ATV

Author: ATVLive

  • Murati i reagon opozitës: 442 mijë e 383 llogari aktive ishin vjet në Trust

    Murati i reagon opozitës: 442 mijë e 383 llogari aktive ishin vjet në Trust

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur opozitës me disa statistika të Trustit, sa i përket punësimit.

    Murati ka thënë se numri i llogarive aktive në vitin 2023 ka qenë 442 mijë e 383, e që thotë se është indikatori më i mirë dhe që demanton opozitën.

    Krahasuar me vitin 2022, figuron se numri i llogarive është rritur për rreth 13 mijë e 500.

    “Sipas raportit vjetor të Trustit, numri i llogarive aktive në vitin 2023, pra llogarive që kanë paguar kontribute, ka qenë 442,383. Zakonisht e kemi dëgjuar opozitën të kontestojë shifrat e ATK-së dhe ASK-së, me pretendimin që nuk janë të sakta, dhe se numri i llogarive aktive në Trust është indikatori më i mirë. Pa hyrë në diskutime se cili indikator është më i saktë, ja edhe numrat e Trustit, që edhe kësaj radhe demantojnë opozitën”, ka shkruar Murati.

    Lidhur me numrin e llogarive për vitin 2019 dhe 2021, Murati ka dhënë një sqarim.

    “PS. Në vitet 2019 dhe 2021 ka pasur zgjedhje, prandaj edhe numrat e llogarive aktive në Trust mund të jenë më të fryra në këto dy vite meqenëse ka një numër të konsiderueshëm të vëzhguesve e komisionerëve që raportohen si llogari aktive”, ka shkruar Murati.

  • Komandanti i KFOR-it i shkon për vizitë Hysenit, flasin për sigurinë e dialogun

    Komandanti i KFOR-it i shkon për vizitë Hysenit, flasin për sigurinë e dialogun

    Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, është takuar me komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutash.

    Në takim është diskutuar për sigurinë, aktivitetet e KFOR-it dhe mbështetjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    I pari i Gjilanit, tha se kishte nderin që të pres për vizitë shefin e misionit të NATO-s në Kosovë.

    “Bashkëbiseduam për tema e çështje të ndryshme, nga siguria në vendin tonë e deri te përvojat e ndryshme të gjeneralit Ulutaș”, tha Hyseni.

    Kryetari i Gjilanit, shtoi se bashkëpunimi me KFOR-in vazhdon të jetë esencialisht i nevojshëm për sigurinë e regjionit dhe Ballkanit.

    Më tej, ai shtoi se janë për siguri, paqe dhe jetë të qetë, për të gjithë pa dallim në Kosovë.

    Nga ana tjetër , Ulutash theksoi angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it në mbështetje të stabilitetit rajonal.

  • ​Incidenti i Dakut në Euro 2024, trajneri i Rubin Kazanit flet për të ardhmen e yllit shqiptar

    ​Incidenti i Dakut në Euro 2024, trajneri i Rubin Kazanit flet për të ardhmen e yllit shqiptar

    Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov ka folur për faqen e klubit për incidentin e Mirlind Dakut në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Pas ndeshjes me Kroacinë në Euro 2024, Daku morri altoparlantin dhe filloi të fyejë serbët dhe maqedonasit, ku reagimet më pas ishin të shumta, ndërsa UEFA e suspendoi sulmuesin e Rubin Kazanit për dy ndeshje, raporton KosovaPress.

    Pezullim për Dakun ka paralajmëruar edhe Rubin Kazani, ndërsa trajneri Rakhimov foli për këtë çështje.

    Kur u pyet për sjelljen e Dakut në Euro 2024, Rakhimov tha:

    “Dhe pse duhet ta trajtoj këtë në ndonjë mënyrë pozitive? Sigurisht, negativisht. Këtu gjendja emocionale e lojtarit nuk duhet të mbingarkohet. Mendoj se ai është i vetëdijshëm për gjithçka, kupton gjithçka në mënyrë perfekte dhe duke biseduar me të, ia kam bërë të qartë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Para së gjithash, ai është një futbollist që duhet të mendojë të tregojë cilësitë e tij më të mira në fushë”.

    I pyetur nëse mund të ketë probleme në skuadër, pasi që ka futbollistë serb aty, Rakhimov tha:

    “Nuk mendoj kështu. Mirlindin të gjithë e njohin shumë mirë. Nuk ka zemërim në veprimet e tij, ai është mjaft i shoqërueshëm, mjaft i shoqërueshëm dhe e di që ai është shumë i shqetësuar për këtë tani, por ju jeni një i rritur, duhet të mendoni se çfarë po bëni. Nuk mendoj se të gjithë ne që qëndrojmë këtu po e jetojmë jetën tonë pa gabime. Ju mësoni nga gabimet dhe shpresoj që ky të jetë një mësim i mirë për të”.

