ATV

Author: ATVLive

  • Rama për kombëtaren e Shqipërisë: Ata që vijnë nga Kosova nuk janë shqiptarë të neutralizuar, janë shqiptarë

    Rama për kombëtaren e Shqipërisë: Ata që vijnë nga Kosova nuk janë shqiptarë të neutralizuar, janë shqiptarë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Kombëtares së Kosovës i duhet fati për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian.

    Rama është shprehur se nëse kualifikohet Kosova e jo Shqipëria, prapë është një gjë e mirë.

    “Kjo është gjëja më normale në botë dhe shyqyr që është kjo mundësi, sepse ju keni parë që ka kombëtare shumë të mëdha sesa e jona, dhe i marrin nga Brazili e nga Afrika. Ata që vijnë nga Kosova nuk janë shqiptarë të neutralizuar, janë shqiptarë”, thotë Rama.

    ‘Po të mendosh pak më gjatë, neve nuk na del një shtet, na duhen dy shtete, kështu që i kemi dy kombëtare më mirë për ne, sepse ka vend më shumë për lojtarët për të luajtur, sepse nuk ka nevojë të bëhen drama të tilla, pse erdhi një nga Kosova për të luajtur në Shqipëri apo pse erdhi një nga Shqipëria për të luajtur me Kosovës”.

    “Është pak çështje fati futbolli në fund fare, se për shembull Ancelotti fiton kupa pas kupash, por nëse pyet trajnerë të rangut të tij, ose vet atë, ai do të thotë, ‘fati’. Kështu që me pak fat mund të jemi të dy palët, por edhe mund të jetë Kosova, e të mos jemi ne”.

    “Është hera e dytë që ne jemi në Evropian, e ka nga ana tjetër që ka me vjet e nuk kanë fituar asnjë gjë, e neve na duket ku e di se çfarë që po na mund Italia, ku mund të merrnim dje edhe një pikë me pak fat. Se Donnarumma thonë se është mbipeshë, dhe ajo mbipesha e kapi topin”, u shpreh Rama në Klan.

  • Përplasen trenat në Indi, vdesin tetë persona

    Përplasen trenat në Indi, vdesin tetë persona

    Tetë persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një tren mallrash u përplas me një tren pasagjerësh në Indinë lindore të hënën, sipas autoriteteve, pasi një zyrtar i lartë urdhëroi një përgjigje të madhe emergjente.

    Kanchenjunga Express, i cili kalon midis qytetit të Kolkata dhe Silchar në shtetin verilindor të Assam, u godit nga një tren mallrash në jug të qytetit të Siliguri, sipas kryeministres së Bengalit Perëndimor Mamata Banerjee.

    Ekipet e fatkeqësive kanë nxituar në vendin e ngjarjes.

  • KEK-u me ambicie të mëdha pas inkuadrimit në Ligën e Parë

    KEK-u me ambicie të mëdha pas inkuadrimit në Ligën e Parë

    Me 24 fitore, gjashtë barazime dhe asnjë humbje, skuadra e KEK-ut me në krye trajnerin, Enis Nasufi u shpall kampione e Ligës së Dytë të Kosovës në futboll. Deri te ky sukses, trajneri Nasufi thotë arritën për shkak të forcës grupore të ekipit, që nga lojtarët e deri te kryesia e klubit.

    Sipas tij, në çdo aspekt, KEK-u ishte skuadër më e mirë se të gjithë rivalët e ligës në këtë sezon.

    “Ishte një sezon ku e kemi dominuar të gjithë sezonin, meritat kryesore për këtë sukses i kanë vet futbollistët, pastaj kryesia e klubit, bashkëpuntorët e mi dhe gjithë stafi të cilët e kemi drejtuar si skuadër, pastaj mund të them që klubi i KEK-ut ka pasur një performancë shumë të mirë në nivelin ku ka bërë gara, mirëpo mendoj që me shumë meritë kemi ardhur deri tek kampioni i sezonit…KEK-u në aspektin taktik ka qenë shumë më i fortë se ekipet tjera, pastaj futbollistët i kanë kryer detyrat e tyre të cilat edhe iu takojnë t’i kryejnë”, tha fillimisht Nasufi.

