ATV

Author: ATVLive

  • Kushtetuesja s’gjen shkelje në ligjin për pagën minimale

    Kushtetuesja s’gjen shkelje në ligjin për pagën minimale

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Të kontestuar nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale.

    Në vendimin e saj të publikuar të mërkurën, Gjykata Kushtetuese nuk gjeti shkelje në nenet që kanë të bëjnë me personat e verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe njoftoi se ligji në fjalë mund t’i dërgohet presidentes, për shpallje.

    “… njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Por, në ligjin e ri të Pagës Minimale nuk ishin të përfshirë veteranët dhe sipas praktikes së mëhershme paga minimale të lidhet me pensionin e tyre.
    Andaj, kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protestë.

    Në anën tjetër, vendimin e Kushtetueses e kritikoi edhe Partia Demokratike e Kosovës.

    Ndërkaq PDK-ja mbetet e shqetësuar për pozitën e veteranëve.

    Bazuar në Ligjin e ri për Pagën Minimale, i cili ka kaluar në dy lexime në Kuvend, parashihet që vlera e pagës minimale të arrijë në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat. Ndërsa, veteranët parashihet të marrin pension prej 170 eurosh, aq sa është aktualisht paga minimale.

  • Nuk ka gjoba për serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë

    Nuk ka gjoba për serbët që e bojkotuan regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Agjencia e Statistikave e Kosovës nuk e ka shqiptuar asnjë gjobë ndaj qytetarëve për refuzim të regjistrimit të popullsisë, meqë thotë se nuk ka ndodhur asnjë rast i tillë në terren.

    Gjoba nuk do të ketë as për banorët serbë që e bojkotuan procesin.

    Eksperti i angazhuar nga UNDP, Mazllum Baraliu, e bën dallimin mes refuzimit dhe bojkotit të regjistrimit, prandaj thotë se serbët e veriut nuk e kanë shkelur ligjin.

    Madje, thotë se nuk iu shkuan as nëpër shtëpi banorëve të veriut, siç qe praktika në pjesë të tjera të territorit.

    Këtë qasje e kritikon politologu Fidan Ukaj, që thotë se ligji duhet të zbatohet për të gjithë njësoj, përfshirë edhe komunitetin serb në Kosovë.

    Gjobat për refuzim të regjistrimit parashiheshin të jenë nga 2 deri 20 mijë euro.

    Sipas Baraliut, në komuna të tjera ka pasur raste të hezitimit për t’iu nënshtruar regjistrimit, por që janë bindur pas disa vizitave.

    “Ka pasur rezerva, por kur është biseduar që nga regjistrimi e deri në anëtar të komisionit çdo gjë ka qenë në rregull…”, tha Baraliu.

    Pas thirrjeve të Listës Serbe, serbët në Kosovë vendosën ta bojkotojnë regjistrimin e popullsisë.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi më 14 maj, ndërsa rezultatet preliminare do të dalin kah mesi i korrikut.

  • Serwer konstaton se problem në dialog është “mungesa e vullnetit për zbatim”

    Serwer konstaton se problem në dialog është “mungesa e vullnetit për zbatim”

    Raporti: Fatlum Jashari

    Mungesa e vullnetit politik për zbatim të marrëveshjeve, në vlerësimin e profesorit amerikan për politikë të jashtme dhe menaxhimin e krizave, Daniel Serwer, përbën problemin kryesor në dialogun Kosovë – Serbi, për më se një dekadë.

    Në një diskutim në Prishtinë, profesori Serwer theksoi se dialogu në nivel teknik prodhoi më shumë rezultate sesa ai në nivel politik.

    “Edhe progresi më i hershëm është kthyer prapa. Beogradi me zotimet e vitit 2013, komuniteti në komunat me shumicë serbe kreu bojkot, Serbia bëri gjithçka që të pengojë njohjen e Kosovës dhe të pengojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Prishtina nuk ka bërë asgjë për të implementuar zotimin e vet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshjet janë për dy palët”, tha Serwer.

    Serwer kërkoi që Serbia t’ia dorëzojë Kosovës përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, Milan Radoicic.

