ATV

Author: ATVLive

  • Haradinaj kujton babanë në 6-vjetorin e vdekjes: I përjetshëm kujtimi për ty Plak Hilmi

    Haradinaj kujton babanë në 6-vjetorin e vdekjes: I përjetshëm kujtimi për ty Plak Hilmi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kujtuar babanë e tij Hilmi Haradinaj, në 6 vjetorin e vdekjes.

    Ish-komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit ka publikuar në Facebook fotografi nga nderimet që ia bënë Hilmi Haradinajt te varri i tij në Gllogjan të Deçanit.

    “I përjetshëm kujtimi për ty Plak Hilmi!”, shkroi ai.

    Në fotografitë e publikuara shihen anëtarë dhe të afërm të familjes Haradinaj, por nuk mungon as ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku.

  • IHK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e Sylë Tahirsylajt

    IHK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e Sylë Tahirsylajt

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e ish-drejtorit, Sylë Tahirsylaj.

    Tahirsylaj, i cili po ashtu kishte qenë profesor, vdiq sot në moshën 75-vjeçare.

    “Profesori Sylë Tahirsylaj, vite me radhë ka udhëhequr Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Ai do të mbahet mend për punën e tij profesionale dhe përkushtimin për IHMK në veçanti për Sektorin e Meteorologjisë”, thuhet në komunikatën e IHK-së në Facebook.

    “Me këtë rast, IHMK i shpreh ngushëllime familjarëve të profesorit, kolegëve, bashkëpunëtorëve, studentëve dhe të gjithë miqve të tij”.

  • Mbappe kërkon votë kundër Le Pen në zgjedhje: Situata në Francë, më e rëndësishme sesa ndeshja kundër Austrisë

    Mbappe kërkon votë kundër Le Pen në zgjedhje: Situata në Francë, më e rëndësishme sesa ndeshja kundër Austrisë

    Kapiteni i Francës, Kylian Mbappe është ndalur të flasë për trazirat politike në vendin e tij në prag të ndeshjes hapëse në Euro 2024 kundër Austrisë, duke i përshkruar ngjarjet si një moment kyç për historinë franceze.

    Pyetjet e zakonshme në lidhje me ndeshjen e sontme në Grupin D ranë në konferencën për shtyp mbrëmë në Dusseldorf, kur Mbappe foli për frikën e tij, duke thënë se situata në Francë “është e tmerrshme”, raporton The Guardian.

    “Kjo është një ngjarje e paparë kurrë më parë”, tha Mbappe. “Dhe kjo është arsyeja pse unë dua të flas me të gjithë popullin francez, por edhe me të rinjtë. Ne jemi një brez që mund ta bëjmë ndryshimin. Ne shohim se ekstremet po trokasin në derën e pushtetit dhe ne kemi mundësinë ta formësojmë të ardhmen e vendit tonë”.

    Të shtunën, federata franceze e futbollit bëri thirrje që të respektohet neutraliteti i ekipit kombëtar dhe që kombëtarja të mos politizohet pas njoftimit të presidentit Emmanuel Macron një javë më parë për të thirrur zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi ai u mposht në zgjedhjet në Bashkimit Europian nga partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen.

    Lëvizja e zhyti Francën në pasiguri politike dhe i ka tronditur tregjet financiar.

    Sondazhet e opinionit parashikojnë se partia e Le Pen mund të kryesojë për herë të parë në zgjedhje, por mund të mos ketë një shumicë absolute për të qeverisur e vetme.

    Ndërsa hodhi poshtë çdo presion dhe përdorim politik të ekipit kombëtar, federata franceze e futbollit tha se lojtarët janë të lirë t’i shprehnin pikëpamjet e tyre.

    Sulmuesi Marcus Thuram u bëri thirrje njerëzve që të “luftojnë çdo ditë” për të parandaluar partinë e Le Pen të fitojë pushtet.

