ATV

Author: ATVLive

  • Kurti: Migrimi s’është aq keq sa interpretohet, të rinjtë janë kthyer te gjyshja e gjyshi

    Kurti: Migrimi s’është aq keq sa interpretohet, të rinjtë janë kthyer te gjyshja e gjyshi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e migrimit në vend nuk është edhe aq keq sa interpretohet, pasi sipas tij të rinjtë po kthehet në Kosovë për të punuar online, raporton EO.

    Ai shtoi se për qytetarët të cilët udhëtojnë, është e rëndësishme përkujdesja që të kthehen sërish.

    “Që nga pandemia të rejat e të rinjtë po punojnë nga Kosova janë kthyer te gjyshja e gjyshi dhe udhëtojnë shpesh është një nismë shumë e lëvizshme se që ka qenë. Ata të cilët udhëtojnë, nuk mund t’i ndalim dhe as nuk duhet t’i ndalim por duhet të kujdesemi se a mund të kthehen pjesërisht”, ka thënë Kurti në konferencën Ndërkombëtare të Rinisë për VETËVENDOSJE! “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy.

    “Si qeveri jemi të fokusuar në ndërlidhjen e arsimit me punësimin në hendekun e shkathtësisë, kemi migrimin e të rinjve, lëvizshmëria e qytetarëve nuk është e dëmshme në Kosovë, kemi ikje por edhe kthim, shumë të reja dhe të rinj po punojnë në distancë për kompani evropiane nga Kosova”, u shpreh Kurti.

  • ​Kushtetuesja merr vendim në lidhje me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së

    ​Kushtetuesja merr vendim në lidhje me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së

    Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim lidhur me kërkesën e deputetëve të LDK’së për vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit, Kimete Gashi. Shkarkimi i Gashit ishte bërë më 13 korrik të vitit të kaluar, me propozim të Qeverisë së Kosovës, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

    Kushtetuesja ka gjetur se vendimi nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

    “Në rastin KO157/23, Gjykata ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës. Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtares së Bordit të OSHP-së, i kishte paraprirë Vendimi [PSH. 397/409/22] i Bordit të OSHP-së i 11 tetorit 2022, përmes të cilit ishte anuluar njoftimi i Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3””, thuhet në njoftim.

    Tutje, në njoftim thuhet se “Një precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vet qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme”.

    Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së. Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Kuvendi e kishte shkarkuar Gashin në seancën e 13 korrikut, me 58 vota pro.

  • ​Euro 2024: Ylli i Italisë humbet përballjen me Zvicrën

    ​Euro 2024: Ylli i Italisë humbet përballjen me Zvicrën

    talia e Luciano Spallettit do të duhet të bëjë pa Riccardo Calafiori për ndeshjen e tyre në raundin e 16-të të Kampionatit Evropian Euro 2024 kundër Zvicrës.

    Qendërmbrojtësi 22-vjeçar i Bolongës është shfaqur shpejt në skenën evropiane si një nga mbrojtësit e shquar në turne, duke impresionuar me cilësitë e tij mbrojtëse dhe besimin duke ecur përpara me topin. Ai dha asistimin për golin e fundit të Mattia Zaccagnit kundër Kroacisë, raporton KP.

    Calafiori shkëlqeu nën Thiago Mottan në Bologna këtë sezon dhe pritet gjerësisht të largohet nga klubi në një transferim të profilit të lartë këtë verë, me Juventusin seriozisht të interesuar për një lëvizje. Ai ka një çmim të vlerësuar prej rreth 40-50 milionë euro dhe gjithashtu ka tërhequr vëmendjen nga jashtë Italisë.

    Italia nuk do të jetë në gjendje të llogarisë te Calafiori për ndeshjen e ardhshme të raundit të 16-të kundër Zvicrës në Kampionatin Evropian, pasi ai mori karton në fitoren ndaj Shqipërisë dhe në barazimin me Kroacinë, duke i dhënë atij një pezullim me një ndeshje.

    Spalletti do të duhet të mbështetet në një nga opsionet rezervë në stol, si Alessandro Buongiorno i Torinos, Federico Gatti i Juventusit ose Gianluca Mancini i Romës.

  • ​Kapiteni i Real Madridit largohet nga klubi pas 23 vitesh

    ​Kapiteni i Real Madridit largohet nga klubi pas 23 vitesh

    Mbrojtësi dhe kapiteni i Real Madridit, Nacho po largohet pas një qëndrimi 23-vjeçar në “Santiago Bernabeu”, dhe këtë gjë e konfirmoi vetë gjiganti i La Ligas.

    Nacho ka fituar gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve me Madridin që kur iu bashkua akademisë së të rinjve në vitin 2001, si dhe katër tituj në La Liga dhe dy Kupa të Mbretit, raporton KosovaPress.

    “Real Madridi njofton se kapiteni ynë Nacho ka vendosur të përfundojë karrierën e tij si lojtar i Real Madridit”, thuhet në një deklaratë të klubit spanjoll.

