ATV

Author: ATVLive

  • ​1.6 milionë njerëz sëmuren çdo ditë nga ushqimet e pasigurta

    ​1.6 milionë njerëz sëmuren çdo ditë nga ushqimet e pasigurta

    Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të premten se çdo ditë, rreth 1.6 milionë njerëz sëmuren nga ngrënia e ushqimeve të pasigurta.

    Fëmijët nën 5-vjeç mbajnë 40% të barrës së sëmundjeve ushqimore, tha Francesco Branca, kreu i ushqimit dhe sigurisë ushqimore në OBSH, në një konferencë shtypi të OKB-së në Gjenevë në Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore.

    Duke theksuar se rreziqet e sigurisë ushqimore nuk njohin kufij, Branca tha se në një “furnizimin global të ushqimit gjithnjë e më të ndërlidhur”, rreziqet e paraqitura nga ushqimi i pasigurt mund të evoluojnë me shpejtësi nga një problem lokal në një emergjencë ndërkombëtare.

    Krizat humanitare në shumë pjesë të botës nxisin pasigurinë ushqimore dhe rrezikojnë sigurinë ushqimore.

    Zyrtari u kërkoi qeverive të sigurojnë që siguria ushqimore të jetë e qartë në planet e tyre kombëtare të veprimit për sigurinë shëndetësore dhe që planet e komunikimit të rrezikut të përditësohen dhe të shkojnë drejt sistemeve të integruara të mbikëqyrjes për shëndetin e kafshëve, mjedisit dhe njerëzve.

    Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) e sheh ushqimin e sigurt si “themelor” për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), tha një zyrtar i lartë i sigurisë ushqimore në konferencë.

    Markus Lipp shtoi se ushqimi i sigurt është gjithashtu një nga parakushtet për të përmbushur planin strategjik të FAO-s për të mundësuar prodhim, ushqim, mjedis dhe jetë më të mirë.

    “Kur ushqimi prodhohet dhe tregtohet në një sistem agroushqimor të sigurt dhe të qëndrueshëm, ai kontribuon në një jetë të shëndetshme dhe përmirëson qëndrueshmërinë duke mundësuar qasjen në treg dhe produktivitetin, gjë që nxit zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e varfërisë, veçanërisht në zonat rurale”, tha Lipp.

    “Në veçanti, përmirësimi i sigurisë ushqimore do të mbrojë shëndetin publik dhe do të zvogëlojë vdekshmërinë e fëmijëve,” tha ai, pasi fëmijët nën 5-vjeç mbajnë barrën më të lartë të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi. /AA

  • Zelensky: Agresioni rus nënkupton që Evropa s’ka paqe

    Zelensky: Agresioni rus nënkupton që Evropa s’ka paqe

    Paqja në Evropë, që ka lulëzuar prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është zhdukur si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, të nisur më 2022, dhe përbën kërcënim për gjithë kontinentin, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    “Ne jetojmë në kohën kur Evropa nuk është më kontinent i paqes”, ka thënë Zelensky para Parlamentit të Francës në Paris, më 7 qershor.

    Më vonë gjatë ditës, ai do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.

    “Ne jetojmë në kohën kur nazizmi po kthehet sërish, fatkeqësisht. Tani në Evropë qytetet sërish po shkatërrohen dhe fshatrat po bëhen hi. Në Evropë ende kemi kampe filtrimi, dëbime dhe urrejtja është bërë kult i ri në Rusi”.

    Si Biden, ashtu edhe Zelensky, janë duke marrë pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të së ashtuquajturës Ditës D, përgjatë së cilës shënohet zbarkimi i forcave ushtarake aleate në Normandi, që më pas ka rezultuar me mposhtje të nazizmit.

    Përgjatë një fjalimi të mbajtur më 6 qershor, Biden ka thënë se bota e lirë është me Ukrainën dhe nuk do t’i nënshtrohet agresionit rus, duke ngritur paralele me luftën e forcave aleate për të çliruar Evropën prej Gjermanisë naziste.

    Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk do ta braktisin Ukrainën, ka thënë Biden.