    “Unë e ndaj këtë mendim. Unë e ndaj të njëjtin mendim kur fola për diversitetin, tolerancën dhe respektin”, tha Mbappe.

    “Kylian Mbappe është kundër pikëpamjeve ekstreme dhe kundër ideve që i ndajnë njerëzit. Unë dua të jem krenar që e përfaqësoj Francën, nuk dua ta përfaqësoj një vend që nuk korrespondon me vlerat e mia, apo vlerat tona”, tha ai.

    “Të gjithëve iu intereson. Të gjithë e kuptojnë situatën në Francë. Ka disa njerëz që ndjehen më rehat duke thënë diçka dhe duke folur”, tha 25-vjeçari. “Ne duam t’i mbrojmë të gjithë lojtarët tanë dhe padyshim ta mbrojmë ekipin francez. Por ne kemi menduar për këtë dhe mendoj se do të bëjmë diçka. Kështu që mbajini sytë hapur”, tha ai.

    “Njerëzit thonë mos e përzieni futbollin dhe politikën, por këtu po flasim për një situatë që është vërtet e rëndësishme, më e rëndësishme se loja. Situata në vendin tonë është e rëndë dhe ne duhet të veprojmë”, tha Mbappe.

    Trajneri Didier Deschamps tha se ai i respekton lojtarët e tij sa i përket pikëpamjeve të tyre politike.

    “Është vullneti i tyre i lirë”, tha ai.

    “Duhet ta pranojmë se ata janë lojtarë të mëdhenj, por edhe qytetarë francezë dhe nuk janë të imunizuar apo indiferentë ndaj situatës në vend”.

  • Netanyahu shpërndan kabinetin e luftës

    Netanyahu shpërndan kabinetin e luftës

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka shpërndarë kabinetin e tij të luftës me gjashtë anëtarë, ka thënë një zyrtar izraelit të hënën.

    Një vendim i tillë është pritur, pasi largimit të gjeneralit Benny Gantz prej kabinetit.

    Netanyahut tani do t’i duhet të konsultohet për luftën në Gazë me një grup të vogël ministrash, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe ministrin për Çështje Strategjike, Ron Dermer, që ka qenë në kabinetin e luftës.

    Kryeministri Netanyahu është përballur me kërkesa të shumta të partnerëve nacionalistë-fetarë të koalicionit të tij, përfshirë prej ministrit të Financave, Bezalel Smotric dhe ministrit për Siguri Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, që të përfshihen në kabinetin e luftës, por një hap i tillë është konsideruar si shtysë për rritje të tensioneve me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

    Kabineti i luftës është formuar pasi Gantz i ishte bashkuar Nentahyahut në Qeverinë e unitetit kombëtar, pas nisjes së luftës në Gazë, në tetor të vitit të kaluar.

    Në të kanë marrë pjesë edhe partnerë të Gantzit, Gadi Eisenkot dhe Aryeh Deri.

    Gantz dhe Eisenkot janë larguar prej Qeverisë javën e kaluar, me arsyetimin se Netanyahu ka dështuar që të formojë një strategji për luftën në Gazë.

    Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej SHBA-së dhe Bashkimit Evropian – ka nisur më 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

    Izraeli më pas ka nisur ofensivën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit.

    Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

  • Ndryshimet në ligjin për KPM-në, 80% nuk janë në përputhje me standardet e KiE

    Ndryshimet në ligjin për KPM-në, 80% nuk janë në përputhje me standardet e KiE

    Ndryshimet në ligjin e ri për KPM-në, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro, po shihen si të gabuara dhe nuk janë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Profesorët universitarë e Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) bëjnë thirrje që të merren parasysh rekomandimet e KiE-së, pasi 80 për qind e rekomandimeve nuk janë marrë parasysh nga Qeveria e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet.

