ATV

Author: ATVLive

  • ​Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut

    ​Stano: Çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut

    Pas kërkesës së Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore për hapjen e urës së Ibrit për automjete ka reaguar Bashkimi Evropian duke thënë se çdo vendim që merret me këtë çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se hapja e urës në Mitrovicë është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016.

    “Natyrisht, ne jemi shumë të interesuar të parandalojmë një krizë më shumë, ka pasur mjaft kriza tashmë, dhe shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt depërshkallëzimit. Sa i përket pyetjes suaj për urën, hapja e urës së Mitrovicës në fakt është temë e dy marrëveshjeve brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja nga viti 2015 dhe 2016, dhe përkundër përpjekjeve tona lehtësuese si Bashkim Evropian, ndër vite, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim”, tha Stano.

    Sipas tij çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut.

    “Dhe duke qenë se kjo është një çështje që i përket kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe të zhvillohet në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, kjo është shumë e qartë. Prandaj ne vazhdojmë thirrjen tonë për të dyja palët që të ecin përpara me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në pritje, përsëri, marrëveshja për urën e Kosovës është pjesë e marrëveshjeve të arritura në dialog dy herë”, ka thënë ai.

    Stano ka paralajmëruar se të gjitha detyrimet e marrëveshjeve në pritje duhet të përmbushen pa vonesë, dhe e njëjta gjë sipas tij vlen edhe për marrëveshjen për urën dhe gjithashtu për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Të gjithë këta hapa të njëanshëm, hapa të pakoordinuar po ndërmerren dhe po e zhvendosin fokusin dhe vëmendjen nga prioriteti kryesor, dhe prioriteti kryesor tani për të dyja palët duhet të jetë arritja e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shtoi Stano.

    Këshilltarja komunale e Mitrovicës Veriore, Aida Doli, ka kërkuar hapjen e urës kryesore të Ibrit edhe për automjete sa më shpejtë, pavarësisht kundërshtimeve të BE-së.

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore e ka mbështetur në seancën e së premtes vendimin për hapjen e urës së Ibrit edhe për qarkullimin e automjeteve.

  • Policia Ushtarake e FSK-së ngrit kapacitetet e mbështetjes luftarake

    Policia Ushtarake e FSK-së ngrit kapacitetet e mbështetjes luftarake

    Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të Policisë Ushtarake të FSK-së, Policia ushtarake ka trajnuar dhe çertifikuar togun e mbështetjes luftarake. Këto kapacitete janë ngritur konform objektivave të komandantit të FSK-së, në ngritjen e kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

    Në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës thuhet se Togu është i gatshëm të operoj në ambiente operacionale të ndryshme dhe të kryej një gamë të gjerë detyrash brenda dhe jashtë vendit.

    Në njoftim po ashtu thuhet se gjithashtu janë certifikuar pjesëtarët nga kursi bazik për Polici Ushtarake i cili është organizuar nën mbikëqyrjen e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

    Gjeneral brigade Ilir Qeriqi në emër të Komandantit të FSK-së, përgëzoi pjesëtarët dhe lidershipin e Policisë Ushtarake në ngritjen e kapaciteteve dhe arritjen e objektivave të PU-së dhe FSK-së.

    Komandanti i Policisë Ushtarake Nënkolonel Besnik Selimi uroi pjesëtarët për arritjen dhe kërkoi që motivi, puna dhe profesionalizmi të gdhendet në ADN-në e çdo pjesëtari të Policisë Ushtarake.

    Në ceremoni morën pjesë nga KDS, Kolonel Arben Krasniqi dhe shefi i trajnimeve në SHP , nënkolonel Dedë Hiseni.

    Për arritje të lartë akademike me mirënjohje u shpërblyen OR4 Dren Latifi dhe OR3 Bled Vuniqi.

