ATV

Author: ATVLive

  • ​Kurti udhëton për në Turqi

    ​Kurti udhëton për në Turqi

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar mbrëmë drejt Turqisë.

    Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, ai do të mirëpritet nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, qëndrimin në Turqi, kryeministri Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

  • Roth thotë se është i zhgënjyer që Serbia po vazhdon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit

    Roth thotë se është i zhgënjyer që Serbia po vazhdon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit

    Shefi i Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, i cili gjatë vizitës së tij në Serbi u takua edhe me presidentin Aleksandër Vuçiq, vlerësoi se atmosfera politike në Serbi është gjithnjë e më agresive dhe tha se është i shqetësuar për ofendimin e Gjermanisë.

    Në një intervistë për TV N1, ai tha se “situata është jashtëzakonisht shqetësuese dhe se nuk po shkon në drejtimin e duhur”.

    “Në Serbi nevojitet një pikë kthese, një përkushtim i fortë për demokracinë, zgjedhje të ndershme dhe të ndershme” sepse “koha po ikën, tani kemi një dritare”, tha ai.

    “do të doja të ftoja kolegët (në Serbi) për të diskutuar mbi demokracinë, sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave”.

    Roth tha se kolegët e tij në parlamentin gjerman ndajnë shqetësimin për situatën në Serbi

    “Unë pres që qeveria dhe presidenti (i Serbisë) të përmbushin kritere të tjera. Duhet bërë shumë për një gjyqësor të pavarur, sundimin e ligjit, lirinë e mediave, lirinë e shprehjes. Kam përshtypjen se shoqëria është gjithnjë e më e ndarë. Kjo është një shenjë paralajmëruese”, tha Roth, duke kujtuar sulmin ndaj gazetarit të së përjavshmes “Radar” Vuk Cvijiq të mërkurën në Beograd.

    Ai tha se “të gjitha viktimat e sulmeve duhet të ndjejnë solidaritetin e politikanëve”, se sulmet fizike dhe shantazhet janë të papranueshme dhe se edhe ai “ka marrë shumë mesazhe agresive nga serbët”, gjë që e trishton.

    I pyetur nga N1 se si e vlerëson deklaratën e kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, se nuk ka të ardhme në politikën gjermane, ai është përgjigjur me deklaratën e Michelle Obamës: “Kur të godasin poshtë, ne do të ngrihemi mbi të”.

    Ai vuri në dukje se “atmosfera politike (në Serbi) është gjithnjë e më agresive dhe për këtë arsye politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike mbajnë një përgjegjësi të veçantë”.

    Ai iu referua gjithashtu rezolutës së javës së kaluar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënimin e mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, gjë që e kundërshtoi Beogradi zyrtar dhe tha se ky reagim ishte “i turpshëm” dhe kjo e ka zhgënjyer.

    Ai shtoi se askush nuk dëshiron të fajësojë serbët sepse “faji është gjithmonë një çështje individuale, por është përgjegjësi kolektive e shoqërisë serbe dhe gjermane që të thonë hapur se gjëra të tilla nuk do të ndodhin më”.

    “Pra, unë jam shumë i zhgënjyer nga një reagim dhe retorikë e tillë toksike në Serbi”, tha ai.

    Roth tha se “ne duhet të kujtojmë viktimat, pavarësisht nga kombësia e tyre” dhe përsëriti se ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

    Ai vlerësoi regjimet autoritare si Kina dhe Rusia do të rrisin ndikimin e tyre në rajon. “Ata nuk ndajnë vlerat tona”.

    Në këtë kontekst, ai shtoi – raportoi N1 – se “agresioni rus kundër Ukrainës nuk është vetëm një konflikt i armatosur, por një luftë kundër vlerave tona, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të bashkuar”.

  • Vdes një 36 vjeçar në Leposaviq, u rrokullis me traktor

    Vdes një 36 vjeçar në Leposaviq, u rrokullis me traktor

    Një person ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti me traktor në komunën e Leposaviqit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili tha se viktima është i moshës 36-vjeçare.

    “Mbrëmë rreth orës 19:30 në Leposaviq ka ndodhur një vetaksident me fatalitet. Një person i nacionalitetit serb është rrokullisur me traktor”, tha Elshani, njofton Klankosova.

    Tutje, Elshani tha se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “vdekje e dyshimtë”.

  • Federata e Volejbollit arrin marrëveshje me trajnerin sllovak

    Federata e Volejbollit arrin marrëveshje me trajnerin sllovak

    Federata e Volejbollit e Kosovës ka arritur marrëveshje duke emëruar sllovakun, Martin Nemec, si përzgjedhës i ri i Kombëtares së Kosovës në volejboll.

