ATV

Author: ATVLive

  • Librat rreth shëndetit mendor të shkruara nga AI, paraqesin një rrezik të madh

    Librat rreth shëndetit mendor të shkruara nga AI, paraqesin një rrezik të madh

    Amazon ka filluar të shesë libra që pretendojnë të ofrojnë këshilla për menaxhimin e ADHD-së (Çrregullimi i mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit), por që duken të shkruara nga chatbot si ChatGPT.

    Sipas The Guardian, shumë prej këtyre librave janë të lehtë dhe të lirë për t’u botuar, por përmbajnë informacion të pasaktë dhe të rrezikshëm, siç janë udhëzuesit për udhëtime që nuk janë të besueshme dhe libra për mbledhjen e kërpudhave që inkurajojnë provimin e rrezikshëm të tyre.

    Një numër librash, si Orientimi i ADHD te meshkujt dhe ADHD te meshkujt e rritur, janë identifikuar si të shkruara nga inteligjencë artificiale, me 100% të mundësisë për të qenë të tilla. Ekspertët paralajmërojnë se tregjet online janë një “perëndim i egër” për shkak të mungesës së rregullave për përmbajtjet e prodhuara nga AI, duke rrezikuar përhapjen e dezinformacioit të dëmshëm, transmeton KosovaPress.

    Michael Cook, studiues kërkimor në shkencat kompjuterike në Kolegjin e Mbretit në Londër, tha: “Sistemet generuese të AI, si ChatGPT, janë të njohura për dhënien e këshillave të rrezikshme, si konsumimi i substancave toksike ose injorimi i udhëzimeve shëndetësore”.

    Sistemet si ChatGPT janë trajnuar me të dhëna nga burime të ndryshme, duke përfshirë pseudoshkencë dhe teori konspirative, që nuk mund të sigurojnë një analizë të saktë. Cook e quajti shqetësuese rritjen e librave të shkruar nga AI, sidomos për tema shëndetësore, duke thënë se mund të shkaktojnë gabime diagnozash ose përkeqësim të kushteve.

    Profesoresha Shannon Vallor nga Universiteti i Edinburgut vuri në dukje se Amazon ka përgjegjësinë etike për të mos lejuar dëm tek klientët, por ka vështirësi për të kontrolluar përmbajtjen e gjithë librave që ofron.

    Aktualisht, nuk ka legjislacion që kërkon etiketimin e librave të shkruar nga AI. Agjencia e Standardeve të Reklamës tha se librat e shkruar nga AI nuk mund të reklamohen për të dhënë përshtypjen se janë të shkruar nga njerëz.

    Richard Wordsworth, një person i diagnostikuar me ADHD, shprehu shqetësimin e tij pasi lexoi një libër të gjetur në Amazon, i cili ishte rekomanduar nga babai i tij. Libri përmbante këshilla të dëmshme dhe pas disa kërkimeve, ai zbuloi se autori mund të ishte një AI, duke e bërë atë të ndjehej i mashtruar dhe të shqetësuar për potencialin që kjo mund të ndodhte edhe me të tjerë.

    Një zëdhënës i Amazon tha: “Ne investojmë burime të konsiderueshme për të siguruar që udhëzimet tona të ndiqen dhe të heqim librat të cilat nuk i përmbahen atyre”.

  • Trump përjashton kërkimin për një mandat të “tretë” si president

    Trump përjashton kërkimin për një mandat të “tretë” si president

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të jetë një “president për tetë vjet”, duke i dhënë fund thashethemeve se po shqyrton një mandat të tretë.

    “Do të jem një president për tetë vjet, do të jem një president për dy mandate. E kam menduar gjithmonë se kjo gjë është shumë e rëndësishme”, i tha Trump NBC News në një intervistë që u transmetua të dielën.

    “Po shpresoj të kem katër vjet të shkëlqyera dhe t’ia dorëzoj dikujt, idealisht një republikani të madh, një republikani të madh që ta çojë përpara”, shtoi ai, duke theksuar se Partia Republikane gjithashtu ka një numër emrash që mund ta pasojnë atë, duke përmendur Zëvendës Presidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

    Duke iu referuar rregullit që asnjë person nuk mund të jetë president për më shumë se dy mandate në SHBA, Trump tha se nuk e di nëse kjo është e kushtetueshme.

    Në mars, Trump tha se “nuk po bëj shaka” për të kërkuar një mandat të tretë.

    Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-së përcakton se një person nuk mund të zgjidhet president për më shumë se dy herë, qofshin këto mandate të njëpasnjëshme ose jo. Trump aktualisht po shërben në mandatin e tij të dytë, duke i lënë disa nga aleatët e tij të sugjerojnë se një rrugë për një mandat të tretë mund të sigurohej përmes pasueshmërisë, e jo përmes zgjedhjeve.