    Por, ky sukses tashmë është diçka e kaluar, pasi skuadra nga Obiliqi ka synime edhe më të mëdha në vazhdim dhe tashmë ka nisur të përforcohet me emra të rinj.

    “Gjithsesi do të ketë largime, do të ketë edhe ofrime të reja, disa kontrata i kemi vazhduar me disa futbollistë, vlen të ceket kapiteni Besart Dushi i cili ka vazhduar me klubin, pastaj Gëzim Berisha, Bleart Thaçi e disa futbollistë të tjerë të cilët kanë vazhduar dhe të cilët kanë qenë bartës kryesor të klubit të KEK-ut dhe shpresojmë që me ofrimet e reja të bëjmë një konkurrencë shumë të mirë dhe të vazhdojmë me punë që të arrijmë suksese”, shtoi më tutje Nasufi.

    Madje, trajneri zbulon për KosovaPress, se KEK-u është në bisedime me disa lojtarë nga Superliga e Kosovës.

    “Jemi në bisedime me dy apo tre futbollistë të Superligës sonë edhe të shohim se si do të shkojnë bisedat me ta…Mendoj se duke e parë projektin i cili është i klubit të KEK-ut, unë mendoj se shumë futbollistë edhe kanë dëshirë të në bashkohen”, bëri të ditur Nasufi.

    Nasufi së fundi vazhdoi kontratën me KEK-un, përkundër se thotë që ka pasur oferta edhe nga disa klube të tjera.

    “Kam pasur diskutime me tri apo katër ekipe të Ligës së Parë, mirëpo KEK-u me projektin e tij më ka bindur që të vazhdoj edhe për një vit dhe të shohim se si do të ec puna…Futbollistët nëse nuk janë të kënaqur me trajnerin, atëherë trajneri nuk ka pse të qëndrojë aty, kështu që unë jam shumë i kënaqur me futbollistët, po ashtu futbollistët janë të kënaqur me punën time”, tha Nasufi.

  • Konjufca për vdekjen e Sylë Tahirsylës: Humbëm një profesionist të dalluar

    Konjufca për vdekjen e Sylë Tahirsylës: Humbëm një profesionist të dalluar

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka shprehur ngushëllime familjarëve të profesorit dhe meteorologut, Sylë Tahirsylaj.

    Konjufca ka thënë se Tahirsylaj ishte një emër i shquar i meteorologjisë.

    “Humbëm një profesionist të dalluar, që me përkushtimin e tij la një kontribut shumë të madh në Institutin e Hidrometeorologjisë, në sferën akademike universitare, si dhe në tërësi në fushën e meteorologjisë në vendin tonë.

    Sylë Tahirsylaj do t’iu mungojë jo vetëm familjarëve dhe miqve të tij, por edhe publikut të gjerë, për të cilin ai ishte një emër i shquar i meteorologjisë për një kohë jashtëzakonisht të gjatë, nëpër të cilën la shenjën e pashlyeshme të punës së tij të palodhur”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

  • Hurmat – fruti me vlera të larta ushqyese

    Hurmat – fruti me vlera të larta ushqyese

    Në të kaluarën ishin të njohura si “buka e shkretëtirës”. Tani është vërtetuar se hurmat njëjtë sikur bajamet dhe rrushi i thatë bëjnë pjesë në grupin e ushqimeve me vlera të shumta ushqyese.

    Për shkak të vetive të tyre shumë të dobishme, vendet arabe çdo ditë i përdorin hurmat. Ato lehtë mblidhen, ruhen dhe transportohen, andaj edhe janë të disponueshme shumë lehtë në mbarë botën, ashtu edhe te ne.

    Sheqerërat natyrale që përmbajnë në vete janë në formë të glukozës dhe fruktozës. Hurmat e thata të grira, të vendosura në ujë, i cili ka qëndruar gjatë tërë natës, paraqesin një ilaç shumë të mirë nëse dëshironi ta forconi zemrën dhe funksionet e saj vitale.

