ATV

Author: ATVLive

  • MPB lanson fushatën “​Festo me zemër, jo me armë”

    MPB lanson fushatën “​Festo me zemër, jo me armë”

    Ministria e Punëve të Brendshme sot do të lansojë fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive “Festo me zemër, jo me armë”.

    Sipas njoftimit, hapjen e kësaj ceremonie do ta bëjë Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit Koordinatorit Nacional për kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivit.

    Ngjarja do të zhvillohet në njërin nga hotelet në Prishtinë duke filluar nga ora 09:30 deri në 10:30.

  • ​Gorrie, mjeku që zbuloi sistemin e ftohjes së ajrit

    ​Gorrie, mjeku që zbuloi sistemin e ftohjes së ajrit

    Më 8 korrik 1842, mjeku John Gorrie zbuloi sistemin e parë të ftohjes së ajrit.

    Mjeku dëshironte që të sëmurët nga ethet ta ndjenin veten më mirë në klimën subtropikale të Floridës, andaj u kërkonte infermierëve që të sillnin kova me akull dhe të frynin ajrin përmes akullit.

    Lëvizja e ajrit nëpër akull krijonte një efekt ftohës. Nuk kaloi shumë dhe John Gorrie e la mjekësinë për t’u marrë me eksperimente.

    Ai u përpoq të ndërtonte një makinë me amoniak që të ftohte ajrin dhe kështu lindi makina e parë mekanike e akullit e më pas frigoriferi.

    Sot, në gjithë botën ftohja qendrore dhe në përgjithësi ajri i kondicionuar është kthyer në diçka të zakonshme në shumicën e shtëpive, zyrave dhe veturave. /KP/

  • ​Ky do të jetë moti për pesë ditët e ardhshme

    ​Ky do të jetë moti për pesë ditët e ardhshme

    Mot kryesisht me diell dhe me vapë pritet të mbajë në pesë ditët e javës së ardhshme, por personat me sëmundje kronike rekomandohet t’i shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se të hënën do të ketë mot kryesisht me diell. Vranësira parashihen rreth maleve , ku vende-vende mund të ketë edhe ndonjë rigë të dobët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-33 gradë celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s.

    Ditën e martë do të mbajë mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    Të mërkurën moti parashihet të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    Ditën e enjte moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36 gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    Të premten moti do të jetë me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-37gradë celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi 1-4m/s.

    “Indeksi UV do të jetë shumë i lartë , parashihen rreth 60 orë me diell, prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta.

    Një kujdes i veçantë edhe pjesëmarrësve në komunikacion, sepse ky mot me vapë shkakton shqetësime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin. Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm.

  • ​Gratë për herë të parë në Forcat Ajrore të SHBA-së

    ​Gratë për herë të parë në Forcat Ajrore të SHBA-së

    Forca Ajrore Shtetet e Bashkuara më 8 korrik 1948, pranon rekrutet e para femra nëpërmjet programit Gratë në Forcat Ajrore (WAF).

    WAF u formua në vitin 1948, kur presidenti Harry Truman nënshkroi Aktin për integrimin e grave në Forcat e Armatosura.

    Programi WAF përfundoi në vitin 1976, kur gratë filluan të pranohen në Forcat Ajrore në mënyrë të barabartë me burrat, pa ndihmën e ndonjë programi të veçantë.

  • 79-vjetori i aneksimit të Kosovës nga Serbia

    79-vjetori i aneksimit të Kosovës nga Serbia

    Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945 dhe pas ngritjes së murit të ndarjes ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve në Kosovë, çështja e Kosovës dhe e trevave tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbetej e pazgjidhur.

    Në Kuvendin e Prizrenit, mbajtur më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ, më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945 çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur.

    Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit, ato jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u likuiduan.

    Në Rezolutën e Kuvendit të Prizrenit (Mbledhja e dytë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës), u shpall se Kosova “me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës jugosllave”.

    Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan.

    E tërë kjo ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare./KosovaPress/

  • “Antenat po e shëmtojnë Prishtinën”

    “Antenat po e shëmtojnë Prishtinën”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kanë kaluar mbi dy dekada që kur këto antena satelitore janë vendosur nëpër çatitë e ndërtesave në Prishtinë.

    Pavarësisht thirrjes së komunës për heqjen e tyre, që nga marsi i 2022-ës, ende kanë mbetur të tilla nëpër kryeqytet.

