ATV

Author: ATVLive

  • Deri më 2084 do të rritet popullsia e botës, pastaj do të fillojë rënia

    Deri më 2084 do të rritet popullsia e botës, pastaj do të fillojë rënia

    Më shumë se tetë miliardë njerëz aktualisht jetojnë në tokë. Por rritja po ngadalësohet. Pika kulmore e rritjes pritet të arrihet në vitet 2080, sipas një parashikimi të ri të OKB-së.

    Vetëm nga viti 2084 popullsia e botës do të tkurret sërish, në pak më pak se dhjetë miliardë njerëz. Kjo del nga parashikimi i ri i popullsisë së botës që Kombet e Bashkuara (OKB) e publikuan këtë javë. sot në Ditën Botërore të Popullsisë në Nju-Jork.

    Edhe Instituti Federal për Kërkimin e Popullsisë (BiB) në Gjermani i prezantoi disa tendenca. Sipas studiuesve, gratë në mbarë botën kanë mesatarisht një fëmijë më pak sot se në vitin 1990. Rënia e lindjeve ka prekur të gjitha rajonet në dekadat e fundit, thonë ata. Aktualisht, gratë në mbarë botën kanë mesatarisht 2.2 fëmijë.

    Megjithatë, për shkak të inercisë së proceseve demografike, kjo do të zgjasë deri në vitin 2084 para se popullsia botërore të arrijë maksimumin e saj. Pas kësaj, numri në rënie i lindjeve pritet të kapërcehet nga numri në rritje i vdekjeve. Popullsia e botës jo vetëm që do të plaket, por edhe do të fillojë të tkurret.

    Struktura e moshës është jashtëzakonisht e re në Afrikën Sub-Sahariane

    Frank Swiaczny nga BiB e sheh Afrikën Sub-Sahariane – d.m.th. vendet në Afrikë që shtrihen në jug të Saharasë – si një rajon kyç për rritjen e popullsisë në dekadat e ardhshme. Ndërkohë që një numër në rritje vendesh po regjistrojnë numër më të lartë vdekjesh, niveli i lindjeve aty është ende mesatarisht 4.3 fëmijë për grua. Deri në fund të shekullit, ky rajoni do të vazhdojë të shënojë rritje popullsie, nga sot 1.2 në 3.4 miliardë njerëz, edhe nëse lindshmëria bie në dy fëmijë për grua.

    Arsyeja e rritjes së popullsisë në Afrikën Sub-Sahariane qëndron në strukturën e moshës jashtëzakonisht të re, shprehet Jan Kreutzberg, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Gjerman për Popullsinë Botërore (DSW). Në këtë rajon të botës, ku më shumë se 40 për qind e njerëzve janë nën 15 vjeç, shumë vajza lindin fëmijë shumë herët dhe shpesh më shumë fëmijë sesa mund të kujdesen për ta. Përveç kësaj, në shumë raste, shtatzënia në adoleshencë nënkupton fundin e jetës shkollore, duke u privuar grave dhe vajzave mundësinë për t’u arsimuar dhe për të fituar të ardhura të pavarura.

    Të drejtat e barabarta për gratë nuk janë vetëm thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të popullsisë në Afrikën Sub-Sahariane, thekson Catherina Hinz, Drejtore e Institutit të Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin: “Vetëm nëse vajzat dhe gratë kanë qasje të barabartë në arsim, punë dhe kujdes shëndetësor, ato mund të bëjnë një jetë me vetëvendosje, sidomos kur bëhet fjalë për planifikimin familjar.” /dw/

  • Argjentina fituese Kupës së Amerikës, Messi zgjeron rekordin si lojtari më i dekoruar në histori të futbollit

    Argjentina fituese Kupës së Amerikës, Messi zgjeron rekordin si lojtari më i dekoruar në histori të futbollit

    Argjentina ka arritur që ta mbrojë titullin e ‘Copa America’, duke e mposhtur në finale kombëtaren e Kolumbisë, raporton Sinjali Sporti.