  • ​Bullgari: Shkencëtarë nga universitete botërore nisin punën në Institutin INSAIT

    ​Bullgari: Shkencëtarë nga universitete botërore nisin punën në Institutin INSAIT

    Shkencëtarët kryesorë nga universitete dhe institucione të rangut më të lartë si Universiteti Carnegie Mellon (SHBA), ETH Cyrih (Zvicër), Instituti Max Planck (Gjermani) dhe Instituti i Shkencave Weizmann (Izrael) po lëvizin për të punuar në Institutin për Shkenca Kompjuterike, Inteligjenca dhe Teknologjia Artificiale (INSAIT), e themeluar në vitin 2022 si një krah i Universitetit St Kliment Ohridski të Sofjes.

    Ato u prezantuan zyrtarisht të premten nga ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës Galin Tsokov, rektori i Universitetit të Sofjes Georgi Valchev, themeluesi dhe drejtori shkencor i INSAIT, Martin Vechev dhe drejtori ekzekutiv i INSAIT Borislav Petrov.

    Bernhard Haeupler, Amir Abboud dhe Tomasz Kociumaka janë ndër shkencëtarët më të njohur në botë në fushën e algoritmeve, tha Ministria e Arsimit dhe Shkencës në një njoftim për shtyp.

    Me ardhjen e tyre në Bullgari, ky vend bëhet një nga qendrat shkencore më konkurruese në botë ku mund të priten përparime të rëndësishme shkencore në këtë fushë në muajt dhe vitet e ardhshme. Për shkak të rëndësisë së këtij aktiviteti, në mesin e të pranishmëve ishte edhe Robert Tarjan, fitues i A.M. Çmimi Turing për informatikë.

    Tarjan tha se ajo që po ndodh në INSAIT tërheq vëmendjen në nivel ndërkombëtar dhe këta tre shkencëtarë që i bashkohen INSAIT është një lajm me të cilin të gjitha universitetet kryesore në botë dëshirojnë të mburren. Lajmet e mëdha nga INSAIT nuk kanë ardhur ende, shtoi ai.

    Ministri Chokov tha se kur ka hapësirë dhe ëndërr për zhvillim, gjërat ndodhin. Ai përgëzoi INSAIT për rezultatet e tij dhe i bëri thirrje institutit që të kërkojë gjithmonë mënyra për të mbështetur të rinjtë.

    Rektori i Universitetit të Sofjes përgëzoi ekipin e INSAIT për energjinë me të cilën ata arrijnë sukses pas suksesi. “Shkenca e madhe bëhet me ekipe ndërkombëtare dhe duke tërhequr këta shkencëtarë, ne tregojmë se edhe ne jemi pjesë e komunitetit shkencor botëror”, tha Valchev.

    Vechev prezantoi studiuesit që i bashkohen INSAIT, duke theksuar se secili prej tyre është 40 vjeç e poshtë. “Këta janë disa nga emrat më të mëdhenj në botë në fushën e tyre dhe shkencëtarët që janë po aq të kërkuar nga organizatat shkencore si dhe nga kompanitë kryesore teknologjike”, shtoi ai.

    Bernhard Haeupler (40), jep mësim në Universitetin Carnegie Mellon dhe është hulumtues kryesor në ETH Cyrih. Ai kishte mbi 100 artikuj në forume kryesore shkencore dhe çështje në fushën e algoritmeve. Për të punuar në INSAIT, ai heq dorë nga pozicioni i tij i pjesshëm në Google Research në Cyrih, tha Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

    Amir Abboud (32) është një shkencëtar në Institutin e Shkencave Weizmann. Ai ka marrë grantin prestigjioz të ERC-së dhe çmimin Erdos (2024) për arritje të jashtëzakonshme, duke u bërë fituesi më i ri në historinë e atij çmimi. Ka punuar në IBM Research, SHBA.

    Tomasz Kociumaka (33) është studiues në Institutin Max Planck. Autor i mbi 100 artikujve në forume kryesore shkencore dhe çështje në fushën e algoritmeve. /BTA

  • ​Incident në Komunën e Mitrovicës Veriore

    ​Incident në Komunën e Mitrovicës Veriore

    Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Komunën e Mitrovicës së Veriut pasi gazetari i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress Alidin Damati është dëbuar nga objekti komunal.

