Policia e Kosovës e ka arrestuar një serb në Zveçan pasi kur ishte ndaluar nga njësiti policor, ishte prezantuar si doganier.
Në raportin 24-orësh thuhet se i dyshuari kishte refuzuar t’ua jepte dokumente personale dhe t’i bëhej testi i alkoolit.
Ai është dërguar në mbajtje, e rasti është iniciuar si “prezantim i rremë si person zyrtar”, thuhet në njoftim.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull serb për shkak se kur ishte ndaluar nga njësiti policor ishte prezantuar si doganier i Kosovës, si dhe kishte refuzuar t’ua jap dokumentet personale, kartelën identifikuese dhe ti bëhej alkotesti pasi kishte qenë nën ndikim të alkoolit. Lidhur me rastin i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Arianit Beqiri është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës. Pamjet e prangosjes u publikuan edhe në rrjete sociale, teksa pak para mesnatës, Beqiri u lirua, raporton Sinjali.
Nga VV në Prishtinë kërkuan që Inspektorati Policor i Kosovës të merret me “dhunën e shfaqur nga polici”.
Megjithatë, IPK ka bërë të ditur se akoma s’kanë pranuar ankesë, por që do të analizohet rasti dhe pamjet për të verifikuar reagimin e zyrtarëve policorë.
“IPK deri tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast, sidoqoftë sipas detyrës IPK në kuadër të autorizimeve ligjore do të analizoj videot për të verifikuar sjelljet dhe reagimin e zyrtarëve policorë”- ka thënë zëdhënësi Arbër Beka.
Rreshtimi me politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, si kushte në rrugën e integrimin, ishin tema në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare me gjashtë homologët nga Ballkani Perëndimor.
Para diskutimit jo-zyrtar në Luksemburg, ministrja Donika Gërvalla foli për rëndësinë e integrimit të rajonit në bllokun evropian, bazuar në vlera e parime.
“Duke e parë integrimin e të gjithë Evropës, e atyre shteteve që i qëndrojnë vlerave evropiane, që mbështesin parimet evropiane, nuk janë vetëm çështje politike, por janë çështje e më shumë sigurie në Evropë në kohët kur, në Evropë, po përballemi me agresionin rus ndaj Ukrainës, dhe kur një Bashkim Evropian më i fortë është përgjigje më e mirë për të reaguar ndaj sfidave të sotme dhe të së ardhmes”, tha Gërvalla.
Krahas fokusit te përmbushja e reformave të brendshme, ministri për punë të jashtme shtetit të fundit që iu bashkua BE-së, këshilloi homologët e tij nga rajoni për ndërtimin e fqinjësisë së mirë.
“Ballkani Perëndimor duhet të shërojë plagët e vjetra, në vend se t’i hapë ato apo të krijojë të reja. Vetëm duke zgjidhur gjërat në një mënyrë që krijon stabilitet politik dhe siguri brenda dhe jashtë, mund ndodh transformimi i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm. Ky është investimi dhe garancia më ë mirë për stabilitet afat-gjatë në rajon”, tha ministri për Punë të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.
Ndarja e rrugëve me Rusinë, në vlerësimin e krye-diplomates rumune është diçka që shtetet ballkanike duhet të bëjnë, për t’u anëtarësuar në BE.
“Ritheksojmë mbështetjen për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por, duke pasur parasysh rritjen e aktivitetin malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, është e rëndësishme që partnerët tanë atje të rreshtohen plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha ministrja për Punë të Jashtme e Rumanisë, Luminita Odobescu.
Në dhjetor të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që tutje nuk pati lëvizje konkrete e as avancim.
Për Kosovën dhe Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre, është kusht kyç në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun evropian.
Tri ditë pasi e aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar Nenad Orlloviqin me një vit e tre muaj burgim për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
Orlloviqit, Gjykata për pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale huliganizëm i shqiptoi gjobën maksimale të propozuar nga PSRK-ja, 12 mijë euro.
Por Nenad Orlloviq, i njohur me nofkën “Rusi” dhe “Nemac”,do të qëndroj në burg vetëm edhe tre muaj, pasi atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, që nga 23 qershori i vitit të kaluar.
Orlloviq që e pranoi fajësinë, në seancën e mbajtur të premten e kaluar, për shqyrtimin e marrëveshjes me Prokurorinë Speciale, e mohoi para gjyqtares nofkën “Rusi” në të cilën thirret edhe në aktakuzë.