    Në ceremoninë përkujtimore nuk është ftuar as presidenti rus, Vladimir Putin, dhe as zyrtarë tjerë të Rusisë.

    Përgjatë bisedimeve të Bidenit me Zelenskyn, tema kryesore e bisedës pritet të jetë synimi i Kievit për t’u anëtarësuar në aleancën 32-anëtarëshe, NATO-n.

    Në një intervistë të dhënë së fundmi për revistën amerikane Time, Biden ka thënë se nuk e mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

    Në një intervistë të gjatë, Biden ka thënë se “paqja duket ashtu kur të sigurohemi që Rusia, kurrë, kurrë, kurrë, kurrë nuk do të mund të pushtojë Ukrainën. Ashtu duket paqja”.

    Por, ai më pas ka shtuar, “kjo nuk nënkupton NATO-n, që ata të jenë pjesë e NATO-s”.

    “Nënkupton që të kemi një marrëveshje me ta, sikurse e kemi me vendet tjera, ku dërgojmë armë, që ato shtete të mbrojnë veten në të ardhmen. Mirëpo, nuk jam i përgatitur për të mbështetur anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • ​A do të jetë pjesë e Argjentinës në Kupën e Botës 2026? Ja përgjigja e Messit

    ​A do të jetë pjesë e Argjentinës në Kupën e Botës 2026? Ja përgjigja e Messit

    Superylli argjentinas, Lionel Messi ka folur për Kupën e Botës 2026, ku u pyet nëse ai do të jetë pjesë e skuadrës së Kombëtares së Argjentinës.

    Messi dhe Argjentina e realizuan ëndrrën duke e fituar Kupën e Botës që u mbajt në Katar në vitin 2022, raporton KP.

    Tani, Messi ka folur për Kupën e ardhshme të Botës, në të cilën paraqitja e tij aty do të varet nga niveli në të cilën gjendet ai dhe nga forma e tij.

    “Varet se si ndihem, si jam fizikisht dhe nga të qenit realist me veten time. Ka mbetur edhe shumë kohë… në thonjëza, ‘shumë e pak’, sepse kalon shpejt, por ka ende pak kohë dhe nuk e di se si do të jem në atë moment. Mosha është gjithashtu një realitet që ekziston, edhe pse është thjesht një numër”, tha Messi.

    “Ndeshjet që do të luaj tani nuk janë të njëjta me ato që luajta kur isha në Evropë duke garuar çdo tre ditë, qoftë në Ligën e Kampionëve, qoftë në ligë, qoftë në Francë apo Spanjë. Por varet se si ndihem dhe çfarë ndjej duke qenë përkrah shokëve të skuadrës, dhe duke parë nëse jam ende në nivel apo jo… le të shohim”, tha më tej Messi.

  • ​Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

    ​Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

    Në kuadër të vizitave të komunave të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot vizitoi Komunën e Drenasit, me ç ‘rast përgëzoi atë për performancë të mirë në transparencë dhe llogaridhënie.

    Osmani, pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se Drenasi është një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur.

    Krahas kësaj, në një deklarim për media, Osmani potencoi se Drenasi nuk njihet vetëm për kontributin e dhënë në luftën për lirinë e Kosovës, porse përmendi atë si një ndër komunat me performancën më shembullore në nivel republike.

    E para e vendit theksoi përfshirjen e madhe të grave në pozitat udhëheqëse të kësaj komune, për çka tha se duhet marrë shembull.

    Sipas saj, sa më shumë të ketë gra në vendimmarrje, aq më shumë do ketë perspektivë për qytetarët.