    Sipas AGK-së, Qeveria Kurti qëllimshëm po injoron standardet e Këshillit të Evropës, me mundësinë që në të ardhmen të krijohet një hapësirë e ndërhyrjes politike gjë që e cenon lirinë e medias, një nga standardet themelore të Bashkimit Evropian.

    Kryeredaktori në ATV, Leart Hoxha ka thënë për KosovaPress-in se nëse nuk përfillen rekomandimet e KiE-së, atëherë do të miratohet diçka që herët apo vonë do të dëshmohet si e dëmshme për punën e mediave.

    Ai thotë duhet të gjendet metoda si KPM të bëjë monitorimin e mediave, por sipas tij, për këtë nevojiten shumë njerëz, pajisje, para dhe kohë.

    “E mira e Kosovës është që KPM-në nuk e kanë agjenci të pavarur dosido çfarë janë 40 tjera, është kategori kushtetuese, edhe si e tillë duhet partitë politike edhe institucionet të kenë shumë kujdes kur e ndryshojnë ligjin… është dashur të merren parasysh rekomandimet e Këshillit të Evropës. 1:53 Nëse nuk përfillen rekomandimet e KiE-së, jemi duke miratuar diçka që herët a vonë do të dëshmohet që është e dëmshme. 3:39 As ligji e as politika nuk munden në Kosovë ta mbyllin fjalën e lirë, se këtë punë jemi duke e treguar që më shumë se 30 vjet, dhe jo kjo klasë politike, por disa klasa politike shumë më të fuqishme e shumë më represive nuk kanë qenë në gjendje ta mbyllin median dhe fjalën e lirë. 5:57 Nëse insiston politika që çdo video të monitorohet nga KPM-ja, atëherë duhet të gjendet metoda si KPM-ja të bëjë monitorim edhe të portaleve, mirëpo KPM-së i duhen shumë njerëz, pajisje, shumë pare dhe shumë kohë”, ka thënë Hoxha.

    Profesori universitar Arben Fetoshi është shprehur se ndërhyrje eventuale e politikës në punën e medias, do të ishte cenimi më i rëndë për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vendin tonë.

    “Ajo që ka të bëjë me opinionin ligjorë të Këshillit të Evropës dhe shqetësimet e ngritura nga BE lidhen me tendenca, mundësitë që në të ardhmen me ndryshime ligjore të krijohet një hapësirë e ndërhyrjes politike në veprimtarinë e medias, gjë që e cenon lirinë e medias, që është një nga standardet themelore të BE-së…2:48 Sa i përket krijimit të hapësirave që politika të ndërhynë në punën e medias, gjë që do të ishte cenimi më i rëndë për demokracinë dhe për lirinë e shprehjes në vendin tonë, mbi këtë bazë natyrisht çdo përpjekje e rregullimit ligjorë duhet të ketë parasysh parimin themelorë të lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes”, tha Fetoshi.

    Gjithashtu, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha vazhdon t’i bëjë thirrje Qeverisë që ligji të mos miratohet në lexim të dytë në Kuvend, pasi që i njëjti ka shumë mangësi.

    “AGK, e ka bërë të qartë, bashkë me të tjerët akterë të interesuar gjatë përcjellës së diskutimeve në komisione të ndryshme që ligji për KPM-në ka shumë mangësi dhe si i tillë nuk duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratimin e dytë. Fatkeqësisht, nga një analizë që ka bërë forumi për integritetin e informacionit në kuadër të NDA më shumë se 80 për qind e rekomandimeve të KiE, nuk janë marrë parasysh nga ana e partisë në pushtet Vetëvendosje dhe kjo është për keqardhje e të gjithë ato vërejtje, të cilat janë reflektuar në raport të KiE-s nuk janë marrë parasysh. Vazhdojmë të bëjmë thirrje Qeverisë që të mos vazhdojë për ta dërguar në kuvend këtë ligj. 00:57 Shumë pika të tij nuk janë me standardet e KiE-së, por Qeveria qëllimshëm e ka injoruar këtë”, ka theksuar Rexha.

