ATV

Author: ATVLive

  • “Stilolaps e gërshërë”, tre nxënës rrihen brenda shkollës në Gjakovë

    “Stilolaps e gërshërë”, tre nxënës rrihen brenda shkollës në Gjakovë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Njollat e gjakut nga rrahja mes nxënësve në shkollën fillore “Selman Riza” në Gjakovë, kanë mbetur ende.

    Dy nxënës të moshës 14 vjeçare, gjatë përleshjes, përdorën stilolaps dhe gërshërë, duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime trupore.

    Ata morën trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës.

    Ndaj dy nxënësve, nga drejtoria e shkollës thonë se do të ketë masa ndëshkimore.

    “Ne si shkollë, do të ndërmarrim masa konform ligjit, dhe do i shohim edhe faktet e tjera, i kemi edhe kamerat dhe e shohim gjendjen qysh është”, tha drejtori i shkollës, tha Gjokë Osmani.

    Derisa shkaqet që çuan deri në përleshjen mes nxënësve ende nuk dihen, Policia në Gjakovë njoftoi se rasti është duke vazhduar me procedurë të rregullt hetimore.

    “Rreth orës 10:00 është raportuar se tre fëmijë kanë pranuar trajtim mjekësor pasi ishin përfshirë në një përleshje fizike, në një shkollë në lagjen “Dardania” në Gjakovë. Policia i është përgjigjur rastit dhe është duke u vazhduar me procedurë të rregullt hetimore:, thuhet ë njoftimin e Policisë.

  • Banka postare “kalon në euro”, por vijojnë shitblerjet me dinarë

    Banka postare “kalon në euro”, por vijojnë shitblerjet me dinarë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Euro dhe dinar – të dyja valutat pranohen për pagesa me para të gatshme në bizneset në Mitrovicë të Veriut, edhe pas përfundimit të periudhës kalimtare për zbatim të lehtësuar të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

    Në Bankën Postare, statusi ligjor i së cilës në Kosovë mbetet i pazgjidhur dhe të cilën Serbia e bëri pjesë të dialogut në Bruksel, nuk folën për ATV-në.

    Megjithatë, gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile thanë se nga mëngjesi i së hënës, kjo bankë po punon vetëm me euro.

    “Janë dy kategori e postave, Postanska Stedionica dhe Posta. Posta ka pranuar pagesat deri në 11, por pas disa telefonatave edhe ata e kanë ndërpre, që d.m.th. të dyja janë duke pranuar transfer vetëm në euro”, tha Branislav Krstic, gazetar.

    Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, sipas aktivistit Dusan Radakovic, edhe përfituesit nga skemat sociale dhe pensionale të Serbisë, pagesat po i pranojnë në valutën zyrtare të Kosovës.

    “Deri tani askush nuk ka informacione zyrtare, vetëm se nga sot Posta ka nisur shpërndarjen të konvertuar në Euro, sepse Serbia bën pagesën në llogaritë bankare me dinarë, sepse janë procedura normale deri sot. Banka bën këmbimin sipas kursit të valutave, që aktualisht 1 euro është rreth 120 dinarë, dhe njerëzit që marrin ndihmë sociale ose pension i marrin ato në Euro. Maksimumi i lejuar i tërheqjes nga banka është 400 euro”, tha Radakovic.

    Krahas kritikave në mungesë informacionesh zyrtare nga institucionet e Kosovës, ai shpjegoi gjendjen në terren.

    “Në shitore shumica i kanë çmimet në Euro, dhe hap pas hapi, pasi që nuk kanë mjaftueshëm dinarë, njerëzit kanë filluar të funksionojnë më shumë me euro. Problemi është se askush nuk e di cili është ndëshkimi nëse e përdor dinarin”, tha Radakovic.

    Pasi tha se qytetarët në veri po vuajnë nga politika e Prishtinës dhe Beogradit, gazetari Krstic tha se para kalimit të plotë eventual në Euro, pret zgjatje të periudhës tranzitore deri në një marrëveshje në Bruksel.

