjore nuk ka sepse jeta e tyre nuk rrezikohet, jetojnë në një zonë të Istogut dhe Pejës ku të gjithë i njohin. Nga dita kur është arrestuar deri më sot të gjithë i njohin kush janë dëshmitarët dhe nuk ka pasë ndonjë raport apo informacion se dikush ka kryer ndonjë veprim në kundërshtim me ligjin në raport me familjen e të pandehurit apo anëtarët e gjerë të rrethit”, ka thënë prokurori special Ilir Morina.

    Ndërsa, trupi gjykyues mori vendim që seanca të jetë e mbyllur për dëgjimin e dëshmitarëve.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

  • ​Universitetet italiane bien në renditjen e raportit të Universiteteve Botërore

    ​Universitetet italiane bien në renditjen e raportit të Universiteteve Botërore

    Universitetet e Italisë humbën pozicionet në raportin vjetor të vitit 2024 të Qendrës për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR).

    Edhe pse në listën e këtij viti janë 67 universitete italiane, 75% e tyre kanë rënë nga pozicionet.

    Për shembull, La Sapienza i Romës, i cili është universiteti më i lartë i Italisë, ra me tetë pozicione në vendin e 124-të.

    Universiteti i Padovës ra nga vendi i 171-të në vendin e 173-të dhe Universiteti i Milanos zbriti nga vendi 180 në vendin e 186-të. /ANSA/

  • 1 milionë e 420 mijë e 148 qytetarë janë regjistruar deri tani, bëhet thirrje të vazhdojnë të regjistrohen

    1 milionë e 420 mijë e 148 qytetarë janë regjistruar deri tani, bëhet thirrje të vazhdojnë të regjistrohen

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mbajti konferencën e radhës për media lidhur me ecurinë e punës gjatë Javës së gjashtë në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, raporton EO.

    U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati ka theksuar se disa komuna kërkojnë shtyerjen e procesit të regjistrimit, ndërsa deri më tani janë regjistruar 1 milionë e 420 mijë e 148 qytetarë.

    Kastrati, ka thënë se procesi i regjistrimit po vazhdon edhe në javën e gjashtë.

    Ai tha se procesi i votimit ka shkuar mirë, disa komuna kanë kërkuar të shtyhet afati i regjistrimit, mirëpo, Kastrati tha se sipas mënyrës që ka shkuar procesi i regjistrimit deri më tani nuk e shohin të arsyeshme shtyerjen e afatit.

    “Një komunë ka kërkuar përmes një shkresë të shtyhet në aspektin statistikor nuk ka arsye me u shty. Në përgjithësi regjistrimet kanë qenë aktiv, ka thirrje masive me u rregjistru ka një lloj frike te qytetarët se nëse nuk regjistrohen. Bëj thirrje regjistruesve të bëjnë edhe një vizitë sidomos te banesat e shprazta mos ka mbet dikush pa u regjistru”, tha ai.

    Kastrati tha se në disa komuna janë hapur zyre ku qytetarët munden me shku me u regjistru, këto komuna janë Prishtina dhe Prizreni, por e njëjta mund të ndodh edhe në komuna tjera nëse e shohin të nevojshme. Ndërsa në Prishtinë, qytetarët mund të regjistrohen në ASK, edhe në komunë.

    Kurse, sa i përket regjistrimit në komunat veriore, Kastrati tha se ka hezitime, por pritet edhe këto ditë të vazhdojë regjistrimi. Regjistruesve iu bë thirrje të bëjnë edhe një rishikim në shtëpi të pabanuara.

    “Regjistrimi po shkon sipas planit. Komunitetet po marrin pjesë, në veri ka hezitim, presim edhe këto ditë të regjistrohen”, tha Kastrati.