ATV

Author: ATVLive

  • Arrin në Kosovë grupi i dytë i haxhilerëve

    Arrin në Kosovë grupi i dytë i haxhilerëve

    Sot, në orët e paradites, në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, ka ateruar aeroplani me grupin e dytë të haxhilerëve të Kosovës, që këtë vit kryen haxhin në vendet e shenjta.

    Në këtë grup qenë haxhilerët nga Prizreni dhe Suhareka.

    Mirëseardhje atyre u dëshiruan familjarë të shumtë, të cilët u uruan haxh të pranuar.

    “Haxhilerët u shprehën tejet të kënaqur me organizimin dhe me procedurat e tjera. Ata thanë se përjetimet e haxhit janë të tilla, sa që nuk mund të përshkruhen dot me fjalë. Zoti na e pranoftë, e ua mundësoftë të gjithë myslimanëve ta kryejnë haxhin. Me të vërtetë janë përjetime që nuk shprehen dot me fjalë, ishin fjalët e haxhilerëve”, njofton BIK.

  • ​Serbia refuzon të shpjegojë arsyen e ndalimit arbitrar të gazetarit të shpallur si “agjent i huaj”

    ​Serbia refuzon të shpjegojë arsyen e ndalimit arbitrar të gazetarit të shpallur si “agjent i huaj”

    Një gazetar i pavarur ruso-izraelit, i cili është shpallur “agjent i huaj” nga Moska tha të mërkurën se atij i ishte ndaluar hyrja në Serbi me arsyetimin se mund të paraqesë rrezik për sigurinë.

    Në një intervistë Roman Perl tha se ai mbërriti në aeroportin e kryeqytetit të Serbisë, Beograd, për një vizitë personale të shtunën. Ai u mbajt për rreth tetë orë nga autoritetet para se t’i jepej një urdhër që ndalonte hyrjen e tij në Serbi.

    “Ata më dhanë një letër, në të cilën thuhet se prania ime në territorin serb përbënte rrezik sigurie”, tha Perl.

    Qeveria ruse e shpalli gazetarin Perl “agjent të huaj” në vitin 2021, një emërtim që Kremlini e ka përdorur që nga viti 2012 për të goditur mediat dhe grupet e shoqërisë civile.

    Me këtë rast, Reporterët pa Kufij janë shprehur të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për t’ia pamundësuar hyrjen gazetarit.

    Në një reagim nga kjo organizatë, thuhet se ata kanë kërkuar një shpjegim nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Informacionit të Serbisë, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

    Reagimi i plotë:

    Reporterët pa Kufij (RSF) janë të tronditur nga shenjat e qarta se vendimi i Serbisë për t’ia mohuar hyrjen një gazetari rus me bazë në Izrael – i cili u arrestua vitin e kaluar gjatë xhirimeve jashtë ambasadës ruse në Beograd – ishte ndikuar nga Rusia, ku ai ka qenë etiketuar si “agjent i huaj” që nga viti 2021.

    Kur Roman Perl mbërriti në Beograd për një vizitë private më 8 qershor, zyrtarët e aeroportit thjesht i dhanë atij një dokument – që ai e ka ndarë me RSF-në – duke renditur të gjitha nenet e ligjit sipas të cilave atij i refuzohej hyrja si “rrezik për sigurinë kombëtare”.

    Një gazetar i pavarur për Current Time TV, një kanal televiziv në gjuhën ruse i themeluar nga transmetuesit amerikanë Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty, Perl është i bindur se ai është “futur në listën e zezë” nga autoritetet serbe me kërkesë të Kremlinit.

    Dyshimi i tij mbështetet nga disa hetime mediatike që implikojnë zëvendëskryeministrin serb Aleksandar Vulin, ish-kreun e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), në spiunimin e qytetarëve rusë në Serbi.

    Ministria e Brendshme dhe Ministria e Informacionit e Serbisë nuk iu përgjigjën kërkesave të RSF-së për një shpjegim.

    Perl u ndalua për pak kohë jashtë ambasadës ruse në Beograd me kërkesë të personelit të ambasadës vitin e kaluar pasi intervistoi një burrë për një dokumentar, i cili mbante një flamur ukrainas

    “Në çfarë mënyre një gazetar rus i persekutuar në Rusi kërcënon rendin kushtetues dhe sigurinë serbe? Është e papranueshme që një vend që është kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, të ndjekë rrugën e ndjekur nga Kremlini në persekutimin e mediave të pavarura. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të ndalojnë të gjitha deportimet dhe rikthimin e gazetarëve rusë që kanë ikur nga vendi i tyre dhe t’i rezistojnë ndikimit rus brenda qeverisë.

