ATV

Author: ATVLive

  • Policia thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga zjarret: Mos i digjni hapësirat fushore dhe pyjet

    Policia thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga zjarret: Mos i digjni hapësirat fushore dhe pyjet

    Në këto ditë të nxehta të verës ku temperaturat kanë kaluar mbi 35 Gradë Celsius, Policia rajonale e Ferizajt ka angazhuar personel të mjaftueshëm në menaxhimin e rasteve të zjarreve në rajonin e kësaj komune. Me këtë rast, policia është koordinuar edhe me institucionet tjera lokale dhe agjencitë përkatëse kundër zjarreve.

    “Aktualisht në rajonin e Ferizajt nuk kemi asnjë vatër, apo lokalitet të përfshirë nga zjarret, por policia apelon tek qytetarët të kenë kujdes në përhapjen e zjarreve, të mos i djegin hapësirat fushore dhe pyjet”, thuhet në njoftim.

    Policia, sipas të njëjtit njoftim, do të jetë e pa kompromis ndaj të gjithë atyre që me qëllim shkaktojnë zjarrëvënie. “Do të ndjekim penalisht të gjithë personat/individët që shkaktojnë zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre ndodhin zjarret”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Po ashtu policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe fton qytetarët që nëse kanë informacione rreth atyre personave që me dashje shkaktojnë zajrrëvënie të lajmërojnë stacionin më të afërt të policisë.

  • Një shekull nga rezistenca e Azem e Shote Galicës në Arbëri të Vogël, Idrizi: E gjithë kjo luftë është bërë për ta dëbuar ushtrinë serbe

    Një shekull nga rezistenca e Azem e Shote Galicës në Arbëri të Vogël, Idrizi: E gjithë kjo luftë është bërë për ta dëbuar ushtrinë serbe

    Për nder të 100 vjetorit të Rezistencës në Arbërinë e Vogël, ku prijës të saj ishin Azem e Shote Galica, Komuna e Vushtrisë ka organizuar aktivitet te ndryshme kulturo-artistik në amfiteatrin “Adem Mikollovci”, raporton EO.

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se ky 100 vjetor tregon se Kosova nuk e ka ndalur kurrë luftën e saj brez pas brezi ndaj pushtueseve, kështu duke mbrojtur trevat e saj.

    Ai ka me këtë rast ka përmendur edhe ish-kreret e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët janë duke u gjykuar në Hagë, që sipas tij edhe sot e kësaj dite ata janë duke u mbajtur padrejtësisht atje.

    “Është një datë e rëndësishme dhe vetëm data 100 vjeçare tregon se ky vend nuk e ka ndal luftën brez pas brezi për ta mbrojtur vendin. Jemi tubuar gjenerata brenda 100 vitesh për ta kujtuar dhe për ta respektuar këtë përvjetorë. Arbëria e Vogël nuk ishte ndonjë gjë tjetër përveç bërthama e rezistencës në krye me heroin Azem dhe Shotë Galicën. Jemi me fat që kemi mbërri këtë ditë ta përjetojmë me shumë mund dhe me shumë gjak e kemi fituar lirinë. E gjithë kjo luftë është bërë, gjithë kjo rezistencë për ta dëbuar ushtrinë serbe. Sot edhe pse jemi në liri sot ka padrejtësi nga ndërkombëtarët, ku Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen padrejtesisht në Hagë. Falënderoje dhe të gjithë ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës”, tha Idrizi.

    Profesori Mentor Hasani, ka thënë se heroi Azem Galica ka drejtuar shumë beteja kundër pushtuesve serb dhe se të dy heronjët dolën në krye të betejësë në kohën më të nevojshme për Kosovën.

    Sipas tij, rezistenca e tyre është bërë shembull për ta ndritur të ardhmen e Kosovës.

