ATV

Author: ATVLive

  • Messi u bë lojtari më i trofeshëm në histori të futbollit

    Messi u bë lojtari më i trofeshëm në histori të futbollit

    ionel Messi e pati një gëzim të dyfishtë mbrëmë.

    Ylli i Inter Miamit e fitoi trofeun e Copa Americas, të dytin me radhë me Kombëtaren e Argjentinës.

    E në ndërkohë, ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Inter Miamit e bëri një tjetër arritje historike pas finales së luajtur në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në fakt, 37 vjeçari u bë lojtari më i trofeshëm në histori të futbollit.

    Kampioni i botës arriti në kuotën e 45 trofeve me klube dhe me Kombëtare duke e kaluar rekordin që e mbante paraprakisht ish-bashkëlojtari i tij tek Barça, Dani Alves.

    Argjentina e mposhti Kolumbinë pas vazhdimeve 1:0 dhe kjo ia mundësoi Messit që ta thyejë rekordin e trofeve, ndërsa ai u detyrua ta linte fushën në pjesën e dytë pas një lëndimi që e pësoi, teksa u pa me lot në sy.

    Sidoqoftë, fundi kishte rëndësi për atë që po konsiderohet si futbollisti më i mirë në histori pasi e fitoi trofeun e Copa Americas dhe kështu e shijoi trofeun e 45-të në karrierë.

    Krahas Botërorit, dy Copa America dhe Finalissima, Messi e kishte fituar katër herë Ligën e Kampioëve dhe 10 herë titullin në La Liga me Barcelonën.

    Në aspektin individual, ai e ka fituar tetë herë Topin e Artë dhe gjashtë herë Këpucën e Artë.

    Messi i ka regjistruar 1,212 gola dhe asistime në 1,068 ndeshje, më saktësisht 838 gola dhe 374 asistime.

    Prej 45 trofeve të fituar, Messi 39 prej tyre i ka shijuar në nivelin e klubeve.

    Që nga mosha 17 vjeçare, kur nisi të fitonte trofe, argjentinasi nuk është ndalur.

    E ka fituar titullin e kampionit shtetëror 12 herë (10 me Barcelonën e 2 me Paris Saint-Germainin), katër herë Ligën e Kampionëve (me Barcelonën), dhe i ka fituar 17 trofe vendorë (15 me Barcelonën dhe nga një me PSG-në e me Inter Miamin).

    Gjithashtu, e ka fituar tri herë Superkupën e Evropës dhe tri herë Botërorin e Klubeve, shkruan Gazeta Express.

    Me Argjentinën, fitoret e Messit i përfshijnë Botërorin U-17 në vitin 2005, Lojërat Olimpike 2008, Copa America 2021, Finalissima 2022 dhe më e madhja dhe më e paharrueshmja, Kupa e Botës 2022.

  • Vdes ylli i ‘Beverly Hills’, Shannen Doherty

    Vdes ylli i ‘Beverly Hills’, Shannen Doherty

    Aktorja Shannen Doherty, e njohur më së shumti për rolet në shfaqje televizive si Beverly Hills 90210 dhe Charmed, vdiq të shtunën nga kanceri në moshën 53-vjeçare, raporton BBC.

    “Me zemër të rëndë konfirmoj vdekjen e aktores Shannen Doherty”, tha publicisti i saj, Leslie Sloane, në një deklaratë. “Vajza, motra, halla dhe shoqja e përkushtuar ishte e rrethuar nga të dashurit e saj si dhe nga qeni i saj, Bowie”.

    Doherty kaloi më shumë se katër dekada si aktore. Ajo është më e njohur për rolin e Brendas në katër sezone të 90210.

    Aktorja u diagnostikua me kancer gjiri në mars të vitit 2015 dhe iu nënshtrua mastektomisë, rrezatimit dhe kimioterapisë.

    Në vitin 2017 kishte menduar se ia kishte dalë mbanë, por kanceri i ishte kthyer dy vjet më vonë.

  • ​Komuna e Prishtinës ristrukturon drejtoritë, shkak rritja e efikasitetit për realizimin e projekteve

    ​Komuna e Prishtinës ristrukturon drejtoritë, shkak rritja e efikasitetit për realizimin e projekteve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka bërë ristrukturim me qëllim të rritjes së efikasitetit të realizimit të projekteve.

    Sipas një komunikate të lëshuar nga kjo komunë për shkak të rëndësisë së planifikimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 dhe Fshatit Olimpik, si dhe rritjes së vëllimit të punës në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor me procesin e digjitalizimit përmes E-Leja, Arbër Sadiki do të përqendrohet në pjesën e planifikimit ndërsa Florent Maliqi do të mbulojë fushën e urbanizmit në veçanti të aspekteve ligjore dhe zbatimit të E-Leja.

    “Gjithashtu, ekipit sot i janë bashkuar Valbona Vitija-Ajeti dhe Kushtrim Mushica për të udhëhequr punën në drejtoritë e administratës, përkatësisht të sportit”, thuhet në komunikatë.

    Derisa Bardh Krasniqi së bashku me Vigan Kastratin sipas komunës do ta vazhdojë punën me një rol të rëndësishëm në strukturat planifikuese dhe organizative të Lojrave Mesdhetare 2030.

  • Liria prezanton trajnerin e ri

    Liria prezanton trajnerin e ri

    Granit Begolli do të jetë kryetrajner i Liris për edicionin e ri garues të Ligës së Parë 2024/25. Kështu është bërë e ditur nga klubi prizrenas përmes një njoftimi në faqen zyrtare të skuadrës.

    “FC Liria ka kënaqësinë të njoftojë zyrtarizimin e Granit Begollit si trajnerin tonë të ri për sezonin e ardhshëm! Begolli po rikthehet te Liria pas dy sezonesh, duke sjellë me vete përvojën, njohurinë dhe pasionin e tij për futbollin”, thuhet në njoftimin e klubit, përcjellë KosovaPress.

    Liria edicionin e kaluar ishte pjesë e Superligës së Kosovës në futboll, por pati një ecuri shumë të dobët të rezultateve dhe u kthye në Ligën e Parë.

  • Kane i mërzitur: Një tjetër mundësi e lëshuar, një humbje që dhemb

    Kane i mërzitur: Një tjetër mundësi e lëshuar, një humbje që dhemb

    Harry Kane vazhdon të mbetet pa trofe, njëjtë si Anglia e tij.

    Kapiteni i “Tre Luanëve” e ka komentuar humbjen e tij me shokë në finale të Euro 2024 nga Spanja, ndërsa dukej i mërzitur dhe i dërrmuar pasi e humbi finalen e dytë radhazi të Europianit me anglezët.

    Është e vështirë ta përshkruash me fjalë se si ndihemi në këtë moment. Ishte një ndeshje e vështirë, ishim në gjendje të ktheheshim në lojë, por hasën në vështirësi të vazhdonim të ndërtonim. Të pësosh gol në fund është me të vërtet e vështirë që ta pranosh”, deklaroi sulmuesi i Bayern Munichut për “ITV”.

    “Kemi bërë përmbysje gjatë tërë kampionatit, por në këtë ndeshje nuk e bëmë hapim pasues për të fituar. Në pjesën e parë kemi hasur në vështirësi. Nuk mund të arrinim ta merrnim posedimin. Pjesa e dytë ishte më e mirë dhe kemi shënuar. U bëfasuam nga një harkim dhe ky ishte fundi”, vazhdoi ish-futbollisti i Tottenhamit.

    “Është një mundësi e humbur. Nuk është e lehtë të arrish në kësi finale. Duhet ta shfrytëzosh rastin kur të të vijë dhe ne nuk e bëmë këtë sërish. Na vjen ekstremisht keq dhe kjo do të na lëndojë shumë gjatë. Të gjithë dëshironim të fitonim”, përfundoi Kane, i cili nuk e ka fituar asnjë trofe në karrierë deri tash.

  • Haradinaj: Për “gropat e zeza buxhetore”, organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë

    Haradinaj: Për “gropat e zeza buxhetore”, organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se janë mbi 250 milionë euro tendera njëburimorë që janë dhënë gjatë qeverisjes së Kurtit.