    Kombëtarja e Messit triumfoi me rezultat minimal 1-0 në duelin final.

    Koha e rregullt u mbyll pa gola, për t’u vendosur një gol vendimtar nga sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, i cili realizoi në minutën e 112-të të vazhdimeve.

    Për Messin ishte një dëshpërim pasi u desh të linte fushën në minutën e 66-të pas një lëndimi.

    Sidoqoftë, argjentinasi shtoi edhe një trofe në koleksionin e tij, duke e zgjeruar rekordin e tij si lojtari më i dekoruar në histori të futbollit me 45 tituj.

  • Edhe sot mot jashtëzakonisht i nxehtë, kaq arrijnë temperaturat

    Edhe sot mot jashtëzakonisht i nxehtë, kaq arrijnë temperaturat

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë.

    Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 10-35 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 18 deri në 21°C, ndërsa ato maksimale prej 35 deri në 38°C.

    Keni kujdes nga rreziku i dehidrimit dhe goditjes së nxehtësisë nëse qëndroni jashtë për periudha të gjata kohore.

  • Spanja shkruan histori, bëhet kombëtarja e vetme me katër trofe evropianë

    Spanja shkruan histori, bëhet kombëtarja e vetme me katër trofe evropianë

    Spanja ka bërë histori me triumfin në Euro 2024, pasi mposhti Anglinë me rezultat 2-1, për t’u bërë kombëtarja e vetme që ka katër trofe evropian, shkruan Telegrafi.

    Ndeshja filloi me ritëm të qetë, me dy kombëtaret që studionin nga afër lojën e njëra-tjetrës.

    Por, Spanja filloi të dominonte – duke shfaqur më shumë nga loja, ndërsa anglezët prisnin nga kundërsulmet.

    Kishte edhe nga ato momentet kur lojtarët debatonin, siç ishte rasti në minutën e 24-të mes Bukayo Sakas dhe Dani Carvajal, me këtë të fundit që i bëri me gjeste që të luante dhe të mos vajtonte.

    Anglia luante shumë e ngjeshur në mbrojtje dhe kishte vështirësi që të dilte përpara.

    Në anë tjetër Spanja duk ia doli ta thyente mbrojtjen e Tre Luanëve, ndërsa këta të fundit regjistruan rastin e parë serioz në minutën e 45+1-të.

    Pjesa e dytë nisi më i mirë për Spanjën, që ia dolën të shënonin golin e epërsisë me anë të Nico Williams (47’), që u asistua prej Lamine Yamal.

    Por, Tre Luanët u aktivizuan më shumë në sulm, madje edhe trajneri Southgate e dinte se duhej të reagonte me zëvendësime.

    Nga këto ndryshime, Cole Palmer që zëvendësoi Kobbie Mainoon, realizoi super gol nga distanca në minutën e 73-të me një asistim të Jude Bellingham.

    Por, Spanja ishte sërish më dominuese, duke ia dalë që të shënojnë golin e fitores.

    Marc Cucurella e gjeti në mënyrë perfekte Mikel Oyarzabalin, që ia doli të rikthente epërsinë në 2-1 në minutën e 86-të.

    Anglia pati goditje të njëpasnjëshme në fund, por që mbrojta e Furisë e Kuqe nuk u thye dhe ia doli të fitojë Kampionatin Evropian.

  • Ura e lagjes “Kalabria” e stërmbushur me mbeturina

    Ura e lagjes “Kalabria” e stërmbushur me mbeturina

    Përgatiti: Sara Shehu

    Është vetëm 4 kilometra larg qendrës së Kamenicës. Mirëpo në Busovatë, banorët ankohen se e kanë infrastrukturën e dobët, sikur të jetonin diku thellë në mal.
    Në këtë fshat ku jetojnë afër 500 banorë, akoma ka rrugë të dëmtuara dhe plot gropa.

