ATV

Author: ATVLive

  • Orban në Kinë për arritjen e paqes në Ukrainë

    Orban në Kinë për arritjen e paqes në Ukrainë

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, më 8 korrik, disa ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, për një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë, që zemëroi disa udhëheqës të Bashkimit Evropian.

    Sipas medias shtetërore kineze, Orban dhe Xi u takuan në Pekin në një prej rezidencave presidenciale.
    Kina, që ka raporte të ngushta me Rusinë, ka promovuar një plan të saj të paqes me gjashtë pika, ndërkaq Orban ka nisur një “mision për paqe”, pasi shteti i tij mori udhëheqjen e Presidencës së BE-së në fillim të këtij muaji.

    “Misioni i Paqes 3.0”, shkroi ai në X – që më herët njihej si Twitter – pasi arriti në Pekin.
    Vizita e udhëheqësit hungarez në Kinë realizohet pasi ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por po ashtu ai realizoi një vizitë në Kremlin, që nxiti reagime të ashpra nga aleatët e tij.

    “Kina është një fuqi kyçe në krijimin e kushteve për paqe në luftën Rusi-Ukrainë”, shkroi Orban në X, duke shtuar se kjo është arsyeja pse ai po takohej me Xinë vetëm dy muaj pasi udhëheqësi kinez vizitoi Budapestin.

    “Ne e çmojmë shumë nismën tuaj të paqes në lidhje me konfliktin në fqinjin e Hungarisë”, citohet të ketë thënë Orban në takimin me Xinë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Hungari, MTI.

    “Është shumë e rëndësishme për hungarezët që Kina të nxisë paqen në botë”, tha Orban.

    Kryeministri hungarez është kritik i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe është udhëheqësi evropian që ka raportet më të mira me Xinë dhe Putinin.

    Vizita e tij në Kinë vjen disa ditë para se të mbahet samiti i NATO-s në Uashington, ku do të trajtohet çështja e ofrimit të mëtejmë të ndihmës për Ukrainën.
    Po ashtu kjo vizitë po realizohet pas vendimit të javës së kaluar të Komisionit Evropian për të vendosur tarifa prej 37.6 për qind ndaj importeve makinave elektrike të prodhuara në Kinë.

    Hungaria është shndërruar në një partnere të rëndësishme tregtare të Kinës për dallim nga disa shtete të tjera të BE-së që dëshiron të jenë më pak të varura nga ekonomia e dytë më e madhe në botë. / Radio Evropa e Lirë

  • Kryetari i Malishevës: I dërgova tri letra për projektin e ujit të pijes, nuk mora përgjigje nga Kurti e Murati

    Kryetari i Malishevës: I dërgova tri letra për projektin e ujit të pijes, nuk mora përgjigje nga Kurti e Murati

    Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, thotë se i ka dërguar tri letra, dy në drejtim të Ministrisë së Financave dhe një në drejtim të Qeverisë së Kosovës, por që nuk ka gjetur asnjë përgjigje nga ana e tyre.

    Kjo lidhur me projektin e ujit të pijes.

    “Tri letra i kam dërguar, një e kam dërguar fillimisht tek Hekuran Murati, nuk është përgjigj, ia kam dërguar kryeministrit Kurti të dytën nuk është përgjigj, ja kam dërguar të tretën Hekuran Muratit, por asnjëri nuk është përgjigj. Unë s’kam marr asnjë përgjigje, as po as jo, as e bëjmë as nuk e bëjmë këtë punë për qeta, as e bëjmë”, thotë Kastrati për FrontOnline.

    I pari i Malishevës, deklaron se komuna të cilën ai e udhëheq edhe po të i ketë paratë në xhirollogarinë e tyre, nuk mundën me e bërë projektin për ujin e pijshëm për qytetarët e Malishevës, pasi që sipas tij, pa përkrahjen e Qeverisë kjo gjë nuk mund të ndodh.

    “Komuna e Malishevës edhe me i pas paratë në xhirollogarinë e vetë, nuk mundemi me marrë ujë në Liqenin e Radoniqit sepse ai është në Komunë të Gjakovës. Gypi duhet me ardhur përmes Gjakovës, përmes Komunës së Rahovecit, në Ratkoc, Qifllak e këndej. Pa e pasur përkrahjen e Qeverisë ne ketë punë nuk mund ta bëjmë sepse ujin e kemi në territorin e një komune tjetër, që dy komuna duhet me i kalu. Nuk kemi drejt me hap gypa ose kanale nepër komuna tjera, pa lejen e Qeverisë, pa miratimin e Qeverisë” shprehet Kastrati.