    Truproja e kryetarit të Komunës Erden Atiq, pas një polemike gjatë pauzës së seancës se Kuvendit Komunal në mes të gazetarit dhe kryetarit të kësaj komune, duke e kapur në kraharor gazetarin, i bën me shenjë që ky i fundit duhet të del jashtë.

    Duke mos u mjaftuar me kaq, shefi i kabinetit të kryetarit Visar Syla, gjithnjë me urdhër të kryetarit Erden Atiq, urdhëroi sigurimin e objektit që gazetarit të KosovaPress-it të mos i lejohet hyrja pas pauzës.

    Shkak i krejt kësaj situate ishte një deklaratë e njërës prej këshilltarëve dhënë gazetarit jashtë sallës, përkatësisht në njërën prej korridoreve të objektit të komunës, derisa seanca zhvillohej brenda në sallë. Më pas, mësohet se të gjitha mediat nuk janë lejuar ta përcjellin seancën me arsyetimin se ajo duhet të vazhdojë e mbyllur. /KP/

  • Sulm me thikë në Gjermani, plagoset aktivisti i ekstremit të djathtë

    Sulm me thikë në Gjermani, plagoset aktivisti i ekstremit të djathtë

    Disa persona janë goditur me thikë nga një person me thikë gjatë një organizmi politik të ekstremit të djathtë në qytetin gjerman të Manheim.

    Sulmuesi me thikë goditi disa njerëz, duke përfshirë aktivistin e ekstremit të djathtë Michael Stürzenberger, 59 vjeç rreth orës 11:30 të mëngjesit me kohën lokale, sipas The Mirror.

    Pamjet e transmetuara drejtpërdrejtë në YouTube treguan aktivistët anti-islamik nga Pax Europa duke u përgatitur për të mbajtur një tubim të vogël kur një person me thikë iu afrua një burri dhe filloi ta godiste me thikë.

    Kalimtarët e rastit u panë duke nxituar për të ndihmuar viktimën që u sulmua nga autori, i cili u përplas përtokë.

    Pak çaste më vonë sulmuesi nisi të qëllonte me thikë kë t’i dilte përpara. Kalimtarët më pas u përleshën me autorin dhe u përpoqën të largonin të plagosurin e parë që mbeti në dysheme.

    Ai pësoi një plagë me thikë në pjesën e pasme të këmbës. Sulmuesi më pas goditi me thikë pas shpine një oficeri policie.

    Në këtë moment policë të tjerë ndërhynë dhe qëlluan mbi të. Sipas gazetës gjermane Bild , Stürzenberger ishte një nga viktimat në sulm.

    Politikani i ekstremit të djathtë është dënuar dy herë për fyerje të policisë dhe “nxitje dhe denigrim të mësimeve fetare”, tha gazeta.

    Pas sulmit, mjekët u panë duke trajtuar të paktën tre persona në vendngjarje. Rreth zonës ku ndodhi goditja me thikë u vendos edhe një kordon policie.

  • KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Në paraditen e së premtes, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.

    Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, ka thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.

    “Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.

    Nënkryetari i këtij Kuvendi komunal, Skënder Sadiku, ka thënë të premten se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.

    Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe të KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

    “Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Sadiku.

    Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

    Aktualisht në krye të komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, po ashtu nga Lëvizje Vetëvendosje.

    Pas thirjeve për hapje të urës ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano ka thënë, po ashtu, se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    “Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano të premten.

    Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

    Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

    Kundër hapjes së urës ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Sipas saj, hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

    Qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë.

    Disa e kanë komentuar si vendim që rrit tensionet, ndërsa për të tjerë është parë si “gjë e mençur”. /REL

  • Prokuroria mohon se është hapur sërish grupi “AlbKings”: Nëse ka tendencë, do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm

    Prokuroria mohon se është hapur sërish grupi “AlbKings”: Nëse ka tendencë, do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mohuar të jetë hapur sërish grupi famëkeq “AlbKings”, që funksionon në rrjetin social “Telegram”, ku shpërndaheshin fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e ngacmimin seksual.