    Ky është një hap i rëndësishëm për përforcimin e ekipit kombëtar dhe rritjen e nivelit të volejbollit në vend. Martin Nemec është një emër i njohur në botën e volejbollit.

    Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si lojtar dhe trajner, Nemec sjell me vete një përvojë të gjerë ndërkombëtare.

    Ai ka luajtur për disa prej ekipeve më të mira në Evropë dhe ka trajnuar ekipe në ligat më të njohura të kontinentit.

    Përveç kësaj, ai është njohur për aftësitë e tij taktike dhe për qasjen e tij inovative ndaj stërvitjes dhe zhvillimit të lojtarëve.

    Në një deklaratë të bërë sot, Nemec shprehu entuziazmin e tij për sfidën e re: “Jam i nderuar dhe i emocionuar që jam emëruar përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në volejboll. E shoh një potencial të madh në këtë ekip dhe jam i përkushtuar që të punoj fort për të arritur sukseset që meriton ky vend.”

    Ky emërim shënon një hap të ri për zhvillimin e sportit të volejbollit në Kosovë dhe Federata shpreson që me përvojën dhe udhëheqjen e Nemec, Kombëtarja do të arrijë rezultate të shkëlqyera në kompeticionet e ardhshme ndërkombëtare.

    Kush është Martin Nemec?

    39 vjeçari Martin Nemec është një trajner dhe ish-lojtar profesionist i volejbollit me një karrierë të spikatur në arenën ndërkombëtare me Kombëtaren e Sllovakisë.

    Gjatë karrierës së tij si lojtar, ai ka luajtur në pozicionin e sulmuesit dhe ka përfaqësuar ekipe të njohura në ligat kryesore të Evropës, përfshirë Poloninë, Italinë dhe Turqinë.

    Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Nemec u përkushtua trajnimit, duke sjellë një qasje të re dhe dinamike në ekipet që ai ka drejtuar. Nemec ishte në Kosovë vite më parë, në cilësinë e instruktorit të FIVB-së, duke qenë pjese e seminarit për trajnerë. Nemec është njohur për metodologjinë e tij të avancuar të stërvitjes dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të lojtarëve të rinj.

    Përvoja e tij ndërkombëtare dhe suksesi në trajnimin e ekipeve elitare e bëjnë atë një zgjedhje të shkëlqyer për të udhëhequr Kombëtaren e Kosovës drejt arritjeve të reja.

    FVK i uron suksese trajnerit Martin Nemec dhe djemve të Kombëtares, drejt rrugëtimit të tyre në kualifikimet për CEV EuroVolley, të cilat fillojnë në gusht të këtij viti.

    Kosova në CEV EuroVolley kualifikimet, është në grup me Letoninë dhe Sllovakinë.

    Ndeshjen e parë, “Dardanët” e zhvillojnë si vendas, ndaj Letonisë, më 17 gusht 2024, nga ora 17:00, në Pallatin e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti”, në Gjilan.

  • Kryeministri sllovak del nga spitali, 16 ditë pasi u plagos me katër plumba

    Kryeministri sllovak del nga spitali, 16 ditë pasi u plagos me katër plumba

    Kryeministri sllovak Robert Fico është larguar nga një spital në qendër të vendit, ku qëndroi për rreth dy javë pasi u plagos rëndë me armë zjarri nga një shkrimtar 71 vjeçar.

    Ai u transportua nga qyteti i Banska Bystrica për të vijuar trajtimin e tij në Bratislavë.

    59-vjeçari u qëllua 4 herë nga një distancë e afërt në qytetin qendror të Handlova më 15 maj, teksa përshëndeti mbështetësit pas një takimi qeveritar.

    Nuk është e qartë nëse Fico është vendosur në banesën e tij në Bratislavë apo është transferuar në një spital tjetër.

    Politikani veteran, i cili ka shërbyer si kryeministër për më shumë se 10 nga 18 vitet e fundit, u rikthye në pushtet shtatorin e kaluar në krye të një koalicioni populist-nacionalist.

    Sllovakia është bërë gjithnjë e më e polarizuar muajt e fundit dhe sulmi vetëm sa ka thelluar tensionet. Sulmuesi i dyshuar, 71-vjeçari Juraj Cintula, është lënë në paraburgim i akuzuar për tentativë vrasje.

  • SHBA thotë se Rusia po përdor raketa të Koresë së V. në Ukrainë

    SHBA thotë se Rusia po përdor raketa të Koresë së V. në Ukrainë

    Rusia po përdor raketa balistike të Koresë së Veriut në Ukrainë, u tha në një raport të ri të Pentagonit. Raporti bazohet në analizat e fragmenteve të raketave dhe sipas Shteteve të Bashkuara konfirmon pretendimet e kamotshme se Pheniani po i dërgon armë Moskës.