  • Vdes një grua në Prishtinë, rasti në hetime

    Vdes një grua në Prishtinë, rasti në hetime

    Një grua ka ndërruar jetë në banesën e saj në Prishtinë, ku policia është duke e hetuar rastin.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi, raporton EO.

    “Është raportuar se në banesën e saj ka ndërruar jetë viktima femër kosovare. Lidhur me rastin vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi. Rasti nën hetime”, thuhet tutje në raport.

  • Topi që do të përdoret në gjysmëfinale dhe finalen e Euro 2024 është i lidhur direkt me dhomën e VAR-it

    Topi që do të përdoret në gjysmëfinale dhe finalen e Euro 2024 është i lidhur direkt me dhomën e VAR-it

    Kompania Adidas prezantoi topin “Fussballliebe Finale” që do të përdoret në gjysmëfinalet dhe finalet e Kampionatit Evropian Euro 2024 në Gjermani.

    Në lidhje me topin “Fussballliebe”, i cili u luajt në rrjedhën e deritanishme të garës, topi për fundin e turneut është ndryshuar vizualisht.

    Në dizajnin që u bë për pjesën e parë të Euros, tashmë janë shtuar detaje që plotësojnë detajet e kuqe, ari dhe të zeza që ishin në top si ngjyrat e pritës.

    Sfondi i bardhë tani është argjend dhe simbolizon ngjyrën e kupës. Vetë ngjyra është bërë dhe testuar posaçërisht në mënyrë që prodhuesi të jetë i sigurt se nuk do të ketë një shkëlqim të papranueshëm në fushë që mund të shqetësojë lojtarët.

    “Fussballliebe Finale” përveç pamjes ka ndryshuar edhe në kuptimin teknologjik.

    Domethënë, do të ketë teknologji të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me dhomën VAR.

    Ai do të mbledhë të gjitha të dhënat dhe do t’i dërgojë në dhomën VAR në kohë reale.

    Kjo risi, e kombinuar me pozicionin e lojtarit dhe inteligjencën artificiale, do të kontribuojë në përmirësimin e teknologjisë gjysmë-automatike ofside, tha Adidas. /Telegrafi/

  • ​Vetaksident në Bërnjak, vdes njëri pasagjer

    ​Vetaksident në Bërnjak, vdes njëri pasagjer

    Vetaksident i rëndë në Bërnjak: Njëri pasagjer vdes, shoferi arrestohet

    Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur në rrugën nacionale Zubin Potok-Bërnjak.

    Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës vetura ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shkëmb.

    Sipas Policisë, vozitësi i veturës është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    “Raportohet se ka ndodhur një vet-aksident trafiku në rrugën nacionale Zubin Potok – Bërnjak, ku si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës vetura që drejtohej nga i dyshuari shtetas i Serbisë, ka dalur nga rruga duke u përplasur me një shkëmb. Si pasojë e aksidentit tre pasagjerët meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore ku sipas mjekëve në Spitalin e Mitrovicës njëri prej tyre ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion, ndërsa i dyshuari (drejtuesi i veturës) është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Faton Hajrizi lajmërohet nga arratia: Provokimet me shtynë të arratisem burgu

    Faton Hajrizi lajmërohet nga arratia: Provokimet me shtynë të arratisem burgu

    Faton Hajrizi, i cili u arratis të shtunën më 6 korrik nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, është lajmëruar nga arratia mbrëmë në rrjetin social “TikTok”.

    Hajrizi i cili tashmë është i kërkuar nga Policia e Kosovës ka herën e nëntë që është arratisur nga burgu. Ndërkohë si pasojë e ikjes së tij nga burgu janë suspenduar oficeri i dhomës dhe oficeri i krahut.

    Me një gjysmë maskë në fytyrë, Hajrizi ka sqaruar arsyet e arratisjes dhe ka theksuar se nuk po fsheh fytyrën, por kishte pësuar një lëndim gjatë arratisjes.

    Hajrizi, në videon e tij, deklaroi se planifikon të hyjë live në “TikTok” për të folur më gjerësisht për situatën.

    Gjatë arratisjes, siç tregon Hajrizi kishte përjetuar vështirësi me telat dhe murin e burgut, të cilat i shkaktuan lëndime në fytyrë. Në video, ai falënderoi përkrahësit e tij dhe adresoi kritikat, duke theksuar se nuk është ashtu siç e përshkruan policia.