    “Jemi në një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur…Trimëria që e ka treguar kjo komunë dhe qytetarët e sa, trimëria e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që qëndruan të pa tundur përballë shtypjes serbe dhe atyre që paguan çmimin përfundimtar me jetën e tyre për lirinë tonë nuk do të harrohet asnjëherë. Sakrifica e tyre na kujton se liria është më e çmueshmja dhe duhet të ruhet me përkushtim të pa lëkundur. Drenasi nuk shquhet vetëm për kontributin në lirinë e Kosovës, sot Drenasi frymon lirshëm dhe zhvillohet në mënyrë dinamike, duke u bërë një ndër komunat me performancën më shembullore më nivel të republikës sonë. I përtrirë dhe me një potencial për zhvillim ekonomik Drenasi po rritet, po zhvillohet nga sipërmarrës të zellshëm, biznese dhe përkushtim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe qytetareve punëtorë. Është jashtëzakonisht inkurajues fakti që mbi 50 për qind e ekzekutivit komunal që nga dita e parë e udhëheqjes së kryetarit Lladrovci janë të përbëra nga gratë. Kjo dëshmon zotësinë e gruas, punën e saj të jashtëzakonshme dhe besimin në punën e gruas. Ky është një shembull që duhet ndjekur”, tha Osmani.

    Me rastin e vizitës, presidentja Osmani potencoi se sfidat me të cilat po përballet Kosova, derisa përmendi pabarazinë ekonomike, papunësinë e të rinjve dhe nevojën për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës në disa sektorë.

    Ajo tha se do të vazhdojë të përkrahë komunat në plotësimin e nevojave të qytetarëve.

    “Komunat zhvillohen atëherë kur grave u jepet hapësirë për pozita vendimmarrëse. Prandaj, sa më shumë gra në vendimmarrje aq më shumë do ketë perspektivë për të gjithë qytetarët tanë. Akoma kemi pabarazi ekonomike, pa punësia e të rinjve është një ndër sfidat kryesore dhe nevoja për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës qoftë në sektorin e shëndetësisë, qoftë atij të arsimit janë çështje që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Komunat e fuqizuara e fuqizojnë shtetin tonë”, theksoi Osmani.

    Ndërkaq, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci derisa falënderoi presidenten për vizitë tha se pavarësisht sukseseve të deritanishme, kanë shumë punë për të bërë.

    Ndër prioritetet e kësaj komune, Lladrovci potencoi arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë.

    Ai tha se do të vazhdojnë të jenë kampion në zbatimin e ligjit.

    “Jemi në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel nacional për vite me radhë për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mire. Për këto suksese apo gjysmën e tyre e kanë gratë. Kemi punuar shumë por kemi edhe shumë punë për të bërë. Arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, bujqësia janë disa nga prioritetet tona. Jemi kampion në zbatim të ligjit dhe do të vazhdojmë”, tha Lladrovci.

    Gjatë vizitës në Drenas, presidentja vizitoi Parkun e Biznesit dhe shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë.

  • Dodik: Republika Serbe do të mbajë referendum për pavarësi nga Bosnja dhe Hercegovina

    Dodik: Republika Serbe do të mbajë referendum për pavarësi nga Bosnja dhe Hercegovina

    “Republika Serbe do të mbajë një referendum për pavarësimin nga Bosnja dhe Hercegovina dhe data do të caktohet në përputhje me interesat e partive të tjera”, ka thënë për agjencinë ruse TASS, kryetari i entitetit serb të BeH, Millorad Dodik.

    “Ekziston vendimi për ndarje, por ende nuk është caktuar data konkrete. Duhet bërë shumë analiza. Ne do të donim tash, mirëpo, përveç nesh, janë edhe dy palë të tjera në proces. Kjo, natyrisht, kërkon kohë”, ka thënë Dodik në një intervistë për TASS në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, transmeton Paparaci.

    “Ne jemi të sigurt se në këtë fazë tashmë ka mjaft pjekuri të përgjithshme historike, civilizuese dhe mirëkuptim se kjo duhet dhe do të ndodhë”, ka pretenduar Dodik.

    Sipas tij, qëndrimi i Republikës Serbe brenda Bosnje-Hercegovinës është “sinonim i humbjes së kohës dhe mundësive”.

    “Kjo është arsyeja pse është e nevojshme që të realizojmë atë që duam sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndalojmë shpenzimin e burimeve duke shpresuar se Bosnja dhe Hercegovina do të bëjnë diçka”, ka shtuar kryetari i RS.

