ATV

Author: ATVLive

  • Trump thotë se duhet të “qëndrojmë të bashkuar” pasi i mbijetoi atentatit

    Trump thotë se duhet të “qëndrojmë të bashkuar” pasi i mbijetoi atentatit

    Ish-presidenti amerikan, Donald Trump postoi sërish këtë mëngjes në platformën e tij “Truth Social”, pasi i mbijetoi atentatit në tubimin e tij të djeshëm në Pensilvani, raporton CNN.

    “Në këtë moment, është më e rëndësishme se kurrë që të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë karakterin tonë të vërtetë si amerikanë, duke mbetur të fortë dhe të vendosur dhe duke mos lejuar që e keqja të fitojë”, tha ai.

    “Unë me të vërtetë e dua vendin tonë dhe ju dua të gjithëve dhe mezi pres të flas me kombin tonë të madh këtë javë nga Wisconsin”.

    Trump pritet të vazhdojë të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee, e cila fillon të hënën.

  • Finalja në ‘Euro2024’ : Spanjë – Angli

    Finalja në ‘Euro2024’ : Spanjë – Angli

    Spanja dhe Anglia do të luajnë të dielën nga ora 21:00 në finalen e madhe të EURO 2024 për të nxjerrë kampionin e ri të Evropës.

    “La Roja” vjen në finale pas fitore ndaj Francës me rezultat 2-1, dhe një ecurie fantastike, ku deri tani ka arritur të fitojë të gjitha gjashtë ndeshjet.

    Në anën tjetër, “Tre Luanët” triumfuan ndaj Holandës, po ashtu me rezultat 3-1.

    Spanja shihe si favorit, ndërsa ka fituar një Kupë Bote dhe tri Kampionate Evropiane, ku në 20 vitet e fundit ka shfaqur potencial të madh.

    Anglia trofeun e vetëm dhe të fundit e ka fituar në vitin 1966, 58 vite më parë dhe që atëherë futbolli nuk është kthyer në shtëpinë e tij, ndërsa ky vit konsiderohet si i duhuri.

  • Historiku i vrasjeve dhe atentateve në SHBA

    Historiku i vrasjeve dhe atentateve në SHBA

    Para atentatit të 13 korrikut ndaj ish-presidentit Donald Trump, ka pasur disa ngjarje të dhunës politike që kanë pasur për shënjestër presidentët amerikanë, ish-presidentët dhe kandidatët presidencialë.

    Në këtë tekst mund të mësoni për vrasjet dhe atentatet që kanë ndodhur në shtetin e themeluar më 1776:

    Abraham Lincoln, presidenti i gjashtëmbëdhjetë i SHBA-së

    Lincoln ishte presidenti i parë amerikan që u vra. Ai u qëllua nga John Wilkes Booth më 14 prill 1865, teksa ai dhe gruaja e tij, Mary Todd Lincoln po merrnin pjesë në një performancë speciale të komedisë “Our American Cousin” në Teatrin Ford në Uashington.

    Lincoln u dërgua në një shtëpi përballë teatrit, ku mori trajtim mjekësor pasi u qëllua pas kokës. Ai vdiq mëngjesin e ditës tjetër. Mbështetja e tij për të drejtat e personave me ngjyrë citohet të ketë qenë motivi për vrasjen e tij.

    Dy vjet para vrasjes, gjatë Luftës Civile, që u zhvillua për çështjen e skllavërisë, Lincoln lëshoi Deklaratën e Emancipimit, që u jepte liri skllevërve brenda Konfederatës.

    Lincoln u pasua në postin e presidentit nga nënpresidenti Andrew Johnson.

    Booth u qëllua për vdekje më 26 prill 1865, pasi u gjet duke u fshehur në një hambar afër Bolling Grin, Virxhinia.

    James Garfield, presidenti i njëzet i SHBA-së

    Garfield ishte presidenti i dytë që u vra në SHBA. Ai u vra gjashtë muaj pasi mori detyrën. Garfield ishte duke ecur në një stacion treni në Uashington më 2 korrik të vitit 1998 kur u qëllua nga Charles Guiteau.

    Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, tentoi – por pa sukses – që të gjente plumbin në gjoksin e Garfield, duke përdorur një pajisje që ai e kishte dizajnuar specifikisht për presidentin. Presidenti i plagosur rëndë qëndroi i shtrirë për disa javë në Shtëpinë e Bardhë, por vdiq në shtator pasi u dërgua në Nju Xhersi.

