ATV

Author: ATVLive

  • Sali Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani!

    Sali Berisha humb Apelin, mbetet “non grata” në Britani!

    Ish-presidenti dhe ish-kryeministri demokrat e humbi apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.

    Avokatët e zotit Berisha tentuan, por pa sukses, të rrëzojnë në këtë komision, dosjen britanike përmes të cilës “Home Office” e shpalli “non grata” më 19 korrik 2022.

    Sipas britanikëve, ish-kryeministri ishte i përfshirë në korrupsion, ndërhyri në punët e drejtësisë dhe se kishte lidhje me krimin e organizuar.

    Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ekskluzivisht siguroi vendimin e lexuar këtë të hënë në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit”, nga ku gjykatësi i çështjes rrëzoi pretendimin e zotit Berisha se ai gëzonte imunitet dhe nuk mund të ndëshkohej në këtë mënyrë.

    “E gjejmë të pavend aplikimin e formulës të imunitetit si ish-kreu i një shteti i aplikuar në këtë apel. Për këtë arsye dhe të tjera të trajtuara në sesionin e mbyllur kundërshtia e zotit Berisha për ti ndaluar hyrje në Britaninë e Madhe rrëzohet”.

  • Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Si t’i mbijetoni një sulmi në zemër kur jeni vetëm

    Problemet e rënda me shëndetin mund të ndodhin në çdo kohë. A e dini se çfarë duhet të bëni kur jeni vetëm dhe keni një atak në zemër?

    Së pari, ato që nuk duhet të bëni.

    Mund të keni lexuar këshilla që qarkullojnë në internet, se nëse kolliteni fort gjatë ataku në zemër, mund t’ju ndihmojë që të mbijetoni deri kur të vijë ambulanca.

    Eshtë një praktikë reale mjekësore që quhet CPR e kollës, por është e dobishme vetëm gjatë arrestit të plotë kardiak, dhe jo domosdoshmërisht një ataku në zemër. Në fakt, përdorimi i kësaj teknike gjatë një ataku në zemër mund t’i përkeqësojë gjërat në mënyrë të konsiderueshme, dhe mund të shkaktojë vdekjen, përpara se të vijë ndihma.

    CPR me kollë funksionon duke rritur trysninë mbi gjoks, aq sa duhet për të ruajtur qarkullimin e gjakut që përmban oksigjen. Ndihmon trurin që të ruajë vetëdijen në periudha rreziku. Në disa raste mund të jetë gjëja e duhur, por nuk duhet të jeni ju që ta vendosni nëse është apo jo gjëja që duhet të bëhet. Gjëja më e mirë që mund të bëni nëse keni një atak në zemër, kur jeni vetëm, është të ruani qetësinë dhe thërrisni ambulancën MENJEHERE.

    Nëse keni atak në zemër, mund të merrni edhe Aspirinë, si një zgjidhje emergjente. Do t’ju hollojë gjakun dhe ndihmojë qarkullimin. Por përtypeni aspirinën përpara se ta gëlltisni. Kjo ndihmon që ajo të hyjë më shpejt në sistemin tuaj. Pra duhet të dini vetëm që aspirina dhe ruajtja e qetësisë do jua shpëtojë jetën, të kolliturit me siguri do i japë fund asaj.

  • IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

    IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta.

    Një ndër këshillat e IKSHPK-së i drejtohet personave të moshuar, ku thuhet se assesi nuk duhet t’i ekspozohen temperaturave të larta mbi 30 gradë Celsius.

    “Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00, sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet; Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të hapura; Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

    Sipas këtij instituti, grupet më të rrezikuara prej temperaturave të larta përveç të moshuarve janë gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël dhe individët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike.

  • Kurti për Tahirsylajn: Kontributi i tij në fushën e metereologjisë dhe për UP’në do të mbetet i paharrueshëm

    Kurti për Tahirsylajn: Kontributi i tij në fushën e metereologjisë dhe për UP’në do të mbetet i paharrueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime familjarëve të meteorologut Sylë Tahirsylaj, që vdiq dje.

