ATV

Author: ATVLive

  • Takimi Kurti-Vuçiq pushteti pret definim për marrëveshjen, opozita ka kritika

    Takimi Kurti-Vuçiq pushteti pret definim për marrëveshjen, opozita ka kritika

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Takimi i së mërkurës, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, sipas deputetit të LV-së, Armend Muja, mund të qartësojë nëse ka ose jo marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

    Në këtë kontekst ai listoi shkeljet nga Serbia të dy dokumenteve të dakorduara në Shkurt dhe Mars të vitit të kaluar.

    “Kosova është në një moment të definimit nëse vërtet ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve”, tha Muja.

    Pa një kryeministër të ri, deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri nuk pret diçka të re nga takimi i radhës i nivelit të lartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

    “Vendit tonë i duhet një qeveri e re. Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tahiri.

    Krahas thirrjes që qeveria të jetë më e përgjegjshme në raport me dialogun dhe partnerët ndërkombëtar, deputeti i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, pati kritika për mungesë transparence.

    “Ekziston një rezolutë në fuqi që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo raundi të bisedimeve është tregues i qartë në atë që kemi pas vërejtje në vazhdimësi. Vet vizita e heshtur ose tentimi që të heshtet vizita e Lajçakut është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq”, tha Zemaj.

    Takimi i 26 Qershorit, Kurti-Vucic, nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajcak, do të jetë i pari në kuadër të dialogut pas sulmit terrorist paramilitar në Banjskë.

    Më 18 Qershor, emisari Lajcak njoftoi se do të bëjë një vlerësim për nivelin e konstruktivitetit të Kosovës dhe Serbisë në dialog – si parakusht që ato të përfitojnë nga Plani 6-miliardësh i Rritjes – teksa është paralajmëruar që shpërndarja e fondeve të nisë muajin e ardhshëm.

  • Talat Xhaferi ia dorëzon Mickoskit detyrën e kryeministrit

    Talat Xhaferi ia dorëzon Mickoskit detyrën e kryeministrit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Lideri i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tashmë edhe zyrtarisht është kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

    Talat Xhaferi, i cili deri tash mbajti pozitën e kryeministrit teknik, ia zgjati dorën Mickoskit, duke ia dorëzuar kështu detyrën e shefit të ekzekutivit.

    Xhaferi e uroi Mickoskin për detyrën e re, me ç’rast ia përmendi edhe nevojën për reforma cilësore, që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

    Qeveria e re, do përbëhet nga partia fituese VMRO-DPMNE, koalicioni i partive shqiptare VLEN dhe socialdemokratët e lëvizjes ZNAM.

    Gjashtë nga ministritë, udhëhiqen nga shqiptarët.

    Zëvendëskryeministër i parë është Izet Mexhiti. Ai njëherësh është vënë edhe në krye të Ministrisë së Ekologjisë.

    Arben Taravari, drejton Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa Besar Durmishi atë të Politikës Sociale, Demografisë e Rinisë.

    Fatmir Limani është ministër i Ekonomisë dhe Punës, Arben Fetai, zv-kryeministër për Qeverisje të Mirë, kurse Orhan Murtezani, ministër i Euro-integrimeve.

    Zgjedhjet e 8 majit, e quan Bashkimin Demokratik për Integrim, tw Ali Ahmentit, në ulëset e opozitës.

    BDI ka akuzuar koalicioni VLEN se bashkëpunimi me partinë e Mickoskit, ka dëmtuar interesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

  • Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për takim të përbashkët në prani të Borell, BE del me njoftim se çka pritet të mërkurën

    Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për takim të përbashkët në prani të Borell, BE del me njoftim se çka pritet të mërkurën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen të mërkurën në Bruksel.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell do t’i presë fillimisht ata, siç thuhet në një njoftim të BE-së.

    “Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh”, thuhet në njoftim.

    BE thotë se në takime do të analizohet ajo që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Borrell dhe “do të fokusohen në rrugën përpara”.

    “Do të ketë deklarata për mediat nga Përfaqësuesi i Lartë përpara dhe në fund të takimeve në ndërtesën e EEAS”, thuhet në njoftim.

  • Humb jetën një pushues në plazhin e Velipojës

    Humb jetën një pushues në plazhin e Velipojës

    Një person rreth moshës 60 vjeç ka humbur jetën teksa po lahej në Velipojë.

    60-vjeçarin ende të paidentifikuar e ka nxjerrë uji në breg dhe më pas është konstatuar nga pushues të tjerë, të cilët menjëherë kanë njoftuar autoambulancën e Velipojës dhe policinë.