Por kishte përgjigjeje pozitive kur u pyet nëse është i pajtimit që dënimin me 6 muaj burg, ta paguajë në gjobë prej 10 mijë deri në 12 mijë euro.
Orlovic akuzohej për pjesëmarrje në protestën e 29 majit në Zveçan, dhe sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, dhe të Policisë së Kosovës.
Sipas aktakuzës ai me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe me armë zjarri, bashkë me persona të tjerë kishte ushtruar dhunë të pakontrollueshme.
Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin mbetur të lënduar.
Për pjesëmarrje në të njëjtën protestë, në shkurt të këtij viti është dënuar Radosh Petroviq e Dushan Obrenoviq, pasi të dy e kishin pranuar fajësinë dhe kishin arritur marrëveshje me PSRK-në.
Ndërsa në paraburgim nga java e kaluar është edhe Lazar Dejanovic, i cili sipas dosjes së PSRK-së, bashkë me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në katër komunat veriore të vendit.
As drafti e as plani i veprimit për Menaxhimin e Rrezikut nga Vërshimet, nuk u publikua, të paktën deri të hënën.
Madje, as pas reshjeve të së dielës në disa komuna, ministria nuk ktheu përgjigje për ATV-në, përse Harta e Rrezikshmërisë nuk është përfunduar deri tash.
Ky projekt që kushton rreth 2.5 milionë euro, po konsiderohet shumë i nevojshëm nga gjeografët, për një varg arsyesh.
“Në secilin vend egziston kjo lloj harte, ish dash të përfundonte kohë më parë, aty do kishin qenë të paraqitura zonat ku vërshimet mund të jenë më dominonte…”, tha Faruk Foniqi nga Instituti për Studime Urbane dhe Planifikim Hapësinor.
Sipas Foniqit, me hartën e rrezikshmërisë, nuk do të parandaloheshin tërësisht dëmet e vërshimeve, por do të kishte menaxhim më adekuat.
“Ndryshimet klimatike nganjëherë mund të vijnë edhe befas por kur kemi një plan para vetës me parashikime, situata mund të menaxhohet për një përqindje të madhe më mirë, e mos të ketë dëme si këto të fundit…”, tha Foniqi.
Kritika ka edhe ambientalisti, Alban Hyseni.
“Ata kanë vetëm fjalë, premtimet në majë të gjyhës e puna askund hiq, qershorin vetëm e kanë përmendur kotë, përsëri ju e pat ju e pat çfarë rrëbeshes pat, sa dëmet…”, tha Hyseni.
Nga përmbytjet e qershorit të vitit 2023, një grua dhe djali i saj 5 vjeç, kishin humbur jetën në Pejë.
Ndërsa, dëme nga përmbytjet, në vlerë milionëshe, viteve të fundit ishin shkaktuar edhe në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Istog e Klinë.
Të martën, në Parlamentin e Spanjës, pritet të hidhet për votim propozimi i partisë katalonase “Junts”, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga qeveria spanjolle.
Referuar propozimit të Juntsit, Spanja duhet ta njohë Kosovën, meqë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010, ia pranoi si të ligjshme pavarësinë.
Në letrën e 5 qershorit dërguar parlamentit, “Junts” përmend se refuzimi i Spanjës për ta njohur Kosovën, është faktor destabilizues për Ballkanin Perëndimor, në konteksin aktual gjeopolitik.
Por Insistimi i partisë katalonase, sipas njohësit të politikës së jashtme, Emir Abrashi, nuk mjafton për t’ia sjell Kosovës njohjen e re.
“Është lajm i mirë që çështja e Kosovës, diskutohet edhe në institucione qendrore Spanjolle, megjithatë ne duhet të kemi parasysh se partia Junts është një parti goxha e vogël dhe nuk ka ndonjë peshë në nivel nacional në Spanjë”, tha Abrashi.
Abrashi thotë se angazhimi për njohjen e Kosovës, nuk bënë t’i lihet në dorë vetëm partisë nga Katalonia, që mbështet qeverinë spanjolle.
“Diplomacia kosovare duhet të punoj më aktivisht me Madridin zyrtar për ta bërë një ndarje mes çështjes së Kosovës dhe Katalunisë, për shkak se këto si tema janë të ndryshme. Përderisa katalonia është rajoni më i pasur në Spanjë, Kosova ka dalur nga një luftë gjenocidale me Serbinë dhe rrjedhimisht ka qenë i pamundur vazhdimi i bashkëjetesës me Serbinë”, tha Abrashi.