    “Real Madridi dëshiron të shpreh mirënjohjen dhe dashurinë e tij për Nacho, një nga legjendat e mëdha të klubit tonë. Nacho e mbyll karrierën e tij në Real Madrid si kapiteni që ngriti të 15-ën (trofeun e Ligës së Kampionëve) në Wembley, si një nga pesë lojtarët që kanë fituar gjashtë Kupa Evropiane në historinë e futbollit dhe me numrin më të madh të titujve në histori të klubit tonë”, shkroi më tej në komunikatën e Realit.

    Nacho është lidhur me një transferim te skuadra e Ligës Pro Saudite, Al-Qadsiah.

    “Që kur erdhi në akademinë tonë të rinjve si fëmijë, Nacho ka qenë gjithmonë një shembull përmirësimi për të gjithë dhe ai ka marrë dashurinë, njohjen dhe admirimin e të gjithë madridistëve”, tha presidenti i Realit, Florentino Perez.

    “Real Madridi është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”.

  • ​Euro 2024: Formacionet e mundshme të Anglisë e Sllovenisë

    ​Euro 2024: Formacionet e mundshme të Anglisë e Sllovenisë

    Kombëtarja e Anglisë do të synojë që të evitojë sonte befasinë dhe të sigurojë biletën drejt raundit të 16-të të Kampionatit Evropian Euro 2024.

    Me fillim nga ora 21:00 stadiumi “RheinEnergieStadion” i Kolnit do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Anglisë dhe Sllovenisë, raporton KosovaPress.

    Përballja e sotme i takon Grupit C të Euro 2024. Anglia zë pozitën e parë me katër pikë pas fitores ndaj Anglisë dhe barazimit me Danimarkën, krahas Sllovenisë që renditet në pozitën e tretë me dy pikë pas barazimeve me Serbinë dhe Danimarkën.

    Takimi i fundit mes Anglisë dhe Sllovenisë daton në muajin tetor të vitit 2017, ku asokohe “Tre Luanët” fituan minimalisht 1:0.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, Luke Shaw nuk do të paraqitet te Anglia, kurse Sllovenia ka të gjithë lojtarët e gatshëm.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Anglia (4-2-3-1): Pickford; Walker, Stones, Guehi, Trippier; Gallagher, Rice; Saka, Bellingham, Foden; Kane

    Sllovenia (4-4-2): Oblak; Karnicnik, Brekalo, Bijol, Janza; Mlakar, Elsnik, Cerin, Stojanovic; Sporar, Sesko

  • ​Fillojnë zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE

    ​Fillojnë zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE

    Në Luksemburg nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në Bashkimin Evropian.

    Këtë e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X, transmeton Ukrinform.

    “Urime Moldavisë dhe Ukrainës për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ky është një lajm shumë i mirë për popullin e Ukrainës, Moldavisë dhe të gjithë Bashkimit Evropian. Rruga përpara do të jetë sfiduese, por plot mundësi. Ju uroj një fillim të suksesshëm të negociatave!” tha ajo.

    Më 21 qershor, Këshilli i BE-së miratoi kornizën negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, e cila hapi rrugën për nisjen e negociatave në Luksemburg më 25 qershor.

  • ​Liridon Leci përshëndetet me Flamurtarin

    ​Liridon Leci përshëndetet me Flamurtarin

    Liridon Leci përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar për largimin nga pozita e trajnerit të KF Flamurtarit.

    Leci largohet nga kuqezinjtë e Prishtinës pas një periudhe dy vjeçare e gjysmë me klubin, raporton KosovaPress.

    “Dua t’ju njoftoj që nga sot nuk jam pjesë e KF Flamurtarit. Dua të falënderoj drejtuesit e klubit, presidentin, drejtorin dhe në veçanti futbollistët për periudhën dy vjet e gjysmë që kaluam bashkë.

    Flamurtari ishte aventurë e mirë për mua si trajner i ri, andaj i uroj shumë suksese këtij klubi në të ardhmen”, shkroi Leci në “Facebook”.

  • Një ditë para takimit me Kurtin, Vuçiq i flet eurokomisioneres Johansson për dialogun

    Një ditë para takimit me Kurtin, Vuçiq i flet eurokomisioneres Johansson për dialogun

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi që pati me Komisioneren Evropiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson ka folur për dialogun me Kosovën.

    “Një bisedë e mirë me komisioneren e BE-së Ilva Johansson për bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, çështjet e migrimit të paligjshëm, harmonizimin e regjimit të vizave, vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe çështje të tjera të rëndësishme”.

    “Serbia është plotësisht e përkushtuar për dialogun me Prishtinën, por se para së gjithash është e nevojshme të sigurohet siguria e popullatës serbe dhe të zbatohen të gjitha obligimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani pa vonesa të mëtejshme”, shkroi ai në Instagram ku edhe dha detaje për takimin.

    Vuçiq ka theksuar se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në “në masën që nuk do të rrezikojmë interesat tona jetike kombëtare, politike dhe ekonomike”, shkroi ai në Instagram.