    Mosbesues për mundësinë e ndryshimit të Serbisë u shpreh ish-kryediplomati i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

    “Nuk mendoj që Vuçiqi ka vullnetin dhe besimin në këtë proces dhe nuk mendoj se është i nxitur të shkojë para”, tha Bushati.

    Në kontekst të marrëdhënieve të ndërsjella me SHBA-në, profesori Serwer vlerësoi se rizgjedhja e Joe Biden do të ishte më mirë për Kosovën.

    “Gjëja më e mirë për zgjedhjet amerikane është se askush nuk i di rezultatet derisa të përfundojnë zgjedhjet. E dimë dallimin mes Bidenit dhe Trumpit për Ballkanin. Bideni e ruan integritetin e shteteve. Trumpi dallon. Ka negociuar me Thaçin dhe Vuçiqin për ndarjen e Kosovës. Por jo vetëm për ndarjen e Kosovës. Po të ndahej Kosova, Bosnja do të ishte në rrezik, Mali i Zi po ashtu, madje edhe Maqedonia. Unë mendoj që Bideni do të ishte shumë më i mirë sesa Trumpi sa i përket Ballkanit”, tha Bushati.

    Pjesë e panelit të diskutimit ishte edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, dhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

  • Objekti i ri i QKMF-së në Lipjan përfshihet nga zjarri

    Objekti i ri i QKMF-së në Lipjan përfshihet nga zjarri

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ende pa u funksionalizuar, objekti në ndërtim e sipër i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan është përfshirë nga zjarri. Të lënduar nga zjarri nuk pati, por vetëm dëme materiale.

    Sipas njoftimit të Komunës së Lipjanit, por edhe të Policisë zjarri u shkaktua gjatë punimeve në izolim.

    “Sa i përket zjarrit i cili sot në mëngjes ka kapluar objektin e ri të QKMF-së në Lipjan, ju informojmë se zjarri është shkaktuar gjatë punimeve me izolim të jashtëm. Zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Aty është djegë vetëm stiropolli, dëme tjera nuk ka, sepse aty nuk ka pas diçka tjetër. Punimet e objektit do të vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit.

    Në anën tjetër, qytetarët fajësuan Komunën për pakujdesi.

    “Kur të nisin ndërtimin e një objekti të tillë duhet të marrin masa. Megjithatë nuk e di se çfarë do të ndodhë me këtë rast, por që aty duhet të krijohet material më i sigurt, të ketë punime të sigurta”, tha një qytetar.

    Ka edhe qytetarë që nuk ishin në dijeni për këtë situatë.

    Pavarësisht incidentit të së mërkurës, ky projekt i komunës së Lipjanit i cili kushton 1.8 milion euro, pritet të përfundojnë në pranverën e vitit 2025. Punimet në këtë objekt kanë filluar vitin e kaluar.

  • S’ka bisedime trilaterale sot në Bruksel, Vuçiq thotë se mesazhet e Kurtit i’u transmetuan në tri takime të ndara

    S’ka bisedime trilaterale sot në Bruksel, Vuçiq thotë se mesazhet e Kurtit i’u transmetuan në tri takime të ndara

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se një takim i tillë ishte paralajmëruar nga Bashkimi Evropian.

    “Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat.

    Vuçiq tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

    “Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiq kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

    “Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”.

    Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

    Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

    Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.

    Paraprakisht, Vuçiq përmes një postimi në Instagram deklaroi se në takim ka insistuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq.

    Pavarësisht se BE-ja kishte paralajmëruar se pas takimeve dypalëshe do të mbahej edhe një takim trepalësh, ai nuk ndodhi.

    Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Në një deklaratë për media, para nisjes së takimeve, Borrell tha se takimet paraprake të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutohet për hapat drejt zbatimit të marrëveshjes.

    “Fatkeqësisht, zbatimi i marrëveshjes [për normalizimin e raporteve] ende nuk ka nisur. Dhe shpresojmë që sot ne definitivisht të bisedojmë se si të sigurohemi që ne përfundimisht të lëvizim përpara me këtë marrëveshje. Lidhur me këtë, do të diskutojmë për hapat e radhës dhe është e qartë se ajo për të cilat palët janë pajtuar duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza e veprimeve, por veprimet duhet të vijnë pas marrëveshjeve. Zbatimi është fjala kyçe”, tha Borrell.