    “Qytetarët janë duke pritur vendimet nga Beogradi. Pse nga Beogradi? Sepse nuk është pranueshme të shkohet në NLB ose Raiffeisen, të cilat janë të licencuara nga BQK-ja, shteti i Kosovës, dhe të cilat përdorin vetëm euro, nëse dikush nga Beogradi nuk ma paguan rrogën në atë bankë”, tha Krstic.

    Pa treguar shifra rreth llogarive bankare të reja, të hënën, Banka Qendrore njoftoi se gjatë periudhës kalimtare tremujore janë vendosur 38 bankomatë të rinj.

    Po ashtu, BQK-ja listoi tetë degë të institucioneve financiare të licencuara, katër prej tyre në veri të vendit – tri në Leposaviq dhe një në Zveçan.

    Megjithatë, nuk tregoi lidhur me veprimet që do të ndërmerren për shkeljen e rregullores.

  • Dragashi kërkon shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë

    Dragashi kërkon shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Dragashi është komuna e vetme deri tani, e cila pak ditë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e këtij procesi edhe për një kohë.

    Agjencia e Statistikave pret kërkesa të ngjashme edhe nga komunat e tjera, por ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit, Avni Kastrati, thotë se nuk ka arsye të qëndrueshme që procesi të mos mbyllet më 17 maj.

    “Dragashi ka thënë se ka sfidë me regjistrimin e komuniteteve, por nuk do të shtyhet pa ndonjë arsye specifike, që do të thotë jemi optimistë se procesi do të përfundojë me kohë…”, tha Kastrati.

    Sfidë në gjithë territorin, sipas Kastratit, ishte dorëheqja e anketuesve në fillim të procesit, për çka ASK-ja u detyrua t’i shfrytëzojë edhe regjistruesit rezervistë, që përbënin 22% të stafit.

    “E kanë parë gjatë punës që nuk është edhe e lehtë, disa janë tërheqë, por kemi pasë rezerva, i kemi shfrytëzuar që të gjithë…”, tha Kastrati.

    Deri të hënën, janë regjistruar mbi 1.4 milion banorë rezidentë në Kosovë.
    Ndërkaq, 400 mijë të tjerë janë regjistruar nga diaspora, në platformën online.

    Udhëheqësit e Agjencisë së Statistikave besojnë se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë do të jenë më të sakta se ato të vitit 2011, për shkak të zhvillimit të teknologjisë.

  • IPK-ja po e heton çështjen e gradimit për rreshter në polici

    IPK-ja po e heton çështjen e gradimit për rreshter në polici

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Çështjen e gradimit të gjeneratës së 54-të të policisë, tashmë e ka marrë përsipër Inspektorati Policor i Kosovës.

    Pas shumë ankesave është themeluar një ekip hetues që do të merret me rastin.

    Këto deklarime kyreshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor i bëri teksa po raportonte në Komisionin për Siguri.

    Pyetjet që iu bënë atij ishin goxha të ngjashme me ato që ia bënë drejtorit të përgjithshëm të policisë, të premten e kaluar, veçanërisht rreth ndryshimeve në njësinë e hetimeve.

    Deklarimi i Hodajt, në lidhje me largimin e hetuesit, Shemsi Haziri, nxiti debat mes anëtarëve të komisionit.

    Gjatë raportimit të tij, Hodaj mes tjerash rreshtoi edhe, siç tha ai, të arriturat e IPK-së.

    Pjesë e inspektimit ishin edhe disa stacione policore në disa komuna, në të cilat kishte mungesa në pajisje, si ato teknologjike e deri tek ato personale të çdo polici.

  • Minatorët e Stan Tërgut në grevë, i kërkojnë pagat e prillit

    Minatorët e Stan Tërgut në grevë, i kërkojnë pagat e prillit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nëntoka e Stan Tërgut, qe e heshtur të hënën. Minatorët e ndërrimit të parë të minierës së “Trepçës”, refuzuan t’i përvishen punës.

    Ata hynë në grevë, meqë ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill.

    Nga sindikata e minatorëve të “Trepçës” thonë se menaxhmenti prishi përsëri marrëveshjen e nëntorit, e cila ndali grevën dhjetëditore të punëtorëve të minierës.

