ATV

Author: ATVLive

  • Mbyllet QMF-ja në “Kalabri”, qytetarët ankohen: Na kanë marrë në qafë – komuna jep detaje

    Mbyllet QMF-ja në “Kalabri”, qytetarët ankohen: Na kanë marrë në qafë – komuna jep detaje

    Mbyllja e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-IX) në “Kalabri” për shkak të renovimit, që parashihet të zgjasë deri në tre muaj, ka krijuar shqetësim tek qytetarët e kësaj rrethine në kryeqytet.

    Ani pse Komuna e Prishtinës ka dalë me njoftim disa ditë para mbylljes, ata thonë se nuk janë informuar për një gjë të tillë.

    Qytetarët e “Kalabrisë” e konsiderojnë sfidë mbylljen e kësaj qendre dhe vizitën nëpër QMF-të e tjera të kryeqytetit.

    Isuf Ahmeti për KosovaPress thotë se për shkak të moshës dhe lëvizjes së shpeshtë të veturave do ta ketë të vështirë të shkojë për vizitë në QMF-të e tjera të kryeqytetit.

    Madje, ai shprehet skeptik që procesi i renovimit do të përfundojë brenda tre muajve siç është premtuar, derisa tregon se nuk është njoftuar për këtë vendim të komunës.

    “Qenka shumë keq, edhe ne tash si banorë prej këtu e kemi problem të shkojmë në ambulantat e tjera shumë. Sidomos unë që jam në moshë, në këtë lëvizje të shpeshtë veturave që po ka rrugëve, si të shkojë. Nuk ka familje, që nuk ka njerëz të sëmurë…Na paskan marrë në qafë në këtë punë, nuk e kam ditur fare, qenka tre muaj po do të shkojë një vit gati. Këta kanë thënë tre muaj, asnjëherë nuk ka dalur siç kanë thënë”, thotë Ahmeti.

    Po ashtu, edhe Bajram Çitaku potencon se nuk ka qenë i informuar për mbylljen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen e tij, e cila u bë me 3 qershor.

    Mos marrjen e shërbimeve për shkak të renovimit përgjatë tre muajve, Çitaku e konisderon si dëm të madh për qytetarët.

    “A jeni informuar paraprakisht se do të mbyllet? Nuk e di…Është dëm i madh për tre muaj të mbyllet. Kanë nevojë populli (të vizitohen tek mjeku)”, shprehet Citaku.

    Shaban Kolaj tregon se për shkak të moshës së shtyrë, ka nevojë që të vizitohet tek mjeku më shpesh, derisa shpreson që riparimi i kësaj qendre të bëhet sa më shpejtë.

    “Sigurisht se i vjetër 70 vjeç, normale ka nevojë çdo njeri (të vizitohet tek mjeku). Por, shpresoj që riparohet sa më shpejtë dhe ta kemi edhe më afër nuk do të ishte keq. Por, doktorë ka gjithandej”, thotë Kolaj.

    Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku thotë se mbyllja e QMF-së në “Kalabri” është bërë për shkak të nevojës për renovim.

    Për KosovaPress, Sadiku potencon se punimet mund të zgjasin deri në tre muaj.

    Ai thotë se qëllimi i këtij veprimi ka qenë krijimi i kushteve më të favorshme për stafin e punës dhe vetë pacientëve.

    “Qendra e Mjekësisë Familjare në Emshir (Kalabri), është qendër në të cilën ne kem filluar renovimin e saj. Për këtë arsye nga 3 qershori i këtij viti, qytetarët e Emshirit nuk do të marrin shërbime për diku rreth dy deri në tre muaj sipas operatorit ekonomik që ka filluar renovimin atje. Qëllimi ynë është që ajo qendër e cila ka qenë shumë e ngarkuar gjatë procesit të Covid 19 në Kosovë, për arsye se ka qenë qendra e cila ka dhënë shërbime për pacientët me Covid 19 dhe ka pasur dëmtime të mëdha të institucionit, ne kem i filluar ta bëjmë renovimin komplet të saj, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për punë. Për arsye se duke krijuar kushte më të mira për punë ne krijojmë mundësi për të dhënë shërbime më cilësore për qytetarët e kryeqytetit”, thekson Sadiku.