    Banori, Basri Maliqi thotë se komuna u ka premtuar që sivjet do të përmirësohet gjendja infrastrukturore e rrugicave.

    “Ktu kanë jetu bab e babgjysh domethënë ne këtë fshat qe moti kohë është kjo gjendje. Këto rrugica me ra shi apo dicka krejt uji del n rrugë kryesore. Na kanë thane që kanë me i shtru këtë vitë po sa realizohet te shohmi. Për momenti rruga është qeshtu qysh po e shihni”, tha Maliqi.

    Gjendje e njëjtë është edhe në disa rrugica të tjera të fshatit.

    Se ka nevojë të intervenohet në atë pjesë, thotë edhe nënkryetari i komunës, Faton Jakupi.

    “Kemi bërë punë të mira për këtë 6 mujorsh në infrastrukturë. Jemi në fazën finale të asfaltimit të rrugëve lokale. Kemi investuar edhe në trotuare. Ka kërkesa për rregullimin e rrugëve do të intervenojmë edhe në Busovatë e të tjera. Pra jemi në ditët finale të procedurave për kontratën e rrugëve lokale që kanë vlerë prej 2 milion euro”, tha Jakupi.

    Pushteti lokal në Kamenicë thotë se është duke investuar edhe në përmirësimin e gjendjes infrastrukturore nëpër fshatra të Malësisë, ku kostoja e projektit është mbi 5 milionë euro.

  • Temperatura e asfaltit arrin deri në 58 gradë celcius

    Temperatura e asfaltit arrin deri në 58 gradë celcius

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Gjelbërimi dhe prezenca e drunjve po e bëjnë diferencën në përballim të vapës së këtyre ditëve në Prishtinë.

    Dhe dallimi, sipas një pajisje që e matë temperaturën rrugore, është mbi 20 gradë.

    Temperatura mesatare që duhet të ketë asfalti është 32 gradë celsius.

    Dyfishimi i temperaturës së rrugëve, sipas ekspertit të komunikacionit Bekim Ahmeti, ndikon negativisht në shumë aspekte.

    “Këtu po shihet edhe zbathur të ecësh t’i sos këmbët…natyrisht vjen deri te dëmtimi i rrugës, por edhe të nxehtësia e gumave të cilat munden me përlcit, nxehtësia e motorit…”, tha Ahmeti.

    Prandaj, ambientalistët thonë se mungesa e hapësirave më gjelbërim po konsiderohet një prej arsyeve pse rrugët kalojnë nxehtësinë mesatare.

    “Mungesa e tyre bënë që rrezet e diellit të depërtojnë direkt në tokë nuk ka pjesë ku mund t’i ndalë rrezet e dëmshme…ta absorbojnë”, tha Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”.

    Për t’i ikur valës së të nxehtit, Ministria e Infrastrukturës nga sot ka kufizuar orarin e qarkullimit të mjeteve të rënda deri në 7.5 tonë.

    Kështu, gjatë pikut të vapës, nga ora 11:00 e deri në 17:00, ndalohet qarkullimi i tyre në rrugët rajonale e nacionale.

    Ndërkaq, sipas Institutit Hidrometeorologjik, edhe gjatë javës së ardhme, vendi do të përballet me temperatura të larta deri në 38 gradë celsius.

  • Rivarrosen eshtrat e Gani Balecit, i zhdukur në luftë

    Rivarrosen eshtrat e Gani Balecit, i zhdukur në luftë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ylber Baleci, ishte vetëm 10 vjeç kur e pa babain e tij për herë të fundit.

    Për fatin e Gani Balecit, nuk ditën gjë prej marsit të 1999-ës, kur ai u zhduk nga forcat serbe.

    Në atë periudhë Ganiu, po merrte tretman mjekësor në spitalin e Prishtinës, pasi që pësoi aksident derisa po punonte në tokën e tij në fshatin Çikatove e Re, të komunës së Drenasit.