    “Arsyeja kryesore e futjes në këtë grevë ose protestë, është që nuk janë realizuar pagat. Ka qenë afati kohor dhe sipas një marrëveshje dhe sipas marrëveshjes së arritur me menaxhmentin dhe me bordin dhe me një pjesë të deputetëve, ka qenë afati kohor që nga data 5 deri më datën 10 të kryhen këto obligime”, tha kryetari i sindikatës së minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.

    Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzi nuk tregoi sa do të zgjasë greva.

    Megjithatë, ai thotë se drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, iu kumtoi minatorëve se nëse i kthehen punës, pagat do të ekzekutohen të premten.

    “Datë se kur do i marrim pagat, nuk ka diçka konkrete, përveç se drejtori i minierës se nëse shkojnë në punë, këta do i marrin pagat në ditën e premte. Mirëpo, minatorët nuk kanë pranuar të hyjnë në vendin e punës, pa marrë sqarime konkrete nga kryeshefi ekzekutiv”, tha Jonuzi.

    Kështu i tha edhe kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, ATV-së, përmes telefonit.

    Eksperti i ekonomisë, Zekirija Shabani, ia lë fajin menaxhmentit dhe qeverisë për çalimin financiar të gjigantit të dikurshëm metalurgjik.

    “Ish-gjiganti metalurgjik tash nuk është në gjendje me operu normalisht, pak për shkak të menaxhmenteve ndër vite për ta zhvilluar si ndërmarrje dhe më shumë për shkak të mungesës së interesit të Qeverisë për të investuar dhe gjeneruar të hyra tamam për ta përpunuar xehen dhe koncentratin si duhet “Trepça” është në këtë gjendje që sot nuk ka mundësi t’i paguajë as punëtorët e vet”, tha Shabani.

    Për t’i siguruar pagat e rreth 1200 punëtorëve sa ndërmarrja numëron në total, shpesh është dashur intervenimi i qeverisë, përmes subvencionimit.

    Ndërkaq, njësia kryesore e “Trepçës”, në muajin mars nuk e prodhoi asnjë gram koncentrat të plumbit dhe zinkut, në mungesë të reagencave e dinamitit.

  • Pasuria e sekuestruar e Radojiçiqit në dispozicion për shfrytëzim nga shteti

    Pasuria e sekuestruar e Radojiçiqit në dispozicion për shfrytëzim nga shteti

    Përgatiti: Nora Luta

    Pasuria e sekuestruar e të dyshuarit kryesor për rastin Banjska, Milan Radojicic, është vënë në dispozicion për shfrytëzim nga shteti.

    Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të aseteve të sekuestruara, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.

    Aty përfshihet vila te Ujmani në Zubin Potok, banesa “Penthouse” dhe restoranti “Grey” në Mitrovicë të Veriut, përfshirë edhe zyrën si aneks i këtij restoranti.

    Sipas KGJK-së, gjykata pas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar ka dhënë pëlqim që ato të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme.

    Ndërsa, urdhrat ndalues ia ka dërguar edhe Odës së Noterëve dhe Agjencisë Kadastrale, në mënyrë që të mos lejohet ndryshimi i pronësisë deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    “Gjykata, pas plotfuqishmërisë së urdhrave ndalues, me të cilat janë ndaluar përfundimisht astet e lart-theksuara (vila, banesa dhe restoranti me aneksin e tij) me datë 25.03.2024, këto urdhra ia ka dërguar për ekzekutim Odës së Noterëve të Kosovës, Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Gjykata me datë 26.04.2024, sipas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka dhënë pëlqimin e lëshimit me qira të këtyre aseteve, pasi që nga kjo agjenci si kompetente për administrimin e këtyre aseteve është vlerësuar se forma më e duhur për administrimin e këtyre aseteve është dhënia me qira e tyre”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Në rastin e Banjskës, Gjykata ka bërë edhe konfiskim automatik.