    Hurmat gjithashtu janë një ilaç efektiv dhe shumë efikas kundër dhimbjes së kokës dhe kundër plakjes, shkruan femina.al. Ato i qetësojnë nervat dhe është e vërtetuar shkencërisht se për shkak të përmbajtjes së madhe të kalciumit, magnezit dhe fosforit mund të ndikojnë në mënyrë preventive kundër kancerit.

    Hurmat e forcojnë trupin, zvogëlojnë kolesterolin në gjak, rregullojnë procesin e tretjes dhe e mbrojnë stomakun nga parazitët dhe bakteriet.

    Megjithatë duhet të kemi kujdes në sasinë që konsumojmë, e veçanërisht nëse keni problem me peshën e shtuar, pasi që vetëm një hurmë përmban 20 kalori.

  • Daku reagon pas ndeshjes me Italinë, ku nuk u inkuadrua në lojë nga Sylvinho

    Daku reagon pas ndeshjes me Italinë, ku nuk u inkuadrua në lojë nga Sylvinho

    Mirlind Daku siç duket nuk është aspak i preferuar për sulmin e Kombëtares.

    Trajneri Sylvinho nuk i jep minuta prej 20 nëntorit të vitit 2023, kur startonte në barazimin(0-0) kundër Ishujve Faroe.

    5 ndeshje kanë kaluar prej atëherë, teksa ndër të grumbulluarit për Europian, Daku është i vetmi që nuk ka marrë asnjë minutë.

    “Plani i zotit”, shkruan Daku së fundmi dhe e shoqëron me një foto të tij pas ndeshjes me Italinë.

    Sulmuesi mund të jetë në pritje të minutave për ndeshjen e ardhshme.

    Kujtojmë se kuqezinjtë luajnë kundër Kroacisë më 19 qershor.

  • Dita Botërore kundër shkretëtirëzimit dhe thatësirës

    Dita Botërore kundër shkretëtirëzimit dhe thatësirës

    Sot është Dita Botërore e Luftës kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës, e cila mbahet çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin e komuniteteve mbi përpjekjet ndërkombëtare në luftën kundër shkretëtirëzimit.

    Kjo ditë duhet të na kujtojë të gjithëve se neutralizimi i degradimit të tokës arrihet përmes zgjidhjes së problemeve, përfshirjes së fortë të komuniteteve dhe bashkëpunimit në të gjithë nivelet.

    Dita Botërore Kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara para 26 vitesh për të rritur ndërgjegjësimin mbi aksionet globale dhe kombëtare që kërkohen për të adresuar shkretëtirëzimin, degradimin e tokës dhe thatësirën.

    CNVP është organizate lider e shoqërisë civile aktive në gjashtë shtetet e Ballkanit dhe përdorë analiza të detajuara bazuar në evidenca për të përmirësuar jetesën e qëndrueshme të komuniteteve rurale që ndikohen nga procesi i vazhdueshëm i shkatërrimit të mjedisit, ndryshimet klimatike, shkretëtirëzimit dhe thatësirës./KP

  • Robertson për Thaçin: Person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand, ndoshta një ditë mund të kthehet në skenë

    Robertson për Thaçin: Person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand, ndoshta një ditë mund të kthehet në skenë

    Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson ka treguar përshtypjet e tij që ka për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Madje ai shprehet se ndoshta një ditë, Thaçi mund të kthehet në skenën politike.

    Në një pjesë të intervistës së tij për Kallxo, Robertson ka kujtuar ditën kur ishte në promovimin e librit autobiografik të ish-presidentit Thaçi që atëkohë u mbajt në Londër.

    “Kam qenë në promovimin e librit të tij autobiografik, që e pati në Londër. E mbajta një fjalim, ku thashë që ai duhet të shfrytëzojë talentet e tij të lidershipit. Ishte person i ndërlikuar me cilësi të liderit gjigand. Dhe kushedi, ndoshta mund të kthehet në skenë sërish një ditë”, ka theksuar Robertson.