    Qytetarët e “Kalabrisë” mund të vizitohen dhe të marrin shërbime mjekësore nëpër të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet. /kp

  • ​Suficiti tregtar i Gjermanisë shënoi një suficit prej 24 miliardë dollarë në muajin prill

    ​Suficiti tregtar i Gjermanisë shënoi një suficit prej 24 miliardë dollarë në muajin prill

    Bilanci i tregtisë së jashtme të Gjermanisë shënoi një suficit prej 22.1 miliardë euro (24 miliardë dollarë) në prill, zbuloi të premten autoriteti federal statistikor Destatis.

    Eksportet e vendit arritën në 136.5 miliardë euro, me një rritje prej 1.9%, dhe importet arritën në 114.5 miliardë euro, me një rënie prej 0.6%, nga viti në vit në muajin prill.

    Eksportet e Gjermanisë ishin 74.1 miliardë euro drejt anëtarëve të BE-së në prill 2024, ndërsa importoi mallra me vlerë 61.3 miliardë euro nga këto vende.

    Ndërkohë, eksportet e vendit drejt vendeve jashtë BE-së arritën në 62.4 miliardë euro në muajin prill dhe importet prej tyre arritën në 53.2 miliardë euro.

    Eksportet e Gjermanisë në Rusi ranë me 10.5% në 700 milionë euro nga viti në vit në prill 2024 dhe importet e saj nga Rusia ranë me 43.1% në 200 milionë euro./AA/

  • Shqipëria përballet sot me Azerbajxhanin

    Shqipëria përballet sot me Azerbajxhanin

    Së bashku me Joshua Zirkzee, Milani po e monitoron gjithashtu sulmuesin e Chelseat, Armando Broja dhe Artem Dovbyk të Girona FC, pretendon “Sky Sport Italia”. Ka raporte se cila është situata saktësisht me sulmuesin e Bolonjës Zirkzee, i cili ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë euro në kontratën e tij, kështu që negociatat me klubin janë të panevojshme.

    E vetmja pengesë është komisioni i kërkuar nga agjenti i tij, i cili kërkon 15 milionë euro si shpërblim për marrjen e klauzolës së lirimit të vendosur në kontratë kur bën lëvizjen nga Bayern Munich në “Stadio Dall’Ara”.

    Me këtë në mendje, eksperti i transferimeve Gianluca Di Marzio, sugjeron që kuqezinjtë po monitorojnë edhe dy sulmues të tjerë. Ata janë Armando Broja, i cili sërish nuk ka vend te Chelsea dhe kërkon largimin, dhe sulmuesi i Girona, Dovbyk, përcjellë KosovaPress.

    Nuk është hera e parë që Milani është lidhur me Brojën, i cili ishte i huazuar te Fulhami dhe potencialisht mund të huazohet sërish me një opsion për blerje përfundimtare.

    Sa i përket Dovbyk, ai besohet se ka një marrëveshje verbale me Gironan për ta lënë atë të largohet nëse vjen një ofertë me vlerë 40 milionë euro.

  • Shpronësimet në veri të Kosovës, çfarë thonë qytetarët dhe analistët

    Shpronësimet në veri të Kosovës, çfarë thonë qytetarët dhe analistët

    Qeveria e Kosovës ka marrë para disa ditësh vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Zubin Potok e Leposaviq, të cilat do të shërbejnë për projekte infrastrukturore me interes publik. Kjo është bërë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të Gjykatave të Republikës së Kosovës.