    Ky projektligj, i dorëzuar më 27 dhjetor 2023, parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale. Projektligji ka kaluar në lexim të parë në Kuvend më 7 mars.

    Legjislacioni parasheh që mediat online që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

    Aktualisht tekstet në mediat online monitorohen nga KPM-ja, por nuk gjobit mediat për gabimet e tyre dhe merr vendime vetëm për ankesat ndaj mediave dhe më pas vendimet e KPM-së mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave në gjykata.

  • Stoltenberg: NATO po diskuton për të vendosur armët bërthamore në gjendje gatishmërie për shkak të kërcënimit rus

    Stoltenberg: NATO po diskuton për të vendosur armët bërthamore në gjendje gatishmërie për shkak të kërcënimit rus

    NATO flet për vendosjen e një numri më të madh të armëve bërthamore, heqjen e armëve nga magazinimi dhe vendosjen e tyre në gatishmëri për shkak të kërcënimit në rritje nga Rusia dhe Kina, tha sot kreu i aleancës.

    Jens Stoltenberg i tha gazetës britanike Telegraph se anëtarët e NATO-s po diskutojnë përdorimin e transparencës për arsenalin e tyre bërthamor si një pengesë.

    “Unë nuk do të flas për detajet operacionale se sa koka bërthamore duhet të vihen në veprim dhe cilat do të ruhen, por ne duhet të konsultohemi për këto çështje. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë,” tha ai për gazetën.

    “Transparenca ndihmon për të përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë se ne jemi, natyrisht, një aleancë bërthamore,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, transmeton express.

    “Qëllimi i NATO-s, natyrisht, është një botë pa armë bërthamore, por për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, ne do të mbetemi një aleancë bërthamore, sepse një botë në të cilën Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut kanë armë bërthamore, dhe NATO jo, është një botë më e rrezikshme”, shtoi ai.

    Stoltenberg tha javën e kaluar se armët bërthamore janë “garancia përfundimtare e sigurisë” e NATO-s dhe një mjet për të ruajtur paqen.

    Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar vazhdimisht se Moska mund të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur veten në rrethana ekstreme. Moska akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropianë se po e shtyjnë botën në prag të konfliktit bërthamor duke furnizuar Ukrainën me armë me vlerë miliarda dollarë, të cilat përdoren në sulmet në territorin rus.

    NATO, e cila ka marrë një rol më të madh në koordinimin e ndihmës ushtarake për Kievin, rrallë flet publikisht për armët bërthamore, megjithëse SHBA-të dihet se kanë bomba bërthamore të vendosura në disa vende në Evropë.

    Rusët simuluan lëshimin e një arme bërthamore taktike

    Duhet të kujtojmë se stërvitja ushtarake ruse e vendosjes së armëve bërthamore taktike dhe shkrepjes së tyre, e cila u urdhërua së fundmi nga presidenti rus Vladimir Putin, u krye përgjatë kufirit me Ukrainën dhe përfshinte transferimin e kokave bërthamore false në pikat e magazinimit dhe aeroportet. ku u ngarkuan në bombardues, ajo njoftoi një njësi të posaçme bërthamore të ushtrisë ruse.

    Stërvitjet u mbajtën në jug të Rusisë, jo shumë larg kufirit me Ukrainën. Ushtarë nga Rrethi Ushtarak i Leningradit në Rusinë veriperëndimore morën pjesë në të dhe u përdorën raketa-hedhës të lëvizshëm, Forcat Ajrore dhe Marinën, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Ruse.

    Administrata e 12-të Ushtarake e Rusisë (12 GU MO), e cila ruan, mirëmban, transporton dhe shpërndan arsenalin e madh të armëve bërthamore të Rusisë, tha se stërvitjet do të analizohen për të bërë përmirësime. Administrata Bërthamore “siguroi dërgimin e municioneve bërthamore të trajnimit në depot në terren të pozicioneve të brigadës së raketave dhe në aeroportin operacional të Forcave Ajrore”, tha ajo.