    Për gjithë këtë kohë, qytetari Din Hoti e pranon se nuk e ka hequr antenën e vetë, por thotë se do ta bëjë një gjë të tillë.

    “Ende nuk e kam larguar atë edhe pse është vjetërsuar megjithatë duhet që t’i largojmë ato t’i dëgjojmë thirrjet e komunës, sepse po e humb kryeqyteti bukurinë e vet nga këto vjetërsira”, tha Hoti.

    Edhe një tjetër prishtinas thotë se antenat satelitore po e shëmtojnë qytetin.

    “Po duhet të largohen një herë e mirë sepse kështu nuk duket bukur Prishtina. Duhet në këtë rast të respektojmë këtë ide të komunës”, tha një tjetër qytetar.

    Pushteti lokal thotë se ka përgatitur një plan që t’i stimulojë qytetarët t’i largojnë antenat e vjetra, pasi vetëm thirrja nuk ka kryer punë që më shumë se dy vjet.

    “Kërkesa e komunës nuk është përfillur në shumë raste. Andaj ne si komunë kemi në plan jemi duke e biseduar që të subvencionojmë qytetarët për heqjen e antenave satelitore, mendojmë që me këtë plan do të bëjmë zgjidhje për këtë çështje”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Bestrovci.

    Kur komuna e bëri këtë thirrje në mars të 2022-ës, u dha afat qytetarëve 90 ditë për t’i larguar antenat satelitore, në të kundërtën, ata do të vepronte
    inspektorati.

    Por ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në, nëse ka kryer ndonjë intervenim për këto raste, deri tash.

    Më shumë detaje i gjeni n Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zjarrfikësit duan objekte shtesë

    Zjarrfikësit duan objekte shtesë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Janë adresa e parë për kërkim të ndihmës, sa herë ka zjarr apo raste tjera urgjente. Por zjarrfikësit në Prishtinë po ankohen për mungesë të kushteve, për ta kryer këtë shërbim si është më së miri.

    Këta duan pika mbështetëse nëpër qytet, që të intervenojnë më shpejt nëpër regjionin e Prishtinës.

    Kryetari aktual, Përparim Rama, kishte premtuar dy objekte shtesë për zjarrfikësit.

    “koha për të reaguar është 10 minuta, ideja është se faza e parë e përhapjes së zjarrit bëhet brenda 10 minutave, për këtë duhet të bëhen edhe nënstacioneve në kryeqytet për me mbulu pjesën e qytetit në tersi dhe koha e reagimit të jetë në kohë”, tha komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi.

    Kur do të filloj ndërtimi i tyre ende nuk dihet, ngase projekti aktualisht është në procedurë të prokurimit.

    “kemi ndarje buxhetore, për ndërtim e objekteve, projekti është në prokurim. Kemi diku rreth 1 milion euro që kemi nda, e kemi ne buxhetin tonë për 2024”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Sipas zjarrfikësve, në Prishtinë duhet të jenë së paku 146 zjarrfikës, ndërkaq aktualisht janë vetëm 74.

    Ata thonë se qe shumë vite kanë kërkuar shtim të numrit të punëtorëve, por nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.

    Më shumë detaje i gjeni n Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ende nuk dihet se kur do vijnë të burgosurit e parë nga Danimarka

    Ende nuk dihet se kur do vijnë të burgosurit e parë nga Danimarka

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Brenda këtyre mureve më rrallë do të flitet gjuha shqipe.

    Këtu, në burgun e Gjilanit, pritet të vendosen të burgosurit nga Danimarka, bazuar në marrëveshjen në mes të dy vendeve e cila u ratifikua në Kuvend në fund të muajit maj.

    Por, rinovimi i qelive që është parakusht, ATV-ja kupton se ende nuk ka nisur.
    Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, krahas rinovimit do të fillojë edhe rekrutimi I stafit.

    “Marrëveshjet kanë hyrë në fuqi. Prandaj, jemi të obliguar që ta zbatojmë marrëveshjen. Njëherë parashihet rinovimi i burgut të Gjilnait, rekrutimi I stafit, e pastaj gradualisht transferimi…”, tha Haxhiu.

    Kështu, ende nuk dihet as data se kur mund të vijnë të burgosurit e parë.

    Sidoqoftë, marrëveshja në tërësi, sipas avokatit Yll Zeka nuk ka shumë dobi për shtetin.