    Në lidhje me këtë, pronarët e këtyre tokave nuk kanë pranuar të flasin publikisht, ndërsa qytetarët serbë të veriut shpronësimin nga ana e qeverisë e konsiderojnë si diçka të parregullt dhe për çka është dashur të arrihet marrëveshje paraprakisht me pronarët e tokave. Disa prej tyre kanë thënë për KosovaPress se procesin e shpronësimit e shohin edhe si uzurpim.
    Dragolub Vllajiq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, tha se çështja e shpronësimit është dashur të zgjidhet duke arritur marrëveshje me banorët paraprakisht.

    Radovan Glligoviq, një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës, theksoi se pasuria private është e paprekshme dhe se ajo nuk ishte dashur t’i merret me forcë askujt. Sipas tij, shteti posedon mjaftueshëm toka të pashfrytëzuara të cilat është dashur t’i përdorë për qëllime të veta dhe jo të marrë toka që janë në pronësi private.
    Ndërkaq, analisti Branisllav Kërstiq, e ka quajtur shpronësimin si proces krejtësisht normal.

    Ai kërkoi që shteti ta bëjë dëmshpërblimin ndaj pronarëve të tokave sa më shpejtë dhe në mënyrë korrekte, ndërsa tha se nuk ka vend për alarmim të situatës.

    Vetëm gjatë ditës së enjte, shtoi ai, katër banorë nga fshati Dren i komunës së Leposaviqit, pronarë të tokave, kanë nënshkruar aplikacionin për dëmshpërblim. Në anën tjetër, shpronësimi i këtyre pronave është parë problematike prej kur ka filluar, në janar të vitit të kaluar.
    SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë kujdes me procesin, andaj për këtë arsye qeveria e kishte larguar disa herë këtë çështje nga agjenda e saj.

    Shpronësimin e këtyre pronave e kishte përmendur edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar. Muaj më parë diplomati amerikan këtë çështje e kishte ndërlidhur edhe me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
    Kundër këtij vendimi kishte dalë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    ‘Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, është e papranueshme. Është një prej arsyeve që pasi të shkoj në Kosovë, do të shkoj në veri të saj dhe të flasë me qytetarët atje. Më pas do ta konfrontojë qeverinë në Prishtinë me këtë situatë. Është një nga detyrat e mia dhe të them një nga shqetësimet kryesore për momentin. Shohim se stabiliteti në veri, nëse mund ta quajmë stabilitet, është shumë i brishtë. Nuk mund të pranojmë të shtojmë më shumë benzinë në këtë proces’, ka thënë Cramon në një konferencë për media.

    Veprimet e qeverisë së Kosovës për shpronësimet në veri ishin kundërshtuar edhe nga vetë serbët lokalë, të cilët organizuan protesta, ndërsa reagimi nuk mungoi as nga partia më e madhe e tyre në Kosovë, ‘Lista Serbe’.
    Në janar të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendime me epilog të ndryshëm në paditë individuale ndaj vendimit të qeverisë për shpronësim në disa zona në Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Në dy raste gjykata në shkallën e parë aprovoi padinë individuale ose grupore të pronarëve të parcelave, pjesëtarë të komunitetit serb. Në tre raste tjera, Themelorja hodhi poshtë paditë individuale ose grupore të pronarëve ndaj vendimit të njëjtë të qeverisë.

    Së fundi, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin në veri, të enjten kanë reaguar edhe shtetet e Kuintit, Zyra e BE-së në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë.
    Ata përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës më 30 maj, që të finalizojë shpronësimin e tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    ‘Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin qeveria ende nuk e ka adresuar. Na vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht, përpara se të merrte këtë vendim. Ne kemi shprehur poashtu shqetësimet tona ndaj qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar ata që ta modifikojnë ligjin në përputhje me rrethanat si përpara se ta miratojë atë’, thuhet mes tjerash në këtë deklaratë. Ndryshe, sipërfaqja e tokës që është objekt i shpronësimit llogaritet të jetë mbi 100 hektarë, 83 prej të cilave në komunën e Leposaviqit, ndërsa të tjerat në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Zubin Potok, Jasenovik, Banjë, Veli Breg dhe Bërnjak.