    Dyshohet se 60-vjeçari ka pësuar një atak kardiak duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Sipas burimeve nga vendngjarja për afro 15 minuta trupi i pajetë ka qëndruar mbi ujë, sepse pushuesit e tjerë nuk e kanë ditur se ishte mbytur derisa uji e nxori në breg.

    Është rasti i dytë brenda pak kohësh pas humbjes së jetës të shtetases shqiptare Drande Marku pak ditë më parë e cila po ashtu u mbyt në plazhin e Velipojës, teksa ndodhej brenda në ujë duke pësuar goditje në zemër./tch

  • BE investon 65 milionë euro në Bullgari për ta ndihmuar në përmbushjen e objektivave klimatike

    BE investon 65 milionë euro në Bullgari për ta ndihmuar në përmbushjen e objektivave klimatike

    Bullgaria do të marrë 65,2 milionë euro për të përmbushur objektivat e saj për klimën dhe energjinë, pasi Bashkimi Evropian ndau 2,967 miliardë euro nëpërmjet Fondit të Modernizimit për të mbështetur 39 projekte energjetike në 10 shtete anëtare të BE-së, tha të hënën Komisioni Evropian. Këto investime do të mbështesin modernizimin e sistemeve energjetike, reduktimin e emetimeve të gazeve serrë në sektorët e energjisë, industrisë dhe transportit, si dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë.

    Ky është disbursimi më i madh deri më sot nëpërmjet Fondit të Modernizimit, duke e çuar shpenzimin total në 12.65 miliardë euro që nga janari 2021. Këto investime synojnë të kontribuojnë në objektivin afatgjatë të BE-së për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

    Përveç Bullgarisë, shtetet anëtare që përfitojnë nga disbursimi i parë i vitit 2024 janë Kroacia (52 milionë euro), Çekia (835.2 milionë euro), Estonia (24.1 milionë euro), Hungaria (76.8 milionë euro), Letonia (26.8 milionë euro), Lituania (59 milionë euro), Polonia (697.5 milionë euro), Rumania (1.095 miliardë euro) dhe Sllovakia (35 milionë euro).

    Projektet e mbështetura sot fokusohen në prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme, përdorimin dhe vendosjen e burimeve të rinovueshme të energjisë, modernizimin e rrjeteve të energjisë dhe efikasitetin e energjisë.

    Propozimet që do të mbështeten përfshijnë një projekt bullgar për përforcimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike për të mbështetur integrimin e burimeve të rinovueshme në Bullgari;

    Afatet e ardhshme për Shtetet Anëtare për të paraqitur propozime investimi për mbështetje të mundshme nga Fondi i Modernizimit janë 13 gusht 2024 për propozimet jo prioritare dhe 10 shtator 2024 për propozimet prioritare.

    Financuar nga të ardhurat nga ankandi i lejimeve të emetimeve sipas Sistemit të Tregtimit të Emisioneve të BE-së, Fondi i Modernizimit synon të mbështesë trembëdhjetë shtete anëtare me të ardhura më të ulëta në kalimin e tyre drejt neutralitetit të klimës. Shtetet Anëtare përfituese janë Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia, si dhe Greqia, Portugalia dhe Sllovenia.

    Fondi i Modernizimit mbështet investimet në prodhimin dhe përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, efikasitetin e energjisë, ruajtjen e energjisë, modernizimin e rrjeteve të energjisë, duke përfshirë ngrohjen qendrore, tubacionet dhe rrjetet, dhe tranzicionin e drejtë në rajonet e varura nga karboni, sipas Komisionit Evropian./BTA/

  • ​Propozohet që ish-Sekretari i MPJD-së të intervistohet nga Komisioni Hetimor

    ​Propozohet që ish-Sekretari i MPJD-së të intervistohet nga Komisioni Hetimor

    Në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është propozuar ish-sekretari i Ministrisë së punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma që të intervistohet i pari nga ky komision, të premten me 5 korrik në ora 10:00.

    Në këtë mbledhje, gjithashtu, u kërkua që të procedohet edhe lista me detyra ndaj tre ekspertëve, emrat e të cilëve janë miratuar në mbledhjen e kaluar të komisionit, Gëzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkëlqim Jakupi.

    Isma është propozuar nga deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu-Hyseni.