    Të ndryshosh Kushtetutën për të hequr ndalimin e Amendamentit të 22-të do të ishte pothuajse e pamundur, duke pasur parasysh shumicën prej dy të tretash që kërkohet në të dy dhomat e Kongresit dhe aprovimin nga tre të katërtat e shteteve.

  • ​Shtrenjtohet qumështi, vezët dhe mjalti

    ​Shtrenjtohet qumështi, vezët dhe mjalti

    Çmimi i qumështit, vezëve dhe mjaltës ka shënuar ngritje për 4.7 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 2.9 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, raporton KosovaPress.

    Ndërsa, sipas ASK-së, në TM1 2025, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 0.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

    Në ASK thonë se prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

    “Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

  • ​Begaj: Detyrim t’i përcjellim brezit të ri flakë atdhedashurie

    ​Begaj: Detyrim t’i përcjellim brezit të ri flakë atdhedashurie

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi sot homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.

    Gjatë ceremonisë Begaj vendosi kurorë me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.

    Kreu i Shtetit nderoi veprën e tyre sublime për atdheun, ndërsa përcolli një mesazh të veçantë për të rinjtë.

    “Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t’i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre”, u shpreh Begaj në një postim në rrjetet sociale.

    5 Maji është Dita e Dëshmorëve të Atdheut që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

    Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

  • ​Filmave me prodhim të huaj t’i vendosen tarifa 100%, thotë Trump

    ​Filmave me prodhim të huaj t’i vendosen tarifa 100%, thotë Trump

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do t’i vendosë 100% tarifa filmave të prodhuar në vende të huaja, teksa po përshkallëzon përplasjet tregtare me shtete të ndryshme nëpër botë.

    Sipas BBC, Trump tha se ka autorizuar Departamentin amerikan të Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së që të nisin procesin për të vendosur këtë tarifë, pasi, sipas tij, industria amerikane e filmit është duke vdekur “me një shpejtësi shumë të madhe”.

    Ai fajësoi një “përpjekje të koordinuar” nga vende të tjera që ofrojnë stimuj për të tërhequr producentët dhe studiot, të cilën e përshkroi si një “kërcënim për Sigurinë Kombëtare”.

    “Kjo është, përveç të gjithave, edhe çështje mesazhi dhe propagande!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. “DUAM QË FILMAT TË PRODHOHEN NË AMERIKË, SËRISH!”

    Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, iu përgjigj njoftimit të fundit duke thënë, “Jemi duke u marrë me këtë”.

    Por detajet mbi këtë veprim mbeten të paqarta. Deklarata e Trump nuk specifikoi nëse tarifa do të zbatohej për kompanitë amerikane që prodhojnë filma jashtë vendit.

    Disa nga filmat e fundit madhorë të prodhuar nga studiot amerikane janë xhiruar jashtë SHBA-së, përfshirë Deadpool & Wolverine, Wicked dhe Gladiator II.

    Gjithashtu mbetet e paqartë nëse tarifat do të zbatohen edhe për filmat në platforma ‘streaming’, si Netflix, apo vetëm për ata që shfaqen në kinema, si dhe se si do të përllogariten ato.

    Departamenti britanik për Kulturë, Media dhe Sport, instituti britanik i filmit British Film Institute dhe Shoqata e Filmit të Amerikës (Motion Picture Association), që përfaqëson pesë studiot kryesore amerikane të filmit, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të BBC-së.

    Qeveritë e Australisë dhe Zelandës së Re kanë dalë në mbështetje të industrive të tyre kombëtare të filmit.

    “Asnjë nuk duhet të ketë dyshime se ne do të qëndrojmë pa mëdyshje në mbrojtje të të drejtave të industrisë australiane të ekranit”, tha ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke.

    Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, tha në një konferencë për media se qeveria e tij është në pritje të detajeve të mëtejshme lidhur me tarifat e propozuara.

    “Por ne, sigurisht, do të jemi avokatë dhe mbështetës të mëdhenj të këtij sektori dhe të kësaj industrie”, shtoi ai.

    Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka vendosur tarifa ndaj shumë vendeve, duke pretenduar se do të forcojnë prodhimin amerikan dhe do të mbrojnë vendet e punës. Megjithatë, kjo ka shkaktuar kaos në ekonominë globale dhe rritje të çmimeve.

    Para inaugurimit, Trump emëroi aktorët Jon Voight, Mel Gibson dhe Sylvester Stallone si ambasadorë të posaçëm për të promovuar biznesin në Hollywood, të cilin e përshkroi si “një vend të madh, por shumë të trazuar”.

