ATV

Author: ATVLive

  • Murati për letrën ndaj Abdixhikut: Jemi të gatshëm për të zgjidhur ngërçin politik

    Murati për letrën ndaj Abdixhikut: Jemi të gatshëm për të zgjidhur ngërçin politik

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për marrëveshje politike. Ai tha se kjo ftesë vjen pas dy refuzimeve të Abdixhikut, për çka shtoi se janë të gatshëm që të gjejnë mënyra për të dalë nga kjo situatë, shkruan KosovaPress.

    Murati foli para mediave pas dështimit të serishëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit, për çka tha se presin përgjigjen e LDK-së.

    “Kemi parë që dy ftesat e para sa i përket konstituimit të Kuvendit janë refuzuar, madje s’ka pasur pjesëmarrje as në takim. Kësaj radhe për faktin që ka pasur deputetë nga LDK që janë deklaruar se për të pasur një bashkëpunim të tillë nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit, por duhet të ketë një dakordim politik, ka rrjedh edhe ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar Lumir Abdixhikut, i cili fton për të diskutuar për bashkëpunim politik në mënyrën si ata po pretendojnë dhe po e shohin se në qoftë se mënyrat tjera janë të pamundshme, ne jemi të gatshëm si fitues të zgjedhjeve që të gjejmë mënyra”, deklaroi ai.

    Murati tha se disa deputetë të LDK-së janë për marrëveshje politike.

    “Kanë qenë deklarata publike besoj të disa deputetëve, më shumë se një, kanë qenë deklarata publike ju si media mund t’i keni arkivat… Ne kemi dëgjuar të kundërtën nga disa deputetë të LDK-së, por mund t’i pyesni ata”, shtoi ai.

    Pas dështimit të seancës, Murati akuzoi sërish partitë opozitare për bllokim, ndërkaq për deputetët e Listës Serbe tha se nuk u ngritën në këmbë për të respektuar ditën e dëshmorëve.

    “Besoj e patë edhe një herë që partitë të cilat po vazhdojnë ta bllokojnë konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim ishin PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Ajo çfarë vlen të thuhet kësaj radhe është ajo që e pamë, besoj ishit dëshmitarë edhe ju që edhe gjatë mbajtjes së një minuti heshtjeje, deputetët e Listës Serbe nuk u ngritën fare në këmbë për të respektuar ditën e dëshmorëve. Po të varej prej neve siç e kemi thënë edhe më herët, Lista Serbe nuk do të ishte fare në Kuvend. Kur ne kemi kërkuar që të mos certifikohet si subjekt politik për zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e kemi pasur mbështetjen e partive të tjera. Ata kanë munguar në atë seancë duke pamundësuar kuorumin për të votuar mos certifikimin e Listës Serbe. Dhe si pasojë e kësaj i kemi sot në Kuvend, pra një grup politik i cili nuk e pranon dhe njeh Republikën e Kosovës, për më tepër refuzon edhe të bëhet pjesë e nderimit të dëshmorëve”, u shpreh ai.

    Sipas tij, opozita më tepër e ka problem emrin e Albulena Haxhiut, ndërkohë që për të njëjtat parti politike tha se nuk kanë thënë asgjë sa i përket nënkryetarit që i takon komuniteteve joshumicë.

    “Në vazhdimësi e kemi parë se si opozita nuk është se ka pasur problem, për më tepër opozita shihet që shumë më tepër e ka problem emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, një deputete e cila në vazhdimësi ka qenë e zëshme kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kundër demarkacionit, kundër Gjykatës Speciale e shumë e shumë dëme të tjera që janë votuar në këtë Kuvend, pikërisht nga këto parti që sot refuzojnë që ta mbështesin kryetaren Albulena Haxhiu. Në anën tjetër nuk kemi dëgjuar asgjë deri më sot për pozitën e nënkryetarit që për shembull ju takon edhe komuniteteve joshumicë”, shtoi Murati.

    Ai i ka ftuar deputetët e opozitës që të bashkohen që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe.