    Nga kjo prokurori bëjnë me dije se raportimet janë bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, demanton lajmin i cili është duke qarkulluar në portalet vendore se është hapur përsëri grupi “Albkings”, pra ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme. Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

    Prokuroria ka thënë se janë në monitorim të kësaj çështje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme.

  • Vashat e Kosovës përballen sot me Kroacinë për kualifikimet e Euro 2025

    Vashat e Kosovës përballen sot me Kroacinë për kualifikimet e Euro 2025

    Vashat e Kombëtares së Kosovës në futboll do të përballen sot me Kroacinë në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2025 të femrave.

    Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 17:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, raporton KosovaPress.

    Kosova gjendet në Grupin 4 të Ligës B të këtyre kualifikimeve, ku e zë vendin e fundit me asnjë pikë pas dy ndeshjeve, kurse Kroacia renditet e treta me tri pikë të arkëtuara.

    Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në kuadër të këtyre kualifikimeve, vashat “Dardane” pësuan humbje 6:0 nga Uellsi.

    17:00 Kosova (femrat) – Kroacia (femrat)

  • Zemaj: Diaspora e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike

    Zemaj: Diaspora e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se diaspora e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike.

    Në takimet e shumta që po i zhvillon atje, Zemaj ka thënë se diaspora është në përkrahje dhe përgatitje për fitoret e LDK-së.

    Ai ka treguar edhe për takimet që janë në plan të zhvillohen, para tubimit madhështor të shtunën në Gjenevë.

    “Mërgata jonë në Zvicër e kudo e sheh LDK-në si shtëpinë e vet politike! Dega e parë e LDK-së në Zvicër, Kryesia dhe kryetaret e 9 Nëndegëve të këtij regjioni në përkrahje, dhe përgatitje për fitoret e LDK-së. Vazhdojmë sot pasdite në 19:30 në takimin e radhës në Olten në Degën e dytë Zvicër. Nesër të gjithë në takimin e madh në Gjeneva”, ka shkruar Zemaj.

  • Nënshkruhet kontrata mbi 70 milionëshe për energji

    Nënshkruhet kontrata mbi 70 milionëshe për energji

    Ministria e Ekonomisë dhe konzorciumi fitues “Orllati”, kanë nënshkruar kontratën për ankandin e parë solar në Kosovë për centralin prej 100 megavatëve në Kramovik të Rahovecit, raporton EO.

    Kompania fituese do të investojë mbi 70 milionë euro në Kosovë.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky projekt është në dobi të sigurisë energjetike, qytetarëve e ambientit. Shpreson që kjo gjeneratë të jetë e fundit sa i përket problemeve me energjinë.

    “I gjithë ky projekt është përkrahur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Qeveria Amerikane dhe USAID kanë qenë partner kyç në proceset tona kryesore në sektorin e energjisë. Ky ankand do të jetë vetëm i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë. Kosova po dëshmon se po bëhet një mjedis i favorshëm dhe i sigurt në sektorin e energjisë dhe jo vetëm. Shpresoj që të jemi gjenerata e fundit që mund të ndjejmë rrezikun e një krize të energjisë. Prandaj ministria dhe qeveria jemi zotuar në atë që disa e quajnë strategji energjetike shumë ambicioze. Dua të falënderoj kompaninë Orllati që na ka dhënë besimin për tu bërë partner i ynë në sektorin e energjisë. Presim me padurim që të punojmë se bashku në zbatimin e këtij projekti në dy vitet e ardhshme”, tha ajo.

    Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë Orllati, Avni Orllati tha se dobitë e këtij projekti do të jenë të mëdha për Kosovën.

    “Me krenari mblidhemi sot për të nënshkruar këtë kontratë historike. Kjo ngjarje shënon një hap vendimtar në angazhimin tonë për një të ardhme më të qëndrueshme. Përparësitë e këtij projekti janë të shumta. Ajo do të nxisë edhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.