ATV

Author: ATVLive

  • Një çerek shekulli liri, Kurti kërkon punime shkencore për krimet e Serbisë

    Një çerek shekulli liri, Kurti kërkon punime shkencore për krimet e Serbisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti tha se shpresat e Serbisë për ta zbrazur Kosovën u shuan 1 çerek shekulli më parë.

    Por të bëmat e saj ndaj popullit të Kosovës, thotë se duhet të shkruhen e punime të ndryshme të botohen sa më shumë, që ato të mos harrohen asnjëherë.

    “Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999, NATO-ja i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHC-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë 862 mijë e 979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre”, tha Kurti.

    Për luftën dhe ditët e çlirimit të Kosovës, u fol edhe nga figura të tjera akademike, por edhe politike, gjatë konferencës shkencore, për 25-vjetorin e çlirimit.

    “Përvjetorët si ky që shënojmë sot, na ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë”, tha ish-president i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

    “Uroj që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen. Uroj që shqiptarët në Ballkanin perëndimor të kenë një mirëkuptim mes njëri-tjetrit dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen duke mos harruar”, tha ish-president i Shqipërisë, Alfred Moisiu.

    Homologët nga akademitë e shkencave të të dyja vendeve, teksa e konsideruan si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vendit, shtuan se ende ka gjëra për t’u bërë.

    “Lidhja e Prizrenit bëri kombin shqiptar, shekulli 20 bëri dy shtetet tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë për ne fjalën e fundit“, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.

    “Ngjarje e cila çon në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu cilin 100 vjeçar, të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Skënder Gjinushi.

    Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga data 8 qershor e do të zgjasin deri më 21 qershor.

  • Protestojnë të plagosurit civilë nga minat

    Protestojnë të plagosurit civilë nga minat

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Agron Ademaj i merr 120 euro pension si invalid civil i luftës, pasi shkeli në minë.

    Me këmbë të amputuar, i paaftë për punë, thotë se me këto para nuk mund ta kalojë muajin.

    Në mungesë të mjeteve financiare, tregon se nuk e ndërroi as protezën, që e mbajti katër vjet më shumë sesa duhej.

    “Pensionet janë shumë të vogla për mirëmbajtje të protezës, se unë mbaj edhe familje. Kërkojmë nga qeveria me na mbështetë sidomos në protezë”. Protezën e kam mbajtë 6 vjet, duhet me mbajtë 2, shumë vështirë e kam pasë me lëviz se ajo zgjerohet e deformohet”, tha Ademaj.

    Këto pakënaqësi, Ademaj bashkë me anëtarët e tjerë të Shoqatës së të Plagosurve nga Minat, i shprehën me protestë para qeverisë, të hënën.

    Ata ndihen të diskriminuar nga shteti, pasi thonë se i kanë nevojat e njëjta me invalidët e luftës.

    “Ai ka nevojë për protezë, ne kemi nevojë për proteza, proteza nën gjunjë pothuajse është e përafërt sa kushton një kosto, ndërsa proteza mbi gjunjë kushton rreth 40 mijë euro, ndërsa për neve janë caktuar rreth 5700 euro, ndërsa shumën tjetër duhet ta mbulojnë vetë anëtarët”, tha Jeton Kelmendi, anëtar i Shoqatës së të Plagosurve nga Minat.

    “Kryeministri thotë që të gjithë qytetarët me statusin e invalidit të luftës duhet të sigurohet pagesa për proteza, ndërsa ministri Vitia çohet dy dite pas vendimit të kryeministrit dhe merr vendim dhe specifikon vetëm kategorinë e invalidëve të UÇK-së. Është shumë e padrejtë”, tha Avni Lubovci, kryetari i Shoqatës së të Plagosurve Civilë.

    Protestuesit pritën për një kohë para qeverisë, me shpresën që mund të dalë dikush të diskutojë me ta.

    Meqë një gjë e tillë nuk ndodhi, thanë se do të protestojnë sërish, deri në plotësimin e kërkesave.