    Raporti i Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes të Pentagonit ka analizuar imazhe për të konfirmuar se fragmentet e raketave që u gjetën në janar të këtij viti në rajonin ukrainas të Harkivit ishin të një rakete balistike me rreze të shkurtër veprimi të prodhuar në Kore të Veriut.

    “Analiza konfirmon se Rusia ka përdorur raketa balistike të prodhuara në Kore të Veriut në luftën e saj kundër Ukrainës”, tha kjo agjenci përmes një deklarate.

    Koreja e Jugut e ka akuzuar Phenianin se ka dërguar mijëra kontejnerë me municione në Rusi. Dërgesa të tilla do të përbënin shkelje nga të dyja shtetet të sanksioneve të vendosura nga Kombet e Bashkuara.

    Pheniani dhe Moska kanë forcuar lidhjet e tyre muajve të fundit.

    Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka vizituar Rusinë vitin e kaluar dhe është takuar me presidentin rus, Vladmir Putin.

    Kremlini tha për mediat ruse gjatë këtij muaji se “po përgatitet” një vizitë e Putinit në Korenë e Veriut.

    Herën e fundit që Putin ka vizituar Phenianin ka qenë në vitin 2000, vetëm disa muaj pasi është zgjedhur president i Rusisë. Atëbotë, ai ishte takuar me Kim Jong Il, babanë e Kim Jong Unit.

    Në bazë të sanksioneve të OKB-së, Koresë së Veriut nuk i lejohet të kryejë testime të teknologjisë balistike.

    Por, në mars Moska vendosi veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke i dhënë fund monitorimit të shkeljeve të sanksioneve të kësaj organizate.

  • Presidentja Osmani arrin për vizitë në El Salvador

    Presidentja Osmani arrin për vizitë në El Salvador

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në El Salvador.

    Nëpërmjet dy videove të postuara në llogarinë e saj në Instagram, e para e shtetit bëri të ditur se është pritur nga ministrja e Jashtme e El Salvadorit, Alexandra Hill Tinoco. Osmani në El Salvador ka udhëtuar me ftesë të presidentit, Nayib Bukele.

    Presidentja do të marrë pjesë në Inaugurimin e presidentit të ri-zgjedhur Nayib Bukele. Gjatë qëndrimit në San Salvador, Osmani po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me udhëheqës shtetëror të El Salvadorit, duke filluar me presidentin Bukele.

    Fokusi i këtyre takimeve do të jetë forcimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimit ndërshtetëror si dhe forcimi i aleancave ekzistuese dhe krijimi i aleancave të reja me shtete në rajonin e Amerikës Latine.

    Presidentja po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh të tjera bilaterale me përfaqësues të shteteve të tjera, me qëllim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe avancimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të interesit të përbashkët.

  • U shpall fajtor për 34 akuza, reagon Trump: Ky është turp, është gjykim i kurdisur

    U shpall fajtor për 34 akuza, reagon Trump: Ky është turp, është gjykim i kurdisur

    Donald Trumpi ka dalë nga gjykata dhe ka folur me gazetarët.

    “Ky është turp, është gjykim i kurdisur”, ka thënë Trumpi.

    “Do të luftoj deri në fund”, ka shtuar ai.

    Ish-presidenti gjithashtu ka kritikuar procesin, duke thënë se nuk ishte trajtuar fer.

    “Asgjë nuk ka përfunduar”, ka thënë shkurt ai, duke shmangur pyetjet nga gazetarët.

  • ​Moti sot dhe gjatë vikendit

    ​Moti sot dhe gjatë vikendit

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, temperauturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-25 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare. Të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes. Të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë pjesës së dytë të ditës do të dendësohen duke krijuar kushte që vende-vende të sjellin shi. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s”, thuhet në njoftim.

  • ​Kadri Veseli feston ditëlindjen

    ​Kadri Veseli feston ditëlindjen

    Kadri Veseli feston sot ditëlindjen e tij të 57-të. Ai u lind më 31 maj 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Ismail Qemali” në Bair të Mitrovicës. Dy vite të shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin e Orientuar të Mitrovicës, kurse tri vite të tjera në shkollën Ekonomike në Zveçan.

    Kadri Veseli është një nga figurat qendrore politike të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kapërcyellin kohor mbi njëzetvjeçar.

    Si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila me shumë sukses e futi çështjen e Kosovës në agjendat politike të fuqive të mëdha dhe NATO-s më 1998 dhe 1999, ai sot ballafaqohet me disa akuza për gjoja krime lufte.

    Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë, si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

    Për shkak të rrethanave politike që do të ndodhin më vonë dhe kushteve që impononte okupimi klasik serb, Kadri Veseli detyrohet që pjesën e mbetur të studimeve nga Universiteti i Prishtinës, ta vazhdojë në Universitetin e Tiranës, në Degën e Agronomisë. Ndërkaq, në rrethanat e lirisë së Kosovës (pas vitit 1999), ai ka vazhduar formimin e tij profesional në MBA in General Management.

    Aktivitetin atdhetar dhe politik e nisi si student më 1988-1989, në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK-më vonë LPK) duke u bërë njëri prej organizatorëve të protestave dhe demonstratave në atë kohë kundër sistemit serb dhe jugosllav që ushtronte dhunë mbi popullin shqiptar.

    Në vitin 1981 regjimi komunist jugosllav ia burgosi dy vëllezërit dhe djalin e axhës së tij, për shkak të veprimtarisë së tyre politike. Në vitin 1990, në kohën kur sapo kishte nisur studimet në Prishtinë, bashkë me Hashim Thaçin, bien në kontakt me udhëheqësin e atëhershëm të Ilegales (LPRK), Afrim Zhitia, prej të cilit marrin ide dhe premisa rreth organizimit politik për jetësimin e lirisë e pavarësisë së Kosovës.

    Më 1991 ai kalon ilegalisht në Shqipëri me mision të organizatës që kishte si qëllim zgjerimin dhe intensifikimin e veprimeve politike. Të shtyrë nga nevoja për ta ndryshuar gjendjen e padurueshme nën okupimin serb, filluan të ndërtonin projektin konkret për çlirimin e Kosovës, duke ngritur kapacitete të natyrës luftarake. Në Tiranë njihet dhe punon me njerëz nga të gjitha anët e Shqipërisë, të cilët shprehin gatishmërinë të vihen në shërbim të çështjes kombëtare përmes ofrimit të infrastrukturës që posedonin, përfshirë këtu ato nga strukturat e Ushtrisë shqiptare.

    Në Tiranë takohet edhe me Grupin e Prekazit me në krye komandantin Adem Jashari dhe bashkë me të realizojnë aksionet e para të armatosura kundër policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë. Në mars 1993, bashkë me disa veprimtarë në Odën e Jasharëve në Prekaz, merr pjesë në një mbledhje të thirrur nga komandanti legjendar Adem Jashari, dhe ky takim mund të konsiderohet si dita e themelimit zyrtar të UÇK-së.

    Prej vitit 1993 deri më 1998, Kadri Veseli bashkërendon aktivitetet rreth luftës së armatosur që nga Zvicra, Shqipëria, zona e Dukagjinit, Drenica, Pashtriku etj. Pas rënies së Jasharëve në mars 1998, UÇK-ja fiton një mbështetje të madhe në popull dhe kështu – në fund të pranverës dhe gjatë verës së atij viti – ajo masovizohet gati në të gjitha rajonet e Kosovës. Gjatë kësaj kohe, Kadri Veseli, bashkë me anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, punojnë në strukturimin e njësiteve dhe formacioneve ushtarake nëpër të gjitha zonat operative.

    Në këtë kohë ai emërohet komandat i Shërbimit të Zbulim Kundërzbulimit (G-2) të UÇK-së, përgjegjësi të cilën do ta ushtrojë me shumë sukses deri në përfundim të luftës. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat ushtarake të Serbisë (24 mars 1999), ai me njësitet e tij të ZKZ-së do të jetë burimi i vetëm i informacionit për lëvizjen dhe ndodhjen e forcave ushtarake serbe në territorin e Kosovës.

    Pas çlirimit të Kosovës (12 qershor 1999), krahas njësiteve të tjera të UÇK-së edhe shërbimi i Zbulim Kundërzbulimit (G-2), vendoset në Prishtinë për ta vazhduar misionin në rrethana të reja. Në kushtet e paqes shërbimi ushtarak i Zbulim Kundërzbulimit doemos duhej të transformohej në shërbim të inteligjencës. Mund të thuhet se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është formacioni i fundit i UÇK-së, (pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës), i cili u shua vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008.

    Në fund të 2012, Kadri Veseli anëtarësohet në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke iu nënshtruar procedurave demokratike të zgjedhjeve dhe në Konventën VI të PDK-së më 27 janar 2013 ai mori votat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për t’u bërë zëvendëskryetar u kësaj partie. Më pas, ai shërbeu edhe si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 7 maj 2016, Kadri Veseli u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën e shtatë zgjedhor të kësaj partie. Ai aktualisht po akuzohet në Gjykatën Speciale, ku është deklaruar si i pafajshëm, derisa procesi po vazhdon.