ATV

Author: ATVLive

  • ​Dita Botërore e sigurisë së ushqimit

    ​Dita Botërore e sigurisë së ushqimit

    Siguria e ushqimit dhe të ushqyerit e drejtë janë parakushte themelore për shëndet dhe mirëqeni të popullatës së një vendi dhe duhet të integrohen në të gjitha politikat, jo vetëm në ato shëndetësore, por edhe në ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë e një vendi.

    Në 20 dhjetor 2018 sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara miratoi Rezolutën 73/250 për caktimin e Ditës Botërore të sigurisë së ushqimit.

    Duke filluar nga 2019, kjo ditë shënohet me aktivitete të cilat theksojnë përfitimet nga ushqimi i sigurt, por edhe lëshimet dhe mangësitë eventuale në zinxhirin e ushqimit të sigurt.

    Çdo vit, Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore festohet me një temë specifike që udhëzon aktivitetet dhe fushatat globale. Tema të tilla si “Siguria e ushqimit, biznesi i të gjithëve” theksojnë përgjegjësinë e përbashkët midis qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve për të garantuar sigurinë ushqimore.

    Tema e këtij viti është “Siguria e Ushqimit: Përgatituni për të Papriturat”, e cila nënvizon rëndësinë e përgatitjes për incidentet e sigurisë ushqimore, pavarësisht sa të lehta apo të rënda mund të jenë ato, sipas OBSH-së.

    Aktivitete të ndryshme zhvillohen në nivel global, duke përfshirë fushata edukative, seminare dhe seminare, që synojnë promovimin e praktikave të sigurisë ushqimore në të gjitha nivelet e zinxhirit të furnizimit ushqimor.

    Qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe grupet e shoqërisë civile punojnë së bashku për të përforcuar mesazhin e sigurisë ushqimore dhe për të zbatuar masa për të reduktuar rreziqet që vijnë nga ushqimi.

    Ushqimi i sigurt ka një rëndësi qenësore për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë – dy qëllimet kryesore të Agjendës për vitin 2030.

    Sëmundjet lidhur me ushqimin jo të sigurt zakonisht shkaktohen nga baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të cilat i fusim në organizëm përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar.

    600 milionë njerëz ose 1 në 10 njerëz në botë sëmuren si pasojë e konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe në vit vdesin rreth 420.000. Në këtë grup, fëmijët deri në moshën 5-vjeçare marrin pjesë me 40% në ngarkesën me sëmundjet që burojnë nga ushqimi jo i sigurt ose 125.000 raste të vdekjes në vit.

  • ​Papa me shtet që nga viti 1929

    ​Papa me shtet që nga viti 1929

    Qyteti i Vatikanit më 7 qershor të vitit 1929, bëhet shtet sovran.

    Territori i tij përbëhet nga një enklavë brenda qytetit të Romës.

    Vatikani ka sipërfaqe rreth 44 hektarë dhe një popullsi prej rreth 840 banorësh.

    Kjo e bën Vatikanin shtetin më të vogël për nga territori dhe popullsia në botë.

  • Kurti sërish shprehet i hapur për zgjedhje të parakohshme: Do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër

    Kurti sërish shprehet i hapur për zgjedhje të parakohshme: Do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër

    Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

    Kurti tha se zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen në vjeshtë ose dimër, varësisht nëse do të mund të dakordohen me opozitën.

    “Kosova është gjithmonë gati (për zgjedhje) për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion professional edhe I pavarur. Mirëpo, përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare kjo do të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë herë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.

    Ai tha se ky dakordim nuk u arrit për në këtë pranverë, e mbetet të shihet se çka do të sjellë vjeshta e dimri, duke shtuar se kishte shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje meqë është në vitin e fundit të mandatit dhe për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur më pak se dhjetë muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë time që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e dimri”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për televizionin lokal TV Kamenica.

    Ndryshe, marrëveshjet ndërkombëtare janë votuar tashmë, pas takimit që kishte zhvilluar Kurti me keun e PDK’së, Memli Krasniqin.

    Kurti kishte deklaruar se është i është i gatshëm të ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit vetëm nëse për këtë gjë pajtohet të gjitha partitë opozitare. LDK dhe AAK kanë dalë kundër, pasi që kanë kërkuar fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti, në mënyrë që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.

  • Komunat nuk kanë vend për zyrtarët e institucioneve qendrore

    Komunat nuk kanë vend për zyrtarët e institucioneve qendrore

    Përgatiti: Armand Hoti

    Komuna e Vushtrrisë nuk ka hapësirë për ta akomoduar personelin e Drejtorisë së Diasporës, të themeluar së fundmi.