    Garfield u pasua nga nënpresidenti, Chester Arthur.

    Guiteau u gjet fajtor për vrasjen e presidentit dhe u ekzekutua në qershorin e vitit 1882.

    William McKinley, presidenti i njëzet e pestë i SHBA-së

    McKinley u qëllua kur po mbante një fjalim në Bufallo të Nju Jorkut më 6 shtator 1901. Ai po përshëndetej me njerëzit kur një person e qëlloi dy herë në gjoks nga një distancë e afërt. Mjekët prisnin se ai do t’i mbijetonte sulmit, por në gjoks iu shfaq gangrena.

    McKinley vdiq më 14 shtator të vitit 1901, gjashtë muaj pasi nisi mandatin e dytë si president.

    Ai u pasua në postin e presidentit nga nënpresidenti, Theodore Roosevelt.

    Leon F. Czolgosz, 28 vjeç, banor i Detroidit, pranoi se kishte kryer sulmin. Ai u gjet fajtor dhe u ekzekutua me karrige elektrike më 29 tetor të vitit 1901.

    John F. Kennedy, presidenti i tridhjetë e pestë i SHBA-së

    Kennedy u qëllua për vdekje nga një person i armatosur me një pushkë të kalibrit të madh, teksa presidenti amerikan po vizitonte Dallasin në nëntor të vitit 1963 së bashku me Zonjën e Parë, Jacqueline Kennedy. Të shtënat u dëgjuan teksa autokolona e presidentit po kalonte në sheshin Dealey në qendër të Dallasit.

    Kennedy u dërgua në spitalin Parkland, por vdiq pak kohë më vonë.

    Ai u pasua nga nënpresidenti Lyndon B. Johnson, i cili bëri betimin e presidentit në një sallë konferencash në avionin presidencial. Ai është presidenti i vetëm që ka bërë betimin në një avion.

    Disa orë pas vrasjes, policia arrestoi Lee Harvey Oswald, pasi gjeti vendin ku ishte vendosur snajperi në një ndërtesë afër.

    Dy ditë më vonë, Oswald u qëllua për vdekje nga Jack Ruby teksa po dërgohej nga stacioni policor në burg.

    Gerald Ford, presidenti i tridhjetë e tetë i SHBA-së

    Ford u përball me dy atentate, të kryera brenda javësh më 1975, por nuk ishte lënduar në asnjërin incident.

    Në atentatin e parë, Ford ishte duke shkuar në Sakramento që të takonte guvernatorin e Kalifornisë kur adhuruesja e Charles Manson, Lynette “Squeaky” Fromme, ia drejtoi Fordit një pistoletë gjysmë automatike. Megjithatë, arma nuk u shkrep.

    Fromme u dënua me burgim dhe u lirua më 2009.

    Shtatëmbëdhjetë ditë më vonë, një tjetër grua, Sara Jane Moore, u konfrontua me Fordin jashtë një hoteli në San Francisko. Ajo qëlloi me armë, por nuk arriti të qëllonte presidentin. Një kalimtar rasti ia mori armën nga dora, teksa ajo po tentonte të shkrepte sërish armën.

    Presidenti Ford duke u largua nga vendngjarja, pas atentatit të dytë ndaj tij.

    Presidenti Ford duke u largua nga vendngjarja, pas atentatit të dytë ndaj tij.

    Moore u dënua për atentatin dhe u lirua nga burgu më 2007.

    Ronald Reagan, presidenti i dyzetë i SHBA-së

    Reagan ishte duke u larguar nga Uashingtoni, pasi kishte mbajtur një fjalim, dhe duke ecur drejt veturës me të cilën do të udhëtonte, u qëllua nga John Hinckley Jr., i cili ishte në turmën e njerëzve të mbledhur.

    Reagan i mbijetoi të shtënave të marsit të vitit 1981. Tre persona të tjerë po ashtu u qëlluan, përfshirë sekretari i tij për Media, James Brady, i cili mbeti i paralizuar pjesërisht si pasojë e sulmit.

    Hinckley u arrestua dhe u dërgua në një spital mendor, pasi një juri e gjeti atë fajtor, por tha se ai kishte probleme mendore. Më 2022, Hinckley u lirua pasi një gjykatës tha se ai “më nuk paraqet rrezik për veten dhe të tjerët”.