  • ​Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë

    ​Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Klinaku ka paralajmëruar protesta kundër pushtetit të Kurtit, i cili sipas tij, po punon kundër veteranëve të UÇK-së.

    “Qëndrimet tona se do t’i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme.”-ka shkruar ai.

    Kujtojmë se sot gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.

    Sipas njoftimit, Kushtetuesja e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit dhe nëntë deputetëve të tjerë, ku konstatoi se neni 2 i Ligjt për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim më Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartëri të Pagës Minimale.

  • ​BE-ja pret që Qeveria e Mickoskit të respektojë Marrëveshjen e Prespës

    ​BE-ja pret që Qeveria e Mickoskit të respektojë Marrëveshjen e Prespës

    Ndryshimet kushtetuese dhe respektimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të jenë në fokus të qeverisë së re. Zëdhënësja e Komisionit Evropian thotë se do të bashkëpunojnë edhe me qeverinë e Mickoskit në përmbushjen e reformave kyçe të nevojshme për lëvizjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane, por me një mesazh të qartë që pritet nga vendi.

    “Mesazhi është shumë i qartë, Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë sa më shumë momentumin që ekziston për zgjerimin për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Këshilli Evropian e ka bërë të qartë se çfarë pret nga Maqedonia e Veriut, kjo natyrisht i referohet edhe ndryshimeve kushtetuese për të cilat Maqedonia e Veriut është zotuar për të avancuar në rrugën drejt BE-së. Na vjen keq për mospërdorimin e emrit kushtetues nga disa prej liderëve të Maqedonisë së Veriut, është obligim i marrë nga Marrëveshja e Prespës. Është e qartë se të gjitha palët duhet të respektojnë dispozitat e marrëveshjes dhe t’i zbatojnë ato me mirëbesim”, thotë Anna Pisonero.

    Ish-kryeministri grek Tsipras, i cili pardje kryesoi Komitetin për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të Evropës, kërkon që komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht Bashkimi Evropian të shprehin qartë pasojat e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës në rajon dhe veçanërisht për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

    “Lufta kundër nacionalizmit dhe destabilizimit në rajon duhet të bëhet në mënyrë aktive, dhe kjo në radhë të parë nënkupton mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës dhe një rol dinamik diplomatik të BE-së në Ballkanin Perëndimor para se ajo të humbasë plotësisht kredibilitetin e saj. Komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja duhet të shprehin qartë pasojat që do të ketë mosrespektimi i Marrëveshjes në rajon dhe veçanërisht në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, tha Tsipras.

    Për kryeministrin Mickoski, përdorimi i mbiemrit “e Veriut” është çështje e mbyllur. Mbetet i qëndrimit se Marrëveshja e Prespës do të respektohet vetëm në kontekst zyrtar, qëndrim që u mirëprit edhe nga Departamenti i Shtetit.

    Në një periudhë të acarimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, takimi i parë mes Mickoskit dhe Mitsotakis pritet në samitin e NATO-s në Washington nga 9 deri më 11 korrik./ALSAT.M/

  • Kërcënohet gazetari Vullnet Krasniqi

    Kërcënohet gazetari Vullnet Krasniqi

    Gazetari Vullnet Krasniqi është kërcënuar nga një qytetar në TikTok. Për rastin ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka thënë se është jashtëzakonisht i shqetësuar.

    “Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q* f*miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin…Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici…”, dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video.

    Gazetari Krasniqi ka njoftuar se është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës.

    AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë ta lokalizojë kërcënuesin dhe t’ia ofrojë gazetarit mbrojtjen e duhur.

  • ​Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale

    ​Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale

    Gjykata Kushtetuese sot përmes një njoftimi ka bërë të ditur se i jepet të drejtë Qeverisë së Kosovës lidhur me Ligjin për pagën minimale, duke konstatuar se neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i dhe se i njëjti nuk është në kundërshtim me nenin 24 (Barazia para Ligjit) dhe nenin 46 (Mbrojtja e Pronës) të Kushtetutës së Kosovës.