    Në të njëjtën kohë, ai pretendon se RS “absolutisht nuk dëshiron të krijojë paqëndrueshmëri”.

    “Prandaj ne para se gjithash i propozuam Bosnjës dhe Hercegovinës që të tërhiqet nga vendi ynë, të shfuqizojë Marrëveshjen e Dejtonit. Ne në fakt po shkojmë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

    Dodik më herët ka thënë se organet e Republikës Serbe do të përgatisin një rezolutë për shkëputjen paqësore të këtij entiteti nga Bosnja dhe Hercegovina brenda 30 ditëve. Sipas fjalëve të tij, kjo do të sigurojë ruajtjen e modelit ekzistues të funksionimit të ekonomisë dhe përshtatjen e tij me modelin e ndarjes paqësore brenda pak vitesh.

    Lideri i Republika Serbe e lidhi këtë iniciativë me projekt-rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi gjenocidin në Srebrenicë në 1995, të cilin Dodik e quajti “të paligjshme”. Ai gjithashtu ka thënë se “komuniteti ndërkombëtar nuk po i kushton vëmendje vrasjes së rreth 3.500 serbëve etnikë, viktima të milicive islamike në zonën e Srebrenicës gjatë konfliktit të armatosur në fillim të viteve 1990”, raporton agjencia ruse e lajmeve TASS.

  • Sulmi ukrainas në Belgorod të Rusisë, Moska fajëson SHBA për vdekjet e civilëve

    Sulmi ukrainas në Belgorod të Rusisë, Moska fajëson SHBA për vdekjet e civilëve

    Ministria e Jashtme e Rusisë tha sot se Ukraina po përdor raketa të ofruara nga Shtetet e Bashkuara për të sulmuar objektivat civilë në rajonin e Belgorodit, duke fajësuar Uashingtonin për vdekjen e grave dhe fëmijëve.

    Zëdhënësja Maria Zakharova tha se vdekjet në Belgorod ndodhën javën e kaluar pasi SHBA ranë dakord të lejojnë Ukrainën të përdorë armët amerikane kundër objektivave në tokën ruse për të mbrojtur provincën Kharkiv nën sulmin e forcave ruse.

    Sipas Zakharova, njoftimet e Uashingtonit se dha dritën jeshile për sulme të tilla janë ekuivalente me “një rrëfim për vdekjen e fëmijëve dhe grave në rajonin e Belgorodit”.

    “Fragmentet HIMARS (raketë) do të jenë provë e drejtpërdrejtë” e këtyre pretendimeve, shtoi zëdhënësja e ministrisë ruse gjatë një konference për shtyp në margjinat e një forumi ekonomik në Shën Petersburg.

    Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte këto pretendime, ndërsa Ukraina dhe SHBA nuk kanë komentuar ende.

    Zakharova nuk tregoi foto të fragmenteve të raketave dhe nuk specifikoi se sa njerëz dyshohet se u vranë në incident.

  • ​Rivali i Shqipërisë, Spanja e publikon listën përfundimtare të lojtarëve për Euro 2024

    ​Rivali i Shqipërisë, Spanja e publikon listën përfundimtare të lojtarëve për Euro 2024

    Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka lënë jashtë mbrojtësin e Barcelonës, Pau Cubarsi dhe mesfushorët Marcos Llorente e Aleix Garcia jashtë skuadrës së tij prej 26 lojtarësh për Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Konsistenca dhe aftësia e Cubarsi për të luajtur topin nga prapa e bëri atë një nga lojtarët e parë në La Liga këtë sezon. Megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i fituar atij një vend në Euro 2024 pasi De la Fuente vendosi të qëndrojë me një grup më me përvojë të qendërmbrojtësve si Robin Le Normand, Nacho Fernandez, Aymeric Laporte dhe Dani Vivian.

    Ish-sulmuesi i Newcastle United dhe Leicester City, Ayoze Perez, i cili shënoi me një gol dhe një asist në debutimin e tij ndërkombëtar në moshën 30-vjeçare në fitoren 5:0 të së mërkurës në miqësoren ndaj Andorrës, ishte emri surprizë në skuadrën që do të udhëtojë në Gjermani, me tetë sulmues.