    Shoqata e invalidëve civilë aktualisht ka 74 anëtarë të cilët janë plagosur nga minat gjatë dhe pas luftës.

  • Tony Blair nuk pendohet për bombardimin e caqeve serbe

    Tony Blair nuk pendohet për bombardimin e caqeve serbe

    Përgatiti: Armand Hoti

    Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është figura kyçe në seancën solemne të së hënës, në Kuvendin e Kosovës.

    Edhe foltorja është rezervuar vetëm për të. Blair, para deputetëve dhe mysafirëve të tjerë në sallën plenare, flet me krenari për angazhimin e tij 25 vjet më parë, që kulmoi me çlirimin e Kosovës.

    Madje, nuk shpreh pikë pendese për bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe, më 1999.

    “Më kujtohen njerëzit, duke i takuar, refugjatët në kamp në Shkup, duke i dëgjuar historitë e tyre, për zhvendosjen e tyre, për largimin e tyre. Fytyrat e tyre, që kërkonin ndonjë shenjë te fytyra ime, se a mund t’iu ndihmoj apo jo. Ne ju kemi ndihmuar dhe unë asnjëherë nuk jam penduar për këtë”, tha Blair.

    Saktësisht 25 vjet më parë, u dha urdhri të ndalen bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, një ditë pas arritjes së Marrëveshjes Tekniko-ushtarake në Kumanovë, që largoi më pas edhe forcat serbe nga territori i Kosovës.

    Pikërisht kjo marrëveshje, sipas kryeministrit Blair, ua dha mundësinë kosovarëve ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

    “25 vjet më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës, dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë”, tha Blair.

    Blair thekson mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

    Ai kërkon nga të rinjtë kosovarë angazhim në zhvillimin e vendit dhe përtej.

    “Të imagjinojmë këtë rini e cila ka mundësi brenda Kosovës dhe është brenda Evropës, të ndihmojë në inovacione teknologjike, që mund ta transformojnë botën. Ta imagjinojmë pasurinë e kulturës dhe artit kosovar, që mund të ndahet dhe të respektohet në vende shumë larg kufijve të Kosovës”, tha Blair.

    Me të dalë nga Kuvendi, Blair pritet nga dhjetëra fëmijë kosovarë.

  • Vlerësimi i Edi Ramës: Pa Rugovën nuk do kishte as UÇK

    Vlerësimi i Edi Ramës: Pa Rugovën nuk do kishte as UÇK

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Revolucionar, intelektual e i papërsëritshëm është cilësuar ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Përveç këtyre cilësimeve, në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Rama tha se pa Rugovën, nuk do të kishte as Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

    “Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona. Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës”, tha Rama.

    Kryetari i partisë së themeluar nga Rugova, Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, tha se ai gjithmonë ishte pro-perëndimor.

    “Ibrahim Rugova: Kosova shtet i pavarur me përkrahës e aleatë. Presidenti, Evropën e konsideronte si bashkësi, e shqiptarët pjesë të tyre, ishte perëndimor, autentik, Rugova veproi në një kohë të thyerjeve të mëdha, ai zgjodhi fjalën e lirë, ne jemi popull perëndimor sikurse Ibrahim Rugova”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Veprimtaria e Rugovës është frymëzim edhe për ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili thotë se i ka mbetur një merak në raport me të.

    “Shpresoja të ma jepte një gur, sepse kjo ishte e famshme dhe shumë prej kolegëve të mi shpresonin dhe ai nuk ma dha, u theva i tëri”, tha Hovenier.

    Kurse ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema, kujtoi raportet me Rugovën, në kohën e bombardimeve të NATO-s.

    “Ishte një moment i vështirë, kohë e vështirë në konflikt. Bombardimet e NATO-s kishin filluar, por nuk kishte shenja që Serbia do të dorëzohej dhe do t’i tërhiqte trupat e do ta lejonte paqen në Kosovë. Në Uashington, në një takim, mundësia e intervenimit të NATO-s ishte rritur”, tha D’Alema.