    25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

    Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

    Lordi George Robinson ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në vitin 2003. Njëherësh ka qenë edhe Sekretar i Mbrojtjes në qeverinë britanike në kohën kur kjo qeveri drejtohej nga Tony Blair.

  • Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për avancimin e raporteve mes dy shteteve

    Osmani takon presidentin e Kenias, flasin për avancimin e raporteve mes dy shteteve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Kenias, William Ruto. Vjosa Osmani bën të ditur se në këtë takim kanë biseduar për avancimin e raporteve mes dy shteteve.

    “Në takimin tonë të tretë brenda një periudhe njëvjeçare, me Presidentin e Kenias, William Ruto, diskutuam sërish për avancimin e raporteve në mes të Republikës së Kosovës dhe Kenias”, ka shkruar Presidentja Osmani.

    Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin dy ditor të Paqes për Ukrainën në Zvicër, ku në kuadër të këtij samiti ka zhvilluar disa takime të rëndësishme me liderë botëror.

  • MSH-ja anuloi listën e çmimeve të barnave pasi u vërejtën probleme, opozita e akuzon për keqpërdorime

    MSH-ja anuloi listën e çmimeve të barnave pasi u vërejtën probleme, opozita e akuzon për keqpërdorime

    Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për anulimin e listës së çmimeve të barnave, e cila ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës, raporton EO.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë për Ekonomia Online, se anulimi është bërë për shkak se i ka vërejtur disa probleme në këtë listë, ani se nuk ka qenë përfundimtare.

    “Ka pas një listë e cila është dërguar, ka pas një komision i cili ka punuar me çmimet e këtyre listave, ka pas një afat ankese të vazhdueshme për t’u ankuar për këtë listë dhe në momentin e parë që unë i kam vërejtur disa probleme të tilla në listë kam kërkuar nga komisioni që të fillojë me procedura për anulim bashkë me komisionin e ankesave, pastaj i cili i ka verifikuar tamam të qëlluara këto ankesa, ka propozuar që të anulohet, pastaj me kërkesën time edhe është anuluar kjo listë dhe tani komisioni gabimet teknike të vogla, gjëra të tilla që kanë ndodhur herën e parë, tash është duke i përmirësuar dhe është ka bëhet lista e re”, ka thënë Vitia.

    Mirëpo, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha për Ekonomia Online se ka rritje të çmimeve, dhe kjo rritje është bërë për interesa të kompanive të caktuara farmaceutike.

    “Mendoj që kjo rritje e cila është propozuar, është bërë për interesa të kompanive të caktuara farmaceutike, dhe grupeve të caktuara të interesit të ndërlidhura drejtpërdrejt me njerëz të caktuar brenda Ministrisë së Shëndetësisë e të cilat e kanë marrë miratimin me shkrim nga ministri Vitia. Po shtrenjtohen, e me këtë po varfërohen qytetarët e Republikës së Kosovës, pas reagimit tonë si deputetë edhe kërkesave zyrtare ligjore përmes ligjit për qasje në dokumente publike atëherë këtë çështje e kemi sensibilizuar jashtëzakonisht shumë dhe kjo ka ndikuar që pastaj Ministria e Shëndetësisë, në fakt ministri të anulojë vendimin për rritjen e çmimit të barnave në Republikën e Kosovës vendim të cilin vetë e kishte nënshkruar me datë 15 maj 2024”, tha Haxhiu.

    Edhe deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, tha se kjo listë është anuluar për arsye se janë dalluar keqpërdorimet që janë bërë duke shtuar se ka rritje të çmimeve nga kriteri i fundit i kësaj liste.