    Jeanne Cavelier

    Shef i zyrës së RSF-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore

    Sulmimi i gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, përfshirë ata me nënshtetësi ruse dhe bjelloruse, është intensifikuar së fundmi në Serbi. Viktimat përfshijnë aktivistin dhe regjisorin Andrei Gnyot, dëbimi i të cilit në Bjellorusi u urdhërua më 31 maj, megjithëse ai përballet me probabilitetin e disa vite burg atje.

    Natasha Tyshkevich, ish-redaktore e gazetës studentore ruse DOXA, e cila ka ikur nga Rusia dhe tani jeton në Evropë, u ndalua në aeroportin e Beogradit për gati dy ditë në gusht të vitit 2023 përpara se të kthehej në Maltë.

    Që nga pushtimi i saj në Ukrainë, Rusia ka rritur presionin ndaj vendeve që i konsideron brenda sferës së saj të influencës, në mënyrë që të sulmojë mediat ruse në mërgim. RSF ka dënuar gjithashtu vendimet e autoriteteve të Gjeorgjisë për të mos lejuar hyrjen e gazetarëve rusë pa asnjë arsyetim.

    Serbia renditet e 98-ta nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF-së për vitin 2024, Rusia renditet e 162-ta dhe Bjellorusia renditet e 167-ta.

  • ​Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, QKRMT bën thirrje që të respektohen të drejtat e tyre

    ​Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, QKRMT bën thirrje që të respektohen të drejtat e tyre

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ka bërë thirrje që kryerësit me çrregullime mendore të vendosen dhe trajtohen me dinjitet.

    Në komunikatën për media thuhet se QKRMT këtë vit i ka kushtuar rëndësi të veçantë vendosjes dhe trajtimit të kryerësve me çrregullime mendore, për të cilët tha se numri i tyre është në rritje të vazhdueshme, ndërsa mungojnë institucionet përkatëse për trajtimin e tyre.

    Si rezultat i kësaj, ata po mbahen në institucione korrektuese që është në kundërshtim me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.

    Tutje, QKRMT u bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa konkrete për krijimin e kushteve të përshtatshme për vendosjen dhe trajtimin e kryerësve me çrregullime mendore.

    Sot shënohet Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ku më 26 Qershor 1987 hyri fuqi Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, si një nga instrumentet kryesore në luftën kundër torturës dhe parandalimin e saj.

  • ​Euro 2024: Italia, “kafshatë e lehtë” për trajnerin e Xhakës e Shaqirit

    ​Euro 2024: Italia, “kafshatë e lehtë” për trajnerin e Xhakës e Shaqirit

    Trajneri i Zvicrës Murat Yakin theksoi ‘besimin e madh’ të skuadrës së tij përpara ndeshjes së tyre në raundin e 16-të të Kampionatit Evropian Euro 2024 me Italinë, duke sugjeruar se skuadra ‘sinqerisht nuk mund ta presë’ ndeshjen.

    Zvicra impresionoi në fushatën e saj të Grupit A në turne, duke mposhtur Hungarinë 3:1 në ndeshjen e tyre hapëse përpara se të barazonte me Skocinë në ndeshjen vijuese. Në ndeshjen e fundit të grupit, Zvicra barazoi me Gjermaninë 1:1, raporton KosovaPress.

    Gjërat kanë qenë shumë më të vështira për Italinë, e cila mezi arriti të mposht 2:1 Shqipërinë në ndeshjen e saj të parë në Euro 2024 përpara se të pësonte një humbje të dhimbshme 1:0 nga Spanja. Gjërat dukeshin të tmerrshme kundër Kroacisë derisa një gol i barazimit në minutat e fundit nga Mattia Zaccagni siguroi një pikë jetike, duke i lejuar ekipit të kalonte tutje.

    Duke folur për median zvicerane “Srf”, Yakin diskutoi fillimisht mentalitetin e Zvicrës në drejtim të përplasjes së tyre në raundin e 16-të me Italinë.

    “Ne po luajmë për të. Nuk mund të themi se jemi favoritë, sepse përballemi me Italinë, por barazimi ndaj Gjermanisë na ka dhënë shumë besim dhe nuk mund të fshihemi. Ne e ndoqëm me kujdes ndeshjen e Italisë, duke analizuar taktikat dhe strategjinë, do të thellohemi në këto ditë. Sinqerisht nuk mund të presim. Ata janë të paparashikueshëm, por ne jemi të përgatitur. Edhe nga pikëpamja mendore, ne kemi mjaft cilësi për t’i mbijetuar një ndeshje si kjo. Në realitet ne nuk duam të shqetësohemi shumë për Italinë, në fakt mendoj se e kundërta është e vërtetë sepse gjërat po funksionojnë mirë për ne”, tha Yakin.