    Spanja, kampionia e vitit të kaluar në Ligën e Kombeve të UEFA-s do të përballet me Irlandën e Veriut të shtunën në ndeshjen e tyre të fundit përgatitore përpara se të nisin fushatën në Euro 2024 më 15 qershor kundër Kroacisë në Grupin B. Ata gjithashtu do të përballen me Italinë dhe Shqipërinë.

    Listën prej 26 lojtarëve të ftuar nga Spanja për Euro 2024 e gjeni më poshtë.

    Portierët: Unai Simon, Alex Remiro, David Raya

    Mbrojtësit: Dani Carvajal, Jesus Navas, Aymeric Laporte, Nacho Fernandez, Robin Le Normand, Dani Vivian, Alex Grimaldo, Marc Cucurella

    Mesfushorët: Rodrigo, Martin Zubimendi, Fabian Ruiz, Mikel Merino, Pedri, Alex Baena, Fermin Lopez

    Sulmuesit: Alvaro Morata, Joselu, Dani Olmo, Nico Williams, Mikel Oyarzabal, Ayoze Perez, Ferran Torres, Lamine Yamal.

  • Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 23 personave në rastin “Call Center”

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 23 personave në rastin “Call Center”

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër njëzet e tre (23) të pandehurve A.F; K.G; I.L; D.H; M.T; V.K; A.Z; L.H; Ç.Q; F.H; M.K; F.K; I.S; S.P; A.V; A.N; I.XH; A.DH; E:L; A.M; K.R; E.R; Q:I; për rastin e njohur “Call Center ”.

    Sipas aktakuzës të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat e penale gjatë viteve 2019 – 2021, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, ku si pasojë janë mashtruar qytetarët – shtetas gjerman, përmes qendrave të thirrjes – Call Center, duke investuar nëpër platformat online.

    Me veprimet e lartcekura të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal te organizuar” nga neni 277 lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par. 1 të KPRK-së , “Shpëlarja e parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56 dhe 57 të Ligjit 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, par.3 lidhur me par. 1, dhe me nenin 31 të KPRK-së.

    Ky rast është hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë së bashku me autoritetet Gjermane, saktësisht me Prokurorinë Publike në Bamberg – Gjermani.

  • IKD: Kodi i Sjelljes i propozuar nga Komisioni për Legjislacion nuk arrin standardet

    IKD: Kodi i Sjelljes i propozuar nga Komisioni për Legjislacion nuk arrin standardet

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në prezantimin e raportit të me temë “Kodi i Sjelljes së Deputetëve”, ka bërë të ditur se Draft kodi i propozuar nga Komisioni për Legjislacion nuk arrin të vendos vullnetin dhe veprimet politike, për arritjen dhe ngritjen e standardeve etike. Sipas IKD-së, ai përqendrohet në mënyrë ekskluzive tek rregullimi i sjellës së deputetëve mes sanksioneve përjashtuese dhe financiare të cilat përbëjnë dobësim të.

    Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj ka thënë se Komisioni për Legjislacion nuk ka arritur ta dërgoj dhe hartoj në seancë plenare të Kodin e sjelljes edhe pse ka pasur kohë të mjaftueshme prej një viti e nëntë muaj për ta hartuar këtë kod.

    “Kuvendi në këtë legjislaturë, por edhe në legjislaturat e kaluara është përballë dhe vazhdon ende të përballet me përdorim të gjuhës jo parlamentare, jo të ndjeshme gjinore, seksiste, raciste, homofobe dhe kemi pasur rastin kur është shfaqur edhe përdorimi i dhunës fizike ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar me deputet. Komisioni për Legjislacion, i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve. Synon të vendos parime, të përcaktoj sjellje të papranueshme, të përshkruaj masa ndëshkuese dhe të formoj një Këshill të etikës për zbatimin e këtij kodi. Edhe pse pati kohë të mjaftueshme prej një viti e nëntë muaj për ta hartuar një kod në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standarde ndërkombëtare, Komisioni për Legjislacion nuk arriti të dërgojë dhe ta hartojë në seancë plenare të Kodit të Sjelljes në pajtim me dokumentet që u përmendën…2:44 Ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit dhe deputetët që një kod të tillë ta tërheqim miratimin prej seancës plenare, të bëj ndryshime në përputhje komentet e tona dhe pastaj ta sjellim në miratim”, ka thënë Jakaj.