    George W. Bush, presidenti i dyzetë e tretë i SHBA-së

    Bush ishte duke marrë pjesë në një tubim në Tbilisi më 2005 së bashku me presidentin e Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili, kur një granat dore u hodh drejt tij.

    Të dy liderët ishin duke qëndruar para një barriere antiplumb kur granata, e mbështjellë me një pëlhurë, ra rreth 30 metra larg tyre. Granata nuk shpërtheu dhe askush nuk u lëndua.

    Vladimir Arutyunian u gjet fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për këtë sulm.

    Robert F. Kennedy, kandidat presidencial

    Kennedy po kërkonte sigurimin e nominimit presidencial nga Partia Demokratike kur u vra në një hotel në Los Angjelos, disa minuta pasi mbajti një fjalim pasi kishte fituar zgjedhjet partiake në Kaliforni më 1968.

    Kennedy ishte senator amerikan nga Nju Jorku dhe vëllai i presidentit John F. Kennedy, i cili ishte vrarë pesë vjet më parë.

    Pesë persona të tjerë u plagosën gjatë të shtënave.

    Sirhan Sirhan u gjet fajtor për vrasje dhe u dënua me vdekje. Më pas, dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm. Ai ende gjendet në burg, teksa apeli i tij i fundit për lirim iu refuzua vitin e kaluar.

    George C. Wallace, kandidat presidencial

    Wallace po synonte të siguronte kandidaturën për president nga radhët e demokratëve kur u qëllua gjatë një tubimi zgjedhor në Marilend më 1972. Ky incident e la të paralizuar nga beli e poshtë.

    Wallace, guvernator i Alabamës, ishte i njohur për pikëpamjet e tij ndarëse, nga të cilat hoqi dorë më vonë.

    Arthur Bremer u gjet fajtor për të shtënat. Ai u lirua nga burgu më 2007. /REL/

  • Fluks i madh në rrugët e Shqipërisë, kosovarët ia mësyjnë bregdetit

    Fluks i madh në rrugët e Shqipërisë, kosovarët ia mësyjnë bregdetit

    Në pikun e sezonit turistik, me fluksin e lartë të pushuesve disa rrugë kryesore në Shqipëri mbeten problematike, konkretisht gjatë fundjavës.

    ABC News Albania, raporton se pushuesit e shumtë nga Kosova kanë preferuar të kalojnë fundjavën në bregdet, nga numri i lartë i pushuesve që udhëtojnë me autovetura, kanë krijuar trafik të rënduar pranë kryqëzimit të Fushë Milotit.

    Drejtoria e qarkullimit rrugor ne Lezhë ka marrë masa me efektive të shtuar për disiplinimin e trafikut.

    E njëjta situatë me trafik të renduar krijohet dhe gjatë pasdites, gjatë kthimit të pushuesve.

    Ndërsa pushuesit që preferojnë bregdetin e jugut lëvizin lirshëm në rrugën e re të ” Korridorit Blu” e hapur në fund të muajit qershor.

  • Konjufca për atentatin ndaj Trumpit: Sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik

    Konjufca për atentatin ndaj Trumpit: Sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i shokuar ndaj atentatit për vrasje të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

    Konjufca thotë se ky atentat është sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik.

    “Ky atentat është një sulm ndaj demokracisë dhe pluralizmit politik. Falë Zotit, Presidenti Trump i shpëtoi këtij sulmi, ndërsa Amerika sot ka nevojë për bashkim rreth vlerave të saj fundamentale të lirive qytetare dhe politike”, shkroi kryeparlamentari në Facebook.

  • Edhe një javë përvëluese në Kosovë, temperaturat ngrihen deri në 39 gradë

    Edhe një javë përvëluese në Kosovë, temperaturat ngrihen deri në 39 gradë

    Moti javën e ardhshme në Kosovë do të jetë me diell, me temperatura që arrijnë nga 31 deri në 39 gradë Celsius.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 19 gradë Celsius, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    E hënë – Mot kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 34-38 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1- 4m/s.

    E martë – Moti me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 34-38 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-3m/s.

    E mërkurë – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35- 38 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    E enjte – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 34-39 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    E premte – Mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Vranësirat gjatë ditës parashihen Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-35gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-4m/s.