    “Më e pakta që mund të bëjmë është që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos zgjidhet nga ta. Qëndrimi i LVV-së është që nënkryetari, meqë kemi deputetë që vijnë prej subjekteve tjera përveç Listës Serbe, në këtë rast është deputeti Nenad Rashiq, propozimi jonë është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb dhe nënkryetari të mos vijë nga Lista Serbe. Ftojmë edhe deputetët e opozitës që në vend që të kundërshtojnë emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të na bashkohen që së paku të sigurohemi që nënkryetari nuk vjen nga Lista Serbe”, përfundoi ai.

    Edhe sot ka dështuar që të votohet komisioni ad-hoc për votimin e fshehtë të kryekuvendarit. Përsëri nuk mori mbështetjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe.

    Deputetët do të mblidhen më 7 maj në tentimin e 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • ​Limaj: Tri partitë e mëdha të gjejnë një zgjidhje

    ​Limaj: Tri partitë e mëdha të gjejnë një zgjidhje

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se është përgjegjësi e tri partive politike më të mëdha në vend për ta tejkaluar këtë krizë. Sipas tij, Nisma do të jap kontributin e saj që vendi të mos ketë krizë institucionale.

    Limaj pas dështimit të 11-të, të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ftoi partitë e mëdha të marrin kohë dhe të gjejnë zgjidhje.

    “Besoj që tashmë janë bërë të gjitha ushtrimet, taktizimet që janë normale ndonjë herë në politikë është një gjendje e qartë se cili është raporti i forcave në parlament. Ftesa ime është për tri partitë e mëdha që të marrin kohën e duhur të gjejnë rrugë edhe ligjore, të marrin kohën e duhur sa iu duhet edhe të gjejnë një zgjidhje. Zgjidhje e cila do të qonte në krijimin e institucioneve të Kosovës edhe parlamentit edhe qeverisë. Tashmë besoj për secilin është e qartë tema këtu është qeveria e jo vetëm kryetari i Kuvendit”, thotë Limaj.

    Sipas tij, këto vonesa janë të panevojshme dhe sa më shpejt duhet të gjendet një marrëveshje politike.

    “Kjo kështu është një reprizë e panevojshme, një vonesë e panevojshme duhet të gjenden rrugë dhe rrugët gjenden përmes marrëveshjeve politike, përmes kompromiseve. Kosova duhet ta sheh një shumicë parlamentare e nëse partia e parë nuk e ka shumicën atëherë le të bëjnë të tjerët shumicën, ama një shumicë duhet me u bë dhe përgjegjësinë po e them e kanë tri partitë e mëdha për ta nxjerr vendin nga kriza. Nisma do të jetë këtu për të dhënë kontributin e vetë që Kosova mos të ketë krizë institucionale dhe kjo është ajo që mund të bëjmë tani për tani” ,thotë ai.

    Kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha se derisa 61 vota janë problem, është larg të mendohet për çështjen e presidentit.

    “Derisa këtu e kemi 61 problem është kogja larg me mendua për atë tjetrën le tu shkojmë gjërave me radhës të krijohet një shumicë parlamentare që Kosovës i jep Qeverinë dhe Parlamentin dhe pastaj ka kohë të mjaftueshme për të menduar për hapin tjetër”, theksoi Limaj.

  • Murati: Nënkryetari i Kuvendit jo nga Lista Serbe, Nenad Rashiq t’i përfaqësojë serbët

    Murati: Nënkryetari i Kuvendit jo nga Lista Serbe, Nenad Rashiq t’i përfaqësojë serbët

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Lista Serbe nuk e ka vendin në Kuvendin e Kosovës, raporton EO.

    Ai pas vazhdimit të sotëm të seancës konstituive tha se duhet që të sigurohen që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos jetë nga Lista Serbe, por që serbët në Kuvend të përfaqësohen nga Nenad Rashiq.

    “Ne e kemi thënë: ata nuk e kanë vendin në Kuvend, nuk do të duhej as të certifikoheshin. E kemi parë që opozita nuk e ka pasur fare problem. Opozita më problem e ka Albulena Haxhiun sesa Listën Serbe. Qëndrimi ynë si Vetëvendosje është që fatmirësisht meqenëse kësaj radhe kemi nga komunitetet jo serbe më e pakta që mund të bëjmë është që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos zgjidhet nga Lista Serbe. Nenad Rashiq është që të përfaqësojë që serbët dhe nënkryetari të mos vijë nga Lista Serbe. Të sigurohemi që nënkryetari të mos vije nga Lista Serbe. Ne po propozojmë një mënyrë se si të ecet tutje. Nuk ka të bëjë me totolitarizëm. Nuk bëhet fjalë për shkelje”, tha Murati.