    Sipas firmës kërkimore ProdPro, SHBA-ja mbetet një qendër kryesore e prodhimit filmik, me 14.54 miliardë dollarë shpenzime në vitin e kaluar – një rënie prej 26% krahasuar me vitin 2022. Investimet janë zhvendosur drejt Australisë, Zelandës së Re, Kanadasë dhe Britanisë.

  • Hoti reagon pas ftesës nga Kurti

    Hoti reagon pas ftesës nga Kurti

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar shkurt në rrjete sociale pas ftesës që ua bëri Kurti.

    Hoti ka vendosur emojit e gishtave, si shenjë e demokracisë që përdoret nga LDK-ja.

    Dhe ai vetëm ka shkruar “Lidhja Demokratike e Kosovës”.

  • Ramadani për letrën e Kurtit drejtuar LDK-së: Fazë e re për përçarjen e partive shqiptare

    Ramadani për letrën e Kurtit drejtuar LDK-së: Fazë e re për përçarjen e partive shqiptare

    Opinionisti Burim Ramadani ka komentuar letrën e Kryeministrit Albin Kurti drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si një përpjekje për të krijuar një fazë të re të përçarjes mes partive shqiptare.

    Sipas Ramadanit, Kurti po ndjek të njëjtën qasje që kishte më parë me Nismën, me synimin për të ruajtur pushtetin.

    Ai shprehet i bindur se shumica shqiptare, pa Vetëvendosjen, do të ndërtojë një qeveri të re dhe Kurti do të kalojë në opozitë. “Kjo nuk është logjikë shtetërore, por përçarëse”, thekson ai.

  • Lirohen çmimet e derivateve në Maqedoninë e Veriut

    Lirohen çmimet e derivateve në Maqedoninë e Veriut

    Çmimet e benzinës BS-95, BS-98 dhe vajit ekstra të lehtë, do të lirohet për gjysmë denari pas mesnate, përcjell TV21.

    Sipas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, çmimi i naftës do të ulet për një denarë.

    Çmimet sipas vendimit të fundit të KRRE-së:

    Benzina BS-95 – 73,0 den/l, benzina BS-98 – 75,0 den/l, nafta 65,0 den/l, vaji ekstra i lehtë 65,0 den/l.

  • Osmani u prit me nderime mbretërore nga Sulltani i Bruneit Darussalam

    Osmani u prit me nderime mbretërore nga Sulltani i Bruneit Darussalam

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, të cilët po qëndrojnë për vizitë shtetërore në Brunei Darussalam janë pritur sot me nderime mbretërore dhe me Gardë Ceremoniale nga Sulltani i Brunei Darussalam Hassanal Bolkiah.

    Intonimi i himneve shtetërore u shoqërua me 21 shtëna të topave, në shenjë nderimi dhe respekti për këtë vizitë shtetërore, e cila po realizohet me ftesë të Sulltanit të Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah Mu’izzaddin Ëaddaulah.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani e ka falënderuar Madhërinë e tij, Sulltanin e Bruneit Darussalam si dhe Madhërinë e Saj, bashkëshorten e tij, për mikpritjen dhe për mbështetjen e palëkundur për Kosovën që nga koha e pasluftës, e pastaj me njohjen e pavarësisë dhe në proceset e mëtejshme në fuqizimin e shtetësisë sonë, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

    Në qendër të diskutimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për bashkëpunim në fusha si ekonomia, turizmi, dhe teknologjia informative. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së mëtejme nga Madhëria e Tij për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, posaçërisht në rajonin e Azisë Juglindore dhe vlerësoi rolin aktiv të Bruneit në këtë drejtim.

    Me rastin e vizitës shtetërore, Sulltani i Bruneit ka organizuar edhe një banket shtetëror në nderim të Presidentes Osmani dhe Zotëriut të Parë, në praninë e anëtarëve të familjes mbretërore, qeverisë së Bruneit Darussalam, si dhe pjesëtarëve të korit diplomatik..

    Në fund të takimit, Presidentja Osmani e ftoi Madhërinë e Tij, Sulltanin Bolkiah, për një vizitë zyrtare në Kosovë, si hap për ta thelluar më tej miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy shteteve.

  • Ftesa e Kurtit për koalicion, LDK thërret mbledhje

    Ftesa e Kurtit për koalicion, LDK thërret mbledhje

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur një mbledhje të Grupit Parlamentar pas letrës që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar në një koalicion të mundshëm.

    Lajmin e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka bërë të ditur se shefja e Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, i ka ftuar deputetët për një takim të brendshëm.

    “Paska shkruar Hykmete, ‘nëse jeni afër, hajdeni në grup’. Tani po shkoj,” është shprehur Gashi në një deklaratë për gazetarët.