    Konferenca “Rugova dhe Perëndimi”, u organizua në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

  • Biblioteka shndërrohet në zyrë të punës

    Biblioteka shndërrohet në zyrë të punës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ambienti i bibliotekës ka mbetur, por funksioni i është ndryshuar në zyrë pune.

    Ka dy javë që në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” janë bartur zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë.

    Kjo u bë me vendim të kryetarit të komunës, Përparim Rama.

    Për vendimin nuk qenë në dijeni shoqëria civile, anëtarët e së cilës përmes një letre publike, po kërkojnë anulimin e tij.

    “Dhomat kanë qenë të dedikume për senet e caktume kanë pas mjete por qysh pe kuptojmë janë kthye në zyre, ideja është me ofru hapësirën për komunitetin se nuk ka boll hapësira të tilla”, tha Rozafa Maliqi, organizatore e Komunitetit Kulturor.

    Që në kryeqytetet ka mungesë të hapësirave që i shërbejnë komunitetit e thotë edhe Taulant Hoxhaj, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

    “Rasti i qendrës ka qenë një prej hapësirave të pakta që ka qenë e hapur ku u investuar edhe një shumë e konsiderueshme me mjeteve publike. Ajo do të duhej të mbetej një hapësirë e artit e kulturës e jo të shfrytëzohet si zyrë administrative”, tha Hoxhaj.

    Vendimin për zhvendosjen e DKRS-së në këtë objekt po e vlerëson si të pamenduar mirë, edhe opozita.

    “Veprimi nuk ka sens, se komuna ka zyra të mjaftueshme, Prishtina ka nevojë për më shumë hapësira për komunitet. Do të duhej të ishte në dobi dhe në funksion të shoqërisë civile”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.

    Për vendimin e kryetarit dhe kërkesën për anulimin e vendimit nga shoqërinë civile, ATV është interesuar që nga e enjtja, por askush nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje.

  • Mihrija tregon se si deshën ta ndajnë me Naimin

    Mihrija tregon se si deshën ta ndajnë me Naimin

    Në “The Elite Way” me Elita Rudina dhe Nderim Neziri, ishin të ftuar edhe çifti i famshëm i skenës muzikore, Naimi e Mihrija.

    Nder tjerash, ata kanë folur edhe për jetën e tyre private dhe kanë shpalosur edhe disa të pa thëna.

    Mihrija, ka treguar se pavarësisht që i kanë rezistuar kohës, ndër vite ka pasur edhe shigjeta në drejtim të tyre.

    Për më shumë, ndiqni bisedën në “The Elite Way”.

  • Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

    Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

    Ambasadori i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, gjatë vizitës së tij në Parkun Memorial “Bllaca 99”, ka deklaruar se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane, pasi kjo e fundit ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj.

    Szunyog ka thënë për KosovaPress se gjatë periudhës 4-vjeçare të tij në Kosovë, ka takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar, që meritojnë një të ardhme evropiane.

    “Ka vullnet dhe Kosova ka mundësi, dhe duhet të shfrytëzojnë mundësinë që të bëhet anëtare e BE-së, sepse nga ana e BE-së ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj…Gjatë kohë sime këtu, kam takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar dhe mendoj që meritojnë të kenë të ardhme evropiane” ka thënë Szunyog.

    Ambasadori Szunyog ka shtuar se është shumë me rëndësi që Kosova së bashku me shtetet tjera të kenë paqe, në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    “Është me rëndësi për mua që ta vizitojë Bllacën sidomos tash kur është periudha kur e kujtojmë kohën e përvjetorit të 25-të prej fundit të konfliktit në Kosovë… Dhe mendoj se është me rëndësi që ta përkujtojmë këtë park për shkak të nderimit të atyre njerëzve që është dashur me forcë që ta lëshojnë Kosovën gjatë asaj kohe…Shpresoj që ky park do të vizitohet nga shumë njerëz, në mënyrë që ta kujtojnë dhe tërë ajo vuajtje të mos harrohen. Unë kam kujtime personale të asaj kohe më 1998. Në muajin nëntor kam vizituar veriun e Shqipërisë, Kukësin dhe kam qenë shumë i tronditur nga ajo që kam parë, me dhjetëra-mijëra refugjatë…Njëkohësisht është shumë me rëndësi që të vijnë deri te pajtimi në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt BE-së”, ka thënë Szunyog.

    Gjatë takimit që ai kishte me kryetarin e Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi është diskutuar edhe mbi rregullimin e rrugës që çon drejt Parkut Memorial Bllaca 99.

  • Kryetari Përparim Rama pret në takim kryeministrin e Shqipërisë

    Kryetari Përparim Rama pret në takim kryeministrin e Shqipërisë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, raporton EO.

    Takimi mes Ramës dhe kryeministrit shqiptar, është mbajtur i mbyllur për medie.

    Pas takimit, kreu i kryeqytetit dhe shefi i qeverisë shqiptare, pritet të dalin në një konferencë për media.

  • SHSKUK: Në Kirurgjinë Abdominale janë realizuar operacione që konsiderohen ndër më të ndërlikuarat

    SHSKUK: Në Kirurgjinë Abdominale janë realizuar operacione që konsiderohen ndër më të ndërlikuarat

    Shërbimi Spitalor, klinik, Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë realizuar me sukses dy procedura kirurgjike të komplikuara.

    Në njoftim thuhet se këto procedura kirurgjike konsiderohen si procedura më të ndërlikuara, në kuadër të Kirurgjisë Abdominale!

    “Esophagectomia trans-hiatale (procedurë kirurgjike që konsiston në heqjen komplet të ezofagut, nga qafa deri te lukthi me dy prerje, në bark dhe në pjesën e majtë të e qafës). Si dhe operacioni sipas Whipple-it (i cili nënkupton procedurën kirurgjike që konsiston në heqjen e zorrës dymbëdhjetëgishtore, heqjen e kokës së pankreasit, 15-20 centimetra të pjesës fillestare të zorrës së hollë, heqjen e idhzës dhe shkurtimin e kanalit kryesor të vrerit, dhe përfundon me ngjitjen e zorrës së hollë me pankreasin, lukthin dhe kanalin e vrerit)”, përshkruhen procedurat në njoftim.

    Njëri nga rastet i cili i është nënshtruar Esophagectomisë trans-hiatale, thuhet se është për shkak të karcinomës planocelulare në pjesën e poshtme torakale të ezofagut, ndërsa katër pacientë të tjerë, theksohet se janë trajtuar me procedurën sipas Whipple-it (duodenopancreatectomia cephalica), “për shkak të karcinomës në regjionin periampullar; një pacient me karcinomë në pjesën descendente të duodenit, ndërsa tre të tjerë me karcinomë në Papilla Vateri”.

    Sipas njoftimit të gjithë pacientët janë trajtuar suksesshëm dhe janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

    “Tek asnjëri prej tyre nuk ka pasur komplikime gjatë operacionit dhe komplikime tjera pas operatore”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj i ndan medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” kryeministrit Tony Blair

    Haradinaj i ndan medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” kryeministrit Tony Blair

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se populli i Kosovës është falënderues për mbështetjen dhe angazhimin e Kryeministrit Tony Blair në realizimin e ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi.

    Haradinaj për nder të 25-vjetorit të çlirimit, i ka ndarë kryeministrit Blair medaljen “Me Besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet”.

    “Me respekt dhe mirënjohje, për shërbimin, rolin dhe kontributin e tij në ndalimin e gjenocidit, mbështetjen e çlirimit të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për një shtet të pavarur, Kryeministrit Tony Blair, në 25-vjetorin e Çlirimit, i dedikova medaljen, “Me Besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet””, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se kontributi i kryeministrit Blair për Kosovën është vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global.

    “Kontributi i Shkëlqësisë së Tij, z. Blair, për lirinë e popullit të Kosovës, janë vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global, i cili tashmë ka hyrë në kapitullin e pashyler të historisë britanike, shqiptare dhe botërore. Populli i Kosovës është përgjithmonë falënderues për mbështetjen dhe angazhimin e Kryeministrit Tony Blair në realizimin e ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi”, është shprehur Haradinaj.