  • LDK pranon letrën e Kurtit për koalicion: Përgjigjja do të jepet me kohë

    LDK pranon letrën e Kurtit për koalicion: Përgjigjja do të jepet me kohë

    Pas situatës së krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër publike kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

    Në këtë letër, Kurti ka ftuar LDK-në në një marrëveshje politike për bashkëqeverisje, me qëllim të tejkalimit të ngërçit institucional.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pranimin e kësaj ftese, duke theksuar se do të japë një përgjigje zyrtare në kohën e duhur. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i LDK-së dhe njëherësh deputet i saj, Besian Mustafa, në një deklaratë për EO.

    “Kryetari Abdixhiku do të kthejë përgjigje me kohë,” ka deklaruar Mustafa, pa dhënë më shumë detaje rreth përmbajtjes së mundshme të përgjigjes.

  • ​Haradinaj komenton letrën që Kurti i ka dërguar Abdixhikut

    ​Haradinaj komenton letrën që Kurti i ka dërguar Abdixhikut

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Sipas tij, një gjë e tillë është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, por në rast të takimit, Haradinaj tha se duhet të dakordohen për kandidaturë unifikuese.

    “Besoj që është praktikë që është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve me i jep ato opsione. Janë bërë 90 ditë prej zgjedhjeve, tre muaj, më 9 maj bëhen 90 ditë. Mirëpo, situata është kjo që është nuk besoj që ajo letër e ndryshon gjendjen. Kurti kish mundur të bëjë edhe veprime të tjera, në këtë rast nëse takohet me zotëri Abdixhikun me ra dakord për një kandidaturë unifikuese, ta kryejnë çështjen e kuvendit, konstituimin e kuvendit”, tha ai.

    Kreu i AAK-së u pyet se a do të takohejë me Kurtin në rast do të ftohej në takim.

    “Për besë jam i zënë këto ditë, nuk mbërrij”, u shpreh ai.

    Ai tha se kanë filluar konsulta të reja me partitë opozitare, për çka u shpreh se zgjidhja është një kandidaturë unifikuese.

    “Nuk mund t’i komentoj ato letrat edhe ato që i kanë thënë, praktikë është që ai që i fiton zgjedhjet ose bënë më shumë vota bën konsulta me partitë tjera e kryesisht opsionet e ecjes së përpara. Sikurse dihet ka edhe konsulta mes opozitës, partitë opozitare i vazhdojnë. Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve e jo me prit 90 ditë, është situatë e rëndë në Kosovë. Ja për shembull ne po harrojmë tema tjera, si rritja e çmimit të energjisë është problem i madh për prodhuesit”, përfundoi Haradinaj.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës. /KP/

  • Muhaxheri: E kemi një përvojë të hidhur prej këtyre ftesave me Kurtin

    Muhaxheri: E kemi një përvojë të hidhur prej këtyre ftesave me Kurtin

    Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, është deklaruar për letrën e Kurtit ndaj Abdixhikut.

    “Sapo e pashë edhe unë letrën, besoj që do të kthej përgjigje së shpejti. Deri tash nuk kemi pranuar asnjë kërkesë prej VV’së, te shohim momentet si po vijnë çfarë përgjigje do të ketë prej kryetarit dhe kryesisë”

    “[Mendimin] do ta them në mbledhjen e kryesisë, për momentin nuk e kam të kristalizuar përgjigjem.”

    Ai u pyet rreth asaj që Kurti tha se në elektoratin të VV preferohet më së shumti koalicioni me LDK.

    “Këtë opinion nuk e kam tash, më herët ka qenë tash është duke u ndërru opinoni. Tash na mbetet edhe na me mendu këtë punë.”

    “LDK është parti e madhe dhe është telashe që duhet me diskutu brenda kryesisë, nuk ka të bëjë me qëndrime individuale por me interesa që janë për të ardhmen e vendit, e ne nuk po e shohim që me VV mundet me u ecë përpara”, deklaroi ai.

    Ai është shprehur skeptik nëse kjo ftesë do të çojë në zhbllokim të kuvendit.