    “Ka punua me multikutivator, e kur u shku me i kthy do sene me ja dergu dikujt, u praptu me traktor, në ato momente e kanë taku do mjek e kanë çu në Drenas, masanej e kanë pru te shpija edhe e kanë dërgua në Prishtinë, edhe e kanë shti menjëherë në operacion dhe të nestrmen krisi lufta dhe nuk kemi pas kontakt më të as sen”, tha Ylber Baleci, i biri i Gani Balecit.

    Familja Baleci thotë se nuk ndaloi së shpresuari për zbardhjen e fatit të Ganiut.

    Eshtrat e tij u gjetën në tëtorin e vitit të kaluar, në lagjen Mati 1 të Prishtinës, ndërsa u vërtetua identiteti, disa muaj më parë. Në atë lokacion, ishte gërmuar katër herë.

    “Rikthimi në 2023, Gjatë gërmimeve në muajin maj, kemi hasur në mbejte mortore të një viktimes së luftës, e me që në listen e personave të zhdukur, ishin dy raste që ndërlidheshin më ketë lokacion, u rikthyem në tetor të 2023, u arrit të gjetën edhe eshtra të tjerë që pas analizave u konfirmuan se I përkasin viktimes së luftës Gani Baleci”, tha Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

    Të dielën u organizua ceremonia e rivarrimit të Gani Balecit. Familjarët thonë se kanë ndjenja të përziera për këtë rast.

    “Emocion I gëzueshëm por edhe idhnueshëm, se pas 25 vjeteve po e dijm ku kemi me varros e ku I kemi eshtrat”, tha Ylber Baleci.

    Ndërkaq, tash e 25 vjet, familjarët e të pagjeturve ende presin që të zbardhet fati i mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës.

  • Moshimi i popullsisë, alarm për të ardhmen

    Moshimi i popullsisë, alarm për të ardhmen

    Përgatiti: Armand Hoti

    Popullsia në Kosovë, u vjetërsua për thuajse pesë vjet, krahasuar me vitin 2011.

    Të dhënat e preliminare të Regjistrimit të Popullsisë, tregojnë se 13 vite më parë, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë, ishte 29.75 vjet.

    Ndërsa sivjet, mosha mesatare e kosovarëve është 34.82 vjet.

    “Mosha mesatare është 34.82 vjeç (rritje për 4.85 vjet), krahasuar me vitin 2011, ku mosha mesatare e popullsisë ishte 29.97 vjeç”, thuhet njoftimin e ASK.

    Demografi Sami Behrami thotë se moshënimi i popullsisë përbën indikator negativ për të ardhmen.

    “Tregon lëvizje shumë të pavaforshme të kësaj komponete demografike. Duke filluar nga moshnimi i kontigjentit të punës, deri të zvoglimi i nxënsve në nivelin e arsimit, e deri te rritja e shpenzimeve në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale”, tha Behrami.

    Mirëpo, Kosova ende prinë si shteti me popullin më të ri në rajon.

    Demografi Behrami përmend rënien e natalitetit si shkak kryesor i rritjes së moshës mesatare të popullsisë në Kosovë. Por e ndërlidhë edhe me emigrimin e moshave të reja me kapacitete riprodhuese.

    “Faktori i parë është zogëlimi i kontigjentit të lindjeve të grupmoshave të reja, favorizon rritjen e grupmoshave të vjetra. Gjithashtu një faktor shumë i rëndësishëm që ka ndikuar në këtë trend të moshnimit demografik në Kosovë është edhe emigrimi i popullsisë”, tha Behrami.

    Ndërkohë, sociologu Avdyl Gashi e vëzhgon me shqetësim rritjen e moshës mesatare të popullsisë.