    “Ende nuk kam gjetur ndonjë zyrë adekuate për ta vendosur fillimisht drejtoreshën e pastaj edhe stafin”, tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
    Edhe zyrtarët e Komunës së Rahovecit, sipas kryetarit Smajl Latifi, detyrohen të punojnë në zyrë të ngushta.

    “Në zyrat tona kemi katër deri në pesë zyrtarë, që punojnë në një zyrë”, tha Latifi.

    Prandaj kryetarët Idrizi e Latifi nuk duan t’u shtohet edhe barra e disa zyrtarëve të institucioneve qendrore, që po planifikohet të punojnë nëpër objektet komunale.

    Prandaj thonë se nuk mund të krijojnë hapësira të reja për ta, siç parashihet në një udhëzim të ri administrativ, të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    “Kemi autonominë tonë edhe në vendimmarrje dhe ne nuk mund të pranojmë staf shtesë, përderisa nuk kemi hapësirë për personelin ekzistues”, tha Latifi.

    “Nuk ka hapësirë, bash për asnjë institucion tjetër… neve na ka kërkuar edhe Agjencioni i Pyjeve për t’i siguruar hapësirë shtesë por nuk kemi pasur. Jo se nuk kemi dashur t’u dalim në ndihmë por nuk kemi”, tha Idrizi.

    Sikur Vushtrria e Rahoveci, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave thotë se ka shumë institucione lokale që nuk kanë hapësira të bollshme.

    Prandaj tregon se AKK-ja e ka kundërshtuar këtë Udhëzim Administrativ.

    “Neve si Asociacion i Komunave të Kosovës, kemi qenë pjesë e grupit punues që e ka hartuar këtë Udhëzim Administrativ, dhe kategorikisht e kemi kundërshtuar… kemi konsideruar dhe konstatojmë që nuk ka asnjë bazë ligjore se si mund të merret një Udhëzim Administrativ në kurriz të komunave”, tha Ibrahimi.

    Mirëpo, Komuna e Klinës nuk e ka këtë problem.

    “Me kapacitetet tona ne mund të sigurojmë objekte apo hapësira publike jashtë objektit të komunës, jashtë administratës komunale në momentin që ne do të kuptojmë numrin e zyrtarëve të përcaktuar për komunën tonë”, tha zëdhënësja e Komunës së Klinës, Vlora Tafili.

    Referuar Udhëzimit Administrativ, shpenzimet shtesë të rrymës, ujit, mbeturinave si dhe shpenzimet për mirëmbajtje të objektit të komunës i mbulon institucioni qendror, që ka kërkuar hapësirat publike për ofrim të shërbimeve.

  • Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Përgatiti: Nora Luta

    Rreth 30 minuta ishte maltretuar fizikisht Agron Ramadani deri në alivanosje në qershorin e 1998-s, para se të futej në qelinë numër një në burgun e Prishtinës.

    Por keqtrajtimet fizike dhe psikike, sipas Ramadanit, kishin zgjatur pothuajse gjatë tërë periudhës sa qëndroi i burgosur nën akuzat për terrorizëm, fillimisht në këtë burg, e pastaj në atë të Lipjanit.

    Në mesin e atyre që e kishin rrahur, ish-shefi i sigurisë së Adem Demaçit, ka thënë se ishte edhe Dragisha Millenkoviq, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon për krime lufte.

    Ai u pyet rreth maltretimeve konkrete që i ka pasur nga i akuzuari.

    Dëshmitari rrëfeu para trupit gjykues se edhe atë pak ushqim që e kishin e ndanin me të burgosurit e tjerë.

    Me pyetje rreth mungesës së ushqimit dhe keqtrajtimeve, ai u ballafaqua edhe nga Dragisha Millenkoviq.

    E për rrethanat e identifikimit të Millenkoviqit dhe mundësisë së ngatërrimit me një të dyshuar tjetër, Ramadani përveç mbrojtjes u sfidua me pyetje edhe nga trupi gjykues.

    Gjykimi për Millenkoviqin, i cili akuzohet se keqtrajtoi e rrahu edhe me kabllo elektrike të burgosurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, do të vazhdojë në fund të këtij muaji.

    Ramadani që ishte në mesin e tyre, tregoi se ishte arrestuar nga sigurimi shtetëror i Serbisë nën arsyetimin se ishe themelues i UÇK-së, dhe ishte dënuar me tri vjet burgim për terrorizëm.

    Në mesin e viktimave në këtë rast, të cilët pritet të dëshmojnë, janë edhe kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, e deputeti Isak Shabani, i cili mungoi në këtë seancë.

  • Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më shumë se tri orë ka zgjatur seanca dëgjimore në rastin ndaj të dyshuarve për spiunazh, të cilët u arrestuan të mërkurën në Ferizaj.

    Ndaj B.SH dhe M.Q, Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e sigurisë prej një muaji paraburgim.

    Sipas avokatit të B.SH., Prokuroria Speciale nuk e ka argumentuar se ata kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe, të njohur si BIA.

    “Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pati mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkript të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Prandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim”, tha Besnik Berisha, avokat i B.Sh..

    Sipas Besnik Berishës, i cili në momentet e fundit zëvendësoi avokaten e caktuar sipas detyrës zyrtare, arrestimi i klientit të tij lidhet me Gjykatën Speciale.

    “I mbrojturi im është dëshmitar në procesin në Hagë, andaj dyshon se me këtë rast lidhet edhe arrestimi i tij…”, tha Berisha.

    Kryerja e veprave të tilla penale, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, e cenojnë sigurinë e shtetit.

    “Kemi një rast ku janë arrestu dy persona, të cilët kanë qenë juridik, e tani fizikë… por kemi dyshim të bazuar se kanë dhënë informata për një shërbim të huaj. Nisur nga fakti se ekzistojnë shërbime të tilla, duhet të kemi kujdes të gjithë, se me kë takohemi, me kë komunikojmë e çka komunikojmë…”, tha Mensut Ademi, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Andaj, dënimi eventual në rast se ata shpallen fajtorë, sipas njohësve të çështjeve juridike, mund të jetë i konsiderueshëm.

    “Kjo vepër nuk mund të kryhet nga secili. Kodi ka paraparë dënimin prej 5 deri në 12 vite burgim. Por nëse ka të bëjë me vdekjen APO RREZIKIMIN e jetës të dikujt, Kodi ka paraparë dënimin jo më pak se 10 vjet burgim…”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Gjatë bastisjet në shtëpitë e të dyshuarve pas arrestimit, ndër të tjera janë gjetur armë, municion, gaz-maska ushtarake, DVR, si dhe videokaseta.

  • PDK-ja vazhdon kundërshtimin e planit për “Kalabrinë”

    PDK-ja vazhdon kundërshtimin e planit për “Kalabrinë”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon ta kundërshtojë planin rregullues për lagjen “Kalabria”, edhe pas miratimit në Kuvendin komunal të Prishtinës.

    Propozimi i Kryetarit Përparim Rama të hënën mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe tri partive të vogla, por jo edhe të Partisë Demokratike të Kosovës e as të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Në një konferencë për media, Asamblisti i PDK-së, Leutrim Ratkoceri, akuzoi Ramën se në koordinim me Lëvizjen Vetëvendosjen, 15 hektarë të pronës publike përreth Stacionit të Autobusëve i dhanë për ndërtim të lartë.

    “Fatkeqësisht nuk u arrit të adresohet shqetësimi ynë kryesor, tjetërsimi i pronës publike të Stacionit të Autobusëve. Pra, pavarësisht përpjekjeve tona, Përparim Rama e kaloi planin e ‘Kalabrisë’, ku 15 hektarë të pronës publike të Stacionit të Autobusëve i ktheu në ndërtim të lartë. Kjo u arrit falë bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, njësoj siç kishte arritur ta votonte edhe shkëmbimin e pronave të Badovcit”, tha Ratkoceri.

    Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Besiana Musmurati, theksoi se edhe më shqetësues është fakti se Përparim Rama nuk do të ndalet vetëm me planin e “Kalabrisë”. Por ajo u zotua se do t’i mbrojë pronat publike, siç ndodhi me Badocin.

    “Të bëhemi bashkë që të mos lejojmë degradimin e mëtutjeshëm të qytetit. Dua t’i siguroj qytetarët e Prishtinës që ne do të jemi këtu për të mbrojtë pronën publike, sikurse në Badoc e Kalabri, në çdo lagje tjetër të Prishtinës. Prandaj ju ftojmë që në këtë betejë publike me ndërtimin e lartë e betonizimin në kurriz të pronës publike, të bëhemi bashkë për Prishtinën”, u shpreh ajo.

    Plani për Kalabrinë arriti të miratohet vetëm pas disa ndryshimeve, përfshirë kërkesën e banorëve që protestuan disa ditë me radhë para komunës, që koeficienti i pronave private të rritet nga 1.5, në 2.4. Po ashtu, edhe vlera e koeficientit në pronën publike te Stacioni i Autobusëve u ul nga 7 në 3.

  • Përfundon dëshminë e Nuhi Bytyçi, përplaset me gjykatësin në Hagë

    Përfundon dëshminë e Nuhi Bytyçi, përplaset me gjykatësin në Hagë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Gazetari Nuhi Bytyçi ka vazhduar dëshminë e tij, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Ai sërish insistoi që kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze.