    “Kush më mirë se ju e kupton rezistencën e Azem dhe Shotë Galicës se ushtarët e UÇK-së. Jemi mbledhur për të nderuar dhe uruar rezistencën e Azem dhe Shotë Galica. Azem Galica dhe Shota dolën në krye në kohën më të nevojshme për Kosovën. Ai drejtoi shumë beteja kundër pushtuesve serb. Në këtë përvjetor nuk kujtojmë vetëm humbjen por edhe çka na ka lenë pas, ai na mësoi që liria nuk vjen pa sakrifica. Le të kujtojmë she të ndjekim shembullin e tyre për ta ndritur të ardhmen e Kosovës”, tha Hasani.

    Në emër të familjareve të fshatit Galicë, Qamil Sahiti ka thënë se pushtuesit serb janë munduar gjithmonë që të zhdukin shqiptarët, por që sipas tij, heronjtë shqiptar ndalun që një gjë e tillë të ndodh.

    “100-vjet më parë u munduam të shohim aktivitetin shqiptar, u munduan që ta vrasin dhe të trembin dhe i dogjën shqiptarët. U munduan që t’i zhdukën nga faqja e dheut vetëm që ishin shqiptarë dhe po jetonin në vendin e tyre që nga kohët e lashta. Të udhëzuar nga patriotet e asaj kohës, Hasan Prishtina, Bajram Curri. I treguam botës që kjo tokë do të mbetet e shqiptarëve, në këtë rrugë dhe me këtë motiv u themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Jam i bindur që do të realizohet ëndërra e te drejtave të jetojmë lirshëm. Kërkojmë përfundimin drejt funksionalizimit të Kullës në Galicë, dhe të emërohet rruga Vushtrri-Skenderaj, Azem Galica”, tha Sahiti.

    Familjarja e Azem dhe Shotë Galicë, Sala Ahmetaj ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është frymëzuar nga luftërat që kishin në krye Azem dhe Shotë Galicën.

    “Përshëndes me shumë dashuri ish-ushtarët e UÇK-së të cilët të frymëzuar nga Azem dhe Shotë Galicës kanë bërë madhështinë për vendin. Ndihem e nderuar te marrë këtë mirënjohje për luftën që kanë bërë, Shota është heroina e botes që është shndërruar në frymëzim. Kur një grua vlerësohet për guxim mençuri do të thonë ku je o Shotë Galica. Gërsheti i Shotës është bërë simbol i lirisë”, tha ajo.

    Në fund, i pari i Vushtrrisë ka ndarë dekorata në shenjë mirënjohje ndaj kontribuuesve për çështjet kombëtare.

    Komuna e Vushtrrisë për të shënuar 100 vjetorin e rezistencës në Arbërinë e Vogël, për tri ditë me radhë ka organizuar aktivitete të ndryshme.

  • Ushtaret grekë të KFOR-it e mbajnë stërvitjen për kontrollin e trazirave në kampin e Novosellës

    Ushtaret grekë të KFOR-it e mbajnë stërvitjen për kontrollin e trazirave në kampin e Novosellës

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se ushtarët grekë e kanë kryer një stërvitje në kampin e Novosellës.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se trajnimi ishte për Kontrollin e Trazirave të Turmave dhe Heqjen e Pengesave.

    “Ushtarët grekë nga Batalioni i 2-të i Forcave Rezervë Operacionale Shumëkombëshe kryen një stërvitje stërvitore për Kontrollin e Trazirave të Turmave dhe Heqjen e Pengesave në kampin Novosellë.

    “Trajnimi u mbështet nga ushtarët e Batalionit të Rezervës Taktike të Hungarisë të KFOR-it, të cilët i ndihmuan ata të njihen me teknikat, taktikat dhe procedurat specifike për këto lloj ushtrimesh”, thuhet në njoftim.

  • Shurupi i xhenxhefilit, si ta përgatisni për të trajtuar kollën

    Shurupi i xhenxhefilit, si ta përgatisni për të trajtuar kollën

    Shurupi i xhenxhefilit mund të përgatitet mjaft lehtë dhe të befason me shijen e mirë.

    Xhenxhefili është ndoshta një nga erëzat më të përdorura në botë sepse gjallëron çdo pjatë apo gatim.

    Shija e tij zbut edhe njerëzit më tekanjozë me ushqimin.