    Këto temperatura të parashikuara në vende urbane do të jenë për 2-3 gradë më të larta, varësisht nga ekspozimi i materieve të metalta, asfaltit, materieve inerte dhe pozitës së objekteve ndaj kupës së qiellit. Parashihen edhe netë tropike në këto vende urbane , ku merkuri në termometër edhe gjatë natës dhe orëve të hershme nuk do të bie nën 20 gradë Celsius. të dendësohen , duke krijuar mundësi për ndonjë rigë afatshkurte të përcjellura me shkarkime rrufesh.

    IHMK-ja apelon për kujdes të shtuar, sidomos për qytetarët me sëmundje kronike, dhe atyre në komunikacion.

  • Krasniqi dënon tentim vrasjen ndaj ish-presidentit Trump

    Krasniqi dënon tentim vrasjen ndaj ish-presidentit Trump

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka dënuar tentim vrasjen ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump gjatë tubimit të tij zgjedhor mbrëmë dhe i ka uruar atij rikuperim të shpejtë.

    “Jam thellësisht i tronditur nga atentati ndaj ish-Presidentit Donald Trump gjatë tubimit të tij zgjedhor në Butler të shtetit Pennsylvania. Akte të tilla të dhunës janë të papranueshme dhe paraqesin sulm direkt ndaj demokracisë”.

    “Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, e dënojmë ashpër këtë sulm dhe solidarizohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto momente shqetësuese.

    Mendimet dhe lutjet tona janë me ish-Presidentin Trump, familjen e tij dhe popullin amerikan. Urojmë që ish-Presidenti Trump të rikuperohet shpejtë nga ky sulm i rëndë ndaj tij dhe t’i rikthehet aktiviteteve të fushatës zgjedhore. Kosova dhe qytetarët tanë mbeten të palëkundur në mbështetjen tonë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

  • Vdes një 61-vjeçar në Velipojë

    Vdes një 61-vjeçar në Velipojë

    Një 61-vjeçar ka humbur jetën sot në plazhin e Velipojës.

    Rreth orës 10:30, shtetasi K. L., 61 vjeç, banues në Krujë, dyshohet se në momentin që është futur në det ka pësuar arrest kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën.

    Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

  • Atentati ndaj Trump, Haradinaj: Aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive

    Atentati ndaj Trump, Haradinaj: Aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, aktualisht kandidat për mandatin e dytë, Donald Trump.

    Haradinaj ka thënë se aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive, janë të papranueshme dhe duhet të ndalohen

    Reagimi i plotë:

    “E dënoj fuqishëm sulmin ndaj Presidentit Trump! Aktet e dhunshme janë një pengesë për realizimin e demokracive, janë të papranueshme dhe duhet të ndalohen. ShBA-ja është një shembull për demokracitë në të gjithë botën dhe së bashku ne përparojmë përmes diskursit paqësor të vendeve tona dhe respektit për sundimin e ligjit.

    I uroj Presidentit Trump shërim të plotë!”, ka thënë Haradinaj.

  • Flet dëshmitari që pa sulmuesin në çati para se të qëllonte me armë Trumpin

    Flet dëshmitari që pa sulmuesin në çati para se të qëllonte me armë Trumpin

    Një dëshmitar rasti i ka treguar policisë se ka parë sulmuesin duke kaluar nga një çati në tjetrën, pak para se ai të qëllonte ish-presidentin amerikan, Donald Trump në tubimin e së shtunës në Pennsylvania, përcjell Reporteri.net.

    Ben Macer ishte përgjatë vijës së gardhit kur pa “djaloshin duke lëvizur nga një çati në tjetrën. (Unë) i thashë një oficeri se vrasësi ishte në çati”.

    “Kur u ktheva për të shkuar atje ku isha, ishte koha kur dhe filluan të shtënat, dhe më pas ishte thjesht kaos, dhe ne të gjithë dolëm duke ikur, dhe kaq ishte” tha Macer për KDKA.

    Autoritetet e kanë identifikuar sulmuesin një 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks i cili u vra nga agjentët e Shërbimit Sekret në vendngjarje.

    FBI në një deklaratë të lëshuar herët në mëngjes tha se 20-vjeçari ishte banor në Betherel Park në Pennsylvania, 35 milje larg nga bendi ku Trump mbajti tubimin dje.