    “Te shohim çfarë mendimi del prej shumicës”, shtoi ai.

    “Ne e kemi një përvojë kur në mënyrë të njëjtë i drejtohet profes së nderuar Isa Mustafa e mandej e dimë çka ka ndodh. Dmth e kemi një përvojë të hidhur prej këtyre ftesave me zotin Kurti”, tha ai. /Express/

  • Kurti i dërgon letër Abdixhikut: Të ulemi për marrëveshje, LDK më e afërt se PDK

    Kurti i dërgon letër Abdixhikut: Të ulemi për marrëveshje, LDK më e afërt se PDK

    Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku shpreh gatishmërinë për të arritur një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.

    Në letrën e siguruar nga ATV, Kurti nënvizon se LDK-ja ka qenë pjesë e koalicioneve të shumta në të kaluarën dhe se mosmarrëveshjet aktuale mes VV-së dhe LDK-së nuk janë më të mëdha sesa ato që kjo parti ka tejkaluar më parë me PDK-në apo AAK-në.

    “Jam i interesuar dhe i gatshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Nuk kemi pse shkojmë sërish në zgjedhje për të rifilluar një proces që mund të bëhet tani,” thuhet në letrën e Kurtit.

    Kurti e konsideron të papranueshme që Kuvendi të mbahet peng për shkak të mospajtimeve për emrin e kryetarit të Kuvendit dhe kërkon që LDK të ulet në tryezën e diskutimeve për një marrëveshje që i hap rrugë formimit të institucioneve.

    Letra e Kurtit vjen në kohën kur konstituimi i Kuvendit ka dështuar për herë të 11-të me radhë, ndërsa vendi po hyn në muajin e tretë pa institucione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. /atvlive.tv

  • Haradinaj: Nëse s’ka kandidat unifikues, situata do të vazhdojë njësoj

    Haradinaj: Nëse s’ka kandidat unifikues, situata do të vazhdojë njësoj

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në rast të një kandidati të ri unifikues për kryetar Kuvendi, opozita do ta përmbushë detyrën e saj, raporton EO.

    Në të kundërtën, ai paralajmëroi vazhdim të bllokadës.

    “Mendoj se është urgjente që ne si opozitë ta shqyrtojmë këtë situatë dhe të gjejmë një rrugë për veprime të mëtejme. Mund të jetë një adresim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Haradinaj.

  • Krasniqi pas ndërprerjes së 11-të të seancës: Kurti nuk mund ta mbajë peng shtetin për Albulena Haxhiun

    Krasniqi pas ndërprerjes së 11-të të seancës: Kurti nuk mund ta mbajë peng shtetin për Albulena Haxhiun

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se shteti nuk mund të mbahet më peng nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, vetëm për të imponuar një emër që nuk ka votat për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, raporton ATV.

    “Për Albin Kurtin, duket se Albulena Haxhiu është më e rëndësishme sesa rreth një milion qytetarë që kanë votuar më 9 shkurt. Ajo nuk ka kaluar, nuk kalon dhe nuk do të kalojë”, deklaroi ai nga holli i Kuvendit pas dështimit të radhës për konstituimin e legjislativit.

    Krasniqi tha se Kurti është në mungesë të numrave dhe po refuzon realitetin politik.

    “Kurti nuk ka guxim të matet vetë si kryeministër dhe po sakrifikon kandidaturën e Haxhiut për të shtyrë përpara një agjendë që s’ka shumicë”, shtoi ai, duke i bërë thirrje LVV-së të propozojë një kandidat tjetër që mund të marrë mbështetje.

    “PDK ka qenë e gatshme ta votojë një kandidat tjetër që garanton shumicë dhe i hap rrugë themelimit të institucioneve”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

  • Dështon sërish konstituimi i Kuvendit – Seanca e radhës më 7 maj

    Dështon sërish konstituimi i Kuvendit – Seanca e radhës më 7 maj

    Përpjekja e njëmbëdhjetë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish.

    Në seancën e mbajtur sot, vetëm 56 deputetë votuan pro propozimit për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, numër ky i pamjaftueshëm për të vazhduar më tej me procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit.

    Për pasojë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën, duke njoftuar se vazhdimi do të mbahet më 7 maj.

    Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të propozojë Albulena Haxhiun për kryetare, por ajo nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur.