ATV

Author: ATVLive

  • Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës nis sot vizitën në Kosovë

    Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës nis sot vizitën në Kosovë

    Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ka njoftuar se presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, nga sot nis vizitën zyrtare në Kosovë deri më 11 korrik.

    “Vizita është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Zvicrës për të forcuar marrëdhëniet e saj bilaterale me Kosovën dhe për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në komunikatën për media.

    Krahas takimeve zyrtare, Nussbaumer do të vizitojë edhe SWISSCO-n (misioni paqeruajtës i Forcave të Armatosura zvicrane) në Mitrovicë, për të mësuar rreth punës së saj dhe situatës së sigurisë në veri të vendit.

    Ndërkohë, presidenti i Këshillit Kombëtar do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, kryekuvendarin Glauk Konjufca e drejtuesen e diplomacisë, Donika Gërvalla.

    “Diskutimet do të fokusohen në bashkëpunimin teknik parlamentar ndërmjet Shërbimeve Parlamentare të Zvicrës dhe Kuvendit të Kosovës, e cila filloi në 2021 me mbështetjen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është për të ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në fushën institucionale të komunikimit dhe marrëdhëniet me publikun me qëllim rritjen e transparencës së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim për takimin me Konjufcën.

    Nussbaumer do të zhvillojë takim edhe me Odën Ekonomike Zvicerane-Kosovare, e cila do të ofrojë një mundësi për të diskutuar mundësitë ekonomike për zviceranët ndërmarrës në Kosovë.

    Eric Nussbaumer do të shoqërohet nga anëtarët e Këshillit Kombëtar Marc Jost dhe Cédric Wermuth.

  • IHMK bën thirrje për kujdes në temperatura të larta: Bartni syze, kapelë e rroba me ngjyra të lehta

    IHMK bën thirrje për kujdes në temperatura të larta: Bartni syze, kapelë e rroba me ngjyra të lehta

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë thirrje për kujdes nga kontakti direkt me rrezet e diellit.

    IHMK ka bërë thirrje që personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta.

    “Indeksi UV do të jetë shum i lartë , parashihen rreth 60 orë me diell, prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit. Personat me sëmundje kronike të ju shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyrë të lehta”.

    “Një kujdes i veçantë edhe pjesëmarrësve në komunikacion, sepse ky mot me vapë shkakton shqetesime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin. Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • ​Haradinaj kujton vëllezërit Bytyqi: Serbia vazhdon t’i dekorojë kriminelët e luftës

    ​Haradinaj kujton vëllezërit Bytyqi: Serbia vazhdon t’i dekorojë kriminelët e luftës

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar vëllezërit Bytyqi në përvjetorin e rënies.

    Haradinaj ka thënë se shteti serb përpos që i ekzekutoi pa gjyq, vazhdon me injorimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës

    “Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, si shumë vëllezër e motra kishin lënë ëndrrën amerikane për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare në momentet më vendimtare për Atdheun. Shteti serb përpos që i ekzekutoi pa gjyq, vazhdon me injorimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë Vëllezërit Bytyqi”, ka shkruar Haradinaj.

  • Afati 15 ditor për dërgimin e komenteve, sipas IKD-së kufizon mundësinë e analizës së plotë të shtatë projektligjeve

    Afati 15 ditor për dërgimin e komenteve, sipas IKD-së kufizon mundësinë e analizës së plotë të shtatë projektligjeve

    Një afat prej 15 ditësh për dërgimin e komenteve kufizon mundësinë e analizës së plotë të projektligjeve nga palët e interesuara. Zgjatja e afatit siç e lejon Rregullorja për Standardet minimale për Procesin e Konsultimit Publik do të ndihmonte në përmirësimin e transparencës dhe gjithë përfshirjen më të madhe të palëve të interesuara dhe individëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre, raporton EO.

    Kështu u shpreh hulumtuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ariana Rexha gjatë prezantimit të raportit “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

    Sipas Rexhës, Rregullorja për Standardet minimale për Procesin e Konsultimit Publik, e cila ka qenë në fuqi deri më 29 qershor 2024, ka përcaktuar se “Për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 60 ditë kalendarike”, ndërsa Rregullorja e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës e redukton ketë afat në 30 ditë.

    Tutje, hulumtuesja e IKD tha që më 10 qershor 2024, Ministria e Drejtësisë në platformën e konsultimeve publike publikoi gjithsej shtatë projektligje për komente, gjashtë prej të cilave dilnin nga reforma sipas Deklaratës së Zotimeve si dhe Projektligjin për Realizimin e të Drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor. Kështu, sipas saj, përballë situatës kur publiku kishte 15 ditë pune afat për të dhënë komente në gjithsej 7 Projektligje, MD nuk shqyrtoi mundësinë e zgjatjes së afatit për komente, siç përcaktohet me Rregullore.

    Rexha theksoi se një afat prej 15 ditësh për dërgimin e komenteve kufizon mundësinë e analizës së plotë të projektligjeve nga palët e interesuara dhe se zgjatja e afatit siç e lejon Rregullorja e lartcekur do të ndihmonte në përmirësimin e transparencës dhe gjithë përfshirjen më të madhe të palëve të interesuara dhe individëve që dëshirojnë të japin kontributin e tyre.

    Poashtu ajo tha që një afat kaq i shkurtër mund të perceptohet si tendencë për minimizim të kritikave dhe shpejtim të procedurave për miratimin e ligjeve ashtu siç i ka paraqitur propozuesi.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të hënën, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”).

  • ​Shqetësuese/ Gjysma e skuadrave të Superligës pa stadiume

    ​Shqetësuese/ Gjysma e skuadrave të Superligës pa stadiume

    Pesë nga dhjetë skuadrat që do të garojnë në Superligën e Kosovës në futboll në edicionin 2024-25 janë pa stadiume dhe ndeshjet do t’i zhvillojnë në fusha jo adekuate, përkatësisht në ato që shfrytëzohen për stërvitjet e shumë skuadrave.

    Klubet si Drita, Gjilani, Prishtina, Ferizaj e Suhareka vazhdojnë të përballen me këtë problematikë të madhe dhe përfaqësuesit e këtyre klubeve kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë pasi kjo po i penalizon ato si në aspektin sportiv edhe në atë financiar.

    Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi thotë se ata në shumë raste janë të detyruar t’i ndalin stërvitjet para kohe për shkak të terminëve që kanë klubet tjera në të njëjtën fushë.

    “Ne vetëm këtë fushë e kemi, këtu stërviten të gjitha ekipet, këtu zhvillohen të gjitha ndeshjet…Prej orës tetë në mëngjes deri në orën tetë në mbrëmje kjo është e ngarkuar vazhdimisht. Kemi probleme për fushë, por shpresat janë, kryetari i komunës na ka premtuar që këtë vit fillon stadiumin e ri, po presim ne me dëshirë që ta kemi. Në Superligë jemi Ferizaji dhe na duhet më tepër të jemi në fushë, por ne nuk po mundemi për shkak të klubeve të tjera dhe po na duhet që sa më shpejtë ta përfundojmë stërvitjen”, tha Abazi.

    Edhe drejtori i Dritës, Feti Murseli thotë për KosovaPress se mungesa e stadiumit po i shkakton dëme të mëdha edhe financiare klubit.

    “Nuk është viti i parë që po e kalojmë këtë periudhë të vështirë në mungesa të stadiumit dhe infrastrukturës në qytetin tonë të Gjilanit. Është shumë e vështirë, e kemi përsëritur shumë herë, po na penalizon për shumë gjëra, si për ekipin e parë për stërvitje, për mungesën e zhveshtoreve, zyreve. Po ashtu po na penalizon edhe në pjesën financiare, nuk po e kemi mundësinë për të bërë reklama të mira për sponzorisues, për investitorë, shitjen e biletave e të gjitha të tjerat që përcillen në këtë drejtim”, ka thënë Murseli.

    Kurse, menaxheri i klubit të futbollit Gjilani, Drilon Sylejmani

    “Natyrisht humbjet janë të mëdha si në aspektin sportiv edhe në atë financiar pasi që kemi humbje të mëdha të reklamuesve potencial dhe po ashtu edhe të shitjes së biletave. Mirëpo, mund t’ua konfirmoj që edhe në aspektin sportiv është një vështirësi mjaftë e madhe organizative dhe gjithçka tjetër. Po ashtu duhet potencuar që kemi pasur jo pak probleme edhe me lëndimin e futbollistëve në fushën sintetike gjë e cila na ka penguar jashtëzakonisht shumë”, ka deklaruar Sylejmani.

    Sylejmani gjithashtu ka bërë të ditur se punimet në stadiumin e Gjilanit janë pezulluar përsëri dhe kjo për shkak se njëri nga ofertuesit është ankuar dhe nuk dihet se kur do të nisin punimet në ndërtimin e tij.

    Ndryshe, edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në futboll do të nis me 10 gusht, derisa Ferizaj dhe Suhareka janë dy skuadrat e reja që janë inkuadruar në Superligë nga Liga e Parë.

  • Mungesa e ashensorëve ua vështirëson qasjen në objekte

    Mungesa e ashensorëve ua vështirëson qasjen në objekte

    Në shumë objekte të kryeqytetit mungojnë ashensorët dhe infrastruktura e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara, që si pasojë, këta persona nuk mund të marrin shërbimet e nevojshme.

    Drejtues të Komunës së Prishtinës kanë bërë të ditur së mungesa e buxhetit po e pamundëson pajisjen e të gjitha objekteve me ashensor.

    Personat me aftësi të kufizuara po përballen me mungesë të infrastrukturës për qasje në objekte. Këtë e thotë për Radio Kosovën, Sabina Lloqani, e cila jeton e vetme me karrocë në një objekt në kryeqytet i cili nuk është i pajisur me ashensor.

    “Për sa i përket infrastrukturës, gjendja është shumë e keqe. Në objekte banesore nuk ka qasje në lift. Si pasojë e kësaj, personat me aftësi të kufizuara e veçanërisht ata në karrocë, nuk mund të dalin për të marrë shërbimet e nevojshme. Gjendja është e tmerrshme. Në disa ndërtesa nuk ka fare ashensorë e në disa të tjera nuk funksionojnë”, ka theksuar Lloqani.

    Në lidhje me këtë çështje, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës në një përgjigje me shkrim i tha Radio Kosovës se për sa i përket mungesës së ashensorëve kanë pranuar kërkesa të shumta por se problem vazhdon të mbetet mungesa e buxhetit.

    “Ju njoftojmë se në Komunën e Prishtinës ka një numër të lartë të ndërtesave që nuk kanë ashensorë, për të cilat jemi në dijeni të plotë. Megjithatë ne kemi buxhet të kufizuar dhe nuk kemi mundësi buxhetore që të arrihet punimi (montimi) i të gjithë këtyre ashensorëve. Momentalisht kemi mbi 80 kërkesa nga të cilat me buxhet të këtij viti arrijmë ta ekzekutojmë montimin e tyre në vetëm 7 lokacione! Gjithnjë nga viti 2012 kur kemi filluar me këtë lloj të kontratës, ne kemi pasur parasysh rastet me persona me aftësi të kufizuara”, kanë thënë nga kjo drejtori.

    Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbesin një ndër kategoritë më të diskriminuara në Kosovë. Kësaj kategorie po i shkelen të drejtat elementare të garantuara më ligj, për edukim, lëvizje të lirë dhe qasje në institucione publike.

  • Jude Bellingham e sheh Anglinë në finale me Spanjën

    Jude Bellingham e sheh Anglinë në finale me Spanjën

    Jude Bellingham është shprehur i bindur se Anglia do të kalojë në finale të Euro 2024.

    Tre Luanët nuk janë duke bindur me paraqitjet e tyre në këtë turne, pasi kanë kaluar kundërshtarët me shumë mund që nga faza e grupeve e deri në këtë të eliminimit direkt.

    Por, Bellingham është i bindur se Anglia do të kalojë në finale të Kampionatit Evropian, për të dytën herë radhazi, pas asaj të Euro 2020.

    “Finale Angli – Spanjë? Le të shpresojmë që të ndodhë kështu. Spanja ka luajtur shumë mirë në këtë Evropian, kështu që gjithçka është e mundur”, ka thënë fillimisht 21-vjeçari.

    “Gjithsesi unë jam i përqendruar vetëm tek Anglia ime, shokët dhe skuadra.

    Gjëja më e rëndësishme është që të kualifikohemi në finale.”

    “Ndaj Zvicrës zhvilluam ndeshjen më të mirë në Gjermani. Jam krenar për shokët e skuadrës, treguam karakter, cilësi që e shfaqëm edhe në goditjet e penalltive, pasi nuk e kishim të lehtë”, u shpreh më tej Bellingham.

    Anglia përballet në gjysmëfinale me Holandën të mërkurën e javës së ardhshme.

  • Krasniqit i hiqet kollarja para se të futet në sallë, reagon avokatja e tij

    Krasniqit i hiqet kollarja para se të futet në sallë, reagon avokatja e tij

    Jakup Krasniqi nuk është lejuar të futet në sallën e gjykimit të Dhomave të Specializuara në Gjykatën Speciale në Hagë i veshur siç kishte planifikuar.

    Sigurimi e ka detyruar atë ta heqë kollaren, siç ka bërë të ditur në krye të seancës Venkateswari Alagendra, avokatja e Krasniqit.

    “Z. Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr, a mund të dimë pse ia kanë hequr??” ka pyetur Alagendra teksa kryegjyqtari Charles Smith iu përgjigj se “nuk e ka haberin” dhe se do të interesohet për këtë çështje.

    Më tej, mbrojtësja e tij ka bërë të ditur se Krasniqi e ka vënë edhe më herët të njëjtën kollare në sallën e gjykimit prandaj është e pakuptueshme arsyeja e mos-lejimit të hyrjes në DhSK me të njëjtën veshje.

    Dihet se gjerë më sot, Krasniqi është shfaqur në Speciale me një kollare kuq e zi dhe me shqiponja, të cilën me raste e pati vënë edhe Nasim Haradinaj.

  • Tërmeti godet rajonin e Ohrit, ja sa shkallë të Rihterit ishte

    Tërmeti godet rajonin e Ohrit, ja sa shkallë të Rihterit ishte

    Një tërmet me intensitet 3.2 gradë sipas shkallës Rihter është regjistruar mbrëmë në zonën e Ohrit.

    Rrjeti sizmologjik i Maqedonisë së Veriut, në stacionet sizmologjike të instaluara në të gjithë territorin e vendit, i mirëmbajtur nga Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit Shkenca-Matematikë në Shkup, dje më 07.07.2024 në ora 22:52 ka regjistruar një tërmet, epiqendra e të cilit i përket zonës epi qendrore të Ohrit, 120 km në jugperëndim të Shkupit, me magnitudë lokale të Rihterit ML3.2, njoftoi Observatori Sizmologjik.

    Sipas të dhënave të deritanishme që disponon observatori, tërmeti është ndjerë nga popullata në qytetin e Ohrit dhe rrethinat e tij, me intensitet IV gradë sipas shkallës makrosizmike evropiane, si dhe në zonat kufitare me territorin e Shqipërisë./Alsat.mk

  • Paguhen 275 euro, punëtorët teknik të Kuvendit paralajmërojnë grevë nga nesër nëse nuk u rriten pagat

    Paguhen 275 euro, punëtorët teknik të Kuvendit paralajmërojnë grevë nga nesër nëse nuk u rriten pagat

    Punëtorët teknik në Kuvendin e Kosovës, kanë paralajmëruar veprime sindikale në rast se nuk merret parasysh kërkesa e tyre për rritje të pagave.

    Kjo është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

    Në shkresën që Azemi i ka drejtuar Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës, thuhet se punëtorët teknik marrin pagë prej 275 euro.

    “Ne punëtorët teknik në Parlamentin e Kosovës që juve ju krijojmë kushte për punë të përditshme, ose ankohuni në punën tonë, ose na mbështetni në kërkesën për rritje të pagave tona sepse nga java e ardhshme ne nuk do të ju ofrojmë shërbimet tona me pagat që i marrim nga 275 euro”.

    “Nga e marta fillojmë me veprimet tona sindikale konform ligjit mbi grevat, andaj nëse doni reagoni është edhe në interesin e juaj”, thuhet në shkresën drejtuar Grupeve Parlamentare.