    “Gjykata, në këtë rast ka bërë konfiskimin e përhershëm (automatik) dhe sekuestrimin e përkohshëm të aseteve sipas urdhrit ndalues përfundimtar deri në marrjen e vendimit final lidhur me këto asete. Gjykata konfiskim automatik ka bërë të armëve, municioneve (respektivisht armatimit) të përdorur e të kapur në vendin e ngjarjes, e po ashtu edhe të veturave të përdorura në këtë sulm të armatosur-terrorist, si mjete jashtë qarkullimit dhe qenësisht të rrezikshme për siguri”, thuhet më tej në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    E vila, për të cilën ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të mund të shfrytëzohet si stacion policor, vazhdon të sigurohet nga Policia.

    Nga Agjencia përmes një përgjigjeje me shkrim i kanë thënë televizionit se vlerësimi i aseteve është ende në fazën e vlerësimit dhe sekuestrimit, dhe se për këtë ende nuk ka ndonjë vendim për dhënie në shfrytëzim.

    Ndërkohë, Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimin lidhur me sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, ndërsa tre të arrestuarit janë në paraburgim.
    Vladimir Tolic, Dusan Maksimovic, Milan dhe Blagoje Spasojevic, siç kupton televizioni janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në fund të muajit të kaluar, por kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    Përgjegjësinë për udhëheqjen dhe organizimin e sulmit më 24 Shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku, disa ditë pas ngjarjes e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.

  • Aliu takon udhëheqësin e Zyrës së ASK-së në Ferizaj dhe koordinatoren rajonale, fton qytetarët të kryejnë regjistrimin

    Aliu takon udhëheqësin e Zyrës së ASK-së në Ferizaj dhe koordinatoren rajonale, fton qytetarët të kryejnë regjistrimin

    Kryetari i komunës se Ferizajt, Agim Aliu ka takuar udhëheqësin e Zyrës së Agjencisë së Statistikave në Ferizaj, anëtarin e KKR-së, Bahri Sejdiu dhe koordinatoren rajonale Fitore Qorrolli Mejzinolli, të cilët tha se i ka përgëzuar për punën e deritashme.

    Në fotografinë e publikuar, Aliu ka shkruar se fton qytetarët ti përgjigjen pozitivisht regjistruesve.

    “Procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave është tashmë në 4 ditëshin e fundit, andaj me qëllim të falënderimit 🙏🏻për punën e jashtëzakonshme që është bërë, mirëprita këtë mëngjes, udhëheqësin e Zyrës së Agjencisë së Statistikave në Ferizaj, anëtarin e KKR-së, z. Bahri Sejdiu dhe koordinatoren rajonale znj. Fitore Qorrolli Mejzinolli, të cilët i përgëzova që bashkë me Komisionin Komunal, po bëjnë punë të jashtëzakonshme për këtë proces me rëndësi shtetërore e shoqërore.
    Bashkëqytetarë që ende nuk jeni regjistruar, ju lutem t’i përgjigjeni pozitivisht regjistruesit/es në ekonominë tuaj familjare.
    Planifiko të ardhmen, REGJISTROHU!”.

  • Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

    Funksionalizohet Zyra për Rikthimin e Aseteve, në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi mori pjesë në takimin e thirrur nga Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, me përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese, konkretisht nga Policia e Kosovës, Njësiti për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Menaxhimin e Aseteve të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

    Gjatë këtij takimi u bë funksionalizimi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila është themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ofron ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucione financiare, kontabilitet forenzikë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për arritjen e synimeve të prokurorëve të rastit për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale.

    Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, përshëndeti funksionalizimin e kësaj Zyreje, duke falënderuar përfaqësuesit e Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe UNDP-së për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në forma të ndryshme për themelimin e Zyrës së Rikthimit të Aseteve dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ligj-zbatuese me qëllim të funksionimit sa më të mirë të kësaj Zyreje.

    Poashtu në këtë takim prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njëkohësit Udhëheqës i Zyrës për Rikthim të Aseteve, Bahri Hyseni, i njoftoi përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese me rolin dhe me kompetencat e kësaj Zyreje, ndërkaq zyrtarët e deleguar prezantuan ekspertizën e tyre të deri tanishme.

    Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte edhe plani për procedurat standarde të veprimit, hapat e ardhshëm të Zyrës, si dhe planifikimi i aktiviteteve në terren.

    Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të Zyrës së UNDP-së në Kosovë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

  • KQZ: Mijëra të rinj anembanë Kosovës pjesë e fushatës informuese “Zëri yt, vota jote!”

    KQZ: Mijëra të rinj anembanë Kosovës pjesë e fushatës informuese “Zëri yt, vota jote!”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar fushatën për edukimin dhe informimin e votuesve të rinj për procesin zgjedhor në vend.

    Me anë të këtij projekti, i cili do të përfundojë më 31 maj 2024, të rinjtë do të informohen për të drejtën е tyre për të votuar, procesin zgjedhor, sistemin dhe procedurat zgjedhore, si dhe për ndikimin që mund të ketë vota е tyre në përcaktimin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.

    Po ashtu, të rinjtë do të informohen për caktimin e qendrës së tyre të votimit dhe për mundësinë e ndërrimit të saj në çdo kohë.

    Përmbushja e këtyre objektivave do të arrihet përmes organizimit të ligjëratave, diskutimeve, simulimit të votimit, shpërndarjes së materialeve informuese/vetëdijesuese të cilat do të organizohen në shkolla të mesme dhe në sallat e asambleve komunale.

    Në fund të çdo ligjërate, do të bëhet simulimi i votimit me qëllim të informimit se si të plotësohet një fletëvotim në mënyrë që të jetë i vlefshëm.

  • Kryediplomati ukrainas takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

    Kryediplomati ukrainas takon Vuçiqin dhe Vuçeviqin në Beograd

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i ka thënë të hënën ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba që Serbia është e përkushtuar për respektim të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të secilit vend anëtar të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Ukrainën.

    Kuleba është duke e vizituar Beogradin bashkë me Olena Zelenskan, gruan e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë ukrainas në Serbi, qysh prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kuleba është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe është planifikuar një takim me kryetaren e Kuvendit serb, Ana Bërnabiq.

    Qeveria e Serbisë ka thënë se kryeministri Vuçeviq dhe ministri Kuleba kanë diskutuar për situatën aktuale në fushën e sigurisë dhe politikës në nivel global, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik në mes të të dyja vendeve.

    “Ne jemi të hapur ndaj të gjitha çështjeve”, ka thënë kryeministri Vuçeviq dhe e ka falënderuar Kuleban që e ka përmendur ndihmën humanitare që Serbia e ka ndarë për popullin ukrainas.

    Sipas Qeverisë serbe, Kuleba ka thënë se shkuarja e tij në Serbi përçon mesazh që ka hapësirë për t’i forcuar marrëdhëniet në mes të këtyre dy vendeve.

    “Serbia dhe Ukraina kanë shumë dallime, por edhe shumë të përbashkëta, dhe kjo është arsyeja se mund të ndërtojmë të ardhme të përbashkët në shumë fusha”, është cituar të ketë thënë Kuleba.

    Zelenska dhe Kuleba e kanë nisur vizitën në Serbi 10 ditë pas formimit të Qeverisë së re, pjesë e së cilës janë dy emra të afërt me Rusinë, për çka Beogradi është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    I pari është Aleksandar Vullin, zëvendëskryeministri pro-rus dhe ish-shefi i shërbimit të inteligjencës.

    I dyti është Nenad Popoviq, ministër pa portofol, i cili ka lidhje politike dhe biznesore në Rusi.

    Të dy janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar me liderin ukrainas, Volodymyr Zelenky tri herë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe hera e fundit ka qenë në shkurt, në Tiranë.

    Serbia e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, që përfshin edhe Gadishullin e Krimesë, i cili është aneksuar nga Rusia më 2014.

    Megjithatë, ndonëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me atë të Brukselit, dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

    Prej vitit 2022, Serbia ka pranuar mijëra refugjatë ukrainas, ka dërguar ndihmë humanitare në Ukrainë dhe është zotuar se do ta ndihmojë Kievin për t’u rindërtuar.