    Ai ka dhënë mendimet e tij për Italinë dhe sesi Zvicra po i afrohet ndeshjes.

    “Italia ka një ligë të shkëlqyer që më pëlqen shumë, shumë strategjike dhe taktike. Kombëtarja ka lojtarë të mëdhenj, do të jetë një sfidë e madhe. Ne po shikojmë veten, por sigurisht që duhet të fokusohemi edhe te kundërshtari, varësisht se ku qëndrojnë pikat e forta dhe të dobëta të italianëve. Ata kanë mënyra të ndryshme të lojës, gjë që i bën ata të rrezikshëm. Por ata do të mendojnë edhe për ne. Jemi në formë të mirë, jemi të paparashikueshëm dhe do të përpiqemi të marrim diçka nga kjo lojë”, tha Yakin.

    Së fundi, Yakin diskutoi pikat e forta të ekipit të tij në Zvicër dhe ndikimin e tifozëve.

    “Intensiteti i lartë dhe vullneti për të vrapuar na kanë bërë të fortë kohët e fundit. Sistemi ynë, strategjia jonë funksionon dhe ne kemi në krah elementin e befasisë dhe sigurisht tifozët tanë të mëdhenj. Kur edhe Manuel Akanji apo Granit Xhaka nxjerrin në pah mbështetjen, kjo do të thotë vërtet diçka. Edhe kundër Gjermanisë, ku ata ishin qartësisht në pakicë, tifozët tanë ishin kaq të zhurmshëm dhe dominues. Ishte e mrekullueshme se si na mbështetën për 90 minuta”, tha Yakin.

  • Dëshmitari Fondaj kërkon avokat, thotë se ndihet i keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari në Hagë

    Dëshmitari Fondaj kërkon avokat, thotë se ndihet i keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari në Hagë

    Dëshmitari, Kurtesh Fondaj, gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka kërkuar që t’i angazhohet një avokat pas pyetjeve me të cilat u përball nga gjyqtari zviceran në Hagë, Guenawl Mettraux.

    Ish-ushtaraku në Zonën e Pashtrikut ka thënë që ndihet se është keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari, prandaj kërkon ndihmë ligjore nga një avokat.

    “Unë dje pasdite i kam pa në incizimet që janë prezantu nga Gjykata dhe i kam përcjellë me vëmendje dhe sidomos marrja në pyetje nga gjyqtari, më ka ba me mendu që me kërku një avokat, respektivisht një mbështetje nga një avokat, sepse po mendoj se jam keqpërdorë”, ka thënë Fondaj të martën.

    Gjyqtari e ka pyetur nëse është përpjekur që ta kontaktojë një avokat, por dëshmitari ka deklaruar se kërkon nga Gjykata që t’ia angazhojnë një avokat.

    Pas kësaj kërkese, Mettraux ka bërë me dije se iu duhet një pauzë e shkurtër që ta diskutojnë kërkesën.

    Fondaj është dëshmitari i 73-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka folur për mënyrën se si ka funksionuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

    Gjatë dëshmisë së Fondajt, ka pasur kritika në drejtim të panelit të gjyqtarëve, duke i kundërshtuar ata për formën e pyetjeve që po u bëhen dëshmitarëve.

    Thuhet se pyetjet e gjyqtarëve duken sikur t’i kishte bërë Prokuroria dhe se ato janë sugjestive.

  • Kurti e uron Brestin për rizgjedhje si Sekretar i KiE-së: Mezi pres të punojmë bashkë

    Kurti e uron Brestin për rizgjedhje si Sekretar i KiE-së: Mezi pres të punojmë bashkë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka uruar Alain Brestin për rizgjedhjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

    Kurti tha se Brest është mik i madh i të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

    “Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar këto vlera themelore të Këshillit të Evropës – vlera për të cilat Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar si një shtet aspirant për anëtarësim”, shkroi Kurti.

    Kujtojmë se më 14 maj të këtij viti, Kosova dështoi të hynte në agjendën e Këshillit të Ministrave për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, pasi qeveria pati refuzuar që ta çonte në Kushtetuese draftin për Asociacionin.