    “Përmirësimi i mëtejshëm i trajnimit të forcave bërthamore jostrategjike do të përcaktohet për të siguruar përmbushjen e detyrave në skenarë të ndryshëm të zhvillimit të situatës ushtarako-politike”, thuhet në deklaratë.

    Një video e publikuar nga ministria e mbrojtjes tregon ushtarët rusë duke u fokusuar në një objektiv tallës dhe më pas duke numëruar mbrapsht për të nisur. Videoja tregon gjithashtu butonin e nisjes duke u shtypur.

    Rusia thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë po e shtyjnë botën në prag të konfliktit bërthamor duke i dhënë Ukrainës armë me vlerë miliarda dollarë, disa prej të cilave po përdoren për të sulmuar objektivat në tokën ruse.

    Të gjitha fuqitë e mëdha bërthamore – Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca dhe Britania – mbajnë stërvitje të rregullta bërthamore, por kjo ishte ndryshe. Sipas Reuters, ata rrallë janë të lidhur në mënyrë eksplicite në publik me një krizë të madhe aktuale – siç bëri Rusia me këtë rast për Ukrainën.

    Duke vepruar kështu, Rusia po përpiqet t’i dërgojë një sinjal Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj më të mëdhenj evropianë se lejimi i Ukrainës që të godasë Rusinë me armë gjithnjë e më të avancuara perëndimore është një përshkallëzim që mund të ketë pasoja.

    Shtetet e Bashkuara thonë se nuk kanë parë asnjë ndryshim në qëndrimin strategjik të Rusisë, por zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane thonë se duhet t’i marrin seriozisht vërejtjet e Moskës për armët bërthamore.

    Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë deri tani fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, duke zotëruar rreth 88 për qind të armëve bërthamore në botë.

    Shtetet e Bashkuara kanë rreth 100 armë bërthamore jostrategjike B61, të vendosura në pesë vende evropiane – Itali, Gjermani, Turqi, Belgjikë dhe Holandë, sipas Buletinit të Shkencëtarëve Atomik. SHBA ka edhe 100 armë të tjera brenda kufijve të saj.

    Rusia ka rreth 1558 koka bërthamore jostrategjike, por ekspertët e kontrollit të armëve thonë se është shumë e vështirë të thuhet saktësisht se sa janë për shkak të fshehtësisë së të dhënave.

    Putin tha javën e kaluar se shumë nga armët taktike bërthamore të Rusisë kanë 70-75 kiloton fuqi shpërthyese – rreth pesë herë më shumë se bomba bërthamore amerikane e hedhur në Hiroshima më 6 gusht 1945.

  • ​Hapja e urës së Ibrit pritet të trajtohet me seriozitet nga qeveria, opozita kërkon koordinim me aleatët

    ​Hapja e urës së Ibrit pritet të trajtohet me seriozitet nga qeveria, opozita kërkon koordinim me aleatët

    Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë për numrin dy në Qeverinë e Kosovës është një temë që duhet të trajtohet me seriozitet. Sipas zëvendëskryeministres, njëherësh ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla forcimi i sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse e ekzekutivit. Ajo paralajmëron hapa pozitiv në këtë temë, mirëpo shton se janë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojnë sigurinë e vendit. Në anën tjetër, hapjen e urës së Ibrit e mirëpresin edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por theksojnë nevojën e koordinimit me aleatë, kurse kanë dyshime se ky vendim po merret për agjenda elektorale. Ndërkaq, analistët politikë kërkojnë nga qeveria që pa shumë zhurmë politike të hapë urën, përkundër që thonë se qëndrueshmëria e komunitetit serbë në veri nuk është siç ka qenë më herët.