  • Suedia i bashkohet stërvitjeve të NATO-s si anëtare e plotë për herë të parë

    Suedia i bashkohet stërvitjeve të NATO-s si anëtare e plotë për herë të parë

    Përafërsisht 9,000 trupa nga 20 vende të NATO-s kanë kryer stërvitje ushtarake në qershor në rajonin e Detit Baltik, një zonë me rëndësi strategjike të shtuar pas pushtimit rus të Ukrainës.

    Stërvitjet e këtij viti Baltops janë “të veçanta” pasi Suedia, tani një anëtare e plotë e NATO-s, iu bashkua stërvitjeve për herë të parë që nga hyrja e saj e fundit në aleancë, shkruajnë mediat e huaja.

    Stërvitjet, të cilat zgjasin deri të enjten, përfshijnë operacione stërvitore gjithëpërfshirëse duke përfshirë spastrim të minave detare, zbulimin e nëndetëseve, si dhe përgjigjen mjekësore ndaj skenarëve të mundshëm të viktimave masive.

    Dhe siç thuhet më tej, synimi kryesor është rritja e ndërveprimit të forcave të NATO-s dhe demonstrimi i përkushtimit të aleancës për sigurinë e përbashkët.

    Forcat Goditëse dhe Mbështetëse Detare të NATO-s, së bashku me Flotën e 6-të të Marinës së SHBA-së, po organizojnë stërvitjet, të cilat përfshijnë rreth 50 anije të marinës dhe 45 avionë dhe helikopterë.

    Këto stërvitje po mbahen në të gjithë Detin Baltik, si dhe në ishullin strategjik Gotland në Suedi dhe në Lituani, Poloni dhe Gjermani.

    Rëndësia e rajonit Baltik është rritur për shkak të tubacioneve të mëdha të gazit që kalojnë nëpër shtratin e detit nga Rusia dhe Norvegjia në Gjermani, Poloni dhe vende të tjera evropiane, përcjell Telegrafi.

    Zona është bërë gjithnjë e më e ndjeshme që nga rritja e aktiviteteve armiqësore të Rusisë pas fillimit të agresionit mbi Ukrainë në vitin 2022.

  • ​PDK: Projektligji për zyrtarët publikë dhe ai për Këshillin Prokurorial bien ndesh me Kushtetutën

    ​PDK: Projektligji për zyrtarët publikë dhe ai për Këshillin Prokurorial bien ndesh me Kushtetutën

    Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Projektligji për zyrtarët publikë dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial, bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Partia më e madhe opozitare ka akuzuar ekzekutivin se përmes Projektligjit për zyrtarët publikë po synon të politizojë dhe shkatërrojë administratën publike, ndërkaq përmes Projektligjit për Këshillin Prokurorial, të kapë organin e akuzës në vend. Derisa paralajmëruan se nëse miratohen si të tilla në Kuvend do t’i dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në konferencë për medie të martën, tha se dy projektligjet që janë miratuar në lexim të parë në Kuvend shpërfaqin qasjen jokushtetuese të partisë në pushtet.

    Duke folur për Projektligjin për zyrtarët publikë, ai tha se i njëjti bie ndesh edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA) me BE-në, ndërkaq përmendi si problematik nenin ku përcaktohet se një drejtor mund të qëndrojë në pozitë udhëheqëse si ushtrues detyre deri në dy vite.

    Krahas kësaj, sipas tij, jo kushtetuese janë nenet ku theksohet se pozitat e nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues pas hyrjes në fuqi të ligjit fillojnë me mandat katër vjeçar.

    “Këto dy nisma ligjore të cilat kanë kaluar në lexim të parë dhe shumica parlamentare synon t’i kalojë edhe në lexim të dytë në seancën vijuese janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për ligjet përkatëse. Thënë më konkretikisht, Projektligji për zyrtarët publik është miratuar në lexim të parë pa pasur asnjë ditë konsultim pulbik. Pra qeveria ka shkel procedurën standarde të miratimit të ligjeve duke mos e vënë në konsultim publik në asnjë institucion”, tha ai.

    Ndërkaq, sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial, Gruda tha se qeveria po synon të gjejë një rrugë ligjore që Këshilli Prokurorial të kontrollohet nga ata.

    “Synohet që organi i akuzës të vihet në kontroll politik duke dërguar shumë anëtarë politik në përbërjen e KPK-së. Po ashtu, duke rritur prpoporcionalisht numrin e anëtarëve të KPK-së që të dominohet nga politika. Po ashtu duke futur në përbërjen e Këshillit Prokurorial anëtarë nga Avokati i Popullit të ciëlt nga Gjykata Kushtetuese janë shpallur jokushtetues. Kjo shkelje përsëritet në këtë version të ligjit. Për neve është e qartë. Ideja është që të gjendet një rrugë ligjore që Këshilli Prokurorial të vihet në kontroll nga partia në pushtet”, shtoi Gruda.

    Zyrtari i PDK-së u pyet nga gazetarët e cilësoi si të gabuar takimin e deputetit të PDK-së, Hisen Berishës me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Këtu nuk mund të flas në emër të PDK-së për këtë çështje, por personalisht mund të them se kjo është një gjë e gabuar që ka bërë deputeti Berisha”, tha ai./kp/