    Ai tha se me Tahirsylajn ishte takuar para dy viteve kur kishte vizituar kullën e familjes në Isniq.

    “Kullën e familjes Tahirsylaj në fshatin Isniq e vizituam në tetorin e para dy viteve. Bisedat me Prof. Dr. Sylë Tahirsylaj i patëm të gjata e mbresëlënëse.”

    Kurti ka thënë se kontributi i Tahirsylajt si meteorolog dhe profesor do të mbetet i paharrueshëm.

    “Kontributi i tij në fushën e metereologjisë në Kosovë dhe për Universitetin e Prishtinës si akademik, do të mbetet i paharrueshëm. Baca Sylë, ishte një shpirt luftarak, që i rezistoi kohës dhe na mbushte plot energji e pozitivitet. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta na pikëlloi thellë. Do ta kujtojmë përherë përkushtimin për punën dhe dashamirësinë e tij. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tahirsylaj, për më të dashurin tuaj. Bacën Sylë do ta kujtojmë për jetë e mot!”

  • Kryeministri serb në Greqi, sonte takohet me Lajçakun

    Kryeministri serb në Greqi, sonte takohet me Lajçakun

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, do të marrë pjesë në konferencën dyditore ndërkombëtare “Paqja dhe zhvillimi i qëndrueshëm”, që mbahet, më 17 dhe 18 qershor, në Athinë të Greqisë.

    Sipas raportimeve të mediave serbe, atje Vuçeviq më mbrëmje do të takohet me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton Klankosova.

    Shefi i ekzekutivit serb do të flasë në panelin “Perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia e tyre për të ardhmen e Evropës. A jemi në një periudhë stagnimi apo ndërtimi të vrullit të ri?”

  • Në 81-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti viziton shtëpinë muze

    Në 81-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, Kurti viziton shtëpinë muze

    Me rastin e shënimit të ditëlindjes së 81-të të profesorit dhe mendimtarit politik, Ukshin Hoti, kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në ngjarjen e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në nderim dhe kujtim të jetës dhe veprës së profesorit të shquar Ukshin Hoti, ku vizituan shtëpinë suze në Krushë e Madhe.

    Në shtëpinë- muze të profesor Ukshin Hotit, kryeministri Kurti ishte nën shoqërinë edhe të veprimtarëve të tjerë të cilët njohën personalisht Hotin.

    Kryeministri Kurti është informuar edhe për dokumentet shtesë për çka u pritet që së shpejti të botohet një libër. Ky libër do të mbështetet dhe botohet nga Qeveria.

    Lëvizja Vetëvendosje në ora 18:00 organizon tubim me strukturat veta, në sallë “1 Tetori”, në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar disa aktivitete për nder të ditëlindjes së intelektualit Ukshin Hoti.

  • Arta Bajrami ia kërkon një favor Blerta Deliut live në emision

    Arta Bajrami ia kërkon një favor Blerta Deliut live në emision

    Këngëtarja e njohur Arta Bajrami dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ishin të ftuara në “The Elite Way” në “ATV”.

    Arta, ka folur për vështirësitë e rritjes së dy fëmijëve me autizëm dhe ka kërkuar që të bëhet më shumë nga shteti për këtë kategori.

    Bajrami, përballë deputetes Dëliu-Kodta, e ka pasur edhe një kërkesë konkrete, për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës.

    Deputetja, ka premtuar se do të bëjë çfarë është e mundur.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Liderët e BE-së pritet të diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

    Liderët e BE-së pritet të diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

    Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen në mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, të Komisionit Evropian, të Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Ky do të jetë takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor.

    Rezultati i zgjedhjeve do të reflektohet në emrat e rinj në krye të institucioneve evropiane.

    Sugjerimet kryesore pritet të bëhen për politikanët që u përkasin partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane.

    Ndonëse në këto zgjedhje është vërejtur rritje e ndjeshme e partive të së djathtës ekstreme, partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe të majtë, Partia Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët janë renditur në vendin e parë dhe të dytë, respektivisht.

    Kandidatura e shefes së deritashme së BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e vendeve të BE-së janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.