    “Dikush mund të thotë që këtij personi i është bërë hobi të ik nga burgu, por nuk është e vërtetë. Unë dua të jem i lirë si të gjithë shqiptarët. Nuk jam Albin Kurti unë me u mërzit për Izraelin a Ukrainën a janë të lirë. Arsyeja pse unë jam kane me datën 1 dhe jam kthyer me datën 3 në vikend, arsyeja pse nuk kam ikur gjatë vikendit është pikërisht për shkak se kam dhënë fjalën se nuk iki nga vikendi”, ka thënë Hajrizi.

    Hajrizi vuri në dukje trajtimin e padrejtë që pretendon që ka marrë në burg, teksa pohoi se ka marrë vendimin për t’u arratisur përkohësisht, por do të kthehet për të përfunduar dënimin e mbetur, në kohën që do të vendosë vetë.

    “Nuk jam ai që policia e pasqyron. Unë jam Faton Hajrizi i cili si 14 vjeçar ka qenë në luftë. Unë jam Faton Hajrizi që kam vepruar në veri 2006-2007 për të mirën e këtij vendi. Nuk është normale unë me i mbajt 23 vite burg, 15 vjeçar kam rënë në burg e 40 vjeçar jam sot. Me ardh mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem provoku ai mua”, ka shtuar Hajrizi.

    Policia e Kosovës ka shpallur Hajrizit si person në kërkim dhe ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në lokalizimin dhe arrestimin e tij, duke ofruar çdo informatë të dobishme për vendndodhjen e tij.

    @faton.hajrizi.i.v

    ♬ original sound – faton hajrizi i vertet

  • Majtistët fitojnë në Francë, por paraliza politike po troket në derë

    Majtistët fitojnë në Francë, por paraliza politike po troket në derë

    Franca ballafaqohet me një përbërje të re të Kuvendit që vështirë se mund të miratojë ligje dhe me të ardhmen e bisedimeve të vështira nga e hëna për formimin e qeverisë së re, pasi fitorja e befasishme e së majtës e bllokoi synimin e zonjës Le Pen për ta sjellë në pushtet të djathtën ekstreme.

    Fronti i Ri Popullor, bllok i partive majtiste, doli forca e parë në Asamblenë Kombëtare pas zgjedhjeve të së dielës, por pasi asnjë grup nuk e ka siguruar shumicën funksionale parlamentare, ka mundësi që fituesi të formojë qeveri të pakicës ose një koalicion të gjerë e të vështirë, raporton agjencia “Reuters”.

    Rezultati i zgjedhjeve i tha një goditje therëse presidentit Emmanuel Macron dhe e lë ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në situatë të paqartë, duke kumtuar një periudhë të jostabilitetit politik vetëm disa javë para Lojërave Olimpike Parisi 2024.

    Macroni përfundoi me një përbërje kuvendi thellësisht të përçarë, në atë që pritet ta dobësojë rolin e Francës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë dhe ta bëjë më të vështirë për cilindo grup çuarjen përpara të ndonjë agjende të brendshme.

    E majta fitoi 182 ulëse, aleanca e qendrës e Macronit 168, ndërsa Tubimi Kombëtar i së djathtës ekstreme dhe aleatët e tij 143 ulëse, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cituara nga gazeta “Le Monde”.

    Kryeministri Gabriel Attal tha se do ta ofronte dorëheqjen, por nuk qe e qartë nëse presidenti do ta pranonte atë menjëherë, duke e marrë parasysh detyrën e zorshme për formimin e një qeverie. Attal-i tha se do të ishte i gatshëm të qëndronte në rolin e kryeministrit në detyrë.

    Partitë e bllokut majtist – ku përfshihen Partia Komuniste e Francës, partia e së majtës ekstreme “Franca e Papërkulur”, të Gjelbrit dhe Partia Socialiste – u takuan gjatë natës në rundin e parë të bisedimeve për atë se si të ecet tani e tutje.

  • Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.

    Ky proces gjyqësor pritet të zhvillohet me fillim nga ora 09:00 dhe të zgjasë deri në ora 16:30.

    Që të katër janë të akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza fillestare kundër tyre ishte konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020, ndërkaq aktakuza që është në fuqi ishte dorëzuar më 27 shkurt të vitit të kaluar.

  • ​75 vjet NATO: Nga një “mburojë” në Luftën e Ftohtë, në forcë të sigurisë globale

    ​75 vjet NATO: Nga një “mburojë” në Luftën e Ftohtë, në forcë të sigurisë globale

    Në fjalimin e tij të vitit 1949, gjatë nënshkrimit të Traktatit të Atlantikut Verior, në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Harry Truman, u shpreh me fjalë të thjeshta për të dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë.

    “Për ne, lufta nuk është e pashmangshme”, tha Truman. “Burrat me guxim dhe me vizion mund t’ia përcaktojnë fatin vetes. Ata mund ta zgjedhin robërinë apo lirinë, luftën ose paqen. Unë nuk kam dyshim se çfarë do të zgjedhin ata”.

    Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, këtë javë, organizata që u themelua nga Traktati, NATO-ja, do ta shënojë momentin kur 12 aleatët firmosën zotimin për marrëdhënie transatlantike dhe për adresimin e kërcënimit sovjetik ndaj paqes dhe sigurisë në Evropës.
    Pasi panë përçarjen e kontinentit nga Perdja e Hekurt, 12 vende – Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – ranë dakord për mbrojtje kolektive, një parim që përbën thelbin e NATO-s sot.

    I përcaktuar në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, parimi thekson se nëse njëri nga vendet nënshkruese sulmohet, ai do të konsiderohet sulm ndaj të gjithë nënshkruesve tjerë.

    Sigurisht se gjatë konferencës do të theksohet se Neni 5 është vënë në përdorim vetëm një herë – pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

    Për ironi, gjatë themelimit të NATO-s, Shtetet e Bashkuara qenë ndër më skeptiket e Traktatit dhe të Nenit 5.

    Për SHBA-në, garancia bërthamore e së cilës do t’i jepte më pas Traktatit peshë, shpallja automatike e luftës përbënte shqetësim, sepse Kushtetuta amerikane i jep vetëm Kongresit kompetencën për të shpallur luftë, thotë John Deni, historian i NATO-s, njëherësh profesor në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë amerikane, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

    Por, Uashingtoni më parë kishte nënshkruar Paktin e Rios, më 1947, i cili siguronte ndihmë reciproke përgjatë Hemisferës Perëndimore, por nuk përfshinte ndonjë zotim ushtarak. Deni thotë se kjo hapi derën për pesë partnerë evropianë – Belgjikën, Francën, Luksemburgun, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar – që të flisnin me SHBA-në për mbrojtjen e përbashkët evropiane.

    “Ne ishim partnerë hezitues”, pohon Deni. “Ky ishte krijim i britanikëve. SHBA-ja donte rilindje ekonomike nga Evropa”.

    Ndonëse publikut amerikan iu tha se Traktati ishte mënyrë për të kundërshtuar komunizmin, Deni thotë se një “arsyetim i fshehtë” për aleancën erdhi nga nevoja amerikane për stabilitet dhe sukses ekonomik në Evropë.

    Sipas fjalëve të Trumanit, NATO-ja do të ishte “mburojë që do të na mundësojë… të sigurojmë një jetë më të plotë dhe më të lumtur për të gjithë qytetarët tanë”.

    Deni pohon se ngjarjet e 1948-tës – një puç në Çekosllovaki dhe bllokada sovjetike e Berlinit – kishin alarmuar SHBA-në për ndikimin e paqëndrueshmërisë në ekonominë evropiane, dhe “ndryshuan mendjet në Uashington”.

    Por, Traktati u shkrua “në mënyrën që ne amerikanët e kërkuam”, thotë Deni. Ai nuk parashikoi shpallje automatike të luftës, dhe rrjedhimisht siguroi mbështetje dypartiake në Kongres.

    Në fillim të 1949-tës u bë gati një projekttraktat, i cili do të nënshkruhej më 4 prill, në Uashington, në një takim të krerëve të shteteve të 12 vendeve themeluese. Bashkimi Sovjetik u njoftua se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior nënkuptonte reagimin e përbashkët për mbrojtje të anëtarëve të saj.

    Teksa Uashingtoni po bëhet gati të jetë mikpritës i Samitit të NATO-s, nga 9 deri më 11 korrik, dhe të shënojë 75-vjetorin e aleancës, rëndësia e Nenit 5 dhe arritjet e NATO-s qenë në agjendën e disa organizimeve të bëra nga organizatat joqeveritare në kryeqendrën amerikane.

    Disa folës theksuan se uniteti i NATO-s u testua në fund të Luftës së Ftohtë, kur aleanca më nuk përballej me kërcënimin sovjetik që Max Bergmann, drejtor i Programit të Evropës të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), thotë se ajo ishte “themeluar për ta adresuar”.

    Folës të tjerë kujtuan se disa politikëbërës dhe politikanë argumentuan asokohe se NATO-ja më nuk ishte e nevojshme, përderisa të tjerë parapëlqenin adaptimin me rendin e ri botëror.

    Phillippe Dickinson, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Siguri Transatlantike në Këshillin e Atlantikut, thotë se fundi i Luftës së Ftohtë nxiti “një ndryshim të vërtetë në qëndrimin dhe qëllimin e NATO-s në botë”.

    NATO-ja krijoi programin e saj të Partneritetit për Paqe gjatë asaj periudhe, duke ftuar Rusinë më 1994 për t’u bërë pjesë e tij, një marrëveshje që zgjati 20 vjet, derisa Moska aneksoi ilegalisht Krimenë më 2014. Më pas ndodhën dy valë të mëdha të zgjerimit pas Luftës së Ftohtë, më 1999 dhe më 2004, kur disa vende evropiane dhe të Baltikut iu bashkuan organizatës.

    Aleanca më vonë zhvendosi fokusin në operacionet ndërkombëtare, në kundërterrorizëm dhe në menaxhim krizash. Aleatët e NATO-s, po ashtu, nisën misione paqeruajtëse përtej Atlantikut Verior, përfshirë në Irak dhe në Kosovë. Përveç ruajtjes së paqes, NATO-ja ka rritur bashkëpunimin me vendet përtej Atlantikut Verior, veçanërisht në rajonin e Indo-Paqësorit.

    Katër prej 35 vendeve partnere të NATO-s – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut – janë ftuar në diskutimet e aleancës rreth kërcënimeve në Indo-Paqësor, në samitin e ardhshëm.

    Përveç Indo-Paqësorit, shumica e 31 vendeve tjera partnere të NATO-s janë nga Evropa Lindore, Mesdheu dhe Lindja e Mesme.

    Të gjithë anëtarët dhe partnerët e NATO-s, me përjashtim të Afganistanit, Bjellorusisë dhe Rusisë – të pezulluar – janë ftuar të marrin pjesë në samit. Ftesë kanë marrë edhe Gjeorgjia, pavarësisht miratimit më 28 maj të atij që shumë njerëz e quajnë “Ligj për agjentët e huaj” – të frymëzuar nga Rusia – dhe Ukraina, e cila pritet të përfshihet në zgjerimin e ardhshëm të NATO-s.

    Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia dhe kërcënimet e reja rajonale ndaj NATO-s pritet të jenë tema kryesore në samit, por gjithashtu do të bëhet e qartë se në 75 vjetët e ekzistimit, aleanca është zhvilluar për t’u ballafaquar me më shumë se vetëm kërcënimin sovjetik, parandalimi i të cilit qe arsyeja pse ai u themelua.

    Pavarësisht evoluimit, fjalët që Truman tha më 1949 ende qëndrojnë: “Metoda jonë e arritjes së unitetit ndërkombëtar, përmes bashkimit vullnetar të vendeve të ndryshme, të përkushtuara për një kauzë të përbashkët, është një hap efektiv drejt vënies së rendit në botën tonë të trazuar”.

  • ​Bayerni zyrtarizon goditjen 60 milionëshe

    ​Bayerni zyrtarizon goditjen 60 milionëshe

    Bayerni ka njoftuar zyrtarisht transferimin e Michael Olise. Anësori i ri i djathtë i kampionëve gjermanë po kalon nga Crystal Palace në Bundesligë dhe ka nënshkruar kontratë në Mynih deri në vitin 2029. Sipas Sky, për transferimin do të paguhen 60 milionë euro; Mund të ketë gjithashtu pagesa bonus të lidhura me performancën.

    Kështu Bayerni ka nënshkruar me një nga anësorët më të kërkuar në Evropë dhe ka mposhtur shumë klube të mëdha: thashethemet thonë se rreth gjysma e Premier Ligës ishte pas Olise, përcjellë KosovaPress.

    Për shkak të një dëmtimi në kofshë, Olise ishte në gjendje të luante vetëm 19 ndeshje konkurruese për Crystal Palace sezonin e kaluar, por tregoi cilësinë e tij të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Me dhjetë gola dhe gjashtë asistime, Olise bëri shifra të bujshme. Francezi me ritëm të shpejtë dhe të fortë driblues përdoret kryesisht në krahun e djathtë.