  • Von der Leyen u bën thirrje qytetarëve evropianë që të dalin në zgjedhje

    Von der Leyen u bën thirrje qytetarëve evropianë që të dalin në zgjedhje

    Ka nisur votimi në shtetet e Bashkimit Europian për zgjedhjen e përbërjes së Parlamentit Evropian, i cili më pas do të sjellë udhëheqje të re në bllok.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendeve të BE-së që të dalin në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

    Përmes një videomesazhi të shkurtër të publikuar të enjten, në ditën e parë të zgjedhjeve që do të zgjasin deri të dielën, von der Leyen ka thënë se kushdo që e do një Evropë të fortë, duhet të dalë në votime, raporton The Guardian.

    “Shfrytëzojeni këtë nëse e doni një Evropë të fortë”, është shprehur ajo.

    Von der Leyen është kandidatja kryesore e qendrës së djathtë në zgjedhjet e BE-së.

  • Kërcënimet e Serbia dhe RS në Ballkan, kërkohet vazhdimi i mandatit të Bundeswehrit në Kosovë

    Kërcënimet e Serbia dhe RS në Ballkan, kërkohet vazhdimi i mandatit të Bundeswehrit në Kosovë

    Deputeti gjerman, Philip Kramer nga Grupi Parlamentar Aleanca 90/Të Gjelbrit, ka thënë se Serbia dhe Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë janë të varura nga paratë dhe armët e Moskës dhe inkurajohen të jenë më të qarta në kërcënimet dhe provokimet e tyre kundër fqinjëve të tyre.

    Ato inkurajohen të kërcënojnë me luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor dhe të bashkohen me boshtin autokratik.

    Këto komente, Kramer i bëri në fjalimin e tij të djeshëm në Parlamentin gjerman, ku po diskutohej për vazhdimin e mandatit të Bundeswehrit në KFOR, Kosovë.

    “NATO-ja dhe BE-ja po kryejnë misione për ndërtimin e paqes për të krijuar një mjedis të sigurt për një proces paqeje pas vitesh krime lufte dhe dëbimi. Në të njëjtën kohë, fuqitë autokratike po përpiqen të krijojnë një trampolinë në Evropën Perëndimore dhe të ndezin lagjen e BE-së. Kina po hapet në Ballkanin Perëndimor përmes Iniciativës së saj të Mëndafshit dhe Rrugës, shpesh me premtime për infrastrukturë që shpesh shkojnë në dëm të marrësve të tyre dhe hapin derën e ndikimit kinez. Rusia po merr një qasje shumë më të ngathët”.

    “Ajo vepron si fuqia mbrojtëse e serbëve, si një ‘popull vëlla ortodoks’, ndërsa ushtria e saj në Ukrainë zhvillon një luftë të asgjësimit kundër një ‘populli vëlla ortodoks’, duke vjedhur, vrarë, përdhunuar dhe rrëmbyer fëmijë. Serbia dhe Republika Sërpska varen nga parat dhe armët e Moskës dhe inkurajohen të jenë më të qarta në kërcënimet dhe provokimet e tyre kundër fqinjëve të tyre”.

    “Ato inkurajohen të kërcënojnë me luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor dhe të bashkohen me boshtin autokratik. E gjithë kjo, zonja dhe zotërinj, është ajo që e bën KFOR-in të rëndësishëm sot. E gjithë kjo, të dashur ushtarë të kontingjenteve aktuale dhe të mëparshëm, e kanë bërë shërbimin tuaj në këtë mandat kaq qendror për 25 vjet tani”, u shpreh deputeti Kramer para të pranishmëve.

    Ai theksoi se Bundeswehri, rrjedhimisht KFOR-it, për 25 vite tash ka kryer misionin e tij themelor që është parandalimi i dhunës së përtërirë të luftës dhe promovimi i një mjedisi të sigurt.