    Ai ka shtuar se kodet e sjelljes së deputetëve kanë për qëllim krijimin e kulturës politike duke pasur parasysh korrektësinë, transparencën dhe ndershmërinë, të cilën ky Draft kod i propozuar nga komisioni për legjislacion nuk e ka në synim.

    “Ai (Kodi) përqendrohet në mënyrë ekskluzive tek rregullimi i sjellës së deputetëve mes sanksioneve përjashtuese dhe financiare të cilat përbëjnë dobësim të demokracisë përfaqësuesve, kufizimet që janë vendosur përmes këtij kodi reflektohen me cenim të përfaqësimit të qytetarëve përmes deputetëve që ata kanë zgjedhur. Përjashtimi i deputetëve nga 3 seancat e ardhshme plenare, është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Sipas saj, deputeti mund të largohet nga seanca në të cilën ai kryen shkelje, por jo edhe në seancat e radhës…4:17 Suspendim dhe përjashtimi nga seancat e radhës mund të rezultojë në abuzim nga shumica parlamentare për të larguar deputetët e opozitës dhe për të deformuar shumicën natyrore”, ka shtuar ai.

    IKD propozon që përbërja e Këshillit të etikës të jetë i barabartë ndërmjet shumicës dhe opozitës.

    “Kuvendi duhet të përfshij në Kod vlerat dhe standardet ndërkombëtare, të cilat duhet të reflektohen në punën e përditshme të deputetëve. Ata duhet të shohin parimet e Kodit si aspekte pozitive dhe jo detyruese, gjë që draft kodi aktual nuk arrin ta bëjë.. Draft Kodi i propozuar nuk u lejon deputetëve të kundërshtojnë vendimin e shumicës në format të shkruar ose të japin mendime konkurruese kur pajtohen me votimin, por jo edhe me arsyetimin e dhënë… IKD propozon që përbërja e këshillit të etikës të jetë e barabartë ndërmjet shumicës dhe opozitës”, ka theksuar Jakaj.

    IKD ka përmendur disa raste të gjuhës jo parlamentare në Kuvend, prej të cilave ishte nga zëvendëskryeministri Besnik Beslimi i cili ka përdorur gjuhë seksiste, seanca e 23 korrikut, nga një deputet i LDK-së ndaj kryetarit të Komisionit për Legjislacion dhe në aksionet simbolike të opozitës./kp

  • ​Liverpooli zgjedh lojtarin më të mirë të sezonit

    ​Liverpooli zgjedh lojtarin më të mirë të sezonit

    Mohamed Salah është fituesi i çmimit të lojtarit më të mirë të sezonit te gjiganti anglez, Liverpool.

    “Mbreti Egjiptian” e fitoi çmimin në fjalë për sezonin 2023/24 në një sondazh në Liverpoolfc.com – duke përfunduar përpara Virgil van Dijk dhe Alexis Mac Allister, të cilët u radhitën respektivisht i dyti dhe i treti – për të fituar çmimin për herë të katërt në shtatë vitet e tij në “Anfield”, raporton KosovaPress.

    Salah ishte golashënuesi më i mirë i Liverpoolit këtë sezon me 25 gola në të gjitha garat dhe numri i tij prej 13 asistimeve ishte më i shumti në skuadër së bashku me Darwin Nunez.

    Në total, Salah kishte 38 përfshirje në gola nga 44 paraqitjet e tij për të ndihmuar skuadrën e tij të fitonte Carabao Cup dhe të siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve nëpërmjet një përfundimi në vendin e tretë në Premier Ligë.