    “Është mirë edhe deputetët me u përfshi në përpilimin e listës së dëshmitarëve, në mënyrë që me arrit të ftojnë njerëzit që ne mendojmë që munden me kontribu për tema të caktuara të cilat duan të dinë se çka ka ndodhur apo si ka ndodhur..5:25 Sipas diskutimeve që i kemi pasur në vazhdimësi në komision hetimor, kam parë që goxha shumë debati është sillë rreth një emri që është ish-sekretari i Punëve të Jashtme dhe besoj që ky person mund të jetë emri i cili do të mund ta nisë këtë vazhdën e dëshmive në kuadër të komisionit hetimor”, ka propozuar Kryeziu-Hyseni.

    Ndërsa, deputetja nga LDK-ja, Vlora Dumoshi ka propozuar që në ditë të jenë nga tre dëshmitarë prezent në komision, ndërsa ekspertët të ftohen në takim për t’u njoftuar me ta.

    “Ekspertët të ftohen menjëherë në një takim, të njoftohemi me ta, kurse propozoj që në takimet te lista e dëshmitarëve si pika dy, hartimin e listës së dëshmitarëve, të kemi bile në ditë nga tre dëshmitarë që të jenë prezent në komision, sa më shumë që të ketë puna jonë do të jetë më e shpejtë, hartimi i eksperteve do ta bëjë pastaj punën e vet”, ka shtuar Dumoshi.

    Po ashtu, deputeti nga VV-ja, Haxhi Avdyli ka theksuar që Isma ka shumë për të dëshmuar.

    “Kemi pak javë në dispozicion që të intervistojmë ndonjërin dëshmitarë… Unë mendoj që ish- sekretari ka shumë për të dëshmuar dhe besoj që ky takimi mund të merret me dëshminë e tij, por edhe për takime të tjera, pse jo të kemi nga dy dëshmitarë”, ka vijuar ai.

    Kurse, nga sot do të bëhet analiza e materialit për dëshmitarët. /KP

  • Bëhet fotografia e përbashkët e ministrave të Ballkanit Perëndimor me Borrell

    Bëhet fotografia e përbashkët e ministrave të Ballkanit Perëndimor me Borrell

    Ministrat e Ballkanit Perëndimor e kanë realizuar fotografinë e e përbashkët para takimit me Ministrat e Jashtëm të BE-së që është duke u mbajtur sot në Luksemburg.

    Kosova në këtë takim përfaqësohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

    Fotografinë në fjalë me ministrat e Ballkanit e realizoi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

    Gërvalla para mediave në takim është shprehur se temë e diskutimit të sotëm beson se do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian, dhe anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor.

    “Ne erdhëm këtu në Luksemburg për të biseduar dhe diskutuar për integrimin më tutje të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin e Evropian, dhe jo vetëm të Ballkanit Perëndimor”.

    “Besoj se kjo është tema kryesore të shohësh integrimin e gjithë Evropës e atyre vendeve që qëndrojnë me vlerat e Bashkimit Evropian, që mbështesin parimet evropiane të cilat nuk janë vetëm çështje politike, por ato janë edhe në aspektin e rritjes së sigurisë në Evropë në kohërat kur jemi duke u ballafaquar me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”.

  • ​Këshilli i BE-së ndalon partitë dhe organizatat evropiane të marrin fonde nga Rusia

    ​Këshilli i BE-së ndalon partitë dhe organizatat evropiane të marrin fonde nga Rusia

    Në pakon e 14-të të sanksioneve kundër Rusisë, Këshilli i BE-së ka ndaluar partitë evropiane, OJQ-të dhe grupet e ekspertëve të marrin çdo financim me origjinë ruse.

    Sipas Ukrinform, kjo thuhet në një deklaratë për shtyp për përmbajtjen e një pakete të re të masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë, të publikuar në faqen e internetit të Këshillit Evropian.

    “Duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ndërhyrë në proceset demokratike në BE dhe për të minuar themelet e saj demokratike, duke përfshirë fushatat e ndikimit dhe promovimin e dezinformimit, Këshilli vendosi që partitë politike dhe fondacionet, organizatat joqeveritare, përfshirë grupet e mendimit, ose ofruesit e shërbimeve mediatike në BE, nuk do të lejohen më të pranojnë financime që vijnë nga shteti rus dhe përfaqësuesit e tij”, thuhet në dokument.

    Në të njëjtën kohë, theksohet se në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore, masat e dakorduara sot nuk do të pengojnë ofruesit e shërbimeve mediatike dhe stafin e tyre që të kryejnë aktivitete të tjera në BE, siç janë kërkimet dhe intervistat.

    Siç raportohet, që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja i ka ofruar Ukrainës ndihmë ekonomike, politike dhe financiare, duke ndjekur një politikë të qëndrueshme të sanksioneve ekonomike dhe individuale kundër vendit agresor dhe duke marrë masa për të shmangur masat kufizuese nga vendet dhe kompanitë e treta.