    Donika Gërvalla për KosovaPress nuk tregon se kur qeveria do të merr veprime për hapjen e urës, pasi thotë se në momentin kur do të ketë lëvizje qytetarët do t’i shohin.

    “Edhe tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitiv, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë…Në momentin që do të ketë lëvizje ju do të jeni dëshmitarë të lëvizjeve dhe do t’i shihni”, thotë ai.

    Hapjen e urës së Ibrit që bashkon Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe Mitrovicën e Veriut, të banuar me serbë e konsideron të nevojshme edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Megjithatë, ai ngreh dyshime se ky veprim po bëhet për agjenda elektorale. Pavarësisht kësaj, Tahiri kërkon koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për hapjen e urës, në mënyrë, siç thotë mos të ketë kthim prapa të këtij vendimi.

    “Kur qeveria merr një veprim, pyetja e parë që shtrohet është për çka po e marrim këtë veprim. Cili është qëllimi? A është qëllimi para zgjedhjeve me i tregua popullit që po i bëjmë do veprime në veri pasi s’ka bërë asgjë. Apo me të vërtet është qëllimi me forcua integritetin dhe sovranitetin tonë në atë pjesë. Për me bërë këtë pjesë duhet me pas një bashkëpunim dhe bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillimisht…Ura duhet të hapet mirëpo kur të hapet ura shteti nuk guxon të kthehet prapa. Unë nuk e kam problemin e hapjes së urës pasi duhet të hapet. Duhet me na ndihmua Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet të tjera që të hapet ura. Por unë kam problemin se këta marrin vendim për targa pastaj kthehen, marrin vendim për zgjedhje pastaj i organizojnë prapë. Unë e kam problem se me bërë me hap urën dhe me dal KFOR-i me thënë se s’bën me kalua andej, ku po mbet sovranitetin dhe integriteti”, deklaron Tahiri.

    Ndërkaq, analisti politik, Dritëro Arifi, deklaron se s’pret as shumë presion të aleatëve ndërkombëtar për mos hapjen e urës së Ibrit, pavarësisht se vendet e QUNIT-it dhe KFOR-i kanë deklaruar se nuk është momenti që ura të hapet.

    Ai thotë se hapja e urës së Ibrit është më shumë çështje humane dhe të drejtave të njeriut, andaj duhet t’i jepet drita e gjelbër.

    “Qeveria e Kosovës duhet në heshtje që të bëjë këtë veprim, të hap urën por pa shumë zhurmë. Realisht presioni i madh që mund të ekzistojë nuk është siç ka qenë më parë, por edhe qëndrueshmëria e komunitetit serb nuk është siç ka qenë më parë. Në një mënyrë është një pozitë e favorshme por duhet të bëhet me hapa të kujdesshëm. Hapja e urës do të ndodh shumë shpejtë, sepse është më shumë një çështje humane dhe të drejtave të njeriut, se që krijon probleme. Mendoj se më shumë do të afrojë komunitetit serb që të integrojë në institucionet e Kosovës. Duhet me një vetëdijesim dhe bashkëpunim që kur të hapet ura mos të ketë protesta apo kundër efekt apo ndonjë notë verbale nga partnerët evropian”, thekson Arifi.

    Revitalizimi i urës së Ibrit ishte paraparë në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 në Bruksel. Edhe pse 6 vjet më parë kanë përfunduar punimet me investime milionëshe të BE-së, ura vazhdon të jetë e mbyllur për veturat.

    Pavarësisht kësaj, BE-ja ka deklaruar se nuk është momenti që ura të hapet për shkaqe të sigurisë.

    Pikërisht sot janë bërë dhjetë vjet nga heqja e barrikadave mbi urën Ibër në Mitrovicë të vendosura nga strukturat paralele serbe.

  • FFK-ja reagon në UEFA për thirrjet e tifozëve serbë në Euro 2024

    FFK-ja reagon në UEFA për thirrjet e tifozëve serbë në Euro 2024

    Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes Serbi – Angli, në kuadër të Euro 2024, raporton EO.