    “Gjykata, ka vendosur (i) njëzëri, që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) njëzëri, që të konstatojë që neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që neni 3 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.04/L-092 për Personat e Verbër) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) njëzëri, që neni 4 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që të konstatojë që neni 6 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.03/L-212 të Punës) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (v) njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Në korrik të vitit të kaluar, Ligji për pagën minimale ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

    Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me një grup tjetër deputetësh kanë dërguar kohë më parë në Gjykatë Kushtetuese plotësim ndryshimet që janë bërë nga Qeveria e Kosovës rreth pagës minimale.

    Ligji i ri parashihte rritjen e pagës minimale në Kosovë, që ishte miratuar më 13 korrik 2023 në Kuvend, por kishte hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.

  • ​Servwer: S’ka gatishmëri nga palët për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    ​Servwer: S’ka gatishmëri nga palët për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Analisti amerikan, Daniel Servwer, ka thënë se s’ka gatishmëri nga palët për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai tha se synimi përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke, por shtoi se këtë nuk po e sheh të mundshme të ndodh në këtë moment.

    Në diskutimin me temën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”, Server, i cili njeh zhvillimet në Ballkan, tha se për Kosovën dhe rajonin më mirë do të ishte të rrinte presidenti aktuali ShBA-së, Joe Biden sesa të rikthej ish-presidenti, Donald Trump.

    Pjesë e diskutimit ishte edhe deputetja nga LDK, Dorasa Kica-Xhelili, e cila tha se Serbia ka bërë hapa të vegjël në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

    Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se BE-ja duhet të merr rol më aktiv në dialog.

  • ​Munishi e nis sot aventurën te Dukagjini

    ​Munishi e nis sot aventurën te Dukagjini

    Skuadra e Dukagjinit ka njoftuar se do të nis sot fazën përgatitore për sezonin e ri të Superligës së Kosovës.

    E sot do të jetë dita e parë e trajnerit Ismet Munishi në krye të skuadrës së Dukagjinit, raporton KosovaPress.

    “Ju njoftojmë se sot duke filluar nga ora 17:00 në stadiumin ’18 Qershori’ në Klinë do të fillojmë përgatitjet për sezonin e ri 2024/25”, shkruante në komunikatën e Dukagjinit.

    Po ashtu, klubi nga Klina paralajmëroi se gjatë ditëve në vazhdim do të njoftojë edhe për transferimet e reja.

  • Sondazhi i KDI-së: Për 57,2% të qytetarëve performanca e sektorit të drejtësisë ka mbetur e njëjtë, pavarësisht reformave këto tri vite

    Sondazhi i KDI-së: Për 57,2% të qytetarëve performanca e sektorit të drejtësisë ka mbetur e njëjtë, pavarësisht reformave këto tri vite

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar të mërkurën rezultatet e sondazhit më të fundit me qytetarë ku janë shpalosur këndvështrimet e tyre mbi ecurinë e Reformës në sektorin e Drejtësisë. Në konferencë u përmendën edhe gjetjet nga raporti i fundit i KDI-së, i cili ka përmbledhur një vlerësim të përgjithshëm mbi dinamikën e reformës në drejtësi në këto tre vite e gjysmë të Qeverisë Kurti, raporton Ekonomia Online.

    Raporti vlerëson se Reforma në Drejtësi – që ishte një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti, edhepse u materializua në disa nisma të rëndësishme ligjore, nuk ka arritur të përmbyllet dhe të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve për një gjyqësor më efektiv dhe trajtim më efikas të rasteve të korrupsionit. Mungesa e qartësisë dhe konsensusit politik mbi përmbajtjen e reformës, polemikat e shumta midis qeverisë dhe krerëve të institucioneve të drejtësisë lidhur me ndryshimet legjislative si dhe dilemat mbi kushtetutshmërinë e ligjeve që prekeshin nga Reforma e shoqëruan procesin që nga fillimi.

    Pavarësisht përfshirjes aktive të organizatave të shoqërisë civile në të gjitha platformat e diskutimit, ndikimi tyre në vendim-marrje ishte shumë i kufizuar për shkak të mbizotërimit të perspektivës së qeverisë në procesin legjislativ. Përfundimisht, mungesa e informimit të publikut lidhur me përmbajtjen e reformës dhe mundësitë që publiku të përfshihej në proces ishin evidente thuajse në të gjitha sondazhet e realizuara në dy vite nga KDI, duke bënë në pah domosdoshmërinë e një komunikimi më të hapur dhe më përmbajtësor të Qeverisë me qytetarët lidhur me efektet praktike që po synoheshin nga kjo Reformë.