    Shefi i diplomacisë së BE-së kujtoi se takimet paraprake mes Kurtit dhe Vuçiqit kryesisht kanë qenë për “menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme”, por tha se shpreson që ky takim të jetë ndryshe.

    “Sot, në rundin e ri të dialogut shpresojmë se do të përçojë një mesazh tjetër dhe të përfundojë ndryshe. I dërguari ynë i posaçëm ka punuar dhe duam që me dy liderët të diskutojmë se çfarë është arritur në dialog gjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Po ashtu, për ne do të jetë e rëndësishme që të dimë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si palët duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha Borrell.

    Ai tha se pas disa muajsh, postin e tij dhe të Lajçakut do ta marrin persona të tjerë, por theksoi se “marrëveshjet, konkluzionet e Këshillit dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë”.

    “Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi po ashtu është i lidhur ngushtë me rrugën e pranimit [në BE]”, tha Borrell.

    Ndërkaq, para takimeve në Bruksel Vuçiq tha se nuk pret asnjë rezultat nga takimi me Kurtin.

    “Nuk pres asgjë. Pres që [Kurti] të dramatizojë dhe të bërtasë pak, derisa t’i them që të ndalet. Do ta dëgjoj me kujdes Borrellin dhe Lajçakun, nuk kam asgjë kundër tyre, ata punojnë në rrethana të vështira. Ne do të luftojmë për interesat e popullit tonë. Nuk pres konkluzione të mëdha”, tha Vuçiq për gazetarët.

    Takimi i parë i Kurtit dhe Vuçiqitkëtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

    Kryediplomati evropian pritet të flasë për media pas takimit trepalësh.

    Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë.

    Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij.

    “Shpresojmë që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin e nevojshëm politik për ta çuar Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, tha Lajçak një ditë përpara takimit.

    Me shumë mundësi, takimi i sotëm do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nikoqir i të cilit do të jetë Borrell.

    Në Bashkimin Evropian nuk kanë pritshmëri të mëdha nga ai.

    Gjithçka që BE-ja pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, është që ata ta konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjeve që kanë arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe Vuçiqit, sepse presidenti i Serbisë ka refuzuar një gjë të tillë.

    Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

    Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes, e cila i referohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi vazhdon ta shkelë nenin 4, ku thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, BE-ja këmbëngul se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

    Por, një prej arsyeve pse Kosova dhe Serbia duhet të jenë të kujdesshme në procesin e dialogut është edhe kushtëzimi i pagesave nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me përparimin në dialog.

    Për Kosovën dhe Serbinë angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është një parakusht specifik. Dhe në mungesë të këtij angazhimi mund të pezullohen edhe pagesat nga kjo paketë ambicioze e BE-së. Prandaj ky pritet të jetë edhe një motiv shtesë që palët në dialog të jenë më konstruktive në të ardhmen.

    Gjatë qëndrimit në Bruksel, Vuçiq do të ketë takim edhe me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

    Nuk ka njoftime për takime tjera të kryeministrit Kurti në Bruksel, përveç atyre në kuadër të dialogut.

    Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar.

    Në atë takim është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, por ai ka rezultuar i pasuksesshëm dhe ka përfunduar me akuzat e Kurtit se Lajçak “nuk është neutral”.

    Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë – fshat në veri të Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve kanë sulmuar policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic.

    Në përleshjet e armatosura që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Në fund të tetorit ka pasur edhe një përpjekje të pasuksesshme për t’i afruar palët, kur janë bashkuar edhe liderët kryesorë evropianë: kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

    Kurti dhe Vuçiq kanë pasur takime të ndara me udhëheqësit evropianë, por dakordimi nuk ka qenë i mundur.

    Kurti ka këmbëngulur në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Vuçiq ka refuzuar. /Radio Evropa e Lirë

  • Vërshime të mëdha në fshatin Kuk të Dragashit

    Vërshime të mëdha në fshatin Kuk të Dragashit

    Fshati Kuk i Dragashit po përballet me vërshime të mëdha.

    Mediat lokale kanë publikuar pamje nga vërshimet dhe pretendohet se janë shkaktuar dëme të mëdha, pasi uji ka depërtuar në disa shtëpi.