    E vetmja kandidaturë e sigurt është ajo e Ursula von der Leyen-it, e cila synon rizgjedhjen për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian – institucionit ekzekutiv të BE-së.

    Gjasat që liderët të dakordohen për kandidaturën e saj janë të mëdha, duke marrë parasysh që ajo është prej Partisë Popullore Evropiane, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Pasi liderët e BE-së të votojnë për kandidatin për udhëheqje të BE-së, propozimi më vonë i shkon Parlamentit Evropian, i cili më pas miraton apo refuzon këtë propozim.

    Nëse konfirmohet kandidatura e Ursula von der Leyen-it, atëherë kandidatët për udhëheqje të Këshillit Evropian dhe për pozitën e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duhet të jenë prej radhëve të Social-Demokratëve dhe të liberalëve evropianë.

    Roli i presidentit të Këshillit Evropian është të kryesojë takimet në nivel të liderëve të BE-së dhe të përmirësojë punën e Këshillit Evropian.

    Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rol të dyfishtë.

    Zyrtari që mban këtë pozitë është njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian dhe ka rolin e kreut të diplomacisë evropiane.

    Ka spekulime të ndryshme për politikanët që do të zëvendësonin Michel-in dhe Borrell-in në këto pozita.

    Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, për pozitën e kryediplomatit të BE-së.

    Megjithatë, nuk dihet nëse liderët e BE-së do të dakordohen për këta emra.

    Ideale, por jo e domosdoshme, është që samiti i 17 qershorit të përfundojë me një marrëveshje.

    Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, mundësia e radhës për të diskutuar këtë çështje është samiti i rregullt që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor.

  • ​Rrëfimi për ditën e çlirimit të Skenderajt dhe kthimin në pronat e djegura

    ​Rrëfimi për ditën e çlirimit të Skenderajt dhe kthimin në pronat e djegura

    “Prej 18 qershorit 1999 nuk e kam veshur më kurrë”, thotë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci për uniformën të cilën e ruan për 25 vjet.

    Ai e ruan si simbol të krenarisë dhe sakrificës, ku tregon se hera e fundit që e kishte veshur është dita kur u çlirua Skenderaj. Geci bashkë me ushtarë të tjerë të UÇK-së po ndihmonin popullatën të hynin në qytet të lirë. Ish-komandanti i Batalionit të Parë në Brigadë 112 “Arben Haliti”, rrëfen për KosovaPress për gëzimin e asaj dite, ani pse tregon që pothuajse në të gjitha fshatrat po vinte era tym nga terrori serb. Mes tjerash, flet edhe për lidhjet familjare me komandantin legjendar, Adem Jashari, teksa rrëfen edhe për një rast se si ishin rrethuar nga forcat serbe në shtëpinë e tij.

    Nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, Xhevahir Geci thotë se popullata po shpresonte për çlirim.

    “Kur erdh momenti i tërheqjes së forcave ka qenë një fitore, ka qenë një gëzim i paparë, sigurisht edhe për neve luftëtarët e UÇK-së por edhe tek popullata. Sepse filluan njerëzit të mendojnë që edhe për neve erdh një ditë që gjenersta e gjenerata kanë luftuar dhe se pati vuajtje e sakrificë, pati gjak të derdhur por më në fund erdhi ajo ditë që e pritëm e që kemi bërë mund mbërriti në Kosovë”, rrëfen Geci për KosovaPress.

    Përkundër gëzimit, Geci tregon se gjithçka ishte shkatërruar dhe pak kush kishte ku të kthehet.

    “Ajo ka qenë një ditë që e kanë pritur me vite në luftën e UÇK-së në atë ditë të lirisë, por kanë ditur ta manifestojnë edhe në ato kushte jashtëzakonisht të vështira. E kemi pasur ne për obligim me i ruajt rrugët që njerëzit mos të hyjnë para kohës në Skenderaj se kanë qenë forcat serbe edhe dinin me u hakmarrë ata, sepse kanë pasur njerëzit nevojë për vizitë te mjeku, për fëmijët, për foshnje, për të moshuarit, edhe për njerëzit e plagosur. Mirëpo kemi arritur që t’i kemi të gjitha rrugët e kontrolluara që hyjnë në qytet dhe kemi hyrë bashkërisht me qytetarë por edhe me forca të UÇK dhe e kemi manifestuar gjithë së bashku”, shton ai.

    Përveç djegies së shtëpive, shumë nga qytetarët atë ditë po qanin për familjarët e vrarë e të zhdukur në luftë.

    “Pas tërheqjes së forcave serbe, kemi filluar të riorganizohemi dhe t’i kemi në kontroll të gjithë ushtarët e UÇK-së që mos të na dalin gjërat prej dore edhe të formohemi ashtu siç kemi qenë nëpër njësitë të formuara si strukturë dhe t’i ofrojmë popullatës ndihmë për strehim. Të gjithë gati kemi qenë të njëjtë, pa strehim, shtëpitë e dëmtuara, mbi 97 për qind pothuajse sidomos nëpër fshatra të dëmtuara tërësisht. Mirëpo, ashtu kemi ditur të organizohemi, ndoshta edhe arritën si shpejt edhe ndihmat prej ndërkombëtarëve. Kemi gjetur zemër, kemi gjetur mundësi të ndryshme që të bëjmë strehim aty ku vijke era ende tym”, shprehet ai.

    Lufta në Drenicë, shton Geci, ka vazhduar deri më 18 qershor, për çka rrëfen se popullata po ballafaqohej me luftë për ekzistencë.

    “Forcat serbe filluan të tërhiqen më 12 qershor prej vendeve të ndryshme, prej Skenderaj diku më 18 qershor janë tërhequr. Lufta në Drenicë ka zgjatur bukur shumë, më shumë se vendeve të tjera. Prej nëntorit të vitit 1997 deri në qershor të vitit 1999, gati tri vjet. Ka qenë luftë për ekzistencë për ballafaqime me forcat serbe, ka qenë luftë për ekzistencë edhe për ushqim dhe për barna edhe kanë filluar shumë të plagosur për të vuajtur prej plagëve të ndryshme, shumë fëmijë që ishin të vegjël dhe të moshuar të vuajnë për medikamente të ndryshme që nuk kishin, besa edhe për ushqim ka qenë në pyetje. Përveç që na kanë dalë në ndihmë disa mulli që kanë punuar me ujë në atë kohë edhe dihet çfarë ushqimi ka qenë, por edhe ashtu ka qenë i paktë”, tregon Geci.

    Teksa kujton luftën çlirimtare, ai flet për komandant Adem Jasharin, për çka shprehet se është e paktë çka shkruhet e thuhet për prijësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai rrëfen se si në vitin 1995 ishin rrethuar nga forcat serbe, në shtëpinë e tij ku mysafirë kishte Hamzën e Ademin.

    “Komandantin Adem Jashari e kam pasur edhe Hamzën, diku kanë qëndruar tek unë një javë ditë rreshtazi, se e kam pasur edhe odën e burrave. Me një moment të caktuar Hamza po thotë ‘kishte me qenë mirë për të na ftuar edhe disa kushëri që i kanë pasur çifteliet’, kanë kënduar ata si djem të rinj. Hamza kish merak në çifteli e sharki edhe në moment që kemi filluar ne, na kanë rrethuar familjen time, shtëpinë time forcat serbe. Edhe ka ardhur një kushëri, bash dajë i Adem Jasharit, Rrustem Geci edhe na ka njoftuar se plot forca serbe janë në rrugë afër asaj objektit ku qëndronim ne. Unë e Hamza kemi dalur edhe e kam ndjerë vetën shumë të shtrënguar, shumë jo mirë se ne ishim forca të vogla brenda. Kështu që kemi dalë me i kontrolluar lëvizjet e serbëve me Hamzën deri në momentin që kanë ecur, diku kanë qëndruar 40 minuta, mirëpo trualli ku kam jetuar paralufte ka qenë i fortifikuar si gjithë fshatarët, me një muri rreth tri metra i gjerë e sigurisht nuk ua mori mendja forcave serbe për të hapur ndonjë konflikt më serioz…Në momentin që u tërhoqën forcat serbe, u ndjeva më i lehtësuar. Dhe u ktheva në odë e i thash Ademit ‘pse bre dajë nuk dole për të na ndihmuar, se ishim duke e filluar luftën me Hamzën’, ai tha ‘unë pa kërsit pushka nuk dalë dhe me dit serbët që unë jam këtu ata nuk ishin afruar afër odës tënde, por sidoqoftë pa kërsitur pushka unë nuk e lëviz këmbën’”, shprehet Geci.

    Ai rrëfen se ka qenë e vështirë kur gjatë ballafaqimeve me serbët, kanë pësuar shokët e tij të luftës.

    Ish-komandant, Xhevahir Geci flet edhe për trimërinë e Salë Jasharit, e cila u vra nga forcat serbe 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

    “Kur është plagosur Sahit Jashari në vitin 1995, ka qenë shumë rëndë i plagosur. Dhe u morr vendimi që ta dërgojmë ose në Drenas ose në Mitrovicë te Bajram Rexhepi, një kirurg shumë i fortë që më vonë ishte kryetar i Mitrovicës dhe kryeministër. Edhe morëm vendim ta dërgojmë në Mitrovicë sepse ishte dimri shumë i fortë. E pajisa unë automjetin me goma dhe me zinxhir shumë të fortë dhe filluam të shkojmë me dy vetura. Sahiti ishte në makinën time me nënë të vet edhe me gruan e Musë Jasharit. Edhe duke shkuar rrugës vishin të armatosur Sylejman Selimi, Rexhep Selimi, Fadil Kodra edhe Nuredin Lushtaku. Duke shkuar rrugës na kanë ardhur dy xhipa të forcave policore serbe. Edhe njëri më ka dalë mua përpara dhe tjetri ka hyrë në mes meje dhe tjetri në mes meje dhe veturës tjetër që vishin prapa. Edhe po i them si në shaka Sahitit dhe nënës së tij ‘vallahen i kem puntë keq qitash’. E kam vërejtur një nënë aq burrërore, aq trimëreshë si nana e Sahit Jasharit kam takuar pak, jo pak po se di cilën mund ta marrë shembull që ka pasur një zemër shumë të madhe….Krejt rrugën me pistoletë edhe me bombë në dorë ka qëndruar (Salë Jashari) dhe tha ‘derisa t’i shprazi qito, unë edhe me u vra edhe me djalë edhe me krejt juve nuk e kam dert, por pa i shpraz qito unë nuk dorëzohna’, u shpreh ai.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci tregon për KosovaPress se veprimtaria e tij ka nisur nga protestat e vitit 1989, në të cilat po merrte pjesë edhe komandant Adem Jashari.

    Në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, ai thotë se ndihet keq që po gjykohet lufta e pastër e UÇK-së.

    “Mos ma gjyko lirinë. Kjo ndeshet edhe me realitetin, me njerëzit që e kanë udhëhequr luftën dhe kanë bërë sakrifica dhe një jetë të tërë ja kanë kushtuar ditës së sotit dhe të ballafaqohen me gjëra që unë dhe shumë të tjerë i quajmë të pavërteta, me intriga e me gjëra që si takojnë një çlirimtari e aq më pak atyre. Sigurisht të bëjnë të ndihesh keq dhe shpesh herë gojë këqijtë që dalin dhe flasin dhe bëjnë vlerësime”, përfundon ai.

  • Osmani takon presidenten e Parlamentit Evropian, e quan të pakursyer mbështetjen e saj për Kosovën

    Osmani takon presidenten e Parlamentit Evropian, e quan të pakursyer mbështetjen e saj për Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    Takimi i tyre ka ardhur në Zvicër ku Osmani po qëndron në kuadër të Samitit për Paqe për Ukrainën.

    “Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, është padyshim një ndër aleatet më të forta të popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook. “Në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, mbështetja e saj vazhdon të jetë e pakursyer!”.