    “Pasojat e plakjes së popullsisë, përfshinë kërkesën gjithnjë e më të madhe ekonomike dhe sociale të sistemit, pastaj uljen e fuqisë punëtor, uljen e inovacionit dhe produktivitetit kur dihet që kjo grup-moshë e popullsisë është më invovativja më produktivja”, tha Gashi.

    Sociologu Gashi thotë se shteti duhet të aplikojë politika, që do t’i mbanin të rinjtë në Kosovë.

  • Prokuroria në Mitrovicë të Veriut, në kushte të papërshtatshme pune

    Prokuroria në Mitrovicë të Veriut, në kushte të papërshtatshme pune

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ky objekt në Lagjen e Boshnjakëve, iu dha në shfrytëzim Prokurorisë Themelore të Mitrovicës së Veriut, gati një dekadë më parë.

    Në hapësirat e ndërtesës me sipërfaqe vetëm 1500 metra katrorë, prokurorët dhe pjesa tjetër e stafit vazhdojnë angazhimin, duke u detyruar që një pjesë të madhe të dokumenteve t’i vendosin kudo.

    Sipas zyrtarëve që punojnë këtu, objekti nuk i plotëson as për së afërmi kushtet për punë.

    “Momentalisht nuk i plotëson kushtet për punë, sepse ai ka qenë objekt privat, por që është kthyer në prokurori”, tha zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë të Veriut, Valon Preteni.

    Për shkak të kushteve të papërshtatshme dhe qirasë së lartë prej mbi 10 mijë eurosh në muaj, Këshilli Prokurorial kishte planifikuar zhvendosjen në një objekt tjetër, por në terren ende nuk ka ndryshuar gjë.

    “Ne shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet, sepse është prioritet i Këshillit Prokurorial, jemi me shpresë që të gjendet një zgjidhje”, tha Preteni.

    Pyetjeve të televizionit për një afat kohor se kur do të mund të gjendet një zgjidhje, nuk i janë përgjigjur zyrtarët e Këshillit Prokurorial e as ata të Ministrisë së Drejtësisë apo Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

  • Me ardhjen e vizitorëve, u ngritën çmimet në lokalet e gastronomisë

    Me ardhjen e vizitorëve, u ngritën çmimet në lokalet e gastronomisë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Së bashku me babanë dhe fëmijët e tij, Antonio Cardilio, nga Italia bën një shëtitje përgjatë sheshit të kryeqytetit.

    Cardilio viziton Kosovën për herë të dytë, mirëpo këtë vit ai mbeti i habitur me çmimet e larta në lokalet e gastronomisë.

    “Kosova na pëlqen, vijmë shpesh këtu por nuk e di pse po e shfrytëzojnë këtë sezon për ngritje çmimesh, nuk është mirë, secilin vit po shtrenjtohen produktet më shumë”, tha Cardilio.

    Nga 80 centë apo 1 euro sa ishte më parë, aktualisht një kafe kushton deri në 1 euro e 50 centë.

    Ky çmim po duket marramendës për vendasit, të cilët druajnë se çmimet do të mbesin të larta edhe pas sezonit veror.

    “Katastrofë bre, një kafe e ki 70 centë n’deti a këtu 1.50, janë tranu, na nuk mujmë me ia dalë, jo veç lokalet, po krejt senet i kanë shtrenjtua, po pësojmë ne këtu”, tha Ismet Gashi, qytetar.

    Rritja e çmimeve nëpër lokalet e gastronomisë po arsyetohet me konkurrencë.

    Ndërkaq, ekonomisti Safet Gërxhaliu, thotë se rritja e çmimeve pikërisht kur vendi po mbushet me vizitorë, nuk e vendos në pozitë të mirë Kosovën.

    “E prishë imazhin, ne e dimë që nuk jemi popull shumë i pasur, mund të përfitojnë lokalet edhe me çmimet që kanë aktualisht…”, tha Gërxhaliu.

    Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në hotele numri i vizitorëve gjatë muajit maj 2024 krahasuar me vitin paraprak, është rritur për 6.1 për qind.