    “KFOR-i është një mision paqeruajtës dhe stabilizimi në një zonë të pasluftës të lidhur me konfliktin. Dhe kjo na sjell në një pikë qendrore: mandati në formën e tij është akoma i rëndësishëm, mbase më i rëndësishëm sesa ishte disa kohë më parë. Për vite me radhë, por më së voni që nga pushtimi rus në shkallë të plotë të Ukrainës, autokratët e interesuar për të zhvendosur kufijtë e tyre kanë nuhatur ajrin e mëngjesit. Kjo vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor ishte dhe është një hyrje gjeopolitike për në Evropë. Kjo bëhet e qartë kur shikoni se kush është i përfshirë atje dhe për cilat arsye”, potencoi më tej ai.

    Ndërkaq, ai pati edhe kritika për zhvillimet në Kosovë që nga paslufta, duke thënë se “fakti që asnjë paqe e qëndrueshme nuk është rritur ende në Kosovë, se korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia dhe mungesa e perspektivave nuk vazhdojnë të përhapen, është një dështim politik nga të gjitha anët, përfshirë BE-në”.

    “Është një domosdoshmëri politike për të përparuar këtu në muajt e ardhshëm, nëse është e mundur, por të paktën në vitet e ardhshme. Fakti që asnjë vuajtje dhe masakër e re, dëbim dhe përdhunim nuk ka shpërthyer midis shteteve dhe popullsisë së tyre është falë ushtarëve të Bundeswehrit të vendosur në Kosovë dhe partnerëve tanë”, deklaroi deputeti nga Grupi Parlamentar Aleanca 90/Të Gjelbrit në Bundestagun gjerman.

    Në fund, ai kërkoi nga kolegët e tij deputetë që të votojnë pro vazhdimit të misionit të Bundeswehrit në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

  • Arrestimi i kosovarëve në Serbi, njohësit e sigurisë e quajnë revanshizëm ndaj shtrirjes së sovranitetit edhe në veri

    Arrestimi i kosovarëve në Serbi, njohësit e sigurisë e quajnë revanshizëm ndaj shtrirjes së sovranitetit edhe në veri

    Kalimi i qytetarëve të Kosovës nëpër Serbi, për në shtetet evropiane është bërë sfidë, pasi secili rrezikohet të arrestohet nga autoritetet serbe.

    Njëjtë ndodhi edhe me Tefik Mustafën, i cili u arrestua në fillim të këtij muaji derisa po e kalonte kufirin Kosovë-Serbi, në Merdar, raporton Ekonomia Online.

    Njohësit e çështjeve të sigurisë dhe të politikës në vend, thonë se veprimet e Serbisë duhet trajtuar me urgjencë, bashkë me ndihmën e shteteve evropiane dhe ShBA-së.

    Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi, arrestimet e kosovarëve në Serbi i ka quajtur kidnapime, të cilat po vazhdojnë që nga paslufta.

    “Kosova është shumë vështirë të bëjë vetëm diçka në këtë, sepse Serbia po vërehet që është një shtet fashist e jo demokratik, nuk e respekton asnjë rregull, as vendor as ndërkombëtar. Kosova krejt çka mund të bëjë është që me partnerët ndërkombëtar ta bëjë një vije të kuqe që më nuk guxon t’i kidnapojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, nëse kanë shqetësime për krimet e luftës atëherë duhet ta bëjmë përmes kanaleve zyrtare të Republikës së Kosovës apo partnerëve ndërkombëtar, pra ekzistojnë një milionë mundësi për të cilat ata mund t’i shprehin nëse ka shqetësime mbi këtë çështje, kjo është më shumë politike se sa që ka të bëj me çështjen e ligjit apo krimet e luftës. Mendoj që qeveria e Kosovës duhet me urgjencë ta marr këtë rast sepse kjo po na përsëritet herë pas here dhe është e dhimbshme sepse kemi persona që ende figurojnë që mbahen në burgje pa ndonjë procedurë të rregullt. Mendoj që Kosova duhet me urgjencë ta ngris në nivelet më të larta të ndërkombëtare, BE dhe ShBA, që ky atak ndaj qytetarëve të Kosovës të përfundoj”, ka thënë Arifi.

    Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se kjo është një formë revanshiste primitive e qeverisë së vendit fqinjë, për shkak të zbatimit të sovranitetit nga ana e Kosovës dhe shtrirjes së zbatimit të ligjit edhe në katër komunat veriore.

    “Ministrja e Jashtme dhe Diasporës pati reagimin në krye me Bashkimin Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që pati një reagim dhe kërkoi ndalimin e arresteve arbitrare dhe mendoj që në këtë formë duhet të bëhet trysni mbi Serbinë që të ndalojë këto forma të arresteve arbitrare, por edhe forma tjera të diskriminimit të shqiptarëve që kalojnë transit rrugës për destinacion për perëndim që kanë aktet rrugore për Serbi. E di që para do kohësh ishte ndalimi i autobusëve në ndalim me Kroacinë pa kurrfarë justifikimi për këtë arsye mendoj që duhet të jetë reagimi më i ashpër i ndërkombëtarëve me qëllim që këto forma të ndalohen mos të flas tash edhe për çështje tjera kur shumë persona të autorizuar zyrtarë gjegjësisht edhe zëvendësdrejtori i Policisë, ndalohet dhe mbahet nga BIA, pra një shërbim inteligjent i Serbisë. Kjo tregon se në këtë formë qytetarët sa të kalojnë në pjesën tjetër në kufirin me Serbinë janë pra subjekt i trajtimeve arbitrare gjegjësisht në këtë rast arresteve, përkundër që ne me Serbinë kemi pas një marrëveshje për normalizim të integruar të kufirit, por që ajo u anashkalua, gjegjësisht nuk u respektua nga momenti i arrestimit të Gjuriqit në pjesën veriore të Kosovës, atëherë e shkeli pra urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pra veproj në kundërshtim me atë çka iu urdhërua lidhur me organizimin e tubimeve publike”, theksoi Ibishi.

    Ibishi shtoi se për këtë çështje duhet një trysni më e madhe, ndërkombëtare, ngase këtu po pësojnë qytetarët e Kosovës.“Është e pajustifikueshme që qytetarët pa kurrfarë baze të ndalohen, ashtu si thash në mënyre arbitrare dhe pa justifikim.

    Mendoj që kjo formë do të ketë impakt në gjithë kërkesat e trysnitë sidomos të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më në fund të ndalet kjo, sepse shihet qartë, se kjo është një lloj revanshizmi për atë çka ligjërisht po zbatohet në pjesën veriore e që ka të bëjë me marrëveshjen dy palëshe”, theksoi ai.

    Ndërkohë, edhe njohësi tjetër i sigurisë, Drizan Shala, thotë se veprimet e autoriteteve serbe ku po i arrestojnë qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi, është hakmarrje për operacionet e zhvilluara nga institucionet e sigurisë së Kosovës për identifikimin dhe djegien e agjentëve të Serbisë që vepruan në Kosovë.

    “Serbia po iu hakmerret qytetarëve tanë të cilët po lëvizin përmes territorit të Serbisë në drejtim të vendeve evropiane, pra veprime të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën edhe arrestimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë nga komuniteti serb. Pra të gjitha këto janë veprime që mbrapa tyre qëndron Aleksandër Vulini i cili i ka specialitet veprimet e tilla duke e shfrytëzuar BIA-n. Sa i përket çështjes së ndalimit edhe departamenti i shtetit amerikan ka reaguar duke i bërë apel Serbisë që të jetë e kujdesshme sa i përket mbarëvajtjes së procesit të ketë një proces fer dhe transparent por që veprimet tilla nuk do të ndalen. Tanimë është e qartë që Serbia do të vazhdoj tutje dhe të përçojë mesazh në drejtim të institucioneve të Kosovës. Kjo çështje tanimë është e diskutuar dhe është një marrëveshje në Bruksel për lëvizje të lirë që e kanë obligim edhe Kosova edhe Serbia ta zbatojnë për qytetarët e dy vendeve”, tha Shala.