    “Është një eksperiment i rrezikshëm. Aspekti material nuk duhet të jetë mbi sigurinë e përgjithshme. Kemi pasur raste kur të burgosurit kanë ikur, e kështu mund të ndodhë sërish”, tha Zeka.

    Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Kosova në këmbim të 200 milionë eurove, do t’ia lëshojë Danimarkës me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan, ku pritet të vendosen rreth 300 të burgosur.

    Më shumë detaje i gjeni n Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Trepça” s’ua paguan trustin punëtorëve: Borxhi total 10.5 milionë euro

    “Trepça” s’ua paguan trustin punëtorëve: Borxhi total 10.5 milionë euro

    Përgatiti: Armand Hoti

    Disa punojnë nën tokë. Disa të tjerë, mbi të. Por të gjithë ia kushtojnë mundin ndërmarrjes “Trepça”.

    Tani druajnë se pensionimi i tyre nuk do të jetë i dinjitetshëm, meqë ndërmarrja nuk ua paguan kursimet pensionale, tashmë gati katër vjet.

    Borxhi total që ndërmarrja u detyrohet punëtorëve si shkak i mospagesës së Trustit, sipas të dhënave të menaxhmentit, është mbi 10 milionë e 500 mijë euro.

    Ndërkaq, kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, i cili mori detyrën në fillim të këtij viti, thotë se akoma nuk ka filluar ekzekutimi i pagesave të kursimeve pensionale.

    “Problemet e akumuluara ndër vite në “Trepçë”, si nga ana e obligimeve financiare si nga ana e teknologjisë së vjetërsuar dhe mungesa e investimeve kapitale e kanë sjellë këtë situatë. Ndër to, edhe niveli i ulët i prodhimit dhe pengesat në procesimin e pagesës së pagave”, ka thënë Kurti.

    Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, tregon se punëtorët tashmë kanë angazhuar avokatë, për t’i kërkuar paratë e tyre në gjykata.

    “80 deri 90% e minatorëve e kanë deleguar përmes avokatëve lëndën në gjykatë, për ta kërkuar të drejtën e vet, si lëndë kontestimore… Problemi më i madh dhe zhgënjimi më i madh është për kolegët tonë që janë të prag të pensionit edhe për ata që janë pensionuar, sepse nuk po e gëzojnë të drejtën e vet, nuk po gëzojnë kontributin që dhanë”, tha Jonuzi.

    Sindikata, ndërkaq, nuk posedon të dhëna për lëndët e fituara nga punëtorët.

    Mirëpo, në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të “Trepçës” për vitin 2023, thuhet se një paditës e fitoi kontestin me ndërmarrjen, mes tjerash edhe çështjen e Trustit.

    Në total, ndërmarrja numëron rreth 1200 punëtorë.

    Më shumë detaje i gjeni n Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Afro 2 mijë persona kanë aplikuar për të konvertuar patentë shoferët nga ilegalë në RKS

    Afro 2 mijë persona kanë aplikuar për të konvertuar patentë shoferët nga ilegalë në RKS

    Më 10 maj ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat jolegale të Serbisë në patentë shoferë të Republikës së Kosovës. Që nga ajo ditë deri dje një gjë të tillë e kanë bërë afër 2 mijë persona.

    Ministria e Punëve të Brendshme më 8 maj njoftoi se pas dy ditësh do të nisë procesi i konvertimit të patentë shoferëve jolegalë në legalë.

    “Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se nga data 10 maj 2024 do të fillojë procesi i konvertimit të patentë shoferit të lëshuar nga strukturat jo legale serbe në patentë shoferi të Republikës së Kosovës dhe do të zgjasë deri me 9 gusht 2024”, thuhet në njoftimin e 8 majit.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani, ka thënë për Gazetën Express se deri më 3 korrik 1 mijë e 901 persona kanë aplikuar për të marrë patentë shoferët e Republikës së Kosovës.

    Leposaviq: 474;

    Mitrovicë e Veriut: 520;

    Zubin Potok: 270;

    Zveçan: 312.

    Detaje rreth aplikimit për konvertim të patentë shoferëve

    Procedura për pajisje me patentë shoder të Kosovës zgjatë 15 ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.

    MBP ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës.

    Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente:

    Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës,

    Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe,

    Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer,

    Certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

    Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€); Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€).

    Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.