  • ​Gjendje stabile pas reshjeve në Fushë Kosovë, qytetarët kërkojnë kompensim të dëmeve

    ​Gjendje stabile pas reshjeve në Fushë Kosovë, qytetarët kërkojnë kompensim të dëmeve

    Pas reshjeve të mëdha të shiut në Komunën e Fushë Kosovës gjendja në terren është stabilizuar dhe ekipet janë duke bërë punën e tyre. Mirëpo, reshjet e mëdha të shiut, shkaktuan dëme më së shumti në bujqësi. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori për shërbime publike dhe mjedis në këtë komunë, Ardit Sekiraqa.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Sekiraqa ka thënë se gjendja është mirë, duke theksuar se dëme më shumë ka shkaktuar në bujqësi.

    “I kemi dërguar ekipet janë duke punuar vazhdimisht, gjendja është duke u vlerësuar prej ekipeve, do të dalim më vonë, situata nuk është e vështirë dhe nuk ka dëme të mëdha, mirëpo ato që janë po merremi individualisht me secilin. Dëmet më të mëdha janë në bujqësi, pasi ka pas edhe kokrriz”, thotë ai.

    Ndërkaq, të shqetësuar nga këto dëme janë qytetarët, të cilët kërkojnë nga niveli qendror të ndajë më shumë mjete për këto raste.

    Banori i kësaj komune, Bashkim Spahiu derisa ka treguar për dëmet, ka theksuar se më së shumti dëme ka shkaktuar tek kulturat bujqësore, për çfarë ka kërkuar nga niveli qendror të ndajë më shumë buxhet në këtë drejtim.

    “Ka pasoja, ka bërë dëm të madh, ka vërshuar disa objekte banesore dhe disa podrume, dhe kulturat bujqësore i ka prish…Nuk e di nëse komuna ka buxhet (të ndihmojë), por duhet niveli qendror”, tha Spahiu.

    Se gjendja ka qenë e rënduar e thotë edhe qytetarja , Elmaida Morina.

    “Po ka pas, sidomos në podrum… është mirë të ndahen sepse është mirë të ketë më shumë siguri…niveli qendror duhet të ndajë buxhet për këto raste, siç janë vërshimet”, tha Morina.

    Edhe qytetari, Sherif Kosova ka thënë se gjendja e mbrëmshme ka shkaktuar dëme në disa pjesë të qytetit.

    “Kish pas e ish kon tu ra kogja shumë shi, mezi jemi dalë me veturë…Prej Sllatinës kemi bërë rreth 1 orë e gjysmë deri në Fushë Kosovë”, tha ai.

    Ndërkohë, vërshime gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe në disa lagje në Komunën e Prishtinës.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka lutur qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe ka sugjeruar institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë sipas tij parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje.

    Rama ka shkruar në Facebook se pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së djeshme, kanë dal në terren për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme.

    Derisa Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka njoftuar se përkundër reshjeve të dendura të shiut dhe pamundësisë së përpunimit të ujit nga rrjeti i ujërave të zeza, deri në këto momente nuk janë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore dhe dëme të tjera materiale.

    Sipas një njoftimi, uji kryesisht ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, por pas masave të menjëhershme aparaturat mjekësore nuk janë rrezikuar./kp/

  • ​Bislimi dhe Lobbezoo diskutojnë përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian

    ​Bislimi dhe Lobbezoo diskutojnë përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit lamtumirës me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo diskutoi mbi përkushtimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

    Bislimi e vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me ambasadoren në këto tri vite.

    “Së bashku, përshkuan zhvillimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe dhe situatën në vend e rajon, si dhe trajtuan perspektivat për të tashmen dhe të ardhmen. Ambasadorja cilësoi si një prej momenteve më të veçanta në mandatin e saj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Bislimit thuhet se në takim u diskutua mbi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në procesin e integrimit evropian, dhe përgatitjet e vendit në kuadër të Planit të Rritjes si instrument i rëndësishëm në përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Kosova është vendi i parë i cili ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe agjendën e reformave, duke dëshmuar jo vetëm nivelin e përgatitjes, por edhe vullnetin dhe gatishmërinë për hapa të rëndësishëm tutje”, thuhet në komunikatë.

    Bislimi shprehu mirënjohjen e tij për bisedat e shumta produktive e konstruktive, zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Holandës si dhe i uroi ambasadores suksese të mëtejme në angazhimet e radhës.