    Dragashi, Prizreni janë disa nga komunat e prekura sot nga vërshimet.

  • ​Vendimi i Kushtetueses, Haxhiu e ashpër: Beteja për reforma vazhdon, byroja do të bëhet

    ​Vendimi i Kushtetueses, Haxhiu e ashpër: Beteja për reforma vazhdon, byroja do të bëhet

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Byronë për Verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

    Në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu tha se vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por që beteja për reforma do të vazhdojë dhe se byroja do të bëhet.

    Haxhiu ka shtuar se PDK e dërgoi në Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën në drejtësi. Ajo tha se arsyet për këtë i kanë të qarta të gjithë.

    E para e Ministrisë së Drejtësisë tha se Kushtetueses iu deshën 16 muaj për të vlerësuar përputhshmërinë e këtij projektligji. Ajo shtoi se 5 nga 9 gjyqtarët vendosën që “Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm.”

    Ajo ka thënë se kanë inkorporuar secilin rekomandim të Komisionit të Venediktit.

    “Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisoni i Venedikut.”

  • ​Calhanoglu tentoi për kontratë të re me Interin pas interesimit të Bayernit

    ​Calhanoglu tentoi për kontratë të re me Interin pas interesimit të Bayernit

    Hakan Calhanoglu dhe agjenti i tij Gordon Stipic thuhet se u përpoqën të sigurojnë një kontratë të re me Interin pas interesimit të Bayern Munichut.

    Në javët e fundit, raporte të shumta nga Turqia dhe Gjermania detajuan interesin e gjigantëve bavarez për të blerë yllin e Interit këtë verë. Ai dukej i hapur ndaj lëvizjes dhe ishte në kontakt me klubin, i cili po konsideronte të niste një ofertë prej 70 milionë eurosh për nënshkrimin e tij, raporton KosovaPress.

    Pas ditëve të pasigurisë, Calhanoglu më në fund foli dhe lëshoi një deklaratë duke konfirmuar synimet e tij për të ecur përpara me Interin pavarësisht interesimit të Bayern Munich, duke mbyllur idenë e një lëvizjeje të mundshme këtë verë.

    “Gazzetta dello Sport” detajon se si Calhanoglu dhe agjenti i tij Stipic u përpoqën të përdorin interesin e Bayernit për të siguruar një kontratë të re me Interin që do të përfshinte një vit shtesë në marrëveshjen e tij aktuale dhe një rritje të lehtë rroge.

    Drejtuesit e “Nerazzurrëve” e mbyllën menjëherë idenë, duke e bërë të qartë se një kontratë e re nuk do të ofrohej, duke bërë që mesfushori turk të tërhiqej dhe të përjashtonte një lëvizje te gjiganti bavarez.

  • Nisin takimet në Bruksel, fillimisht Kurti-Borrell

    Nisin takimet në Bruksel, fillimisht Kurti-Borrell

    Në Bruksel tashmë ka nisur fillimisht, takimi bilateral BE-Kosovë, përkatësisht i shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe kryeministrit Albin Kurti.

    Pas këtij, pritet të ketë një takim tjetër, ai i shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

  • BE-ja për Projektligjin për Zyrtarët Publik, KPK-në dhe KPM-në: S’janë marrë parasysh komentet tona

    BE-ja për Projektligjin për Zyrtarët Publik, KPK-në dhe KPM-në: S’janë marrë parasysh komentet tona

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka shprehur keqardhje për tri projektligjet që priten të votohen nesër në lexim të dytë. Sipas BE-së, Projektligji për Zyrtarët Publikë, ai i Komisionit të Pavarur për Media dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së që synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, raporton EO.

    Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, BE e konsideron shqetësues faktin se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që i ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi.

    “Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil. Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”, thuhet në komunikatë.

    Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media sipas BE-së nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës.

    “Lidhur me projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shpreh keqardhjen që Kosova nuk kishte kërkuar një opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias, përkundër faktit se me vendosjen e Komisionit Para-Zgjedhor plotësim/ndryshimet parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve jo prokuror. Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, thuhet më tej në komunikatë.

    “BE-ja në Kosovë vëren se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit. Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’ rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme. Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”, përfundon komunikata.