    Xhenxhefili është një nga erëzat më të njohura. Është i mbushur me ushqyes dhe përbërës bioaktivë që i japin organizmit shëndet të mirë.

    Kjo bimë është përdorur prej më shumë se 2000 vitesh si një instrument i rëndësishëm në mjekësinë popullore të shumë qytetërimeve.

    Xhenxhefili forcon shëndetin e kockave dhe zbut dhimbjet e kyçeve.

    Por studimet kanë treguar se xhenxhefili dhe shurupi i tij është shumë më efikas se antibiotikët kundër infeksioneve të stafilokokut.

    Shurupi i xhenxhefilit është rekomanduar kundër sëmundjeve dhe infeksioneve të çdo grupmoshe.

    Ai ka një efekt qetësues ndaj simptomave dhe kundërpërgjigjeve emergjente të trupit ndaj qelizave të dëmtuara në organizëm.

    Qelizat e bardha kanë një rol rregullator dhe mbrojtës, ndërkohë që xhenxhefili shërben si pengesë kundër lipideve që nxisin ethet, dhimbjet e kokës dhe kontraktimet muskulare.

    Shurupi i xhenxhefilit është efikas për tretjen dhe kundër të vjellave, por lufton edhe inflamacionin, kontraktimet muskulare e të tjerë. Ai stimulon qarkullimin e gjakut dhe oreksin.

    Receta e shurupit që sugjerohet nga ekspertët shërben si një kurë ideale kundër të vjellave, dhimbjeve të stomakut, të ftohtit, kollës dhe shumë më tepër.

    Përbërësit:

    225 gramë xhenxhefil të freskët ose 2 zhardhokë të gjatë rreth 25 centimetra.

    1 filxhan me sheqer

    2 gota me ujë

    1 filxhan me mjaltë

    Udhëzimet:

    Qërojeni xhenxhefilin dhe ndajeni në forma të holla rrethore. Ziejeni ujin bashkë me sheqerin në një tenxhere.

    Më pas shtoni fetat e xhenxhefilit dhe lërini të ziejnë sërish. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni lëngun të ftohet për 30 minuta.

    Shurupin kullojeni duke përdorur një napë. Shtrydhni edhe masën e zjerë të xhenxhefilit dhe më pas hidheni.

    Shurupin hidheni në një shishe të mbyllur hermetikisht dhe mbajeni në frigorifer.

    Shurupin mund ta konsumoni duke e shtuar në lëngje frutash, qumësht, çaj, akullore, panine, tërshërë, sallata ose fruta.

  • Kurti takon drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it, i ofron bashkëpunim të afërt me të, ministritë e agjencitë

    Kurti takon drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it, i ofron bashkëpunim të afërt me të, ministritë e agjencitë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

    Së bashku me mirëseardhje në Kosovë, Kryeministri Kurti e uroi Vashchenko për detyrën e re dhe i ofroi bashkëpunim të afërt nga ai dhe ministritë e agjencitë e linjës në fushën e rinisë dhe edukimit.

    Diskutuan për programet dhe bashkëpunimet aktuale në edukimin gjithëpërfshirës, edukimin në fëmijërinë e hershme dhe punën praktike në kuadër të programit “Kosovo Generation Unlimited”, por edhe për mundësitë për të bërë edhe më shumë, sidomos në promovimin dhe zhvillimin e vullnetarizmin te të rinjtë.

    Gjatë takimit, u veçua rëndësia e përpunimit të të dhënave të mbledhura nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, u mirëprit votimi i Ligjit për Rininë që u miratua javën e kaluar në Kuvend dhe u vlerësua përfshirja e rinisë dhe kapitalit njerëzor në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim.

    Ky ishte takimi i parë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Drejtores së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko. Znj. Vashchenko, shtetase e Ukrainës, u emërua në këtë pozitë në qershor të këtij viti.

  • Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua para 25 vitesh, jam pro saj në OKB

    Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua para 25 vitesh, jam pro saj në OKB

    Akademiku serb, Nenad Kostiq, ka thënë se Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë, ndërsa gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë.

    Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Fonet”, i pyetur nëse zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të arrihet përmes konferencës apo dialogut ndërkombëtar, Kostiq tha se gjatë historisë konferencat ndërkombëtare dhe konferencat e paqes janë organizuar shpejt pas përfundimit të luftës dhe se tani është tepër vonë për një gjë të tillë.

    “Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë. Rruga e mëtutjeshme e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e ngushtë. Unë nuk shoh nevojën për një konferencë të madhe. Kjo duhet të merret vesh nga pushtetarët në Prishtinë dhe Beograd, natyrisht, nën kujdesin e fuqive të forta”, shtoi Kostiq, raporton media serbe “Danas”.

    Ai thotë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “është një iniciativë e dy vendeve udhëheqëse të Bashkimit Evropian për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës dhe që Serbia të pajtohet me fqinjët e saj sa më shumë që të jetë e mundur dhe përfundimisht një ditë të bukur t’i bashkohet BE”.

    I pyetur për konfliktin e ngrirë, ai tha se konflikti nuk është i ngrirë, por po digjet dhe se problemi me çdo konflikt të tillë është se ai mund të shkrihet.

    “Një konflikt i ngrirë është një fuçi baruti që pret vetëm ndezjen e fitilit”, paralajmëroi Kostiq, duke shtuar se ata që e mbrojnë atë ide fantazojnë se gjithçka do të funksionojë në favor të tyre në të ardhmen, por se ai është kundër një konglomerati të ngrirë.

  • Zyrapi pyetet për organizimin e logjistikës së UÇK-së dhe për pavarësinë e zonave

    Zyrapi pyetet për organizimin e logjistikës së UÇK-së dhe për pavarësinë e zonave

    Në vazhdim të pyetjeve, avokates së Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra, u përqendrua të organizimi i logjistikës së UÇK-së e cila sipas saj, bazën kryesore e kishte në Divjakë të Shqipërisë

    Ajo e pyeti dëshmitarin Bislim Zyrapi lidhur me deklaratën e Komandantit të Zonës së Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, i cili sipas saj në dëshminë e dhënë në ketë proces gjyqësor, ka thënë se ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Mustafa ka dëshmuar që ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia gjatë luftës. Ai ka shtuar gjithashtu që ka shtuar kontribute vullnetare të dhëna nga disa njerëz si brenda dhe jashtë Kosovës”, tha avokatja.

    Pas pyeti dëshmitarin se a se a është në dijeni të kësaj gjendje, dëshmitari shkurtimesh u përgjigj me po.

    Pas kësaj, avokatja tha se sa i takon aspektit logjistik dhe financiar, zonat kishin një linjë të pavarur për furnizime dhe financime dhe Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë nuk kishte kontroll apo jo?

    Përgjigjja e dëshmitarit lidhur me ketë pyetje nuk u dëgjua, mirëpo sipas mimikës trupore u duke që ai u pajtua ne konstatimin e bërë në formë pyetje nga avokatja.

    Paraprakisht, avokatja e pyeti dëshmitarin lidhur librin e Bardhë Hamzajt me titull “ Një narrativë për luftën dhe lirin”, ku në të ndër të tjera thuhej se Ramush Haradinaj kishte krijuar një mekanizëm paralel logjistike dhe kishte vendosur Mustaf Selmanaj si shef të saj.

    Lidhur me këtë, dëshmitari Zyrapi tha se Haradinaj e ka konsideruar që e ka bërë një vijë të veçantë, por sipas tij ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së.

    “U mundua në atë drejtim ta bëj një paralel në fakt, por të gjithë ata njerëz që kanë furnizua atë zonë kanë qenë të bazës së logjistikes së UÇK-së, po që kanë qenë të dedikuar drejt për Zonën e Dukagjinit. Kështu që ai e ka konsideruar që e ka bërë një vije të veçantë, por jo ajo ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së”, tha Zyrapi.

  • Janë vendosur pajisje të reja elektronike në Kuvend, kështu duket tash tavolina e deputetit

    Janë vendosur pajisje të reja elektronike në Kuvend, kështu duket tash tavolina e deputetit

    Salla e Kuvendit të Kosovës është në rinovim e sipër ndërsa Shefi i Kabinitetit të Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli njoftoi se tashmë veçse janë vendosur pajisje të reja elektronike për votim dhe mikrofonë.

    “Pas 21 vitesh po ndërrohen paisjet e sallës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Ilir Kërçeli në Facebook.

  • Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher zyrtarizon lidhjen

    Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher zyrtarizon lidhjen

    Ralf Schumacher, vëllai i shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, zbulon marrëdhënien e tij homoseksuale.

    Me një postim në rrjetet sociale, ai zbulon të vërtetën, ku është duke përqafuar partnerin e tij Etienne në perëndim të diellit. Përmes këtij postimi, Ralf Schumacher dukej se donte t’u hapej ndjekësve të tij për seksualitetin e tij.

    “Gjëja më e mirë në jetë është të kesh partnerin e duhur në krah për të ndarë gjithçka me të”, shpjegoi ish-piloti gjerman në mbishkrimin që shoqëron imazhin.

    Dalja e Ralf Schumacher gjeti menjëherë mijëra pëlqime dhe qindra komente në mbështetje të vendimit të tij për të bërë publike marrëdhënien e tij homoseksuale në një botë, siç është ajo e motorsportit, ku është e rrallë të flitet për shoferë që kanë të tilla marrëdhënie.

    Në Formula 1, Ralf Schumacher garoi për Jordanin, Williams dhe Toyota, për gjithsej 182 gara të mëdha, me 6 fitore, 6 pole position dhe gjithsej 27 podiume. Ralf ishte i martuar me Cora Brinkmann nga viti 2001 deri në 2015 dhe është babai i David Schumacher, fitues i një gare F3 në 2021.

  • Dënohet me 2 mijë e 500 euro gjobë mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetit Dimal Basha

    Dënohet me 2 mijë e 500 euro gjobë mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetit Dimal Basha

    Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, mërgimtari Bajram Isufi është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë për kanosjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

    Aktgjykimi ndaj Isufit u shpall të hënën nga gjykatësi Dibran Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Isufi tha se sipas marrëveshjes për pranim fajësie, i akuzuari dënohet me 180 ditë burgim i cili dënim i zëvendësohet me 2 mijë e 500 euro gjobë.

    I akuzuari obligohet që gjobën prej 2 mijë e 500 euro ta paguajë me tri këste, për shkak të gjendjes së tij të dobët ekonomike.

    Paraprakisht, prokurori Kastriot Berisha i propozoi gjykatës ta aprovojë marrëveshjen për pranim fajësie, pasi tha se është në përputhje me dispozitat e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale.

    Prokurori shtoi se i akuzuari gjatë gjithë kohës ka qenë i përfaqësuar me mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, i ka kuptuar të drejtat, benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe vullnetarisht ka hyrë në këtë marrëveshje.

    Deputeti Basha tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale, ndërsa nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike.

    Në anën tjetër, i akuzuari kërkoi falje për veprën e kryer dhe shtoi se kishte kërkuar falje edhe në Prokurori. Tha se veprën e kishte kryer pasi ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Isufi, avokati Shemdi Bunjaku, tha se i mbrojturi i tij ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë dhe se i akuzuari në Prokurori ka deklaruar që është involvuar në këtë çështje penale pa dashje e që më pas ka kuptuar se veprimet e tij kanë qenë ndesh me ligjin. Ai shtoi se i mbrojturi i tij kishte deklaruar se krejt kjo situatë ka ardhë si pasojë e shëndetit jo të mirë në atëkohë.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n***! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani** dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”.

    Po ashtu, thuhet se i ka shkruar edhe mesazh tjetër me fjalët: “mos ha fort se bonbën në gojë ta shtijn gjinja, i vonshëm je ti”. Këto mesazhe, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar frikë dhe ankth deputetit Basha.

    Andaj, me këto veprime Isufi ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.