    “Hartimi i kësaj liste ka shpërfaq interesa të ngushta edhe të cilat unë i quaj me aferë korruptive të njerëzve individë të caktuar por të përkrahur nga Qeveria siç duket edhe nga interesat e njerëzve dashakeqës të Ministrisë së Shëndetësisë. Anulimi i saj, ka ardhur pas reagimit ku janë pa keqpërdorime dhe rritje të lartë të pragut të çmimeve jo në vendosjen e një kriteri që është i favorshme për qytetarin e varfër dhe për pacientin, por më shumë duket se ka qenë interes të shfrytëzohet si grabitje dhe investim në njerëz të caktuar dhe në interesa të caktuara ne do të kërkojmë dhe do vazhdojmë të kërkojmë llogari”, tha Zemaj.

    Deputeti Zemaj, deklaroi se pavarësisht anulimit të këtij vendimi për listën dikush duhet të jap përgjegjësi.

    “Edhe pse është anuluar dikush duhet të jap përgjegjësi sepse nga lista që kemi pranu aty kanë punuar një grup i ngushtë i njerëzve dhe që duket se janë të mbështetur nga mafia farmaceutike. Ligji është shkelur tashmë, ne kemi shkelje ligjore shkelje të afateve ligjore ndërrim të komisioneve interesave të caktuara dhe konflikt të interesit dhe tash duket që ky proces është i stërzgjatur por do ta monitorojmë me kujdes të veçantë që mos të dëmtohet qytetari dhe pacienti me këto veprime”, tha Zemaj.

    Mirëpo, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka ndritur një problem tjetër, duke thënë është shkarkuar anëtari i tyre, i OFK-së nga komisioni për hartimin e listës, pa e paralajmëruar atë e as vet Odën.

    “Ne si Ode e kemi pas të deleguarin tonë i cili është përjashtuar dhe e kam thënë edhe atë ditë në Kuvend në mënyrë klandestine nuk e kemi marrë vesh asnjëherë pse dhe arsyet me të cilat është larguar nga ai komision anëtari ynë i deleguar sa i përket pjesës së çmimeve nuk dua të spekulojë sepse ai vendim nuk është në fuqi dhe është i anuluar, por brenga jonë shqetësimi jonë është mënyra e largimit të anëtarit tonë të cilin e kem deleguar në atë Komision”, ka thënë Bytyqi.

    Ai shtoi se i kanë dërguar letër ministrit, për të kërkuar sqarim për arsyen e përjashtimit nga puna të anëtarit të Odës.

    “I kem dërguar letër ministrit ku i kemi kërkuar sqarimin për arsyen e largimit të tij nuk kemi pranuar nde një email kthyese jemi të shqetësuar sepse anëtari ynë i Komisionit nuk ka marrë pjesë në kohën kur është votuar kjo listë. Pra anëtari ynë nuk e ka votuar këtë listë sepse sipas tij ka shpreh dyshimet e veta se nuk është diçka në rregull, por tani nuk dua të flas për atë që është anuluar, por po flas për principin pse është anuluar ajo është barrë që e ka pas ministria delegimi i anëtarit tonë dhe largimi pa njoftimin tonë nuk është një gjë e mirë për bashkëpunimin tonë. Vetë fakti se largohet anëtari ynë pa njohurinë edhe të atij, e jo ne si Odë, po edhe anëtarin që e kemi deleguar ne si të tillë dhe puna e tij ku nuk njoftohen palët mos transparenca radikale në këtë rast jep dhe lë hapësirë me dyshuar”, shtoi ai.

    Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku Mullhaxha, tha se si komision kanë informacione se diçka nuk ka shkuar mirë.

    “Ne e vlerësojmë që përfaqësuesi i Odës së Farmacistëve është shumë e rëndësishme të jetë pjesë e secilit komision ku diskutohet për tema ku u prekin direkt çdo farmacist, sa i përket ne tek jemi informu se diçka e tillë ka ndodh, mirëpo ne e vlerësojmë që edhe nëse duhet të zëvendësohet ndonjë anëtarë duhet të lajmërohet Oda dhe eventualisht të zëvendësohet. Prapë po e theksojë që për mendimin tim është e rëndësishme që përfaqësuesi i Odës të jetë pjesë e këtyre komisioneve”, tha Kollçaku-Mullhaxha për EO.