  • ​Martinez luan heroin ndërsa Argjentina kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Amerikës

    ​Martinez luan heroin ndërsa Argjentina kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Amerikës

    Kombëtarja e Argjentinës e siguroi sot në orët e hershme të mëngjesit kualifikimin drejt çerekfinales së Kupës së Amerikës.

    Ndeshja u zhvillua në “MetLife Stadium” të East Rutherford në New Jersey, ku Argjentina e mposhti Kilin me rezultat minimal 1:0, raporton KosovaPress.

    Heroi i kampionit të botës ishte Lautaro Martinez, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 88’ të ndeshjes.

    Me fitoren e sotme, Argjentina numëron gjashtë pikë pas dy ndeshjeve në Grupin A, dhe siguron biletën drejt çerekfinales.

    Në anën tjetër, Kili renditet në vendin e tretë me vetëm një pikë.

    Rezultati final i ndeshjes, 1:0 në favor të Argjentinës.

  • Takimi i parë pas rastit të Banjskës

    Takimi i parë pas rastit të Banjskës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, pritet të takohen në Bruksel sot (e mërkurë) për herë të parë që nga shtatori i vitit të shkuar dhe për herë të parë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Një ditë më herët, Kurti u shpreh se takimet në dialog do të jenë në funksion të rikapitullimit të procesit trevjeçar e edhe të prezantimit të ideve se si mund të ecet përpara.

    Kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur pritje të mëdha nga takimi i parë pas nëntë muajsh. Por, ai ka theksuar se në takime me ndërmjetësit evropianë, e edhe me Vuçiqin, do të shprehen edhe ide për rrugën përpara.

    “Besoj që përveç të tjerash, takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilaterial do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si mund të ecet përpara”, ka deklaruar Kurti.

    Sipas Kurtit, zgjidhja evropiane për fqinjësi të mirë me Serbinë, është marrëveshja e arritur vitin e shkuar në Bruksel dhe aneksi i saj i dakorduar në Ohër.

    “E cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim kemi shkelja sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq nga 13 dhjetori i viti të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej aty na vijnë të gjitha problemet. Pra nga mos respektimi nga shkelja e marrëveshjes bazike vijnë problemet në raport me Serbinë”, është shprehur Kurti.

    Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’ia heqin masat Kosovës, ashtu siç ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Para takimit me presidentin Vuçiq, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

    Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në konfliktin pasues me Policinë u vranë tre sulmues. Pjesa më e madhe e grupit ka ikur në drejtim të Serbisë, ndërsa përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiqi, që gjendet i lirë në Serbi.

    Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit. Që atëherë Borrelli e emisari për dialog, Miroslav Lajçak nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.
    Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë. Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes. Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë, duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

    Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.

    Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti. Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri sa të gjendet një zëvendësues.

  • Osmani e uron Brestin për zgjedhjen si Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së

    Osmani e uron Brestin për zgjedhjen si Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka uruar Alain Brestin për zgjedhjen në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

    Osmani tha se Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa tha se anëtarësimi do të ishte fitore për tërë kontinentin.

    “Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”.

    Më tej, e para e shtetit tha se anëtarësimi i Kosovës në KiE si anëtari i 47-të, duke shtuar se ky është një synim që Kosova do të vazhdojë ta ndjekë pa pushim.

    “Mezi pres të punojmë së bashku për ta bërë realitet”, tha Osmani.

  • ​Euro 2024: Faza e grupeve përfundon sot me këto super ndeshje

    ​Euro 2024: Faza e grupeve përfundon sot me këto super ndeshje

    Kampionati Evropian Euro 2024 dalëngadalë po merr formë, ku sot do të mësohen kombëtaret e fundit të cilat do të sigurojnë biletën drejt raundit të 16-të të kësaj gare.

    Dy ndeshjet e para të ditës së sotme do të zhvillohen me fillim nga ora 18:00, të cilat i takojnë Grupit E të Euro 2024, raporton KosovaPress.

    Rumania përballet me Sllovakinë, ndërsa Belgjika luan me Ukrainën, të dyja këto ndeshje në kuadër të Grupit E.

    Ndërkaq, dy ndeshjet e fundit të ditës së sotme do të zhvillohen me fillim nga ora 21:00 dhe i takojnë Grupit F.

    Republika Çeke luan me Turqinë, kurse Portugalia e cila tanimë ka siguruar kualifikimin do të përballet me Gjeorgjinë.

    Programi i sotëm:

    18:00 Sllovakia – Rumania

    18:00 Ukraina – Belgjika

    21:00 Çekia – Turqia

    21:00 Gjeorgjia – Portugalia