    “Qëllimi ynë ishte që ta prezantojmë në mënyrë sa më serioze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para opinionit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar. Ne provuam që ta bëjmë një xhirim në Luzhnicë të betimit. E bëmë një xhirim por ne nuk ishim të kënaqur me atë xhirim, për këtë arsye e kemi organizuar xhirimin në Kleçkë më 26 qershor të viti 1998, duke i sjellë shumë ushtarë edhe nga zonat e tjera, edhe nga Drenica edhe nga brigadat e tjera të Zonës së Pashtrikut dhe Drenicës”, ka deklaruar Bytyçi.

    Ndërkaq, në përfundim të dëshmisë së tij, Bytyci kërkoi që libri i tij të mos merret si bazë që të dënohen ish-krerët e UÇK-së.

    “Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate”, ka deklaruar më tej Bytyçi.

    I ashpër në kundërpërgjigje ishte kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili mes tjerash ia ndërpreu fjalën Bytyçit duke i kërkuar disa herë edhe të ndalonte e të dalë nga salla, në të kundërtën e kërcënoi se do ta nxirrte jashtë me trupa të sigurimit.

    Gjykatësi: Të lutem, të lutem…po futeni në materialet të cilat i keni shtjelluar gjatë dëshmisë tuaj, faleminderit, mund të largoheni nga salla.

    Nuhi Bytyqi: Faleminderit për mundësinë që ma dhatë. Doja të shprehja opinionin tim se si gazetar që kam pas.

    Gjykatësi: E keni thënë këtë…. dëshmitar… dëshmitar të kam fikur mikrofonin. Të lutem largohuni nga salla tani.

    Nuhi Bytyqi: Duke përcjellë si gazetar i pavarur dy procese gjyqësore, të Limajt dhe Haradinajt.

    Gjykatësi: Dëshmitar, në qoftë se nuk do të dalësh tani, do t’i them sigurimit t’ju nxjerrë nga salla.

    Përveç Bytyçit, gjatë të enjtes dëshmoi edhe dëshmitari i 72-të, serbi Zoran Stankoviq. Gjatë dëshmisë, Stankoviq tha se gjatë luftës ai së bashku me vëllain e tij janë arrestuar nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së.

  • Klubet e Premier Leagues votojnë kundër heqjes së VAR-it

    Klubet e Premier Leagues votojnë kundër heqjes së VAR-it

    Klubet e Premier League kanë votuar kundër heqjes së VAR-it.

    Kërkesën e kishte paraqitur klubi i Wolfes, pasi ishin ankuar për disa vendime të diskutueshme të VAR-it gjatë sezonit që lëmë pas, duke paraqitur një votim për të shfuqizuar atë.

    Por në mbledhjen e përgjithshme vjetore të klubeve të Premier League (AGM) të enjten, propozimi i Wolves nuk u pranua duke mos marrë mbështetje, raporton SkySports.

    Kjo pasi 19 klube votuan në favor që të mbetet VAR-i, kundrejt një ekipi që votoi kundër, e që besohet të jetë vet iniciuesi i kërkesës.

    Çdo ndryshim në rregullat e Premier League kërkon që të paktën 14 nga 20 klubet të votojnë pro.

    Shumica e klubeve angleze favorizojnë VAR-in, por duan të bëhen përmirësime, në vend që të anulohet tërësisht sistemi i teknologjisë.

  • Kurti: Ferri, figurë e ndritur e kulturës dhe artit që nuk do të harrohet kurrë

    Kurti: Ferri, figurë e ndritur e kulturës dhe artit që nuk do të harrohet kurrë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një letre e ka ngushëlluar familjen e profesorit të ndjerë, Rexhep Ferri.

    Duke shprehur ngushëllime në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës, kryeministri tha se Rexhep Ferri, piktor, profesor dhe shkrimtar, ishte një figurë e ndritur e kulturës dhe artit tonë kombëtar e cila nuk do të harrohet kurrë.

    “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Rexhep Ferrit. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të popullit dhe Qeverisë së Kosovës. Rexhep Ferri, piktor, profesor dhe shkrimtar, ishte një figurë e ndritur e kulturës dhe artit tonë kombëtar e cila nuk do të harrohet kurrë”, shkroi Kurti.

    “Profesori jonë i nderuar, doajeni i shquar Rexhep Ferri që nga fillimet e tij në Pejë, deri te kontributet e tij si pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës la një trashëgimi të pasur artistike dhe edukative. Veprat e tij janë vlerësuar lart nga kritika dhe ai ka ndihmuar në formimin dhe ngritjen e shumë artistëve të rinj. Republika e Kosovës do të përkujdeset që vepra e tij të dokumentohet, të mbrohet dhe që çdo gjeneratë e re ta njoh veprën e tij”.

    “Kosova humbi një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Le ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit”.