    Raporti u fokusua në vlerësimin e shtyllave kryesore të Reformës, Vetingun për krerët e institucioneve të drejtësisë, reformat në Këshillin Prokurorial dhe Projekt-ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë. Sipas KDI, Qeveria duhet të vijë me alternativë tjetër për jetësimin e Vetingut, pasi miratimi i amandamenteve kushtetuese kërkon edhe votat e Listës Serbe. Në anën tjetër, Ligji për Këshillin Priokurorial duhet të trajtojë adresojë opinionet e Komisionit te Venecias dhe të përfundojë leximin e dytë pa vonesa. Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese në trajtimin e Projektligjit të Byrosë, ka tejkaluar periudhën optimale të dhënies së përgjigjjes duke vënë në pritje zbatimin e këtij ligji.

    Duke iu rikthyer të dhënave nga sondazhi i fundit, i realizuar nga 6-15 qershori , Arbër Thaçi, tha se ky sondazh ka në fokus procesin e vazhdimit të Reformës në Drejtësi gjatë këtyre tri viteve të qeverisjes Kurti. Pyetjet e parashtruara ndaj qytetarëve synojnë të vënë në pah tri çështje kryesore, performancën e sektorit të drejtësisë gjatë këtyre tri viteve, njohuritë e qytetarëve mbi Ligjet e Reformës në Drejtësi dhe aspektet më të rëndësishme të sektorit të drejtësisë sipas qytetarëve, në të cilat duhet të vazhdojnë reformat.

    Kështu, në pyetjen e parë drejtuar qytetarëve se si e vlerësojnë ata performancën e institucioneve të drejtësisë (gjykatave dhe prokurorive) krahasuar me tri vite më parë, 57,2% janë deklaruar se performanca e gjykatave dhe prokurorive ka mbetur e njëjtë gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër, vetëm 19,8% e qytetarëve vlerësojnë se performanca e këtyre institucioneve është përmirësuar, krahas 17,8% që mendojnë se është përkeqësuar. Ndërsa, 5,3% e të anketuarve janë shprehur se nuk e dinë apo kanë refuzuar të përgjigjen.

    Tutje, pyetja e dytë drejtuar qytetarëve, se për cilat nga iniciativat ligjore në kuadër të Reformës në drejtësi kanë dëgjuar, ku ata kanë pasur mundësi të përzgjedhin më shumë se një opsion, ka vënë në pah se në përqindje mjaft të lartë 29,9% e qytetarëve vazhdojnë të mbesin të painformuar me projektligjet dhe ligjet e miratuara në kuadër të reformës në Drejtësi. Në anën tjetër, 28,3% e tyre kanë dëgjuar lidhur me vetingun në sektorin e drejtësisë, 27,6% lidhur me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ndaj personave zyrtar, 27,2% kanë dëgjuar lidhur me ndryshimet në Kodin Penal të cilat kanë ashpërsuar dënimet për dhunën në familje. Kurse, qytetarët më pak kanë dëgjuar lidhur me iniciativën për krijimin e Gjykatës Administrative, me vetëm 19,4% e tyre që kanë dëgjuar për një gjë të tillë. 17,5% e tyre kanë dëgjuar lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial që synon ndryshimin e përbërjes së këtij Këshilli, kundrejt 13,8% e tyre që kanë dëgjuar lidhur me krijimin e Gjykatës Komerciale.

    Thaçi vijoi me përgjigjet e pyetjes së fundit drejtuar qytetarëve në të cilën ata kanë pasur mundësi të përzgjedhin për nga rëndësia më e madhe tek më pak e rëndësishme, se në cilat aspekte të sektorit të drejtësisë duhet të vazhdojnë reformat në drejtësi. Lidhur me këtë, 30.3% e qytetarëve presin që reforma në drejtësi të vazhdojë në zvogëlimin e vonesave në trajtimin e rasteve në Gjykata, si aspekti më i rëndësishëm për ta. Si çështje e dytë ata mendojnë se reforma duhet të vazhdojë në rritjen e ndëshkimeve për gjyqtarët dhe prokurorët me performancë të dobët, me 22,9% e tyre që kanë përzgjedhur këtë aspekt si zgjedhje e dytë. Në anën tjetër, më pak të rëndësishme për qytetarët janë mbikëqyrje më e madhe të punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve ku 19,8% e tyre e kanë përzgjedhur këtë si zgjedhje të tretë, ndërsa 22,6% si zgjedhje të katërt për nga rëndësia. Në një përqindje relativisht të lartë prej 48.6%, qytetarët kanë thënë se reforma nuk duhet të fokusohet në rritjen e pagave për punëtorët e sektorit të drejtësisë.

    Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 6 deri me 15 qershor 2024.