    “Shfaqja e papenguar e mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një event madhështor si Euro 2024 është e pakuptimtë dhe absurde. Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjëve të saj. FFK në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si recidiviste e rasteve të tilla. Njëkohësisht, kërkojmë vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-së”, thuhet në reagimin e FFK-së.

    Me tutje shtëpia e futbollit të Kosovës, konsideron se thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit.

    “Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë. I bëjmë thirrje UEFA-së që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe shteti tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit”, theksohet në njoftim.

    Sipas FFK-së, futbolli dhe eventet e tilla si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes.

  • Vdes nënkryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Thaçi

    Vdes nënkryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Thaçi

    Ka vdekur veterani, njëherit nënkryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Thaçi, raporton Ekonomia Online.

    Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

    “Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për vdekjen e papritur të veteranit, invalidit të UÇK-së dhe njëherësh nënkryetarit të Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Thaçi. Ahmet Thaçi ishte një luftëtar i palodhur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i plagosur gjatë luftës. Kontributi i tij do të kujtohet gjithmonë me nderim dhe respekt të veçantë”, ka shkruar Shurdhaj.

    Ai ka theksuar se largimi i tij është një humbje e madhe për familjen, shokët, dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

    Shurdhaj u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes Thaçi dhe gjithë miqve të tij.

  • Rritet përqindja e njerëzve që po u shmangen lajmeve

    Rritet përqindja e njerëzve që po u shmangen lajmeve

    Secilën herë e më shumë, njerëzit po u shmangen lajmeve, duke i konsideruar depresive dhe të mërzitshme, ka bërë të ditur një hulumtim global, i kryer prej Institutit Reuteres të Universitetit të Oksfordit.

    Pothuajse katër në 10 njerëz – 39 për qind – në gjithë botën, kanë thënë se shpesh ose ndonjëherë u shmangen me qëllim lajmeve, në krahasim me 29 për qind më 2017, sipas hulumtimit.

    Lufta në Ukrainë dhe ajo në Lindje të Mesme mund të kenë kontribuuar në dëshirën e njerëzve për të qenë larg lajmeve, kanë thënë autorët e raportit.

    Sipas tyre, injorimi i lajmeve tani është në nivele rekorde.

    Një total prej 94.943 të rinjve në 47 shtete në gjithë botën, janë anketuar prej organizatës YouGov në janar dhe shkurt për qëllime të raportit për lajmet këtë vit.

    Këto gjetje janë bërë të ditura kur miliarda njerëz në gjithë botën kanë votuar ose do të votojnë më 2024 për zgjedhje kombëtare dhe rajonale.

    Raporti ka gjetur që zgjedhjet e kanë rritur interesimin në lajme në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

    Megjithatë, trendi në përgjithësi është negativ, sipas studimit.

    Në gjithë botën, 46 për qind e njerëzve kanë thënë se janë jashtëzakonisht të interesuar në lajme – për dallim prej 63 për qind më 2017.

    Rezultatet kanë treguar që audienca e televizionit dhe gazetave të printuara ka rënë ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi të rinjtë po preferojnë që lajmet t’i shohin në faqe online, apo në rrjete sociale.

    Plaforma më e rëndësishme për lajme është ende Facebook-u, ndonëse po shënon rënie vit pas viti.

    YouTube dhe WhatsApp janë platforma shumë të rëndësishme për lajme për një pjesë të audiencës, derisa TikTok-u është në rritje dhe e ka tejkaluar platformën X – të njohur më parë si Twitter – për herë të parë.

    Sipas gjetjeve, 13 për qind e njerëzve e përdorin TikTok-un për lajme, në krahasim me 10 për qind që janë deklaruar për X.

    Shifra është e më lartë për TikTok-un te grup-mosha, 18-24 vjeç – 23 për qind. /REL