    Tefik Mustafa, u arrestua me 1 qershor nga policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdar, nën akuzat për gjoja krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.

  • ​Xhaka e Shaqiri do të shpërblehen me bonuse nëse Zvicra arrin sukses në Euro 2024

    ​Xhaka e Shaqiri do të shpërblehen me bonuse nëse Zvicra arrin sukses në Euro 2024

    Të shtunën, më 15 qershor, Zvicra nis aventurën e Kampionatit Evropian 2024 kundër Hungarisë. Ashtu sikur në të gjitha kampionatet evropiane e botërore, Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin me shokë i presin bonuse të mëdha, gjithmonë nëse skuadra shënon sukses në këtë kompeticion.

    Por sa saktësisht? Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) nuk dëshiron ta zbulojë këtë, por po i mban sekret bonuset për lojtarët. Por ka disa të dhëna. Federata nuk ka qenë gjithmonë aq sekrete në të kaluarën – pagesat e bonusit për Kupat e Botës 2010 dhe 2014 në Afrikën e Jugut dhe Brazil u bënë publike.

    14 vite më parë, shoqata paguante 10 mijë franga për pikë të fituar në fazën e grupeve. Do të kishte qenë 50,000 franga për t’u kualifikuar në raundin e 16-të. Por kjo nuk ndodhi sepse zviceranët dështuan në fazën e grupeve, pavarësisht se fitoi kundër kampionëve të botës, Spanjës. Për katër pikët kundër Spanjës dhe Hondurasit, secili lojtar mori të paktën 40,000 franga, raporton gazeta zvicerane “Blick”, përcjellë KosovaPress.

    “Si gjithmonë, ne nuk publikojmë shifra të detajuara për bonuset. Sipas praktikës së SFV-së gjatë dy viteve të fundit, shpërblimet për këtë turne janë shumë të lidhura me performancën. Nuk ka më bonus pikësh, ka shpërblime për skuadrën pasi të arrijë në 1/8”, shpjegon federata.

    Bonuset e suksesit tashmë janë negociuar nga këshilli i lojtarëve me kapitenin Granit Xhaka dhe pesë bashkëlojtarët e tij Xherdan Shaqiri, Yann Sommer, Manuel Akanji, Remo Freuler dhe Denis Zakaria, si dhe komisioni i bonusit SFV, i kryesuar nga drejtori, Pierluigi Tami.

  • ​Orari i Kosovës në FIBA 3×3 Europe Cup

    ​Orari i Kosovës në FIBA 3×3 Europe Cup

    Për herë të parë në vendin tonë, do të organizohet FIBA 3×3 Europe Cup. Ky event do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë më 8 dhe 9 qershor. Gara do të ketë nga mëngjesi i së shtunës deri në mbrëmje, derisa të dielën zhvillohet ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalet.

    Kosova do të paraqitet në të dyja konkurrencat në këtë event dhe synon paraqitje sa më të mira. Vashat e Kosovës janë në grup me Qipron, Andorrën dhe Irlandën.

    Ndërkohë, Dardanët do të ndeshen me Azerbajxhanin, Qipron, Shqipërinë dhe Armeninë.

    Orari i Kosovës

    8 qershor

    10:45 Kosova-Qipro (femrat)

    14:10 Azerbajxhani-Kosova (meshkujt)

    15:25 Irlanda-Kosova (femrat)

    17:15 Shqipëria-Kosova (meshkujt)

    18:05 Kosova-Andorra (femrat)

    19:55 Kosova-Qipro (meshkujt)

    22:10 Kosova-Armenia (meshkujt)

  • Moti për ditën e premte

    Moti për ditën e premte

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të premten do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas IHMK-së vranësirat mund të shfaqen kryesisht rreth relievit malor.

    “Temperaturat minimale parashihet të lëvizin ndërmjet 11 e 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26 e 30 gradë Celsius”, thuhet në njoftim derisa bëhet me dije se do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit.