ATV

Author: ATVLive

  • Haxhiu për konkursin e noterëve: Një nga proceset më transparente, s’ka asnjë ndikim të MD-së siç ka ndodhur në të kaluarën

    Haxhiu për konkursin e noterëve: Një nga proceset më transparente, s’ka asnjë ndikim të MD-së siç ka ndodhur në të kaluarën

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë për EO se konkursi për noterë është në fazën e përzgjedhjes dhe se ky ka qenë proces transparent, derisa sipas saj në të kaluarën kishte pasur ndërhyrje politike.

    Kreu i MD-së ka thënë se e kupton që ka mungesë të noterëve, mirëpo zotohet se procesi do të përfundojë në afat sa më të shpejtë.

    Haxhiu ka përmendur konkursin e vitit 2019, të cilën e kishte anuluar me ardhjen në krye të këtij dikasteri.

    “Çështja e provimit të noterisë, por edhe faza e përzgjedhjes së noterëve, kanë qenë konsideroj një nga proceset më transparente, për të cilat janë kujdesur që të mos ketë asnjë ndikim as nga brenda Ministrisë së Drejtësisë, qysh ka ndodhur në të kaluarën; më kujtohet në vitin 2019, kur i kishin futur duart nga niveli politik deri te zyrtarë civilë”, ka thënë Haxhiu.

    “Nuk kam vërejtur që ka një përpjekje ose një presion, që mund të më vijë mua, nga noterët aktualë që të mos e kryejnë detyrën dhe përgjegjësinë që kemi, sepse këtë nuk do ta tolerojmë. Unë e kuptoj që në Kosovë ka shumë pak noterë, mirëpo shumë shpejt iu garantoj që do procedojmë për përgjegjësitë që kemi”, ka thënë kreu i MD-së.

    Ministrja e Drejtësisë ka thënë se ka kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kushtet për pozitën e punës si noterë, ndërsa pjesa tjetër i ka plotësuar kriteret në përputhje me konkursin e hapur.

    “Komisioni për përzgjedhjen e noterëve, tashmë e ka përfunduar punën që e ka pasur në përgjegjësi, e ka dorëzuar raportin në të cilin theksohet puna që e kanë adresuar gjatë kohës së intervistimit të kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u licencuar për noterë”, ka thënë Haxhiu.

    “Sigurisht që ne shumë shpejt do të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që kemi, por më lejoni t’ju njoftoj që ky raport përmban atë që disa prej atyre kandidatëve, komisioni rekomandon që nuk i plotësojnë kushtet. Dhe në anën tjetër janë qindra të tjerë të cilët komisioni konsideron që i plotësojnë kushtet, prandaj në përputhje me këtë raport dhe në përputhje me përgjegjësitë e mia si ministre dhe me diskrecionin që kam ne shumë shpejt do të licencojmë noterët në mënyrë që të përmbushim obligim ligjor që kemi”, ka shtuar Haxhiu.

  • PDK e AAK të shqetësuar për akuzat e Qeverisë ndaj Kushtetueses, do t’i drejtohen sërish për projektligje të tjera

    PDK e AAK të shqetësuar për akuzat e Qeverisë ndaj Kushtetueses, do t’i drejtohen sërish për projektligje të tjera

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kritikuar qëndrimin e Qeverise së Kosovës sa i përket deklaratave akuzuese që kanë bërë në adresë të Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit shpalli dy projektligje dhe një vendim të Kuvendit si anti-kushtetues. Deputetë opozitarë, të cilët folën për Ekonomia Online, u shprehen të shqetësuar edhe për shkak se Qeveria nuk po i merr parasysh komentet e as rekomandimet BE-së.

    Gjykata Kushtetuese muajin që lamë pas e shpalli të pavlefshëm projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Ndërsa, në kundërshtim me Kushtetutën është shpallur edhe vendimi i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

    Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se si opozitë rrugë të vetme për të mbrojtur Kushtetutën kanë dërgimin e ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, sipas tij, qeveri është duke harton ligje që nuk janë në funksion të qytetarëve.

    “Ne nga fillimi në mungesë të votave që kemi pasur si opozitë nuk kemi pasur rrugë tjetër vetëm ta mbrojmë Kushtetutën përmes veprimeve duke dërguar ligjet në Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi parë që çdo herë ka qenë insistimi i Qeverisë aktuale që të bëjë ligje të fushatës dhe jo ligje që i hynë në funksion qytetarëve dhe normal që është dashur të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe kemi parë që edhe Ligji për Byronë por edhe ligjet tjera paraprake siç është Ligji Prokurorial dhe shumë ligje të tjera që janë ardhur në Komision për Legjislacion. Ne i kemi ngritur paraprakisht shqetësimet, ju kemi thënë se nëse me të vërtetë kemi interes për me pas funksion këtë ligj atëherë hajde ta harmonizojmë me Kushtetutën sepse e kemi një përshtypje që këtë ligj po e bëni për popullizëm apo për vota por jo për me shti në funksion andaj kjo po shihet se nuk e ka pasur serioz Qeveria aktuale ligjin sa i përket Byrosë”, ka thënë Beqa.

    Deputeti Beqa, ka shtuar se edhe ligji për KPK do të dërgohet në Kushtetuese, pasi sipas tij ky ligj është më shumë lojë numrash për zgjedhjen e kryeprokurorit se sa të bëjë reforma në drejtësi.

    “Por edhe në ligjin më herët që tani prapë do të shkoj në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli Prokurorial është më shumë lojë numrash qa ta zgjedhin kryeprokurorin se sa të bëjë reformën në drejtësi. Fatkeqësia jonë është që ne po flasim për luftim të korrupsionit por jemi në vitin e katërt të kësaj Qeverie që Kosova nuk ka kryeprokuror, ka vetëm ushtrues të detyrës. Por edhe ligjet e tjera që presin fatin e njëjtë si të ligjit të Byrosë, që do të shkojë nga kjo javë në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria është e paaftë që të hartojë ligje në harmonizim me Kushtetutën atëherë gjen arsyetim dhe alibi për t’i përdorur në fushatë, por e them edhe një herë se Mistria e Drejtësisë nuk ka qenë edhe një herë e sinqertë sa i përket këtij ligji edhe as kryeministri”, ka thënë ai.

    Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, ka thënë se qeveria është duke tentuar që edhe ligjet që miraton të i vë në funksion të politikave të tyre.

    Ajo ka thënë se nuk ka ndodhur në historinë e jetës politike në Kosovë që qeveritë të akuzojnë Gjykatën Kushtetuese për vendimet që merr.

    “Po dëshirojnë që edhe ligjet me i vu në funksion të politikave të tyre, politikat e Lëvizjes Vetëvendosjes sepse ne përplot këto ligje para se me kaluar, i kemi dhënë vërejtje dhe kemi thënë që këto ligje janë antikushtetuese dhe që nëse kalojnë do t’i dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ashtu ka vepruar opozita në fakt dhe është parë që opozita e kishte me të drejtë sepse ato ligje e kthyen prapë nga Gjykata Kushtetuese duke u konsideruar se janë antikushtetuese dhe shifni tash vrapimet e kësaj qeveri duke e akuzuar edhe Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka ndodh në historinë parlamentarizmit ose në jetën politike në Kosovë që në partitë politike me sulmuar edhe me atakuar edhe vendimet e gjykatës që është institucioni më i lartë kushtetuese dhe ligjor”, ka thënë ajo.

    Kadrijaj ka thënë se përkundër vërejtjeve që janë duke ju dhënë BE-ja, pushteti nuk është duke i marr parasysh ato dhe është duke proceduar ligje që janë antikushtetuese.

    Ajo ka thënë se edhe projektligjet për KPK, KPM dhe për Zyrtarët Publik, do të dërgohen për interpretim në Kushtetuese.

    “Po i shihni përkundër vërejtjeve edhe të gazetarëve por edhe të këshillave të zyrave të Këshillit Evropian që i ka dhënë në Kosovë pra po proceduar ligje që janë antikushtetuese. Po dihet paraprakisht që nuk janë në frymën evropiane sepse ne në Komisionin për Integrime Evropian në secilin projektligj kalon dhe ne e analizojmë se a është në përputhje dhe në ligjin e Bashkimit Evropian. Këta përkundër vërejtjeve dhe sugjerimeve prapë po i kalojnë këto ligje dhe normal që edhe këto ligje do të shkojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Këta tash le ta akuzojnë opozitën dhe gjykatën si pengesë në reformat sipas modelit të Lëvizjes Vetëvendosjes, sepse këta ende mendojnë që janë mbi pushtetin, ligjet, mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke u sjellë me arrogancën e numrave”, ka thënë ajo për EO.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta arrestuar Faton Hajrizin

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për ta arrestuar Faton Hajrizin

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe mediave për ta gjetur dhe arrestuar Faton Hajrizin, i cili është raportuar se është arratisur nga burgu i Smrekovnicës.

    “Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që për çdo informatë që ndërlidhet me personin në kërkim apo vendndodhjen e tije, të lajmëroj Policinë e Kosovës .

    Informatat për personin në kërkim, mund të dërgoni në Stacionin Policor me të afërt, përmes telefonit apo edhe përmes aplikacionit ,,Lajmëro Policinë””, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, i arratisuri është larguar nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë pasi kishte shfrytëzuar “të drejtën e vikendit”.

    Për largimin e tij nga institucioni është përgatitur letërrreshtimi dhe është njoftuar edhe policia.

    “Lidhur me rastin, deri në përfundim të hetimeve, është suspenduar oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A”. – njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës.

  • Marko Rosiqin, policia nuk e gjen në adresën e banimit

    Marko Rosiqin, policia nuk e gjen në adresën e banimit

    Përgatiti: Nora Luta

    Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me dhjetë vjet burgim Marko Roshiqin, për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanovcit. Roshiqit, qytetar nga Mitrovica e Veriut, gjykata i caktoi masën e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

    Por, ai një javë pas, nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës, e as Policia në veri nuk e ka hasur në adresën e banimit.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka caktuar edhe masën e paraburgimit, për të akuzuarin M.R. Me të caktuar masën e paraburgimit, menjëherë është lëshuar aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit dhe i është dërguar Stacionit Policor në Veri për ekzekutim. Nga Stacioni Policor në Veri, Gjykata është njoftuar se ka shikuar për ekzekutimin e aktvendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë, mirëpo nuk e ka hasur të akuzuarin në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, të cilat janë dërguar në Polici për veprime të mëtejme”, tuhhet në përgjigjen nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Avokati Mahmut Halimi përmes telefonit i ka thënë televizionit se nuk ka pasur asnjë kontakt me klientin e tij, që nga seanca kur ishte mbajtur fjala përfundimtare.

    Marko Roshiq, u dënua me 10 vjet burgim për veprën penale krim i organizuar, lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, përshkruhet se ai ishte përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, pasi me veturë kishte përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas, në rrobat e viktimës ishte gjetur një letër, me të dhënat e së njëjtës veturë.

    Sipas aktakuzës vetura ishte në pronësi të Roshiqit, dhe ai kishte përcjellë pas vrasjes edhe vëllain e Ivanoviqit. Aktgjykimi në këtë rast u shpall të premten e kaluar, dhe asnjëri nga të akuzuarit nuk ishin të pranishëm.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • ​248-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, xhamia “Bedri Kamberi” ngre flamurin amerikan në Prishtinë

    ​248-vjetori i Pavarësisë së SHBA-së, xhamia “Bedri Kamberi” ngre flamurin amerikan në Prishtinë

    Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në shenjë mirënjohje e falënderimi për të gjithë atë që ka bërë SHBA për popullin e Kosovës, xhamia “Bedri Kamberi” në Prishtinë ka ngritur sot flamurin amerikan.

    Hoxha i kësaj xhamie Labinot Maliqi duke shprehur mirënjohje të përzemërta ndaj SHBA-së është shprehur se Amerika ka luajtur rol të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës. Sipas tij miku aleati dhe vëllai ynë i madh janë Shtetet e bashkuara të Amerikës.

    Maliqi: Miku, aleati dhe vëllai ynë i madh janë SHBA-të

    Video:

    “Më 12 qershor festuam 25-vjetorin e Kosovës, ndërsa sot 4 korrik shprehim mirënjohjen tonë ndaj SHBA-së, vend që e bëri çlirimin e vendit tonë. Miku, aleati dhe vëllai ynë i madh janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Maliqi.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon 248-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve. /kp

  • ​Milani po e konsideron një lëvizje për yllin e Spanjës

    ​Milani po e konsideron një lëvizje për yllin e Spanjës

    “Sky Sport Italia” bën të ditur se Milani është i interesuar për Alvaro Moratan, i cili ka një klauzolë prej 13 milionë eurosh në kontratën e tij me Atletico Madridin.

    Alvaro Morata është një objektiv i ri i transferimit të verës për Milanin në sulm sipas Gianluca Di Marzios, raporton KosovaPress.

    Spanjolli ka një klauzolë prej 13 milionë eurosh të përfshirë në kontratën e tij me Atleticon dhe ai duhet të vendosë nëse do të konsiderojë një lëvizje në “San Siro”.

    Morata deklaroi dëshirën e tij për të qëndruar në Atletico Madrid në një postim të fundit në “Instagram|”, por sipas Di Marzios, sulmuesi synonte të mohonte një lëvizje të mundshme në Ligën Pro Saudite.

    Prandaj, një kalim te Milani mbetet në letra, por Morata me siguri do të vendosë për një transferim të mundshëm në “San Siro” pas Euro 2024.

    Një ish-sulmues i Juventusit, Morata është kapiteni i Spanjës në Euro. Ai shënoi 21 gola në 48 ndeshje me Atletico Madrid sezonin e kaluar.

    Milani është në kërkim të një qendërsulmuesi të ri pas largimit të Olivier Giroud, i cili i bashkohet LAFC si transferim i lirë.

  • ​Kuçi: Ushtria serbe po bën investime të mëdha në ushtarë dhe armë

    ​Kuçi: Ushtria serbe po bën investime të mëdha në ushtarë dhe armë

    Ushtria serbe kohëve të fundit po bënë investime të mëdha, duke përfshirë stërvitjet në shumë nivele të ushtarëve dhe furnizimin me armë. Përveç kësaj, Serbia po arreston shqiptar me pretendimin për krime lufte, si shenjë hakmarrje pas zbulimit të disa rasteve të spiunazhit që i ka bërë BIA në Kosovë.

    Kështu thotë hulumtuesi i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octapus”, Gurakuç Kuçi, në një intervistë për KosovaPress, teksa flet për taktikat që po përdor Serbia për të dëmtuar shtetin e Kosovës.

    Kuçi potencon se Vuçiq nuk do të tentojë të vijë në Kosovë pa leje, ngase është në dijeni se nuk mund të bëjë një gjë të tillë. Ndërkaq, lidhur e pankartat në veri me mbishkrimet “Mirë se vjen komandat” dhe të tjera të këtij lloji, Kuçi thotë se bëhen për të ngritjen e ultranacionalizmit serb, në rast të ndonjë aksioni të kenë përkrahje nga masa nga populli për veprimet e tyre kundrejt Kosovës.

    “Ushtria serbe realisht dhe shteti serb kohëve të fundit është duke bërë investime jashtëzakonisht të mëdha në ushtrinë e saj. Po ashtu, edhe në stërvitje në shumë nivele, duke filluar që nga zhytësit, pastaj për çështje ajrore dhe çështje tokësore, është duke u furnizuar me armë. Madje, së fundmi, në ditën e Vidovdanit, ka prezantuar edhe armët e blera nga Kina. Ndërsa, ka marrë edhe armë të tjera nga Rusia…Kështu që është duke u përgatitur për luftë dhe është duke paralajmëruar momente krize që do t’i shfrytëzon ajo vetë në të ardhmen. Duke bwrw veprime të njëjta vetë, po mundohet që çështjen e propagandës kinse po përgatiten për luftë vendet fqinjë të saj, kinse në këtë mënyrë po përgatitemi edhe ne. Andaj, në këtë mënyrë e ka përmendur edhe tek çështjen e dronëve në Kosovë. Sepse dronët që janë ngritur në Gjakovë, që kanë qenë mbi 4 mijë 800 metra, nuk kanë pasur asnjë lloj kërcënimi dhe nuk kanë qenë as afër kufirit, për ta kërcënuar Serbinë”, thotë Kuçi.

    Përveç këtyre, gjatë intervistës Kuçi tregon se Serbia është angazhuar që kohë pa kohë të arreston persona të caktuar nga Kosova, duke pretenduar se kanë bërë krime lufte. Këto veprime, Kuçi thotë se Serbia po i bënë për t’u hakmarrë për arrestimet e bëra për spiunazh kohëve të fundit.

    “Serbia e ka listën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka listën e njerëzve patriotë nga Kosova, të cilët kanë kontribuar vazhdimisht që Kosova ta arrijë lirinë e saj dhe ata kohë pas kohë, angazhohen që të arrestojnë njerëz të caktuar nga Kosova…Së fundi BIA serbe është angazhuar që jo vetëm të verifikojë, të angazhohet për arrestimin nëpërmjet policisë atje dhe formave të tjera të pjesëtarëve të UÇK-së, por edhe njerëzve të tjerë nga Bosnja e Hercegovina dhe shtete e tjera…Po ashtu, e kemi parë së fundi edhe që ka depërtuar desidentë rus dhe të vendeve të tjera të cilët janë kundrejt Putinit dhe pak a shumë janë kundër Qeverisë së Vuçiqit. Arrestimi i ushtarit të UCK-së është një lloj hakmarrje që është duke e bërë vazhdimisht sidomos pas zbulimit të disa rasteve të spiunazhit që i ka bërë BIA në Kosovë”, thekson Kuçi.

    Për KosovaPress, hulumtuesi i lartë në Octapus, Gurakuç Kuçi thekson se spiunazhi i Serbisë është pjesë e krimit ndërkombëtar dhe është e krijuar nga kriminelët që nga fillimet e saj.

    Ai shton se spiunët serbë janë të shtrirë në Kosovë, që para dhe gjatë viteve të 90′, porse tregon se kanë mbetur edhe pas luftës.

    “Spiunazhi i Serbisë është pjesë e krimit ndërkombëtar dhe vetë spiunazhi i Serbisë UDB-ja, tani BIA, është e krijuar nga kriminelët dhe është e përbërë nga kriminelët që nga fillimet e saj. Ata kriminel janë në gjendje se çfarëdo lloj ta bëjnë dhe nuk e kanë problem çështjet etike. Përderisa, Kosova dhe vendet normale kanë shërbime të sigurisë të cilat janë në mbrojtje të shtetit, ata e kanë të kundërtën. Shërbimet e tyre të sigurisë kanë veprime deri në vrasjen e njerëzve…Spiunët e tyre janë të shtrirë në Kosovë, që para viteve të 90′ , gjatë viteve të 90′ , po ashtu kanë mbetur edhe pas luftës. Është shfrytëzuar shumë mundësia kur ka qenë koha e UNMIK-ut dhe KFOR-it, kompetencat kanë qenë ekskluzivisht te këto palë dhe në këtë mënyrë ata e kanë shtrirë rrjetin e vet, që u pa me rastin e fundit të Aleksandër Vllaiqit që ata kanë pasur marrëdhënie të mira edhe me shumë organizata ndërkombëtare që janë me seli në veri të vendit”, potencon Kuçi për KosovaPress.

    Krejt në fund, Kuçi komentoi mbishkrimet në veri “Mirë se vjen komandant”, për çka thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk mund të hyjë në Kosovë pa leje dhe se nuk do të tentojë të vijë.

    Ai u shpreh se këto pankarta dhe të tjera të ngjashme, janë çështje serioze dhe të mirëmenduara të Serbisë për të ngritur ultranacionalizmin, kështu duke fituar përkrahjen nga populli serb për veprime kundrejt Kosovës.

    “Vuçiq e din që nuk mund të vijë pa leje në Kosovë dhe nuk do të tentojë ta bëjë atë. Por, këto pankarta që janë shfaqur në veri janë shfaqur edhe në Beograd të ngjashme dhe nuk janë të reja…Të gjitha këto janë përgatitje e ngritjes së ultranacionalizmit serb që të jenë të gatshme që në ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe ne çfarëdo lloj aksioni, shteti serb të ketë një përkrahje nga masa, nga populli për veprimet e tyre kundrejt Kosovës. Këto janë çështje serioze dhe nuk janë çështje sporadike, janë të menduara mirë”, tregon Kuçi.

  • ​Pronarët rusë të pronave për pushime në bregdetin bullgar zvogëlohen

    ​Pronarët rusë të pronave për pushime në bregdetin bullgar zvogëlohen

    “Rusia e vogël” qëndron pas “Bullgarisë së re” dhe “Evropës së plakur” në tregun e pronave për pushime përgjatë bregut bullgar të Detit të Zi.

    Gjysma e blerësve të apartamenteve për pushime buzë detit janë bullgarë me të ardhura të larta deri në 30 vjeç, të cilët punojnë kryesisht në sektorin e IT, dhe pjesa tjetër janë pensionistë nga Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda.

    Banesat me dy dhoma në komunitetet e mbyllura janë më të kërkuara dhe çmimet mesatare fillojnë nga 1900 euro për metër katror. Tarifat e mirëmbajtjes në komunitetet e mbyllura nuk janë më befasuese për blerësit, të cilët aktualisht janë të prirë të shpenzojnë 60-70 BGN në muaj për mirëmbajtjen e pishinave, palestrave të fitnesit dhe këndeve të lojërave për fëmijë. Investitorët ukrainas po hyjnë në tregun e sapondërtuar të banesave bregdetare në Bullgari.

    Kjo pamje e tregut bullgar të pronave bregdetare në kulmin e verës u prezantua nga anëtarët e Bordit Drejtues të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme Atanas Argirov dhe Stefka Kalçeva në intervista për BTA.

    Me rritjen e konsiderueshme të çmimeve të banesave në Varna gjatë dy viteve të fundit, blerësit priren të kërkojnë pronë për pushime të cilën mund ta përdorin si shtëpinë e tyre të parë. Çmimet e banesave në qytetin më të madh bregdetar të Bullgarisë, i vendosur në pjesën veriore të bregut të Detit të Zi të vendit, janë rritur me 60% në rreth dy vjet, ndërsa çmimet e pronave për pushime janë rritur me 25%. Prandaj, 20% e njerëzve që kërkojnë një shtëpi të parë zgjedhin prona për pushime.

    Shumë blerës preferojnë pasuri të paluajtshme në dhe përreth vendpushimit të Shën Konstandinit dhe Helena, i cili është bërë një pjesë strukturore e qytetit të Varnës. Resorti tani ka më shumë ndërtesa banimi sesa hotele.

    Apartamentet me dy dhoma janë më të njohurit, duke zënë 40% të blerjeve të pasurive të paluajtshme në Varna.

    Jugu

    Në zonën e Burgasit në pjesën jugore të bregdetit bullgar, interesi për pronat e pushimit po rritet dhe gjysma e marrëveshjeve janë me blerës bullgarë. Gjysma tjetër është me njerëz nga Gjermania, kryesisht pensionistë që fillimisht kanë jetuar këtu me qira. Njerëz nga Polonia, Çekia dhe Izraeli (kryesisht hebrenjtë rusë) tregojnë interes për blerje të tilla. Këta blerës të rinj kanë mbushur pjesërisht boshllëkun e krijuar nga rusët që shitën pronat e tyre të paluajtshme në zonën e Burgasit. Shumë rusë më mirë do të kishin qëndruar në Bullgari, por ata u përballën me probleme të vizave dhe transportit, të cilat ngritën një pengesë të pakapërcyeshme për përdorimin e shtëpive të tyre verore këtu.

    Çmimet e pronave për pushime në afërsi të Burgasit nuk tregojnë ndonjë rritje të prekshme nga viti në vit, vetëm një 5-6% modeste që përputhet me inflacionin. Aktiviteti i shitjeve në 2023 dhe 2024 ka qenë i barabartë, pa kulme të mëdha. Pritjet janë që çmimet të rriten me 2-3% të mëtejshme deri në fund të vitit 2024, gjë që do ta vendosë rritjen vjetore midis 4% dhe 8%.

    Si zakonisht, njerëzit që kërkojnë të blejnë prona për pushime në shtrirjen jugore të vijës bregdetare bullgare janë më të tërhequr nga vendpushimet e Sozopolit, Nessebarit, Sunny Beach dhe Primorsko. Një komunitet gjerman është vendosur për një kohë të gjatë në Aheloy. Ata investojnë kryesisht në prona të mbyllura. Ukrainasit janë të interesuar të blejnë banesa në qytetin e Burgasit.

    Ukrainasit janë padyshim një faktor tregu në Burgas pasi ata janë të përfshirë në 30% të blerjeve të pronave për pushime.

    Pomorie u bën thirrje polakëve, gjermanishtfolësve dhe ukrainasve. Sozopol dhe Nessebar janë në pjesën e sipërme të renditjes, së bashku me Ravda dhe Sveti Vlas. Afërsia me detin është një nga faktorët më të rëndësishëm të çmimit. /BTA

  • Rasti Thaçi dhe të tjerët, pranohen me shkrim deklaratat e disa dëshmitarëve

    Rasti Thaçi dhe të tjerët, pranohen me shkrim deklaratat e disa dëshmitarëve

    Me vendim të trupit gjykues, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është marrë vendim që të pranohen me shkrim deklaratat e disa dëshmitarëve.

    Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle i cili tha se në njërën prej këtyre rasteve kishe ngritur shqetësime mbrojtja lidhur me disa prova që kishin të bënin me pretendimet kundër Thaçit dhe Krasniqit. Megjithatë, trupi gjykues e kishte pranuar deklaratën e tij, Betimi për Drejtësi.

    “Në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, më 28 qershor, Trupi Gjykues lëshoi një vendim në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të një dëshmitari dhe provat materiale në lidhje me të. Mbrojtja ngriti shqetësime lidhur me një pjesë të provave, veçanërisht pjesën e cila ka të bëjë me pretendime kundër Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaçit. Trupi Gjykues vuri në dukje se deklarata e dëshmitarit nuk përfshin asnjë pretendim për të cilat u shqetësua Mbrojtja dhe e pranoi si provë”, tha Doyle.

    Sipas Doyle, trupi gjykues kishte konstatuar se provat janë relevante për akuzat dhe nuk i shkaktojnë dëm mbrojtjes e po ashtu do të iu jepej mundësia këtyre të fundit që t’i bëjnë pyetje dëshmitarit në sallën e gjyqit.

    “Gjithashtu, Trupi Gjykues konstatoi se provat janë relevante për akuzat dhe nuk i shkaktojnë dëmtim padrejtësisht Mbrojtjes, duke qenë se Mbrojtja do të ketë mundësinë t’i bëjë pyetje dëshmitarit në sallën e gjyqit para se të pranohen provat Trupi Gjykues do të vendosë çfarë peshe do t’u kushtojë provave në kuadër të provave përkatëse të paraqitura gjatë gjykimit. Në të njëjtin vendim, Trupi Gjykues u bind se qëllimi i Prokurorisë për të parashtruar dëshminë me shkrim të dëshmitarit do të kontribuonte në kryerjen e shpejtë të procesit”, tha ai.

    Ndërsa, ai tha se më 2 korrik është marrë vendimi që të pranohen deklaratat me shkrim të nëntë dëshmitarëve të tjerë.

    “Më 2 korrik, Trupi Gjykues pranoi si prova deklaratat me shkrim të nëntë dëshmitarëve të tjerë. Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën për të pranuar si provë deklaratën me shkrim të dëshmitarit të dhjetë, duke konstatuar se nëse Mbrojtjes nuk i jepet mundësia për të marrë në pyetje këtë dëshmitar, kjo mund të ketë efekt dëmtues ndaj të akuzuarve”, tha ai.

    Duke folur për këtë çështje gjyqësore, Doyle tha se trupi gjykues ka urdhëruar prokurorinë që t’i paraqes atyre dhe palëve në procedurë një listë me tema dhe aspekte që do të diskutohen gjatë marrjes në pyetje të një dëshmitari tri ditë para se të fillojë dëshminë ai.

    “Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë t’u paraqesë Trupit Gjykues, Mbrojtjes dhe Mbrojtësit të Viktimave një listë me tema dhe aspekte të përgjithshme që do të diskutohen gjatë marrjes në pyetje, tri ditë para fillimit të dhënies së dëshmisë së çdo dëshmitari, deklarata e të cilit pranohet me shkrim në vend të marrjes në pyetje në sallë të gjyqit”, tha ai.

    Zëdhënësi i DhSK-së, tregoi edhe për mbarëvajtjen e seancave në këtë çështje gjyqësore duke specifikuar se të hënën filloi dëshminë dëshmitari Bislim Zyrapi të cilit iu angazhua edhe avokat.

    “Në të njëjtën çështje gjyqësore, të hënën, dëshmitari i 75-të i thirrur nga Prokuroria filloi dhënien e dëshmisë. Dëshmitari, Bislim Zyrapi, gjatë dhënies së dëshmisë po ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar për të shmangur rrezikun e vetinkriminimit. Z. Zyrapi dëshmoi të martën, të mërkurën dhe sot paradite.”, tha ai.

    Ai shtoi se pas Zyrapit filloi dëshminë një dëshmitar tjetër për të cilin ZPS-ja pretendon se është arrestuar nga anëtarët e UCK-së ndërsa kushëriri i tij ishte rrëmbyer.

    “Pas tij një dëshmitar tjetër me masa mbrojtëse filloi dhënien e dëshmisë sot Sipas përmbledhjes së Prokurorisë në gjykatë, më 1998, anëtarë të UÇK-së rrëmbyen të afërmin e dëshmitarit, kufoma e të cilit u zbulua më vonë atë vit. Në të njëjtin vit, edhe dëshmitari u ndalua dhe u keqtrajtua nga anëtarë të UÇK-së”, tha ai duke shtuar se Zyrapi do ta vazhdojë dëshminë e tij të hënën me 8 korrik.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • E rëndë në Korçë! Zjarr brenda banesës, gruaja hidhet nga kati i katërt

    E rëndë në Korçë! Zjarr brenda banesës, gruaja hidhet nga kati i katërt

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në lagjen 10 të qytetit të Korçës, ku një grua ra nga kati i katërt i pallatit.

    Kur ballkoni i një apartamentit të saj është përfshirë nga flakët, e zonja e shtëpisë është rrëzuar në përpjekje për të shpëtuar. Më pas, gruaja ka dalë jashtë ballkonit dhe është përpjekur të mbahet tek kondicioneri i katit të tretë por ka rrëshkitur dhe është rrëzuar.

    Aktualisht, ndodhet në gjendje të rëndë dhe u transportua për në spital për të marrë ndihmën mjekësore.