    Ai ka shkruar se për “gropat e zeza buxhetore”, organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë.

    “Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë herët a vonë do të kenë shumë punë”, ka thënë Haradinaj.

    Nga ana tjetër, Haradinaj ka theksuar se sipas ASK-së qeveritare gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, ani se për filozofët e qeverisë, Kosovën po e braktisin gjyshet.

    Postimi i plotë:

    Gropat e zeza buxhetore dhe “arritjet historike” të Qeverisë

    • Kosova është nën sanksione të BE dhe SHBA dhe kjo është e paparë dhe historike. Dëmi deri tash, rreth 300 milionë euro, pra gropë e madhe e buxhetit dhe bajagi historike.
    • Albini e ka implementuar marrëveshjen e 2013-tës për stickersa, targa të veturave dhe sot paska thënë edhe marrëveshjen për energji dhe kjo është historike.
    • E ka marrë statusin e “Veteranit Luftëtar” pa e veshur kurrë uniformën e UÇK dhe pa prekur kurrë armë me dorë, siç e parasheh ligji. Kjo s’ka qenë e lehtë, por është historike përnjëmend edhe goxha njëfarë grope.
    • Mbi 250 milionë tenderë njëburimorë (vrima të lavdishme buxhetore) për dosta e miq, janë historike por aspak për të mirë dhe organet e drejtësisë heret a vonë do të kenë shumë punë.
    • Asnjë njohje për 4 vjet qeverisje, asnjë anëtarësim.
    • Sipas ASK-së qeveritare gjatë qeverisjes së Kurtit, mbi 200 mijë qytetarë e kanë braktisur Kosovën, ani se për filozofët e qeverisë, Kosovën po e braktisin gjyshet!

    Gropa apo vrima të mëdha këto që ky kryeministër e kjo qeveri, nuk kanë as dije, as vullnet e as kohë t’i sanojnë. Ata tash janë orientu nga zgjedhjet e radhës që janë mashtrimi i radhës.

  • Kryeministrja e Estonisë jep dorëheqje për t’u bërë kryediplomate e BE-së

    Kryeministrja e Estonisë jep dorëheqje për t’u bërë kryediplomate e BE-së

    Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, dha dorëheqje nga kjo pozitë, për t’u bërë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në fund të vitit.

    Kallas, kryeministrja e parë grua e Estonisë, i dorëzoi dorëheqjen zyrtare presidentit Alar Karis, gjatë një takimi në Pallatin Presidencial në Talin, të hënën.

    Duke folur për kohën e Kallasit si kryeministre, për plot tre vjet e gjysmë, Karis tha se “ishte një kohë me plot kriza, si: koronavirusi, recesioni ekonomik dhe lufta në Evropë, kur Rusia shkatërroi tablonë e mëparshme të sigurisë me agresionin e saj në Ukrainë”.

    Dorëheqja e Kallasit shkaktoi automatikisht dorëheqjen e kabinetit të saj tripartiak.

    Megjithatë, ai do të vazhdojë të shërbejë si qeveri teknike, derisa të betohet kabineti i ri – me shumë gjasa në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.

    Në pozitën e lartë në BE, Kallas do të pasojë shefin e deritashëm të politikës së jashtme, Josep Borrell.

    Një prej detyrave të saj pritet të jetë edhe ndërmjetësimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në të kaluarën, Kallas është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”. /REL

  • Memli Krasniqi kujton Azem Galicën

    Memli Krasniqi kujton Azem Galicën

    Kryetari I PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar sot Azem Bejtë Galicën.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi shkruan se “qysh si 16 vjeçar, Azemi u betua për një jetë kundër pushtuesve dhepër lirinë e trojeve shqiptare”

    Lexoni më poshtë postimin e plotë të Krasniqit:

    100 vite më parë, në moshën 34 vjeçare, ra heroikisht një nga trimat më të rrallë të historisë tonë kombëtare, Azem Bejta. Edhe pse nuk jetoi gjatë, të bëmat dhe veprimtaria e Azemit tejkaluan moshën e tij të re. Ai ishte pjesë aktive e rezistencës kundër një perandorie që po shuhej dhe u bë personaliteti qendror i epokës së rezistencës së parë kundër pushtimit serb e jugosllav.