Edhe profesori i shkencave politike Basri Muja, nuk pret që iniciativa e Juntsit t’i lëviz marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve.
“Nuk do duhej që e gjithë barra t’i mbetej vetëm institucioneve qeveritare, do duhej që edhe parlamenti i Kosovës, diplomacia parlamentare është një mekanizëm shumë i fuqishëm…pastaj partitë politike, posaçërisht dy partitë e mëdha, do duhej të krijojnë kontakte raporte, të tentojnë t’i bindin partitë si motra”, tha Muja.
Pos Spanjës, Kosovën nuk e njeh as Sllovakia, Greqia, Rumania e Qipro, që janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Njohësit Abrashi e Muja, konsiderojnë se Kosova duhet të luaj me kartën e lobimit.
Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli, ku në shkurt të vitit 2021, dy vendet formalizuan marrëdhëniet diplomatike.
Një ditë pas përmbytjes së disa lagjeve të kryeqytetit nga reshjet e mëdha të shiut, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me zyrtarët të tjerë komunal kanë dal në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Rama tha se ka krijuar shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, pasi parashihen reshje të ngjashme.
Sipas tij, problem kyç në kryeqytet është dizajnimi jo i duhur i pusetave.
“Disa prej lagjeve me vite të tera nuk kanë qenë të mirëmbajta, në pjesën e stacionit të autobusit e bëmë intervenimin e menjëhershëm. Dizajnimi i atyre pusetave nuk është i mjaftueshëm dhe për këtë biseduam ta bëjmë një projekt të ri për kanalizime”, tha Rama.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjencë Lulzim Fushtica tha se komuna do ta bëjë vlerësimin e dëmeve.
“Janë shkuar thirrjet direkt, afro 100 thirrje në të gjitha thirrjet janë intervenuar. vlerësimi i dëmeve është aktiv dhe do të merremi me çdo lloj dëmi të qytetarëve. vetëm sasia e sotme 65 milimetra për metër i cili është sasi e ujit që bëhet për një muaj të tëre, është sasi e madhe”, tha Fushtica.
Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë depërtuar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Shërbimi Spitalor Klinikë Universitar i Kosovës ka njoftuar se sistemi i kanalizimit nuk ka pas mundësi të përballojë sasinë e ujit, i cili ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, megjithatë nuk ka shkaktuar dëmtim të aparaturave mjekësore.
Kombëtarja e Spanjës ka arritur fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Shqipërisë duke i dhënë fund aventurës së “Kuqezinjve” në Kampionatin Evropian 2024.
Shqipëria e nisi mirë këtë takim duke ushtruar presion në zonën e spanjollëve dhe duke mbyllur hapësirat, por duke mos arritur që të krijojë ndonjë rast shënimi.
Rasti i parë serioz në këtë ndeshje i takoi Spanjës, të cilët në minutën e 12-të iu afruan golit me anë të Mikel Merinos por Strakosha ia mohoi golin.
Vetëm një minutë pas këtij rasti, “Furia e Kuqe” arriti ta gjejë golin e epërsisë në përballjen ndaj Shqipërisë.
Ishte Ferran Torres ai i cili në minutën e 13-të realizoi për 1-0 pas asistimit të mençur nga Dani Olmo.
Shqipëria tregoi forcën e saj në minutën e 44-të me anë të Kristjan Asllanit i cili me një super goditje nga jashtë zonës e testoi seriozisht portën e David Rayas, por pa arritur të shënojë.
Në pjesën e dytë Shqipëria rrezikoi seriozisht në disa raste portën e Spanjës, por duke mos arritur që ta gjejë golin.
Fillimisht Joselu pati një mundësi të mirë shënimi për Spanjën pasi në minutën e 47-të tentoi ta gjejë golin me një goditje akrobatike por pa sukses.
“Kuqezinjtë” rastin më të mirë në këtë ndeshje e pati me Armando Brojën i cili në minutën e 64-të u mundua ta zë ne befasi David Rayan por ky i fundit reagoi mirë.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit Shqipëria pati edhe disa dalje të rrezikshme në sulm, megjithatë nuk ia doli ta gjejë golin.
Të besuarit e Sylvinhos kështu e përfunduan aventurën në Euro 2024 me vetëm një pikë të fituar, por na dëshmuan se këta futbollistë kanë potencial të madh për të vazhduar të na bëjnë krenar në të ardhmen./Telegrafi/