    Qysh si 16 vjeçar, kur ia vranë babain, Bejtën, Azemi u betua për një jetë kundër pushtuesve dhe për lirinë e trojeve shqiptare. Në kuadër të Lëvizjes Kaçake, ai mori pjesë në shumë luftëra e beteja, përfshirë Kryengritjen e Drenicës, atë të Dukagjinit dhe më pas atë të Junikut.

    Duke mos dashur që as i vdekur të bie në duart e çetnikëve serbë, Azemi e kishte lënë amanet që të varroset në një vend sekret, të cilin do t’ia plotësonin pas rënies, gruaja e tij Shota dhe bashkëluftëtarët e tij, duke e varrosur në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra të thellë. Për 47 vite trupi i heroit tonë do të pushonte aty, deri në rikthimin e tij në fshatin e lindjes, në Galicë.

    Lavdi Heroit të Kombit, Azem Bejtë Galica!

  • Policia në Ferizaj: Gjatë javës së kaluar u raportuan 48 aksidente, një i vdekur

    Policia në Ferizaj: Gjatë javës së kaluar u raportuan 48 aksidente, një i vdekur

    Policia në Ferizaj ka njoftuar se gjatë javës së kaluar janë raportuar 48 aksidente trafiku, 1 prej tyre me vdekje.

    Po ashtu janë shqiptuar 1770 gjoba dhe janë hequr 23 patentë shoferë.

    “Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërrmarrë një sërë aktivitetesh në identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion me qëllim parandalimin e aksidenteve. Në kuadër të këtyre aktiviteteve policia rajonale e Ferizajt gjatë javës që shkoi, nga data 08-14/07/2024 ka shqiptuar 1770 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr edhe 23 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.”

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.”

  • Kryetarët Idrizi e Nura bëjnë homazhe tek varrezat e heronjve Azem e Shote Galica

    Kryetarët Idrizi e Nura bëjnë homazhe tek varrezat e heronjve Azem e Shote Galica

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kryetarin e Skenderajt Fadil Nura, kanë bërë homazhe tekë varrezat e heronjve Azem e Shotë Galica, me rastin e 100 vjetorit të rezistencës në Arbërinë e Vogël, të udhëhequr nga ta, raporton EO.

    Kryetari Idrizi ka thënë se duke marr parasysh betejën që është zhvilluar në këtë zonë, Arbëria e Vogël është thelbi i një Shqipërie etnike.

    Ai ka shtuar se gjithë shqiptaria ndihet krenar për këto figura të mëdha kombëtare që kanë kontribuar në lirinë që sot Kosova e gëzon.

    “Sot jemi për të bërë homazhe te kryetrimi Azem Galica, në rastin e 100 vjetorit të betejës, jemi në këtë zonë ne Arbërinë e Vogël, ku është zhvilluar beteja. Çfarë e bënë të veçantë janë këto tri fshatrat, Galica, Lubovëci dhe Mikoshnica. Do të bëjmë homazhe edhe tek lapidari në Lubovec dhe vazhdojmë me aktivitete tjera të ditës. Besoj që jo vetëm unë por të gjithë shqiptarët ndihen krenar, sepse Arbëria e Vogël është thelbi i një Shqipërie etnike dhe gjithsesi se këto figura kombëtare siç janë Shota dhe Azem Galica, duhet të përkujtuar sepse kanë qenë të lirisë që ne sot e gëzojmë në Republikën e Kosovës”, tha Idrizi.

    Përveç kësaj, kryetaret vizituan edhe lapidarin e heroit Xheladin dhe Lah Luboveci si dhe Kullën e Halit Bajrami ku ishte rrezuar tre herë dhe tre herë ishte ndërtua në kohën e rezistencës në Arbërinë e Vogël.

    Për të shënuar 100 vjetorin e rezistencës në Arbërinë e Vogël, për tri ditë me radhë do të ketë aktivitete të ndryshme, të organizuara nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.